Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Duhet ulur çmimi i energjisë elektrike?

Ka afro katër vjet që çmimi i energjisë elektrike tek ne nuk ndryshon. Ndryshimi i fundit, me rritje të çmimit edhe për familjarët, ndodhi në 30 dhjetor 2014. Vendimi ishte i drejtë, pse humbjet në rrjet ishin të mëdha, sistemi energjetik gati në kolaps dhe viti hidrik 2013 tejet i keq. Ndërkohë, këto tri vitet e fundit pa lëvizje çmimi të energjisë elektrike (2016-2018) tek ne, përbëjnë një gjendje të pazakontë. Zakonisht, në të gjitha vendet evropiane dhe në botën mbarë, energjia ngrihet apo ulet, nganjëherë edhe brenda vitit, ngaqë është një treg shumë dinamik.

Për shembull, në Itali për vitin 2017, është ulur me 12 për qind. Është ulur, por më pak edhe në disa vende të rajonit tonë si në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi, etj. Tek ne çmimi i energjisë elektrike ka qëndruar pa lëvizur, edhe pse vetë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHE) përmend me mburrje se për periudhën 2014-2017 ka ulur humbjet joteknike në rrjet me mbi 30 për qind! Shumë mirë ka bërë, por pse nuk ul çmimin?! Ndërkohë që humbjet joteknike përbëjnë një nga zërat më të rëndësishëm të kostos së rritur të energjisë elektrike tek ne. Jemi më të shtrenjtët në rajon! Shqipëria rezultoi një nga vendet me çmimin më të lartë të energjisë elektrike në rajonin e Ballkanit në kuotën 9 cent të euros për kWh (kilovat/orë), përfshirë taksat. Çmimi në Shqipëri është ndjeshëm më i lartë se sa në Maqedoni (8 cent), Serbi (7 cent) apo Kosovë (po 7 cent). Nuk duhet të harrojmë se tregu i shitjes së energjisë elektrike është një nga më të rëndësishmit në vendin tonë. Për 550 mijë familjet shqiptare që e blejnë energjinë nga OSHEE janë rreth 30 milionë euro që arkëton mesatarisht në muaj, kjo ndërmarrje tërësisht shtetërore, ose 360 milionë euro në vit.
Madje, për familjet e varfra shqiptare (janë mbi 130 mijë të tilla), shpenzimi i energjisë elektrike (ajo faturë e shkretë objekt shumë kokëçarjesh e hallesh të mëdha, kur nuk ke ta paguash) shkon edhe në një të katërtën apo edhe të tretën e parave të pakta që fitojnë, sidomos për periudhën e dimrit. Megjithëkëtë gjendje shumë të keqe shoqërore ku familjet e varfra janë tek ne, me perspektiva të pakta punësimi, edhe pse kushtet ishin të ulej çmimi në dhjetor 2016 dhe dhjetor 2017, kjo nuk u bë. Po pse ishin kushtet? Sepse, përveç uljes së fortë të humbjeve joteknike në rrjet (vetëm këto duhet ta kishin ulur çmimin me të paktën 4 për qind për familjarët), për shkak të viteve të mira hidrike 2016 dhe 2017, OSHE ka dalë me fitim akoma më të madh se ai i autorizuar nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE). Dhe sipas ligjit, ku mbështetet ERE në punën e saj, të ardhurat e paautorizuara të fituara, sipas metodologjisë së tarifave të shndërruara në ligj, duhej të kompensoheshin te konsumatorët përmes uljes së çmimit për periudhën pasardhëse. Dhe e dini sa janë këto të ardhura të paautorizuara (fitim shtesë) realizuar nga OSHE për vitet 2015-2017? Janë 14 miliardë lekë të reja, ose 117 milionë euro! Mund ta kishin ulur çmimin për familjet tona edhe me 13-14 për qind në dhjetor 2016 dhe në dhjetor 2017.

Ndoshta drejtuesve të këtyre enteve shtetërore 5 mijë lekë të vjetra paguar më pak për faturën e dritës nga një familje e varfër çdo muaj u duken pak. Por sinqerisht, nuk janë pak zotërinj. Dhe ligji të 500 mijë varfanjakëve shqiptarë ua jep, kurse ju nuk ua keni dhënë! Provoni të mos ua jepni në dhjetor 2018! Nëse ERE nuk lëviz, nëse kryeministri nuk lëviz, do të mobilizohet opinioni i shëndoshë publik i vendit, për t’ju vënë përpara përgjegjësisë. Ndoshta edhe opozita mund ta ketë një ‘kalë’ të mirë beteje, mungesën e ndershmërisë dhe transparencës me detyrimet ligjore për t’ua ulur çmimin e energjisë elektrike shqiptarëve, tani që ‘kuajt’ kiç të kriminalizimit dhe kanabizimit të qeverisjes i janë lodhur rrugës. Duke hequr këtë një muaj e diçka korrik-gusht që po shkon me pushime, janë katër muaj deri në fund të dhjetorit 2018 për opozitën, që të kërkojë me forcë që ERE të vendosë uljen e çmimit të energjisë elektrike për familjarët. Janë të gjitha të dhënat, pasqyrat financiare, të analizuara me mjeshtëri nga një hulumtim gazetaresk i BIRN. Janë 500 mijë të varfër të këtij vendi që presin një lehtësim sado të vogël të gjendjes së tyre, lehtësim që ligji jua siguron, por ‘Maliqi’ nuk jua jep…

Balkan Web,  23.07.2018