info@energjia.al

Shfuqizimi i Planit të Energjisë së Pastër të hartuar nga administrata e ish-presidentit Barak Obama për të frenuar emetimet e gazeve serrë do të ndodhë zyrtarisht të martën, njoftoi Scott Pruitt, kreu i Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit.

Një kopje e planit që ka rrjedhur në media tregon se Pruitt do ta shfuqizojë planin duke cituar arsye të “tejkalimit të autoritetit ligjor të agjencisë”.

Plani i administratës Obama i publikuar në tetor 2015, u kërkonte centraleve me qymyr që të reduktonin emetimet e dyoksidit të karbonit me 32 për qind deri në vitin 2030.

Në mars të këtij viti, Presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv, që i kërkonte agjencisë “pezullimin, rishikimin ose anulimin” e planit të administratës Obama.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  10.10.2017

Në përpjekje për të nxitur zhvillimin e sektorit të energjisë, administrata e presidentit Donald Trump po konsideron tkurrjen apo eliminimin e plotë të 11 zonave të mbrojtura detare, qëllimi i të cilave është mbrojtja e 425 milionë akrave (172 mln hektarë) barriera korale, habitateve të gjitarëve detarë dhe plazheve të virgjëra.

Rishikimi është pjesë e një strategjie më të gjerë për të hapur zona të reja shpimesh për naftë dhe gaz, duke vendosur në vend të parë nevojat për energji të familjeve dhe bizneseve amerikane.

Që në fushatë, Trump premtoi nxitjen e prodhimit të karburanteve fosile, duke eliminuar rregulla për mbrojtjen e ambientit, por çudia ka ndodhur, pasi industria e energjisë në SHBA duket se nuk është e interesuar për planin më të fundit.

“Reuters” raporton se ka zhvilluar intervista me përfaqësues të industrisë, që kanë sinjalizuar hapur se kjo përpjekje nuk do të ketë sukses. Jo vetëm industria e naftës, por edhe ajo e prodhimit të energjisë nga era nuk është e interesuar për shfrytëzimin e këtyre zonave të mbrojtura detare, e një nga shkaqet kryesore është sfida kolosale që paraqesin marrëdhëniet me publikun.

Për më tepër, përparimet teknologjike e kanë bërë më fitimprurës shpimin për naftë në tokë, madje edhe në vendet e shfrytëzuara më herët, ndërsa në det ky proces vazhdon të jetë i kushtueshëm.

Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë situatën, pasi duket se po lodhet për një plan që s’do ta përdorë askush, ndërsa sektori i energjisë u tregua mjaft diplomatik duke thënë “Faleminderit, por jo!”. Departamenti amerikan i Tregtisë pritet të japë rekomandime për zonat e mbrojtura detare muajin e ardhshëm, ndërsa mësohet se shumica e komenteve publike për çështjen janë për ruajtjen e tyre.

Top Channel,  29.09.2017

Deklarata përfundimtare e liderëve të grupit të 20 ekonomive më të industrializuara të botës, vuri në dukje një ndarje mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera anëtare mbi marrëveshjen e Parisit për klimën.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se është e kënaqur që të gjithë vendet anëtare përveç SHBA, janë dakord se marrëveshja e Parisit është e pakthyeshme.

Ajo tha se nuk ka të njëjtin këndvështrim me Kryeministren e Britanisë, Theresa May, e cila tha se Washingtoni mund të vendosë që të rikthehet në marrëveshjen e klimës.

Për tregtinë, një tjetër pikë kyçe, liderët ranë dakord se do të luftojnë proteksionizmin, përfshirë të gjithë praktikat e padrejta tregtare.

“Tregjet duhet të qëndrojnë të hapura dhe proteksionizmi duhet luftuar. Gëzohem që jemi dakord për këtë. Të gjithë vendet anëtare jemi gati që veprimet tona të monitorohen nga Organizatat kryesore. Ne jemi gjithashtu dakord se avantazhet e tregtisë  ndërkombëtare nuk kanë  prekur akoma të gjithë”, tha kancelarja gjermane Angela Merkel.

Në lidhje me protestat që u zhvilluan gjatë samitit, Merkel tha se e dënon ashpër dhunën e përdorur  kundër oficerëve të policisë.

Scan Tv,  10.07.2017

“Koncepti i ngrohjes globale u krijua nga dhe për kinezët në mënyrë që prodhimi i SHBA të mos konkurojë.” Trump , 6 nëntor 2016 .

