Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Eksklusive: Zbardhet programi ekonomik i qeverise 2013-2015 (pjesa energjise, naftes, gazit e minierave)

VENDIM Nr. 79, datë 30.01.2013 PËR MIRATIMIN E PROGRAMIT EKONOMIK E FISKAL TË SHQIPËRISË, PËR PERIUDHËN 2013-2015
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e Ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Miratimin e programit ekonomik e fiskal të Shqipërisë, për periudhën 2013-2015, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

PROGRAMI EKONOMIK DHE FISKAL 2013-2015 (Pjesa e energjise, naftes, gazit dhe minierave)
Energjia
Liberalizimi i tregut të energjisë, futja e operatoreve private. Amendimi i ligjit nr. 9072, datë 22.5.2003 “Për sektorin e energjisë”, miratuar nga Kuvendi në datë 26.11.2011, përbën një hap të rëndësishëm për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, duke konsideruar si konsumatorë të kualifikuar të gjithë konsumatorët e lidhur në rrjetin e tensionit 110 kV, si dhe të gjithë konsumatorët që konsumojnë mbi 50 milionë kilovat orë në vit. Gjatë vitit 2012, është punuar për përgatitjen e një ligji të ri për sektorin e energjisë, i cili së bashku me amendimet, pritet të miratohet brenda vitit 2012. Me miratimin e këtij ligji hapet rruga për liberalizimin e mëtejshëm të tregut të energjisë, me synimin që brenda 1 janarit 2015 të arrihet një hapje e plotë e tregut, në përputhje me objektivat e Traktatit të Komunitetit të Energjisë.

Në kuadër të liberalizimit të tregut të prodhimit të energjisë dhe të futjes së operatorëve privatë në tregun e prodhimit, gjatë vitit 2012 janë lidhur 11 kontrata të reja për ndërtimin e 11 heceve me vlerë të përgjithshme rreth 62,3 milionë euro. Deri tani janë nënshkruar 124 kontrata koncesioni për ndërtimin e 360 hidrocentraleve, me fuqi të instaluar në total prej 1 520 MW, me vlerë të përgjithshme të investimit në rreth dy miliardë euro. Nga këto, 54 hidrocentrale janë vënë në shfrytëzim, janë në fazën e punimeve 46 hidrocentrale, nga të cilat gjatë vitit 2012 pritet të hyjnë në prodhim 10 hidrocentrale. Me vënien në shfrytëzim të këtyre objekteve parashikohet të garantohet siguria e furnizimit me energji elektrike të tregut të brendshëm dhe një pjesë e energjisë së prodhuar të shitet në tregun rajonal. përveç skemave të koncesionit, në skemën e prodhimit privat të energjisë përfshihen edhe 14 hece, me fuqi të instaluar gjithsej 2,044 kW, të cilët disponohen nga sektori privat (të privatizuar).
Në kuadër të hapjes së tregut, janë bërë investime të konsiderueshme për rritjen e kapaciteteve të rrjetave të transmetimit dhe interkonjeksionit. Gjatë vitit 2011 kanë përfunduar punimet për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit me Malin e Zi dhe është nënshkruar marrëveshja e interkonjeksionit mes dy vendeve. Në vitin 2012 është realizuar tenderimi i projektit të ndërtimit të linjës së intekonjeksionit me Kosovën (në proces) dhe po punohet për përgatitjen e studimit të fizibilitetit të ndërtimit të linjës së interkonjeksionit me FYROM-in (Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor), si dhe për identifikimin e burimeve të financimit.

Privatizimi i operatorëve strategjikë
Privatizimi i shoqërisë “KESH” sh.a. Në vitin 2009 ka përfunduar privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH). Kontrata për shitjen e 76 për qind të aksioneve të shoqërisë “Operatori i Sistemit të Shpërndarjes”, pranë shoqërisë çeke CEZ për vlerën 102 milionë euro është nënshkruar në datën 11 mars 2009. Kontrata është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe nga Kuvendi i Shqipërisë me ligjin nr. 10 116, datë 23.4.2009. Është në proces përgatitja e dokumentacionit për llogaritjen e paketave të aksioneve për punonjësit e shoqërisë dhe për ish-pronarët e truallit.
