Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ja grupet më të mëdha në vend

Janë një sërë grupesh, me pronësi si vendase ashtu dhe të huaj që kanë arritur të zgjerohen me shpejtësi në Shqipëri gjatë viteve të fundit, që nga fusha e bankave e telekomunikacionit deri te nafta e distribucioni, ndërkohë që mungojnë grupet e mëdha të përqendruara në aktivitetin prodhues. Monitor, në bazë të të dhënave nga tatimet sjell renditjen e më të mëdhenjve:

“Çalik Group”

Grupi turk, që zotëron tri kompani të mëdha në vend, BKT, “Albtelecom” dhe “Eagle Mobile” ka realizuar një xhiro të kombinuar prej rreth 54 miliardë lekësh në 2012-n, me një rritje me bazë vjetore prej 24%. Ky zgjerim ka ardhur në pjesën më të madhe nga performanca mjaft e mirë e BKT-së dhe “Albtelecom”.

“Kastrati Group”

Tregtuesi i naftës, “Kastrati Group” (që përfshin dhe kompaninë tjetër të naftës “Kaspetrol”) është një ndër grupet me rritje më të shpejtë në vitet e fundit. Xhiro e kombinuar e grupit ishte 52 miliardë lekë, me një rritje prej 26% me bazë vjetore.

Rezart Taçi

Përmes kompanive të tij, “Taçi Oil”, “Kuid” dhe ARMO, Rezart Taçi realizoi një xhiro vjetore prej rreth 50 miliardë lekësh në 2011-n, me një rritje prej 80% në raport me një vit më parë, kryesisht si rrjedhojë e zgjerimit të “Taçi Oil”. Krahas biznesit të naftës, “Taçi group”, vitet e fundit, është zgjeruar dhe në media, përmes blerjes së televizionit “Alsat”, tashmë i shndërruar në “Albanian Screen”, dhe në arsim, përmes shkollës private “Nobel”.

“Balfin”

“Balfin Group” është rritur me shpejtësi vitet e fundit, duke realizuar një qarkullim të kompanive të grupit prej rreth 44 miliardë lekësh në 2012-n, sipas burimeve nga kompania, me një rritje prej 27%. Grupi e ka diversifikuar aktivitetin në shërbime, ndërtim, tregtim dhe deri në aktivitet minerar. Sipas burimeve nga kompania: “kriza ka ndikuar kryesisht në tregtinë me pakicë, industrinë e tekstileve dhe elektronikës. Për Grupin tonë, ky ndikim negativ është amortizuar me ekspansionin dhe fitimin e një pjese të tregut nga konkurrenca. Duke përllogaritur diversifikimin e portofolit, me blerjen e shoqërisë më të madhe minerare në vend, “ACR holding” dhe ecurinë e deritanishme të shoqërive tona, planifikojmë që gjatë vitit 2013 të kemi një rritje prej 30% krahasuar me vitin 2012.”

Grupi “Agna”

Tri kompanitë kryesore të grupit, “Agna” sh.a (shpërndarës produktesh dhe investues), “Alfa” sh.a. (ambalazhues i “Pepsi”, “Ivi”, “7Up”, “Lipton Ice Tea”; prodhues i “Glina” dhe “Spring”; shpërndarës i “Heineken”, “Amstel”, “Alfa Beers”, “Tsantali Ëines” dhe “Shark Energy Drink”) dhe “Albartex” (që vepron në fushën e reklamave outdoor), realizuan për vitin 2012-n një xhiro prej rreth 21 miliardë lekësh, me një rënie të lehtë në raport me një vit më parë.

Grupi “Infosoft”

Grupi “Infosoft” ka realizuar në total një xhiro prej 20.4 miliardë lekësh, me një rritje prej gati 7%, në aktivitetin e tij në Shqipëri, sipas të dhënave nga tatimet. Aktiviteti i tij në Shqipëri përfshin “Infosoft System”, “Infosoft Office”, ITD, në fushën e teknologjisë së informacionit, si dhe kompanitë e shpërndarjes e tregtimit në segmentin FMCG, “Inter Distribution Service”, “Interbrands” dhe “Inter Trade & Distribution”.

“Ndonëse ka qenë një vit i vështirë, kemi arritur të rritemi, si rrjedhojë e sinergjisë së grupit, bashkëpunimit, përkushtimit dhe përmirësimit të organizimit”, pohon z. Grigor Joti, administrator i “Infosoft”. Ai shton se është pikërisht biznesi i madh ai që udhëheq vendin dhe që është një faktor i rëndësishëm në krijimin e vendeve të punës. Grupi ka aktualisht rreth 600 të punësuar, sipas z. Joti.

Revista Monitor, 19.08.2013