info@energjia.al

Pesë vjet pas ndërtimit, korporata elektroenergjitike ka arritur të gjejë një zgjidhje për të vënë në punë TEC-in e Vlorës.

I përfunduar në vitin 2012, një defekt në tubacionin e ujit, që shërben për ftohjen e turbinës ka mbajtur peng deri më sot veprën që i kushtoi buxhetit një kredi 130 milion euro.

Për 3 vite rresht, KESH bëri shpallje publike për të përzgjedhur një kompani e cila do të bënte vlerësimin e dëmit dhe koston e riparimit, por askush nuk pati interes për të marrë përsipër këtë çështje.

Të kontaktuar nga Televizionin Klan, zyrtarë të korporatës thonë se tashmë ekspertizën për defektin e ka marrë përsipër BERZH, i cili është dhe një nga financuesit e kredisë për TEC-in. Pas vlerësimit të dëmit, do të jetë gjykata e arbitrazhit që do të vendosë se kush është fajtori në dëmtimin e veprës, kompania italiane që realizoi ndërtimin, apo shteti shqiptar.

TEC- i Vlorës nuk arriti të punonte asnjë ditë, pasi menjëherë pas marrjes në dorëzim, pësoi defekt. Ende dhe sot mosmarrëveshja mes firmës Tecimont dhe Shqipërisë nuk ka marrë zgjidhje, pasi mungonte vlerësimi financiar i dëmit.

Deri sot kjo vepër nuk ka dhënë asgjë për ekonominë shqiptare, por i ka marre KESH –t çdo vit rreth 1 milion euro për procesin e mirëmbajtjes.

Tv Klan,  20.03.2017

Një zjarr ka rënë në një depo veglash në lagjen 29-Nëntori në qytetin e Vlorës.

Zjarri ka rënë në banesën e shtetasit B.H ndërsa zjarrfikësja ka mbërritur në vendngjarje për të shuar flakët.

Si pasojë e zjarrit nuk ka të lënduar ndërsa dëmet e e shkaktuara nga flakët janë vetëm materiale.

Sipas burimeve nga zjarrfikësit shkak mendohet të jetë një shkëndijë elektrike.

Shqiptarja.com  17.03.2017

Gazrat helmues dhe ujërat e ndotur nëntokësorë në zonën naftënxjerrëse të fshatit Mërtiraj të Vlorës prej vitesh janë kthyer në rrezik për shëndetin e banorëve.

Ata ankohen për sëmundje vdekjeprurëse të shkaktuara nga gazrat dhe ujërat që përfundojnë në kanalet e kullimit.

Më tej këto ujëra derdhen në lumin e Vjosës duke u përhapur në gjithë zonën.

“Ndotja është e ujit, e ajrit, ngordhin bagëtitë. Është ambienti shumë i rëndë dhe kemi kërkuar qindra herë të na ndihmojnë për këto raste por nuk mban përgjegjësi askush.”

“Shumë afër këtu, ka  ndodhur që kanë ngordhur bagëtitë, e ka zënë edhe çobanin gazi. Këtu më tutje ka vdekur edhe një njeri. Ne do  të vazhdojmë me protesta siç dhe kemi bërë edhe herë të tjera. Do të vazhdojmë deri në pezullimin e punës, nuk do lejojmë marrjen e  prodhimit që del këtu”, shprehen banorët.

Shqiptarja.com  13.03.2017

Një shtëpi është përfshirë nga flakët mesditën e kësaj të premteje, si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Spitalit të Vlorës, ku ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Fatmirësisht në momentin e rënies së zjarrit nuk ka pasur njerëz në banesë. Zjarrfikëset kanë shkuar menjëherë në banesë ku kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve të zjarrit.

Shqiptarja.com  10.03.2017

Rreth orës 10:00, në lagjen “Partizani” të qytetit të Vlorës, ka rënë zjarr në një banesë.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën drejt vendit të quajtur “Kuzum Baba”, ku është përfshirë nga flakët një banesë private, në pronësi të shtetasit I.A., 58 vjeç.

