Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

CEZ: Nuk blemë “smartphone” për shefat, na i dhuruan

Kompania CEZ Shpërndarje ka reaguar ndaj të dhënave të publikuara në gazetën “Shqip” të dy ditëve më parë, për vazhdimin e shpenzimeve të luksit nga administrata e re dhe për rënien e arkëtimeve gjatë muajit të parë të administrimit shtetëror të kompanisë. Zëdhënësja e CEZ Shpërndarje, sqaroi me anë të një email-i, se kompania nën drejtimin e Sahit Dollapit “nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë nga të ardhurat e saj për të pajisur drejtuesit e saj me ‘smartphone’, të çfarëdolloj marke qofshin ata!” Zëdhënësja sqaron se është e vërtetë që rreth 150 zyrtarë të kompanisë do të pajisen falas me telefona të shtrenjtë të markës “iPhone5”, por këta telefona nuk do të blihen nga CEZ, por do t’i dhurohen kompanisë nga kompania celulare me të cilën është bërë një kontratë e re që siguron edhe të tjera përfitime për të 4500 punonjësit e CEZ Shpërndarjes.
Zëdhënësja saktëson gjithashtu se paga e administratorit të ri të CEZ, Sahit Dollapi, nuk është 3500 USD, por 300 mijë lekë, pra rreth 3000 USD. Ndërsa sa i përket nivelit të ulët të arkëtimeve, kompania pranon se ka një rënie prej rreth 8 për qindësh krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por kjo nuk ka ardhur për shkak të menaxhimit, por për shkak të një ndryshimi në ligjin “Për sektorin e energjisë elektrike”. Para ndryshimit të këtij ligji, CEZ Shpërndarje ishte e vetmja kompani që faturonte çdo konsumator në vend, ndërsa nga fillimi i vitit 2013, konsumatorët që konsumojnë mbi 50 milionë kilovat orë në vit, e marrin energjinë direkt nga nënstacioni i tensionit të lartë dhe nuk janë më klientë të CEZ Shpërndarjes.

Gazeta Shqip, 10.03.2013