info@energjia.al

Shqipëria është një nga vendet ku ndërtimi i një gazsjellësi është më shumë se sfidues. Terreni i vështirë, paqartësia e pronësisë mbi tokën, burimet njerëzore të pakualifikuara e të pamësuara me standarde janë vetëm një pjesë e problemeve.
Megjithatë, për banorët e zonave nga ku kalon gazsjellësi, kjo është një mundësi për zhvillimin e ekonomive të tyre familjare.
Por, si po punon projekti në terren? Si po ngrihen standardet? Cilat janë përfitimet ekonomike të drejtpërdrejta apo edhe indirekte?
“Monitor” sjell një reportazh mbi ecurinë e projektit në rajonin e Korçës

Nga Elona Bedalli

Dylbere Pino, 64-vjeçarja nga fshati Shtyllë, 35 kilometra nga Korça, nuk ka nevojë për një plan biznesi apo për një studim tregu, për të kuptuar se mundësia që po i vjen duhet kapur në ajër.
Pak metra larg shtëpisë së saj, po ngre një restorant dhe disa dhoma akomodimi. Një pjesë e punimeve janë realizuar, por për ta përfunduar e më pas mobiluar ashtu thjesht, siç e do zona, do të duhen më shumë para. Është një grua e guximshme dhe me ndihmën edhe të pjesës tjetër të familjes, do ta çojë deri në fund investimin. Ka vendosur që të shesë 16 lopë (nga 93 që ka në total) që prej më shumë se 16 vitesh e kanë ndihmuar të krijojë ekonominë e shtëpisë.

Në fshatin Shtyllë jetojnë 17 familje. Dikur, në kohën e komunizmit, në të strehoheshin familjet e persekutuara, disa të njohura edhe për shqiptarët.
Ky fshat, sikundër edhe të tjerë, qëndrojnë të izoluar për shumë kohë nga moti i ftohtë, ku shpesh dëbora mezi shkrin në mars.
Kalimi i tubave të projektit të gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline duket se iu ka dhënë disi shpresë banorëve të këtyre zonave, për të pasur më shumë të ardhura.

Rruga tjetër e amortizuar dhe e rrezikshme ishte bërë prej vitesh pengesë për ta. Por, tani, Korça mund të arrihet fare mirë për rreth 45 minuta, nga rreth dy orë që bëhej më parë, falë investimit që është bërë për krijimin e infrastrukturës ndihmëse për të shtruar më pas tubat e TAP-it që do të mbërrijnë deri në Çorovodë.
Tashmë ka përfunduar faza e parë për ndërtimin e rrugëve dhe urave ndihmëse. Të dhënat zyrtare flasin për rindërtimin e rreth 58 km rrugë, dy urave të reja dhe rehabilitimin e 40 të tillave. Në fazën e ardhshme është parashikuar rehabilitimi i rreth 120 km rrugë, do të kryhet kryesisht nga një kontraktor vendas i kontraktorit të TAP Spiecapag, AlbStar. Qarqet përfituese janë: Korça, Berati dhe Fieri.
Por, nuk është vetëm kjo. Si për banorët e Shtyllës, ashtu edhe ata të Vithkuqit, një tjetër proces i rëndësishëm është shitja dhe blerja e tokës. Kjo ka qenë një sfidë e madhe edhe për vetë shoqërinë TAP, e cila mori përsipër që të krijonte një bazë të saktë të dhënash për pronësinë mbi tokën. Të dhënat zyrtare flasin për përditësimin e dokumentacionit të 13,000 parcelave me një sipërfaqe prej 17,000 hektarësh, përgjatë gjithë gjurmës së gazsjellësit TAP në Shqipëri. Numri i përfituesve është rreth 25,000.

Alketa Zallemi është koordinatorja e projektit TAP për rajonin e Korçës. Ajo thotë se është bërë një punë e madhe me fshatarët e zonave nga ku do të kalojnë tubat e gazsjellësit. Çdo ditë udhëton disa kilometra nga Tresteniku (fshati i parë nga kalon gazsjellësi në kufi me Greqinë) e deri në Shtyllë (aty ku Korça ndahet me Skraparin) për t’u takuar me persona që ndikohen nga ndërtimi i gazsjellësit. Alketa tregon se familjeve të prekura iu janë dhënë në dorë dokumentet e tokës dhe se nuk kanë munguar edhe rastet e dëmshpërblimit kur punimet kanë prekur të mbjellat e tyre. “Çdo rast i është referuar qendrës, – tregon ajo, – dhe ne jemi munduar të gjejmë zgjidhje që shkojnë në dobi të komunitetit, pasi ky është edhe një nga prioritetet e projektit”.

Pjesa më e madhe e familjeve të zonave nga ku do të kalojnë tubat e TAP-it në rajonin e Korçës, por edhe më tej jetojnë me tokën bujqësore.
Të dhënat zyrtare nga projekti tregojnë se janë afërsisht 8,800 ngastra toke të ndikuara gjithsej në Shqipëri, nga të cilat rreth 1,300 parcela të ndikuara për rrugët dhe urat ndihmëse; rreth 7,500 parcela të ndikuara për të drejtën e kalimit, tubacionin, stacionet e kompresorëve dhe instalime të tjera mbi tokë. Ndërsa sipërfaqja e tokës së marrë përkohësisht për korridorin e punimeve të tubacionit është rreth 8,170 hektarë.
Për kreun e njësisë administrative në Vithkuq, Altin Prifti, procesi i regjistrimit të tokave do të ndihmojë banorët, pasi kështu pasuria e tyre merr vlerë dhe mund të shërbejë edhe për të ardhmen për t’u shitur apo për t’u dhënë me qira.
Pak kohë më parë, në një intervistë për “Monitor”, kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, tha se TAP ka një rëndësi të veçantë për Korçën. “Ka filluar aktualisht një procedurë punësimi për punëtorët e pakualifikuar nga kontraktorët e TAP në fshatrat e prekura, pjesë e Bashkisë së Korçës dhe jo vetëm.

Ky projekt madhor krijon mundësi të reja për zhvillimin ekonomik të zonës. Një shembull për t’u përmendur është restoranti i ri i hapur në fshatin e thellë malor Shtyllë.
Biznesi vendas po përfiton duke u ofruar shërbime kontraktorëve të TAP (restorante, hotele, etj.).
Ka ndikim në përmirësimin e infrastrukturës rrugore të Korçës dhe po jep kontribut për sigurinë në rrugë (shembull është rruga Vithkuq – Shtyllë – Panarit, dhe disa rrugë të tjera që janë duke u rehabilituar).

Po përmirësohen të dhënat kadastrale në zonat përgjatë gjurmës së gazsjellësit (regjistrimi fillestar i Vithkuqit dhe Mollaj).
Bashkia e Korçës është në diskutime me kompaninë mbi zbatimin e investimeve sociale dhe mjedisore, që do të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës për komunitetin përgjatë gjurmës së TAP. Gjithashtu janë në shqyrtim disa projekte konkrete të rëndësishme për fshatrat pranë gjurmës së gazsjellësit propozuar nga bashkia”, tha z. Filo.

Standardet, shqiptarët pa përvojë

Vetëm pak kilometra larg Korçës, në një fushë të madhe, shihen disa objekte të ngritura e të sistemuara me një rend të përpiktë. Është kampi i kontraktorit të TAP-it, kompanisë franceze Spiecapag, në të cilin ndodhen mjediset e punëtorëve, drejtuesve, vendqëndrimet e makinerive apo edhe një pjesë e tubave. Për të hyrë në këtë kamp, rregullat janë shumë të rrepta, sepse mbi të gjitha, TAP vlerëson standardet. Ato duhet të ndiqen me rigorozitet nga të gjithë dhe pa përjashtim.

Teksa identifikohemi dhe zbresim nga makina, orientohemi se duhet të shkojmë dhe të paraqitemi te një prej mjediseve të krijuara për të bërë trajnime. Për disa minuta, si vizitorë, njihemi me projektin, me kushtet bazë të sigurisë, me standardet që duhet të zbatojmë, por mbi të gjitha sesi duhet të sillemi dhe të veprojmë në kantierin e ndërtimit, aty ku duhet të shmangim çdo rrezik, si dhe të orientohemi në mënyrë të sigurt.
Drejtuesit e projektit, përfaqësues të kompanisë franceze Spiecapag, na tregojnë se duhet të kemi veshjet e duhura për të ndjekur nga afër zbatimin e projektit dhe të zbatojmë me përpikëri orientimet që do të na jepen. Inxhinierët na shpjegojnë se të punosh në Shqipëri për të ndërtuar një gazsjellës është një sfidë e vërtetë. “Është ndoshta një nga terrenet më të vështira për të ndërtuar një gazsjellës, – thonë ata. – Terreni, në disa zona është tepër malor dhe duhet të bëhet kujdes për të zbatuar me kujdes projektin, si dhe për të instaluar duke garantuar të gjitha standardet tubat”.

Nga ana tjetër, në Shqipëri, projekti kalon në disa zona me karakter bujqësor, duke e bërë më sfiduese punën, pasi do të duhet të tregohet kujdes për dëmet që shkaktohen në bujqësi, si dhe për marrëdhëniet me fermerët.
Nuk duhet harruar edhe fakti se në Shqipëri gjendet edhe pika më e lartë nga ku do të kalojë gazsjellësi me gjatësi 878 km (Greqi 550 km; Shqipëri 215 km; Deti Adriatik 105 km; Itali 8 km; ~1.5 km mikro tuneli në hyrjen në tokë) e që është 1,800 metra mbi nivelin e detit dhe ndodhet në Çorovodë.

“Kjo është sfida jonë më e madhe, – shprehen inxhinierët dhe drejtuesit e projektit”. Teksa i pyes për punëtorët shqiptarë, më thonë se ata janë bashkëpunues dhe punojnë fort, por nuk kanë përvojë dhe duhet trajnim i shpeshtë i tyre.
“Një ndërtim i tillë po ndodh për herë të parë në Shqipëri dhe është e natyrshme që të mungojnë njohuritë, të mungojë përvoja. Kjo na bën ne që të jemi të kujdesshëm dhe të trajnojmë shpesh stafin shqiptar. Por, kjo do t’ju vlejë shumë atyre. Është një investim i mirë për të ardhmen dhe mund ta vënë në shërbim. Janë njohuri të marra dhe të vëna në zbatim që shërbejnë si një CV e mirë për çdo punonjës, kontraktor, nënkontraktor që është zgjedhur të punojë me Spiecapag në këtë fazë të projektit”.

