Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Transparencë për tenderat dhe koncesionet e dhëna, PE: Provë e luftës kundër korrupsionit

Transparenca e tenderave dhe koncensioneve të dhëna deri më tani është prova që Brukseli kërkon nga qeveria për luftën ndaj korrupsionit. Kjo është pohuar nga një prej eurodeputetëve, anëtar i komisionit për Transportin dhe Energjetikën në Parlamentin Europian.

Në një intervistë për AS, Antonio Cancian, shprehet se privatizimet dhe lejet në sektorin ekonomik duhet të kalojnë në sitë të rreptë. “Është vërtetë thelbësore lufta ndaj korrupsionit, sidomos për rregullimin e tregut dhe zhvillimin ekonomik. Ne si Bashkim Europian kemi nevojë absolutisht të shohim transparencë nga ju. Kemi nevojë të shohim vendosjen e rregullave të qarta, të shohim kontrolle të hollësishme për gjëra të rëndësishme. Kontrolle konkretisht në tendera dhe koncensione. Pasi në sektorin ekonomik, lufta kundër korrupsionit duhet të jetë e fortë dhe e dëshiruar nga të gjithë” tha Cancian.

Ai thekson se një model të kësaj lufte ndaj korrupsionit, e ofrojnë vetë europianët, ndaj Shqipërisë i nevojitet vetëm vullneti politik dhe puna konkrete për të arritur rezultatet e duhura në këtë reformë shumë të rëndësishme për marrjen e statusit të vendit kandidat.

“Dëgjova të shprehej vullneti për të luftuar këtë fenomen nga të dy palët, por vullnetit duhet t’i bashkangjiten fakte konkrete. Atëherë do të jeni në rrugën e duhur. Nëse të gjithë unanimisht duan integrimin, ka ligje pa fund kundër korrupsionit në vendet e europiane. Politika juaj mjafton t’i kopjojë, t’i përshtasë dhe t’i zbatojë, nuk duhet të shpikë asgjë” tha Cancian.

Delegacioni i përbërë nga 11 eurodeputetet e Komitetit të Asociim Stabilizimit Shqipëri-BE, në rezolutën e votuar të martën i kërkoi politikës shqiptare të bëjë hapa konkretë në drejtim të luftës ndaj korrupsionit, pasi ky i fundit vijon të mbetet një fenomen tejet shqetësues. “Komisioni bëri thirrje për një angazhim më të fortë politik për të bërë progres të qëndrueshëm në hetime dhe dënime, përfshirë rastet e korrupsionit në nivele të lartë dhe në rastet e provave të qarta” thuhet në pikën 8 të rezolutës së miratuar nga të dyja palët e politikës, në përfundim të takimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, në Tiranë, takim ky që zgjati dy ditë.

Gazeta Zeri Popullit, 30.11.2013