info@energjia.al

Situata politike përgjatë vitit 2017 vonoi ngritjen e bursës së energjisë,  që është një prej projekteve kryesore të parashikuara në modelin energjetik shqiptar.

Konstatimi vjen nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, i cili ka publikuar raportin e fundit mbi ecurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në sektorët e energjisë, gazit, eficencës dhe hidrokarbureve.

Në një raport të mëparshëm Sekretariati u shpreh me rezerva mbi mundësinë e ngritjes së bursës, por tashmë kujton se modeli i Tregut e autorizon ministrin të vendosë afatin e ri para përfundimit të vitit 2017. Gjithashtu, raporti vëren se  procedura e certifikimit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit është e përfunduar, por ende kërkohet një mekanizëm pajtueshmërie.

Ndërkohë që, vonesë konstatohet edhe në drejtim të ndarjes së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike si dhe de rregullimit të çmimeve për gjenerimin dhe furnizimin me energji. Ndërkaq, në drejtim të sektorit të gazit, raporti flet me nota më pozitive, duke theksuar se Shqipëria ka arritur përparim në lidhje me prioritetet e përcaktuara në Raportin e mëparshëm.

“Në veçanti, Shqipëria ka përparuar në mënyrë të konsiderueshme nga ndarja e Albpetrol dhe krijimi i  Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Albgaz.”

Scan Tv,  11.11.2017

Sekretariati i Kartës së Energjisë në bashkëpunim me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë dhe organizatën e Bashkimit për Mesdheun zhvilluan në Tiranë takimin e katërt ndërkombëtar në nivel ekspertësh me temë kyçe tranzitimin e sigurtë dhe të qëndrueshëm të energjisë.

Në panelin e parë të tryezës ishte i pranishëm Kryeministri i Shqipërisë z.Edi Rama, Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri, përfaqësuesi i Sekretariatit të Kartës së Energjisë z. Kanat Botbaev, ai i Bashkimit për Mesdheun z. Jorge Borrego dhe ambasadorja e Holandës në Tiranë znj. Dewi van de Weerd.

Ky takim shërbeu si një platformë diskutimi për tranzitimin e energjisë në nivel global e rajonal në funksion të sigurisë energjitike dhe integrimit të tregjeve të Bashkimit Evropian e në veçanti mes vendeve të Mesdheut.

Në fjalën e tij, Ministri Gjiknuri deklaroi se intensifikimi i rrugëve të tranzitimit të energjisë, rritja e efiçencës në nivel kombëtar e rajonal apo më gjerë mbeten sfidat tona të përbashkëta që garantojnë një element mjaft të rëndësishëm si siguria e furnizimit.

“Tregu rajonal i energjisë është gjithashtu një parakusht për të organizuar tregjet e energjisë në një mënyrë më miqësore për mjedisin. Integrimi i kërkesës me rajonet më të mëdha tregtare, do të bëhet një faktor kusht kyç për përdorimin me eficencë të energjisë së prodhuar nga burimet e rinovueshme si uji, era dhe dielli”, theksoi z.Gjiknuri.

Ai sqaroi se qeveria është e angazhuar për të zbatuar një listë të masave ligjore dhe rregullatore të energjisë, të cilat janë të nevojshme për të krijuar një treg të energjisë elektrike. Këtu, vijoi ai, përfshihet zhvillimi i spot market dhe bashkimi i tregjeve rajonale, balancimi rajonal dhe alokimi i kapaciteteve në kuadër të bashkëpunimit rajonal.

“Masat parashikojnë heqjen e barrierave ekzistuese ligjore dhe rregullatore. Në bashkëpunim me konsulencën e Qeverisë së Mbretërisë së Norvegjisë po punohet për organizimin e tregut të një dite më parë (day ahead market) nëpërmjet Bursës Shqiptare të Energjisë Power Exchange (PX)”, nënvizoi ministri Gjiknuri.

Si një hap i rëndësishëm i këtij procesi të nisur tashmë do të jetë organizimi i tregut të përbashkët Shqipëri-Kosovë nëpërmjet Market Coupling duke krijuar mundësitë për zhvillime të një tregu rajonal.

“Synimi ynë është shfrytëzimi i pozicionit të rëndësishëm strategjik gjeografik që ka vendi për ta transformuar sistemin tonë në një qendër të tranzitimit të energjisë drejt lindjes dhe veriut në Europë, si edhe në një aktor të rëndësishëm në integrimin e këtij tregu jo vetëm në nivel rajonal si Ballkan Perëndimor, por edhe më gjerë, duke luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm rregullator në këtë treg”, tha z.Gjiknuri.

Traktati i Kartës së Energjisë luan një rol të rëndësishëm si pjesë e një përpjekjeje ndërkombëtare për ndërtimin e një baze rregullash të përbashkëta që forcojnë sigurinë energjitike dhe konkurueshmërinë e tregjeve në vendet e Euro-Azisë.

52 shtete të Evropës dhe Azisë kanë nënshkruar tanimë Traktatin e Kartës së Energjisë. Të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë anëtare individuale të traktatit ndërsa dokumenti është firmosur edhe prej Komunitetit të Energjisë dhe Euratom që e çon në 54 numrin e anëtarëve.

“Për herë të parë nuk patëm nevojë të paguanim asnjë qindarkë sepse kompania pati sukses të përdorte mënyrën e re të administrimit dhe gjithashtu qasjen e re të marrëveshjeve të krijuara dhe arritëm një bilanc që ishte pozitiv. Sot kemi një qendër fantastike të kontrollit dhe menaxhimit të sistemit të transmetimit. Ky takim këtu na bën me të vërtetë krenarë dhe vjen në një moment shumë deçiziv, kur një krizë komplekse gjeopolitike po vë në rrezik sigurinë e energjisë dhe po kërcënon me krijimin e pasojave afatgjata në fushën e sigurisë për Europën dhe vendet e Mesdheut.” tha Rama.