Fatmirësisht, nuk ka asnjë person të lënduar, pasi nuk kishte njeri në banesë.

Banesa po digjet plotësisht dhe rrezikohen dy banesa të tjera që ndodhen pothuajse ngjitur me banesën në fjalë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se flakët janë shkaktuar nga ndonjë shkëndijë elektrike në banesë.

Në vendngjarje ndodhen shërbime të policisë si dhe dy shërbime zjarrfikëse të cilat po punojnë për shuarjen e flakëve të zjarrit.

Top Channel,  15.02.2017

Kompania kanadeze Pennine Petroleum Corporation ka njoftuar se ka miratuar marrëveshjen për ndarjen e prodhimit me Albpetrol Sh.A për eksplorimin dhe zhvillimin e Bllokut të Velçës në Shqipëri.

Burime nga Albpetrol konfirmuan për Monitor firmosjen e marrëveshjes, por thanë se ajo mbetet ende subjekt i nënshkrimit nga Këshilli i Ministrave.

Sipas kompanisë, marrëveshja finale e nënshkruar nga Pennine, Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe Albpetrol, shoqëria shtetërore e energjisë, është për një periudhë 6-vjeçare eksplorimi, e konvertuar në një leje prodhimi 25-vjeçare, pas zbulimit të rezervave të naftës ose gazit.

“Shqipëria ka një histori të gjatë për zhvillimin e naftës dhe gazit, që prej një shekulli dhe Pennine është shumë e kënaqur që po sjell ekspertizën e vet në këtë rajon”, – tha shefi ekzekutiv N. Desmond Smith.

“Shqipëria ka infrastrukturë të mirë të energjisë, legjislacionin e ngritur dhe rregulloret, dhe së fundmi ka pasur investime të rëndësishme në sektorin e energjisë”, -shton zoti Smith.

Pennine planifikon të nisë një Raport Teknik në 60 ditët e ardhshme, dhe me të dhënat ekzistuese të identifikojë objektivat e mundshëm të shpimit në Bllokun e Velçës.

Pennine po punon aktualisht me ekspertët e industrisë nga Albpetrol dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë.

“Ne besojmë se kjo marrëveshje mundëson një kontratë të balancuar mes riskut dhe shpërblimit për eksplorimin dhe shfrytëzimin e Bllokut të Velçës dhe ne shpresojmë që ka shumë mundësi në Shqipëri”,- tha CEO i Pennine, Richard Wadsworth, i cili ka udhëhequr Bankers Petroleum Ltd. në rizhvillimin e fushës së Patos Marinzës, si president nga 2004 deri në 2008.

Marrëveshja përfshin fazën e eksplorimit dhe atë të shpimit. Në fazën e eksplorimit, Pennine dhe Albpetrol do të shqyrtojnë të gjitha të dhënat ekzistuese në Bllokun e Velçës dhe do të përpunojnë të dhënat për përzgjedhjen e puseve për shpim. Faza e shpimit do të konsistojë në një angazhim për të shpuar një minimum prej dy pusesh, në një thellësi minimale prej 2,500 metra.

Pennine do të rikuperojë të gjitha kostot e eksplorimit dhe shfrytëzimit nga 90% e të ardhurave neto operative, pas pagimit të rentës prej 10%, dhe më pas do të jetë subjekt i Faktorit R të ndarjes së të ardhurave me Albpetrol, duke u luhatur nga 2% në 15% të të ardhurave operative neto, në varësi të shumëfishit të rikuperimit të kostos së projektit. Pasi të jenë shlyer të gjitha kostot, interesi i të ardhurave do të ndahet, me 50% për Ministrinë e Energjisë dhe 50% për pjesëmarrësit e marrëveshjes.

Termat dhe kushtet kryesore të Bllokut të Velçës janë nënshkruar në shkurt 2016. Pennine dhe Albpetrol ranë dakord në prill të vitit 2016 për kushtet dhe marrëveshja e ndarjes së prodhimit u dorëzua në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë për miratim. Pennine e rishikoi marrëveshjen e licencës, që ishte një komponent integral i marrëveshjes së ndarjes së prodhimit, në dhjetor 2016.