Në përputhje me programin e qeverisë, në vijim është punuar për zgjerimin e privatizimeve në sektorin e prodhimit të energjisë elektrike, konkretisht përgatitjen e strategjisë dhe të procedurave të privatizimit. Në vitin 2011 është përgatitur dhe miratuar ligji për privatizimin e katër hidrocentraleve, në pronësi të KESH sh.a., konkretisht të impianteve të Ulëz-Shkopet dhe Bistrica 1 dhe Bistrica 2. Në zbatim të ligjit është bërë ristrukturimi i këtyre kompanive dhe u krijuan dy kompani të veçanta “HEC Ulëz-Shkopet” dhe “Bistrica 1 dhe Bistrica 2”. Në shtator 2012 përfundoi ankandi i parë për privatizimin e tyre, por pa sukses. Në vijim ka vazhduar puna për rishikimin e dokumentacionit të kërkuar dhe rihapjen e tenderit ndërkombëtar për privatizimin 100% të aksioneve të tyre brenda vitit 2012. Afati i fundit për pranimin e ofertave është caktuar data 10.12.2012.

Privatizimi i shoqërisë “Armo” sh.a.: privatizimi i 85% të aksioneve të shoqërisë “ARMO”, me destinacion përpunimin e produkteve hidrokarbure, ka përfunduar në vitin 2008. Kontrata për shitjen e 85 për qind të aksioneve të shoqërisë “ARMO” është nënshkruar në datën 22.8.2008 dhe është dekretuar nga Presidenti i Republikës. 85% e aksioneve të shoqërisë “Armo” sh.a. i kanë kaluar shoqërisë “AMRA OIL” sh.a. dhe konsorciumit “Refinery Associates of Texas, Anika Enterprises & Mercuria Energy group”. Përmes privatizimit të shoqërisë “ARMO” sh.a. është siguruar tërheqja e investimeve dhe teknologjisë bashkëkohore, përmirësimi i cilësisë së rafinimit të naftës bruto dhe arritja e standardeve ndërkombëtare në prodhimin e nënprodukteve të naftës, si dhe reduktimi i ndotjes së mjedisit. Aktualisht po vazhdon përgatitja e dokumentacionit të nevojshëm, për llogaritjen e paketave të aksioneve për punonjësit e shoqërisë dhe për ish-pronarët e truallit.
Privatizimi i shoqërisë “Albpetrol” sh.a.: privatizim i shoqërisë publike “Albpetrol” sh.a., që operon në sektorin e prodhimit të naftës dhe të gazit, deri në vitin 2011 është realizuar përmes dhënies së një pjese të të drejtave, të titullimit dhe interesit për vendburimet ekzistuese, kompanive të huaja që operojnë në fushën e prodhimit dhe kërkimit mbi bazën e marrëveshjeve hidrokarbure sipas ligjit nr. 7746, datë 28.7.1993 “Për hidrokarburet”. Ky proces është në vazhdimësi sipas përcaktimeve në marrëveshjet e veçanta që shoqëria “Albpetrol” ka realizuar me kompanitë që operojnë sot në sektorin hidrokarbur.

Në zbatim të politikave të qeverisë shqiptare për privatizimin e plotë të shoqërisë “Albpetrol” sh.a., gjatë vitit 2011 është përgatitur dhe miratuar ligji nr. 10 490, datë 15.12.2011 “Për percaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë “Albpetrol” sh.a. Patos”. Gjatë vitit 2012 kanë vijuar procedurat e privatizimit të shoqërisë “Albpetrol” sh.a. Procesi i privatizimit është asistuar nga kompania konsulente ndërkombëtare Patton Boggs LLP dhe Zaka & Kosta dhe është realizuar nëpërmjet procedurave të tenderit ndërkombëtar.
Në përputhje me kuadrin ligjor janë realizuar procedurat për përzgjedhjen e investitorit strategjik. Në datën 7 shtator 2012 u paraqitën ofertat nga disa kompani për blerjen e aksioneve. Në datën 3 tetor 2012, Këshilli i Ministrave miratoi raportin përfundimtar të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe shpalli kandidat fitues kompaninë Vetro Energy PTE. Ltd. Në vijim të procedurave, pritet të fillojë së shpejti negocimi i marrëveshjes për blerjen e aksioneve të “Albpetrol” sh.a., e cila do të paraqitet më pas nga Këshilli i Ministrave për ratifikim në Kuvend. Vlera e ofertës së paraqitur nga kompania fituese është 850 milionë euro.

