Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rregullat e reja të koncesioneve

Projektligji “për koncesionet dhe partneritetin publik privat” parashikon rregulla të qarta operimi, kompetenca të reja, bonuse dhe afatet. 
Sektori i koncesioneve në vend po zhvillohet me ritme të shpejta, ku qeveria po mundohet të ofrojë çdo shërbim apo të drejtë operimi përmes kësaj skeme të privatit. Megjithatë, bashkë me volumin e madh të kontratave dhe bumin e investimeve, sërish vërehet kaos në trajtimin e koncesioneve, që edhe pse me ligj të hartuar gati pesë vite më parë, me ndihmën e BE-së, sërish sillte probleme në praktikë, pasi i kishte të limituara fushat e veprimit, ose nuk ishin të përcaktuara qartë.
Për herë të parë, Ministrisë së Financave i jepet rol i rëndësishëm në mbarëvajtjen e koncesioneve, gjithashtu derdhja e detyrimit nga tarifat është vënë kusht kryesor për të operuar, rregullat e lojës janë më të qarta dhe natyrisht më të forta, në aspektin mbikëqyrës, etj.
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës thotë se varianti final, para se të miratohej në qeveri, u është përcjellë të gjithë aktorëve në treg, institucioneve të linjës, dhe se mendimet e tyre janë marrë parasysh. Synimi i projektligjit në fushën e koncesioneve dhe partneritetit publik privat (PPP), i cili shfaqet si një risi në kuadrin ligjor shqiptar, është krijimi i një mjedisi të sigurt, të qëndrueshëm dhe sa më transparent. Aktualisht shumë kontrata të miratuara nga qeveria kanë mbetur në letër. Mjaftojmë të përmendin faktin se janë miratuar rreth 360 hidrocentrale me koncesion, por rreth 50 prej tyre kanë përfunduar së ndërtuari apo janë në proces, dëshmojnë problematikën e zgjidhjes së shpejtë ligjore të ngërçit, burokracitë me afatet, pa përjashtuar këtu edhe çështjen e financimit nga bankat, që gjithsesi është diskutim më vete.
Roli i ministrit të Financave
Projektligji parashikon për herë të parë kompetenca më të gjera për Ministrinë e Financave krahasuar me ligjin ekzistues, në të cilin nuk përmendet asnjë kompetencë direkte e kësaj ministrie, por ato dalin nga akte të tjera ligjore dhe nënligjore. Roli i Ministrisë së Financave është shumë i rëndësishëm, duke pasur parasysh impaktin financiar që kanë procedurat e koncesioneve dhe PPP-ve. Në nenin 10, pika 3, parashikohet se kur tarifa financiare nuk paguhet në përputhje me përcaktimet e këtij ligji, autoriteti kontraktor njofton Ministrinë e Financave, urdhri i të cilit për arkëtimin e tarifës është titull ekzekutiv për bankat e nivelit të dytë, ku ndodhet llogaria bankare e shoqërisë koncesionare.
Gjithashtu në pikën 2 përcaktohet se të gjitha autoritetet kontraktore brenda gjashtëmujorit të parë të çdo viti dërgojnë në Ministrinë e Financave pasqyrat financiare vjetore të vitit pasardhës të shoqërive koncesionare. Autoriteti kontraktor, sipas dispozitës së nenit 42, pika 1 e 2, detyrohet të dorëzojë studimin e fizibilitetit të objektit dhe projekt-kontratën pranë Ministrisë së Financave, kur projekti ka nevojë për mbështetje financiare, me qëllim marrjen e miratimit për këtë projekt.
Ndërsa në pikat 6 dhe 7, të nenit 31, si dhe në pikat 4 e 5, të nenit 32, përcaktohet se do të kërkohet miratimi i Ministrisë së Financave në rast se kërkohet ndryshimi i kontratës apo transferimi i saj.
Në pikën 4, të nenit 33, parashikohet që autoriteti kontraktor duhet të njoftojë Ministrinë e Financave për çdo dhënie të punëve ose shërbimeve shtesë. Edhe në pikën 4, të nenit 36, përcaktohet se para zgjidhjes së kontratës, autoriteti kontraktor informon Ministrinë e Financave për zgjidhjen e kontratës dhe kërkon mendimin e saj.
Ndërhyrja e Ministrinë e Financave parashikohet në çdo fazë të koncesionit/partneritetit, kur implikohen kosto financiare, për shkak të impaktit financiar që këto procedura kanë.
Vlen të përmendet rregullimi ligjor për regjistrin e koncesionit publik privat, neni 14 i projektligjit, i cili do të mbahet nga Ministrinë e Financave për të gjitha procedurat e koncesioneve dhe partneritetit publik privat, duke krijuar një bazë të dhënash për këto kontrata.
Firma
Në rast se subjekti do të kërkojë ndryshimin e projektit, kjo mund të ndodhë në rast se aprovohet edhe nga ministri i Financave
Partneriteti publik privat
Në projektligj parashikohet për herë të parë nocioni i PPP-ve, ku konkretisht, në nenin 8 përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e secilës prej palëve në këtë partneritet, kohëzgjatja, efektet financiare, pagesat, etj.
