Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Mbërrijnë në Durrës tubat e parë të TAP

Në Spitallë të Durrësit u zhvillua sot ceremonia e mbërritjes së ngarkesës së parë me tuba dhe makineri që do të përdoren për ndërtimin e segmentit të gazsjellësit TAP në Shqipëri. Në aktivitet ishte i pranishëm Kryeministri z.Edi Rama, Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri, përfaqësues të autoriteteve lokale, kontraktorë të TAP dhe zyrtarë të tjerë të shtetit shqiptar.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Kryeministri Rama shprehu kënaqësinë për faktin se përmes projektit të gazsjellësit TAP, Shqipëria do të kthehet në një nga arteriet energjitike në Evropë.

“Presim rritje progresive të ekonomisë. Nëse sipas një studimi të Universitetit të Oksfordit të 2013 që i jemi referuar, nga fillimi i punimeve për TAP deri në fund të 2018 parashihen 160 milionë euro rritje në prodhimin e brendshëm kombëtar, faza e parë e punimeve ka dëshmuar se impakti i parë është dhe do të jetë më pozitiv se kaq. Me fillimin e rrjedhjes së gazit në 2019 sipas këtij studimi të ardhurat do të shumëfishohen dhe në 20 vjet ekonomia shqiptare do të fitojë direkt mbi 1 miliardë euro. Shpresojmë që studimi të jetë konservativ dhe shifra të jetë më e madhe”, u shpreh Kryeministri Rama.

Z.Rama tha se kontrata e nënshkruar në vitet e kaluara me TAP nuk ka patur përfitime simetrike për Shqipërinë ashtu sikurse për vendet e tjera nga ku kalon projekti. Rrjedhimisht, ai lajmëroi se nga pala e TAP qeveria shqiptare ka gjetur gadishmërinë për të dëgjuar dhe negociuar një përfitim simetrik që për ne është i domosdoshëm për ta vënë Shqipërinë në të njëjtin nivel si të gjithë vendet e tjera.

“Jam besimplotë se ky negocim do të mbyllet me sukses. Dua të falenderoj përfaqësuesit e palës tjetër për gadishmërinë dhe ndjeshmërinë në raport me kërkesën tonë shumë legjitime”, u shpreh Kryeministri.

Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri deklaroi se ka patur shumë skeptikë për këtë projekt dhe dikur thuhej se nuk do mund të bëhej fare.

IMG-20160418-WA0002

“Jemi realist që gjërat po zhvillohen në terren dhe po ecin sipas një projeksioni të duhur. Kjo na bën krenarë edhe ne si shqiptarë, për shkak se një pjesë e mirë e aktivitetit po zhvillohet këtu. Ky është një lajm i mirë mbi të gjitha për vet Bashkimin Europian sepse po ndërtohet për herë të parë, ai që unë do ta quaja një projekt shekulli, një rrugë alternative e furnizimit me gaz për familjen evropiane”, u shpreh z.Gjiknuri.

Nga ana tjetër, vijoi z.Gjiknuri, projekti na jep mundësinë që të krijojmë një burim tjetër alternativ të energjisë që na mungon si gazi natyror. “Do të krijojmë një siguri më të mirë për energjitikën, përfshirë edhe vënien në punë të veprës që do ta quaja “fantazmë” të Termocentralit të Vlorës. Nuk ka patur shpresë ajo vepër por tashmë, me ardhjen e gazit në vitet e ardhshme ka mundësi që Shqipëria ta ketë një miks energjitik. Po punohet me masterplanin e gazit dhe ndërtimi i gazsjellësit e bën të mundur”, nënvizoi Gjiknuri.

Sipas tij, vetëm nga realizimi i 50-60% e aktivitetit të ndërtimit të rrugëve të aksesit janë hapur mbi 1000 vende pune direkte. “Vetëm punësimi direkt parashikohet 2 mijë vende pune, për të mos thënë për nënkontraktorë dhe shërbime të tjera që janë nga më të ndryshmet. Një zinxhir e tërë furnizimi i cili do të japë një impakt disa mijëra vende pune në Shqipëri”, tha Gjiknuri.

