info@energjia.al

Situata politike përgjatë vitit 2017 vonoi ngritjen e bursës së energjisë,  që është një prej projekteve kryesore të parashikuara në modelin energjetik shqiptar.

Konstatimi vjen nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, i cili ka publikuar raportin e fundit mbi ecurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në sektorët e energjisë, gazit, eficencës dhe hidrokarbureve.

Në një raport të mëparshëm Sekretariati u shpreh me rezerva mbi mundësinë e ngritjes së bursës, por tashmë kujton se modeli i Tregut e autorizon ministrin të vendosë afatin e ri para përfundimit të vitit 2017. Gjithashtu, raporti vëren se  procedura e certifikimit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit është e përfunduar, por ende kërkohet një mekanizëm pajtueshmërie.

Ndërkohë që, vonesë konstatohet edhe në drejtim të ndarjes së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike si dhe de rregullimit të çmimeve për gjenerimin dhe furnizimin me energji. Ndërkaq, në drejtim të sektorit të gazit, raporti flet me nota më pozitive, duke theksuar se Shqipëria ka arritur përparim në lidhje me prioritetet e përcaktuara në Raportin e mëparshëm.

“Në veçanti, Shqipëria ka përparuar në mënyrë të konsiderueshme nga ndarja e Albpetrol dhe krijimi i  Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Albgaz.”

Scan Tv,  11.11.2017

Çmimet e naftës shënuan rënie mëngjesin e ditës së sotme.

Treguesit referencë për naftën e papërpunuar amerikane, WTI, ranë me 0.2 për qind dhe u tregtuan me 57.04 dollarë për fuçi.

Treguesit referencë për naftën e papërpunuar europiane, Brent, ranë me 0.3 për qind dhe u tregtuan me 57.02 dollarë për fuçi. Gjatë gjithë kësaj jave ai shënoi një rritje me 2.8 për qind.

Revista Monitor,  11.11.2017

iPhone X është një smartphone që kushton më shumë 1300 euro, por nëse ky çmim nuk ju duket shumë i lartë për standardet tuaja, mund të mendoni që të blini versionin Caviar Tesla.

Bëhet fjalë për një telefon, konturet e të cilit janë në ar, që karikohet me energji diellore. Modeli Caviar Tesla i iPhone X kushton pak më shumë se 4500 dollarë.

Ky telefon është krijuar nga kompania ruse Caviar, e njohur në botë për realizimin e disa modeleve të kushtueshëm dhe të çuditshëm telefonash (për shembull Nokia 3310).

Në këtë model të ri, konturet dhe detajet janë në ar 24 karat dhe paneli diellor në pjesën e pasme. Për këto dy arsye, kompania Caviar ka vendosur t’i japë emërtimin Tesla këtij modeli. Zyrtarisht bëhet fjalë për iPhone e parë në botë që karikohet me energji diellore.

Por, paneli diellor në pjesën e pasme e bën të pamundur karikimin me wireless të telefonit Apple. Përveç versionit “Bazë” me memorie 64 GB, që siç e thamë kushton pak më shumë se 4500 dollarë, është edhe një version “Plus”, me memorie të brendshme 256 GB që do të kushtojë 5000 dollarë.

Kjo është një shifër e konsiderueshme për një smartphone. Shitja e këtij telefoni do të nisë në fund të nëntorit të këtij viti dhe të interesuarit mund ta blejnë telefonin iPhone X Caviar Tesla në website-n e kompanisë ruse.

Revista Monitor,  11.11.2017