info@energjia.al

Në tryezën e mbajtur sot nga Komiteti për Energjitikë i Vetëvendosje!-s me temë “Sfidat e energjitikës – problemet në minierat e qymyrit” mbajtën prezantimet e tyre Kryetari Visar Ymeri, Drejtuesi i Komitetit për Energjetikë, Naim Hoxha, Ismet Raqa dhe Sylejman Krasniqi, inxhinierë dhe ekspertë të fushës si dhe deputetja Donika Kadaj.

Ekspertët me eksperiencë të gjatë pune në minierat e KEK-ut u shprehën për degradimin me intensitet të lartë në divizionin e qymyrit. Ata po ashtu paraqitën dhe keqpërdorimet e gjithanshme që i janë bërë këtij sektori ku më së shumti u theksua mungesa e çfarëdo vizioni, planifikimi apo strategjie.

Diskutim ngjalli edhe prezantimi i Kryetarit Visar Ymeri, në pikën e ndërtimit të Korporatës së Qymyrit, që është dhe propozim programor i Lëvizjes.

Ai shpjegoi se rithemelimi i Korporatës publike të Qymyrit do të përfshijë minierat ekzistuese, fushat e shfrytëzimit dhe zonat hulumtuese.

Ymeri u ndal po ashtu në rrezikun e shtuar që po paraqitet nga improvizimet me prapavijë interesa klienteliste sa i takon sigurisë së prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë. E në këtë drejtim Lëvizja Vetëvendosje! do të intensifikojë veprimet e ndërhyrjet e saj veçanërisht në Kuvend.

Prof. Naim Hoxha tha se pavarësisht çështjeve që i kemi adresuar vazhdimit, situata po vazhdon të mbetet e njëjtë.

Ai pasi paraqiti problemet me vendimet e qeverive sa i takon trajtimit të pronave përreth minierave vuri theksin në nevojën emergjente të strategjisë së zhvillimit të sektorit energjitik si parakusht i zhvillimit ekonomik.

Eshtë tejet i rëndësishëm, hartimi i strategjisë zhvillimore energjetike që nuk ndalet te klishetë boshe të këtyre 18 viteve por që analizon e parashikon si do të zhvillohet si park energjitik zona e termocentraleve, se si do të mbrohet ambienti e shëndeti i popullatës dhe se si do të ndërtohen e planifikohen kapacitetet e reja energjitike.

Inxhinieri Ismet Raqa paraqiti gjendjen e minierës, projektin fillestar për hapen e saj dhe devijimin e qëllimtë nga projekt-ideja.

Gjendja e tashme e minierës dhe zonat ku po punohet sinjalizojnë për rreziqe të reja përpos atyre që tashmë dihen sa i takon banorëve aty pranë por edhe krizës për qymyr në gjashtëmujorin e parë të vitit në vijim 2018.

Kurse, inxhinieri Sylejman Krasniqi foli për shkaktarët e krizës energjetike. Problemin e shtëpive në Shipitullë dhe Hade, ai e sheh si problem që e ka zanafillën që prej vitit 2004.

“Drejtori aktual i KEK-ut do që ta reduktojë minierën vetëm në dy hektarë tokë për aq sa i kanë premtuar pronarët e tokave në Shipitullë. Kjo është shaka me opinionin sepse kjo nuk mjafton as për gjerësinë e një ekskavatori”, u shpreh ai.

Krasniqi po ashtu paraqiti të dhënat mbi abuzimet milionëshe që po bëhen me fondet publike të KEK duke kontraktuar kompani private për të larguar materialet nga djerrinat ndërkohë që automjetet e specializuara në gjendje punë si dhe punëtorët e specializuar të KEK qëndrojnë pa punë.

Kriza në këtë sektor është krijuar më vetëdije. Nuk mungojnë shembujt e ngjashëm në rajon. Është e qartë se sa i takon minierave të qymyrit brenda Korporatës Energjitike të Kosovës abuzimet kanë datë, të paktën prej vitit 2004 e deri më tash. Ato janë përgjithësisht të natyrës korruptive por edhe të qëllimshme.

