info@energjia.al

Enti Rregullator i Energjisë trajtoi gjatë vitit 2016 një numër të konsiderueshëm ankesash veçse dukshëm më të ulët sesa viti paraardhës. Në raportin vjetor të këtij institucioni bëhet me dije se numri i ankesave nga klientët ishte 957 ndërkohë që në 2015 ky numër ishte 3519. Të ndara në kategori numrin më të madh e zënë ankesat për energji të pamatur.

“Vihet re se këto ankesa janë të mbartura dhe përfshijnë faturime të energjisë elektrike, të cilat kanë ardhur si pasojë e kontrolleve të ushtruara nga shoqëria “CEZ Shpërndarje“ sh.a, përgjatë periudhës 2011-2013, ku vihet re se në shumicën e rasteve të paraqitura, procesverbalet e mbajtura për konstatimin e ndërhyrjeve të paautorizuara në sistemin e matjes janë kryer jo në prezencën e klientit, në bokse kolektive të matësave të energjisë elektrike” thuhet në raportin e ERE.

Referuar shifrave zyrtare ankesat për energji të pamatur janë 308, për faturim aforfe 105, për mbifaturim 243, për faturim fiktiv 43, për kontratë fiktive 32, me vlerë referuese 60, të ndryshme 102.

Një tendencë e vërejtur të paktën tek kategoria e kontratave fiktive dhe faturimeve fiktive është zbatimi i tyre në ndërtime informale ose në banesa të përfshira në proces legalizimi. Gjithsesi sipas ERE ka një përmirësim të dukshëm të treguesve në lidhje me shërbimin ndaj klientit nga ana e OSHEE.

Ankesat 2016

Energji e pamatur           308,

Faturim aforfe                 105

Mbifaturim                       243

Faturim fiktiv                    43

Kontratë fiktive                 32

Vlerë referuese                 60

Të ndryshme                    102

Scan TV,  13.05.2017

Oda Ekonomike e Kosovës ka prezantuar sot një raport me titull “Si të fuqizohet sektori privat në Kosovë”. Raporti prezanton problemet kryesore me të cilat përballen bizneset në Kosovë dhe rendit ndër to koston e lartë të çmimit të energjisë, konkurrencën e pandershme, informalitetin në ekonomi dhe mungesën e stabilitetit politik.

Kryetari i OEK Safet Gërxhaliu vlerësoi se rezultatet e gjetura janë më së reale dhe përfaqësojnë situatën e biznesit në Kosovë.

Duhet t’i marrim seriozisht gjetjet e këtij raporti, pasi i tregon qartë barrierat e të bërit biznes dhe definitivisht në këtë hulumtim ka edhe vërejtje e kritika”, tha Gërxhaliu.

Ndërkohë Ministri i Financave Avdullah Hoti tha se e ka analizuar studimin me vëmendje dhe se rezultatet ishin të pritshme për të.

Janë fakte, janë vlerësime, të cilat në masë të madhe konfirmojnë ato sektorë dhe politika ku ka patur më shumë probleme. Edhe rekomandimet në fund të raportit janë të mirë se ardhura”, tha Ministri Hoti.

Ndërkohë, këshilltari strategjik i Odës, Berat Rukiqi, përveç çmimit të lartë të energjisë, edhe ndërprerjet i kanë kushtuar biznesit rreth 290 milionë euro në shpenzime në gjeneratorë.

Problemi i kostos së energjisë elektrike nuk është i ri në Kosovë. I njëjti raport për vitin e kaluar tregon se ai përfaqësonte vetëm 32.5% të problemeve të deklaruara nga bizneset, çka tregon se ky problem është duke u bërë gjithmonë e më shqetësues.

Scan TV,  16.03.2017

Administratori i OSHEE, Adrian Çela ishte sot në Shkodër, ku iu përgjigj interesimit të medias në lidhje me ecurinë e shërbimit ndaj klientit, arkëtimet që janë rritur me mbi 4 miliarde lekë, humbjet e reduktuara nga 65 në 43%, si dhe nivelin e investimeve, te cilat kanë arritur mbi 17 milionë USD.

Sipas Çelës debati për keqfaturim tregon se zë një peshë prej 0.3% nga total i faturave në 2016-ën.

