info@energjia.al

Qeveria britanike pritet të lajmërojë ndalimin e prodhimit dhe rrjedhimisht përdorimit të makinave me naftë që prej vitit 2040.

Pjesë e paketës për të mbrojtur ambientin është edhe një fond prej 255 milion stërlinash për të ndihmuar këshillat lokalë të përballen me ndotjen aktuale të makinave me naftë, në kuadër të fondit të përgjithshëm prej 3 miliard stërlinash për të përmirësuar cilësinë e ajrit.

Para se të skadojë afati final i vendosur nga gjykata e lartë, qeveria do të publikojë strategjinë e saj për ajrin dhe në favor të makinave elektrike. Gjykata ndërhyri pas një beteje të gjatë ligjore dhe detyroi qeverinë që të hartonte plane të reja për tu përballur me nivelet e lartë të dioksidit të azotit.

Lëvizja britanike vjen ndërsa masa të tilla janë marrë edhe nga vende të tjera, më e fundit Franca që gjithashtu lajmëroi ndalimin e makinave me naftë pas vitit 2040. Por si në rastin e Francës, edhe në atë të Britanisë, nuk kanë munguar kritikat. Ekspertët e ambientin thonë se ambienti i ndotur ku jetojnë 40 milion njerëz në Britani ka nevojë për ndërhyrje tani dhe jo pas 23 vjetësh. Ndërsa ekspertë të teknologjisë thonë se ndalimi i makinave naftë në vitin 2040 është i pavlerë, pasi deri atëherë ato do të jenë zhdukur automatikisht si pasojë e përparimit të teknologjisë.

Telegrafi,  27.07.2017

Një kompani energjetike në Kaliforni ka raportuar se një ketër ka qenë përgjegjëse për avarinë që la pa rrymë rrethë 45 mijë konsumatorë.

Kompania “San Diego Gas and Electric”, raportoi se një nënstacion i saj kishte ndaluar së funksionuari gjatë ditës së martë pasi një ketër kishte rënë në kontakt me kabllot e tensionit të lartë.

“Një nënstacion momentalisht ka rënë nga sistemi dhe jemi duke punuar shumë që ta riparojmë”, ka shkruar në Twitter kompania SDG&E.

Rreth 45 mijë banorë në Balboa Park, Chollas Creek, City Heights, Hillcrest, Mission Hills, Normal Heights, North Park, Oak Park, Old Town dhe në zonat përreth mbetën pa anergji elektrike për rreth një orë.

Shqiptarja.com  27.07.2017

Zjarri që ra mbrëmjen e së martës në periferi të Tiranës u rrezikoi jetën disa efektivëve zjarrfikës.

“Patëm një situatë në Kashar, një incident. Ishte ora 2 e mëngjesit dhe një zjarr i fuqishëm rrezikonte banesat. Flakët u kthyen nga punonjësit tanë, por fatmirësisht u kalua me ndërhyrjen e një grupi tjetër. Na u dëmtuan disa pajisje pasi nuk mundëm t’i tërhiqnim dot”, tregon Shkëlqim Goxhaj, Drejtor i Zjarrfikëseve të Tiranës.

Vetëm në Tiranë gjatë këtij muaji janë regjistruar 240 vatra zjarri në pyje dhe kullota, ndërsa gatishmëria mbetet maksimale.

Ndërkohë, gjatë kësaj të mërkure në të gjithë vendin janë regjistruar 18 vatra zjarri, ku në total janë angazhuar  mbi 130 forca zjarrfikëse. Problem mbeten edhe incidentet më bombolat e gazit.

“U bëj thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes me rrjedhjen e gazit pasi mbeten të rrezikshme, të ajrosin ambientet e banesave dhe bizneseve”, thotë Goxhaj.

Top Channel,  27.07.2017

Duke nisur nga 1 Shtatori i këtij viti, një test i ri për matjen e emisioneve nga automjetet, i quajtur WLTP, do të aplikohet për të gjithë modelet e reja të makinave që hyjnë në tregun europian.

Një vit më pas, testi laboratorik do të shtrihet edhe tek të gjitha makinat e reja të shitura përgjatë Bashkimit Europian.

Ky testim i ri do të sjellë kushte më realistike për matjen e emisioneve si CO2 se sa testi aktual laboratorik NEDC. Ai do të ofrojë përllogaritje më të sakta për konsumin e karburantit dhe emisionet e një makine, por do të ketë ndikime edhe në taksimin e automjeteve.

Aktualisht, 19 shtete anëtare aplikojnë taksim për CO2 tek makina, bazuar tek vlerat e tyre laboratorike. Duke qenë se testi i ri është më i vështirë, do të rezultojë në vlera më të larta për të njëjtin automjet, çka do të ketë një impakt negativ në taksimin e automjeteve.