Revista Monitor,  15.02.2017

Pagat e personelit, shlyerja e kredisë dhe mirëmbajtja e termocentralit defektoz të Vlorës u kanë kushtuar financave të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) mbi 1.79 miliardë lekë, ose 13 milionë euro këtë vit.

Sipas të dhënave që KESH ka raportuar në Entin Rregullator të Energjisë, mësohet se nga kjo shumë mbi 1.5 miliardë lekë janë kostot fikse për shërbimin e borxhit; 71 milionë lekë janë shpenzimet e personelit ndërsa kostot e mirëmbajtjes vetëm për 6-mujorin e dytë llogariten në 226 milionë lekë.

Saga në të cilën ka kaluar ndërtimi i termocentralit të ri të Vlorës nuk mbaron me dështimin e projektit që kushtoi 129 milionë dollarë për të kontribuar me 8% në konsumin e energjisë, por me perspektivën e paqartë të rivënies në punë dhe kostot e larta që shoqërojnë procesin.

Sikur TEC-i të vihej në punë në vitin 2012, çmimi i shitjes së një kilovatori energji elektrike do të ishte 21 lekë, vlerë kjo tre herë më e lartë se çmimi i pakicës që paguhej në atë periudhë nga konsumatorët familjarë dhe dy herë më i lartë se çmimet e importit.

Situata është komplikuar më tej, nga defekti në tubat e ftohjes gjatë periudhës së garancisë më 2012, që më pas ka prodhuar konflikte të reja me kompaninë italiane Maire Tecnimont, të cilat po gjykohen në Arbitrazh.

Tani, qeveria shqiptare po zhvillon dy tenderë të rinj të destinuar për çështjet e TEC-it.

I pari është studimi i fizibilitetit për shqyrtimin e rivënies në punë të termocentralit nëpërmjet gazit të TAP. Kompania zvicerane, Roland Berger, po e bën këtë studim me fondet e grantit 6 milionë euro që qeveria e Zvicrës ka dhënë për ndërtimin e kapaciteteve të sektorit të gazit në Shqipëri. Por efektiviteti i studimit vihet në dyshim për faktin se gazsjellësi TAP ende nuk ka miratuar kuotat shtesë të gazit në Shqipëri.

Tenderi i dytë ka të bëjë me përzgjedhjen e një kompanie që do të japë konsulencën e nevojshme se si mund të zgjidhet defekti në tubat e ftohjes dhe të detajojë kostot për riparimin e tij. Sipas KESH, vetëm konsulenca do të kushtojë mbi 1milion dollarë. Zgjidhjet që do të ofrojnë këto dy studime pritet të sjellin miliona euro të tjera shpenzime për arkën e shtetit, pasi përshtatja e TEC për gazin e TAP kërkon një investim krejt të ri për të lidhur objektin që është në Vlorë me pontilin e depozitave të gazit në Fier, duke përfshirë këtu edhe ridimensionimin e kartës teknologjike.

Ministria e Energjetikës pohon që edhe me gazin e TAP, TEC-i Vlorës më shumë se sa për prodhim parësor do të shërbejë  si një backup për sistemin energjetik. Varianti më i keq është ta lësh siç është.

Borxhi i jashtëm e vendit u shtua me 2.3% nga huat e marrë për TEC-in, teksa shpenzimet për mirëmbajtjen e objektit  llogariten  sa 10% e kostove të Furnizuesit Publik me Shumicë të Energjisë, (degë e shitjes së KESH), të cilat  janë transferuar në tarifat fundore për konsumatorët.

Revista Monitor,  18.10.2016

Anëtarët e 30 familjeve që jetojnë në lagjen ’24 maji’ në qytetin e Vlorës kanë protestuar sot dhe shkak për këtë është bërë mungesa e energjisë elektrike. Por OSHEE ka deklaruar se kabina është në pronë private, megjithatë do të ndërhyjë në një transformator të ri.