“Sa i takon debatit për keqfaturimin, shifrat tregojnë se ankesa zë një peshë prej 0.3% ndaj totalit te faturave të lëshuara për 2016-n, kurse në janar 2017 nuk zë më tepër se 0.5%”, tha administratori për mediat.

Newsbomb.al  02.02.2017

Sipas rregullores së re që ka miratuar enti rregullator i energjisë, nëse klienti dyshon në saktësinë e matësit elektrik në përdorim të tij, ai paraqet një kërkesë, pranë zyrave të OSHEE si dhe çdo institucioni tjetër përgjegjës, për verifikimin e aparatit matës, duke plotësuar formularin e kërkesës.
Në rastet kur klienti paraqet një kërkesë për verifikim të saktësisë të aparatit matës të energjisë elektrike pranë institucioneve të tjera përgjegjëse, ato do të regjistrojnë kërkesën e tij dhe do t’ia përcjellin OSHEE në zbatim të afateve kohore për trajtimin e kërkesave.

Në të gjitha rastet, institucioni përgjegjës, të cilit i është drejtuar kërkesa e klientit për verifikim të saktësisë të aparatit matës të energjisë elektrike, do të vërë në dijeni dhe klientin për përcjelljen e kërkesës së tij pranë OSHEE.

Me paraqitjen e kërkesës, përfaqësuesi i OSHEE është i detyruar të regjistrojë kërkesën dhe të pajisë klientin me një numër unik të kërkesës së paraqitur.
OSHEE planifikon shërbimin e inspektimit dhe testimit të matësit elektrik tek klienti jo më vonë së 3 ditë pune prej ditës së paraqitjes së kërkesës.
OSHEE njofton klientin për ditën dhe orën kur parashikohet të kryhet inspektimi dhe testimi i matësit tek klienti.

OSHEE planifikon kryerjen e shërbimit duke njoftuar subjektin e autorizuar nga DPM për verifikimin e matësave elektrikë që mbulon zonën administrative të klientit që ka paraqitur kërkesën. Nëse matësi elektrik ka qënë i verifikuar më parë nga nje subjekti i autorizuar që mbulon zonën administrative të klientit që ka paraqitur kërkesën,OSSH njofton një subjekt të autorizuar që kryen aktivitet në një zonë tjetër administrative që të kryejë këtë shërbim.

OSHEE dhe subjekti i autorizuar kryejnë shërbimin e inspektimit dhe verifikimit të matësit elektrik për saktësinë e të cilit është ankuar klienti. Verifikimi i saktësisë do të kryhet në prezencën e OSSH, subjektit të autorizuar për verifikimin e matëseve elektrikë si edhe në prezencë të klientit që ka paraqitur kërkesën.
Shërbimi i verifikimit të matësit tek klienti do të kryhet pa e shkëputur matësin elektrik nga lidhjet elektrike. Regjime të ndryshme ngarkese do të realizohen ose nëpërmjet vetë klientit ose duke realizuar ngarkesa të ndryshme në vend nga subjekti i autorizuar.

Nëse gjatë verifikimit në terren subjekti i autorizuar nuk është në gjendje të gjykojë mbi saktësinë e matësit të energjisë elektrike, atëherë ai kërkon që aparati matës të testohet në kushte laboratori. Kjo kërkesë dëshmohet duke vendosur nga ana e tij etiketa sigurie Ri-Testim në Laborator.
Me përfundimin e inspektimit përgatitet raporti i testimit i cili firmoset nga përfaqësuesi i OSSH dhe përfaqësuesi i subjektit të autorizuar. Një kopje e raportit të testimit i dorëzohet edhe klientit që ka paraqitur kërkesën.

Nëse aparati mates i konstatuar i dëmtuar do t’i nënshtrohet procesit të riparimit OSSH , njofton më parë Klientin për këtë , duke i bërë me dije këtij të fundit afatet brenda të cilave mund të kërkojë të ushtrojë të drejtën për të kërkuar ritestim të aparatit pranë një tjetër subjekti të autorizuar nga DPM.
Nëse gjatë inspektimit dhe verifikimit të matësit elektrik, indetifikohen parregullsi apo ndërhyrje të paautorizuara ne sistemin e matjes, që ndikojnë në regjistrimin e konsumit të energjisë elektrike dhe nuk përbëjnë vepër penale, OSSH do të faturojë dëmin ekonomik sipas metodologjisë së llogaritjes së dëmit të miratuar nga ERE.

