info@energjia.al

Një konflikt që vijon prej disa vitesh ka degjeneruar këtë të martë me dhunë fizike mes disa personave, ku dy prej tyre kanë mbetur të plagosur.

Policia njoftoi se ngjarja ka ndodhur në një hidrocentral në zonën e Martaneshit, ku 5 punonjës të hidrocentralit të Valikardhit janë qëlluar me mjete të forta nga persona të paidentifikuar. Ata po punonin për hapjen e kanaleve ujëmbledhëse për veprën hidrike, ndërsa dy prej tyre kanë përfudnuar në spitalin e Bulqizës.

Të lënduarit janë shtetasit G.B, rreth 50 vjeç, banues në Elbasan dhe shtetasin K.R, rreth 45 vjeç, banues në Shupenzë. Por korespondeti i Ora News ka kontaktuar me drejtorin e përgjithshëm të hidrocentralit të valiakardhit, Lulzim Lalosha, i cili ka thënë se personat që dhunuan punonjësit ishin fshehur në pyll.

Sipas tij, pasi kanë dalë nga zona ku idhin fshehur, ata kanë qëlluar disa herë në ajër me armë zjarri, dhe më pas kanë dhunuar punëtorët e hidrocentralit. Drojtori thotë se e gjithë ngjarja është regjistruar në Liqenin e Parthës në Tërnovë.

Mësohet se njëri prej të plagosurve është në gjendje më të rënduar. Policia nuk ka emra konkretë dhe persona të dyshuar si autorë të plagosjes.

Situata të tilla konfliktuale vojojnë prej gati pesë vitesh, ku në një rast banorët e zonës i vunë flakën një pjese të tij. Po ashtu, janë zhvilluar edhe protesta kundër kësaj vepre hidrike, me pretendimin se nuk janë respektuar kushtet e kontratës. Ajo që ka ndodhur këtë të martë, është një këmbanë alarmi për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, dhe pse jo për të parandaluar që herën tjetër të ketë edhe viktima.

Ora News,  11.10.2017

Erea Blakaj, nxënëse e klasës së VIII, të martën e kishte një ditë shkollore ndryshe nga mësimet e zakonshme. Ajo, bashkë me 60 nxënësit tjerë të Shkollës Fillore “Xhemajl Mustafa” të Prishtinës vizituan KEDS-in.
“Mësova shumë gjëra sot. Nuk e dija që ka kabllo të rrymës bistekë që mbështillen dhe nuk janë të rrezikshme edhe po u prekan me dorë”, thotë ajo, teksa vrojtonte vendosjen e rrjetit të tensionit të ulët në fshatin Dyz të Podujevës.
Aty KEDS po ndërton rrjetin e ri për 90 familje duke përfshirë edhe një trafo shtesë, përderisa nxënësit kanë parë në praktikë si ndërtohet rrjeti energjetik, cilat janë nivelet e tensionit, për çka shërbejnë dhe si transformohen ato në nivele më të ulëta, deri te konsumatori shtëpiak.
“E shoh ndryshe KEDS-in. Po më pëlqen shumë si funksionon në realitet distribuimi dhe furnizimi i energjisë elektrike. Kjo ma shton dëshirën që të bëhem inxhiniere”, shton Erea, e cila pos emrit të veçantë, ka edhe pasionin për të mësuar sa më tepër.
Kureshtja e nxënësve ka qenë e madhe, sidomos për faktorët e sigurisë. Atyre u është shpjeguar nga menaxheri i Departamentit të Mirëmbajtjes, Ramadan Arifi dhe stafi i tij, se si vendosen mbrojtësit në rrjet, të cilët mbrojnë rrjetin nga faktorët ekstern dhe njerëzit nga kontakti me shkarkimet elektrike.
“Këtu po ndërtojmë rrjetin e ri të tensionit 0.4 kV. Nga këto shtylla që po i vendosim dhe nga këta përçues, të cilët po i shihni tek i vendosin punëtorët e KEDS-it, furnizohen me energji elektrike direkt konsumatorët. Ky është niveli fundor i tensionit dhe lidhet direkt me shtëpitë përreth”, u tha Arifi nxënësve.
Nxënësit kanë mësuar edhe si funksionojnë KEDS-i dhe KESCO në përgjithësi, sikurse kanë bërë vizitë të veçantë në Qendrën e Kalibrimit. Aty, Menaxheri për AMR dhe Kalibrim, Shukri Aliu, u ka shpjeguar se si funksionojnë njehsorët e energjisë elektrike, që nga prodhimi i tyre, kalibrimi e deri te vendosja e tyre në shtëpitë e konsumatorëve.