Në Greqi, shpjegojnë inxhinierët, terreni është më i lehtë sesa në Shqipëri pasi shtrihet kryesisht në zona fushore.
Teksa bëhemi gati që të lëmë kampin, drejtuesit që na shoqërojnë nuk harrojnë të na japin me vete edhe ushqimin që do të duhet ta konsumojmë së bashku me punëtorët, pasi për ta po afronte koha e pushimit. E, në fakt, ushqimi për të gjithë sigurohet me ‘katering’ nga kompani lokale. Shërbimi ka rritur numrin e të punësuarve në zonë dhe siguron të ardhura edhe për banorët e fshatrave nga ku sigurohen produkte të ndryshme.
Teksa marrin rrugën për të shkuar në zonën ku po punohet për vendosjen e tubave, shohim edhe mbërritjen e makinave transportuese që i sjellin. Edhe në këtë rast, masat e sigurisë janë të larta. Mjetet e transportit që transportojnë tubat shoqërohen gjithmonë nga dy makina të Policisë së Shtetit për të shmangur krijimin e trafikut, por edhe për të siguruar mbarëvajtjen e procesit. Transporti sigurohet nga një shoqëri shqiptare, “Diamanti”, e cili duket se po bën një punë të mirë, pasi ka arritur të sigurojë mbarëvajtjen e procesit pa incidente.

Kur mbërrijmë në zonën ku ka nisur shtrimi i tubave shohim numrin e madh të makinerive të posaçme për çdo proces. Nuk mungojnë as ato që bëjnë pastrimin e tubave nga mbetjet e baltës apo pluhurave. Inxhinierët na tregojnë se janë diku rreth 300 makineri të rënda që shërbejnë për transportin e tubave, për vendosjen e tyre në tokë, për kalibrimin e tyre, për procesin e ngjitjes (saldimin), etj. Çdo gjë e programuar dhe e mbikëqyrur me rreptësi, pasi gabimet nuk falen, aq më tepër kur kemi të bëjmë me sasi të mëdha gazi që do të transportohet që nga Deti Kaspik.
Ajo që na bën përshtypje janë standardet me të cilat punohet, që për ne shqiptarët shpesh tingëllojnë të huaja. “Falë zbatimit të tyre, ne deri tani kemi arritur një proces që po zhvillohet në termat kohorë të kërkuar dhe pa asnjë incident”, sqarojnë inxhinierët, që kryesisht janë të huaj.
Makineritë që gjenden në terren për të bërë të mundur nga A-ja te Zh-ja vendosjen e tubave janë të teknologjisë së fundit dhe këtu duket edhe përvoja e madhe që kompania franceze Spiecapag ka në ndërtimin e gazsjellësve.

Një tjetër veçori e standardeve që po përdoret për ndërtimin e këtij gazsjellësi është edhe kujdesi që po tregohet për tokën në gjurmën e kalimit të tubave. Nga ana e TAP-it punohet që sasitë e dherave (ato që janë të pasura nga ana minerale dhe që shërbejnë për të mbjellat) që grumbullohen nga gërmimi për shtrimin e tubave të ripërdoren. Gjatë kohës së punimeve, këto sasi grumbullohen në vende të posaçme dhe pastaj përdoren për mbulimin e tubave. Në to është e lejueshme të mbillen bimësi të ndryshme, por jo pemë me rrënjë të thella, pasi në të kundërt dëmtohen tubat, thellësia e lejuar është deri në një metër.

Të punësuarit, një “konglomerat” kulturash

Për ndërtimin e gazsjellësit Trans Adriatic në Shqipëri, aktualisht janë të angazhuar në mënyrë direkte rreth 2000 punonjës, nga të cilët rreth 86% janë shqiptarë dhe indirekt numri rritet deri në rreth 2,700. Përveç punëtorëve të angazhuar për punimet e ndërtimit, kategoritë e tjera që kanë një numër të madh punonjësish të angazhuar janë siguria teknike, ekspertiza sociale dhe mjedisore, si dhe trashëgimia kulturore. Shifrat janë të përafërta, pasi mungon një studim i detajuar, veçanërisht për ata që janë të angazhuar në shërbimet e nënkontraktuara që ofrohen në dobi të këtij projekti.

Megjithatë, duhet thënë se që në fillim të këtij projekti, me marrëveshjet ndërshtetërore, vendet nga ku kalojnë tubacionet janë angazhuar që të garantojnë pjesëmarrje të lartë si të kompanive lokale, ashtu edhe të punonjësve vendas. Këtë gjë e ka bërë edhe Shqipëria. Megjithatë, vendi ynë ka një specifikë disi ndryshe, duke qenë se nuk ka pasur më parë përvojë të tillë të ngjashme, pasi ka qenë i izoluar nga rrjetet ndërkombëtare, qoftë të gazit apo edhe të naftës. Ne nuk kemi njerëz me përvojë në ndërtimin e këtyre veprave dhe për këtë është dashur që të shpenzohet më shumë kohë për trajnimin e punëtorëve.

Inxhinierët e Spiecapag tregojnë se kryesisht shqiptarët angazhohen në terren, në ato veprimtari që nuk kërkojnë shumë aftësi dhe përvojë. “Punëtorët shqiptarë janë të mirë, bashkëpunues, mësojnë shpejt, por nuk kanë shumë njohuri me standardet”, thonë ata.
Kjo është një nga arsyet se përse për një sërë procesesh tejet specifike janë angazhuar punëtorë të huaj, të pajisur me aftësitë dhe certifikimet e kërkuara. Ajo që mund të themi pa frikë është se TAP, i ngjan një “konglomerati” të vogël, pasi në të ka rreth 25 kombësi. Në Shqipëri janë të angazhuar francezë, portugezë, belgë, kolumbianë, britanikë, holandezë, filipinas, peruanë, kamerunas, indonezianë, gjermanë, indianë, amerikanë, kanadezë, italianë, grekë, malajzianë, irlandezë, spanjollë, maqedonas, kroatë, boshnjakë, austriakë, australianë, skocezë e natyrisht edhe shqiptarë.

Numri i punonjëseve femra është ndjeshëm në minorancë. Ato kryesisht punojnë në administratë.
Njëri prej inxhinierëve tregon se në vendet e tjera, numri i femrave që angazhohen në këto projekte është i madh, kryesisht në Amerikë, apo edhe Kanada. Megjithatë, një pjesë e proceseve janë të automatizuar dhe realizohen kryesisht nga makineritë dhe për këtë arsye, numri i punonjësve nuk është shumë i madh.

Ajo që vura re ishte se çdo proces i veçantë u besohej specialistëve me origjinë të ndryshme, për shkak të përvojës. Kështu kanadezët, britanikët, skocezët kryesisht janë të angazhuar në proceset mbikëqyrëse. Kolumbianët njohin mirë punën në terren të vështirë dhe në lartësi; italianët kanë përvojë në proceset e shtrimit të tubave nën ujë; filipinasit, malajzianët, peruanët kryesisht në shtrimin e tubave, në saldimin e tyre apo edhe në kalibrim, së bashku me spanjollët, ndërsa indianët janë kryesisht të specializuar në punët inxhinerike dhe ato me teknologjinë.
Për shqiptarët, bashkëpunimi me këta specialistë merr vlerë, pasi fare mirë mund të konsiderohet si një investim për të ardhmen. Dhe e ardhmja flet padyshim me gjuhën e këtyre projekteve, me ndikim ndërkombëtar e gjeostrategjik.

Mbështetja e komunitetit, rishikimi i marrëveshjes rrit fondin

Marrëveshja e rishikuar mes shtetit shqiptar dhe projektit TAP parashikon ndër të tjera, edhe rritjen e investimeve në komunitet, me një vlerë financiare që llogaritet nga 7 në 14 milionë euro. Gentian Selmani, menaxher për investimet sociale në TAP, thotë se projektet do të identifikohen dhe zbatohen duke marrë në konsideratë nevojat dhe mendimin e vetë përfituesve, banorëve në këto zona dhe do të jenë të harmonizuara me planet e zhvillimit të autoriteteve vendore dhe qendrore.

Nëpërmjet investimeve sociale dhe mjedisore, TAP synon t’i gjendet pranë komuniteteve përgjatë gjurmës së gazsjellësit duke:
-Përmirësuar kushtet e tyre të jetesës – nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturave që ndikojnë në krijimin e një të ardhme më të mirë;
-Ngritur dhe duke rritur aftësitë lokale – mbështetja e mundësive afatmesme / afatgjata në sektorët përkatës, që janë në dobi të banorëve pranë gjurmës së gazsjellësit;
-Zhvilluar mjetet e jetesës – duke u fokusuar kryesisht në bujqësi, blegtori, burimet natyrore, mjedisin dhe turizëm; dhurime dhe ndihmë në raste emergjencash.
Aktualisht ka përfunduar rikonstruksioni i palestrës së shkollës së Semanit në Fier dhe kanë nisur punimet për rikonstruksionin e plotë të dy shkollave të tjera: shkolla 9-vjeçare Grecalli (Fier) dhe shkolla e mesme në qytetin e Bilishtit, duke përfshirë edhe palestrën e kësaj shkolle.
Me qëllim mbështetjen dhe zhvillimin e turizmit në Skrapar, duke bërë harmonizimin e punimeve të projektit me nevojat lokale, vitin e kaluar përfundoi rindërtimi i urës pranë spitalit në qendër të Çorovodës dhe janë drejt përfundimit dy pikat panoramike nga ku mund të soditen nga sipër kanionet e lumit Osum, që janë një pasuri e çmuar lokale dhe kombëtare.