Interpretimi i rezultateve të verifikimit

Kur pas verifikimit nga subjekti i autorizuar në prani të përfaqësuesit të OSSH dhe klientit që ka paraqitur kërkesën, konstatohet se gabimi i matjes i regjistruar pas testimit është përtej gabimit maksimal të lejuar dhe nuk ka prova të dëmtimeve me dashje të bëra nga klienti, atëherë OSSH kryen përllogaritjet përkatëse të sasisë së energjisë së faturuar më shumë ose më pak, sipas rezultatit të pasaktësisë në matës dhe në këtë mënyrë bëhet rimbursimi sipas rregullave dhe procedurave të parashikuara në Kodin e Matjes.

Rregullimet për pasaktësitë e matjeve do të kufizohen për periudhën e fundit 12 mujore.
Kur konstatohet nga subjektet e autorizuara për kryerjen e testimit të matëseve elektrik, që matësi i kalon kufijtë e saktësisë të përcaktuara (minus ose plus), atëherë do të aplikohet procedura e kompensimit e mëposhtme:

Në rastin kur ka rezultate që vërtetojnë se matësi nuk bërë matje të saktë të energjisë elektrike dhe gabimi i matjes i kalon kufijtë e përcaktuar në kontratën tip mbi verifikimin e matëseve të energjisë elektrike dhe vulosjen e tyre dhe klienti ka paguar më pak (gabimi i testimit është negativ), atëherë klienti është i detyruar të paguajë diferencën e vlerës midis gabimit të matjes dhe tolerancës së gabimit maksimal të lejuar për 12 muaj të mëparshëm duke filluar prej ditës kur është bërë verifikimi ose për periudhën midis dy verifikimeve, nëse ka më shumë se një verifikim të saktësisë se aparatit matës brenda 12 muajve.
Në rastin kur ka rezultate që vërtetojnë se matësi nuk bën matje të saktë të energjisë elektrike dhe gabimi i kalon kufijtë e përcaktuar në kontratën tip mbi verifikimin e matëseve të energjisë elektrike dhe vulosjen e tyre dhe klienti ka paguar më shumë (gabimi i testimit është pozitiv), atëherë OSSH është i detyruar të kompensojë diferencën e vlerës midis gabimit të matjes dhe tolerancës së gabimit maksimal të lejuar për 12 muaj të mëparshëm duke filluar prej ditës kur është bërë verifikimi ose për periudhën midis dy verifikimeve, nëse ka më shumë se një verifikim të saktësisë se aparatit matës brenda 12 muajve.

Apelimi i kërkesës

Në rastet kur klienti nuk është i kënaqur me trajtimin e kërkesës nga OSSH apo kur klienti nuk është dakord me vlerësimin e bërë nga OSSH pas verifikimit të matësit elektrik, atëherë klienti paraqet në ERE ankimin mbi trajtimin e kërkesës që lidhet me saktësinë e matësit elektrik, nga OSSH .
Sektori i Mbrojtjes së Konsumatorit në ERE është përgjegjës për administrimin e kërkesave në formë apelimi
ERE i kërkon palëve dorëzimin e të gjithë dokumentacionit që lidhet me kërkesën, raportin e verifikimit të matësit elektrik nga subjekti i autorizuar, raportin e inspektimit të kryer nga operatorët e OSSH si dhe çdo informacion tjetër që mund ti shërbejë shqyrtimit të kërkesës nga ERE.

Revista Monitor,  08.06.2016

Në adresë të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, për periudhën janar-mars 2016, janë depozituar rreth 407 ankesa, nga të cilat 205 ankesa për mbifaturim dhe 202 për afrofe nga abonentët në agjencinë e Lezhës.

Nëse përllogarisim numrin e faturave të lëshuara për 3 mujorin  në agjencinë e Lezhës, rreth 65 mijë fatura të lëshuara,  në raport me 20 mijë abonentë aktivë që ka  kjo agjenci, rezulton se vetëm 0.6  përqind e totalit të faturave janë ankimuar pranë zyrave të kujdesit ndaj klientit të OSHEE. (0.3% e zë mbifaturimi)

Nr. i ankesave te zgjidhura  per 3 mujorin e pare te 2016  eshte ne linje me zgjidhshmerine e ankesave te OSHEE’s ne masen qe kalon 90%

OSHEE thekson se për cdo rast të evidentuar për mbifaturim, ka marrë masa ndëshkimore ndaj lexuesve, gjithashtu ka sistemuar të gjitha rastet e konstatuara të drejta.

