info@energjia.al

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për faljen e detyrimeve ndaj fondit të sigurimeve shoqërore të personave në pension invaliditeti dhe të personave që kanë marrë pension sipas ligjit “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”. Borxhet që do të falën janë ato të krijuara deri me 31 dhjetor të vitit 2016. Falja përfshin edhe detyrimet e njohura me vendim të gjykatave, ndërsa çështjet në proces gjykimi nuk përbëjnë objekt konflikti gjyqësor dhe pushohen, raporton SCAN.

“Brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Instituti i Sigurimeve Shoqërore të evidentojë dhe të zbatojë të gjitha procedurat administrative dhe dokumentare të evidentimit të detyrimeve të falura. Detyrimet e personave të përcaktuar në nenin 1, të këtij ligji, të cilat mund të krijohen për shkak të punësimit pas datës 1.1.2017, nuk falen” përcaktohet në vendim.

Por si janë krijuar këto borxhe dhe kush përfiton?

I gjithë detyrimi është krijuar në kuadër të operacionit kundër informalitetit. Minatorët dalin në pension në moshën 55 vjeç e kur dorëzojnë dokumentet e pensionit, duhet të plotësojnë dhe një deklaratë që nuk kanë aktivitet ekonomik. Të gjithë minatorët e dalë në pension e kanë plotësuar këtë deklaratë, ndërkohë që disa prej tyre kanë vijuar të punojnë në kushte informale. Në kuadër të operacionit kundër informalitetit, punëdhënësit kanë bërë deklarimet ku ka rezultuar se ka minatorë të dalë në pension që vijojnë të punojnë. Në këto kushte është krijuar një borxh që varion nga 15 mijë deri në 150 mijë lekë, i cili konform ligjit duhej t’u mbahej këtyre pensionistëve nga pensioni i tyre. Për këtë qëllim, ka pasur edhe procese gjyqësore.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me ata që përfitojnë pension invaliditeti. Pavarësisht se janë deklaruar të paaftë për punë dhe trajtohej me pension, disa prej tyre kanë arritur të sigurojnë një punë që u përshtatet kushteve të tyre. Nëse kjo kategori personash gjen një punë të përshtatshme, atëherë duhet plotësuar deklarata pranë sigurimeve shoqërore,çka sjell ndërprerjen e pagesës së plotë dhe u jepet një invaliditet i pjesshëm. Në këto kushte është krijuar një detyrim që shkon në 4-5 mijë lekë. Përballë konstatimit të këtyre rasteve, Këshilli Administrativ i ISSH-së miratoi në fillim të këtij viti propozimin për faljen e këtyre detyrimeve që ishin parashikuar të mbaheshin nga pensionet dhe pushimin e çështjeve gjyqësore që ishin në proces.

Scan Tv,  20.04.2017

Shoqatat e Invalidëve në të gjithë vendin kanë nisur lobimin për të përfshirë në politikat shtetërore përfitimet që gëzonin për shkak të statusit para viteve 2012.

Qeveria “Rama” ka zgjidhur çështjen e pagesave të paaftësisë, prapambetjet dhe gjithçka tjetër që ishte shënuar në listën e borxheve për vitin 2013. Por, pas kësaj, kërkohet zbatimi i statusit dhe rikthimi i kompensimit në para për tre sektorë të rëndësishëm: transporti, energjia elektrike dhe telefonia.

Personat me aftësi të kufizuara kërkojnë nga qeveria t’u kthehen përfitimet që ata gëzonin për shkak të statusit, si kompensim në masën 80 për qind të faturës së energjisë elektrike, transport publik falas, si dhe impulse telefonie.

Që nga muaji mars i vitit 2012, një i verbër apo një person me aftësi të kufizuara paguan të plotë biletën e udhëtimit në autobus, pasi shoqëritë e transportit nuk e njohin kartën e invaliditetit. Ata paguajnë të plotë faturën e energjisë elektrike, ndonëse duhej t’u kompensohej në një masë të caktuar nga qeveria.

Në një konferencë për shtyp, kreu i Aftësisë së Kufizuar, Sinan Tafaj, theksoi se pas zgjidhjes së problemit të pagesave të aftësisë së kufizuar janë në pritje të këtyre përfitimeve.

“Ne shpresojmë që procesi do të ecë përpara, pasi Partia Socialiste, në tetor të vitit 2012, nëpërmjet deputetëve të vet e ka nisur këtë projektligj të parë nga Forumi Europian i Aftësisë së Kufizuar dhe me pjesëmarrjen e Këshillit Kombëtar të Personave të Aftësisë së Kufizuar të Shqipërisë. Deri tani ne nuk kemi një përgjigje por ne besojmë shumë që ky proces do të vazhdojë”, tha Tafaj.

Qeveria e mëparshme e ka konsideruar si të tepruar rimbursimin që u bëhej personave me aftësi të kufizuara për transport, energji elektrike dhe telefoni. Prandaj në vitin 2012, qeveria mori vendimin e propozuar nga Ministria e Financave për heqjen e rimbursimit të invalidëve në shkallë vendi.

Dje, në konferencë për shtyp ishte i pranishëm dhe presidenti i Bashkimit Botëror të të Verbërve Arnt Holte, i cili vuri theksin tek ligji i përfaqësimit. Sipas tij, personat me aftësi të kufizuara duhet të përfaqësojnë veten. Mohimi i përfaqësimit shkel dinjitetin njerëzor, i cili është baza e të drejtave themelore të njeriut.

Gazeta Shqip, 22.01.2014