info@energjia.al

Shoqëria civile i ka nisur një propozim Kuvendit të Shqipërisë për të ulur nivelin e taksimit mbi naftës, që është arsyeja kryesore se pse çmimet e karburantit në vend janë ndër më të shtrenjtat në Europë. Ky propozim synojn që të unifikojë 3 taksat e dedikuara në një taksë të vetme për naftën dhe ta uli nivelin e taksimit duke e çuar atë në nivele të krahasueshme me rajon.

Në shkresën që “Nisma Thurje”  i ka dërguar kryetarit të Kuvendit Z. Ilir Meta dhe gjithë krerëve të grupeve parlamentare, thuhet se një nga çështjet që kërkon vëmendje të menjëhershme nga ana juaj dhe e kolegëve tuaj është ajo e çmimit të karburantit për konsumatorët. Siç mund të jeni në dijeni, çmimi i karburantit në Bursat Ndërkombëtare ka pësuar një rënie të vazhdueshme, rënie e cila nuk është reflektuar fatkeqësisht në favor të konsumatorit.

Ditën e mërkurë, dt.15.03.2017 tregjet ndërkombëtare e kuotonin naftën bruto me 52 USD/Barrelë.

Ulja e çmimit në tregjet ndërkombëtare  u shoqërua edhe me uljen e çmimit të shitjes së këtij produkti për konsumatorët në të gjithë botën. Ulja e çmimit të naftës për konsum ka variuar nga 25% derinë 50%.

Ndërkohë që konsumatorët në të gjithë botën I janë gëzuar këtij oportuniteti, situata në Shqipëri qëndron pothuajse statike. Çmimi i karburantit pësoi vetëm një rënie prej 10% në fund të vitit të shkuar dhe tani është rikthyer sërisht në nivelet e mëparshme, paradoksalisht.

Kjo situate vjen si rrjedhojë e nivelit të lartë të taksimit të këtij produkti.

Situata me taksimin mbetet problematike dhe kërkon ndërhyrje urgjente në legjislacion. Duke u bazuar në situatën aktuale të furnizimit të qytetarëve me nënprodukte të naftës, ku pjesa më e madhe e tyre importohen nga jashtë vendit,  efektivisht në këtë moment që po flasim, nafta dhe benzina taksohen nëpërmjet 3 taksave indirekte të dedikuara te modelit akcizor:

  1. Akciza e naftës = 37lekë
  2. Taksa e Qarkullimit = 27lekë
  3. Taksa e Karbonit = 3 lekë

Pra në total taksimi akcizës sot efektivisht arrin në 67 Lekë për litër. Ndërkohë që përveç këtyre taksave të mësipërme aplikohet edhe Taksë Doganore në masën 10% te çmimit të blerjes  dhe 0.73 lekë shkojnë për tarifën e ngjyrosjes. Në fund shtohet edhe vlera e TVSH ne masën 20% te çmimit të shitjes.

Një nivel i tillë taksimi është më i larti në rajon dhe nuk korrespondon me të ardhurat e shqiptarëve. Më poshtë po Ju paraqesim një tabelë me të dhëna mbi nivelin aktual te taksimit akcizë që vendet e rajonit aplikojnë mbi nënproduktet e naftës për përdorim publik.

Nga ana tjetër cilësia e karburantit që tregëtohet në vendin tonë vazhdon të mbetet një problem madhor për qytetarët duke e shndërruar debatin për çmimin në një çështje akoma dhe më emergjente. Raportimet në të gjithë vendin tregojnë se nafta që tregtohet në pikat fundore përzihet me nënprodukte dhe niveli I parandalimit dhe ndëshkimit të këtij fenomeni është I ulët.

Nisma ka propozuar disa amendime të ligjit të përgatitur nga ekspertët e saj. Ky propozim synon që të unifikojë 3 taksat e dedikuara në një taksë të vetme për naftën dhe ta uli nivelin e taksimit duke e çuar atë në nivele të pranueshme për xhepat e shqiptarëve.

