info@energjia.al

Në Spitallë të Durrësit u zhvillua sot ceremonia e mbërritjes së ngarkesës së parë me tuba dhe makineri që do të përdoren për ndërtimin e segmentit të gazsjellësit TAP në Shqipëri. Në aktivitet ishte i pranishëm Kryeministri z.Edi Rama, Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri, përfaqësues të autoriteteve lokale, kontraktorë të TAP dhe zyrtarë të tjerë të shtetit shqiptar.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Kryeministri Rama shprehu kënaqësinë për faktin se përmes projektit të gazsjellësit TAP, Shqipëria do të kthehet në një nga arteriet energjitike në Evropë.

“Presim rritje progresive të ekonomisë. Nëse sipas një studimi të Universitetit të Oksfordit të 2013 që i jemi referuar, nga fillimi i punimeve për TAP deri në fund të 2018 parashihen 160 milionë euro rritje në prodhimin e brendshëm kombëtar, faza e parë e punimeve ka dëshmuar se impakti i parë është dhe do të jetë më pozitiv se kaq. Me fillimin e rrjedhjes së gazit në 2019 sipas këtij studimi të ardhurat do të shumëfishohen dhe në 20 vjet ekonomia shqiptare do të fitojë direkt mbi 1 miliardë euro. Shpresojmë që studimi të jetë konservativ dhe shifra të jetë më e madhe”, u shpreh Kryeministri Rama.

Z.Rama tha se kontrata e nënshkruar në vitet e kaluara me TAP nuk ka patur përfitime simetrike për Shqipërinë ashtu sikurse për vendet e tjera nga ku kalon projekti. Rrjedhimisht, ai lajmëroi se nga pala e TAP qeveria shqiptare ka gjetur gadishmërinë për të dëgjuar dhe negociuar një përfitim simetrik që për ne është i domosdoshëm për ta vënë Shqipërinë në të njëjtin nivel si të gjithë vendet e tjera.

“Jam besimplotë se ky negocim do të mbyllet me sukses. Dua të falenderoj përfaqësuesit e palës tjetër për gadishmërinë dhe ndjeshmërinë në raport me kërkesën tonë shumë legjitime”, u shpreh Kryeministri.

Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri deklaroi se ka patur shumë skeptikë për këtë projekt dhe dikur thuhej se nuk do mund të bëhej fare.

IMG-20160418-WA0002

“Jemi realist që gjërat po zhvillohen në terren dhe po ecin sipas një projeksioni të duhur. Kjo na bën krenarë edhe ne si shqiptarë, për shkak se një pjesë e mirë e aktivitetit po zhvillohet këtu. Ky është një lajm i mirë mbi të gjitha për vet Bashkimin Europian sepse po ndërtohet për herë të parë, ai që unë do ta quaja një projekt shekulli, një rrugë alternative e furnizimit me gaz për familjen evropiane”, u shpreh z.Gjiknuri.

Nga ana tjetër, vijoi z.Gjiknuri, projekti na jep mundësinë që të krijojmë një burim tjetër alternativ të energjisë që na mungon si gazi natyror. “Do të krijojmë një siguri më të mirë për energjitikën, përfshirë edhe vënien në punë të veprës që do ta quaja “fantazmë” të Termocentralit të Vlorës. Nuk ka patur shpresë ajo vepër por tashmë, me ardhjen e gazit në vitet e ardhshme ka mundësi që Shqipëria ta ketë një miks energjitik. Po punohet me masterplanin e gazit dhe ndërtimi i gazsjellësit e bën të mundur”, nënvizoi Gjiknuri.

Sipas tij, vetëm nga realizimi i 50-60% e aktivitetit të ndërtimit të rrugëve të aksesit janë hapur mbi 1000 vende pune direkte. “Vetëm punësimi direkt parashikohet 2 mijë vende pune, për të mos thënë për nënkontraktorë dhe shërbime të tjera që janë nga më të ndryshmet. Një zinxhir e tërë furnizimi i cili do të japë një impakt disa mijëra vende pune në Shqipëri”, tha Gjiknuri.

