info@energjia.al

Ka shumë arsye për mungesën e zhvillimit të sektorit hidroenergjetik në Ballkan, përfshi këtu edhe Shqipërinë. Është Komisioni Europian që ka realizuar një studim mbi zhvillimin e sektorit hidroenergjetik e ku rendit potencialin e munguar, si dhe hapat që duhet të ndërmarrin qeveritë.

Për këtë qëllim, në fund të muajit mars, në Podgoricë pritet të mbahet takimi i parë ku do të marrin pjesë Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova, Serbia dhe Bosnjë – Hercegovina.

Sipas studimit, ndër arsyet e mungesës së zhvillimit janë: ndryshimet politike dhe institucionale që e kanë bërë planifikimin më të ndërlikuar, mungesa e financimeve nga ana e investitorëve, si dhe ndryshimet e shpeshta ligjore dhe kompleksiteti i tyre.

Ka pasur raste, thuhet në studim, që zhvillimi i tyre është penguar edhe nga shoqëria civile e organizatat joqeveritare (përfshi këtu edhe Shqipërinë) për shkak të ndikimit që mund të kishin në zonat e mbrojtura, parqet kombëtare etj.

“Nisur nga zhvillimi i mundshëm i këtij sektori mund të thuhet se në Ballkanin Perëndimor ka mundësi që të ngrihen rreth 350 projekte hidroenergjetike të gjelbra me kapacitet më të madh se 10 MW”, thuhet në studimin e realizuar nga KE-ja.

Qëllimi i tij është që të garantojë balancën e zhvillimit mes hidrocentraleve të mundshme që mund të ndërtohen dhe ndikimit sa më të ulët të tyre në mjedis.

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor (WB6), thuhet në studim, ka ende mundësi të pashfrytëzuara për të gjeneruar elektricitet nga burimet hidrologjike. Bazuar në disa burime vlerësohet se potenciali hidro i pashfrytëzuar varion nga 60-90%. Ka dallime të mëdha nga njëri shtet në tjetrin. Kështu për shembull, në Kosovë, sasia e instaluar nuk është më e madhe se 57 MW (0.7% e totalit të WB6), në Maqedoni kjo shifër është në 610 MW (7.2%) e totalit, në Mal të Zi në  676 MW (8.0%), në Shqipëri në 1,824 MW (21.6%), në Bosnjë – Hercegovinë në 2,139 MW (25.4%) dhe në Serbi në 3,122 MW (37.0%).

Kapaciteti total i instaluar në të gjashtë vendet e Ballkanit është 8,427 MW, nga të cilat 8,005 MW (95.0%) në 54 hidrocentrale me fuqi më të madhe se 10 MW, ndërsa pjesa e mbetur 422 MW (5.0%) janë fuqi e instaluar e 206 HEC-eve me fuqi më të vogël se 10 MW.

E pavarësisht këtyre shifrave këto impiante arrijnë të sigurojnë vetëm 5% të energjisë së gjeneruar.

Kjo tregon se edhe pse rajoni ka burime të mjaftueshme ujore, gjatë 25 viteve të fundit zhvillimi ka qenë i ulët, ai ka mbetur i skeduluar në strategji e dokumente kombëtare, edhe pse rajoni njihet për numrin e madh të ekspertëve të fushës.

Revista Monitor,  20.03.2017

Korporata Elektroenergjetike greke “DEI” ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me shtimin e rasteve të vjedhjes së energjisë elektrike në vend. Sipas korporatës, gjatë vitit 2016 u evidentuan 10.616 raste të vjedhjes së energjisë, e llogaritur kjo në 1.640 gigaWat, ose 3.5% e të gjithë sasisë së prodhuar.

10 vite më parë, rastet e vjedhjes së energjisë llogariteshin në më pak se 500 në vit, ndërsa sasia e vjedhur ishte pothuajse e pallogaritshme.

Sasia e vjedhur e energjisë mjafton për të plotësuar nevojat energjetike pothuajse të të gjithë ishujve të Egjeut.

Vlera e energjisë së vjedhur llogaritet në 150-200 milionë euro në vit, të cilës nëse i shtohet edhe shuma e faturave të papaguara prej abonentëve të kësaj korporate gjatë 8 viteve të krizës që ka pllakosur vendin, shkon në më shumë se 1.8 miliardë euro, gjë që e bën DEI-n, një korporatë së cilës tregu i ka shumën më të madhe të borxheve në Europë.

Ndonëse ligji grek parashikon ndjekje penale për vjedhësit e energjisë, shumë pak vetë janë dërguar në burg, pasi pothuajse në të gjitha rastet, gjykatat kanë pranuar justifikimin se janë gjendja ekonomike dhe pamundësia për të paguar shkaktarë që i kanë detyruar të vjedhin energjinë.

Vjedhësit e energjisë janë kryesisht konsumatorë familjarë. Ata kanë të ardhura të ulëta dhe janë kryesisht grekë të varfër, shqiptarë, romë dhe emigrantë nga ish-Bashkimi Sovjetik, Pakistani dhe India, ndërsa nuk është vënë re thuajse asnjë rast i vjedhjes prej konsumatorëve të mëdhenj të energjisë ose bizneset.

Metodat më të përhapura të vjedhjes janë nëpërmjet vendosjes së magneteve pranë matësave elektrikë, ose lidhja drejtpërdrejt nga shtylla në banesë.

