info@energjia.al

Ka shumë arsye për mungesën e zhvillimit të sektorit hidroenergjetik në Ballkan, përfshi këtu edhe Shqipërinë. Është Komisioni Europian që ka realizuar një studim mbi zhvillimin e sektorit hidroenergjetik e ku rendit potencialin e munguar, si dhe hapat që duhet të ndërmarrin qeveritë.

Për këtë qëllim, në fund të muajit mars, në Podgoricë pritet të mbahet takimi i parë ku do të marrin pjesë Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova, Serbia dhe Bosnjë – Hercegovina.

Sipas studimit, ndër arsyet e mungesës së zhvillimit janë: ndryshimet politike dhe institucionale që e kanë bërë planifikimin më të ndërlikuar, mungesa e financimeve nga ana e investitorëve, si dhe ndryshimet e shpeshta ligjore dhe kompleksiteti i tyre.

Ka pasur raste, thuhet në studim, që zhvillimi i tyre është penguar edhe nga shoqëria civile e organizatat joqeveritare (përfshi këtu edhe Shqipërinë) për shkak të ndikimit që mund të kishin në zonat e mbrojtura, parqet kombëtare etj.

“Nisur nga zhvillimi i mundshëm i këtij sektori mund të thuhet se në Ballkanin Perëndimor ka mundësi që të ngrihen rreth 350 projekte hidroenergjetike të gjelbra me kapacitet më të madh se 10 MW”, thuhet në studimin e realizuar nga KE-ja.

Qëllimi i tij është që të garantojë balancën e zhvillimit mes hidrocentraleve të mundshme që mund të ndërtohen dhe ndikimit sa më të ulët të tyre në mjedis.

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor (WB6), thuhet në studim, ka ende mundësi të pashfrytëzuara për të gjeneruar elektricitet nga burimet hidrologjike. Bazuar në disa burime vlerësohet se potenciali hidro i pashfrytëzuar varion nga 60-90%. Ka dallime të mëdha nga njëri shtet në tjetrin. Kështu për shembull, në Kosovë, sasia e instaluar nuk është më e madhe se 57 MW (0.7% e totalit të WB6), në Maqedoni kjo shifër është në 610 MW (7.2%) e totalit, në Mal të Zi në  676 MW (8.0%), në Shqipëri në 1,824 MW (21.6%), në Bosnjë – Hercegovinë në 2,139 MW (25.4%) dhe në Serbi në 3,122 MW (37.0%).

Kapaciteti total i instaluar në të gjashtë vendet e Ballkanit është 8,427 MW, nga të cilat 8,005 MW (95.0%) në 54 hidrocentrale me fuqi më të madhe se 10 MW, ndërsa pjesa e mbetur 422 MW (5.0%) janë fuqi e instaluar e 206 HEC-eve me fuqi më të vogël se 10 MW.

E pavarësisht këtyre shifrave këto impiante arrijnë të sigurojnë vetëm 5% të energjisë së gjeneruar.

Kjo tregon se edhe pse rajoni ka burime të mjaftueshme ujore, gjatë 25 viteve të fundit zhvillimi ka qenë i ulët, ai ka mbetur i skeduluar në strategji e dokumente kombëtare, edhe pse rajoni njihet për numrin e madh të ekspertëve të fushës.

Revista Monitor,  20.03.2017

Sasia e lartë e reshjeve gjatë dy javëve të para të Janarit ka përmirësuar ndjeshëm situatën hidroenergjitike në HEC-et e Kaskadës së Drinit. Bilanci energjitik është rritur me rreth 437.000 MWH.

Rezerva energjitike është shtuar me 368.000 MWh krahasuar me fundvitin e 2015-ës. Niveli i HEC Fierzës është rreth 11.32 metra më lartë se niveli më datën 31 Dhjetor 2015. KESH depozituar rreth 44.900 MWh në KEK në kuadër të marrëveshjes së përbashkët, ndërsa rreth 24.000 MWh janë prodhuar për zevendësimimin e sasisë së energjisë që ishte kontraktuar për tu importuar.