Kjo që pritej ndodhi: Trump mbajti fjalën për premtimin që kishte bërë gjatë fushatës elektorale për një tërheqje totale nga marrëveshja për klimën. Kjo erdhi pas një debati që praktikisht ndau më dysh edhe Shtëpinë e Bardhë, ku dhe e bija e Trump ishte kundër . Por pas debatit fitoi linja e konservatorëve të kryesuar nga Scott Pruitt, politikani që bëri karrierë në korporatat e naftës dhe u emërua nga Trump në krye të Agjensisë Mjedisore të SHBA (EPA) dhe nga Steve Bannon që e quajnë strategu i ultra të djathtës. Të humbur në këtë debat dolën Gary Cohn, ish drejtor ekzekutiv i Goldman Sachs që mban postin e kreut të ekspertëve ekonomikë në Shtëpinë e Bardhë dhe sekretari i shtetit Rex Tillerson i cili ka qënë drejtor në kolosin e naftës Exxon mobil (që ka përkrahur respektimin e marrëveshjes për klimën ). Edhe Elon Musk, numëri një i Tesla-s ka kërcënuar që do të dalë nga stafi presidencial që merret me ndryshimet klimatike. Po ashtu edhe një pjesë e mirë e botës së sipërmarrësve të mëdhej nga Wall Street te Silicon Valley, Apple e Microsoft, nuk e pranonin daljen nga marrëveshja përfshirë dhe gjigandët e naftës si Chevron e Bp.

Kështu, SHBA bëhet vendi i tretë nga gjithë shtetet e botës ( me Sirinë e Nikaraguan ) që nuk bëjnë pjesë nga marrëveshja historike e Parisit të përbërë nga 195 vende .
Trump deklaroi se : “ Marrëveshja e Parisit, negociuar nga Obama na imponon objektiva jo realistë për Shtetet e Bashkuara në reduktimin e emetimeve të gazeve serrë duke lënë shtete si Kina një lejekalimi për vite të tëra. Jam gati të rinegocioj për një marrëveshje të re. Nëse ja dalim do të jetë gjë e madhe, nëse jo përndryshe durim “.
Trump paraqiti njw arsyetim të mbushur me shifra, që tregon dhe natyrën e tij prej biznesmeni. Ai tha se :”termat e marrëveshjes së Parisit përbëjnë disavantazh ekonomik për SHBA. Tani është e qartë pse vendet e tjera kur firmosën ishin euforikë. Është një marrëveshje që ndëshkon Amerikën dhe pak ka të bëjë me klimën dhe shumë më tepër me avantazhet ekonomike që përfitojnë të tjerët nga SHBA”. Ai dha shembuj duke mbështetur idenë se kombet e tjera, në veçanti Kina, India por dhe Evropa “mund të vazhdojnë të ndërtojnë impiante me qymyr ndërsa ne nuk mund ta bëjmë këtë gjë “. Theksoi edhe se nëse SHBA do të vinin në jetë objektivat e marrëveshjes, ekonomia amerikane do të humbiste tre mijë miliardë dollarë nga prodhimi i brendshëm në dhjetëvjeçarin e ardhshëm dhe se qëllimi i tij ishte që rritja ekonomike të arrihej që vitin e ardhshëm në 3-4%.

Në njoftimin e tij ai u angazhua që SHBA nën administratën e tij do të jetë “vendi më i pastër dhe mjedisor në botë, do të kemi ajër më të pastër, ujë më të pastër, do të jemi ekologjistë por nuk do ti nxjerrim nga tregu ndërmarrjet tona “.
Por cili është shkaku i daljes së SHBA nga marrëveshja e Parisit që , midis të tjerave ka dhe një klauzolë që saktëson se dalja nga marrëveshja mund të bëhet jo më parë se 3 vjet nga vënia e saj në fuqi ( nëntor 2016). Për të gjithë është e qartë : sllogani i tij America first-Amerika e para , pra arësyetimi është i thjeshtë : nuk prekim mirëqënien e Amerikës . “American Dream”(Endrra Amerikane) nuk u ndërtua pa punë e pa energji. Eshtë meritë e popullit amerikan, por dhe e qeverive të tij. Këtë nuk e ve askush në diskutim.Niveli i lartë i jetesës u arrit me mund e sakrifica dhe u takon ta gëzojnë ata që e vendosën Amerikën në krye të shteteve të tjera. Por ky nivel, kërkon një sasi energjie shumë të madhe për të qëndruar atje ku është e akoma më tepër për t’u zhvilluar më tej, me ritmet me të cilat janë mësuar amerikanët.Boll të përmëndim se 1000 familje amerikane shfrytëzojnë energji, sa për 3200 familje europiane.Të mos harrojmë se Europa është edhe vetë e përparuar.Për të mos përmendur që mbi 2 miliardë njerëz në botë nuk kanë akses në energji elektrike .