Nga ana tjetër, OSHEE u bën thirrje të gjithë abonentëve të cilëve u është refuzuar ankesa pas shqyrtimit e verifikimit korrekt nga ana e specialistëve tanë, të kryejnë pagesat e faturave të ankimuara, me qëllim që të mos penalizohen si debitorë ndaj kompanisë.

energjia.al  27.04.2016

Shumë konsumatorë po ankohen se KEDS-i u ka dërguar fatura të shtrenjta të energjisë elektrike për muajin tetor, pavarësisht përgjysmimit të shkallës së TVSH-së.

Qeveria e Kosovës muaj më parë ka marrë vendim që TVSH-ja për rrymën të përgjysmohet nga 16 në 8 për qind, duke synuar që të lirohen paksa faturat e energjisë elektrike për konsumatorët. Megjithatë, konsumatorët e KEDS-it thonë se faturat e rrymës vazhdojë të jenë të larta, madje më të larta se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur TVSH-ja paguhej 16 për qind.

Ilmi Rakovica, qytetar nga Prishtina, thotë se faturat e rrymës janë të papërballueshme për xhepin e tyre, përderisa, sipas tij, ulja e TVSH-së as që është vërejtur. Rakovica i akuzon KEDS-in se me vendosjen e njehsorëve digjitalë vetëm po i plaçkit konsumatorët.

“Sot e bëra një ankesë. Fatura më ka ardhur 62 euro. Po mendoj se është paushall, pasi që e njëjta vlerë po më vjen gjithnjë. Para disa muajve kam kaluar edhe në shtëpi të re po prapë po vjen shumë shtrenjtë. Çmimi i rrymës nuk po ulet as me ulje të TVSH-së”, ka thënë ai, duke shtuar se gjatë këtij muaji ka kursyer rrymën duke pasur parasysh aplikimin e tarifave të dimrit.

Gazeta Zëri, 04.11.2015

Të shumtë kanë qenë qytetarët, të cilët janë ankuar për faturën e muajit tetor pranë KEDS. Ata pretendojnë se i është dyfishuar fatura krahas konsumit të tyre mujor. Por, nga ana tjetër, punonjës nga KEDS e mohojnë këtë fakt, duke deklaruar se tashmë po afron dimri dhe faturimi është krejtësisht normal.

“Rritja e numrit të ankesave vlerësohet të jetë praktikë normale gjatë sezonit të dimrit kur ne përballemi me më shumë prishje në rrjet, si dhe një numër i ankesave është për shumën në faturë, gjë që prapë ndodh gjatë dimrit kur fillon aplikimi i tarifave dimërore të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë”, ka thënë Guri Shkodra, Zyra e Informimit, në KEDS, transmeton Zëri.

Por, konsumatori, Ahmet Jashanica nga lagjja “Lakërishte”, ka thënë se kurrë nuk ka paguar gjatë sezonit veror më tepër se 18 euro. Kurse ai thotë se në sezonin dimëror po paguan shuma trefish më shumë. “Tani paguaj 42 euro, fatura e fundit për muajin tetor. Harxhimet e njëjta i kam”, ka shtuar ai.

Kurse nga KEDS-i thonë se orët digjitale janë të klasit të parë, dhe se nuk ka vend për gabime. “Orët digjitale janë të klasit të parë të saktësisë dhe KEDS-i është i obliguar të bëjë blerjen e orëve, tipi i të cilave është aprovuar nga MTI-ja paraprakisht”, ka thënë ai. Shkodra ka thënë se të gjitha orët janë të certifikuara, testuar dhe licencuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe orët digjitale vlerësohen të jenë teknologjia e fundit në treg për matje të energjisë elektrike.