Gjithashtu janë shumë pranë fillimit të punimeve një sërë investimesh të tjera si rehabilitimi i ujësjellësit të Mbrostarit që do të përmirësojë furnizimin me ujë për 5 fshatra, rikonstruksioni i plotë i dy shkollave dhe ndërtimi i një kopshti të ri në Urën Vajgurore, rikonstruksioni i plotë i dy shkollave dhe një kopshti në Berat, rehabilitimi i një muzeu shumë të rëndësishëm në Korçë, etj.
Përgjatë gjurmës së gazsjellësit janë zhvilluar aktivitete të ndryshme për të rritur ndërgjegjësimin mbi sigurinë rrugore dhe sigurinë teknike, ku kanë marrë pjesë nxënës nga rreth 17 komunitete të ndryshme.

Si pjesë e përpjekjeve për të ndihmuar në krijimin dhe rritjen e aftësive njerëzore dhe ekspertizën në sektorin e gazit në Shqipëri, krahas mundësive të tjera, TAP ka krijuar programin e praktikave profesionale, duke iu dhënë mundësi studentëve të ekselencës në ciklin master të mësojnë, duke punuar në TAP. Studentët përfitojnë nga përvoja më e mirë ndërkombëtare që po zbatohet gjatë punimeve për ndërtimin e gazsjellësit.
Janë ende në vlerësim dhe së shpejti nis zbatimi i programeve në fushën e bujqësisë, turizmit dhe granteve të vogla të orientuara drejt rritjes së punësimit dhe zhvillimit ekonomik.

Përfitimet e marrëveshjes së rishikuar

Marrëveshja e rishikuar e vendit pritës mes Shqipërisë dhe projektit të gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline mori miratimin e Kuvendit.Ndryshimet kryesore kanë të bëjnë me shprehjen e vullnetit të TAP për:
– Rishikimin e periudhës së stabilitetit fiskal, që i jep të drejtën shtetit shqiptar të marrë më shumë tatimfitimi, e cila përgjatë kohëzgjatjes operacionale të projektit pritet të ketë efekt pozitiv për shtetin shqiptar prej rreth 60 milionë eurosh; – Rritjen e investimeve në komunitet nga 7 në 14 milionë euro;
– Dyfishimin e fondeve për trajnime në sektorin e gazit natyror, nga 350,000 euro në 700,000 euro;
-Memorandumin e Mirëkuptimit, që synon të mbështesë kompaninë e sapokrijuar Albgaz (Operatori i Sistemit të Transmetimit të Gazit në Shqipëri), në aftësimin e saj për të qenë pjesë e ofrimit të shërbimeve të mirëmbajtjes për TAP në fazën operacionale.
Në vitin 2012, qeveria shqiptare e asaj kohe, hyri në bisedime me gazsjellësin Trans Adriatic Pipeline (projektin) duke supozuar se mes Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë do të lidhej dhe nënshkruhej një marrëveshje me qeveritë e vendeve pritëse, e cila më pas do të depozitohej pranë parlamenteve përkatës për ratifikim.
Ndërsa në prill 2013, Parlamenti shqiptar nënshkroi Marrëveshjen Krahasuese.
Më pas, në dhjetor të 2013-s, edhe Parlamenti grek ratifikoi Marrëveshjen e Vendit Pritës.
Kjo marrëveshje është tejet e rëndësishme për të gjitha shtetet, pasi përmes saj përcaktohen përfitimet dhe detyrimet nga ky projekt, i cili do të ndikojë jo pak në ekonomitë e këtyre vendeve, veçanërisht atë të Shqipërisë dhe Greqisë, si dy vende nga ku kalon më shumë ky projekt.

TAP në shifra

Gjatësia e gazsjellësit 878 km
• Greqi 550 km; Shqipëri 215 km; Deti Adriatik 105 km; Itali 8 km (~1.5 km mikro tuneli në hyrjen në tokë)
• Pika më e lartë: 1,800 metra në Shqipëri
• Pika më e ulët: 820 metra në thellësi të detit Adriatik

Kapaciteti

10 bcm/vit, mjaftueshëm gaz për të furnizuar rreth 7 milionë familje.
Diametri: 1.2 m (48 inç) në pjesën tokësore; 0.91 m (36 inç) në pjesën detare.

Situata fillestare

Dy stacione kompresorësh (një në Kipoi, Greqi dhe një në Fier, Shqipëri) dhe rrjedhje e kundërt fizike e integruar.

Situata kur zgjerohet

Më shumë se 20 bcm/vit kapacitet, duke instaluar dy stacione të tjera kompresorësh, një në Serres, Greqi dhe një në Bilisht, Shqipëri.

Lidhjet

Infrastruktura me të cilën do të lidhet TAP-i: TANAP Gazsjellësi Trans Anatolian, SNAM në Itali dhe mund të lidhet me Interkonjektorin Greqi-Bullgari (IBG) dhe Gazsjellësin Jonian Adriatik (IAP).

Afatet Kohore

Gusht 2015 – filluan punimet që i paraprijnë ndërtimit në Shqipëri
Verë 2016 – përfundoi shpallja e kontratave kryesore
Maj 2016 – filloi ndërtimi i tubacionit dhe instalimeve mbi tokë
Dimri 2017/ fillimi i 2018 – nisja e ndërtimeve në pjesën detare të gazsjellësit
2019 (në fund të vitit)– përfundon ndërtimi dhe kryhen testimet
2020 – gazi i parë / TAP nis veprimtarinë

Aksionerët

BP (20%), SOCAR (20%), Snam (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%)

Investimi në Shqipëri

Në Shqipëri do të investohen afërsisht 1.5 miliardë euro, që përfshijnë kostot e tubave dhe gjithë pajisjeve e makinerive të nevojshme për ndërtimin e gazsjellësit.

Gazsjellësi TAP në Shqipëri

-Rreth 13,000 tuba, me gjatësi 18 dhe 12 metra dhe me diametër 1.2 m, do të përdoren për ndërtimin e seksionit tokësor prej 215 km në Shqipëri.
-Pesha e një tubi të vetëm prej 18 metrash është rreth 16,900 kg
-Pesha totale e tubave për seksionin tokësor në Shqipëri është rreth 116,184 tonë.
-Trysnia maksimale e operimit në Stacionin e Kompresorëve është 97 / 147 bar.
-Volumi i gërmimeve për segmentin shqiptar është përafërsisht 1,300,000 m³.

Përfitimet nga TAP-i në Shqipëri

-E vendos Shqipërinë në hartën europiane të energjisë
-Rrit rëndësinë rajonale dhe gjeostrategjike të vendit dhe kontribuon në integrimin tregtar dhe fizik të Shqipërisë në Europë
-Lehtëson zhvillimin e infrastrukturës energjetike të vendit dhe tregun e brendshëm të energjisë
-Promovon zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të punës
-Nxit Investime të Huaja Direkte.
-Përmirëson infrastrukturën rrugore dhe sigurinë rrugore të Shqipërisë.
-Përmirëson të dhënat kadastrale në zonat përgjatë gjurmës së gazsjellësit.
-Investimet sociale dhe për mjedisin do të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës për komunitete përgjatë gjurmës së TAP.

Ndërtimi i pjesës tokësore të Gazsjellësit në Shqipëri

-86 km nga korridori i kalimit përgjatë gjurmës së gazsjellësit janë pastruar
-76 km tuba janë vendosur në varg
-60 km tuba janë salduar
-60 km janë hapur kanale për futjen e tubave
-49 km tubacion është ulur poshtë në kanal
-49 km tubacion i bashkuar poshtë në kanal
-43 km nga tubacioni është mbuluar nëntokë
-1.4 km nga korridori i punimeve është kthyer në gjendjen e mëparshme
-86% e tubave (179 km) dhe 83% e bërrylave (665 njësi) kanë mbërritur në sheshin kryesor të magazinimit në Durrës.

Rrugët dhe Urat Ndihmëse në rajonin e Korçës, Beratit dhe Fierit

• 100% e punimeve të fazës së parë të Rrugëve dhe Urave Ndihmëse kanë përfunduar (ecuria e kombinuar e rrugëve dhe urave)
• Janë rindërtuar rreth 58 km rrugë, janë ndërtuar 2 ura të reja dhe janë rehabilituar 40 ura ekzistuese
• Faza e dytë e punimeve, që përfshijnë rehabilitimin e rreth 120 km rrugë, do të kryhet nga një kontraktor vendas i kontraktorit të TAP Spiecapag, AlbStar.

Punësimi

• Aktualisht rreth 2,700 persona punojnë direkt dhe indirekt për projektin TAP në Shqipëri
• Rreth 86% e punonjësve janë shqiptarë

Procesi i Blerjes dhe Servitutit të Tokës (LEA)

Kryer në përputhje me standardet ndërkombëtare të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim
• 8,800 ngastra toke të ndikuara gjithsej në Shqipëri (shifër e përafërt)
• Rreth 1,300 parcela të ndikuara për Rrugët dhe Urat Ndihmëse
• Rreth 7,500 parcela të ndikuara për të Drejtën e Kalimit, Tubacionin, Stacionet e Kompresorëve dhe Instalimet e tjera mbi tokë.
• Toka e marrë përkohësisht për korridorin e punimeve të tubacionit është rreth 8,170 ha.
• Toka e blerë përgjithmonë për 8 Stacionet e Valvulave të Bllokimit dhe për Pikën Daljes në det, 1 Stacion Kompresorësh dhe 1 Stacion Matjesh është gjithsej 70 ha.
• Rreth 80% e parcelave janë siguruar nëpërmjet marrëveshjeve vullnetare – 100% paguar.
• Rreth 20% e parcelave janë siguruar nëpërmjet shpronësimit – afërsisht 50% paguar.
Përmirësimi i të Dhënave Kadastrale • Dokumentacioni i 13,000 parcelave është përditësuar dhe përmirësuar, 17,000 hektarë.
• 25.000 është numri i përafërt i përfituesve.

