Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nafta e veshtire per tu zbuluar, politika ta vendos si prioritet

INTERVISTE ME PROF.DR.VANGJEL KICI

Intervistoi: Ing.Ahmet Çollaku

Vangjel Kici është një gjeolog rebel në mendimet e tij të palëvizshme. Ai pret që studimet e tij të vihen në provë sa më parë, prandaj qëndron i sertë dhe individual si plumbi. Për më shumë, ai edhe në jetën e tij private pranon të vuajë, por jo “të pijë në dy apo tri dele”, siç kanë bërë dhe bëjnë mjaft gjeologë dhe intelektualë të sotëm shqiptarë. Prof. Vangjeli është shpërthyes. Veç studimeve të tij shkencore mbi gjeologjinë, ai reagon konkretisht me shkrime në shtypin e përditshëm shqiptar, kundër keq qeverisjes në drejtimin social-shoqëror dhe ekonomik. Shkrimet e tij kanë si objekt kryesisht naftën dhe pasuritë e tjera të Shqipërisë. Ai kërkon çlirimin e popullit të mbytur nga kjo gjoja demokraci. Unë dhe Prof. Vangjeli nuk kemi dëgjuar deri më sot, që drejtësitë të vendosen duke mbajtur në duar tufa me lule… Me atë fytyrë të bardhë, ai të bën të mendosh sikur soji i tij ka zbritur nga vendet nordike. Është trup vogël, sepse është rritur në Shqipërinë e vuajtjeve. I sertë dhe korrekt Vangjeli reflekton kulturën dhe edukimin e Pragës së artë, ku kreu studimet e larta, në atë universitet themeluar plotë 100 vjet para betejave të Skënderbeut. Siç ka shumë opozitarë, ai ka edhe shumë punime dhe studime gjeologjike, të cilat do t’ua lërë brezave të ardhshëm. Le t’i vënë ata në provë, pasardhësit tanë. Po qeveritarët tanë çfarë do t’u lënë brezave të ardhshëm? Vetëm turp dhe mallkim. Këto do t’i ndjekin ata si hije, gjatë deri në shuarjen fizike dhe morale, të gjithë pa përjashtim.

1- Prof. Vangjeli, personalisht ju admiroj për energjinë dhe valencat opozitare në mbrojtje të naftës tonë, të cilën na e vjedh ashiqare një grup sharlatanësh vendas dhe të huaj. Ata na poshtrojnë moralisht dhe ekonomikisht, si kurrë ndonjë herë tjetër. Përse ndodh kjo?

Një nga porositë e Gorbaçovit në Katovicë të Polonisë (1989) ishte që komunistët, pas rënies së sistemit të diktaturës, të rrëmbenin në duart e tyre ekonominë, pasurinë shtetërore. Porositë e tij u zbatuan me përpikmëri vetëm në Shqipëri. Në vitet 1990-1992 komunistët shqiptarë vet e rrëzuan sistemin e diktaturës komuniste dhe qendruan prap po ata në pushtet. Dy partitë kryesore (PD dhe PS) janë dy gjysmat e “nënës parti”. Këto parti, herë njëra dhe herë tjetra, kanë udhëhequr vendin gjatë këtyre 22 vjetve, dhe po rrëmbejnë kapitalin e grumbulluar gjatë 45 vjetve të kaluar (po zbatojnë porosinë e Gorbaçovit!). Këtë po e bëjnë “me forcat e veta”, por edhe në bashkëpunim me të huajtë. Kjo grabitje e madhe bëhet, sepse kështu duan qeveritë neokomuniste dhe pseudodemokratike shqiptare. Kjo grabitje realizohet me lehtësi, sepse populli ynë nuk di t’a mbrojë pasurinë e tij. Ai mendon se kjo pasuri është e shtetit dhe jo e tij, prandaj me ‘të le të bëjnë çfarë të duan qeveritarët. Popullit i mungon vetorganizimi dhe guximi. Sharlatanët vendas dhe të huaj na poshtërojnë moralisht dhe ekonomikisht, sepse ne vet i votojmë këto parti, që formojnë qeveritë e tyre, të cilat e organizojnë këtë grabitje.

2- Sipas mendimit tuaj, si specialist i lartë, cili është qëllimi final i gjithë qeverive dhe partive që e trajtojnë kështu naftën shqiptare? Ku duan të dalin me këtë strategji anti kombëtare?