Lejimi i ndërtimeve në zonat e shpallura me interes të veçantë, përreth minierave dhe devijimi i projektidesë për hapjen e minierave të reja janë dy anët e të njëjtë medalje, asaj të dobësimit të qëllimshëm të Korporatës dhe veçanërisht të divizionit të qymyrit si sektorë kyç i energjitikës në Kosovë.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  11.10.2017

Sot, Lëvizja Vetëvendosje! mbajti tryezën me temën “Situata në sektorin energjetik- prodhim, çmimi dhe investimet afatgjata”.

Në fjalën e tij hyrëse, Kryetari Visar Ymeri u ndal tek gjendja e rëndë në sektorin energjetik, me fokus të veçantë rrezikun e sigurisë së  prodhimit vendas të energjisë elektrike për shkak të problemeve me thëngjillin, rritjen e vazhdueshme të çmimit të rrymës dhe funksionimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE).

Ai tha se përkundër burime të mjaftueshme që i kemi, pushteti në Kosovë ka dështuar që të krijojë stabilitet dhe qëndrueshmëri në sektorin energjetik.

“Prej se është shpallur Kosova e pavarur ka një tendencë të shtuar privatizuese për sa i përket sektorit të energjetikës, dhe kjo e ka ndikuar drejtpërdrejt edhe funksionimin e institucioneve që janë të ndërlidhura dhe që kanë ndikim të drejtpërdrejt në këtë sektor, e më së shumti këtu ZRrE-në”, theksoi Ymeri, duke treguar se si KEDS/KESCO aktualisht ka për qëllim maksimalizimin e profitit e jo furnizimin me energji elektrike për qytetarët, si dhe duke kujtuar se pas privatizimit kemi pasur tri momente të rritjes së çmimit të rrymës.

Drejtuesi i Komitetit për Energjetikë, prof. Naim Hoxha, tha se KEDS/KESCO përveç se nuk ka realizuar premtimet e dhëna, ka larguar njerëz nga puna dhe vetëm sa e ka përkeqësuar gjendjen në sektorin e energjetikës.

“Zhvillimet që po shkojnë kah privatizimi komplet i energjisë elektrike nuk janë në drejtim të zhvillimit të përgjithshëm të Kosovës. Mungesa e një strategjie të përgjithshme zhvillimore të Kosovës, e pamundëson edhe zgjidhjen e problemit të energjetikës”, tha veç tjerash profesori Hoxha.

Nga ana tjetër, Nagip Krasniqi tha se ka pasur vetëm qasje ad hoc në planifikimin e projekteve për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, si dhe tregoi mbi problemet në lidhje me projektin për termocentralin “Kosova e Re”, probleme këto që fillojnë qysh në fazën e tenderimit.

Krasniqi tha se nëse qasja ndaj sektorit energjetik vazhdon të jetë e tillë, së shpejti Kosova do të ketë kolaps energjetik, si dhe do të ketë impakt të jashtëzakonshëm në tarifa të energjisë elektrike, krejt kjo si pasojë e importit të madh e në pamundësi të ndërtimit të kapaciteteve për prodhim të energjisë elektrike.

Në fjalën e tij, Visar Azemi nga Drejtues i Konsorciumit Kosovar i Organizatave të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), tha se ndër problemet kryesore të sektorit të energjisë është mungesa e prioriteteve në këtë fushë, dhe problemi i energjisë nuk zgjidhet me ndërtimin e një termocentrali të ri.

Kritika në adresë të ZRRE-së dhe privatizimit të KEDS-it pati profesori Ruzhdi Sefa, funksionimi i të cilave tha se varet kryekëput nga interesat e qarqeve të pushtetit dhe përreth pushtetit, teksa Burim Ejupi nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) theksoi si problem humbjen e energjisë, duke shtuar se problemi kryesor këtu është vjedhja e energjisë.