Sfidat, prioritetet 2013-2015
Liberalizimi i tregut të energjisë, investimet e konsiderueshme për zhvillimin e zhvillimin e infrastrukturës së sistemeve të transmetimit dhe intekonjeksionit të energjisë elektrike, si dhe furnizimi i pandërprerë i konsumatorëve me energji elektike, janë disa nga arritjet më kryesore për këtë sektor. Ndryshimet ligjore, të bëra gjatë vitit 2011, kanë qenë në përputhje të plotë me rregullat e Bashkimit Europian, duke i hapur rrugën zhvillimit të konkurrencës në tregun e brendshëm të energjisë elektrike dhe eliminimit të situatës monopol në këtë treg. Rezultat i drejtpërdrejtë i politikave ka qenë një furnizim i pandërprerë i konsumatorëve me energji elektrike. Gjatë viteve 2009-2012 të vetmet ndërprerje energjie kanë qenë ato për shkak të defekteve në rrjet, të mospagesës nga konsumatorët apo remonteve të paralajmëruara.
Sfidat kryesore për periudhën 2013-2015 dhe në vazhdim lidhen me përmirësimin e strukturës së furnizimit me burime primare energjetike, rritjen e kapacitetit gjenerues të vendit, zvogëlimin e humbjeve në rrjet, rritjen e mëtejshme të kapaciteteve të shkëmbimit të energjisë me vendet e rajonit, lidhja e Shqipërisë me rrjetin ndërkombëtar të gazit, liberalizimi i plotë i tregut të energjisë elektrike etj.
Prioritetet për periudhën 2013-2015, janë pjesë e prioriteteve afatgjata të qeverisë për zhvillimin e sektorit të energjisë, dhe lidhen me zbatimin e programeve dhe projekteve të mëposhtme:
Ndërtimi i hidrocentraleve të mëdhenj, të mesëm dhe të vegjël: investimet pritet të përmirësojnë ndjeshëm si bilancin e prodhimit dhe të shkëmbimit të energjisë, ashtu dhe të ardhurat në buxhet. Investimet kryesore lidhen me: ndërtimin e heceve në lumin Devoll (280 MW), në lumin Osum (152 MW), në lumin Vjosë (350 MW), në lumin Drin/Skavicë (200 MW). Me ndërtimin e këtyre impianteve.

Masat e ndërmarra për implementimin me sukses të projekteve të mësipërme lidhen me krijimin e lehtësirave fiskale dhe procedurale, përfshirë skema për lehtësimin e kreditimit të heceve të vogla.
Lidhja e Shqipërisë me rrjetin rajonal të gazit natyror: synohet që deri në vitin 2020 rreth 15 për qind e konsumit total të energjisë të mbulohet përmes konsumit të gazit natyror. Qeveria shqiptare po punon intensivisht për realizimin e projektit TAP, negocimi i të cilit ka avancuar ndjeshëm gjatë vitit 2012. Projekti TAP financohet nga AKSPO (Zvicer), Statoil (Norvegji) dhe Rurgas (Gjermani). Ndërtimi i projektit pritet të fillojë në vitin 2015, me një kohëzgjatje të ndërtimit 4-5 vjet. Sipas vlerësimeve paraprake, projekti pritet të këtë një kontribut prej rreth 420 milionë euro në GDP për periudhën 2015-2018, gjatë ndërtimit parashikohet të hapen rreth 4,200 vende punë (së bashku me efektet shtesë në ekonomi parashikohen 10-12,000 vende pune), kontributi neto në Buxhetin e Shtetit gjatë viteve të operimit parashikohet në rreth 40-50 milionë euro/vit. Masat e ndërmarra dhe në vijim, lidhen me ndjekjen e praktikave ligjore dhe administrative për realizimin e projektit.