Aktualisht importi është ndalur dhe KESH po shfrytëzon maksimalisht prurjet në basenet e HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës, duke prodhuar energji me të gjithë agregatët disponibël në këto dy HEC-e për të plotësuar nevojat e vendit. HEC Fierza do të mbahet e stakuar për të rritur rezervën energjitike duke akumuluar prurjet (me përjashtim të rasteve kur sistemi do të kërkojë më shumë energji).

Nga të dhënat e Sektorit të Operimit dhe Monitorimit të kaskadës në KESH, rezulton që në orën 12:00 të datës 16 Janar 2016:

niveli i HEC Fierzë ishte 287.18 m dhe prurjet ishin rreth 800 m3/sek.

niveli në HEC Koman ishte 173.70 m dhe prurjet anësore janë rreth 350 m3/sek.

niveli në HEC Vau i Dejës ishte 75.01 m dhe prurjet anësore rreth 120 m3/sek.

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare garanton se situata është plotësisht nën kontroll.

energjia.al  18.01.2016

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare po ndjek nga afër situatën hidroenergjitike në vend me synim ruajtjen e kuotave në basenet ujëmbledhëse të HEC-eve të Kaskadës së Drinit dhe administrimin optimal të prurjeve.

Sasia e madhe e reshjeve që kanë shoqëruar 10 ditët e para të Janarit 2016 përmirësuan ndjeshëm bilancin energjitik të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, që llogaritet në rreth 287,370 MWh, nga të cilat 244,000 MWh janë reserve energjetike (niveli i HEC Fierzës është rreth 8 metra më lart se niveli më datën 31 Dhjetor 2015), rreth 31,120 MWh janë shkëmbyer me KEK në kuadër të marrëveshjes së përbashkët dhe 12,250 MWh janë prodhuar për zevendësimimin e sasisë së energjisë që ishte kontraktuar për tu importuar.

Në mbledhjen e fundit, Sekretariati Teknik i Komisionit të Posaçëm të Trajtimit të Plotave, rekomandoi që Kuotat në HEC Koman dhe Vau i Dejës të administrohen me tendencë ulje sipas parashikimeve të rregullores së trajtimit të plotave për periudhën në vijim. Sekretariati vlerësoi që përsa kohë të jetë e mundur HEC Fierzë të mbahet i stakuar me qëllim akumulimin e prurjeve dhe ritjen e reserves energjitike.

Të dhënat më të fundit të Sektorit të Operimit dhe Monitorimit të kaskadës në KESH, rezulton që në orën 09:00 të datës 11 Janar 2016:

  • Niveli i HEC Fierzë ishte 283.78 m dhe prurjet ishin rreth 500 m3/sek.
  • Niveli në HEC Koman ishte 175.20 m dhe prurjet anësore janë rreth 410 m3/sek.
  • Niveli në HEC Vau i Dejës ishte 75.79 m dhe prurjet anësore rreth 100 m3/sek.

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare garanton se situate është plotësisht nën kontroll. Aktualisht janë duke u shfrytëzuar me agregatët disponibël prurjet anësore në basenet e HEC-eve Koman dhe Vau i Dejës ndërkohë që HEC Fierzë mbahet i ndalur me qëllim grumbullimin e reserves ujore dhe lehtësimin e veprimeve operacionale për menaxhimin e situates në dy HEC-et e tjerë.

energjia.al  11.01.2016

WWF Rumania tha dje në një konferencë për shtyp se Rumania do të pezullojë projekte të reja hidroenergjetike në zonat e mbrojtura në një përpjekje për të ruajtur biodiversitetin . Këto të ashtuquajtura ” zonat e përjashtimit ” duhet të themelohen deri më 31 maj .

Qeveria ka planifikuar ndërtimin e mijëra e hidrocentraleve të vogla në të gjithë malet Karpate në Evropën Lindore duke kërcënuar qindra përrenj dhe lumenj , ka paralajmëruar për vite me rradhë WWF.

Rreth 20,000 rumunë kanë nënshkruar një peticion gjatë dy muajve të fundit duke i bërë thirrje qeverisë për të shpëtuar përrenjtë malorë.

Revista Monitor, 23.01.2014