info@energjia.al

Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Italia do të bëhen pjesë e projekteve pilot të bashkimit të parë të tregut të përbashkët rajonal të energjisë.  Shtetet e dhanë dakordësinë në Forumin e Sekretariatit Europian të  Energjisë që u zhvilluara këto ditë në Athinë.

Krijimi i një tregu të përbashkët ballkanik për energjisë është vendosur parimisht vite me parë, por duket se katër vende ku bën pjesë edhe Shqipëria kanë rënë dakord që të pilotojnë projektet që i hapin udhë kësaj nisme.

Sekretariati Europian i energjisë fton vendet ballkanike të rrisin përpjekjet për të rregulluar në përputhje me rrethanat sistemet e tyre ligjore dhe rregullatorë, duke përfshirë një proces gjithëpërfshirës të vendosjes e tarifave për operatorët e sistemit të shpërndarjes dhe cilësinë e shërbimit.

Forumi  i Athinës e  inkurajoi Sekretariatin e Energjisë të vazhdoje me zhvillimin e konceptit për harmonizimin e regjimeve të licencimit të tregtisë dhe furnizimit me energji në vendet e Rajonit.

Forumi u bën thirrje qeverive kombëtare që të mbështesin mjaftueshëm autoritetet rregullatorë kombëtare me burimet njerëzore dhe financiare të nevojshme për përmbushjen e detyrave për tregun e përbashkët.

Forumi i Athinës e mirëpriti përparimin e bërë në krijimin e një tregu rajonal të energjisë elektrike në Ballkanin Perëndimor. Forumi ftoi qeveritë e Ballkanit Perëndimor të miratojnë vendimet e nevojshme që mundësojnë krijimin jetësimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike në përputhje me Paketën e Tretë të Energjisë dhe me objektivat e përcaktuara nga 2015.

Forumi inkurajoi miratimin e udhërrëfyesi për bashkimin e tregut në Ballkanin Perëndimor dhe ftoi të gjithë aktorët që të marrin pjesë aktive në zhvillimin dhe zbatimin e projekteve pilot për tregun e përbashkët.

Për të shmangur një krizë të mundshme energjetike, rajoni i Ballkanit Perëndimor po shikon mundësinë për të funksionuar si një i vetëm. Shqipëria është pjesë e saj. Për zbatimin e tij është krijuar një Task Forcë, ku do të marrin pjesë anëtarët e këtij këshilli, Komisioni Europian, donatorët, ekspertët etj.

Revista Monitor,  06.06.2017

Zyra e Rregullatorit të Energjisë organizoi sot një tryezë diskutimi për Liberalizimin e Tregut të Energjisë.

Ushtruesi i detyrës së kryesuesit të Bordit në ZRRE, Krenar Bujupi, theksoi se qëllimi i kësaj konference është për liberalizimin e tregut të energjisë ngase Kosova ka aprovuar ligjet përkatëse.

Liberalizim sipas tij, nënkupton rregullimin e çmimeve të energjisë elektrike edhe pse sipas Bujupit nuk do të ketë ndryshime rrënjësore të çmimeve.

Bujupi tha se çmimet e energjisë aktualisht janë më të lira në Kosovë krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian.

Sipas tij, Kosova ka çmim më të lirë të energjisë sesa Maqedonia, Shqipëria, por Serbia ka çmime të energjisë më të lira se Kosova.

Ai tha se janë licencuar edhe dy operatorë për furnizim me energji elektrike.

Këshilltari për rritje ekonomike në USAID, Theodore Heisler, tha se furnizimi i rregullt me energji elektrike paraqet zhvillim dhe rritje ekonomike për Kosovën.

Liberalizimi i tregut sipas tij, mundëson investimet në infrastrukturën e energjisë.

Gjithashtu Heisler tha se liberalizimi i tregut të energjisë duhet të ndodhë për çmime të arsyeshme për bizneset.

Eksperti për energji elektrike në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, Arben Kllokoqi, tha se liberalizimi I tregut të energjisë për çmimet është I nevojshëm dhe konkurrenca e kësaj lëmie të futet në treg.

Sipas tij, Qeveria dhe Kuvendi duhet të krijojnë kushte për hapësirë më të madhe në tregun e energjisë, andaj, lehtësimi i kushteve ka mjaft rëndësi.