Kontraktorët kryesorë të TAP-it në Shqipëri

• Shoqëria e përbashkët Gener 2 – Sicilsaldo: kontraktor për rehabilitimin e Rrugëve Ndihmëse dhe Urave në Shqipëri.
• Spiecapag: Kontraktor EPC për ndërtimi e dy loteve tokësore në Shqipëri (215 km gjithsej)
• Shoqëria e përbashkët Renco SpA – Terna SA: Kontraktor EPC për stacionet e kompresorëve të projektit.
• Saipem SpA: Kontraktor EPCI për seksionin detar, nënujor të projektit.
• ABKons: për vlerësimin, shpalljet publike dhe këshillimin publik për raportin VNMS. Aktualisht po punon edhe për Blerjen dhe Servitutin e Tokës, për të siguruar të drejtën e kalimit në Shqipëri, si dhe po ndihmon me procesin e marrjes së lejeve.
• Ka një sërë kompanish të tjera shqiptare që po punojnë si nënkontraktorë (AlbStar, Diamant Logistics, Startrans, Pelikan, Sterkaj, Albarent, Kuel, Vagalat, Gjoka, Doko, etj.)

Revista Monitor,  22.04.2017

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, tha se sektori energjetik në Kosovë mbetet ende i brishtë për shkak të dy termocentraleve të amortizuara.

Sipas tij investimet e realizuara pritet të sjellin përmirësime për jetën e qytetarëve. “Viti 2017 duhet të jetë një vit kthese për sektorin e energjisë pasi Kosova duhet të vazhdojë të punojë për përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian. Kjo ka të bëj me zhvillimin ekonomik por edhe me përmirësimin e cilësinë e jetës. Miratimi i ligjeve të reja për energji elektrike si dhe strategjia për energji elektrike janë të arritura kaq të rëndësishme për krijimin e themeleve për të gjitha zhvillimet në sektorin energjetik”, tha ambasadori amerikan në Prishtinë.

Që prej përfundimit të luftës në Kosovë, vendi është përballur me mungesën e energjisë elektrike për shkak të, siç është vlerësuar, ‘termocentraleve të vjetruara dhe problemeve me rrjetin energjetik’.

Zyrtarisht thuhet se prej vitit 2003 deri më 2016, në termocentrale janë investuar mbi 400 milionë euro, por vlera e donacioneve të huaja nuk është bërë e njohur.

Qeveria e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë në Kosovë thanë se sektori energjetik mbetet prioritet dhe një “Strategji e Energjisë për vitin 2017 -2026”, synon që ta stabilizojë furnizimin me energji elektrike në vend, me kosto të përballueshme, me rritje të pjesëmarrjes së burimeve të ripërtëritshme, si dhe integrim në tregun regjional.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se miratimi i strategjisë ka qenë hap i domosdoshëm, pasi energjia paraqitet një ndër prioritetet kryesore për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social të Kosovës.

“Dhe ky është treguesi më i mirë që ne mund të arrijmë rezultate të cilat i synojmë, që Kosova është një vend dhe shtet stabil, një shtet ku mund të zhvillohen investime të volitshme, një shtet miqësore për investime. Dhe një shtet që mund të sigurojë të gjithë investitorët që të vijnë dhe të tregojnë vetëm këtu”, tha kryeministri Mustafa.

Në anën tjetër, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka thënë se reforma e sektorit të energjisë, që mundëson transformimin e tij dhe vënien e bazës së qëndrueshme për zhvillimin ekonomik, është e vizionuar në pesë objektiva, që sjellin investime prej 3 miliardë eurosh.

Ndërkaq, si lajm pozitiv për këtë sektor ministri Stavileci, e vlerësoi miratimin e pakos se tretë të ligjeve për energji vitin e kaluar në Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, këto ligje, janë në përputhje të plotë me direktivat e Bashkimit Evropian dhe i hapin rrugë liberalizimit të tregut.

“I hapin rrugën që të liberalizohet tregu, të liberalizohen çmimet dhe krijon mundësi që ne të kemi një treg konkurrues të energjisë elektrike gjë që është synim jo vetëm i Kosovës por i gjitha shteteve të rajonit”.

Ndryshe, përkrahje autoriteteve vendore, sa i përket investimeve në sektorin energjetik, konkretisht në ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese, siç është projekti i Termocentralit “Kosova e Re”, i ka dhënë Banka Botërore dhe përfaqësues të zyrës se Bashkimit Evropian në Kosovë.

Autoritetet në Kosovë kanë nisur prej vitesh një projekt për ndërtimin e një termocentrali të ri me një kapacitet prej afro 500 megavatësh. Ndërtimi i termocentralit ‘Kosova e Re’ pritet të nisë vitin e ardhshëm, dhe ka pasur paralajmërime se ai do ta nxjerrë nga përdorimi Termocentralin ‘Kosova A’, i cili është ndërtuar në vitet e 60-ta të shekullit të kaluar.

Telegrafi,  19.04.2017

INSTAT publikoi sot të dhënat për rritjen ekonomike të vitit 2016-s, e cila tejkaloi pritshmëritë, duke u konfirmuar në nivelin e 3.46%.

Megjithatë, ajo që bie në sy është se gjatë vitit të lënë pas, vërehet një ndryshim në strukturën e sektorëve më dinamikë të ekonomisë shqiptare.

Ndërsa turizmi, shërbimet dhe ndërtimi kanë njohur rritje, për herë të parë një tjetër sektor, ai i energjisë elektrike, ka pasur një impakt vendimtar në përshpejtimin me 6.5 pikë përqindje të rritjes ekonomike, krahasuar me 2015-n.

Sektori energjetik, kontributi i të cilit ka qene zakonisht negativ, është shndërruar në një motor të rritjes ekonomike, duke shënuar një rritje prej 30% gjatë 12 muajve të fundit. Përsa i përket tremujorit të fundit të 2016-s, rritja është edhe më spektakolare, prej 62%.

Konsolidimi i reformës energjetike, reduktimi i humbjeve në rrjet, rritja e investimeve (450 milion euro në tre vitet e fundit), kanë sjellë të gjitha një klimë shumë më pozitive në këtë sektor. Si rrjedhojë e rritjes së vetëmjaftueshmërisë energjetike të Shqipërisë, rritja e eksportit të energjisë dhe si rrjedhojë edhe rritja e punësimit në këtë sektor, kanë dhënë një kontribut vendimtar në rritjen e dinamizmit ekonomik gjatë 2016.

Përveç energjisë, rritje kanë njohur edhe eksportet, me 16% gjatë tremujorit të katërt të 2016, ndërsa ka njohur rritja me 2.47% edhe konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi.

Rritja ekonomike prej 3.46 është më e larta që prej minimumit historik të 2013-s, kur rritja prej vetëm 0.9% ishte më e dobëta që prej vitit 1997.

energjia.al  04.04.2017

Instituti për Politika Zhvillimore, INDEP në bashkëpunim me Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, kanë mbajtur tryezën diskutuese “Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të minierave dhe mineraleve – Draft-Projektligji i ri për Miniera dhe Minerale”.

Kjo tryezë mblodhi deputetë, përfaqësues të organizatave jo qeveritare, përfaqësues të kompanive dhe palë të ndryshme të interesuara për ta diskutuar këtë draft-projektligj para se të mbahet dëgjimi publik formal në Kuvend.

Kjo tryezë ofroi mundësi që palë të ndryshme të interesit dhe ekspertë përkatës të kësaj fushe t’i japin vlerësimet dhe vërejtjet e tyre për draft-projektligjin e ri, në mënyrë që të mos ketë nevojë për ndryshime dhe përplotësime të këtij ligji më vonë.

Tryeza u hap nga Drejtori Ekzekutiv, Burim Ejupi, i cili tha se INDEP ka përkrahur përherë nismat ligjore me analizat dhe sugjerimet e Institutit dhe mëton të ofrojë hapësirë për diskutim të palëve të ndryshme për diskutimin e këtyre nismave ligjore.

Në fjalën e saj hyrëse, deputete dhe kryesuese e grupit punues për hartimin e Projektligjit për Miniera dhe Minerale, Sala Berisha Shala, së pari falenderoi INDEP për përkahjen e vazhdueshme që i ofron Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë dhe Industri.

Ajo tha se pas monitorimit që ky komision i ka bërë zbatimit të ligjit ekzistues për Miniera dhe Minerale, në bazë të takimeve me palët e interesit dhe të tjera, ka rezultuar se ky ligj ka qenë duke u zbatuar por se ka pasur nevojë për ndryshime.

Andaj, sipas saj, ata kanë vendosur ta hartojnë një ligj të ri, por që bazohet në ligjin ekzistues. “Ne kemi identifikuar bukur shumë elemente që i mungojnë këtij ligji, ose që duhet të ndryshohen apo plotësohen.

Rekomandimet e dala nga raporti i grupit punues si çështja e garancionit, parqeve nacionale, One Stop Shop-it e çështjeve të tjera që s’kanë qenë të rregulluara me ligjin ekzistues, janë përfshirë në këtë draft-projektligj për miniera dhe minerale.”  shtoi znj. Shala-Berisha.

Më tej, znj. Shala-Berisha tha se ky zhvillimi i sektorit për miniera dhe minerale është shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit dhe se ky ndryshimet e bëra dhe të bartura në draft-projektligj mëtojnë ta lehtësojnë qasjen e kompanive dhe bizneseve në këtë sektor.

Përfaqësuesi i Komisionit të Pavarura për Miniera dhe Minerale, Musa Shabani, tha se KPMM e ka mandatin e tij për ta zbatuar ligjin në terren, rrjedhimisht është zbatuesi kryesor i ligjit; agjenci e pavarur e formuar prej Kuvendit.

“Vazhdimisht gjatë raportimeve në Kuvend, ne i kemi ngritë shqetësimet e bizneseve minerale për vështirësinë e zbatimit të disa pikave në këtë fushë. Çështja e garancionit – bizneset e reja që hyjnë së pari në këtë sektor, për të marrë licensën është dashur që të garantojnë me shuma të mëdha të parave për rikultivimin e mjedisit të shfrytëzuar gjatë aktivitetit të këtyre bizneseve. Kjo ka qenë barrë e rëndë për bizneset.” tha Shabani.

Sipas tij, ky draft-projektligj do të sigurojë që garancionet do të bëhen në përputhje me projektet e parapara për shfrytëzim dhe nuk do të kërkojë që investuesit të lënë gjysmën e pasurisë së tyre për ta marrë një licensë.

Për më shumë, u pa më se e duhur dhe lehtësuese nisma për One Stop Shop, që do të lejonte eliminimin e procedurave të gjata nga një institucion në tjetrin për sigurimin e dokumentacioneve, që përmes One Stop Shop-it do të themelohet një institucion i vetëm që do t’i ofrojë të gjitha shërbimet e nevojshme në një vend.