Ky patjetër duhet të jetë edhe një proces që i përket shqiptarëve, nënvizoi ministri, vërtet është një investim i huaj dhe është një investim i mirëpritur. “Ne do të bëjmë gjithçka që të përfitojmë maksimalisht dhe të ndihmojmë TAP-in në çdo drejtim, por nga ana tjetër edhe qytetarët shqiptarë duhet të ndjejnë vlerën e vërtetë të këtij investimi, duke qenë pjesë e sa më shumë ndërmarrjeve gjatë ndërtimit të këtij procesi”, insistoi z.Gjiknuri.

Drejtuesi i projektit TAP për Shqipërinë Shkëlqim Bozgo tha se “pas fillimit të punës për rrugët e aksesit dhe urat, në Korrikun e vitit të kaluar, mbërritja e tubacioneve dhe makinerive shënon fillimin e një tjetër faze edhe më dinamike të ndërtimit të gazsjellësit. Planifikojmë që në fillimin e gjysmës së dytë të këtij viti të fillojë ndërtimi i gazsjellësit përmes vendosjes së tubacioneve. TAP është një project madhor dhe zbatimi i tij me sukses do të kërkojë bashkëpunim efiçent të të gjithë aktorëve. TAP falënderoj autoritetet shqiptare në nivel local dhe qendror për mbështetjen që kanë dhënë”.

Drejtori menaxhues i projektit Karl Roberts në fjalën e tij deklaroi se “zbatimi i një projekti të tillë kërkon angazhim, dedikim dhe mbështetje nga kontraktorët dhe kolegët e TAP. Jam i kënaqur të ju pohoj se kontraktorët shqiptarë kanë demonstruar aftësinë e tyre të qëndrueshme për të përmbushur në kohë punën dhe me një rekord sa i takon standardeve të sigurisë”.

Në përfundim të fjalimeve, Kryeministri Rama, Ministri Gjiknuri, përfaqësuesit e TAP dhe kryebashkiakët e zonave ku kalon tubacioni vendosën firmën e tyre në mënyrë demonstrative mbi tubin e parë të mbërritur në portin e Durrësit.

Rreth 13.000 tuba do të përdoren për ndërtimin e tubacionit në Shqipëri. Ata janë prodhuar nga Kompania gjermane Salzgitter Mannesmann International GmbH. Tubat kanë udhëtuar për 11 ditë nga porti gjerman i Brake deri në Portin e Durrësit ndërsa tubat e parë kanë arritur në tokën shqiptare më 5 prill, ora 08:15. Anija e parë transportoi 1.390 tuba si dhe 73 bërryla, shkarkimi nga secila anije zgjat rreth 6 ditë. 90% e numrit të përgjithshëm të tubave që do të përdoren në seksionin shqiptar të Tubacionit do të jenë me gjatësi 18 metra, ndërsa 10% e tyre me gjatësi 12 metra. Diametri i brendshëm i secilit tub është 1,22 metra. Pesha e një tubi të vetëm prej 18 metrash është rreth 16.900 kg.

Informacion mbi projektin e Gazsjellësit TAP

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) do të nisë në afërsi të Kipoit në kufirin midis Turqisë dhe Greqisë, ku do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP).

Nga kjo pikë TAP-i do të vazhdojë në pjesën tokësore, duke përshkuar të gjithë territorin e Greqisë së Veriut, që është dhe pjesa më e gjatë, dhe më pas do të vazhdojë drejt perëndimit përmes Shqipërisë deri në bregdetin e Adriatikut.

Seksioni detar i gazsjellësit do të nisë në afërsi të qytetit shqiptar të Fierit, dhe do të kalojë nëpër Detin Adriatik për t’u lidhur me rrjetin italian të transportit të gazit në Italinë e Jugut.