energjia.al  11.10.2017

Pas 11 seancash Gjykata Administrative ka nisur në themel gjykimin e padisë së banorëve të fshatit Dragoni në Tropojë të cilët kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentralit.

Seanca e radhës për këtë gjykim do të mbahet më 27 tetor aty ku pritet që të verifikohen në proces gjyqësorë lejet e lëshuara nga institucionet shtetërore për ndërtimin e Hecit në Tropojës.

Shqiptarja.com  11.10.2017

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri shoqëruar nga drejtuesit e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Inspektoratit Qendror Teknik e Industrial zhvilluan një takim me përfaqësuesit kryesorë të operatorëve të tregtimit të karburanteve.

Ministri Gjiknuri u bëri të ditur operatorëve masat që po ndërmerr qeveria në kuadër të rritjes së sigurisë rrugore në vend. “Kemi filluar me punën për heqjen e çdo objekti të paligjshëm që është në kundërshtim me Kodin Rrugor. Janë kryesisht tabela, struktura apo reklama që pengojnë shikueshmërinë gjatë lëvizjes së mjeteve dhe bëhen shpesh burim aksidentesh. Kuptohet, një ndër pikat më problematike të trashëguara kanë qenë dhe karburantet, pavarësisht masave që u ndërmorën gjatë 4 vjeçarit të parë, ndonjëherë edhe pa sukses nga ministria e shkuar dhe këtë duhet ta them. Një problem që duhet zgjidhur sa më shpejt është ajo e tabelave shumë të mëdha ku reklamohen markat dhe listohen cmimet e karburanteve. Shpesh këto tabela konfuzojnë shoferët e makinave dhe bëhen burim aksidentesh”, u shpreh Gjiknuri.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u dakordësua me operatorët për krijimin e një grupi të përbashkët pune që do të përcaktojë një standard të ri të reklamimit të karburanteve dhe ndriçimit gjatë natës, në përputhje me Kodin Rrugor.

“Ministria me Autoritetin Rrugor do të ngrejnë një grup pune bashkë me përfaqësuesit e operatorëve për të përcaktuar një standard. Kjo duhet të jetë uniforme për të gjithë dhe patjetër nuk duhet të ndikojë në konkurencë të pandershme. Ju jeni operatorët kryesorë ndaj ju kërkova tu thërras për bashkëpunim dhe kërkoj nga ana juaj që të gjejmë një zgjidhje të shpejt për këtë problem. Tu lihen disa ditë afat pasi dhe ju kërkoni masat tuaja, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor. Përndryshe, jemi të detyruar që të ndërhyjmë ligjërisht. Preferoj më përpara dialogun dhe zgjidhjen me mirëkuptim, të punojmë sëbashku për ti dhënë një zgjidhje permanente sipas standardeve ligjore këtij problem”, nënvizoi Gjiknuri.

energjia.al  10.10.2017

Shtatë persona të armatosur dhe me maska kanë ushtruar dhunë fizike ndaj 6 punonjësve të HEC-it të Valikardhës në Bulqizë. Report Tv mëson se ngjarja e rëndë është shënuar pasditen e kësaj të marte, ndërsa policia e Bulqizës është nisur drejt vendit të ngjarjes. Mësohet se 2 prej 6 personave të lënduar kanë marrë plagë të rënda dhe ndodhen në kujdesin intensive të mjekëve. Agresorët janë larguar në drejtim të paditur, ndërsa mendohet se ajnë banorë të zonës. Këta të fundit kundërshtojnë ndërtimin e HEC-it janë kundër ndryshimit rrjedhës së lumit në Mat, çka sipas tyre do kishte pasoja të rënda të ekosistemit.