Ndërkaq, Skender Sallahi, përfaqësues nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik është angazhuar që sektori mineral të zhvillohet sa më optimalisht dhe racionalisht për shfrytëzimin e resurseve duke pasë parasysh edhe mbrojtjen e ambientit. Sipas tij, është e nevojshme që draft projektligji të sigurojë një kuadro ligjore për zhvillimin e këtij sektori.

Në anën tjetër, Blerim Grainca, anëtar i komisionit të ZHEIT, tha se është e nevojshme që ky sektor të rregullohet njëherë e përgjithmonë dhe ta lehtësojë marrjen e licensën për operatorët vendorë dhe ata potencialë përmes eliminimit të burokracisë që duhet kaluar për ta marrë licensën. Për më shumë ai tha se duhet të kihet parasysh edhe renta minerale, pasi deri tani nuk përfituar komuniteti direkt nga pagesat që kanë bërë kompanitë, por më shumë kanë marrë vetëm pasojat; pastaj çështja e sigurisë së punëtorëve dhe banorëve në vendet përkatëse etj.

Të pranishëm në tryezë ishin edhe përfaqësues të kompanive dhe bizneseve në këtë sektor që e panë si nismë të duhur ndryshimin e këtij ligji dhe mbajtjen e kësaj tryeze diskutuese. Ata vlerësuan se ligji duhet t’i mbrojë interesat jo vetëm të vendit por edhe të kompanive dhe bizneseve.

Për ta arritur këtë, ata kërkuan koordinim të të gjitha palëve të përfshira në këtë sektor që do të lejonte një rezultat optimal për të gjithë palët e interesit, pwrfshirw institucionet nw nivel lokale, agjencitë  e pyjeve, ujërave etj.

Për më tutje, ata diskutuan disa nga pikat e këtij draft-projektligji dhe kërkuan sqarime nga anëtarët e këtij komisioni lidhur me to.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  21.03.2017

Industria nxjerrëse e xeherorëve në Maqedoni shënoi rënie prej 16.8% gjatë periudhës janar – nëntor, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritje pati prodhimi i produkteve jometale minerale. Sektori i xehetarisë kërkon miratimin e një strategjie për ta ndihmuar këtë degë, por edhe për zgjidhjen e problemit me gërmimet joligjore. Për këtë përgjegjësinë e mbajnë Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Ekonomisë. Nikollajço Nikollov, kryetar i Shoqatës së Xehetarisë së Maqedonisë tha se edhe njerëzit po keqpërdorin e lëndëve të para. Kjo ndikon edhe në aktivitetin e sektorit të ndërtimit ku nuk ka kontroll mbi cilësinë e materialeve që përdoren.

Edhe pse dhjetë vitet e fundit xehetaria shënon zhvillim, koncesionet e shumta të lëshuara për gërrmimet gjeologjike dhe për nxjerren e lëndëve të para minerale nuk kanë kontribuar në rritjen e treguesve. Gjatë 40 viteve të fundit, nuk është hapur as edhe një objekt të ri të xehetarisë për gërmimin dhe përpunimin e lëndëve të para metalike minerale, ndërsa nga ana tjetër, pavarësisht reagimeve të shpeshta të sektorit të xehetarisë, vazhdon hapja e guroreve në distanca të vogla mes tyre, të cilat ndikojnë negativisht jo vetëm ndaj ekologjisë, por edhe ndaj ekonomisë.

Alsat M,  11.01.2017

Me ligjin për Trepçën i kemi hapur një derë dhe mendoj që tash me strategji dhe me një model të përcaktuar dhe të elaboruar me kujdes, “Trepçën” e pret një e ardhme më e mirë, mirëpo jo pa rreziqe, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Këto komente, Stavileci i bëri në debatin e organizuar nga Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), Forum 2015 me temën ‘Trepça – Çka pas ligjit: Sfidat, mundësitë dhe rreziqet, që u mbajt sot në Prishtinë.

Kreu i MZHE-së tha me këtë rast se pas 17 vitesh çështja e “Trepçës” dhe “TC Kosova e Re” po marrin rrugë të mbarë, dhe merita këtu duhet ‘ti atribuohet të gjithë atyre që kanë punuar si një ekip, Kuvendi, Qeveria, AKP, ngase interesi publik ka prevaluar mbi çdo gjë tjetër.

Stavileci tha se ka pasur shumë vonesa dhe fatkeqësisht “Trepça” ka vuajtur, por fatmirësisht disi është menaxhuar. “Të gjithë e dimë se për shkak të këtyre vonesave ne kemi bërë një renditje që në fakt do të duhej të shkonin ndryshe, pra parafizibiliteti, fizibiliteti, strategjia, pastaj ligji ku ne kemi qenë të detyruar në mënyrë që ta bëjmë zgjidhjen e parë në mënyrë që ta shpëtojmë nga likuidimi”, tha ai.

Sipas Stavilecit, fokusi ka qenë te zgjidhja ekonomike, ndërsa është apostrofuar shumë edhe dimensionin ekologjik, duke i dhënë “Trepçën” trajtën e një korporate.

“Ne jemi treguar korporativ me të gjitha palët, nuk ka asnjë shkronjë të vetme brenda ligjit që ka karakter diskriminues ndaj dikujt, pra është shumë përfshirës, është me mundësi të mëdha të bashkëpunimit”, tha ai.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, tha se Qeveria dhe Kuvendi duhet të jenë aktiv për të dhënë informimin e duhur, përfshi qytetarët serbë, sepse ata janë edhe të manipuluar edhe të pa informuar.

“Ne duhet të kuptojmë tregtinë, financat dhe strategjinë e përpunimeve të metaleve. Është me rëndësi të përgatitemi deri në shkurt në mënyrë që me e pas ‘Trepçën’ në përpunim”, ka thënë Mustafa.

Profesori i ekonomisë në Universitetin “Staffordshire”, Iraj Hashi, tha se edhe pse “Trepça” e ka potencialin, nuk është një mundësi e investimit që nuk ka rreziqe, andaj investitorët e huaj duhet të inkurajohen dhe sigurohen që investimet të sigurta.

Forum 2015 synon të hap debatin qytetar për “Trepçën”, duke tentuar të nxisë vendim-marrës dhe grupe tjera të interesit të shpalosin alternativa të ndryshme zhvillimore, nga cila do lëmi që është me ndikim në suksesin e këtij projekti të madh.

Telegrafi,  31.10.2016

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci dhe ministrin e Financave, Avdullah Hoti, ka vizituar Ndërmarrjen Trepça, ku është takuar me drejtuesit e menaxhmentit, përfaqësuesit e sindikatës dhe minatorët e saj.

Me këtë rast, kryeministri Mustafa theksoi se me miratimin e Ligjit, Trepça ka marrë rrugën e vet dhe ardhmëria e saj është e sigurt.

“Vlerësuam bashkërisht se ardhmëria e Trepçës është e pa kthim, Trepça e ka marrë rrugën e vet, Ligji në mënyrën më të mirë e ka bërë zgjidhjen për perspektivën e Trepçës, dhe tani vetëm se duhet të punojmë që të përgatitemi që ne të implementojmë Ligjin posa ai të hyj në fuqi.”

“Është e drejtë e të gjithëve që të bëjnë ankesa, t’iu drejtohen institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës dhe kjo fare nuk e pengon Trepçën dhe neve që të vazhdojmë këtë rrugë, sepse ne jemi të përcaktuar që ta forcojmë Trepçën, që Trepçën ta organizojmë si korporatë moderne dhe Ligji pikërisht e mundëson këtë organizim të “Trepçës” në interesin e punëtorëve të saj dhe qytetarëve të Mitrovicës dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, theksoi kryeministri Mustafa.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, u shpreh i kënaqur me statusin e minatorëve në Ligjin e ri i cili do të mundësoj tërheqjen e investimeve publike, private e të kombinuara, për procedimin e produkteve të Trepçës.

“Unë dëshiroj t’i uroj gjithë minatorët, të falënderoj Kuvendin e Republikës së Kosovës, kryetarin e Kuvendit, kryetarin e Komisionit Parlamentar dhe Grupet Parlamentare, të cilët në këtë moment kanë qenë gati të gjithë unik sa i përket këtij objektivi nacional të Kosovës dhe konsideroj se Trepça kështu si është paraparë me ligj, është në interes të të gjithëve.”

“Asnjë komunitet nuk mund ta sheh veten të rrezikuar, por e sheh veten të avancuar, sepse nuk kanë pasur shanse më përpara ta mendojë askush, se do të bëhet pjesë edhe pronësore e aseteve të Trepçës, ashtu siç ne tani e kemi rregulluar me Ligj. Çështjet tjera janë pastaj çështje të politikave, sepse e kemi thënë qartë, që ne me askënd nuk do ta diskutojmë çështjen e pronësisë së Trepçës.”

“Ajo i përket Kosovës, minatorëve të Kosovës, ndërkaq pasuritë minerare janë pasuri e shtetit të Kosovës dhe kjo çështje mbetet e mbyllur njëherë e përgjithmonë. E hapur mbetet, se si ne ta çojmë Trepçën përpara”, ka theksuar kryeministri.

Drejtori i kësaj ndërmarrjeje, Ahmet Tmava, vlerësoi se ligji është në interes të Trepçës, por mbi të gjitha është në interes edhe për vendin.

“Ne si Trepçë, si menaxhment, si punëtor, si sindikatë, e falënderuam kryeministrin dhe të gjitha institucionet të cilat kanë qenë të kyçura në kuadër të implementimit të këtij ligji, dhe tani më koha e entuziazmit për ne ka kaluar dhe i premtuam kryeministrit se me zyrtarizimin e ligjit, ne si punëtorë, si Trepçë, do të marrim të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë zhvillimore që na takojnë dhe pritjet e shumta të qytetarëve në shkallë vendi do t’i bëjmë realitet”, theksoi Tmava.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  26.10.2016

Grupi i punës për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për miniera nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga Kryetarja, Sala Berisha-Shala, në  vazhdën e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjit dhe sfidave të KEK-ut, sot ka qëndruar në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit si dhe kanë vizituar mihjet sipërfaqësore.