Qëllimi final i udhëheqjeve të partive kryesore dhe qeverive të dala prej tyre, deri tani ka qenë shkatërrimi i ekonomisë së Shqipërisë. Fillimisht ata shkatërruan uzinat, fabrikat…Tani bazat kryesore të ekonomisë tonë janë nafta, minierat dhe bujqësia. Prandaj, pikërisht këto degë janë goditur për vdekje. Qëllimi është që pasuria kombëtare të shitet (“privatizohet”) dhe të grabitet nëpërmjet “privatizimeve”, populli të varfërohet sa më shumë, frontet e punës të mbyllen dhe njerëzit të ikin nga Shqipëria, të ikin nga sytë këmbët. Milosheviçi i dëboj shqiptarët nga Kosova me forcën e armëve, kurse qeveritë pseudodemokratike të Shqipërisë londineze po e dëbojnë popullin me mjete paqësore. Metodat janë të ndryshme, por qëllimi është i njëjtë: Të bëhet pastrimi etnik i trojeve shqiptare. Deri tani nga Shqipëria janë dëbuar rreth 1 milion e gjysëm shqiptarë, dhe po punohet intensivisht që të largohen edhe sa më shumë të tjerë. Shqipëria të jetë shumë e dobët ekonomikisht dhe ushtarakisht. Ajo të mos jetë bazë e fuqishme në mbështetje të Kosovës. Ajo të jetë e varur nga shtetet fqinje. Pak të reagoj Shqipëria kundër interesave të Greqisë, kjo e fundit e kërcënon me kthimin në Shqipëri të rreth 600 mijë emigrantëve. Prandaj Shqipëria është e gjunjëzuar para Greqisë. Qëllimi i deritanishëm i politikanëve tanë është që Shqipëria të jetë e nëpërkëmbur dhe e përbuzur nga shtetet shoviniste fqinje dhe jo një shtet i fuqishëm amë, në mbrojtje të të gjithë shqiptarëve, kudo që janë, me synimin për bashkimin kombëtar në të ardhshmen. Pra, ky është qëllimi final antikombëtar i deritanishëm i partive kryesore shqiptare dhe qeverive të dala prej tyre.

3- Si e paramendoni kurorëzimin e lidhjes së Ramës me Metën, në kontekst me naftën tonë? Më shkurt, si mendoni se do i dalë tymi kësaj lidhje? Edhe kjo është një farsë alla-shqiptare si gjithë të tjerat, apo një komedi e përgatitur nga të huajtë për të vjedhur naftën shqiptare? Kujtoni të gjitha marrëveshjet për naftën bërë nga përfaqësuesit e LSI-së së Metës.

Kisha shpresë tek z. Rama, por populli thotë: Më thuaj me cilin rri, të të them se cili je. Kurorëzimi i lidhjes së Ramës me Metën do të jetë shitja dhe grabitja e plotë e ekonomisë. LSI sytë i ka tek METE (Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës). META i ka sytë tek METE, sepse atje është pasuria kombëtare që ka mbetur. Ata kanë eksperiencë të madhe për grabitje.

4- Në Parlamentin shqiptar asnjë krah nuk flet për naftën tonë. A nuk të çon kjo në konkluzionin se të dy partitë kryesore, gjoja të kundërta në program dhe moral, janë në një marrëveshje të fshehtë për të dënuar naftën tonë?

Të dyja partitë kryesore kanë të njëjtin qendrim për naftën shqiptare. Ato kanë rënë dakord që nafta shqiptare të shitet tek të huajtë dhe të grabitet në bashëpunim me ta. Deputetët në Parlament heshtin. Ata mbrojnë interesat dhe privilegjet e tyre dhe të partive të tyre, por nuk mbrojnë aspak interesat e popullit.

5- Konkretisht naftës të gjithë i shmangen, nuk flitet në asnjë tavolinë, sikur të ishte një sekt komunist. Nuk e njohin apo kanë frikë fuqinë e saj të tmerrshme?