Shoqata e prodhuesve të automjeteve i bën thirrje qeverive të këtyre vendeve të marrë masa që konsumatorët të mos preken nga testi i ti.

“Qeveritë kombëtare duhet të veprojnë për t’u siguruar se taksimi në bazë të CO2 do të jetë i drejtë, meqenëse WLTP do të rezultojë në vlera më të larta për të njëjtin automjet. Nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, barra financiare do t’i bjerë drejtuesve”, shkruan njoftimi i ACEA.

Duke nisur nga Shtatori i 2017, një model me vlera 100g CO2 për kilometër do të rezultojë në 120g CO2/km sipas testit të ri.

Scan Tv,  27.07.2017

Janë 424 pronarë tokash që do të dëmshpërblehen nga shteti për t’i lënë vend ndërtimit të Gazsjellësit Trans Adriatik në vendin tonë.

Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka shpallur kërkesën për shpronësimet, marrjen në përdorim të përkohshëm apo vendosjen e servitutit të kalimit për këto pasuri të paluajtshme.

Vlera totale për shfrytëzimin dhe blerjen e këtyre tokave është 146 milionë lekë.

Në listën e mëposhtme është e përcaktuar edhe masa e vlerësimit. Personat që preken nga ky projekt, si ata që nuk figurojnë në lista por preken, kanë 15 ditë afat për të paraqitur pretendimet e tyre, si dhe të shprehen nëse janë dakord me të dhënat e publikuara.

Ministria u bën apel pronarëve dhe personave që pretendojnë pronësi mbi këto pasuri të dorëzojnë dokumentet që disponojnë pranë Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Scan Tv,  27.07.2017

Katerina Papalexandri do të jetë menaxherja e re në rang shteti për Greqinë, duke nisur nga 1 Shtatori i këtij viti. Katerina do të zëvendësojë në detyrën menaxherin aktual Rikard Scoufias.

Ajo sjell me vete një eksperience të gjatë 20 vjeçare në industrinë e energjisë dhe ekspertizën e saj në tregjet dhe projektet e gazit, negociatat tregtare dhe menaxhimin e palëve të interesuara.

Prej vitit 1998 ajo ka punuar pranë British Petroleum duke mbajtur pozicione të ndryshme.

Nga viti 2006 deri në vitin 2012, Papalexandri punoi për BP të bazuar në athinë si një Këshilluese Tregu për Gazin në Europë dhe Afrikë, por edhe si Zhvilluese Biznesi për Gazin Kaspik. Ajo ka eksperiencë edhe mbi zinxhirin e vlerës së Korridorit Jugor të Gazit.

Më së fundmi, më nëntor 2015, Papalexandri mori pozicionin si Menaxhere Komerciale për Korridorin Jugor, ku mes përgjegjësive të tjera, ajo menaxhonte aspektin tregtar të të gjithë zinxhirit të vlerës të të gjithë gazit.

Drejtori menaxhues i TAP, Luca Schieppati u shpreh i lumtur që Katerina i është bashkuar zyrës së menaxhimit të shtetit në Greqi.

“Si investimi më i madh direkt në Greqi, ndërtimi i TAP do të jetë një kontribut kryesor në mbështetjen e transformimit të vendit në një pikë kryesore për hartën e energjisë në Europën Jug-lindore.

Si një projekt me rëndësi kaq të madhe strategjike për Greqinë, po hymë në fazën finale teksa TAP përgatitet për gatishmëri tregtare dhe operacionale për të marrë gazin e parë. Jam i bindur se vitet e shumta të eksperiencës së Katerinës dhe ekspertiza e njohuria e thellë në industrinë e energjisë, e Greqisë dhe e Korridorit Jugor të Gazit do të jetë e dobishme në realizimin e sigurt dhe me sukses të projektit tonë në Greqi”, u shpreh Schieppati.

Scan Tv,  27.07.2017

Edhe mëngjesin e kësaj të enjteje çmimet e naftës shënuan rritje, rritje kjo që konsiderohet si më e larta në këto 8 javët e fundit.

Treguesit referencë për naftën e papërpunuar amerikane, WTI, u rritën me 5 cent dhe u tregtuan me 48.70 dollarë për fuçi.

Treguesit referencë për naftën e papërpunuar europiane, Brent, u rritën me 7 cent dhe u tregtuan me 50.90 dollarë për fuçi.

Indeksi i çmimit të arit shnoi nivelin e tij më të lartë në këto gjashtë javët e fundit, duke u tregtuar me 1.263.50 dollarë amerikanë për onz.

Revista monitor, 27.07.2017