TAP do të jetë afërsisht 878 km i gjatë (Greqi rreth 550 km; Shqipëri 215 km; Deti Adriatik 105 km; Itali 8 km). Pika më e lartë do të jetë 1800 metra mbi nivelin e detit në malet shqiptare, ndërsa pika më e ulët do të jetë 820 metra në thellësi të ujërave në Adriatik.

Gjurma e TAP-it përmes Detit Adriatik do jetë rreth 105 km e gjatë dhe do të shtrihet në shtratin e detit nga bregu shqiptar deri në atë italian.

energjia.al  18.04.2016

Tetë Mega volt-Amper (8 MvA) është transformatori energjetik, që Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike KEDS e ka instaluar sot në Komunën e Gjakovës.

Ky gjigand energjetik ka zëvendësuar atë të deritanishmi i sistemuar në vitin 1970.

Investimi në fjalë që është milionësh, do të furnizojë më tension kualitativ, furnizim stabil shumë biznese të Gjakovës, lagje si dhe fshatra të këtijë rajoni. Mbi të gjitha me investimin e sotëm, reduktimet e dhunshme të energjisë do ti takojnë të kaluarës.

Korab Zymeri – Menaxher i koordinimit Rele në KEDS deklaron se nga tani, zona të mëdha të këtij rajoni e veçanërisht biznese të suksesshme të kësaj ane, nuk do të kenë reduktime të dhunshme të cilat kanë ardhur si pasojë e ngrohjes së tepërt të transformatorit të vjetër i cili nuk ka mundur të kryejë funksionin e vet dhe ka rënë shpesh. “Së pari Fabrika e Tjegullave këtu është pëfituese meqë tani me këtë investim tonin, do ketë mundësi ta rris’ menjëherë kapacitetin prodhues. Pastaj bizneset si Fabrika e re “InterTex’, ‘Etc’-ja, Medicina e punës, Qabrati, Fabrika Kompresori dhe biznese të tjera do të jenë përfitues të drejtpërdrejt me energji stabile dhe me tension kualitativ” – thotë Zymeri.

Zymeri poashtu shton se shumë fshatra të thella të Gjakovës si dhe lagje të mëdha të këtij qyteti, do jenë përfitues nga ky investim gjigand i  KEDS-it.

‘Ponosheci, Cërmjani, Skivjani, Dobroshi, lagja ‘Dardania’ dhe të tjera pika në qytet janë përfitues të drejtpërdrejt. Kur përmendim këto zona dhe bizneset që i cekëm më lartë, atëherë lirisht mund të themi se investimi ynë, prekë drejtpërdrejt mijëra banorë, qindra ekonomi familjare dhe dhejtëra biznese të cilave ua lehtëson kualitetin e jetës dhe të punës’-përfundon Korab Zymeri – Menaxher i koordinimit Rele në KEDS.

Transformatori energjetik 8 MvA Mega volt-Amper, është vendosur në hapësirat e nën/stacionit 35/10kV në Gjakova 1 dhe është lëshuar n funksion menjëherë.

Efektet e para të këtij investimi do të ndjehen poashtu menjëherë tek qytetarët ndërsaqë ditë më parë, edhe numri një i Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, në një deklarim  ka çmuar lartë punën dhe investimet që KEDS po bënë në këtë pjesë të dukagjinit, duke thënë se pret që investime të tilla të vazhdojnë për çka sipas saj komuna e Gjakovës është çdoherë e gatshme të përgjigjet në lehtësimin e punës për KEDS-in.

Kryemistri Edi Rama u shpreh sot se kontrata që shteti shqiptar ka me TAP, po rishikohet, për të ndryshuar disa detaje në favor të shtetit shqiptar.

Kjo, pasi sipas kreut të Qeverisë, kontrata fillestare, që është nënshkruar nga “Qeveria Berisha” nuk ofton përfitime “simetrike”. Rama tha se shtetet e tjera në rajon ku kalon gazësjellësi marrin më shumë përfitime nga TAP sipas kontratës që ata kanë, e këtë duhet të bëjë edhe Shqipëria.

