Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Komiteti i Emergjencës Civile heq gjendjen e emergjencës civile në njësitë e qeverisjes vendore të disa qarqeve të vendit

Kryeministri falënderoi në mënyrë të veçantë të gjitha kompanitë, shoqatat e biznesit, organizatat jofitimprurëse, komunitetin ndërkombëtar dhe individë që kontribuuan me ndihma ushqimore, materiale dhe financiare, duke e vlerësuar këtë si një tregues të madh solidariteti, në ndihmë të komunitetit në nevojë.
Kryeministri Berisha njoftoi sot, në mbledhjen e Komitetit të Emergjencës Civile, heqjen e gjendjes së emergjencës civile në njësitë e qeverisjes vendore të qarqeve Shkodër, Kukës, Dibër, Korçë dhe rrethin e Librazhdit, e cila u vendos me vendim të Këshillit të Ministrave, në datën 12 shkurt, për të përballuar situatën e krijuar si pasojë e përkeqësimit të kushteve natyrore të motit, të shoqëruara me reshje të dendura dëbore, në këto zona. Heqja e gjendjes së emergjencës civile, tha Kryeministri, bëhet në bazë të të dhënave se “vazhdimi i saj është bërë tashmë i panevojshëm”.
Kryeministri Berisha falënderoi në mënyrë të veçantë  të gjitha kompanitë, shoqatat e biznesit, organizatat jofitimprurëse, komunitetin ndërkombëtar dhe individë që kontribuuan me ndihma ushqimore, materiale dhe financiare, duke e vlerësuar këtë si një tregues të madh solidariteti, në ndihmë të komunitetit në nevojë.
Pavarësisht heqjes së gjendjes së emergjencës civile, Kryeministri siguroi se përpjekjet do të vazhdojnë të mbeten të përqendruara në ato fshatra, ndonëse sporadikë, që janë ende në vështirësi. “Ato duhet ta ndjejnë – tha Kryeministri – se kjo jo vetëm nuk do të largojë interesin tanë për ta, por, përkundrazi, do të ketë një përqendrim më të madh për çdo problem që të kenë.”
Më poshtë fjala e Kryeministrit në Komitetin e Emergjencës Civile.
“E thirra këtë mbledhje të Komitetit të Emergjencës Civile, sepse gjykoj nga të gjitha të dhënat, që vazhdimi i gjendjes së emergjencës, e deklaruar në datën 12 shkurt është bërë tashmë i panevojshëm.
Kjo ishte një periudhë e veçantë, një dimër i paparë që nga mesi i viteve 80, i cili bllokoi zona të tëra, deri në 3 metra borë, rreth 106 komuna e bashki të vendit,  me rreth 800 mijë banorë, mbi 5 mijë kilometra rrugë rurale dhe komunale.
Gjendja e emergjencës u shpall së pari, për të bërë çdo gjë për të shpëtuar çdo jetë dhe për të ndihmuar çdo qytetar në nevojë, së dyti, për të bërë gjithçka për të ndihmuar ata, të cilët u bllokuan nga reshjet e mëdha të dëborës, duke mos pasur akses në treg dhe për të plotësuar nevojat e tyre të krijuara nga bllokimi. Gjendja e emergjencës u shpall për të mobilizuar të gjitha mjetet e nevojshme, për të garantuar kalueshmërinë së pari, të rrugëve kombëtare dhe më pas, të rrugëve rurale dhe komunale.
Kjo periudhë, rreth 27 ditore, ishte periudha e solidaritet më të madh të qytetarëve të këtyre zonave ndaj njëri-tjetrit dhe të komuniteteve të këtyre zonave për të përballuar me pasojat më minimale situatën e krijuar nga reshjet e papara në 27 vitet e fundit.
Dua t’u shpreh një mirënjohje të thellë mijëra njerëzve, grave dhe burrave që me solidaritetin e treguar ndaj njëri-tjetrit dhe komunitetit, me angazhimin e përkushtimin e tyre bënë që pasojat e këtij bllokimi të shpejtë e të menjëhershëm të kapërcehen me sukses të plotë.