Zhvillimi i rrjetit të brendshëm të transmetimit dhe të interkonjeksionit të energjisë elektrike: skema e investimeve është konceptuar për të përballuar kërkesat në rritje të konsumatorëve për energji elektrike, fillimisht për të importuar dhe, më pas, për të eksportuar tepricën e energjisë. Përparësi për periudhën 2013-2015 është ndërtimi i linjës së interkonjeksionit me Kosovën, për të cilën janë siguruar burimet financiare, si dhe përfundimi i studimit të fizibilitetit (në proces) dhe mobilizimi i burimeve për projektin e interkonjeksionit me FYROM, që përmbyll edhe masterplanin e interkonjeksioneve. Në sistemin e transmetimit janë identifikuar rreth 20 projekte, nga të cilat shtate projekte janë konsideruar si prioritare, dhe për të cilat po kryhen studimet e fizibilitetit dhe pritet të fillojnë brenda periudhës së programit.
Në tërësinë e masave për rritjen e sigurisë së furnizimit dhe të funksionimit të tregut, do të veçonim edhe masat për promovimin e gjenerimit të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme (panelet diellore, impiantet e erës etj.), rritjen e eficencës së energjisë (9% deri në vitin 2018) përmes zbatimit të planit kombëtar të veprimit për eficencën e energjisë, miratimit të kuadrit ligjor për eficencën e energjisë dhe të Kodit të Banesave, sigurimin e instrumenteve mbështetëse financiare për eficencën e energjisë, përfshirë axhustimin e tarifave të energjisë elektrike, duke synuar mbulimin e kostove të prodhimit dhe shërbimit, por edhe duke mbrojtur shtresat në nevojë nga efektet e rritjes së çmimeve.
Kostot përkatëse të masave të parashikuara për mbështetjen e sektorit të energjisë janë parashikuar në mënyrë të detajuar në programin buxhetor afatmesëm 2013-2015. Ndërkohë, projektet që zbatohen në fushën e prodhimit të energjisë, përfshirë edhe në fushën e shpërndarjes, realizohen nga sektori privat dhe praktikisht nuk paraqesin ndonjë kosto relevante për Buxhetin e Shtetit.

Minierat dhe industria
Zhvillimi i industrisë minerare
Prodhimi minerar realizohet tërësisht nga sektori privat, prodhimet minerare destinohen kryesisht për eksport, si: kromi, bakri, hekur-nikeli, gurët dekorativë etj. Prodhimet jometalore janë orientuar kryesisht në plotësimin e kërkesës së tregut të brendshëm me destinacion kryesor prodhimin e materialeve të ndërtimit, argjilave të përdorura si lëndë e parë për prodhimin e çimentos, gurët dekorativë etj. Struktura e investimeve ka ardhur në përmirësim: investimet në teknologji dhe përpunimin e mineraleve kanë ardhur në rritje, sidomos në industrinë e çimentos, kromit, bakrit dhe gurëve dekorativë, që përbëjmë edhe segmentet me zhvillimin më të shpejtë të kësaj dege të industrisë.
Në vitin 2011, sasia e mineralit të prodhuar arriti në 9.2 milionë tonë me një vlerë prodhimi 157 milionë euro, dhe rreth 7500 të punësuar. Mineralet tradicionale metalike zënë rreth 13% të sasisë së prodhimit dhe rreth 50% të vlerës së prodhimit. Aktualisht, në industrinë e minierave janë në aktivitet 672 leje minerare. Investimet kanë arritur vlerën e 40 milionë USD në vit (pa përfshirë investimet në industrinë e çimentos që shkojnë në disa qindra milionë euro).
Si rezultat i reformave të ndërmarra në këtë sektor, disa nga industritë janë adaptuar mirë me kushtet e reja. Industria metalurgjike, si pjesë e industrisë së përdorimit të mineraleve, ka shfrytëzuar mjediset ekzistuese për përpunimin e mineralit të kromit në koncentrate kromi. Gjatë vitit 2011 prodhimi arriti në rreth 20 mijë tonë koncentrate kromi dhe ferro-kromi. Zgjerimi i përpunimit ka rritur kërkesën dhe ka nxitur një rivitalizim të shpejtë të nxjerrjes së kromit. Industria e përpunimit të bakrit ka arritur të shfrytëzojë me sukses si lëndën e parë, ashtu dhe eksperiencën dhe koston e lirë të punës, duke dalë në eksport me produkt koncentrat bakri në sasi rreth 30 mijë tonë në vitin 2011.