Delegacioni është pritur nga Drejtori Menaxhuesi KEK-ut, Arben Gjukaj me bashkëpunëtorë. z. Gjukaj ka njoftuar Deputetët për prodhimin dhe stabilitetin energjetike në vend, i cili po bëhet  falë punës së palodhshme të punëtorëve të kësaj Korporate, mangësitë ligjore në këtë sektor, por edhe për sfidat e përditshme me të cilat  ballafaqohet KEK-u.

Në anën tjetër, Deputetët e këtij Komisioni njëzëri falënderuan Drejtorin Menaxhues dhe stafin e KEK-ut për punën e palodhshme që bëhet në këtë Korporatë, ata gjithashtu u shprehën të gatshëm për përkrahjen e KEK-ut e me theks të veçantë në fushën legjislacionit, ata kërkuan nga menaxhmenti i KEK-ut ti bëjnë të gjitha vërejtjet lidhur me ndryshimin/plotësimin e amendamenteve në ligjin për miniera dhe minerale   dhe sa më parë ti dërgohen Komisionit i cili do ti analizoj me vëmendje dhe në varësi të arsyetimit do ti procedoj në Kuvend për miratim.

Agjensia e lajmeve ekonimia,  29.08.2016

Një ndër qendrat më të lashta urbane të Kosovës, sikurse edhe pjesa tjetër e vendit ka trashëguar një rrejt të vjetëruar elektrik të shtrirë qysh në vitet e 60-ta.

Pas publikimit të Planit Zhvillimor të Rrjetit të Shpërndarjes nga KEDS edhe kjo komunë do të përfitojë një rrjet të rinovuar.

Master Plani i KEDS-it parasheh që në një periudhë më pak se dhjetë vjeçare të investojë rreth 300 milionë euro për modernizimin e rrjetit energjetik në mbarë Kosovën.

Numri një i komunës së Junikut, Agron Kuçi thotë se banorët e kësaj ane e meritojnë të kenë një rrjet modern elektrik.
“Qytetarët e Junikut janë ndër parapaguesit më të përgjegjshëm të energjisë, me 94% dhe Komuna e Junikut, që moti ka hedhur hapin e parë konkret, si shprehje e partneritetit dhe gatishmërisë për bashkëpunim serioz me KEDS-in në të gjitha drejtimet që çojnë në të mirë të furnizimit sa më kualitativ dhe tenisionit stabil për kosumatorët junikas”, thotë Kuçi.

Marrë parasysh problemet e mëdha që janë paraqitur në rrjetin e vjetëruar ndër dekada në tërë Kosovën e veçanërisht në rajonin e Rrafshit të Dukagjinit, komuna e Junikut mbetet prioritet për investime nga ana e KEDS-it.
“Master plani është  miratuar dhe patjtetër se Komuna e Junikut dhe i tërë ky rajon këtu bënë pjesë”, thotë Viktor Buzhala – Zëdhënës i KEDS-it.

Sipas Buzhalës dinamikën e investimeve në këtë pjesë do ta përcaktojë planifikimi i Planit Zhvillimor, porse investimet e para që dalin nga ky plan do të fillojnë shumë shpejt.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  19.07.2016

Ministria e Energjisë dhe Industrisë prezantoi sot para publikut draftin e Master Planit të Gazit për Shqipërinë. Studimi zgjati 12 muaj dhe u mundësua përmes një fondi grant të Bashkimit Evropian prej 1.1 milion eurosh. Dokumenti shqyrton të gjitha aspektet afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata të furnizimit me gaz natyror duke përfshirë dhe çështjet teknike, ligjore, rregullatore, ekonomike, tregtare, mjedisore, dhe sociale që lidhen me futjen e gazit në Shqipëri.

Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri tha se ky Master Plan do të jetë skeleti bazë dhe më pas gjithçka do të ndërtohet mbi të. “Ne po përcaktojmë tashmë piketat dhe më pas do mund të ftojmë edhe investitorët për të zhvilluar këtë sektor. Plani përcakton konsumin në të ardhmen, përcakton raportin se çfarë do të përdoret për energjinë elektrike dhe çfarë do të përdoret për nevoja të tjera industriale, në një fazë të mëtejshme edhe për përdorim familjar”, u shpreh z.Gjiknuri.

Ministri tha se këto janë plane afatgjata. “Bëhet fjalë për një proces shumë vjeçar, një zhvillim që do të marrë kohë 20-30 vite. Këto sektorë kështu zhvillohen edhe nëse shikoni ecurinë e vendeve të tjera që janë gazifikuar. Studimi ka parashikuar që baza e furnizimit me gaz në të ardhmen do jetë gazsjellësi TAP por pse jo edhe burimet që ka vendi në gaz. Qeverisë i del një detyrë që këtë Master Plan ta kthejë në plane zhvillimi. Ne kemi hedhur hapat e para dhe njëkohësisht kemi mbështetjen e BE-së por edhe partner si SOCAR i Azerbajxhanit. Do kemi më pas planet e detajuara edhe për lidhjen e tubacionit kryesor me degëzimet e tij brenda Shqipërisë”, nënvizoi z.Gjiknuri.

Gjetjet kryesore të draftit të Master Planit

Kërkesa totale e parashikuar për energji termike në familje, shërbime dhe industri që mund të mbulohet nga përdorimi i gazi natyror në Shqipëri është rreth 2,167 milion m3 në vitin 2040 (duke përfshirë bujqësinë dhe transportin). Potenciali i përdorimit të gazit natyror për prodhimin e energjisë elektrike mund të jetë rreth 770 milion m3 në vitin 2040, dhe përdorimi i gazit natyror nga rafineritë në vitin 2040 mund të jetë rreth milion m3.

Zona e Tiranës dhe Durrësit përbën zonën kryesore me konsum të pritshëm të konsiderueshëm të gazit. Kontributi i sektorit rezidencial përbën rreth 32% të totalit të konsumit dhe po kaq është edhe konsumi nga sektori i shërbimeve, ndërsa sektori industrial zë pothuajse 37% të totalit të konsumit. Për këtë arsye, rekomandohet që zona Tiranë-Durrës të konsiderohet si një qendër e përbashkët e shpërndarjes së gazit.

Ndërkohë, zona Fier – Vlorë – Ballsh paraqet një trekëndësh të rëndësishëm të konsumit industrial të gazit që mund të shërbejnë si konsumatorë spirancë që do të mundësojnë gazifikimin e zonave përreth.

Rrjeti i propozuar i transmetimit të gazit ndahet në pesë degë kryesore:

Dega Veriore, që fillon nga pika e lidhjes me TAP-in (pranë Fierit) në drejtim të Shkodrës dhe më tej drejt Malit të Zi.

Dega Elbasanit që fillon nga pika e lidhjes me TAP-in (pranë Fierit), kalon nëpërmjet Lushnjës dhe Dumresë dhe përfundon në Elbasan,,

Dega Jugore që furnizon zonat e Fierit, Vlorës, Ballshit, Tepelenës dhe Gjirokastrës,

Dega Perëndimore që fillon nga pika e lidhjes me TAP-in (pranë Korçës) dhe vazhdon drejt Pogradecit, Përrenjasit dhe më pas drejt ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë,

Dega e Kosovës, që fillon nga Miloti dhe përfundon në pikën kufitare të Morinës në afërsi të Kukësit.

Katër skenarë të sistemit të transmetimit të gazit u shqyrtuan:

Skenari 1:

Ndërtimi i rrjetit kombëtar të gazit për furnizimin e njësive administrative vendore me konsum të qenësishëm të gazit

Ndërtimi i IAP me diametrin e tij të paracaktuar (drejt Malit të Zi, Bosnjës dhe Kroacisë)

Ndërtimi i gazsjellësit drejt Kosovës dhe Maqedonisë.

Skenari 2:

Ndërtimi i rrjetit kombëtar të gazit për furnizimin e njësive administrative vendore me konsum të qenësishëm të gazit

Ndërtimi i IAP me diametrin e tij të paracaktuar (drejt Malit të Zi, Bosnjës dhe Kroacisë)

Skenari 3:

Ndërtimi i rrjetit kombëtar të gazit për furnizimin e njësive administrative vendore me konsum të qenësishëm të gazit

Furnizimi i Kosovës nga Kukësi dhe i Maqedonisë nga Përrenjasi.

Skenari 4:

Ndërtimi i rrjetit kombëtar të gazit për furnizimin e njësive administrative vendore me konsum të qenësishëm të gazit.

Sistemi i transmetimit është e optimizuar për 80% të kërkesës së mundshme të gazit në njësitë administrative vendore me konsum të qenësishëm të gazit në Shqipëri, kërkesës totale të konsumatorëve të mëdhenj potencialë të gazit (termocentralet, rafineritë etj.) plus konsumin e parashikuar të gazit në Kosovë dhe në Maqedoni. Sistemi i transmetimit është konfiguruar edhe në përputhje me praktikat më të mira të planifikimit të tubacioneve.

Depozitimi i gazit natyror ka një ndikim të rëndësishëm në sigurinë dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me gaz natyror dhe në mbulimin e kërkesave të konsumatorëve. Formacioni kripor i Dumresë është një diapir i madh që mbulon një sipërfaqe prej rreth 250 km². Ka dy opsione të zhvillimit të depozitave nëntokësore në Dumre; Alternativa Dumrea 1 dhe Dumrea 2.

Alternativa Dumrea 1 është një mundësi depozitimi me vëllim të mjaftueshëm, por pa kapacitet të mjaftueshëm shtytës.

Dumrea 2 është një alternativë me vëllim më të madh dhe me kapacitet të mjaftueshëm shtytës për nevojat e konsumit të gazit.

Në se do të ketë interes të mjaftueshëm nga vendet e tjera për kapacitete depozitimi, atëherë Alternativa Dumrea 2 është më e rekomandueshme.