Telegrafi,  18.03.2017

Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar tarifat e reja të aksesit të bizneseve në rrjetin e shpërndarjes. Përveç çmimit të energjisë elektrike, bizneset që furnizohen në 35 kilovolt do t’i paguajnë edhe 1.5 lekë për kilovat tarifë OSHEE-së për përdorimin e rrjetit dhe bizneset 20 kilovolt do të paguajnë mbi çmimin 11 lekë të energjisë për kilovat edhe 3.9 lekë të tjera si tarifë përdorimi për rrjetin e OSHEE-së.

Me këtë vendim, të 6200 bizneset që furnizohen nga rrjeti 20 kilovolt do të paguajnë për shkak të tarifës së re deri në 35% më shtrenjtë energjinë dhe 82 bizneset që furnizohen nga rrjeti 35 kilovolt do të paguajnë 15% më shumë.

Këto tarifa do të aktivizohen gjatë këtij viti dhe të parët që do të penalizohen nga rritja e çmimit të energjisë janë bizneset në rrjetin 35 kilovolot. Burimet nga OSHE bëjnë me dije se në muajin shkurt është gati e gjithë infrastruktura teknike e sistemit të matjes për të nxjerrë në treg të lirë këto biznese. Kështu, muajin tjetër, bizneset e këtij grupi do të nisin të paguajnë një tarifë 11 lekë për kilovatorë, nga 9.5 lekë që paguajnë aktualisht, nga e cila 9,5 lekë është tarifë për çmimin e energjisë dhe 1.5 lekë tarifë për përdorimin e rrjetit të OSHEE-së.

Por ekspertët e OSHEE shpresojnë se bizneset do të mund të gjejnë furnizues me çmim më të lirë, e cila mund të amortizojë tarifën e re të përdorimit të rrjetit. Por bizneset e kësaj kategorie, më herët gjatë muajit nëntor 2016, pohuan për ‘Monitor’ se kishin dështuar të gjenin një furnizues privat energjie me çmime të logjikshme.

Ndërsa tarifat më të larta pritet t’i paguajnë bizneset e rrjetit 20 kilovolt. Numërohen rreth 6200 subjekte të tilla, të cilat pritet të dalin në tregun e pavarur në gjashtëmujorin e dytë të vitit. Këto biznese do të paguajnë 14.9 lekë për kilovat, nga e cila 11 lekë është çmimi i energjisë për kilovatorë dhe 3.9 lekë për kilovat është tarifa e re që ERE miratoi pak ditë më parë për përdorimin e rrjetit të energjisë. Aktualisht ato paguajnë 11 lekë për kilovat.

Me ligjin e ri të energjisë, 6200 biznese që furnizohen në linjën 20 kv duhet të dilnin nga tregu në janar të këtij viti dhe 82 kompani të tjera që marrin energji në tensionin 35 kv duhet të kishin dalë që në korrik 2016.

Por, për shkak se infrastruktura teknike e sistemit të matjes nuk ishte gati, dalja në treg të lirë e konsumatorëve nga 35 kv është shtyrë për muajin që vjen dhe konsumatorët në 20 kv për gjashtëmujorin e dytë të vitit.

Tarifat e reja të energjisë me 2017 për 6300 biznese
Çmimi i energjisë Tarifa e re e përdorimit te rrjetit Rritja në %
Konsumatorë në 35 KV 9.5 1.5 15.79
Konsumatorë në 20 KV 11 3.9

Revista Monitor  09.01.2017

Drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Engjëll Zeqo, tha se bursa shqiptare e energjisë elektrike do të krijohet nga ministri i Industrisë dhe Energjetikës brenda datës 31 mars 2017 dhe do të jetë e hapur për pjesëmarrjen e OST-ve të tjera fqinjë në strukturën e pronësisë së bursës.

Në një intervistë për Monitor, ai garanton konsumatorët që dalin në tregun e lirë të energjisë të mos frikësohen nga procesi i hapjes së tregut të energjisë elektrike. “E kuptoj që fillimisht furnizimi i energjisë elektrike në tregun e lirë do të dojë njëfarë kohe dhe pak përvojë për ndryshimin e furnizuesit, por ju siguroj se ligji i sektorit aktualisht u ka dhënë këtyre konsumatorëve të gjitha mundësitë dhe mbrojtjet e nevojshme për të siguruar furnizimin e tyre të sigurt nga tregu i lirë i energjisë elektrike me çmime dhe më konkurruese sesa furnizimi nga një furnizues i vetëm i cili është monopol”, shpjegoi Zeqo.