Ai theksoi se 16.65% ka humbje komerciale të rrymës, ku 12.65% e kësaj është nga vjedhja, kurse 4% është shifër nga mospagesa e rrymës prej qytetarëve në Komunat me shumicë serbe.

Deputetja Donika Kadaj-Bujupi tha se në Kosovë për një kohë të gjatë ka pasur shpërfillje të vazhdueshme të burimeve njerëzore dhe natyrore. Ajo tha se Kosovës i ka kushtuar shtrenjtë procesi i  privatizimit në sektorin e energjisë ndër të tjera me humbjen e vendeve të punës, si dhe tha se abuzimi i burimeve natyrore bëhet me qëllime dhe interesa të pushtetarëve dhe grupeve të ndryshme të interesit.

Komiteti për Energjitikë i Lëvizjes Vetëvendosje! do të vijojë adresimin e çështjeve që lidhen me mospërmbushjen e kontratës nga KEDS/KESCO, rritjen e padrejtë dhe të jashtëligjshme të energjisë, faturimin e “humbjeve komerciale” (vjedhjeve dhe mospagimin e komunave me shumicë serbe) mbi buxhetin edhe ashtu të paktën të familjeve që paguajnë rregullisht energjinë elektrike, si dhe problemet e jashtëzakonshme me gjenerimin e energjisë elektrike, burimi i të cilave është kryesisht Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe qeverisë në tërësi.

Çështjet e energjitikës janë një betejë për të cilën kërkohet solidaritet dhe rezistencë nga të gjitha qarqet shoqërore, nga punëtorët deri të profesorët universitarë. Ne do të përpiqemi që ta nxisim këtë solidaritet dhe këtë rezistencë.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  24.04.2017

Mbrëmë, pas mesnate është votuar ligji për privatizim dhe dialog. Nënkryetari i Vetëvendosje!-s, Dardan Sejdiu në konferencë për media u shpreh se ligji për Trepçën nuk është ligj për sovranizim dhe zhvillim. Përkundrazi, është mënyra më e ligë, më perfide e kontrabandimit të një ligji për asetin kryesor nacional të vendit.

“Megjithëse ligji u është dhënë deputetëve vetëm dy ditë para seancës për trajtimin e tij, ne e kemi lexuar ligjin dhe kemi propozuar amandamente për këtë sepse e kuptuam që ligji nuk e trajton Trepçën si aset nacional për zhvillim, por si plaçkën e radhës së Qeverisë e cila për 16 vite e ka deindustrializuar Kosovën, e ka shkatërruar ekonominë dhe ka sjellë papunësinë më të madhe në Evropë”, tha Sejdiu në fjalën e tij.

Qeveria me këtë ligj na ka sjellë në situatë ku në secilin nen të këtij ligji sigurohet që privatizimi të bëhet heshturazi, Trepça të shthuret dhe të shitet njësi për njësi biznesore, pra të privatizohet.

Amandamentet tona siguroheshin që Ligji për Trepçën të ishte në përputhje me ligjin për ndërmarrje publike, sepse ashtu sigurohemi që çdo vendim i ristrukturimit, tjetërsimit, zhbërjes, shthurjes të njërës prej njësive të vjen në Kuvend të Kosovës.

Asnjë prej këtyre neneve amandamenteve tona nuk e kanë pranuar. Amandamenti 3 që propozonte Lëvizja Vetëvendosje! ishte që nën-paragrafit 1.1 i nenit 3 të projektligjit, pas fjalisë “me emërtimin “Trepça – Ndërmarrje në Administrim të AKP” t’i shtohej fjalia “e transformuar me njësitë biznesore të parapara me këtë projektligj si ndërmarrje publike qendrore në pronësi të Republikës së Kosovës”.

Ata kanë refuzuar ta trajtojnë Trepçën si ndërmarrje publike qendrore në pronësi të Republikës së Kosovës.