Bazuar në analizat e kryera plani i mëposhtëm i zhvillimit mund të rekomandohet,  sipas prioritetit të tyre të zhvillimit:

Në terma afatshkurtër

Zhvillimi i gazsjellësit TAP – TEC-i i Vlorës. Nëse është i mundshëm, zhvillimi i sistemit të shpërndarjes së gazit në qytetin e Vlorës;

Zhvillimi i rrjetit të transmetimit për furnizimin e konsumatorëve spirancë në Fier dhe Ballsh dhe nëse është e mundur zhvillimi i rrjeteve të shpërndarjes së gazit në Fier dhe Ballsh;

Në terma afatmesëm

Zhvillimi i rrjetit të transmetimit për të furnizuar zonat kryesisht industriale në Elbasan, si dhe zhvillimi i hapësirave të depozitimit të gazit në Dumre;

Zhvillimi i rrjetit të transmetimit për furnizimin e  konsumatorëve industrialë dhe tregtarë në zonën e Durrësit dhe të Tiranës;

Në terma afatgjatë

Zhvillimi i gazsjellësit drejt Kosovës;

Zhvillimi i sistemit të transmetimit nga TAP afër Korçës, për TEC-in e planifikuar në Korçë, dhe më tej drejt rrjeti i transmetimit drejt Pogradecit;

Zhvillimi i rrjetit të transmetimit drejt Shkodrës;

Zhvillimi i rrjetit të transmetimit nga Ballshi në Tepelenë dhe Gjirokastër;

Zhvillimi i rrjetit të transmetimit nga Pogradeci drejt Përrenjasit dhe më tej drejt Maqedonisë;

Zhvillimi i rrjetit të transmetimit nga TAP afër Kuçovës për TEC-in e planifikuar në Kuçovë.

gjiknuri spahiuProjektet më premtuese për investime në rrjetet e gazit do të dakordësohen me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë dhe do të detajohen në fazën pasardhëse të projektit – atë të portofolit të Investimeve të Projekteve Prioritare. Projekti i parë i investimeve prioritare, (që është tubacioni i ri nga pika e daljes së TAP-it pranë Fierit në Termocentralin e Vlorës) është dakordësuar tashmë dhe një studim para-fizibiliteti është duke u përgatitur.

Strategjia e mësipërme është në përputhje të plotë me investimet e parashikuara tashmë nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, të tilla si lidhja e Vlorës dhe e Fierit me rrjetin e transmetimit 400 kV, i cili do të transmetojë energjinë elektrike drejt qendrave të konsumit kur gazi natyror të jetë i disponueshëm (nëpërmjet projektit TAP).

Përveç zhvillimit të rrjetit të transmetimit të gazit kombëtar, ky projekt është i lidhur ngushtësisht edhe me Studimin e Fizibilitetit të përfunduar tashmë të Gazsjellësit Jonian Adriatik (që lidh Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin i Zi, dhe Shqipërinë), me Master Planin e Gazit për Malin e Zi, me Studimin për Unazën e Gazit të financuar nga Bashkimi Evropian që është në zbatim, si dhe me dy projektet me të fundit – atë të përgatitjes së Projekt-idesë së Gazsjellësit Jonian Adriatik në Shqipëri dhe Mal të Zi, dhe Studimi i Para-fizibilitetit për Gazsjellësin Shqipëri-Kosovë – mundësuar me fonde grant nga WBIF.

Fjala e Ministrit të  Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri në tryezën e prezantimit të draftit të Master Planit të Gazit:

Përshëndetje,

Dua të falenderoj organizatorët për prezantimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm për sektorin energjetik shqiptar dhe për gjithë ekonominë shqiptare në përgjithësi. Ky është drafti final i një pune që ka gati një vit që ka filluar. Është një punë e financuar nga Bashkimi Europian si një partner shumë i interesuar për pjesën e zhvillimit të sektorit të gazit në Shqipëri dhe e kryer nga kompania përkatëse. Dua ti përgëzoj për punën e bërë dhe kontaktet e shumta që kanë patur me të gjithë sektorin energjetik, me të gjithë aktorët e interesuar për zhvillimin e sektorit të gazit në Shqipëri. Kuptohet ky draft synon të bëjë prezantim të gjetjeve kryesore dhe të hedhë piketat bazë mbi të cilat mund të ngrihet zhvillimi i sektorit të gazit në të ardhmen.

Nëqoftëse do të bëja një krahasim me trupin e njeriut, ky Master Plan do të jetë si skeleti bazë dhe gjithçka tjetër do të ndërtohet mbi këtë. Prandaj, kjo ka shumë rëndësi sepse nëqoftëse ne përcaktojmë qartë objektivat dhe vizionin strategjik se ku do të shkojmë me sektorin e gazit, atëherë do të kemi mundësi që ta zhvillojmë. Do të kemi mundësi që të ftojmë edhe investime të huaja aq shumë të rëndësishme për zhvillimin e këtij sektorit. Në fakt, ky plan pikërisht këtë parasheh, përcakton kryesisht konsumin në të ardhmen, përcakton një raport të drejtë se çfarë parashikohet për tu përdorur për prodhimin e energjisë elektrike dhe çfarë do të përdoret edhe për nevoja të tjera industriale e në fazë të mëvonshme edhe për përdorim familjar.

Shqipëria është një vend kryesisht i varur nga prodhimi i energjisë elektrike nga hidro. Sektori i hidroenergjisë ka tekat e veta dhe realisht Shqipëria ka nevojë për difersifikim. Gazi gjithmonë është parë, jo vetëm në Shqipëri por po shihet kudo në Europë dhe në botë si një burim alternativ shumë i rëndësishëm, i cili gjendet me shumicë. Është një burim relativisht i pastër sepse nga të gjithë hidrokarburet është ajo që është më miqësore me mjedisin. Pra, miqësore me mjedisin, edhe sasi të mjaftueshme, presupozohet që ka një lloj qëndrueshmërie në pikëpamjen e çmimeve, që do të thotë do të jetë një burim i domosdoshëm për shumë vende, përfshirë Shqipërinë për të krijuar alternativë për prodhimin e energjisë elektrike. Kuptohet duke mbajtur kryesisht hidron apo edhe burime të tjera të rinovueshme, ato që kemi ne mundësi siç është edhe fotovoltaiku, sepse Shqipëria ka ekspozim të mirë me diell. Duke pasur edhe gazin si pjesë të portofolit të saj të prodhimit të energjisë elektrike, themi se do të kemi një miks shumë të qëndrueshëm për nevojat e vendit dhe që realisht do ti japë efektet në të ardhmen. Kuptohet, këto janë plane afatgjata sepse njerëzit shpesh bëjnë pyetje kur dhe çfarë do të bëhet vitin tjetër. Këtu bëhet fjalë për një proces shumë vjeçar.

Po hedhim piketat e një zhvillimi që do të marrë 20-30 vjet dhe këto sektorë kështu zhvillohen. Po të shikoni edhe ecurinë e vendeve të tjera dhe me çfarë kam pasur mundësi edhe të kontaktoj apo të diskutoj me homologë, ju është dashur 20-30 vjet që të zhvillojnë sektorin e gazit. Kjo ka ndodhur në Turqi, kjo ka ndodhur në Greqi, pra nga momenti i parë kur gazi është i vlefshëm.

Studimi ka parashikuar që baza kryesore e furnizimit me gaz në të ardhmen do të jetë gazsjellësi Trans Adriatic Pipeline, pra TAP, por pse jo të shfrytëzohen edhe burimet që ka Shqipëria në gaz. Një pjesë e këtyre burimeve janë të vlefshme, kuptohet në sasi të vogla për shkak të mungesës së investimeve. Por kemi lajme të mira, ka një interes në rritje për kërkimin e naftës dhe të gazit në Shqipëri. Njëkohësisht ka edhe gjetje të gazit shoqërues, siç ka ndodhur së fundi në fushat që po eksploron kompania SHELL, ku është gjetur sasi jo e pakët. Të gjitha këto do të kanalizohen në këtë sektor, në këtë rast do të shërbejë Master Plani dhe nesër infrastruktura shoqëruese e gazit në Shqipëri. Do të ketë mundësi që gazi të jetë shumë i qëndrueshëm dhe me sasi të mjaftueshme për nevojat e Shqipërisë.

Qeverisë shqiptare i del një detyrë, po them çdo qeverie dhe jo vetëm kësaj sepse duke qenë afatgjatë kjo do të kërkojë angazhimin e të gjithëve. Duhet që këtë Master Plan ta kthejnë në plane konkrete zhvillimi. Ne i kemi hedhur hapat e parë, kemi mbështetjen e Bashkimit Europian, por kemi edhe partnerë si SOCAR i Azerbajxhanit shumë i interesuar për mbështetjen e këtij procesi. Nesër do të shoqërohet me planet e detajuara, duke përcaktuar edhe zhvillimet e para infrastrukturore të lidhjes së tubacionit kryesor me degëzimet e tij brenda Shqipërisë.

Në Master Plan është identifikuar zona kryesore e parë përfituese e gazit në Shqipëri, që do të jetë kryesisht Ballsh, Fier, Patos. Fieri kthehet në një lloj nyjeje që edhe tradicionalisht e ka pasur, sepse aty janë edhe pasuritë hidrokarbure. Nuk është se nga kjo pikëpamje po bëhet ndonjë zbulim i ri, por tani po hidhet mbi baza më konkrete, nisur dhe nga zhvillimet e reja siç është edhe rasti i investimit të TAP-it. Gazsjellësi do të ketë pikat e daljes në Fier dhe ka shumë mundësi që gazi të jetë i vlefshëm qoftë për industrinë, qoftë nesër për konsumatorët familjarë në këto zona. Kuptohet, kjo do të dojë investime përsa i përket infrastrukturës, por nëse kemi një plan të qartë dhe identifikojmë qartë nevojën për konsum, jam shumë i sigurtë që aty fillon ndërtohet edhe modeli ekonomik. Interesi është i lartë dhe kështu e kanë filluar edhe vendet e tjera, nuk ka ndonjë shpikje këtu. Ka pasur gaz, është identifikuar nevoja, energjia elektrike do të jetë gjithmonë një mall i cili të keqpërdoret dhe të shpërdorohet si deri tani dhe nevoja për gaz do të dalë natyrshëm.

