Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kërkojnë përgjegjësi nga Beqaj

Përfaqësues të organizatave joqeveritare në vend kërkojnë përgjegjësi për gjendjen e rëndë ekonomike në vend nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj. Ata thonë se para se të japë dorëheqje Beqaj duhet të japë llogari për të bëmat e tij si ministër i Zhvillimit Ekonomik.
Por, përkundër kërkesave të vazhdueshme, numri një ministrisë nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga pozita e ministrit.
“MZHE ka obligim dhe detyrë që përmes Njësisë Për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike të monitorojë ligjshmërinë e punën e Bordeve të NP dhe nuk ka te drejtë të ndërhyjë në çështjet e menaxhimit të KEK-ut. Ministri Beqaj nuk ka as përgjegjësi objektive as subjektive lidhur me revoltën e qytetarëve ndaj KEK-ut”, ka thënë Gëzim Baxhaku, këshilltar për media i ministrit Beqaj.
Ai ka ritheksuar se MZHE-ja ka pritur me shqetësim pakënaqësitë e qytetarëve lidhur me lartësinë e faturave të energjisë elektrike për muajin janar të këtij viti.
“Për këtë arsye ministri Beqaj ka formuar një komision ndërinstitucional, i cili kishte për detyrë të mbikëqyrë qasjen e përgjegjësve të KEK-ut ndaj ankesave të shumta. Ky komision ka kryer punën e vet dhe lidhur me të gjeturat e tij ministri Beqaj ka mbajtur konference për media dhe ka informuar opinionin”, ka thënë ai.
Por, në anën tjetër përfaqësues të OJQ-ve në vend thonë se largimi ose shkarkimi i ndonjë zyrtari të lartë nuk e lehtëson gjendjen e rëndë të krijuar në KEK.
Avni Zogiani nga Organizata Çohu ka thënë se shkarkimi i cilitdo zyrtar shtetëror nuk e lehtëson gjendjen e krijuar në KEK.
“Nuk mendoj se problemi i energjetikës zgjidhet thjesht me dorëheqjen e një ministri ose drejtorit të KEK-ut. Ato mund të jenë shfryrje të presionit për momentin, por problemi i energjisë në Kosovë është më i thellë, dhe mendoj se i ka rrënjët në faktin që Kosova nuk ka fare subjektivitet në krijimin e politikave në energji”, ka thënë ai.
Sipas tij, kryesisht vendimet dhe politikat në këtë sektor bëhen nga autorë të huaj. “Çmimi i energjisë në shumicën e rasteve përcaktohet nga kompanitë që i shesin rrymë Kosovës dhe nga shfrytëzimet tjera rajonale energjetike. Energjia në Kosovë qeveriset nga autorë të huaj siç janë Banka Botërore, këshilltarët e USAID-it ose të tjerë, gjoja ekspertë që punojnë në këtë fushë”, ka thënë ai.
Edhe Petrit Zogaj nga Lëvizja “Fol” mendon se shkarkimi i Beqajt dhe cilitdo zyrtari tjetër nuk do të zgjidhte asgjë.
Sipas tij, këta persona duhet t’i ngarkojmë me përgjegjësi publike për politikat e gabuara dhe për faturimet kuturu që i kemi parë muajve të fundit, e jo të kërkojmë që t’i largojmë ata.
“Ne duhet të jemi të kujdesshëm se çfarë po kërkojmë, duke qenë konsistent që personat në fjalë, pra edhe Beqaj të japë përgjegjësi para qytetarëve të Kosovës për rritje faturash, keqpërdorime në KEK dhe për politika të gabuara ekonomike, përpara se ky i fundit të shkojë në shtëpi. Pra, shkarkimi do të duhej të ishte akti i fundit dhe si pasojë e gjetjeve konkrete të keqpërdorimeve dhe të kërkohet me ngulm që të japë llogari para institucioneve përkatëse”, ka thënë Zogaj.
Sa i përket protestave, Zogaj ka thënë se ato kanë prodhuar një efekt shumë pozitiv, dhe kjo sipas tij, ka ndikuar që gjatë këtij viti nuk do të kemi rritje të tarifave të energjisë elektrike. Mirëpo, ai ka kërkuar që protestat në vazhdim të mos identifikohen me parti të ndryshme, sepse ndryshe sipas tij, do ta humbnin efektin.

Gazeta Zeri, 29.03.2013