Për më shumë, ligji aktual me nenet 4, 6, 9, 10, 11 dhe 12, ku në fakt i ka vetëm 19 nene, pra 6 prej 19 neneve gjithsej në këtë ligj krijojnë mundësi për privatizim të secilës njësi veç e veç pa pasur nevojë fare që të aprovohet në Kuvend.  Kjo arrihet lehtë sepse i kanë dhënë kompetenca të tilla Bordit Mbikëqyrës që edhe për dividentat të vlerësojë se a do t’ia japë një njësie apo tjetrës.

“Mbrëmë në Kuvend është parë zell i paparë për privatizim të pasurisë dhe më përkushtim të hatashëm që të vazhdohet me këto politika, të cilat që 16 vite që e kanë deindustrializur dhe shkatërruar ekonominë e Republikës së Kosovës”, ka thënë Sejdiu.

Ai ka shtuar se “Muahmet Mustafa, Isa Mustafa dhe ekipi i tij në fakt ka bërë atë që janë duke e bërë Kosovë saktë që nga viti 2001, në mungesë idesh për zhvillim, ata shesin, në proces pasurohen për vete, derisa qytetarët varfërohen. Sot Republika e Kosovës një ditë pas këtij votimi ka rrezik të mbetet pa një prej sektorët kryesorë që siguron zhvillim dhe sovranitet për Republikën e Kosovës”.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  10.10.2016

Sot u mbajt takim me punonjës, sindikalistë e inxhinierë të sektorit të energjitikës së Kosovës.

Kryetari Ymeri u ndal te dëmet e marrëveshjeve me Serbinë. Ai theksoi se përmes këtyre proceseve të gjitha ndërhyrjet ilegale të Serbisë u konsoliduan dhe formalizuan filluar nga policia e gjyqësia, shëndetësia e arsimi e deri tek energjitika e telekomunikacioni.

Qeveria e Kosovës sipas tij është dakorduar me Serbinë që të ketë ndërmarrje të ndarë etnikisht për shpërndarjen e energjisë elektrike.

“Marrëveshja për Energjinë me Serbinë, Privatizimi i KEDS dhe marrëveshja e mirëkuptimit me “Contour Global” të gjitha këto të bëra nga të njëjtit aktorë, pra pushteti i deritashëm janë rruga drejt shkatërrimit ekonomik të vendit, zbehjes së shtetësisë dhe nëpërkëmbjes së punëtorëve tanë”, ka theksuar Ymeri.

“Serbisë po ia japin një pjesë të rrjetit e resurseve tona, me KEDS-in ia dhanë asetet e rrjetit tonë Kompanisë private, me Contour Global po duan që edhe kapacitetet e reja energjitike t’ia vënë në dispozicion një kompanie private.”

“Ku nuk është e Serbisë privatizohet e ku janë komunat me shumicë serbe mbetet shtetërore por nën kontroll të Serbisë. Kjo është as më pak as më shumë një katastrofë që duhet ndalur sa më parë”.

“Lejimi i kompanisë serbe “Elektrosever-it”që të operojë brenda territorit të Republikës përveç se është kthim mbrapa, është edhe lëshim pe ndaj Serbisë që Qeveria e Kosovës po mundohet ta paraqes si një fitore të palës kosovare duke thënë se tashmë Serbia e njeh pavarësinë e KOSTT-it”- tha Ymeri.

Kjo është e pavërtetë sikur që janë të pavërteta edhe deklaratat se Elektrosever-i s’do të ketë kompetenca për shpërndarjen e energjisë.  Fillimisht është thënë që ky operator s’i ka në dispozicion asetet sa i takon rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike por në marrëveshjen teknike të 2013 edhe atë politike të 2015 vërehet qartë se Elektroseverit të Serbisë i mbarten këto kompentenca. Thënë konkretisht Serbia do të ketë kontrollin mbi resurset e shpërndarjen të energjisë elektrike në Kosovë.