Më konkretisht:

Në DIREKTIVËN 2003/96/EC, Komisioni Europian ka përcaktuar kornizat e harmonizimit të strukturave te tarifimit akcizor të vendeve të Unionit. Bazuar në përcaktimet e bëra brenda kesaj directive, ne propozojmë variantin e tretë, i cili konsiston në faktin që akciza e naftës, taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit përmblidhen të treja në një taksë të vetme, e cila quhet Taksa e Karburantit.

Taksa e Karburantit është 46 Lekë/Litër, sa minimumi i parashikuar në direktivën 2003/96/EC të BE për taksat e nënprodukteve të naftës.

Revista Monitor,  15.03.2017

Thellohet skandali me kompaninë e nxjerrjes se naftës, Bankers Petrolium. Një tjetër raport i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore ka zbuluar se Bankers ka manipuluar dokumentacionin për të shmangur pagesën e takes se tatim-fitimit edhe për vitin 2012, duke përdorur të njëjtën skemë evazioni si në vitin 2011, vit për të cilin palët do të përballen në Arbitrazh.

AKBN thotë se nga një autidimi i saj rezulton se Bankers Petrolium ka raportuar vetëm humbje në bilancet e saj, vetëm për të mos paguar tatim fitimin në buxhetin e shtetit shqiptar.

Sipas AKBN janë afërsisht 130 milionë dollarë shpenzime të fryra për 2012-ën, e prej nga rezulton të jenë shmangur 30 milion dollarë taksa.

Këto para, në vend që të përfundonin në arkën e shtetit shqiptar, kanë përfunduar ne xhepat e Bankers Petrolium, drejtuesve e pronareve të saj.

Bashkë me vitin 2011, shuma që duhet t’i paguante Bankers shtetit shqiptar përllogaritet në 90 milionë dollarë, para me të cilat do të ishin shpërblyer edhe banoret e Zharrzës, të cilët thonë se Bankers u ka shkatërruar shtëpitë dhe të gjithë zonën, duke ua bërë jetën të pamundur.

Ekspertët e AKBN thonë se për këtë mashtrim Bankers ka kryer punime me kompani të treta pa zbatuar procedurat e tenderimit, por me prokurim të drejtpërdrejtë, duke shkelur kontratën.

Në këtë mënyrë, Bankers, sipas raportit të AKBN, i ka fryrë faturat e shpenzimeve në mënyrë fiktive.  E kontaktuar nga Televizioni Klan, Bankers i kundërshton pretendimet e palës shtetërore, dhe thotë se është në pritje të vendimit nga arbitrazhi ndërkombëtar për 2011-ën.
Por AKBN dyshon se kjo skeme është përdorur për 11 vjet me radhë dhe shumat që Bankers Petrolium do të duhej t’i kishte paguar shtetit shqiptar arrin në qindra milionë dollarë.

TV KLAN,  15.03.2017

Komisioni hetimor për çështjen ‘CEZ’, në bazë të konkluzioneve të hetimit dhe të ligjit për komisionet hetimore, do të referojë në Kuvend një raport me gjetjet gjatë hetimit të privatizimit të OSSH.

Shqiptarja.com zbardh konkluzionet e komisionit hetimor, të cilat komprometojnë rëndë pozitat e tre ish-ministrave të qeverisë ‘Berisha’, Ridvan Boden, Florion Mimën dhe Genc Rulin. Referuar konkluzioneve të hetimit, shkelja më e rëndë është konsumuar që me hapjen e procedurave të privatizimit. Qeveria ‘Berisha’ ka hapur procedurat për privatizimit të OSSH, të një shoqërie shtetërore me një vlerë kaq të madhe, në një kohë kur ende nuk kishte përfunduar inventarizimin i aseteve të OSSH.

