info@energjia.al

iPhone X është një smartphone që kushton më shumë 1300 euro, por nëse ky çmim nuk ju duket shumë i lartë për standardet tuaja, mund të mendoni që të blini versionin Caviar Tesla.

Bëhet fjalë për një telefon, konturet e të cilit janë në ar, që karikohet me energji diellore. Modeli Caviar Tesla i iPhone X kushton pak më shumë se 4500 dollarë.

Ky telefon është krijuar nga kompania ruse Caviar, e njohur në botë për realizimin e disa modeleve të kushtueshëm dhe të çuditshëm telefonash (për shembull Nokia 3310).

Në këtë model të ri, konturet dhe detajet janë në ar 24 karat dhe paneli diellor në pjesën e pasme. Për këto dy arsye, kompania Caviar ka vendosur t’i japë emërtimin Tesla këtij modeli. Zyrtarisht bëhet fjalë për iPhone e parë në botë që karikohet me energji diellore.

Por, paneli diellor në pjesën e pasme e bën të pamundur karikimin me wireless të telefonit Apple. Përveç versionit “Bazë” me memorie 64 GB, që siç e thamë kushton pak më shumë se 4500 dollarë, është edhe një version “Plus”, me memorie të brendshme 256 GB që do të kushtojë 5000 dollarë.

Kjo është një shifër e konsiderueshme për një smartphone. Shitja e këtij telefoni do të nisë në fund të nëntorit të këtij viti dhe të interesuarit mund ta blejnë telefonin iPhone X Caviar Tesla në website-n e kompanisë ruse.

Revista Monitor,  11.11.2017

Imagjinoni një skenë të jetës së përditshme – ktheheni nga puna por keni vetëm 20 minuta, maksimumi 30 minuta, për t’u ndërruar dhe për të dalë sërish. Çfarë të bëni nëse smartphone është thuajse pa bateri? Shumë e thjeshtë… përdorni këto truke për të përshpejtuar procesin e karikimit të telefonit.

Më poshtë janë disa truke të vogla për të karikuar baterinë e telefonit kur keni pak kohë në dispozicion. Këshillat vlejnë si për pajisjet e ndryshme Apple (iPhone dhe iPad) edhe për smartphone-t Android.

Nëse keni pajisje të ndryshme Apple në shtëpi, këshillohet të përdorni karikuesin e iPad për të karikuar edhe telefonin tuaj. Mund t’ju duket e çuditshme, por karikuesi i tablet-it është më i fuqishëm.

Në këtë mënyrë, iPhone do të karikohet më shpejt dhe sipas përdoruesve kjo nuk ka efekt negativ në jetëgjatësinë e baterisë.

Airplane mode

Një këshillë efikase për të reduktuar kohën e rikarikimit është që të aktivizoni funksioninairplane mode gjatë procesit. Në këtë mënyrë, konsumi i baterisë gjatë karikimit do të jetë minimal. Disa smartphone-ve u duhet gjysma e kohës për t’u rikarikuar nëse është aktivizuar funksioni airplane mode. Natyrisht në fund mos harroni ta çaktivizoni këtë funksion, ndryshe nuk do të mundni të bëni/merrni telefonata, dërgoni/merrni mesazhe si dhe të lundroni në internet.

Hiqni kapakun

Kjo është një këshillë me vlerë të dyfishtë. Kapakët, veçanërisht ata plastikë, kanë tendencë për ta ngrohur telefonin gjatë rikarikimit. Kjo gjë shkakton dy probleme: I pari lidhet me jetëgjatësinë e baterisë, në përpjekje për ta rikarikuar telefonin shpejt, në temperatura të larta, ajo do të prishet shpejt. Së dyti, temperaturat e larta ngadalësojnë procesin e karikimit. Kështu që përpara se të rikarikoni telefonin, hiqni kapakun dhe lëreni atë në një vend të freskët.

Mos e përdorni smartphone-n

Një ndër zakonet më të shpeshta, që e ngadalëson së tepërmi procesin e rikarikimit dhe mund të jetë i dëmshëm për baterinë, është përdorimi i smartphone. Sa herë që aktivizojmë Wi-Fi ose kontrollojmë thirrjet, më keq akoma nëse luajmë, smartphone humb fuqinë e karikimit – në këtë rast do të duhet më shumë kohë për të arritur një nivel të pranueshëm në baterinë tuaj.