Gjatë kësaj periudhe, ka pasur një solidaritet të paparë dhe ndihmë të madhe. Banorët e fshatrave, komunave të ndryshme ndanë me njëri-tjetrin gjithçka, bashkuan përpjekjet e iniciativën e tyre e kanë hapur dhjetarë e dhjetëra, në mos qindra kilometra rrugë, në mënyrë që të lidheshin me qendrën e komunës, kanë transportuar me kilometra të tëra të sëmurë, për të bërë të mundur që t’i merrnin më pas ambulancat apo helikopteri. Por dua të theksoj se meritojnë një falenderim të veçantë, mirënjohje dhe respekt të madh edhe ata mijëra punonjës të administratës lokale dhe qendrore që u angazhuan në përballjen e emergjencës së krijuar. Në këtë kontekst, punë të shkëlqyer bënë njësitë e Forcave të Armatosura dhe të Policisë së Shtetit, Njësia e Helikopterëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe flota e helikopterëve, sistemi i emergjencës cilivile dhe punonjësit e saj, punonjësit e arsimit, shëndetësisë, etj.. Faktikisht, makineria e emergjencës u instalua, u konsolidua dhe funksionoi me shpejtësi të madhe. Ne dolëm nga kjo situatë, në një kohë që as edhe një qytetar i vetëm që kërkoi ndihmë nuk mbeti pa e marrë atë, kudo dhe në çdo rrethanë që ndodhej. Ne dolëm nga kjo situatë pa dëme serioze materiale. Ne dolëm nga kjo situatë pa dëme të ndjeshme në gjënë e gjallë të këtyre zonave, dëshmi kjo e shkallës së përgatitjes së familjeve të këtyre zonave, të cilët, vërtet, një dimër kaq të rëndë nuk e prisnin, por  përballuan me sukses.
Qeveria mobilizoi të gjitha mjete dhe fondet, me bazën që krijoi ushtria në Kukës, për shpërndarjen e ndihmave, u kryen me dhjetëra e dhjetëra fluturime nga më të vështirat, veçanërisht në zonat e Alpeve, në Librazhd, Korçë e zona të tjera. Ministria e Shëndetësisë dërgoi me shpejtësi në çdo qendër shëndetësore të komunave të izoluara, paketat jo vetëm me ilaçet e emergjencës, por edhe paketa për mjekimin e sëmundjeve kronike, sipas parashikimeve të mjekëve të këtyre zonës. Anëtarët e këtij Komiteti dhe ekipet e tyre u angazhuan me përkushtim të madh në qarqet respektive, në një bashkëpunim shumë të ngushtë me komunitetet lokale dhe qeveritë vendore, të cilat, pavarësish ngjyrave partiake, kanë bërë një punë të shkëlqyer. Në tërësi, përveçse në ndonjë rast, ata dëgjuan zërin e qytetarëve të tyre dhe jo thirrjet absurde partiake, të cilat kishin synim t’i shkëpusnin nga qytetarët dhe t’i shndërronin në kollagjerë të partisë. U paralajmëruan katastrofa të mëdha, të trefishta  dhe ju lutem të lexoni memorien e mediave tuaja: Njëra do ishte katastrofa e dëborës, e dyta, e energjisë dhe e treta, e përmbytjeve. Fatmirësisht, shqiptarët e kaluan këtë dimër, deri tani, pa asnjë katastrofë, as të borës, as të energjisë apo të përmbytjes. Ndaj uroj që shoku ‘ciu-ciu’ të nxjerrë mësime se nuk ndërtohen alternativat vetëm mbi të keqen, edhe kur është, edhe kur nuk është, edhe kur e ndjell, edhe kur nuk e ndjell, se ja që nuk ndodhi asnjë  nga ato katastrofa që paralajmëroi. Sikur borën ta kishte sjellë qeveria, sikur digat t’i kishte shterë qeveria, kur qeveria po blinte energji edhe në kohën më të vështirë  dhe po i furnizonte qytetarët dhe sikur përmbytjen nuk e sillte dëbora, por qeveria. Shqiptarët nuk mund t’i besojnë këto gjëra. Ndaj uroj që ta lexojë edhe një herë këtë muaj që shkoi e zhvillimet e tij, në mënyrë që të nxjerrë mësime e të mos merret me parashikime që të rikujtojnë shpatullat që shihnin barinjtë dikur, me të cilat parashikonin luftërat dhe motet.
Duke propozuar heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme mendoj se emergjenca civile duhet të përqendrohet totalisht në ato fshatra, ndonëse sporadikë, që janë ende në vështirësi, por ato duhet ta ndjejnë se kjo jo vetëm nuk do të largojë interesin tanë për ta, por, përkundrazi, do të ketë një përqendrim më të madh për çdo problem që të kenë.”

energjia.al, 10.03.2012