“Hapja e procesit të OSSH është kryer në një kohë kur shoqëria, edhe pse ishte regjistruar në QKR, në qershor të vitit 2007, pra ligjërisht ekzistonte si entitet juridik, nuk kishte kryer asnjë aktivitet ekonomik në tregun e energjisë. Procedura për inventarizimin e aseteve të OSSH ka filluar në janar të vitit 2008, proces i cili nuk kishte përfunduar ende kur është nënshkruar kontrata e shitjes së aksioneve të OSSH. Procedurat e privatizimit filluan pa u saktësuar vlera e aseteve të shoqërisë. Fillimi i procedurave të privativit u krye pa ushtruar asnjë aktivitet në treguan e regjisë, pa u shpallur shoqëri me modelin e treguar të sapomiratuar, pa inventarë të saktë dhe me pasuri të paregjistruara në ZRPP, pa saktësuar të drejtat dhe detyrimet e saj, por është marrë bilanci i vitit 2007, i pa miratuar nga METE, pra pa u njohur vërtetësia e të dhënave të bilancit nga ekspertët e pavarur. Nga së më sipër konkludojmë se OSSH nuk ka qenë e gatshme për të filluar procesin e privatizimit”, thuhet në dokumentin me konkluzionet e hetimit.

Pasojat
Sipas komisionit hetimor këto veprime kanë krijuar një dëm prej 2.5 miliardë lekë. “Gjatë përgatitjes së tenderit dhe gjatë fazës së negocimit me urdhra të ministrave të METE dhe me vendime të Këshillit të Ministrave (VKM nr. 218, dt. 06.03.2009), janë kryer veprime për sistemin e aseteve, për procese që ligjërisht nuk ishin provuar përpara procedurave të privatizimit. Kjo ka dhënë efekte negative në rënien e vlerës së aksioneve të OSSH nga 8.5 miliardë lekë në 5.9 miliardë lekë. Për këtë pjesë, ne si komision mendojmë se përgjegjësi penale mbajnë Genc Ruli dhe Mimoza Vokshi”, thuhet në konkluzionet e hetimit.

Tenderimi
Komisioni ka konstatuar shkelje të rënda edhe gjatë procesit të tenderimit. Qeveria dhe METE kanë marrë kompetencat e ERE, duke ndryshuar deklaratën rregullatore, duke favorizuar CEZ, me anë të rritjes së çmimit të energjisë me 32 %. “Ne si komision hetimor kemi konkluduar se, inicimi i METE për ndryshimin e VKM 835, dt. 12.06.2008, me shkresën nr. 8153, datë 9.9.2008 për ndryshimin e propozuar si dhe miratimi i VKM nr. 1268, 17.09.2008, janë bërë në kapërcim të kompetencave të tyre pasi kanë lejuar ndryshime në parametrat kryesore të kuadrit ligjor rregullator, të cilat përcaktohen vetëm nga ERE si autoritet shtetëror i pavarur rregullator për sektorin e energjisë elektrike. Këto veprime ngarkojnë me përgjegjësi personat dhe organet shtetërore përkatëse propozuese dhe miratuese. Propozimi për lejimin e ndryshimit të këtyre treguesve të deklaratës rregullatore ka krijuar terrenin e përshtatshëm për favorizimin e ofertuesve sikurse ka ndodhur gjatë vlerësimit të ofertave dhe në vijim gjatë zbatimit të marrëveshjes. E thënë troç, vendimet e Këshillit të Ministrave kanë favorizuar në mënyrë të padrejtë, në dëm të interesave të Shqipërisë, kompaninë fituese. Kjo gjë konstatohet lehtë edhe nga qëndrimi zyrtar i ERE, e cila me shkresën nr. 719, dt. 14.11.2008, ka vlerësuar se kërkesat e paraqitura nga CEZ, duke kërkuar ndryshimin e treguesve sjell rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët fundorë në nivel prej 32 %, përtej niveleve të parashikuara në deklaratat rregullatore”, thuhet në konkluzionet e komisionit hetimor.

Shkelja e parë
Qeveria ‘Berisha’ ka hapur procedurat për privatizimit të OSSH, me një vlerë kaq të madhe, në një kohë kur ende nuk kishte përfunduar inventarizimin i aseteve të OSSH.

Favorizimi
Qeveria dhe METE kanë marrë kompetencat e ERE, duke ndryshuar deklaratën rregullatore, duke favorizuar CEZ, me anë të rritjes së çmimit të energjisë me 32 %.