Njerëzit mendojnë se për çështjen e naftës, por dhe për çështjet e tjera “I di partia dhe qeveria”. Ata me këtë mendësi janë mësuar qysh në kohën e Enverit. Njerëzit kanë problemet e shumta të jetës së përditëshme familjare, papunësinë, varfërinë, ushqimin, rendin…dhe për këto arsye nuk u shkon aspak mendja tek nafta. Në fund të fundit, çfarë të mirë direkte ka parë populli ynë nga nafta? Të ardhurat nga nafta, në të kaluarën u përdorën për të ndërtuar bunkera dhe jo për mirëqenien e tij, megjithëse u bënë shumë ndërtime ( uzina, fabrika, hidrocentrale, bujqësia moderne etj…). Naftën e njohin vetëm naftëtarët tanë. Me punën në naftë ata kanë mbajtur familjet e tyre. Tani ata janë pa punë, janë të hedhur në rrugë. Këtë “të mirë”ua dha “privatizimi”. Pse heshtin? Sepse ne jemi popull i urtë, popull i nënshtruar, dhe kërkojmë që të keqen të na e heqin të tjerët, të na e heqi bota, Amerika, Evropa. Fuqinë e naftës tonë e dinë mirë politikanët tanë, prandaj kanë vendosur t’a shfarosin. Fuqia e naftës është fuqia e popullit. Ajo është fuqi ekonomike, politike, ushtarake, strategjike, por këto fuqi nuk i duan armiqtë tanë shekullorë, të cilëve u shërbejnë me servilizëm politikanët tanë. Vet qeveritarët dhe politikanët tanë të korruptuar nuk mund të flasin për naftën tonë, sepse nuk duan që të zgjohet populli nga gjumi, nuk duan të zbulohet krimi i tyre. Krimet mbulohen me heshtje.

6- Ka 20 e ca vite që nafta vidhet dhe shkatërrohet, ku të huajtë bëjnë sikur punojnë, por deri tani nuk kanë zbuluar asnjë vendburim nafte. Çfarë do të thotë kjo?

Po, ka 20 e ca vite që nafta vidhet dhe shkatërrohet. Populli ynë është indiferent, dhe arsyet pse ndodh kjo i thash më sipër. Kjo ndodh edhe për faktin se tek ne nuk ka opozitë të vërtetë. Vajti z. Rama tek naftëtarët në Patos, për fushatë zgjedhore. Ai deklaroi atje se nafta e Patos-Marinzës po grabitet, dhe se Shqipëria, nga marrëveshja me kompaninë Bankers, përfiton shumë pak. Ai nuk foli me shifra, sa dollarë na grabiten në vit dhe sa dollarë fiton Shqipëria në vit. Pse nuk i tha këto shifra? Sepse po t’i thoshte këto shifra do të tronditej tërë populli shqiptar, kaq e madhe është grabitja dhe kaq i vogël është i ashtuquajturi fitimi ynë. Pse nuk pyetën naftëtarët: Çfarë keni bërë ju si opozitë gjatë këtyre 8 vjetve që grabitet nafta e Patos-Marinzës? Pse e lejoni grabitjen? Pse vini këtu vetëm në kohë fushate zgjedhore? Përkundrazi, naftëtarët e mbledhur në Patos nuk i bënë këto pyetje të rëndësishme. Ata u mahnitën nga fjalët e bukura të kryetarit të opozitës dhe e duartrokitën!! Pra, e kanë hallall vuajtjen dhe mjerimin.

Kompanitë e huaja të naftës kanë kërkuar gjatë këtyre 25 vjetve në vendin tonë, por nuk kanë zbuluar pothuajse asgjë. Kjo tregon se nafta nuk është e lehtë të zbulohet. Atë mund t’a zbulojnë më lehtë vet shqiptarët, sepse e njohin më mirë gjeologjinë e Shqipërisë. Unë them, shyqyr që nuk kanë zbuluar, sepse me këtë ligj nafte që kemi sot, i cili lejon haptas korrupsionin, do na e merrnin naftën badihava. Si shembull: Sa do të marrim nga nafta e zbuluar në Shpirag? Vetëm 30%!! Të mos harrojmë se gjatë 8 vjetve të fundit Shqipëria u deklarua padrejtësisht para botës gjoja si e zënë nga kompani jo ekzistuese, kompani fantazmë, si p. sh. kompania “Sky Petroleum”. Kështu u bë qëllimisht bllokimi i kërkimit të naftës. Pse u bë ky bllokim? Ky u bë që të mos zbuloheshin vendburime të reja nafte dhe gazi, të mos kishte të ardhura ekonomia jonë, të mos hapeshin fronte pune në mënyrë masive dhe të përhershme. Vendi të varfërohej më tej dhe njerëzit të iknin nga Shqipëria. Kështu bëhet pastrimi etnik, dhe pastaj, në Shqipërinë e boshatisur, mund të vijnë popuj të tjerë jo shqiptarë…

7- Nafta është Thembra e Akilit për kryeqeveritarin tonë Berisha. E quani të moralshme që asnjë specialist nafte, i thjeshtë apo me grada shkencore, grupuar nëpër parti apo shoqata, nuk del në mbrojtje të naftës tonë? Kanë ata moral civil dhe professional?