Karikues portativ

Nëse e kemi të pamundur të mos e përdorni shpesh smartphone nuk na mbetet gjë tjetër veçse që të blejmë një karikues portativ. Bëni kujdes që të zgjidhni një model që të jetë kompatibël me telefoni tuaj.

Revista Monitor,  11.05.2017

Fairphone është një kompani që ndërton dhe projekton smartphone ekologjikë, ose më mirë me një ndikim të vogël në mjedis gjatë realizimit të pajisjes. Gjatë Mobile World Congress 2017 në Barcelonë, shoqëria deklaroi se dëshiron të realizojë edhe ora apo kompjuterë tërësisht “të gjelbër”.

Fairphone 2 është një smartphone që përdor materiale që nuk ndotin mjedisin. Dizajni është projektuar në mënyrë të tillë që t’i bëjë më të lehta riparimet dhe zëvendësimet duke shmangur shpërdorimet. Bas van Abel, CEO i kompanisë, konfirmoi se Fairphone dëshiron të vijojë rritjen për të prodhuar edhe Fairlaptop dhe Fairëatch. Natyrisht të dyja të realizuara me një impakt të vogël në mjedis dhe me materiale të riciklueshme.

Po sipas Van Abel, suksesi i kompanisë në të ardhmen do të vijë pikërisht nga vlera e saj e shtuar: qëndrueshmëria. Krijimi i pajisjeve që jetojnë më gjatë apo që mund të riparohen lehtësisht, të realizuar me materiale të ndryshme dhe me konsum të ulët do të jetë shumë shpejt një prerogativë. Kjo sepse, sipas Fairphone, konsumatorët do të jenë gjithnjë e më shumë të vëmendshëm ndaj pasojave të pajisjeve elektronike në mjedis.
Faiphone nuk do t’i mjaftojnë kompjuterët dhe orët inteligjente për të konkurruar Apple apo Samsung, por një gjë është e sigurt, sa më shumë të përhapen këto lloj pajisjesh, do të rritet edhe numri i përdoruesve që do të blejnë vetëm smartphone, tablet dhe kompjuter miqësorë ndaj mjedisit.

Revista Monitor,  07.03.2017

Një ndër problemet e pajisjeve elektronike (sidomos smartphone apo notebook) është kohëzgjatja e baterisë, e cila shpesh është një makth i vërtetë. Tendenca e fundit në fushën e pajisjeve elektronike është rikarikimi nëpërmjet wireless, por ndërkohë, kërkuesit e Disney Research janë duke punuar mbi një zgjidhje edhe më inovative.

Imagjinoni një dhomë ku mjafton veç të hyni dhe të shihni baterinë e pajisjes (smartphone, tablet apo notebook) që fillon të rikarikohet. Natyrisht duke mos përdorur asnjë kabllo dhe pa qenë nevoja ta lidhni pajisjen tuaj me një sistem karikimi wireless. Është vetë dhoma ajo që karikon smartphone-n, tablet-in apo notebook-un. Por si? Këtë e shpjegojnë kërkuesit e Disney Research, që kanë krijuar ambiente me fusha valësh elektromagnetike që karikojnë telefonat në modalitet wireless. Këtë teknikë ata e kanë quajtur “Quasistatic Cavity Resonance” (QSCR).

Si funksionon dhoma wireless

Me pak fjalë, tavani, muret dhe dyshemeja e dhomës janë të ngarkuara elektrikisht. Kjo krijon një fushë magnetike që lejon pajisjet në dhomë të rikarikohen. Dhe ç’është më e bukura, dhoma mund të mobilohet pa ndërhyrë në funksionimin e rikarikimit. Zhvilluesit e projektit thonë se madhësia e dhomës nuk përbën një problem. Me këtë teknikë mund të realizohet si një dollap i vogël e deri te një ambient prej 70 metrash katrorë apo edhe më shumë. Pikërisht ky aspekt mund të jetë shumë i dobishëm për disa tipe fabrikash apo kapanonë në të cilët përdoren makineri të ndryshme.