Ky patjetër duhet të jetë edhe një proces që i përket shqiptarëve, nënvizoi ministri, vërtet është një investim i huaj dhe është një investim i mirëpritur. “Ne do të bëjmë gjithçka që të përfitojmë maksimalisht dhe të ndihmojmë TAP-in në çdo drejtim, por nga ana tjetër edhe qytetarët shqiptarë duhet të ndjejnë vlerën e vërtetë të këtij investimi, duke qenë pjesë e sa më shumë ndërmarrjeve gjatë ndërtimit të këtij procesi”, insistoi z.Gjiknuri.

Drejtuesi i projektit TAP për Shqipërinë Shkëlqim Bozgo tha se “pas fillimit të punës për rrugët e aksesit dhe urat, në Korrikun e vitit të kaluar, mbërritja e tubacioneve dhe makinerive shënon fillimin e një tjetër faze edhe më dinamike të ndërtimit të gazsjellësit. Planifikojmë që në fillimin e gjysmës së dytë të këtij viti të fillojë ndërtimi i gazsjellësit përmes vendosjes së tubacioneve. TAP është një project madhor dhe zbatimi i tij me sukses do të kërkojë bashkëpunim efiçent të të gjithë aktorëve. TAP falënderoj autoritetet shqiptare në nivel local dhe qendror për mbështetjen që kanë dhënë”.

Drejtori menaxhues i projektit Karl Roberts në fjalën e tij deklaroi se “zbatimi i një projekti të tillë kërkon angazhim, dedikim dhe mbështetje nga kontraktorët dhe kolegët e TAP. Jam i kënaqur të ju pohoj se kontraktorët shqiptarë kanë demonstruar aftësinë e tyre të qëndrueshme për të përmbushur në kohë punën dhe me një rekord sa i takon standardeve të sigurisë”.

Në përfundim të fjalimeve, Kryeministri Rama, Ministri Gjiknuri, përfaqësuesit e TAP dhe kryebashkiakët e zonave ku kalon tubacioni vendosën firmën e tyre në mënyrë demonstrative mbi tubin e parë të mbërritur në portin e Durrësit.

Rreth 13.000 tuba do të përdoren për ndërtimin e tubacionit në Shqipëri. Ata janë prodhuar nga Kompania gjermane Salzgitter Mannesmann International GmbH. Tubat kanë udhëtuar për 11 ditë nga porti gjerman i Brake deri në Portin e Durrësit ndërsa tubat e parë kanë arritur në tokën shqiptare më 5 prill, ora 08:15. Anija e parë transportoi 1.390 tuba si dhe 73 bërryla, shkarkimi nga secila anije zgjat rreth 6 ditë. 90% e numrit të përgjithshëm të tubave që do të përdoren në seksionin shqiptar të Tubacionit do të jenë me gjatësi 18 metra, ndërsa 10% e tyre me gjatësi 12 metra. Diametri i brendshëm i secilit tub është 1,22 metra. Pesha e një tubi të vetëm prej 18 metrash është rreth 16.900 kg.

Informacion mbi projektin e Gazsjellësit TAP

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) do të nisë në afërsi të Kipoit në kufirin midis Turqisë dhe Greqisë, ku do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP).

Nga kjo pikë TAP-i do të vazhdojë në pjesën tokësore, duke përshkuar të gjithë territorin e Greqisë së Veriut, që është dhe pjesa më e gjatë, dhe më pas do të vazhdojë drejt perëndimit përmes Shqipërisë deri në bregdetin e Adriatikut.

Seksioni detar i gazsjellësit do të nisë në afërsi të qytetit shqiptar të Fierit, dhe do të kalojë nëpër Detin Adriatik për t’u lidhur me rrjetin italian të transportit të gazit në Italinë e Jugut.

TAP do të jetë afërsisht 878 km i gjatë (Greqi rreth 550 km; Shqipëri 215 km; Deti Adriatik 105 km; Itali 8 km). Pika më e lartë do të jetë 1800 metra mbi nivelin e detit në malet shqiptare, ndërsa pika më e ulët do të jetë 820 metra në thellësi të ujërave në Adriatik.

Gjurma e TAP-it përmes Detit Adriatik do jetë rreth 105 km e gjatë dhe do të shtrihet në shtratin e detit nga bregu shqiptar deri në atë italian.

energjia.al  18.04.2016