Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Laboratorët e naftës padisin ministren Kusari-Lila

Dy laboratorët e akredituar dhe të licencuar për analizat e cilësisë së derivateve të lëngëta të naftës, “Sierra-Lab” dhe “Kosova-Lab”, kanë paditur kabinetin e Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë për shkeljet ligjore në procesin e kontrollimit të naftës së importuar, autorizim të jashtëligjshëm të trupave inspektuese, mashtrim ndaj konsumatorëve, shkaktimin e dëmit material si dhe rrezikimin e shëndetit publik në tërë Kosovën.
Nëpërmjet padisë së dorëzuar më datë 19 mars, në Prokurorinë Speciale të Kosovës, Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë, dy laboratorët e naftës kërkojnë që të shpallen fajtorë Mimoza Kusari-Lila, ministre e Tregti dhe e Industrisë, Bernard Nikaj, shef i kabinetit dhe këshilltar në të njëjtën ministri, Ruzhdi Shehu, kryeinspektor i kontrollimit të tregut në MTI, dhe Ibush Luzha, drejtor i Drejtorisë së Akreditimeve në MTI.
“Të shpallet fajtore Mimoza Kusari-Lila…, për shkak të nënshkrimit të akteve nënligjore në kundërshtim me Ligjin në fuqi, dhe dëmtimit të cilësisë së karburanteve të lëngëta të derivateve të naftës, që është në kundërshtim me nenin 5 (të Kodit Penal të Kosovës v.j.), ku ka rrezikuar: sigurinë; mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të njerëzve, kafshëve, shpezëve dhe bimëve; rrezikimin e mjedisit dhe natyrës; rrezikimit të konsumatorëve”, thuhet në padinë e laboratorëve, dorëzuar institucioneve të drejtësisë.
Siç shkruan sot “Koha Ditore”, në padi më tej kërkohet që Bernard Nikaj, këshilltar dhe shef i kabinetit të ministres Kusari-Lila, të shpallet fajtor për shkak të ndikimeve në stafin civil të Ministrisë për favorizim të trupave inspektuese me gjithë kompetencat e tyre.
“Të shpallet fajtor Bernard Nikaj…, për ndikimet e vazhduara në stafin civil të MTI-së, për kolizion të akteve ligjore dhe shtytje të favorizimit të trupave inspektuese me gjithë kompetencën e tyre në bazë të standardit ISO/IEC 17020 dhe autorizimit për kryerjen e sistemit të vlerësimit të konformitetit”, thuhet në padi.
Në lidhje me dy të paditurit e tjerë, Ruzhdi Shehu dhe Ibush Luzha, laboratorët kanë konsideruar se të njëjtët duhet të shpallen fajtorë për shkak të favorizimeve dhe shpërdorimeve të detyrave zyrtare në çështjen e kontrollit të naftës.
“Të shpallet i fajshëm, drejtori i Drejtorisë së Akreditimit, Ibush Luzha, për shkak të ndikimeve që ka bërë në devijimin e sistemit që kanë favorizuar përfitimin e jashtëligjshëm, konflikt interesi…”, thuhet më tej në padi.
Ndërkohë, në lidhje me kryeinspektorin e tregut, Ruzhdi Shehu, në padi thuhet se ai duhet të shpallet fajtor për favorizim të jashtëligjshëm të trupave të autorizuara inspektuese për interesa të ngushta dhe shpërdorim të detyrës zyrtare.
“Të shpallet i fajshëm Ruzhdi Shehu, kryeinspektor i Inspektoratit të Tregut, i cili duke shpërdorur detyrën zyrtare nga neni 422 i Kodit Penal të Kosovës, konflikt interesi sipas nenit 424, devijim të sistemit, shkel ligjin e sovranit dhe favorizon në mënyrë të kundërligjshme Trupat e Autorizuara Inspektuese për interesa të ngushta në dëm të shoqërisë”, thuhet në padi.
Nga Prokuroria është bërë me dije se lënda është pranuar dhe se ende është në fazën e shqyrtimit dhe vlerësimit, përderisa ende nuk është ndërmarrë ndonjë veprim në lidhje me të.

Gazeta Koha Ditore, 21.03.2013