I përshtatshëm për çdo pajisje

Matthew Chabalko, kërkues në Disney Research, deklaroi se me këtë sistem, dhoma mund të prodhojë 1,9 kW energji. Gjithnjë duke respektuar normat e sigurisë. Në këtë mënyrë, pohon Chabalko, mund të karikohen njëkohësisht 320 smartphone të gjeneratës së fundit. Një aspekt që i bën të pafundme mundësitë e përdorimit të kësaj teknologjie. Pra jo vetëm ambiente zyre e shtëpie (për rikarikimin e smartphone, tablet e notebook) por edhe dollapët nëpër palestra për rikarikimin e kufjeve bluetooth para ose pas stërvitjes, garazhet për të rikarikuar makinën elektrike, e një mijë gjëra të tjera.

Revista Monitor,  21.02.2017

Të transformosh lëvizjet ‘e ngadalta’ si ajo e gishtit mbi ekranin e smartphone, apo valët në det të hapur në energji elektrike. Një objektiv që deri tani ka qënë i pamunduar, por që mund të transformojë teknologjitë e prodhimit të hapur të energjisë së pastër.

Një grup shkencëtarësh të universitetit të Pensilvanisë është duke punuar mbi këtë çështje, pjesë e të cilës është edhe Samsung, dhe rezultatet e para janë publikuar në revistën shkencore Advanced Energy Materials.

Idea e shkencëtarëve është ajo e magazinimit të energjisë së lëvizjeve “të ngadalta’, si lëvizja e gishtit në ekran, që deri tani i shpëton tërësisht pajisjeve të riciklimit të instaluara në disa smartphone. Kjo teknologji është pagëzuar me emrin “diodat jonike”, dhe arrin të transformojë në energji elektrike presionin delikat dhe konstant.

“Duke i vendosur në gjeneratën e ardhshme të smartphone, shpresojmë të arrijmë të furnizojmë me 40% të energjisë së nevojshme”, ka thënë Qing Wang, një nga autorët e studimit.

Top Channel,  26.12.2016

Kompania CEZ Shpërndarje ka reaguar ndaj të dhënave të publikuara në gazetën “Shqip” të dy ditëve më parë, për vazhdimin e shpenzimeve të luksit nga administrata e re dhe për rënien e arkëtimeve gjatë muajit të parë të administrimit shtetëror të kompanisë. Zëdhënësja e CEZ Shpërndarje, sqaroi me anë të një email-i, se kompania nën drejtimin e Sahit Dollapit “nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë nga të ardhurat e saj për të pajisur drejtuesit e saj me ‘smartphone’, të çfarëdolloj marke qofshin ata!” Zëdhënësja sqaron se është e vërtetë që rreth 150 zyrtarë të kompanisë do të pajisen falas me telefona të shtrenjtë të markës “iPhone5”, por këta telefona nuk do të blihen nga CEZ, por do t’i dhurohen kompanisë nga kompania celulare me të cilën është bërë një kontratë e re që siguron edhe të tjera përfitime për të 4500 punonjësit e CEZ Shpërndarjes.
Zëdhënësja saktëson gjithashtu se paga e administratorit të ri të CEZ, Sahit Dollapi, nuk është 3500 USD, por 300 mijë lekë, pra rreth 3000 USD. Ndërsa sa i përket nivelit të ulët të arkëtimeve, kompania pranon se ka një rënie prej rreth 8 për qindësh krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por kjo nuk ka ardhur për shkak të menaxhimit, por për shkak të një ndryshimi në ligjin “Për sektorin e energjisë elektrike”. Para ndryshimit të këtij ligji, CEZ Shpërndarje ishte e vetmja kompani që faturonte çdo konsumator në vend, ndërsa nga fillimi i vitit 2013, konsumatorët që konsumojnë mbi 50 milionë kilovat orë në vit, e marrin energjinë direkt nga nënstacioni i tensionit të lartë dhe nuk janë më klientë të CEZ Shpërndarjes.

Gazeta Shqip, 10.03.2013