Industria metalurgjike, përfaqësohet nga riciklimi i skrapit të metaleve dhe prodhimi i ferro-kromit, është rritur nga viti në vit: janë përdorur vendndodhjet ekzistuese, duke rinovuar teknologjinë, që ka bërë të mundur daljen në tregjet e brendshme, rajonale dhe më tej. Aktualisht përpunohen rreth 600 mijë tonë skrape metali dhe prodhohen rreth 23 mijë tonë ferro-krom në vit. Ekziston një potencial i madh për këtë industri në proceset metalurgjike të trajtimit të xeherorëve të bakrit dhe nikelit.
Veprimtaria nxjerrëse e mineraleve konsiderohet një burim potencial për rritjen e të ardhurave. Para viteve ‘90 ky sektor krijonte mbi 60% së të ardhurave të PBB-së. Sot, megjithëse në nivelet e prodhimit janë rritur 1,5 herë më shumë (aktualisht prodhohen rreth 10.5 milionë tonë minerale në vit), kjo veprimtari krijon jo më shumë se 3% të kontributit në PBB (duhen mbajtur parasysh ndryshimet në mënyrën e ndarjes dhe vjeljes së të ardhurave, strukturës së produkteve minerare dhe strukturës së re të ekonomisë). Veprimtaritë e kërkim-zbulimit dhe të shfrytëzimit zhvillohen tërësisht nga sektori privat.
Ish-ndërmarrjet minerare shtetërore të paprivatizuara janë të gjitha në procesin e mbylljes ose e likuidimit.
Për vitin 2012, vlerësohet që industria minerare punëson 9500 persona, ka në aktivitet 670 objekte minerare, një vlerë investimi 40 milionë USD në vit dhe një vlerë produktesh prej 170 milionë USD. Referuar mundësive të shfrytëzimit të vendburimeve të zbuluara deri tani (përllogariten në 5 miliardë tonë minerale), vlerësohet se të ardhurat vetëm nga renta minerare për mineralet e zbuluara deri tani, mund të jenë shumë herë më të larta se niveli aktual prej rreth 4 milionë USD në vit.
Kostot janë evidentuar në programin buxhetor afatmesëm 2013-2015, nuk janë relevante, dhe lidhen kryesisht me shpenzimet për mbylljen e objekteve minerare.
Politikat sektorit minerar
Politikat dhe kuadri ligjor për sektorin minerar janë rishikuar në vitet 2009-2010. Është përditësuar strategjia minerare, miratuar me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 479, datë 29.6.2011, ku janë përcaktuar edhe katër synimet kryesore për zhvillimin e sektorit: prosperiteti ekonomik, mbrojtja e mjedisit, mbështetja sociale, barazia për brezat e sotëm dhe mundësi të barabarta për brezat e ardhshëm. Është hartuar paketa e re ligjore që përfshin ligjin nr. 10 304, datë 15.7.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, 11 vendime të Këshillit të Ministrave dhe 21 urdhra të Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, duke futur disa koncepte të reja në politikat minerare që lidhen me konceptin e planifikimit minerar të koordinuar dhe harmonizuar me planifikimin e territorit, programimin e veprimtarive minerare nëpërmjet zonimit minerar, transparencën dhe lehtësimin e procedurave të dhënies së lejeve, aplikimin e parimit të konkurrencës për dhënien e të drejtave minerare, garancive financiare për realizimin e investimit dhe rehabilitimin e mjedisit, trajtimin e mbetjeve dhe riciklimin e tyre për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm e të harmonizuar të sektorit, si dhe stimulimin e prodhimit për eksport dhe plotësimin e kërkesës së tregut të brendshëm për produkte minerare me qëllim rritjen e të ardhurave nga ky sektor.
