info@energjia.al

Ekspertët besojnë se faktori kryesor që po përcakton tendencën e kursit të këmbimit valutor është gazsjellësi TAP. Ilirjan Ligaçaj, drejtor i departamentit të Thesarit në Union Bank, shprehet se çmimi qëndrueshëm i lekut që nga viti i kaluar i detyrohet kryesisht një oferte të lartë të euros në tregun valutor.

Monedha e përbashkët europiane në fund të vitit të kaluar dhe në shkurt të këtij viti ka prekur nivelet më të ulëta në pothuajse një dekadë, duke ju afruar nivelit të 134 lekëve. Ulja e qëndrueshme e euros poshtë vlerës 140 lekë, që ka qenë një lloj reference gjatë viteve të fundit, ka ngritur diskutime lidhur me faktorët e këtij dobësimi.

Ky zhvlerësim sigurisht nuk përjashton edhe konjukturën ndërkombëtare, ku normat negative të interesit dhe programi stimulit sasior kanë krijuar një bollëk likuiditeti në monedhën e përbashkët të eurozonës. Megjithatë, ekspertët shprehen se kursi po ndikohet qartësisht edhe nga faktorë të brendshëm, sidomos të krahut të ofertës.

Zoti Ligaçaj shprehet se deri tani kursi nuk ka luhatje që mund të lidhen me faktorë të kërkesës, që, sipas tij, ngelet në nivele pak a shumë të zakonshme. Deri tani, operatorët e tregut nuk konstatojnë ende as ndonjë ndikim të madh nga Banka e Shqipërisë, përmes ankandeve për blerjen e valutës. Ndonëse një gjë e tillë është paralajmëruar, për momentin, ky nuk po rezulton si faktor përcaktues.

Ekspertët presin që kursi i këmbimit mes euros dhe lekut të vazhdojë të ruajë raporte të ngjashme edhe gjatë muajve në vazhdim, me përjashtim të skenarëve të paparashikuar. Oferta e lartë e euros është reflektuar qartë edhe në strukturën e depozitave të sistemit bankar. Vitin e kaluar e gjithë shtesa e depozitave erdhi nga euro, çka bëri që për herë të parë depozitat në valutë të mbizotërojnë, me rreth 52.5% të totalit.

Ekspertët besojnë se, një plan për uljen e euroizimit të ekonomisë, në thelb do të reduktojë kërkesën për euro dhe do të ndikojë në një forcim të mëtejshëm të lekut në kursin e këmbimit valutor.

Dobësimi i euros ndaj lekut në ekonominë shqiptare është bërë për herë të parë i qëndrueshëm që nga kriza e vitit 2008, kur u zhvendos nga niveli fillestar 125 lekë në rritje pranë nivelit 140 lekë. Për momentin, kursi është stacionuar në intervalin mes 135 dhe 136 lekëve dhe, sipas ekspertëve, ka pak të ngjarë të ketë luhatje të ndjeshme, sidomos në kahun rritës.

Një strategji për të reduktuar euroizimin, në funksion të uljes së ekspozimit të ekonomisë ndaj rrezikut të kursit të këmbimit dhe rritjes së efikasitetit të politikës monetare, në parim do të ndikonte në një zhvlerësim të mëtejshëm të euros dhe do ta forconte lekun. Për një ekonomi me deficit të pozicionit të jashtëm, si ajo shqiptare, në vija të përgjithshme një çmim i monedhës vendase do të kishte më shumë përfitime, sesa humbje.

Scan Tv,  16.03.2017