Edhe në fazën e miratimit të raportit nga KVO kemi shkelje të tjera. Shpallja fituese e kompanisë CEZ në këtë proces tenderimi nga KVO si dhe miratimi i raportit nga KVO për shpalljen fituese të ofertës së paraqitur nga CEZ është bërë në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, duke dëmtuar rëndë interesat e shtetit.

Pranimi i të gjitha kërkesave të ofertuesit CEZ, nga komisioni i negocimit, ka prekur kushtet minimale të detyrueshme të performancës teknike, duke favorizuar në mënyrë të padrejtë CEZ. CEZ, ku ka hyrë në procesin e konkurrimit ka dhënë një ofertë krejtësisht të ndryshme nga oferta e miratuar e shitjes së aksioneve. CEZ kërkoi rritjen e çmimit të energjisë në masën 32 %, duke sjellë 11 miliardë lekë të ardhura në vit në favor të CEZ. Kjo ka sjellë një dëm prej 58 miliardë lekë.

Nuel Nik Kalaj rezulton se ishte personi që përcillte të gjitha kërkesat e CEZ tek institucionet shqiptare për favorizime të ndryshme. Me ndërhyrjen e Kalajt, ish-kryefinancieri Ridvan Bode del edhe garant i skemës së favorizimit të CEZ me anë të njohjes së rritjes së borxhit të keq nga 4 për qind në 16.85 për qind. Me shkresën Nr. 4512 / 3, datë 5. 04. 2012, Ridvan Bode mbështet Entin Rregullator të Energjisë për t’i njohur rritjen e borxhit të keq CEZ, në kundërshtim me dy vendime qeverie.

Pasojat financiare nga rivlerësimi i borxhit të keq për periudhën 31.12.2007-31.05.2009, sipas deklaratës rregullatore, kanë qenë 13 miliardë, 603 milionë, 704 156 lekë, ose e thënë ndryshe, rreth 110 milionë dollarë, me vlerën aktuale të shkëmbimit të valutor.

Dëmi i shkaktuar nga ngritja e çmimit në pakicë 2010-2014 vendimi i ERE-s nr. 100, datë 15.02.2010, çmimi mesatar rritet nga 8,45 në 9,53 lekë, është 200 milionë dollarë.

Dëmi i shkaktuar nga kompensim, diferencë tarifë shitjeje energjie për vitin 2009 është 379 milionë lekë.
Dëmi i shkaktuar për efekt të ndryshimit të tarifës së shitjes së energjisë në vitin 2011, për efekt të ndryshimit të humbjeve nga 32% në 34,65%, është 2 miliardë, 871 milionë, 232 mijë e 945 lekë, ose 22 milionë dollarë.

Dëmi i shkaktuar për efekt të ndryshimit të tarifës së shitjes së energjisë për vitet 2012-2014, për efekt të rritjes së borxhit të keq, nga 14% në 16,85% është 8 milionë dollarë.

Dëmi i shkaktuar për efekte të rregullimit të çmimit të marrëveshjes është rreth 12 milionë dollarë.

Dëmi i shkaktuar për falje të detyrimeve, kredi afatgjate me anë të një VKM-je që ju keni marrë në vitin 2009, shkon diku te 50 milionë dollarë.
Janë përfshirë në proces negocimi të personave të palicencuar, me kontrata negocimi vetëm me kompaninë CEZ sikurse është rasti i shtetasit Nuel Nik Kalaj. Veprimet e tyre kanë ndikuar në vendimmarrjen e institucioneve publike në dëm të interesave të shtetit shqiptar dhe në dobi të interesave të kompanisë CEZ.

Edhe në periudhën fundore te heqjes së licencës së CEZ janë gjetur plot shkelje që kanë të bëjnë me sjelljen e institucioneve shqiptare në favor të CEZ. Mos veprimi i strukturave përkatëse pas heqjes së licencës, duke mos vlerësuar asetet e CEZ, mosveprimi i fillimit të procedurave të shpronësimit të aksioneve dhe mos ndërmarrja e verimeve për hapjen e procesit gjyqësor ndërkombëtar, kanë dëmtuar rëndë pozitat e shtetit shqiptar në arbitrazhin ndërkombëtar, filluar vetëm nga CEZ dhe jo nga pala shqiptare.

