Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Karburantet që vjedhin, hetuesit sekuestër listës së Metrologjisë

Lista e pikave të karburanteve, që abuzojnë në treg duke vjedhur qytetarët, që sot është në duart e “Task forcës” së Prokurorisë së kryeqytetit. Pas hezitimit të Drejtorisë së Metrologjisë për të bërë publikë, emrat, kjo listë është marrë sot nga oficerë të policisë gjyqësore, ndërsa hetimet do të drejtohen nga prokurori Julian Zonja. Nga 240 kontrolle, 7 pika janë gjetur me shkelje të rënda, ndërsa në litra, sasia e vjedhur nga qytetarët i kalon 10 mijë litrat.

Oficeri policisë gjyqësore Emror Kasaj mbërriti rreth mesditës në DPM, ku pasi qëndroi në një takim prej 1 orë e 30 minutash me titullarin e këtij institucioni, sekuestroi dhe dosjen ku ndodhen të gjitha të dhënat mbi kontrollet e karburanteve në terren dhe emrat e tyre.

Burime nga grupi hetimor dhe Drejtoria e Metrologjisë thanë për “A1Report!” se janë në total 240 pika të kontrolluara, ku ka rezultuar se 7 pika shitjesh rezultojnë me probleme.

Jashtë kamerave, drejtorja Kozeta Mesini shpjegoi se sapo ajo ka marrë detyrën, ka konstatuar se prej 3 vitesh nuk ishte ushtruar asnjë kontroll në terren, ndaj dhe ka urdhëruar të kryhej një kontroll nga ku u konstatuan dhe shkeljet dhe abuzimet në dëm të qytetarëve.

Interesimit se pse nuk publikohen emrat, znj. Mesiti sqaroi se nga institucioni i saj këto shkleje klasifikohen si shkelje administrative dhe asgjë më tepër. Ndërsa pas verifikimeve që do të kryhen nga “Task Force”, do të vendoset nëse do të nisë kallëzimi penal për karburantet abuzuese si dhe Drejtorinë e Metrologjisë për fshehjen e listës së abuzuesve.

METROLOGJIA: NUK I BËJMË PUBLIKË EMRAT E KOMPANIVE

Institucioni i drejtuar nga Kozeta Mesiti pak ditë më parë bëri të ditur se emrat nuk bëhen publikë për shkak të ruajtjes së konfidencialitetit, por ky argument ishte i papranueshëm për Akuzën, kur bëhet fjalë për vjedhje masive dhe për aq kohë sa ky institucion funksionon për të mbrojtur interesat e konsumatorëve dhe jo të bizneseve.

Bërjen transparante të listës së karburantëve që vjedhin konsumatorët e kërkoi pak ditë më parë edhe Kryeministri Berisha gjatë një mbledhjeje qeverie, por as kjo kërkesë nuk e bindi znj.Mesiti të jetë në krah të qytetarëve duke shfaqur listën e hajdutëve.

Gazeta Shqiptarja.com, 05.09.2013

Skandali: Paguajmë 10 litra karburant, na hedhin 7.5! (dhe një Kozetë që mbron hajdutët)

Një muaj më parë, një drejtues i Metrologjisë tha në një deklaratë publike se 5 në 20 pika karburantesh abuzojnë me sasinë duke vjedhur dhe mashtruar konsumatorët. Frrok Cako, drejtori i Qendrës Rajonale të Metrologjisë deklaroi pas një inspektimi në terren se konsumatorët merrnin vetëm treçerek litri karburant për 1 litër që paguanin.

Deklarata e zyrtarit të Metrologjisë shkaktoi debat jo për faktin se konsumatorët vidheshin më shumë se sa për mospublikimin e emrave të kompanive që abuzojnë me sasinë e karburantit që tregtojnë. Vetëm një ditë pas kësaj deklarate sipas së cilës “për shkak të “pengesave ligjore” nuk u thanë emrat e kompanive abuzuese”, reagoi Prokuroria nëpërmjet në shkrese drejtuar Drejtorisë së Metrologjisë.