Politikat prioritare për tri vitet e ardhshme konsistojnë në: i) përmirësimin e klimës së investimeve për rritjen prodhimit dhe të shkallës së përpunimit të mineraleve përmes krijimit të një mjedisi ligjor dhe fiskal që mundëson tërheqjen e investitorëve të kualifikuar përmes procedurave të përshtatshme të licencimit, transparencës në procedurat e tenderimit dhe licencimit; ii) zbatimin me korrektësi të kuadrit ligjor; iii) përmirësimi i procedurave dhe rregullave të planifikimit dhe dhënies së koncesioneve dhe lejeve minerare në pajtim me mbrojtjen e mjedisit; iv) inkurajimi dhe rritja e investimeve për kërkim-zbulimin dhe zhvillimi i aktiviteteve me vlerë të lartë të shtuar; v) rivlerësim të burimeve minerare dhe zhvillimi i bazës së të dhënave GIS; vi) përmbushja e detyrimeve që ka Shqipëria në kuadër të EITI-t.
Drejtimet prioritare 2013-2015
Për periudhën 2013-2015, në përputhje me indikacionet e strategjisë për zhvillimin e sektorit minerar, do të synohet me përparësi realizimi i projekteve të mëposhtme minerare, duke synuar një lidhje më të mirë të aktiviteteve nxjerrëse me ato përpunuese:
Për mineralin e kromit: i) projekti për 4 milionë tonë rezerva në masivet e Kukësit, Tropojës; ii) projekti për 1.5 milionë tonë rezerva në masivin e Lurës; iii) projekte nga ndërmarrje të vogla për trupa të vegjël, të cilët duhet të kooperojnë me subjektet që kryejnë përpunimin.
Për mineralin e bakrit: i) projekti për 2 milionë tonë rezerva në zonën e Perlatit jugor; ii) projekti për 3.5 milionë tonë rezerva në zonën e Mirditë-Pukë, duke përfshirë disa zona minerare me një objekt përpunues; ii) projekte kërkim-zhvillimi në rajonin e Mirditës; iv) riciklimi i mbetjeve minerare të objekteve përpunuese të bakrit.
Për mineralin e hekur-nikelit dhe nikelit silikat: i) projekti për rajonin juglindor me një objekt përpunues (Bitincka, Kokogllave, Tren, Strana, Kapshtica); ii) projekti për rajonin verior dhe verilindor me një objekt përpunues (Trull, Surroi, Mamëz, Nome, përfshirë edhe rajonin e Lurës); iii) projekti për rajonin e Librazhd-Prenjas-Pogradecit për hekur-nikel me një objekt përpunues.
Për qymyret: Do të synohet riaktivizimi i tyre për prodhimin e energjisë elektrike dhe termike. Zonat ku mund të zhvillohen projektet: i) projekti për qymyret në Memaliaj për përpunim dhe TEC; ii) projekti për qymyret në Librazhd, Korçë për përpunim dhe TEC; iii) projekti për torfat e Maliqit për TEC.
Për mineralet e tjera industriale, kërkohet një rivlerësim i gjithë aktivitetit të deritanishëm për një riorientim të ri të investimeve në këtë fushe, duke marrë në konsideratë që potencialet e lëndëve të para janë të shtrira në të gjithë vendin, zgjerimin e gamës së mineraleve me dolomitet, gipse, rërat dhe zhavorret, gurët veshës dekorativë, gëlqerorët e mermerizuar dhe mermerët, gurët veshës dekorativë etj.
Privatizimi
Privatizimi i sektorit minerar ka përfunduar dhe aktualisht 100% të prodhimit të këtij sektori realizohet nga sektori privat. Ish-ndërmarrjet minerare shtetërore të paprivatizuara janë në procesin e mbylljes ose të likuidimit. Aktualisht, në këtë sektor nuk ka asnjë subjekt shtetëror në prodhim. Mbyllja e minierave të shfrytëzuara (krom, bakër, feni, qymyre dhe metale të tjera) dhe privatizimi i aseteve të tyre është proces në vazhdim, që nga fillimi i viteve ‘90.