Zoti Zeqo, me miratimin e ligjit të ri për Sektorin e Energjisë dhe modelit të ri të tregut si do të funksionojë OST dhe specifikisht Operatori i Tregut (OT)?

Duhet theksuar në radhë të parë se Ligji i ri i Sektorit të Energjisë Elektrike miratuar në prill të 2015-s është në përputhje të plotë me paketën e tretë legjislative të BE-së për Energjinë dhe ka marrë paraprakisht miratimin e Sekretariatit të Energjisë në Vjenë, një institucion partner dhe monitorues i ngritur në zbatim të Traktatit të Vendeve të Europës Juglindore, pjesë e së cilës është dhe Shqipëria. Në zbatim të parashikimeve të Ligjit dhe Modelit të ri të Tregut të Miratuar me VKM në korrik 2016, OST sh.a. i dalin një sërë detyrash të cilat lidhen me zhvillimin dhe fuqizimin e sistemit të transmetimit si dhe rritjen e cilësisë së furnizimit me energji elektrike.

Një aspekt mjaft i rëndësishëm i ligjit është dhe ndarja e plotë e pronësisë së OST sh.a. nga të licencuarit e tjerë të cilët kryejnë rolet e prodhuesit apo furnizuesit të energjisë elektrike. Ky parashikim mundëson rritjen e pavarësisë së OST sh.a. nga pjesëtarët e tjerë të licencuar siç janë KESH apo OSHEE, duke rritur gjithashtu transparencën dhe mosdiskriminimin e pjesëtarëve të tregut, qofshin këta publikë apo privatë.

Një ndër parashikimet e ligjit, është dhe hapja graduale e tregut të furnizimit me energji elektrike të klientëve, i cili fillon me 01/07/2016 me klientët e lidhur në 35 kV dhe përfundon në 1 janar 2018 datë në të cilën, të gjithë klientët e lidhur në tension të mesëm janë të detyruar të blejnë energji elektrike në tregun e parregulluar. Në këtë prizëm, OST sh.a. është duke ndërmarrë me financim të Bankës Botërore projektin për instalimin e sistemit të matjes të konsumatorëve të lidhur në tension të mesëm për të bërë të mundur zbatimin e këtij përcaktimi sipas afateve ligjore.

Sipas parashikimeve të Ligjit të ri të Sektorit të Energjisë Elektrike 43/2015, Operatori i Tregut do të jetë një kompani e ndarë ligjërisht dhe financiarisht nga Operatori i Sistemit të Transmetimit me VKM brenda 31 dhjetorit të vitit 2017. Aktualisht, rolin e operimit të tregut, e cila lidhet me menaxhimin e tregut të energjisë elektrike dhe përgatitjen e pasqyrave financiare për shlyerjen e detyrimeve të ndërsjella për disbalancat e shkaktuara nga pjesëmarrësit e tregut kryhet nga ana e OST sh.a. Në këtë prizëm, nga ana e OST sh.a. janë duke u marrë masat për ndarjen organizative të Operatorit të Tregut brenda OST sh.a. që do t’i paraprije ndarjes financiare dhe ligjore të saj nga OST sh.a.

Operatori i tregut do të ketë një rol tejet të rëndësishëm në menaxhimin e tregut të lirë të energjisë elektrike në vend.

Sipas rregullores së ERE, Operatori i Tregut do të ketë funksionin e një “burse” energjie, pasi do të tregtojë energji, sipas modelit “Day Ahead” ose “Një ditë para”. Ju lutem na jepni një shpjegim se çfarë risie sjell kjo në tregtimin e energjisë?

Përcaktimi nuk është i saktë, pasi bursa e energjisë elektrike do të jetë një institucion i pavarur dhe jo Operatori i Tregut të Energjisë Elektrike sipas parashikimeve të ligjit 43/2015 dhe Modelit të ri të tregut, miratuar me VKM në korrik 2016. Sipas parashikimeve të po këtij modeli, një pjesë e tregtimit të energjisë elektrike do të bëhet nëpërmjet bursës së energjisë elektrike, e cila ka si objektiv përfundimtar integrimin e tregut energjetik shqiptar në bashkimin e tregut paneuropian.