Nga i vjen energjia Amerikës ? Në vend të parë ( sipas US Energy Generation-shkurt 2017) vjen nga gazi natyror e nafta me rreth 34% të prodhimit të energjisë elektrike , qymyri me rreth 30% , energjia bërthamore 20% dhe vetëm 15% energji e rinovueshme ( hidrocentrale , diellore , eolike etj..). Vlen për tu theksuar se 91% e qymyrit të nxjerrë shkon për prodhimin e enrgjisë elektrike . Një nga vendimet e para marrë nga administrata Trump ishte zhbllokimi i Keysonte Xl, naftësjellësi nga Kanadaja që do të transportojë 800 mijë fuçi në ditë në rafineritë e Teksasit e Luizianës në jug dhe të bllokuar nga administrata Obama për impaktin e madh mjedisor që shkaktonte në krahasim me përfitimet e pakta që do të ketë dhe numurin e vogël të të punësuarve . Po ashtu nga nxjerrja e naftës do të provokohej emetim i ndotjes gjë që e shtyu John Kerry-n të deklaronte atehere (2015) : “Po ta ndërtojmë do të minojë besueshmërinë tonë si udhëheqës në luftën kundër ndryshimeve klimatike “. Dhe tani jo vetëm që do të ndërtohet ai ( por do të ndërtohen edhe të tjerë )

Administrata e Trump-it ka deklaruar se do të hiqen limitet e emetimit të gazeve serrë të vendosura nga Obama me ligjin Clean Air Pakt , madje do ta abrogojë dhe atë ligj duke bërë të ekzaltohej J. Gerard, president i American Petroleum Institute: “Jemi të lumtur të konstatojmë se rruga e re e administratës e njeh rëndësinë e infrastrukturës energjetike “ nga që Trump deklaroi “Me mua merr fund lufta ndaj qymyrit e do ti vemë minatorët në punë “ paçka se qymyri është ndotësi më i madh i ajrit dhe Clean Air Pakt parashikonte reduktimin me 32% të ndotjes nga centralet me qymyr . Kjo për të rritur pavarësinë energjetike të Amerikës dhe për të krijuar mijra vende pune “të bëra tym” ( shprehje e tij ), nga agjenda e gjelbër e Obamës . Ndërsa për ambientalistët që e kanë kundërshtuar projektin , Trump , gjatë fushatës , disa ditë para zgjedhjes së tij deklaronte se “Ambientalistët kanë dalë jashtë kontrollit “.
Sa për energjinë e rinovueshme ka një histori edhe me presidentët e Ameriokës . Në 2010 Barack Obama vendosi të instaloheshin në Shtëpinë e Bardhë panele diellore dhe i vuri . Por nuk ishte ai i pari që bëri këtë gjë . Aty , ishin vendosur panele të tilla që më parë (1979- 32 panele ) nga presidenti Karter të cilat pas dy vjetësh u hoqën nga pasardhësi i tij R. Regan dhe u vendosën në një kafeteri të kolegjit Maine .

Të gjitha veprimet e Trump kanë në thelb slloganin e tij të ri : “Make America first Again- Ta bëjmë Amerikën përsëri të paren “ . Me këtë do të thotë se prioritet i tij do të jetë rritja e mirëqënies së qytetarëve edhe shtimi i vendeve të punë . Këtu , sipas filozofit dhe filologut amerikan Noam Çomski (Chomskey) dhe të tjerë e ka rrënjën politika proteksioniste , izolacioniste dhe antiglobalizmi i tij që e largojnë Amerikën nga një përvojë më se tridhjetë vjeçare . Këto janë vënë re që nga kërkesa që vendet e NATO-s të paguajnë më tepër gjë që vështirësoi marëdhëniet e tij me Merkel dhe drejtues e të tjerë evropianë ; nga sanksionet për industrinë e automobilëve që do të instalonin uzinat në Meksië kur SHBA me Ford , Crysler, Shevrolete e të tjerë gjigantë të prodhimit të automobilëve janë vendosur prej kohësh në Evropë ; nga “lufta e ftohtë” ekonomike me Kinën (dhe jo vetëm ) për ndalimin e eksporteve të saj në SHBA ndërsa në 2016 eksporti i SHBA në vendet e botës ishte 2.2 trilion dollarë në mallra dhe shërbime dhe vjen pas Kinës (1.3 miliardë njerëz ) dhe Bashkimit Evropian.