Sipas kësaj shkrese, “Task Forcë” në Prokurorinë e Tiranës kërkonte informacion nëse janë konstatuar elemente të veprës penale nga kontrollet që inspektorët e Metrologjisë kishin kryer në pikat e tregtimit të karburanteve me pakicë. Ndërsa në pikën e dytë të kërkesës së prokurorisë njoftohej kjo drejtori të vinte në dispozicion të akuzës të gjitha materialet e grumbulluara nga inspektimet e kryera.

Kur ka kaluar më shumë se një muaj nga kjo kërkesë, konfirmohet se Drejtoria e Metrologjisë nuk ka dërguar asnjë përgjigje në Prokurori, ndërsa në deklarata publike, drejtoresha Kozeta Mesiti, e ardhur në këtë post nga kryetare e Forumit të Gruas së PDIU-së thotë se ligji nuk e lejon të publikojë emrat e kompanive abuzuese. Një zyrtar i prokurorisë tha se gjatë kësaj kohe është pritur një kallëzim penal nga kjo drejtori, por në fakt një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Të ndodhur në këto kushte, kur konsumatorët vidhen në pikat e karburantit dhe institucionet nuk bëjnë publike emrat e tyre, akuza ka vendosur të nisë hetimet kryesisht. “Duke filluar nga sot, hetuesit e “Task Forcës” në Prokurorinë e Tiranës do të sekuestrojnë raportet e inspektimeve të kryera në terren dhe do të kryejnë verifikimet përkatëse”- tha një burim i prokurorisë.

Mësohet se procedimi penal është regjistruar për tre vepra penale: “vjedhje”, “mashtrim” dhe “evazion fiskal”. Pas sekuestrimit të dokumentacionit prokuroria do të verifikojë nëse ka elemente të veprave penale për të cilat ka nisur hetimi. Dhe në një fazë të dytë nuk do të kursehen as zyrtarët e Metrologjisë që nuk kanë kallëzuar krimin e konstatuar, edhe pse kanë detyrim ligjor për ta bërë një gjë të tillë.

“Në një fazë të dytë të hetimit, pra në rast se konstatohen elemente të veprës penale, prokuroria do të marrë të pandehur edhe zyrtarët e Drejtorisë së Metrologjisë të cilët nuk kanë kallzuar abuzimet që kompanitë e karburantit kanë bërë në dëm të qytetarëve”- tha një burim i prokurorisë.

Vjedhja e qyetarëve nëpërmjet sasisë së karburanteve prej kohësh ka qenë prezente në Shqipëri. Më shumë se një vit më parë prokuroria kreu hetime në drejtorinë e Metrologjisë duke vënë në pranga shatë persona, disa prej të cilëve në pozicione drejtuese pasi kishin abuzuar me detyrën. Inspektorët dhe disa nga shefat e tyre nuk kryenin matjen e karburanteve apo produketeve të tjera që tregtohen nga subjekte private në këmbim të përfitimeve financiare.

Tashmë, kjo drejtori po denoncon vjedhjen e qytetarëve, por pa përmendur emrat e hajdutëve me justifikimin se një gjë e tillë ndalohet nga ligji.

Kryeministrit në ikje Sali Berisha ju deshën tetë vjetë për “të marrë vesh” se qytetarët po vidheshin në mënyrë masive nga kompanitë e karburanteve. Këtë gjë, sipas Berishës ai e kishte marrë vesh vetëm ditët e fundit kur mediat publikuan lajmin se një në katër pika karburanti abuzonte me sasinë që tregtonte (!).

Duke bërë të paditurin për atë që ndodhi për të paktën tetë vite, Berisha shfrytëzoi kamerat në një mbledhje qeverie për të deklaruar se jo vetëm nuk e dinte për atë që ndodhte, por kishte mbetur i habitur që një drejtori vartëse e Ministrisë së Ekonomisë nuk kishte publikuar emrat e kompanive abuzuese.

Në po atë mbledhje, Berisha urdhëroi Ministrin e Ekonomisë, Florion Mima të sillte urgjent në qeveri një akt-normativ nëpërmjet të cilit do hiqeshin të gjitha pengesat ligjore që mbronin denoncimin publik të kompanive abuzuese. Por edhe pse kanë kaluar më shumë se dy javë, një akt i tllë as nuk është dërguar në qeveri e as nuk është miratuar.