Nafta është si Thembra e Akilit, sepse dihet rëndësia e saj. Nafta nuk ka vlerën e kripës. Çmimi i naftës ka vajtur në kupë të qiellit. Pasanikët arabë u bënë sheik vetëm nga nafta. Ata dallohen, sepse kanë një shirit të zi rreth kokës. Berisha, Meta etj. kërkojnë të bëhen sheik me dy shirita të zinj, t’ua kalojnë edhe sheikëve arabë!! Specialistët shqiptarë të naftës janë të braktisur, të papunë, të varfër. Të tjerët jetojnë me një pension minimal. Ata kanë hallet e tyre dhe nuk mendojnë fare për naftën. Çfarë u dha nafta që zbuluan? Asgjë u dha vetëm varfërinë. Naftën e zbuluar prej tyre, me shumë mundime, tani po e grabitin me lehtësi mafiozat qeveritarë, në bashkëpunim me të huajtë. Specialistët tanë të naftës, të thjeshtë apo me grada shkencore, dje kanë brohoritur për partinë dhe shokun Enver, kurse sot duartrokasin Berishën dhe të tjerë. Fatkeqësisht, ky është morali ynë, prandaj jemi në këtë gjendje mjerimi.

8- Specialisti i naftës, Prof. Dr. Maksim Shuli, ish deputet në Parlamentin shqiptar dhe President i Kompanisë “Albpetrol”, ka botuar librin “Nafta dhe Politika” ku na bind me dokumente dhe fakte për rënien katastrofike të naftës shqiptare… Ky është një denoncim i hapët. Si e shpjegoni heshtjen e qeverisë shqiptare?

Prof. Dr. Maksim Shuli ka qenë kreu i naftës shqiptare. Të dhënat e tij për rënien katastrofike të naftës shqiptare nuk kanë asnjë dyshim. Ai libër është një akuzë e hapët për ata që e shkaktuan këtë katastrofë, por populli ynë, opozita, Parlamenti…janë në gjum. Të presim, mbase vjen ora dhe zgjohen. Heshtja e qeverisë shqiptare është e kuptueshme. Qeveritë shqiptare vet dhe qëllimisht e shkaktuan këtë katastrofë në naftë. Çfarë të bëjnë tani, të dënojnë vet veten? Populli duhet t’i dënojë ata fillimisht me votë. Votën populli e ka në dorën e tij.

9- Ju vet tani afër keni botuar një libër. A mund të na thoni, çfarë përmbajtje ka ai libër, dhe a ka ndonjë mesazh që i përcillet popullit shqiptar?

Po, kam shkruar dhe botuar kohët e fundit një libër për naftën shqiptare. Aty kam argumentuar, me fakte gjeologjike, se disa interpretime të gabuara, padashje, errësojnë perspektivën e madhe naftëgazmbajtëse të Shqipërisë. Dikur, por edhe sot në popull flitet: “Thonë se nëpër Shqipëri kalon një lum i madh nafte, që lidhet me Rumaninë…”. Ky mendim optimist tregon shpresën e popullit mbi perspektivën e madhe të vendit tonë për naftë, ngjashëm me Rumanin, që është pak a shumë e pasur me naftë, por që nuk renditet fare në vendet e botës, të pasura me naftë dhe gaz. Përkundrazi, mua më rezulton një ngjashmëri gjeologjike jo me Rumanin, por me Azerbajxhanin, që është vërtet shumë i pasur me naftë dhe gaz, dhe për këtë shquhet në botë. Brezi i Shqipërisë lindore, që vazhdon pothuajse në të gjithë Kosovën, ka perspektivë shumë të madhe për naftë dhe gaz. Bëhet fjalë për mundësinë e ekzistencës së shumë fushave gjigante të naftës dhe të gazit (të rrangut botror!). Pikërisht këtë brez donte t’a shiste Berisha (lista C) bashkë me “Albpetrolin”. Ai donte t’a shiste dhe po vet t’a blinte në bashkëpunim me të huajtë, por fatmirësisht nuk arriti. Pra, ka shumë mundësi që Shqipëria (Shqipëri-Kosova) të bëhet një vend shumë i pasur me naftë dhe gaz. Shqipëri-Kosova (trojet etnike shqiptare) mund të bëhet vërtet një vend shumë i fuqishëm energjetik (shumë i pasur me qymyre linjit, shumë i pasur me naftë dhe gaz, shumë i pasur me ujëra për prodhimin e energjisë elektrike). Prandaj, nuk duhen shitur as fushat ekzistuese të naftës dhe as rezervat nëntoksore të saj, sepse ato janë e ardhmja e afërt dhe e ndritur e kombit tonë. Kombi ynë do të jetojë i lumtur në trojet e veta etnike, por kjo kërkon qeveri të ndershme, jo qeveri hajdutësh, kërkon popull trim dhe jo të nënshtruar. Mesazhi im, me anë të këtij libri, është: Në Shqipëri të ndryshojë rrënjësisht politika në drejtim të naftës dhe të gazit. Të ringrihet Instituti i Kërkimeve të Naftës dhe të Gazit dhe të krijohet kompania shtetërore e naftës shqiptare me kapital të përbashkët me Kosovën. Si model të kemi Norvegjinë, që ka popullsi sa Shqipëri-Kosova. Të kopjojmë saktësisht ligjin e naftës që ka Norvegjia, i cili nuk hap shtigje për korrupsion. Ajo naftën e ka pasuri shtetërore (zotron 80% të saj dhe kontrollon rreptësisht të gjithë naftën dhe gazin). Norvegjia ka kompaninë e saj shtetërore të naftës, Statoil. Në Norvegji është zbatuar kapitalizmi shtetror, i cili ka bërë shumë çudira (mrekullira). Norvegjia ka nivelin më të lartë në botë të mirëqenies së popullit. 52% të të ardhurave për frymë të popullsisë së Norvegjisë vijnë nga pasuria publike (shtetërore) dhe jo nga “privatizimet”. Dua që edhe në Shqipëri të zbatohet kapitalizmi shtetëror model norvegjez. Kush e kundërshton këtë ide, me justifikime të ndryshme, nuk i do të mirën popullit tonë.