Në degën e kromit, kanë kaluar në procesin e mbylljes dhe privatizimit gjithsej 178 objekte minerare, ku bëjnë pjesë, miniera, fabrika pasurimi, impiante seleksionimi etj. Konkretisht janë mbyllur 31 miniera dhe objektet përkatëse, janë privatizuar 110 objekte (ndërtesa, pajisje-makineri, mjete transporti), janë dhënë me koncesion 7 objekte (Darfo spa) dhe 4 objekte (IMI sh.a.), prej të cilave 5 miniera, 3 fabrika pasurimi, 1 impiant seleksionimi dhe 2 uzina ferrokromi; janë pajisur me leje minerare shfrytëzimi 237 subjekte private; janë dhënë me qira rreth 70 galeri miniere së bashku me asetet e tyre (rreth 278 objekte ndërtesa, p/makineri etj.); dhe janë bërë transferime kapitali për 10 objekte.
Në degën e bakrit, janë mbyllur objektet minerare (Thirre, Laje, Karme1, Hurdha e Tolles, Kanisqel), janë demoluar fabrikat e pasurimit Golaj, Reps, Rrëshen, Mjede, Rehovë, Kurbnesh, UB Rubik (Shkrirja). Është në proces demolimi Uzina e Rafinimit të Bakrit Rubik, ka përfunduar demolimi dhe kapsulimi i mbetjeve të rrezikshme në uzinën e vjetër të bakrit në Rubik, në uzinën e plehrave azotike Fier dhe në uzinën e sode-pvc Vlorë përbërë. Gjendja e objekteve të industrisë së bakrit në fund të vitit 2011 është si më poshtë: janë mbyllur rreth 60 objekte, privatizuar 22 objekte, dhënë në koncesion 5 objekte (minierat e bakrit Munellë dhe Lak Rroshi, fabrika e pasurimit Fushë-Arrëz, impianti i seleksionimit të skorieve Shëngjin, miniera e bakrit Karme), demoluar 9 objekte (UB Laç, UB Rubik, Fabrika e Pasurimit Kurbnesh etj.) dhe është bërë kalim kapital për 9 objekte. Janë në proces privatizimi asetet e 31 objekteve, ndërkohë që mjaft asete kanë përfunduar ciklin e privatizimit pa u shitur dhe i janë kthyer “Albbakër” sh.a., i cili vazhdon shitjen e tyre.
Në degën e hekur-nikelit dhe nikel-silikatit u janë nënshtruar procesit të mbylljes dhe privatizimit të aseteve, gjithsej 25 objekte minerare. Në këtë degë janë dhënë gjithsej 38 leje minerare (aktive).
Në degën e qymyreve u janë nënshtruar procesit të mbylljes dhe privatizimit gjithsej 35 objekte minerare (miniera, fabrika pasurimi etj.). Janë dhënë 11 leje minerare shfrytëzimi (sot aktive), si dhe janë dhënë me qira asetet e objekteve të tyre. Deri në fund të vitit 2011 kanë kaluar në proces mbylljeje, likuidimi dhe privatizimi të aseteve 148 objekte minerare.
Në aspektin administrativ, vijojnë përpjekjet për formalizimin e ekonomisë, luftën kundër evazionit dhe kontrabandës. Në këtë kuadër, janë në proces negocimi dy projekte koncesionare:
– Koncesioni për sistemin e markimit të karburanteve në Republikën e Shqipërisë;
– Koncesioni i skanimit të kontejnerëve.
Dhënia me koncesion e shërbimit të markimit dhe monitorimit të karburanteve në RSH synon të sigurojë dhe garantojë pagesën e taksave dhe tatimeve të parashikuara nga legjislacioni i Republikës së Shqipërisë për tregtimin e karburanteve në territorin shqiptar nëpërmjet kontrollit të tregut të karburanteve (akcizë, TVSH, rentë minerare). Ky kontroll bëhet i mundur pikërisht me anë të sistemit të markimit të karburanteve ofruar nga shoqëria propozuese, i cili vërteton jo vetëm nëse përbërja e karburanteve ka ndryshuar mbas pagesës së taksave, por edhe nëse karburanti në qarkullim është i shënjuar, pra ka paguar taksën, apo është karburant i pa shënjuar, pra i futur kontrabandë në tregun shqiptar.
Gjatë vitit 2013, me qëllim rritjen e luftës ndaj evazionit fiskal pritet të përfundojnë dhënia me koncesion e markimit dhe monitorimit të karburanteve dhe e shërbimit të skanimit.

energjia.al, 26.02.2013