“Kemi çelur negociatat për të marrë një përfitim simetrik, sepse vendet e tjera kanë një përfitim simetrik dhe ne jo. Jemi të kënaqur që TAP na ka dëgjuar për këtë shqetësim dhe që kanë negociuar për një përfitim simetrik. Ky negocim do të mbyllet me sukses dhe përfaqësuesit e palës tjetër i falënderoj në raport me kërkesën tonë shumë legjitime”, u shpreh Rama.

Rama deklaroi se investimet që janë bërë nga projekti TAP ka sjellë zhvillimin e zonave ku “ku shteti më shumë se 20 vjet s’ka bërë asnjë investim”.

Këtu ai përmendi investimet në rehabilitimin e rrugëve dhe ndërtimin e urave, përfitimet e një pjesë të banorëve të zonave të ndryshme nga qeraja e tokës ku kalon gazësjellësi dhe investimet që ka bërë TAP në në rehabilitimin e shkollave, organizimin e fushatave për sigurinë, etj.

“Me fillimin e rrjedhjes së gazit në 2019, të ardhurat do të shumëfishoeht dhe në 20 vjet ekonomia shqipatre do përfitojë mbi 20 miliarde euro..Ajo që vlen të theksohet është se TAP nuk është për ne thjehst një investim në vetvete por një moment i rëndësishëm që na jep mundëisnë të shkojmë më tutje duke ndërtuar gazësjellësin adriatiko-jonian, një synim i joni që tani është pjesë e procesit të Berlinit”, shtoi Rama.

Ai foli edhe për tenderin e zonës së lirë ekonomike të Spitallës që pritet të rishpallet. Rama tha se zona e lirë ekonomike e Spitallës priten 1 mld lekë të injektuara në ekonomi dhe të paktën 15 mijë vende të mira pune.

Shqiptarja.com  18.04.2016

Çmimet e naftës ranë të hënën pasi takimi me eksportuesit kryesorë në Katar dështoi pa një marrëveshje për të ngrirë prodhimin, duke ‘bërë copash’ kredibilitetin e kartelit të prodhuesve të OPEC-ut dhe duke e lënë botën përplot tepri karburanti të padëshiruar.

Tensionet mes Arabisë Saudite dhe Iranit u fajësuan për dështimin, i cili ringjalli frikën e industrisë se prodhuesit e mëdhenj të kontrolluar nga qeveria do të intensifikojnë luftën e tyre për pjesën e tregut duke ofruar zbritje gjithnjë e më të thella.

Kontratat e së ardhmes për ytreguesin referencë për naftën e papërpunuar evorpiane , Brent ranë gati 6 për qind në tregtinë e hershme të hënën përpara se të rimëkëmben në 41.29 dollarë për fuçi, 4.2 për qind më poshtë mbylljes së tyre të fundit.

Kontratat e së ardhmes për treguesin ereferencë për naftën e papërpunuar amerikane, WTI ranë n 4.63 për qind në 38.49 dollarë për fuçi.

Çmimet e naftës kanë rënë rreth 70 për qind që nga mesi i vitit 2014, teksa prodhuesit kanë pompuar1 deri në 2 milion fuçi nafte në ditë përtej kërkesës, duke bërë që tanket e magazinimit në të gjithë botën të mbushen përplot me karburant të pashitur.

Ndërsa cmimet në rënie të naftës kanë dëmtuar të ardhurat e prodhuesve, duke ngushtuar buxhetet e eksportuesve të energjisë nga Rusia deri në Malajzi, nga ato po përfitojnë konsumatorët.

Revista Monitor,  18.04.2016

Ndërtimi i gazsjellësit TAP, tashmë ka nisur në Shqipëri dhe gjatë këtij viti është vlerësuar si një nga kontribuuesit që të sjellë ndikime pozitiv në ekonominë e vendit. Projekti, për Shqipërinë, jep disa fakte interesante, ja disa prej tyre :

-Rreth 13,000 tuba do të përdoren për ndërtimin e tubacionit në Shqipëri.

