Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kërcënimet për ndaljen e privatizimit s’i shkojnë përshtati ekonomisë

Debatet shpesh të ashpra në Parlament për ndaljen e privatizimit apo edhe kërcënimet ndaj investitorëve se nuk do të njihet privatizimi i tyre në të ardhmen, mund t’i trembin investitorët potencialë. Kjo gjë nuk është në interes të Kosovës, kanë thënë për Radio Kosovë, ekspertët e ekonomisë.
Kërkesat e vazhdueshme për ndaljen e privatizimit, por edhe kërcënimet ndaj investitorëve, nuk i shkojnë përshtati ekonomisë së vendit, thotë drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike, Ibrahim Rexhepi. Sipas tij, investitorët në këtë mënyrë mund të ndiejnë pasigurinë politike por edhe atë ekonomike.
“Është shumë e qartë se ndikimi mund të jetë shumë i madh posaçërisht kur kemi parasysh deklarimet e disa deputetëve apo shërbimeve të disa partive politike, të cilat nuk paralajmërojnë një stabilitet politik apo një qëndrueshmëri të transformimit pronësor. Dhe vet fakti se mund të shkëputen kontratat, mund të bllokohet privatizimi mund të anulohen të gjitha kontratat e deritashme është një frikë shumë e madhe për investitorët”, ka thënë Rexhepi, për Radio Kosovën.
Debatet e ashpra në Parlament padyshim se mund t’i frikësojnë investitorët potencialë, vlerëson edhe kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.
“Është e vërtetë se jemi dëshmitarë të asaj që është duke ndodhur në skenën politike në Kosovë. Duke pasur parasysh hulumtimin e shumë institucioneve të ndryshme që njëri ndër shkaktarët kyç të mosardhjes së investitorëve të huaj është mu imazhi i keq i Kosovës që përcillet me korrupsion dhe burokraci të tepruar dhe kur i shtohet edhe krejt kjo që është duke ndodhur në debatin politik në skenën kosovare vërtet është një grusht i rëndë si në aspektin intern dhe atë ekstern”, ka theksuar Gërxhaliu, për Radio Kosovën.
Sipas ekspertëve, gjendja jo e mirë e ekonomisë së vendit nuk mund të përmirësohet me ndalje të privatizimit e as krijim të pasigurisë për investitorë, edhe ashtu të pakët.

Gazeta Zeri, 14.10.2012