Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nxënësit e shkollës vizitojnë KEDS-in

Erea Blakaj, nxënëse e klasës së VIII, të martën e kishte një ditë shkollore ndryshe nga mësimet e zakonshme. Ajo, bashkë me 60 nxënësit tjerë të Shkollës Fillore “Xhemajl Mustafa” të Prishtinës vizituan KEDS-in.
“Mësova shumë gjëra sot. Nuk e dija që ka kabllo të rrymës bistekë që mbështillen dhe nuk janë të rrezikshme edhe po u prekan me dorë”, thotë ajo, teksa vrojtonte vendosjen e rrjetit të tensionit të ulët në fshatin Dyz të Podujevës.
Aty KEDS po ndërton rrjetin e ri për 90 familje duke përfshirë edhe një trafo shtesë, përderisa nxënësit kanë parë në praktikë si ndërtohet rrjeti energjetik, cilat janë nivelet e tensionit, për çka shërbejnë dhe si transformohen ato në nivele më të ulëta, deri te konsumatori shtëpiak.
“E shoh ndryshe KEDS-in. Po më pëlqen shumë si funksionon në realitet distribuimi dhe furnizimi i energjisë elektrike. Kjo ma shton dëshirën që të bëhem inxhiniere”, shton Erea, e cila pos emrit të veçantë, ka edhe pasionin për të mësuar sa më tepër.
Kureshtja e nxënësve ka qenë e madhe, sidomos për faktorët e sigurisë. Atyre u është shpjeguar nga menaxheri i Departamentit të Mirëmbajtjes, Ramadan Arifi dhe stafi i tij, se si vendosen mbrojtësit në rrjet, të cilët mbrojnë rrjetin nga faktorët ekstern dhe njerëzit nga kontakti me shkarkimet elektrike.
“Këtu po ndërtojmë rrjetin e ri të tensionit 0.4 kV. Nga këto shtylla që po i vendosim dhe nga këta përçues, të cilët po i shihni tek i vendosin punëtorët e KEDS-it, furnizohen me energji elektrike direkt konsumatorët. Ky është niveli fundor i tensionit dhe lidhet direkt me shtëpitë përreth”, u tha Arifi nxënësve.
Nxënësit kanë mësuar edhe si funksionojnë KEDS-i dhe KESCO në përgjithësi, sikurse kanë bërë vizitë të veçantë në Qendrën e Kalibrimit. Aty, Menaxheri për AMR dhe Kalibrim, Shukri Aliu, u ka shpjeguar se si funksionojnë njehsorët e energjisë elektrike, që nga prodhimi i tyre, kalibrimi e deri te vendosja e tyre në shtëpitë e konsumatorëve.

energjia.al  11.10.2017