Në shkronjën “b”, ndër të tjera përcaktohet se partneriteti privat mund të marrë përsipër detyrimin që të financojë, projektojë, të ndërtojë dhe mirëmbajë objektin e infrastrukturës publike. Gjithashtu, një nga karakteristikat e marrëdhënies që përcaktohet në këtë nen është edhe marrja përsipër nga partneri privat i niveleve dhe shtrirjes së ndryshme të risqeve që lidhen me financimin, ndërtimin dhe operimin, varësisht nga forma e partneritetit publik privat. PPP mund të parashikojë krijimin e një subjekti për qëllime të veçanta (SPV) me kapital të përzier që zotërohet bashkërisht.
Sa u takon procedurave të dhënies së koncesionit, në rastin e ndryshimit ose korrigjimit të njoftimit të kontratës, vendosja e afatit të fundit për dorëzimin e ofertave shtyhet në përputhje me rrethanat, por jo më pak se 20 ditë.
Projektligji parashikon se në dhënien e koncesioneve/partneriteteve publike private, autoriteti kontraktor mund të përdorë procedurën e hapur, procedurën e kufizuar ose me negocim, me shpallje paraprake të njoftimit të kontratës dhe afatet përkatëse, sikurse ndodh në procedurat e prokurimit publik.
Marrja e bonusit dhe afati
Në ndryshim nga ligji nr. 9663, datë 18.12.2006, “Për koncesionet”, ku propozuesit të propozimit të pakërkuar i jepej bonus, ky projektligj, në nenin 25, pikat 3 dhe 4, parashikon se propozuesi do të marrë pjesë në procedurën e prokurimit në të njëjtat kushte si të gjithë operatorët e tjerë ekonomikë dhe nuk i jepet asnjë trajtim financiar preferencial. Në rastin e nënshkrimit të kontratës, ku projekt-propozuesi nuk rezulton fitues, parashikohet kompensimi për shpenzimet e bëra nga ai për hartimin e dokumentacionit të propozimit të pakërkuar, ku asnjëherë nuk duhet të jetë më i ulët se 0.5 për qind ose më e lartë se 2 për qind e vlerës së koncesionit.
Në këtë projektligj, propozimet e pakërkuara kundrejt një bonusi janë opsion vetëm për koncesionet në fushën energjetike dhe kohëzgjatja e dhënies së këtij bonusi parashikohet katër vite nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Veç rregullimeve të përmendura më lart dhe ndryshimeve të tjera të rëndësishme që sjell projektligji, janë ato që kanë të bëjnë me garancitë apo sigurinë që u jepet autoriteteve kontraktore. Projektligji rregullon në mënyrë të hollësishme garancitë e realizimit të kontratës, tarifën e koncesionit, rastet e ndryshimit të kontratave të koncesionit dhe partneritetit publik privat apo transferimin e tyre, dhënien e punëve dhe shërbimeve shtesë për to, përkatësisht në nenet 28, 29, 31, 32 e 33.
Projektligji rregullon në nenin 34 nënkontraktimin për kontratat e koncesionit dhe ato të partneritetit publik privat. Risi e projektligjit është dhe parashikimi i rregullave për dhënien e punëve palëve të treta nga koncesionarët e punëve publike për një vlerë të caktuar. Në këtë mënyrë, ata detyrohen të ndjekin një procedurë transparente për dhënien e kontratave të tilla.
Garancia financiare dhe regjistri
Në një kapitull të veçantë, V, projektligji rregullon marrëdhënien e pronësisë, transferimin e së drejtës së pronësisë, interesat e sigurisë dhe dispozitat e stabilizimit. Projektligji sjell si garanci edhe parashikimin e SPV-së, subjekti për qëllime të veçanta, i cili, pavarësisht se nga kush është fituar kontrata, do të jetë një subjekt i regjistruar sipas ligjit shqiptar, në rastet kur autoriteti kontraktor vendos ta kërkojë në këtë formë palën me të cilën do të nënshkruajë kontratën.
Rregullimi i garancive financiare në këtë mënyrë korrigjon edhe një mangësi të legjislacionit në fuqi, i cili nuk ka pasur rregullime të tilla, duke lënë të pambrojtur autoritetin kontraktor. Ky projektligj plotëson kuadrin ligjor të partneritetit publik privat në kuptimin e gjerë të kësaj marrëdhënieje, pasi me miratimin e tij rregullohen kontratat e prokurimit publik, kontratat e koncesioneve dhe kontratat e partneritetit publik privat në përputhje me parashikimet e direktivave përkatëse europiane.
Projektligji u jep mundësi institucioneve të identifikojnë e të iniciojnë vetë procedurat e koncesioneve për sa është në fushën e veprimtarisë së tyre dhe kompetencave të tyre.
Në projektligj përkufizohen si autoritete kontraktore ministritë e linjës, Kryeministria, Kuvendi dhe njësitë e qeverisjes vendore, por jo institucionet e tyre të varësisë. Duke pasur në konsideratë impaktin financiar dhe kohëzgjatjen e kontratave të koncesionit dhe partneritetit publik privat, nuk është dhënë kjo kompetencë institucioneve të varësisë, ndërsa mosmiratimi nga Këshilli i Ministrave u jep më shumë frymëmarrje autoriteteve kontraktore.
Neni 4
Fusha e zbatimit të koncesioneve/partneriteteve publike private
– Transport (hekurudha, porte, aeroporte, rrugë, tunele, ura, parking, transport publik)