Lidhur me linjën e interkonjeksionit me Kosovën, kryeministri Rama tha se shpreson që brenda këtij viti të zgjidhet problemi me Serbinë.

“Ne duhet të zgjidhim një problem që mbetet akoma midis Kosovës dhe Serbisë për linjën e interkonjeksionit. Kam shumë shpresë që brenda këtij viti gjithçka do të jetë e zgjidhur. Kjo linjë është një shembull fantastik i potencialit që ka në lidhje me bashkëpunimin rajonal”- tha Rama.

Sipas kryeministrit Rama, “TAP-i është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ky gazsjellës do të rrisë shifrat dhe sasinë e gazit në këtë treg energjetik evropian, duke lejuar një numri të konsiderueshëm vendesh që të mos varen vetëm nga një burim i gazit natyror. Për ne thelbësor është bashkëpunimi rajonal. Procesi i ndërveprimit midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor ka krijuar një horizont tërësisht të ri për të ecur përpara në drejtim të këtij bashkëpunimi rajonal. Bashkëpunimi ne energji është një nga shtyllat kryesore të këtij procesi”.

Revista Monitor,  14.07.2016

Në datë 16 tetor, në Tiranë do të zhvillohet sesioni i 13-të i Këshillit të Ministrave të Komitetit të Energjisë. Aktualisht Shqipëria mban presidencën e radhës së këtij komiteti. Ai u krijua për të rritur bashkëpunimin e vendeve të rajonit me BE-në dhe për integrimin e tregjeve të energjisë të vendeve të Ballkanit me njëri-tjetrin dhe me BE-në, por me kalimin e kohës, Komuniteti i Energjisë është shndërruar nga një instrument rajonal i para-anëtarësimit në një instrument për sigurinë e përbashkët të furnizimit dhe të bashkëpunimit në fushën e energjisë.
Komuniteti i Energjisë u themelua mbi bazën e një traktati ndërkombëtar në vitin 2005. Qëllimi kryesor i tij ishte afrimi i vendeve të rajonit të Europës Juglindore dhe Detit të Zi me Bashkimin Europian dhe për të zgjeruar tregjet e energjisë të brendshme të BE-së dhe tërheqë investimet në prodhimin e energjisë dhe të rrjeteve të furnizimit.

Por, duket se 10 vjet pas krijimit qëllimi kryesor i Komiteti nuk është realizuar plotësisht. Për Shqipërinë mbetet sfidë rregullimi i tregut të energjisë. Aktualisht po diskutohet mes ligjvënësve projektligji për eficiencën e energjisë elektrike, ndërsa pritet të miratohet kuadri i plotë për gazin natyror.
Vlerësohet se e ardhmja e Komunitetit të Energjisë do të shtrihet së fundmi përtej rajonit aktual. Pranimi i Ukrainë, Moldavisë dhe së shpejti Gjeorgjisë shërben si një dëshmi e kësaj.

Revista Monitor,  15.10.2015

Deklarata e z.Dirk Buschle, Zv.Drejtor në sekratariatin e Komunitetit të Energjisë:

“Në emër të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë si dhe në cilësinë time personale si ndërmjetësues i negociatave midis Shqipërisë dhe CEZ, kam nderin të prezantojë Marrveshjen e arritur ndërmjet të dyja palëve që kanë firmosur dje. Jam plotësisht i bindur se fillimi dhe përfundimi i këtyre negociatave bëhet për mbrojtjen e interesave më të mira të Shqipërisë dhe konsumatorëve të saj të energjisë elektrike “.

“Vitet e neglizhencës në sektorin energjitik e kanë lënë sektorin shqiptar të energjisë në një pozitë shumë të vështirë, me pjesë të konsiderueshme energjie elektrike të papaguar, kompanitë shtetrore me vështirësi serioze financiare dhe me besim shumë të ulët nga investitorët. Në një situatë të tillë zgjidhja e konfliktit me CEZ është veprimi më i logjikshëm i mundshëm. Procedurat e kushtueshme të arbitrazhit me një rezultat të paqartë do të kishin krijuar një periudhë të gjatë pasigurie dhe paqëndrueshmërie. Duke parandaluar reformat shumë urgjente e të nevojshme ai do ta kishte mbajtur peng të gjithë sektorin energjitik dhe do të kishte krijuar probleme shumë herë më të mëdha se ato që u zgjidhën nga marrëveshja e djeshme”.

“Nga bisedimet e shumta të mbajtura këto muaj, jam në dijeni se investitorët privatë dhe institucionet publike gjithashtu do të ishin më ngurrues për ti dhënë mbështetje një vendi me këto vështirësi të pambyllura financiare dhe ligjore. Qëndrueshmëria si dhe reputacioni i mirë i sektorit energjitik në Shqipëri kishin nevojë të rivendoseshin si një hap i parë i domosdoshëm për ta ndryshuar situatën aktuale. Për këtë arsye Komuniteti I Energjisë e ka mbështetur aktivisht negociatat gjatë këtyre gjashtë muajve. Ai do të vazhdojë ta bëj një gjëe të tillë përgjatë reformave të ardhshme të cilat tashmë mund të fillojnë. Unë jam shumë lumtur që me përfundimin e këtyre negociatave Qeveria Shqiptare ka vendosur interest afat-gjatë të vendit përpara dëshirat afatshkurtra për konfrontim ligjore”.

energjia.al 24.06.2014