“Marrëveshja për energjetikë sikur ajo për telekomunikacionin dhe ajo për ‘Zajednicën’ secila të nënshkruara me 25 gusht janë refuzuar nga qytetarët e Republikës së Kosovës në peticionin që kemi organizuar si opozitë e bashkuar vitin e kaluar ku 205 mijë qytetarë nënshkruan kundër këtyre marrëveshjeve. Në këto rrethana ku Serbia po bëhet sovrani i dytë në vend për shumë çështje, është e jashtëzakonisht e rëndësishme që të bashkohemi në kundërshtimin e këtyre marrëveshjeve dhe në kundërshtimin në përgjithësi të dialogut me Serbinë” tha Ymeri.

Nënkryetari i sindikatës së KEDS foli për kushtet e rënda të punëtorëve në kompaninë KEDS, pas privatizimit të kësaj të fundit.

“Ne si sindikatë ia bëjmë një pyetje qeverisë: a e ka shitur vetëm objektin e KEDS-it apo na ka shitur edhe neve si punëtorë?! Për arsye se ka tri vite që ne po jetojmë në një ankth dhe një presion psikologjik duke mos e ditur se çfarë do të ndodhë me ne në vitin 2016 kur të na mbarojnë kontratat e punës”. Ai shtoi se situata pas privatizimit është përkeqësuar shumë.

Naim Hoxha drejtuesi i Komiteti për Energjetikë tha se qeveritarët kanë pranuar të negociojnë me një palë që mund të na shoh në çfarëdolloj forme tjetër përveç se si shtet. Hoxha theksoi se operatori i transmisionit KOSTT-i është operator i transmisionit për territorin e Republikës së Kosovës dhe kjo është tejet e rëndësishme për shtetësinë tonë.

Në marrëveshjen me Serbinë për energjetikë kompanisë serbe “Elektrosever-it” Mustafa e Thaçi ia janë njohur e drejta e transmisionit të energjisë elektrike që përbën një problem serioz të përmasave sa rrezikon ta zhbëjë sistemin energjetik të Kosovës.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  05.02.2016

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka thënë se Qeveria e Kosovës ende nuk ka bërë asgjë për Trepçën, duke iu referuar një ligji që ka pas të nxirret.

“Qeveria po heq dorë nga premtimet e veta aq pompoze se do të ketë ndryshime të mëdha në ekonomi. Trepça është dashur ta ketë ligjin për të cilin është folur para pesë muajve e ky afat përfundon nesër. Asgjë nuk është bërë në këtë drejtim për Trepçën e minatorët”, ka thënë Ymeri duke folur në debatin e lëvizjes Fol, raporton Indeksonline.

Ai po ashtu ka folur edhe për reformën tatimore ku ka thënë se kjo do ta rrit shpenzimin e konsumatorit për 1 për qind.

“Vendimet që i ka marrë kjo Qeveri, reforma tatimore është më e rëndësishmja. Bazat tatimore janë problemet në politikën fiskale që e kanë stagnuar ekonominë në Kosovë. Tatimi në rrjedhë të shtuar është rritur nga 16 në 18 për qind. Kjo e rrit shpenzimin e shportës së konsumatorit për 1 për qind. Normat tatimore janë të njëjta për 10 për qind. MTI e ka marrë një fond për kredi marrje për kompanitë e vogla dhe të mesme. Ky fond është zëvendësim i premtimit madhor nga PDK e LDK për një fond madhor të punësimit. Nuk mund të ketë rritje të ekonomisë nëse nuk kemi energji të mjaftueshme”, ka thënë i pari i Vetëvendosjes Visra Ymeri.

Telegrafi,  19.06.2015

Subjektet opozitare kanë paralajmëruar sot një aksion simbolik pranë ndërtesës kryesore të KEDS-it, lidhur me çmimet e larta të energjisë elektrike.

Ndërkohë edhe në protestën e së shtunës ata kanë paraparë që përveç tjerash të protestojnë edhe për çmimet e larta të energjisë elektrike. Ata po ashtu do të kërkojnë shfuqizimin vendimi i ZRrEE-së i datës 29 gusht 2014 dhe të shkarkohet Bordi i ZRrES-së.

Telegrafi,  16.04.2015