-Tubat janë prodhuar nga kompania gjermane Salzgitter Mannesmann International GmbH.

-Tubat kanë udhëtuar për 11 ditë nga porti gjerman i Brake deri në Portin e Durrësit.

-Tubat e parë kanë arritur në tokën shqiptare më 5 prill, ora 08:15.

-Anija e parë transportoi 1,390 tuba si dhe 73 bërryla

– Shkarkimi nga secila anije zgjat rreth 6 ditë.

-Sheshi kryesor i magazinimit është rreth 90.000 m2.

-90% e numrit të përgjithshëm të tubave që do të përdoren në seksionin shqiptar të Tubacionit do të jenë me gjatësi 18 metra, ndërsa 10% e tyre me gjatësi 12 metra.

-Diametri i brendshëm i secilit tub është 1,22 metra.

-Pesha e një tubi të vetëm prej 18 metrash është rreth 16.900 kg.

-Pesha e tubave të çelikut për seksionin prej 215 km në Shqipëri është rreth 126.000 tonë. Kjo është sa 17 herë pesha e strukturës prej çeliku në Kullën Eifel (7.300 tonë) në Paris.

-Një saldim i tubacionit ka gjatësi prej 3,83 m. Gjatësia e përgjithshme e saldimit për seksionin shqiptar të tubacionit është 16.5 km, që është pothuajse sa distanca nga Sheshi Skënderbej deri në Aeroportin e Rinasit.

-Veshja e jashtme është e përbërë prej tre shtresash polietilen (3LPE) me trashësi minimale veshjeje prej 3,3 mm dhe sasi të përgjithshme prej 825.000 m2, e barabartë me 120 fusha futbolli.

-Muret e brendshme të tubacionit janë të veshura me rrëshirë Epoksi. Qëllimi i saj kryesor është të reduktojë fërkimin e rrjedhjes së gazit dhe si rrjedhojë të kursejë energji në Stacionin e

-Trysnia maksimale e operimit në Stacionin e Kompresorëve është 95 bar, që është 50 herë më e lartë se trysnia e një gome makine.

-Toka e marrë përkohësisht për korridorin e punës së tubacionit është rreth 8.170 ha (81,7 km²) që është pothuajse sa dy herë sipërfaqja e qytetit të Tiranës.

-Toka e marrë në përdorim të përhershëm për 9 Stacionet e Valvulave të Bllokimit, 1 Stacion Kompresorësh, dhe 1 Stacion Matjesh është gjithsej 70 ha, që është e barabartë me sipërfaqen e 90 fushave futbolli.

-Volumi i gërmuar i kanaleve për seksionin e tubacionit prej 215 km në Shqipëri është 1.600.000 m³ që është e barabartë me rreth 2/3 e volumit të Piramidës së Keopsit në Egjipt.

Revista Monitor,  18.04.2016

Kompanitë e energjisë cuan në rënie aksionet evropiane për ditën e dytë radhazi pas bisedimeve të dështuara midis prodhuesve më të mëdhenj në Doha mbi marrëveshjen mbi kufizimin e prodhimit.

Stoxx 600 ka humbur 0.9 për qind në 339.77 në Londër. Treguesi referencë i kapitalit ra 0.4 për qind të premten, duke reduktuar përparimin e tij javor në 3.3 për qind. Aksionet evropiane, të cilat arrtiën nivelet e tyre më të larta në histori një vit më parë, po përpiqen fort të për të arritur një vrull të ri pas rigjallërimit prej gati 14 për qind që nga niveli i ulët i 11 shkurtit. Stoxx 600 është tregtuar në një gamë të ngushtë muajin e kaluar si pasojë e shqetësimeve të reja mbi perspektivën për rritjen globale dhe ka rënë më shumë se 7 përqind që nga fillimi i vitit.

Revista Monitor,  18.04.2016