Vendimi i Trump për tërheqjen nga Marrëveshja e Parisit për klimën ka ngjallur si asnjëherë më parë një reagim në unison të të gjithë botës : “një gabim i madh” u deklarua nga Bashkimi Evropian e Kina në një deklaratë të përbashket; Putin tha :
“ Mund ta evitonte daljen nga marrëveshja “ ; Belgjika -“akt brutal kundër mjedisit” ; Vatikani u shpreh – “një katastrofë për planetin dhe një shembëël i keq për vendet e tjera” ; 28 shtete e shumë qytete amerikane kanë sfiduar Trump dhe kanë krijuar një lëvizjeje për të mbrojtur dhe vënë në jëtë marrëveshjen .
Merkel – “nuk do tja arrijë të ndalojë ne të gjithë që ndjehemi të detyruar të mbrojmë planetin “ e deri te presidenti i ri i Francës që perifrazoi slloganin e Trump-
“ Ta bëjmë planetin të madh përsëri”. Ndërsa nga politika jonë qeveritare e partiake nuk ka dalë ndonjë gjë e re pavarësisht se e kemi firmosur dhe ne Marrëveshjen e Parisit . Siç duket i kanë zënë ethet elektorale dhe nuk duan të prishen me mikun e madh .

Grupimi Ekolëvizja,  07.06.2017

Çmimet e naftës ranë nën 50 dollarë për fuçi gjatë sesionit të sotëm, duke pësuar një rënie prej rreth 2% që në orët e para. Kolapsi i çmimeve vjen pas vendimit të Donald Trump për të braktisur paktin e klimës, çka mund të nxisë aktivitetin e shpim kërkimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në çelje të sesionit të sotëm, nafta Brent e Londrës kuotohej pranë nivelit të 49.75 dollarëve për fuçi, ndërsa ajo bruto amerikane pranë 47.46 dollarëve për fuçi. I gjithë tregu i lëndëve të para po reflekton vendimin e administratës amerikane për t’u tërhequr nga pakti i Parisit.

Vendimi i paprecedentë do t’u hapë rrugë prodhuesve dhe kërkuesve në Shtetet e Bashkuara, duke qenë se tashmë eliminohen rregullat strikte të ndotjes dhe emetimit të gazrave.

Scan Tv,  02.06.2017

Çmimet e naftës u regjistruan në rritje të ndjeshme gjatë sesionit të sotëm, duke marrë shtysë nga zërat se, shtetet e bashkuara të Amerikës mund të tërhiqen nga marrëveshja e Parisit mbi ndryshimet klimatike.

Edhe disa të dhëna të tjera që flasin për një rënie të papritur të rezervave në shtetet e bashkuara, kanë pasur ndikim në trajektoren e çmimeve gjatë sesionit të së enjtes.

Tërheqja e shteteve të bashkuara të Amerikës nga marrëveshja e klimës, sinjalizon eliminimin e rregullatorëve që kufizojnë përdorimin e karburanteve fosile, duke i dhënë kështu një shtysë çmimeve.

Në celje të sesionit të sotëm, nafta brent e Londrës kuotohej pranë nivelit të 51.34 dollarëve për fuçi, ndërsa ajo bruto amerikane pranë 48.96 dollarëve për fuçi.

Të mërkurën, benchamrku ndërkombëtar preku nivelin e 50.31 dollarëve për fuçi, pas raportimeve se Libia do të rrisë prodhimin me 800 mijë fuçi në ditë.

Scan tv,  01.06.2017

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të angazhuara fort në projektin e Korridorit Jugor të Gazit dhe mirëpresin përpjekjet e Azerbaixhanit dhe partnerëve ndërkombëtarë në përfundimin e këtij projekti”, shkruan Donald Trump në letrën e tij përshëndetëse për pjesëmarrësit e konferencës së 24-t ndërkombëtare të naftës dhe gazit.

Korridori Jugor i Gazit ka në themel të tij pikërisht gazsjellësin Trans-Adriatik dhe në tërësi parashikon transportin e gazit natyror nga Azerbajxhani në Europën perëndimore, ky një ndër nyjet kryesore të këtij projekti është pikërisht Shqipëria, që do të mundësojë transportin për në Europën perëndimore nëpërmjet detit Adriatik.

Parashikohet që nëpërmjet korridorit jugor të gazit, ose gazsjellësit Transadriatik, të transportohen 10 miliardë metër kub gaz, jo vetëm nga rajoni i Kaspikut por edhe nga Lindja e Mesme, me qëllimin për të ulur varësinë e Europës ndaj gazit rus.

Administrata e re amerikane kërkon nga Azerbajxhani një bashkëpunim më të madh dy palësh. Përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë projekt nuk mund të ketë arsye tjetër veç asaj gjeopolitike, pra rritjes së influencës në një rajon, ku vetë Shtetet e Bashkuara pretendojnë se, kohët e fundit po kërkon të ndërhyjë Rusia.