Revista Monitor, 06.11.2014

Shoqata shqiptare e turizmit i ka shprehur disa ankesa CEZ Shpërndarjes në lidhje me furnizimin me energji elektrike të operatorëve të kësaj industrie. Drejtuesit e Departamentit inxhinierik në CEZ u shprehën të gatshëm të mbështesin ATA-n në lidhje me çdo ankesë që do të ketë nga ana e bizneseve turistike dhe informuan që nga ana e tyre po zbatohen ndërhyrje për të bërë të mundur përmirësimet në rrjetë.

Sipas tyre rrjeti ka pësuar dëmtime dhe ato rrezikojnë çdo ditë të përkeqësohen kryesisht nga menaxhimi privat i kabinave si dhe nga të tretët. Nga ky departament u rekomandua që anëtarët, të cilët disponojnë kabina private brenda ambienteve të aktivitetit të tyre të kryejnë kontrolle çdo 6 muaj deri në 1 vit.

Nga ana tjetër drejtuesit e ATA-s kanë bërë thirrje që bizneset të shlyejnë rregullisht detyrimet lidhur me këtë shërbim për të mos kaluar në ndëshkimin me masa administrative.

Revista Monitor, 03.07.2014

Cilësia e karburanteve të tregtuara në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar. Të gjitha qytetet e mëdha të vendit kanë nivel ndotje shumë herë më të lartë nga normat e lejuara të BE-së.

Qyteti me ndotjen më të madhe është Elbasani, kjo për shkak të metalurgjikut, dhe menjëherë pas tij renditet Tirana. Ndotja e lartë e shënuar vjen për shkak të fluksit të madh të automjeteve që qarkullojnë në kryeqytet dhe cilësisë së karburantit që ato djegin.

Qytetarët të pyetur nga TV SCAN shprehen se, karburantet eb tregtuara në vend janë jashtë standardeve dhe se kontrollet e institucioneve monitoruese duhet të jenë më të rrepta.

Përveç një numri të lartë të rafinerive ilegale që operojnë në vend duke përzierë karburantin, edhe rafineria më e madhe në vend dhe që administrohet nga një kompani e huaj dhe serioze nuk ka potencialet për përpunimin e naftës sipas standardeve të kërkuara nga BE. Deri në marrjen e masave konkrete nga ana e qeverisë, duket se, qytetarët shqiptarë duhet të durojnë këtë situatë abuzimi dhe mashtrimi në dëm të tyre.

Scan TV, 19.06.2014

Kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike, “CEZ Shpërndarje”, pretendon se, ka rritur numrin e zgjidhjes së ankesave të konsumatorëve.

Burime konfidenciale për TV SCAN nga ky institucion, shprehen se, vetëm gjatë vitit 2014 janë depozituar 36 mijë e 836 ankesa, nga të cilat 32 mijë e 513 të tilla kanë marrë zgjidhje, apo të paktën një përgjigje me shkrim nga ana e kompanisë së furnizimit me energji elektrike. CEZ pretendon se ka verifikuar çdo problem në terren për t’iu përgjigjur kërkesave të abonentëve, megjithatë, numri i lartë i ankesave i depozituar vetëm në 4 muaj e gjysmë është një tregues i shkeljeve të shumta që realizon kompania.

Por problemet e qytetarëve me kompaninë nuk mbarojnë këtu, pasi ende ankesat e viteve 2010, 2011,2012 dhe 2013 nuk kanë marrë një zgjidhje përfundimtare. Administrata e re shtetërore deklaron se, janë trashëguar mbi 5 mijë ankesa për abuzim me konsumatorin dhe 2 mijë kërkesa për rishikim të matjeve vetëm gjatë vitit 2012. ndërsa përsa i përket vitit 2013, vlerat e ankesave dhe kërkesave të paraqitura nga konsumatorët drejt kompanisë janë shumë më të larta, deri në tri herë më shumë.

Gjatë vitit që lamë pas, ankesat për abuzime ndaj kompanisë nga ana e konsumatorëve shqiptarë arrijnë në 19 mijë, ndërsa kërkesa të pazgjidhura arrijnë në 13 mijë. CEZ shprehet se, e ka të pamundur zgjidhjen e kësaj problematike në një afat të shkurtër kohor, për shkak të ndryshimit të shpeshtë të stafit të kompanisë dhe të largimit nga puna të të gjithë eksponentëve problematikë, apo që vidhnin direkt konsumatorin shqiptar.

Scan TV, 19.05.2014