Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Fjala e Ministrit z. Nasip Naço në Forumin e Tregtisë dhe Investimeve të Detit të Zi

E Nderuar Zonja Topalli, Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë
I Nderuar Zoti Krasniqi, Kryetar i Kuvendit të Kosovës
Të nderuar parlamentarë, kolegë, deputetë, ministra
I Nderuar President i TUSKON
Të nderuar biznesmenë
Të Nderuar miq dhe të ftuar
Më lejoni të shpreh kënaqësinë e veçantë për prezencën time sot dhe t’ju uroj mirëseardhjen në Tiranë, në kuadrin e organizimi të këtij Forumi të Biznesit, që mbahet me nismën e vendeve të Detit të Zi. Kam bindjen se ky Forum do të nxisë më tej bashkëpunimin për vendet e këtij rajoni, e në veçanti zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe mbështetjen për zhvillimin e sektorit privat.
Nisma për zhvillimin ekonomik të vendeve të Detit të Zi konsiderohet si një nga platformat e rëndësishme në axhendën e bashkëpunim të vendeve tona.
PABSEC është një organizatë që ka brenda saj struktura të zhvilluara ndërqeveritare dhe ndërparlamentare të biznesit, të bankave dhe deri në dimensione akademike, të cilat gjenerojnë dhe implementojnë projekte konkrete. Janë të gjitha mundësitë dhe ne mirëpresim që organizata e PABSEC-ut të stimulojë zhvillimin e sektorit privat në projekte për zhvillimin e SME-ve, për inovacionin dhe transferimin e teknologjive, energjinë, mjedisin, etj.
Zonja dhe Zotërinj!
Edhe këtë vit kyr Forum merr një rëndësi të dyfishtë sepse po zhvillohet në një kohë tejet të vështirë. Por unë besoj se ajo që ne duhet të bëjmë, në kontekstin e krizës globale dhe financiare, është që të ofrojmë një klimë më të favorshme për biznesin. Pavarësisht krizës globale dhe financiare, Shqipëria arriti ndër zhvillimet më të mira ekonomike në Europë. Pavarësisht nga shqetësimet që mbizotërojnë në zonën e Euros, në kemi ruajtur stabilitetin makro-ekonomik të monedhës sonë, duke rezistuar më mirë se vendet e tjera rajonale. Sektori privat mbetet natyrshëm kontributori kryesor në GDP, në punësimin dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Për vitin 2010 ekonomia shqiptare është rritur me 3.9 për qind, ndërsa inflacioni u mbajt në kufijt 3.6 për qind. Eksporti i mallrave ka qenë një nga kontribuesit kryesorë në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Me një rritje mesatare vjetore prej 57 për qind, eksportet e mallrave vazhdojnë në ndjekin trendin e lartë rritës edhe gjatë dhjetë mujorit të parë të vitit 2011. Fluksi i investimeve të huaja direkte për vitin 2010 vlerësohet në mbi 1 miliardë dollarë, ose 15 për qind më shumë se sa në vitin paraardhës. Qeveria shqiptare ka adaptuar së fundmi ligje të rëndësishme, që mbrojnë dhe stimulojnë investimet e huaja në sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare, kryesisht në projekte koncensionare. Kështu, sektori i energjisë është një ndër sektorët më atraktivë për investimet e huaja. Shumë kompani të huaja kanë filluar apo pritet të fillojnë investimet e tyre në fushën e prodhimit të energjisë elektrike. Një projekt shumë i rëndësishëm po realizohet nga konsoruciumi Starkraft EVN, që parashikon ndërtimin e hidrocentraleve në kaskadën e lumit Devoll, investime që arrijnë në vlerën e 940 milionë euro dhe me një fuqi instaluese rreth 350 megavat.
Gjithashtu, kompanitë austriake EVN dhe Verbund po vazhdojnë punimët për ndërtimin e hidrocentralit të Ashtës, me fuqi të instaluar rreth 50 megavat, një investim rreth 170 milionë euro. Deri tani qeveria shqiptare ka dhënë rreth 107 koncensione për ndërtimin e rreth 310 hidrocentrale të vogla dhe të mesme, që do të rrisin kapacitetet gjeneruese të energjisë në 1300 megavat.
