Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Invalidët kërkojnë rimbursim për energjinë

Shoqatat e Invalidëve në të gjithë vendin kanë nisur lobimin për të përfshirë në politikat shtetërore përfitimet që gëzonin për shkak të statusit para viteve 2012.

Qeveria “Rama” ka zgjidhur çështjen e pagesave të paaftësisë, prapambetjet dhe gjithçka tjetër që ishte shënuar në listën e borxheve për vitin 2013. Por, pas kësaj, kërkohet zbatimi i statusit dhe rikthimi i kompensimit në para për tre sektorë të rëndësishëm: transporti, energjia elektrike dhe telefonia.

Personat me aftësi të kufizuara kërkojnë nga qeveria t’u kthehen përfitimet që ata gëzonin për shkak të statusit, si kompensim në masën 80 për qind të faturës së energjisë elektrike, transport publik falas, si dhe impulse telefonie.

Që nga muaji mars i vitit 2012, një i verbër apo një person me aftësi të kufizuara paguan të plotë biletën e udhëtimit në autobus, pasi shoqëritë e transportit nuk e njohin kartën e invaliditetit. Ata paguajnë të plotë faturën e energjisë elektrike, ndonëse duhej t’u kompensohej në një masë të caktuar nga qeveria.

Në një konferencë për shtyp, kreu i Aftësisë së Kufizuar, Sinan Tafaj, theksoi se pas zgjidhjes së problemit të pagesave të aftësisë së kufizuar janë në pritje të këtyre përfitimeve.

“Ne shpresojmë që procesi do të ecë përpara, pasi Partia Socialiste, në tetor të vitit 2012, nëpërmjet deputetëve të vet e ka nisur këtë projektligj të parë nga Forumi Europian i Aftësisë së Kufizuar dhe me pjesëmarrjen e Këshillit Kombëtar të Personave të Aftësisë së Kufizuar të Shqipërisë. Deri tani ne nuk kemi një përgjigje por ne besojmë shumë që ky proces do të vazhdojë”, tha Tafaj.

Qeveria e mëparshme e ka konsideruar si të tepruar rimbursimin që u bëhej personave me aftësi të kufizuara për transport, energji elektrike dhe telefoni. Prandaj në vitin 2012, qeveria mori vendimin e propozuar nga Ministria e Financave për heqjen e rimbursimit të invalidëve në shkallë vendi.

Dje, në konferencë për shtyp ishte i pranishëm dhe presidenti i Bashkimit Botëror të të Verbërve Arnt Holte, i cili vuri theksin tek ligji i përfaqësimit. Sipas tij, personat me aftësi të kufizuara duhet të përfaqësojnë veten. Mohimi i përfaqësimit shkel dinjitetin njerëzor, i cili është baza e të drejtave themelore të njeriut.

Gazeta Shqip, 22.01.2014