Sipas banorëve ata kanë dy javë që nuk janë furnizuar fare me drita çka ka sjellë një vështirësim të kushteve të jetesës.

Mungesa e energjisë ka ardhur për shkak të vjedhjes së transformatorit që furnizon me drita zonën, por që deri tani nuk është zëvendësuar.

Ata kanë deklaruar se nëse problemi i tyre nuk merr rrugën e zgjidhjes, ata do të vijojnë protestat deri në bllokimin e rrugës.

Nga ana tjetër, ata kanë deklaruar se janë pagues të rregullt të faturave të energjisë elektrike dhe kjo që po i u bëhet është padrejtësi.

‘Ne kemi dy javë pa drita, jemi të rregullt me pagesat. Kemi njoftuar edhe autoritetet” tha një banor. Ndërsa një tjetër u shpreh se ‘Unë kam nënshkruar një kontratë me OSHEE. Kam djalin e vogël e nuk e nxjerr dot’. Një tjetër u shpreh se, “Na kanë mbyllur dyqanin sepse nuk kam drita. Si të punojmë ne”. Një grua tha se, ‘Po na qelben shtëpitë. Ne jemi të rregullt, pse të rrimë në errësirë? Do të bllokojmë rrugën, nuk kemi tjetër zgjidhje”

Në një reagim për këtë çështje, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka bërë të ditur se kabina për të cilën banorët ankohen është në pronësi private dhe nuk është aset i OSHEE-së ku ajo mund të ndërhyjë.

Megjithatë, ky institucion do të rikthejë energjinë elektrike për të gjithë konsumatorët duke ndërhyjë përkohësisht përmes vendosjes së një transformatori të ri.

Ndërhyrja në kabinën e aktuale nuk mund të bëhet, pasi nuk ka bazë ligjore që OSHEE të ndërhyjë në një pronë private.

Lagjia në të cilën banorët nuk janë furnizuar me energji gjatë kësaj kohe pritet që të përfshihet në një projekt ku do të shtihet sistemi i ri shpërndarje.

Shqiptarja.com  12.10.2016

Një punonjës i OSHEE në Vlorë ka humbur jetën pasi ka rënë nga muri ku po kryente punime me kabllo elektrike.

Ngjarja ka ndodhur mesditën e sotme rreth orës 12 në fshatin Grabian, ku Shyqyri Baraj, 23 vjeç për shkak të dëmtimeve të rënda është është shoqëruar menjëherë drejt spitalit rajonal për ndihmë mjekësore, par ka mbërritur i pajetë.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po vijon hetimet për sqarimin e rrethanave.