Nga ana tjetër, me synimin e diversifikimit të resurseve energjetike, ne kemi dhënë mbi 12 licenca për ndërtimin e parqeve eolike, me kapacitet instaluese rreth 1500 megavat dhe me një vlerë mbi 2 miliardë euro, dhe po inkurajojmë projekte në energjinë solare, biomasë, etj.
Shumë shpejt ne do të lancojmë tendera ndërkombëtarë për ndërtimin e hidrocentraleve në lumin Vjosa, me kapacitet instalues rreth 350 megavat, si dhe në lumin Osum me kapacitet instalues rreth 100 megavat. Gjithashtu, ne jemi në një fazë të rëndësishme të procesit të privatizimit të katër HEC-eve dhe shumë shpejt do të hapet një ankand ndërkombëtar për shitjen e tyre, rreth 80 megavat.
Gjithashtu, po investojmë në ndërtimin e linjave të interkonjeksionit me vendet e rajonit. Është përfunduar linja e interkonjeksionit 400 kilovolt Elbasan-Tiranë-Podgoricë, dhe po planifikojmë ndërtimin e linjave të interkonjeksionit me Kosovën, Maqedoninë dhe Italinë.
Përsa i përket sektorit hidrokarbur, gjatë viteve të fundit janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh koncensionare me kompani të huaja për kërkimin, zbulimin dhe shfrytëzimin e naftës dhe gazit, ku vetëm për vitin 2011 parashikohet prodhimi i naftës deri në 850 mijë tonë. Padyshim, ky është një sektor me një potencial të madh investimesh, duke marrë në konsideratë dhe procesin e afërt të privatizimit të kompanisë shtetërore të nxjerrjes së naftës dhe gazit, Albpetrol.
Në sektorin minerar kemi ndërmarrë një reformë legjislative të re dhe bashkëkohore, e cila synon thithjen e investitorëve strategjikë, me kapitalin dhe ekspertizën e duhur, për ta kthyer sektorin minerar në një industri me vlerë të shtuar, si dhe premton krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e eksporteve.
Vetëm gjatë këtij muaji ne kemi hapur konkurimin për rreth 140 leje minerare, nga ku ka rezultuar se për dhjetë të parat katër kompani turke kanë fituar përballë kompanive prestigjoze kanadeze, indiane apo kineze. Bëhet fjalë për leje minerare, për krom, bakër, olivinite, hekur-nikel, etj.
Në fokus të politikave ekonomike të qeverisë shqiptare ka qenë dhe mbetet përmirësimi i klimës së biznesit, duke ndërmarrë një sërë reformash fiskale dhe rregullatore, siç ishte dhe ngritja e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, apo edhe e Qendrës Kombëtare të Licencimit, të cilat kanë lehtësuar ndjeshëm procedurat e të bëri biznes në Shqipëri. Nga ana jonë po punohet intensivisht për të krijuar premisa për kreditimin e biznesit. Në këtë kontekst nga sistemi bankar kërkohet edhe më shumë mbështetje për financimin e bizneseve, të orientuara për eksport. Duke patur edhe mbështetjen e donatorëve, qeveria po aplikon disa lehtësira financiare në mbështetje të biznesit vendas. Gjithashtu, me qëllim promovimin e inovacionit, teknologjive dhe avancuara dhe konkurueshmërisë, qeveria shqiptare ka hartuar një strategji dhe plan veprimi për vitet 2011-2016, me fokus të veçantë mbështetjen e SME-ve.
Zonja dhe Zotërinj.
Duke vlerësuar mjaft pozitivisht organizimin e këtij Forumi, mbetemi të angazhuar për të bashkëpunuar me PABSEC-un dhe me vendet e tjera të kësaj organizate, për të siguruar financimin e shumë projekteve në sektorë prioritarë të ekonomisë shqiptare. Në përfundim të fjalës sime, më lejoni të shfrytëzoj rastin për të bërë edhe një ftesë publike, për të gjithë bizneset e nderuara që janë sot këtu, që ta shohin Shqipërinë si një destinacion tërheqës për investimet e tyre, duke i garantuar për mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare.

energjia.al, 22.11.2011