Shqiptarja.com  11.10.2017

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë kërkon ndryshime në legjislacion përpara se kompania Albgaz, të konsiderohet plotësisht e pavarur nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare, Sekretariati ka bërë publik opinionin mbi certifikimin e operatorit shqiptar të sistemit të transmetimit të gazit natyror, sipas Paktit të Tretë të Energjisë.

Opinioni mbështet certifikimin nga Enti Rregullator i Energjisë, por duke iu nënshtruar disa kërkesave dhe kushteve shtesë.

Në këtë kuadër, ky organizëm e vë theksin pikërisht te ndryshimi i ligjit aktual, duke i kujtuar ERE-s se vendimi  përfundimtar i certifikimit, duhet marrë duke patur parasysh maksimalisht Opinionin e Sekretariatit.

Gjithashtu, ky organizëm vë në dukje se ky detyrim rrjedh nga Direktiva e Parlamentit dhe Këshillit Evropian “Për rregullat e përbashkëta për tregun e brendshëm të gazit natyror”.

Në mesin e muajit gusht, ERE miratoi fillimin e procedurës për licencimin e Albgaz në aktivitetin e transmetimit të gazit natyror, por në vendim argumentohej se shoqëria plotësonte pjesërisht kërkesat e parashikuara nga ERE.

Kjo vihej re kryesisht në plotësimin e dokumentacionit të kërkuar për këtë proces, ndërkohë që vetë shoqëria është shprehur publikisht se po ndjek me përpikëri të gjithë hapat përsa i përket përmbushjes së dokumentacionit specifik për marrjen e licencimit.

Scan Tv,  11.10.2017

Çmimet e naftës po qëndrojnë në rritje në sesionin e sotëm, pas deklaratës së OPEC, se tregu po ribalancohet.

Çmimet e naftës janë mbështetur edhe nga mos rifillimi i punës me kapacitet të plotë në rafineritë e Gjirit të Meksikës, për shkak të uraganit Nate.

Nafta Bruto amerikane po tregtohet pranë 50 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës është ngjitur sërish përmbi 56 dollarë për fuçi. Tregtarët shprehen se, çmimet janë mbështetur nga komentet e Organizatës së Vendeve Prodhuese të Naftës, që deklaroi se, tregu po ribalancohet më shpejt se vlerësimet paraprake.

“Ka shenja të qarta se tregu po ribalancohet”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i OPEC, Mohammad Barkindo për Reuters.

“Procesi i uljes së rezervave globale të naftës po vazhdon, ndërsa në anën tjetër, kërkesa po rritet”,shtoi ai. OPEC dhe vendet e tjera prodhuese të naftës janë angazhuar që të ulin prodhimin e naftës me 1.8 milionë fuçi në ditë, deri në mars të vitit të ardhshëm.

Por, në ditët e fundit janë shtuar spekulimet se, kjo marrëveshje mund të shtyhet përtej këtij afati. Ndërkohë, banka JP Morgan shprehet se, tensionet politike, sidomos mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dh Iranit, mund të mbështesin çmimet.

Në terma afatshkurtër, çmimet kanë gjetur një mbështetje edhe nga dëmtimi i prodhimit në Gjirin e Meksikës, për shkak të uraganit Nate. 85% e prodhimit në këtë zonë, ose 1.49 milionë fuçi në ditë, po i mungojë tregut, pasi rafineritë nuk kanë rifilluar punën me kapacitet të plotë.

Scan Tv,  11.10.2017