Për të shmangur vjedhjet, korporata ka vendosur të ndryshojë matësat, duke aplikuar teknologji dixhitale, si dhe një formulë matematikore matjeje. Në rastet që evidentohet vjedhje e energjisë, korporata thotë se do të vendosë gjoba të rënda ndaj kundërvajtësve.

Top Channel,  20.03.2017

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri organizojn në tryezën e diskutimit “Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të minierave dhe mineraleve – Projektligji i ri për Miniera dhe Minerale”.

Tryeza e diskutimit mbahet si aktivitet shtesë përpara dëgjimit publik që do të mbahet në Kuvend në fazat e ardhshme.

Në këtë fazë, tryeza qëllimisht po mbahet jashtë objektit të Kuvendit në mënyrë që diskutimi të tejkalojë natyrën formale të dëgjimeve publike dhe palë të ndryshme të kenë rastin të shtrojnë problemin nga këndvështrimi i tyre.

Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri është në fazën e hartimit të projektligjit për Miniera dhe Minerale.

Ky aktivitet i Komisionit, ka ardhur pas monitorimit të zbatimit të Ligjit Nr. 03/L-163 për Minierat dhe Mineralet ku u konstatua nevoja për një ligj të ri për Miniera dhe Minerale.

Me qëllim të përfshirjes së sa më shumë palëve në procesin e hartimit të këtij ligji dhe debatit mbi dispozitat e tij, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri organizojn në tryezën e diskutimit “Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të minierave dhe mineraleve – Projektligji i ri për Miniera dhe Minerale”.

Agjensia e lajmeve ekonomia, 20.03.2017

“Përmes stallës së lopëve më kalonte një kabllo dhe kur frynte era e kaplonte flaka stallën. Tani ndjehem i sigurt dhe rri pa frikë. Për punën që ka bërë KEDS-i në fshat e vlerësoj me notën 10 dhe e falënderoj shumë,”  thotë Zymer Merovci, banor i Dobërllukut.

Një punë e dukshme është bërë në  fshatin Dobërlluk të Vushtrrisë nga Kompania për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike- KEDS.

Nga këto investime të kompanisë, 201 familje të kësaj ane kanë zgjidhur problemet e mëdha energjetike që kishin me vite të tëra dhe kanë rritur sigurinë për kalimtarët.

Fshati ka marrë një pamje krejt të re dhe banorët shprehen tepër të entuziazmuar dhe falënderojnë KEDS-in që me këto investime u ndihmojnë shumë edhe në punët bujqësore.

“Veç  siguri që ka boll është, sepse kur frynte era telat binin në tokë dhe rreziku ishte tepër madh, e lene ma që na u ka përmisu tensioni dukshëm”, thotë Muharrem Kutllovci, banor i fshatit Dobërlluk të Vushtrrisë.

Gjatë realizimit të punimeve në këtë projekt është bërë implementimi i 124 shtyllave të tensionit të ulët, 30 shtylla të tensionit të mesëm, 6224m rrjet i tensionit të ulët dhe 945 m  rrjet i tensionit të mesëm. Gjithashtu është vendosur edhe një trafoblind, ku fuqia e transformatorit është 630 kVA.

Me vendosjen e kabllove bistekë për tensionin e ulët është rritur siguria energjetike për konsumatorët.

Në këto lokalitetet si edhe në të tjerat është bërë demontimi i rrjetit të vjetër që ka kaluar përmes  pronave private dhe është dislokuar  përreth rrugëve të lagjeve.

Ky është pjesë e investimeve që po bën KEDS-i për përmirësimin e shërbimeve të konsumatorëve anekënd Kosovës.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  20.03.2017

Pesë vjet pas ndërtimit, korporata elektroenergjitike ka arritur të gjejë një zgjidhje për të vënë në punë TEC-in e Vlorës.

I përfunduar në vitin 2012, një defekt në tubacionin e ujit, që shërben për ftohjen e turbinës ka mbajtur peng deri më sot veprën që i kushtoi buxhetit një kredi 130 milion euro.

Për 3 vite rresht, KESH bëri shpallje publike për të përzgjedhur një kompani e cila do të bënte vlerësimin e dëmit dhe koston e riparimit, por askush nuk pati interes për të marrë përsipër këtë çështje.

Të kontaktuar nga Televizionin Klan, zyrtarë të korporatës thonë se tashmë ekspertizën për defektin e ka marrë përsipër BERZH, i cili është dhe një nga financuesit e kredisë për TEC-in. Pas vlerësimit të dëmit, do të jetë gjykata e arbitrazhit që do të vendosë se kush është fajtori në dëmtimin e veprës, kompania italiane që realizoi ndërtimin, apo shteti shqiptar.

TEC- i Vlorës nuk arriti të punonte asnjë ditë, pasi menjëherë pas marrjes në dorëzim, pësoi defekt. Ende dhe sot mosmarrëveshja mes firmës Tecimont dhe Shqipërisë nuk ka marrë zgjidhje, pasi mungonte vlerësimi financiar i dëmit.

Deri sot kjo vepër nuk ka dhënë asgjë për ekonominë shqiptare, por i ka marre KESH –t çdo vit rreth 1 milion euro për procesin e mirëmbajtjes.

Tv Klan,  20.03.2017