Deklarata e kryeministrit jo vetëm që u bë sa për të dalë në TV, por zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë akuzuan Drejtorinë e Metrologjisë (institucion vartësie) se ka detyrimin ligjor të publikojë emrat e kompanive. Eno Bozdo, zv.ministër i Ekonomisë tha dy ditë më parë se Metrologjia ka detyrimin ligjor të informojë qytetarët në mënyrë transparente lidhur me rezultatet e inspektimeve të kryera në pikat e karburanteve.

Por vetëm një ditë më pas reagoi drejtoresha e Metrologjisë, Kozeta Mesiti, përfaqësuese e PDIU-së së Shpëtim Idrizit në këtë institucion duke insistuar se legjislacioni në fuqi ndalon publikimin e emrave të subjekteve abuzues.

“Informimi sipas parimit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, bëhet në bazë dhe brenda kufijve të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të dhënave që lidhen me veprimtarinë tregtare apo profesionale të subjektit të inspektimit apo personave të tjerë. Në interpretim të kësaj pike, ne pengohemi të publikojmë, për faktin sepse jemi të detyruar të mbrojmë interesat e konsumatorit, po kështu edhe të mbrojmë interesat e biznesit”, thotë Mesiti.

Drejtoresha e Metrologjisë tha se institucioni i saj ka hartuar Aktin Normativ, i cili qartëson pozicionin e kësaj Drejtorie për publikimin e këtyre subjekteve dhe është e gatshme ta zbatojë atë, por vetëm në momentin që do të miratohet, etj. Përtej akuzave, deklaratave, kundërakuzave apo kundërdeklaratave, gjithçka duket se i ngjan një loje.

Përse “nuk i tregojnë shokët”Kozetat?

Rasti që po paraqesim sot është flagrant dhe ka të bëjë me një mashtrim që na prek të gjithëve, tashmë i provuar. Na vjedhin sy më sy në pikat e karburanteve. Na vjedhin paratë dhe tallen me ne. Dhe në ndihmë u vjen një drejtoreshë, zyrtare e lartë e shtetit. Nuk raporton në Prokurori emrat që i kërkohen, sajon dhe fshihet pas labirinteve ligjore. Pyetje: Pse nuk tregon drejtore Kozeta? Dhe pyetja tjetër: A janë paguar me ryshfete zyrtarë të tillë nga hajdutët e qytetarëve dhe tani nuk mund ‘t’i shesin’ dhënësit e rryshfeteve?

Rasti i zonjës në fjalë nuk është i vetmi. Në morinë e abuzimeve të qeverisë së rrëzuar në 23 qershor, spikatin ata që njihen si “drejtorët e Idrizit”, pra drejtorët e vendosur nga PDIU pas marrëveshjes me Berisha-Idrizi (një “turn” i dytë, edhe pas largimit të Metës nga qeveria). E sipërcituara Kozetë është një prej tyre. Arsyet pse mbron me kokëfortësi hajdutët e karburanteve merren me mend lehtë. Ata që na vjedhin kanë paguar që të mos ndëshkohen.

Por Kozeta nuk është e vetmja. Abuzime të rënda për të cilat DITA posedon një dosje, elementë të së cilës janë edhe në Prokurori, kanë ndodhur edhe në Drejtorinë e Sigurimeve Shoqërore që drejtohet nga Vjollca Braho dhe në Drejtorinë e Rezervave të Shtetit që drejtohet nga Petrit Çerçizi. Në ambjentet e drejtorisë së këtij të fundit në Lundër, ka prova dhe dëshmi që është organizuar edhe manipulimi i votave për t’i hequr LSI-së mandatin e Kukësit.

Irrituese dhe njëherazi ironike është që, të sipërpëmendurit janë përfaqësues të PDIU-së, së njëjtës parti që ka kërkuar këto ditë t’i bashkohet “Rilindjes” për të ruajtur këto poste me të cilat ka abuzuar rëndë në kurriz të qytetarëve. Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për poste: por për të goditur në zemër thelbin e 23 qershorit: ndryshimin e madh mbi të cilin janë ngritur pritshmëritë e 1 milion votuesve që kundërvotuan modelin e hajdutërisë, të ngritur në sistem nga babëzia e sëmurë e Berishës për pushtet me çdo kusht dhe me çdo mënyrë.

Gazeta Dita, 05.09.2013