– Prodhim dhe shpërndarje të energjisë elektrike dhe energjisë për ngrohje

– Prodhim dhe shpërndarje të ujit

– Menaxhimin e mbeturinave (mbledhje, trajtim, depozitim)

– Komunikime elektronike

– Turizëm, argëtim dhe hoteleri

– Shëndetësi

– Kulturë dhe sport

– Shërbime sociale

– Burgjet, infrastruktura gjyqësore

– Strehim

– Godina të administratës publike

– Parqe industriale, miniera

– Shpërndarje të gazit natyror
Studimi i fizibilitetit dhe si duhet të veprojnë institucionet kur investohet deri në 300 milionë lekë
Llogaritja e vlerës së koncesionit
Në rastin e një koncesioni, vlera e të cilit është më pak se 300 milionë lekë (pa TVSH), autoriteti kontraktor, që mund të jetë Kryeministria, Kuvendi apo njësia vendore, mund të përgatisë, në vend të studimit të fizibilitetit të koncesionit, një analizë të përmbledhur për dhënien me koncesion, ku ai është i detyruar të aplikojë vetëm parimet themelore që rregullojnë përgatitjen e studimit të fizibilitetit, në përputhje me nenin 19.
Më konkretisht, sipas këtij neni, pika 3, në studimin e fizibilitetit do të merren parasysh në veçanti interesi publik, ndikimi në mjedis dhe mbrojtja, përshtatshmëria financiare e projektit, treguesit e vlerës së parasë, risqet direkte dhe indirekte, etj.
Autoriteti kontraktor e llogarit vlerën e parashikuar të koncesionit/PPP si një vlerë totale e objektit, duke përfshirë të gjitha ndryshimet e mundshme, pa vlerën e TVSH-së, sipas përcaktimeve të ligjit “Për prokurimin publik”.
Tarifën e koncesionit e përcakton ministri i Financave, në bazë të rregullave të miratuara nga ai vetë, dhe është në raport me vlerën e investimit, kurse të ardhurat e mbledhura nga kjo shkojnë për buxhetin e shtetit.
Gjithashtu, kontrata e koncesionit/PPP nuk mund të lidhet për një periudhë më të gjatë se 35 vjet, por periudha mund të ndryshojë, pra zgjatet, sipas kushteve në nenet 31, 32 dhe 33 të projektligjit në fjalë.

Revista Monitor, 27.04.2013