Shqiptarja.com  04.10.2016

Administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, Adrian Çela, ka zgjedhur Vlorën, si një nga zonat më të preferuara turistike për pushuesit vendas e të huaj, për të inspektuar nga afër investimet që po kryhen në rrjetin shpërndarës të qytetit dhe fshatrave përreth tij. Kreu i OSHEE, z.Çela, dha një prononcim para mediave ku bëri një analizë të treguesve të performancës së furnizimit me energji elektrike, të cilat, nisur nga përvoja e një viti më parë, janë përmirësuar ndjeshëm. Në fjalën e tij, Çela tha se pas ndërhyrjeve emergjente gjatë vitit 2015, OSHEE hartoi dhe nisi zbatimin e strategjisë së investimeve konkrete afatgjata në zonat bregdetare (sikurse po bën edhe në pjesë të tjera të vendit). “Vitin e kaluar, për rastësi këtu në Vlorë, po ju ishit gazetarë, duke inspektuar rrjetin e dobët të shpërndarjes, mos gaboj në zonën e Himarës (Potam) premtova ose u angazhova se 2016 do të ishte një vit shumë më ndryshe. Ky premtim u realizua më së miri dhe unë po ju jap disa fakte duke nisur nga Vlora”, u shpreh kreu i OSHEE: Çela dha si shembull dy treguesit e performancës së cilësisë së furnizimit me energji elektrike në qytetin e Vlorës, që krahasuar me një vit më parë, janë përmirësuar ndjeshëm N1 Numri i stakimeve për një abonent – është përmirësuar në masën 75% D1 Kohëzgjatja e ndërprerjes – është përmirësuar në masën 82 % Koha e riparimit të defekteve është ulur 73 % Numri i defekteve është zvogëluar 70% (këtu te defektet në Vlorë kemi raportin më të mirë në të gjithë vijën bregdetare) Administratori i OSHEE, tha se edhe në zonat e tjera bregdetare, cilësia e furnizimit me energji elektrike ka qenë shumë më e mirë se një vit më parë, referuar analizës së dy treguesve të performancës. Treguesit e gjithë zonës Bregdetare N1 = Nr i stakimeve të paplanifikuara per nje abonent është përmirësuar në masën 57% D1= Kohëzgjatja pa energji per abonent) eshte permiresuar me 66% Koha e riparimit te difekteve është ulur 42% Numri i defekteve është zvogëluar 52% Çela theksoi se punonjësit e OSHEE kanë qenë në gadishmëri 24 orë për realizimin e këtyre standardeve. Sipas tij, që në fillim të sezonit, për një mirëmenaxhim të situatës, OSHEE bëri publike planin e masave organizative dhe teknike Bashkë me planin, u renditën disa numra telefoni të personave përgjegjës për atë rajon/zonë plazhi që mbulonte, si dhe u shpërnda harta me të gjitha kontaktet përkatëse Baza materiale u vendos në dispozicion në të gjitha pikat e rrjetit shpërndarës U vendosën në gatishmëri 348 punonjës, përfshi këtu edhe drejtues teknikë inxhinierë nga rrethet e tjera, etj
Kreu i OSHEE tha më tej para mediave, se, referuar treguesit të kohëzgjatjes pa energji për abonent dhe numrit të stakimeve të paplanifikuara për abonentët, tre shtylla ishin ishin faktorët kryesorë që sollën ndryshimin në cilësi më të mirë të furnizimit me drita përgjatë sezonit të verës 2016: Remontet e kryera në të gjitha linjat TL/TM/TU Investimet nga Velipoja në Ksamil Gatishmëria 24 orë përgjatë bregdetit (me nr tel) 348 punonjës, Çela tha se për remontet u investuan afro 1 milion USD për mirëmbajtjen e rrjetit elektrik, të realizuara para sezonit, duke i dhënë siguri 224 km linjë TM/TU dhe 211 kabinave. “Theksoj se në rrjetin e Tensionit të Mesëm, afro 37% e mirëmbajtjes i takon zonës Vlorë – Dhërmi – Himarë (mbi 65 km linjë e rehabilituar)”, u shpreh administratori i OSHEE, z.Adrian Çela. Më tej, kreu i OSHEE, përmendi disa nga investimet e kryera në zonat turistike, nga Velipoja, në Shëngjin, Durrës dhe plazhet e saj, Golemi, plazhet si Divjaka apo e Semanit, e kështu me radhe në Vlorë, Himarë, Sarandë e deri në Ksamil, pa përmendur fshatrat e shumtë. Sipas tij, investimet kanë qenë të shumta pasi prekin linjat e tensionit të lartë 35 kv, tensionin e mesëm 10 dhe 20 kv, tensionin e ulët, kabinat, fidrat, dhe mos harrojmë nënstacionet, ku për herë të parë u vu në punë n/stacioni mobile në Himarë. “Kemi investuar mbi 1.1 miliardë lekë, dhe rreth 1.3 miliard të tjera janë në proces investimi. Të tjera investime nisin tani në shtator, me vlerë 4.2 miliardë lekë, pra sa dyfishi i deritanishëm. Këto investime prekin edhe 2017-n, vit i cili besojmë se i japim zgjidhje përfundimtare furnizimit normal dhe të sigurtë me energji elektrike”, tha administratori i OSHEE. energjia.al  02.09.2016