Shqiptarja.com  15.03.2017

Çmimet e naftës iu larguan niveleve minimale të tre muajve të fundit gjatë së mërkurës, si pasojë e të dhënave të fundit. Numrat flasin për një rënie të papritur të rezervave të naftës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga ana tjetër, Goldman Sachs vlerëson me tone pozitive përpjekjet e OPEC për të balancuar tregun nëpërmjet strategjisë së shkurtimit të prodhimit. Në çelje të sesionit të sotëm, nafta Brent e Londrës kuotohej pranë nivelit të 51.63 dollarëve për fuçi, pasi preku nivelin e 50.92 dollarëve për fuçi gjatë sesionit të djeshëm.

Nga ana tjetër, nafta bruto amerikane kuotohej pranë nivelit të 48.53 dollarëve për fuçi gjatë orëve të para të sesionit të sotëm.

Rezervat e naftës në Shtetet e Bashkuara ranë ndjeshëm gjatë javës së kaluar, me 531 mijë fuçi, ndërkohë që tregjet prisnin një rritje me 3.7 milionë fuçi.

Scan Tv,  15.03.2017

Importet e karburanteve shënuan rënie pikiatë në muajin janar të vitit 2017. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në janar u importuan vetëm 21,899 tonë karburante me një rënie 38 për qind në krahasim me janarin e vitit 2016.

Burimet nga tregu pohojnë se shkak për këtë rënie është bërë vënia në funksion e rafinerisë së përpunimit të naftës, ARMO. Uzina  që u rikthye në punë në fund të vitit të kaluar duket se ka përmbushur gati 30 për qind të kërkesës vendase për naftë. Vetëm Kastrati rezulton të ketë importuar naftë në janar, ndërsa operatorët e tjerë janë furnizuar në tregun e brendshëm.

Sipas të dhënave që ka nxjerrë më herët Ministria e Energjetikës, nëse ARMO vendos në punë të gjithë kapacitetin përpunues, atëherë nafta e gatshme për konsumin do të jetë 375 mijë tonë në vit, duke përmbushur gati 60% të konsumit në vend, i cili vlerësohet rreth 550-600 mijë tonë në vit.

Në shtator të vitit të kaluar, Jonian Refining dhe Trading Co. –IRTC SH.A ka marrë në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO. Kompania rezulton e regjistruar offshore në Ishujt britanikë Virgin.

Në të njëjtën periudhë, prodhuesi më i madh i naftës në vend Bankers Petroleum njoftoi se nënshkroi një marrëveshje me Jonian Refining dhe Trading për t’i shitur asaj deri në 65 për qind të prodhimit të naftës bruto te IRTC.

ARMO, përveçse plotëson një pjesë të madhe të nevojave për naftë të tregut vendas, gjithashtu është furnitor i madh i këtij produkti në Kosovë dhe në Shqipëri.  Ky fenomen ndodhi edhe në vitin 2015, kur kompanitë TPD Drilling dhe Deveron shfrytëzuan nëpërmjet qirasë rafinerinë. Nafta e vendit, gjatë 2015-s plotësoi gati me 25 për qind të nevojave të konsumit vendas, teksa ishte produkti më i eksportuar në Kosovë.

Por pavarësisht këtij rendimenti, qeveria shqiptare ka vështirësi të mbledhë akcizën e prodhimit vendas të naftës, në krahasim me naftën e importit. Në vitin 2015, të ardhurat nga akciza shënuan rënie dyshifrore kryesisht nga ky fakt.

Një tjetër shqetësim është cilësia e naftës për të cilën nuk ka informacion nga autoritetet nëse është e një niveli të pranueshëm për t’u përdorur nga automjetet.

Revista Monitor,  15.03.2017

importi-i-karburanteve-ne-janar