Në shumë zona ku ka afërsi me gaz, nuk ka pse shqiptarët të gatuajnë me energji elektrike apo të ngrohen me energji elektrike. Ka shumë forma të tjera alternative, në këtë rast gazi që do të jetë shumë i nevojshëm dhe shumë i domosdoshëm. Besoj do të jetë një portofol jashtëzakonisht i mirë për të zëvendësuar një pjesë të konsumit të energjisë elektrike për banorët atje.

Patjetër edhe nevoja për industrinë, sidomos zona e Fierit. Unë tashmë jam i njohura me nevoja nga industri konkrete në zonën e Fierit, të cilat kërkojnë gaz. Kjo do të krijojë edhe mundësi të tjera, siç edhe dikur kanë qenë, për zhvillimin e industrisë petrokimike apo edhe industrive të tjera që lidhen rreth naftës dhe gazit. Jam shumë i bindur që nuk do të jetë e largët dita që do të kemi investime konkrete edhe në këtë fushë, në momentin që këto burime do të jenë të vlefshme.

Një projekt tjetër imediat që është përcaktuar qartë edhe në Master Plan dhe që ka qenë synimi i qeverisë shqiptare është vënia në punë e Termocentralit të Vlorës. E vetmja mundësi fizibël për ato Termocentral, një projekt do ta quaja të dështuar sepse ngeli një projekt fantazmë që vetëm ha paratë e njerëzve, ha paratë e popullit. Taksapaguesit shqiptarë, sot vazhdojnë financojnë një projekt të dështuar për vite. Zgjidhjet kanë qenë dy. E para ishte ta heqësh fare këtë projekt, pra ta shmangësh por është gjynah sepse është bërë një investim goxha i madh dhe për pak gjë mund të vihen në punë. Varianti i dytë dhe mendoj më fizibël do të ishte lidhja me tubacionin e gazit. Ne po punojmë në këtë drejtim, po bëhet edhe fizibiliteti për degëzimin deri në Termocentralin e Vlorës dhe po shikohet mundësia edhe me partnerë të huaj, investitorë të huaj të gjejmë një marrëdhënie partneritet publik-privat për ta vënë këtë Termocentral në punë. Jemi në rrugë të duhur, jam shumë i sigurtë që në vitet në vijim, ky Termocentral do të vihet në punë dhe do të jetë pjesa e parë e atij miksit energjetik që fola.  Portofoli i gazit do të shërbejë edhe për prodhimin e energjisë elektrike në vend dhe të ulë atë varësinë tonë shumë të madhe që kemi ndaj tekave të motit dhe që shpeshherë na ka krijuar edhe kriza në vitet e kaluara.

Kuptohet studimi ka parashikuar që volumet e gazit deri në vitin 2040, në bazë të zhvillimit të pritshëm industrial apo nevoja të konsumatorëve shqiptarë mund të shkojë deri në 1.7 miliardë metër kub gazë në vit dhe mbase deri në 2.7 miliard m3 nëse do të aktivizohen të gjithë termocentralet që parashikohen, pra ajo pjesë e kapacitetit që parashikohet për të qenë pjesë e prodhimit të energjisë elektrike. Kuptohet, këta gjëra hanë debat dhe në fund të fundit edhe qëllimi i këtij Master Plani është për tu prezantuar të gjitha palëve të interesuar për të pasur diskutime sesa vërtet do ketë nevojë Shqipëria, deri në çfarë pike do të ketë nevojë. A është miksi i duhur? Apo a do të jetë ekuilibri i nevojshëm që sa nevojë do të kemi ne nga gazi dhe sa mund të jetë format e tjera të prodhimit të energjisë elektrike!? Këto janë çështje për tu debatuar dhe nuk është se ka ndonjë zgjidhje magjike. E rëndësishme është që ne, në perspektivën tonë e parashikojmë këtë gjë dhe kemi vendosur një sasi minimale, një nevojë minimale të asaj që quhet diversifikim përsa i përket prodhimit të energjisë elektrike.

Pjesa tjetër mbetet për tu parë nisur edhe nga trendi i zhvillimeve industriale që do të ketë Shqipëria. Nëse Shqipëria do të ketë një zhvillim më të vrullshëm industrial dhe nevojë më të madhe për energji, padiskutim uji ka një kufi, limitet për prodhimin e energjisë ujore kanë ca limite natyrale si çdo gjë tjetër, se asgjë nuk është e pafundme. Patjetër, gazi do të zërë një vend të rëndësishëm në këtë drejtim.

Nga ana tjetër, ju e dini që Shqipëria po punon bashkë me vendet fqinjë për axhendën e interkonektivitetit, pra krijimi i ndërlidhjeve me vendet fqinjë edhe në fushën e gazit. Ashtu siç është energjia elektrike, ku Shqipëria ka bërë përparime dhe gjithë rajoni nisur edhe nga proceset e fundit integruese të Bashkimit Europian. Jo më larg sesa pardje në samitin e Parisit është vënë theksi edhe njëherë për nevojën e interkonektivitetit, janë vënë fonde në dispozicion nga Bashkimi Europian dhe me ç’duket kjo rrugë do të jetë e pakthyeshme. Ballkani Perëndimor do të integrohet në tregjet europiane. Nuk ka rrugë tjetër. Kjo po ndodh me energjinë elektrike, prandaj po ndodhin reforma të thella, nganjëherë edhe me diskutime, por është një proces i pakthyeshëm. E njëjta gjë do të ndodhë edhe në fushën e gazit, që është prapë një sektor i rregulluar, i cili mbulohet nga direktivat përkatëse. Jo për hir të direktivës por është provuar që integrimi i rrjeteve, integrimi i tregjeve ka sjellë më shumë mundësi për ato vende që kanë edhe burime në dispozicion dhe nëse ne ndjekim politikat e duhura.

Edhe në këtë pikëpamje, po punojmë me vendet fqinjë për ndërlidhje të mëtejshme siç është rasti i gazsjellësit Jonian-Adriatik ku ka hapa konkretë. Së fundi, vendet kanë vendosur të krijojnë një njësi të përbashkët dhe do të fillojë të funksionojë. Pra, jemi në hapat e para, në mënyrë që ky projekt të promovohet dhe nesër të kthehet në një entitet juridik për të gjetur edhe partnerë apo financime, për të bërë të mundur edhe degëzimin e gazsjellësit TAP me pjesën qendrore të Europës apo me pjesën e Ballkanit Perëndimor, e cila edhe ajo pret të gazifikohet.

Shqipëria është një vend që nuk është i gazifikuar, Mali i Zi gjithashtu dhe nevojat do të jenë edhe për vendet e tjera nga të cilat do të kalojë ky gazsjellës. Njëkohësisht, po punojmë bashkë me Kosovën, jo vetëm për arsye thjesht kombëtare sic mund të duket, por mbi të gjitha është arsye praktike, ekonomike dhe pjesë e integrimit me Kosovën. Kemi aplikuar dhe shumë shpejt do të marrim financimin nga ËBIF. Jam shumë i sigurtë që ky projekt do të kalojë për të bërë studimin e fizibilitetit për ndërtimin e gazsjellësit me Kosovën. Këto krijojnë mundësi edhe të konkretizimit të asaj që quhet Unaza e Jugut të Gazit, një projekt i vjetër që përfshin të gjitha vendet e Europës Juglindore.

Vendet në mënyrë të pavarur por edhe sëbashku me njëra-tjetrën po zhvillojnë planet e tyre të gazifikimit. Pa planin tonë të gazifikimit, pa Malin e Zi të zhvilluar me planin e gazifikimit, pa Maqedoninë, të gjitha këto axhenda interkonektiviteti bëhen më të vështira. Edhe kjo që po ndodh sot është pjesë e këtij projekti të madh dhe realisht do të ndikojë direkt. Jam shumë i sigurtë se do të ndikojë në thithjen e financimeve të mëtejshme që këto gazsjellës, ndërlidhësa të bëhen realitet mes Shqipërisë dhe vendeve fqinjë.

Trajtojeni këtë si një dokument bazë pune dhe jam shumë i sigurtë që këtu ka shumë pjesëmarrës të interesuar që do të japin kontributet, komentet, kritikat e tyre dhe kjo është vlera. Dua ti përgëzoj edhe konsulentët për punën e mirë që kanë bërë, ashtu edhe stafin e Ministrisë, apo të gjithë stafet qoftë Albpetrolin dhe strukturat e tjera të përfshira në këtë proces si Entin Rregullator të Energjisë. Janë këto strukturat që janë të lidhura direkt me zhvillimet e këtij sektori, që kanë dhënë kontributet e tyre për një fushë që dua ta them është krejtësisht e re. Edhe për ne është një rrugë e pashkelur. Kuptohet, në të kaluarën, Shqipëria ka pasur disa asete gazi dhe disa zhvillime por që qaseshin me modelin ekonomik të asaj kohe, me sistemin e asaj kohe. Gjatë 2-3 dekadave të fundit Shqipëria ka humbur shumë burime njerëzore në këtë drejtim. Kjo ka qenë një detyrë e vështirë edhe për ne sepse nuk është e thjeshtë të bësh plane zhvillimi për një sektor të cilin nuk e ke dhe që bazohesh vetëm nga eksperiencat e vendeve të tjera.

Mund të duket e thjeshtë, se mendohet se bëhen copy-paste por nuk vlejnë. Planet zhvillimore në sektor strategjik patjetër kërkojnë edhe bazën e shëndoshë brenda, që ne jemi duke e krijuar pak nga pak, me ndihmën e partnerëve dhe mbi të gjitha me kompanitë e interesuara që janë pjesëmarrëse tashmë në tregun shqiptar.

Jam i sigurtë që kjo do të hapë siparin e zhvillimeve shumë të rëndësishme përsa i përket sektorit të gazit dhe jam shumë i sigurtë do të ngjallë interesin e investitorëve privatë, kompanive që janë këtu prezente. Jam shumë i sigurtë, këtu është SHELL-i, SOCAR, janë kompani të tjera shumë të interesuara të cilat po i shikojnë me shumë vëmendje zhvillimet e masterplanit shqiptar. Pse jo nesër të bëhen pjesë e një sektori në ngritje potenciale që do të hapë hapësira të mëdha ekonomike dhe do të thitë investime të konsiderueshme.

Ju uroj sukses dhe shpresoj që gjithçka të shkojë mirë.

energjia.al  06.07.2016