10- Nuk dua t’i përmend votimet e 23 Qershorit, por mendoni se naftës mund t’i jepet ndonjë rrugë e mirë?

Pas zgjedhjeve, PS duhet bërë revolucion paqësor (në kuptimin e reformave), sidomos në fushën e naftës. Kush do e bëj këtë revolucion? Për z. Rama kam shpresë, por në bashkëpunim me LSI do bëhet ky revolucion? Jam shumë pesimist.

11-Këto dite, lajmet shqiptare thonë se kanadezët kanë braktisur kërkimet për naftë në zonën veriperëndimore të Shqipërisë. Lajmin e ka bërë të ditur vetë kompania “Petromanas”, e cila ka fituar të drejtën ekskluzive nga qeveria shqiptare për kërkim nafte në disa zona të vendit, mes të cilave dhe bllokun AB që shtrihen nga Durrësi në Shkodër. Në këtë bllok “Petromanas” kishte përcaktuar zonën e Jubanit në Shkodër, si një nga më të mundshmet për rezerva nafte dhe nisi shpimin e një pusi, por, pas shpimit, në dhjetor të vitit të kaluar kompania arriti në përfundimin se zona kishte sasi nafte të papërfillshme çka e ka çuar atë në vendimin që të braktisë gjithë bllokun AB, një sipërfaqe prej rreth 140 mijë hektarësh, që nis nga Durrësi dhe përfunon në Shkodër. Ju si do ta interpretonit këtë braktisje?

Pusi Juban takoi një strukturë gëlqerore të vazhdimit të zonës së Krujës. Gëlqerorët e kësaj zone edhe më parë janë takuar nga disa puse dhe kanë rezultuar pa naftë dhe gaz. Në Shqipërinë veriperëndimore nuk vazhdon vetëm zona e Krujës, por edhe zona jonike, gëlqerorët e së cilës kanë rezultuar kudo naftëgazmbajtës. Në këtë pjesë të Shqipërisë vazhdon edhe Ultësira Adriatike, në të cilën janë vërtetuar struktura naftëgazmbajtëse. Prandaj nuk është i drejtë konkluzioni se Shqipëria veriperëndimore nuk ka naftë dhe gaz. Kompania “Petromanas” ka të drejtën e saj të konkludojë siç e gjykon ajo dhe si i leverdis asaj. Brezi i Shqipërisë lindore, që ka shumë perspektivë, nuk ka lidhje me Shqipërinë veriperëndimore

12- Pusit i Jubanit ka qenë projekt i specialistëve shqiptare apo i specialistëve të huaj?

Struktura e Jubanit u pasqyrua në punimet gjeofizike (sizmike). Projekti i pusit Juban është përgatitur nga specialistët shqiptarë në bashkëpunim me specialistët e huaj të kompanisë.

Gazeta Tema, 02.10.2013