Korridori jugor i gazit është evidentuar edhe nga Bashkimi Europian si prioriteti numër një në sektorin energjetik. Projekti, përbëhet nga gazsjellësi Trans Adriatik dhe ai Trans Anatollian, i njohur ndryshe si Tanap.

Scan Tv,  31.05.2017

Çmimet e naftës u regjistruan në rënie gjatë sesionit të sotëm, pas propozimit të Donald Trump për të shitur gjysmën e rezervave strategjike të naftës së vendit. Kjo ka lënë në hije tërësisht përpjekjet e OPEC për të nxitur çmimet nëpërmjet një marrëveshje të re për shkurtimin e prodhimit.

Në çelje të sesionit të sotëm, nafta Brent e Londrës kuotohej pranë nivelit të 53.44 dollarëve për fuçi, ndërsa ajo bruto amerikane pranë 50.71 dollarëve për fuçi. Plani i Trump parashikon shitjen e gjysmës së rezervave nga vitit 2018 deri në vitin 2027 me qëllimin për të mbledhur 16.5 miliardë dollarë, tregojnë dokumentet e bëra publike të Hënën.

Ndër të tjera, ky dokument flet edhe për mundësinë e rritjes së prodhimit në Alaskë. Lëshimi i rezervave të naftës amerikane do të përmbyste tregun me ofertë, duke bërë nul përpjekjet e OPEC  dhe duke fryrë ndjeshëm mbingarkesën.

Scan Tv,  24.05.2017

“Efekti Trump” ka filluar të godasë sërish metalet, por në një mënyrë krejt të ndryshme nga ajo e sesionit të së nesërmes së fitores së tij në zgjedhjet amerikane.

Ndërkohë që në Nëntor fluturonte bakri, e që ari ngadalësonte, sot po ndodh e kundërta. Metali i verdhë ditën e Hënë preku nivelin e 1261 dollarëve për onz, që përkthehet në një nivel rekord një mujor, duke u këmbyer kështu pranë niveleve të Nëntorit.

Bakri ndërkohë ka zbritur pranë nivelit më të ulët të 2 javëve të fundit, në 5671 dollarë për ton.

Të njëjtin trend kanë ndjekur edhe metalet e tjera. Ky trend i ri në tregun e metaleve, të çmuara ose jo, ka vetëm një shpjegim, efektin Trump.

Dështimi i Trump për të marrë mbështetje nga partia e tij në zhbërjen e Obamacare, po ushqen tej mase skepticizmin në tregje. Shumëkush, me të drejtë, ka filluar të ngrejë dyshime në lidhje me aftësinë e tij për të vënë në jetë premtimet elektorale.

Ishin këto premtime që shtynë tregjet drejt nivele rekord pas fitores së Trump.

Scan Tv,  28.03.2017

Tregjet e kapitalit janë regjistruar në një rënie të përgjithshme gjatë sesionit të sotëm, pas mbylljes së bursave në Shtetet e Bashkuara dhe Azi. Rënia vjen si pasojë e shqetësimeve që lidhen me aftësinë e Donald Trump për të realizuar premtimet për shkurtimin e taksave.

Ishin pikërisht këto premtime që shtynë bursat drejt niveleve rekord maksimale në dy muajt e fundit. Tashmë, ky premtim po bën të kundërtën.

Investitorët tashmë kanë filluar ta kërkojnë sigurinë gjetkë, te ari, borxhi dhe yeni japonez. Dollari amerikan ka prekur nivelin me të ulët në 4 muaj kundër yenit japonez, ndërkohë që monedha e përbashkët europiane ka prekur nivelin më të lartë kundrejt dollarit që prej fillimit të Shkurtit, në 1.08 dollarë.

Tregjet europiane u regjistruan të gjitha në rënie, të paktën  5 indekset kryesoret. Ato aziatike pësuan rënien më të madhe ditore që prej Dhjetorit, ndërkohë që Standart and Poor`s 500 ra me mbi 1% për të parën herë që prej Tetorit të vitit të kaluar.

E njëjta gjë vlen edhe për tregun e naftës. Nafta Brent e Londrës ka rënë pranë nivelit të 50.20 dollarëve për fuçi, që është niveli më i ulët në tre muaj, dhe tashmë niveli i 50 dollarëve për fuçi nuk duket më i sigurte.

Vetëm ari është regjistruar në rritje, me 0.2%, duke prekur nivelin më të lartë të tre javëve të fundit.

Scan Tv,  23.03.2017