Bursa shqiptare e energjisë elektrike do të krijohet nga ministri i Industrisë dhe Energjetikës, brenda datës 31 mars 2017 dhe do të jetë e hapur për pjesëmarrjen e OST-ve të tjera fqinjë në strukturën e pronësisë së bursës. Paraprakisht duhet thënë se janë zhvilluar bisedime me Kosovën, e cila ka shprehur gatishmërinë dhe vullnetin për përfshirjen në strukturën e bursës shqiptare, fakt i cili do të mundësonte bashkimin e tregjeve të të dy vendeve duke optimizuar burimet e ndërsjella dhe duke shfrytëzuar maksimalisht linjën e interkonjeksionit 400 kV Shqipëri – Kosovë, e cila u vu në punë rishtazi.

Duhet theksuar se tregtimi i energjisë elektrike është risi në vendin tonë dhe në rajon, por është një procedurë funksionale në të gjitha vendet e BE-së prej një kohe të gjatë. Duhet pasur parasysh se energjia elektrike nuk është mall, siç janë mallrat e tjerë, por është komoditet, siç është nafta apo kromi, dhe si e tillë, nuk ndryshon as në cilësi apo veti të tjera si e tillë, tregtimi në bursë do të përcaktojë një çmim për blerjen dhe shitjen e saj, çmim i cili do të përcaktohet nga kërkesa dhe nga oferta e tregut të lirë. Në këtë mënyrë, tregu do të përcaktojë saktësisht çmimin e shitjes dhe të blerjes së saj. Të gjithë pjesëmarrësit në bursë do të shesin dhe do të blejnë me të njëjtin çmim. Bursa do të jetë pala shitëse dhe blerëse e energjisë elektrike.

high tension poles shtylla tensioni te larteCilat janë përfitimet e tregtimit të energjisë në OST?

Siç u shpreha dhe më lart, çmimi i shitjes së energjisë elektrike do të jetë i njëjtë për të gjithë pjesëmarrësit e bursës dhe ky çmim do të përcaktohet nga kërkesa dhe oferta. Për më tepër, ofruesi i shërbimit të mbledhjes dhe kalkulimit të çmimeve do të jetë një kompani e huaj me reputacion ndërkombëtar, e cila ka një përvojë të gjatë në këtë fushë dhe menaxhon bursa energjetike në Europë. Një rol mjaft të rëndësishëm monitorues do të këtë dhe ERE dhe Sekretariati i energjisë në Vjenë.

Çfarë lehtësirash do të ketë tregu i energjisë në aspektin e sasive dhe çmimit?

Në aspektin e sasive, duhet thënë se volumet e detyrueshme, të cilat do të tregtohen në Bursë, do të jenë sipas përcaktimeve të Modelit të tregut. Me pak fjalë, volumet që do të tregtohen në të, do të rriten me kalimin e viteve. Kjo bëhet për të mundësuar hapjen graduale të tregut në tri faza (deri më 1 janar 2019) sipas parashikimeve të ligjit të sektorit të energjisë elektrike duke mos përfshirë në të vetëm volumet të cilat lidhen me klientët familjarë, të cilat do të mbeten në treg të rregulluar dhe do të furnizohen nga energjia e prodhuar nga ana e KESH-it.

Ndër lehtësirat mund të përmendet se energjia, duke u blerë në tregun e një dite më parë ose brenda ditës (intraday) çmimi do të jetë më afër realitetit si për sa i takon profilit (energjia ka çmime të ndryshme në orare të ndryshme dhe ditë të ndryshme p.sh., ditët e pushimeve ose në fundjave, çmimi i energjisë është më i lirë pasi dhe kërkesa është më e ulët) ashtu dhe sasive që do të tregtohen dhe shkëmbehen. Ofertat për shitje dhe për blerje do të bëhen në mënyrë elektronike nga platforma që do të ofrohet nga ofruesi i shërbimit me eksperiencë ndërkombëtare në menaxhimin e Bursave në Europë.

Si e shihni ju interesin e kompanive (konsumatorëve të mëdhenj, tregtarëve dhe prodhuesve) për t’u anëtarësuar në OT?

Mendoj se me kalimin e kohës dhe fillimin e stabilizimit të funksionimit të Bursës, pjesëtarët e tregut do të shikojnë me interes pjesëmarrjen në bursën energjetike dhe tregtimin e energjisë në të. Eksperiencat e gjera europiane në këtë drejtim tregojnë më së miri për suksesin e këtij modeli. Gjithashtu duhet thënë se bashkimi i tregjeve të rajonit me tregjet paneuropiane është tashmë një plan i cili do të realizohet në një të ardhme mjaft të afërt dhe për të cilën, nga ana e TSO-ve të rajonit është duke u punuar në zhvillimin e infrastrukturës së interkonjeksionit midis vendeve.

Biznesi, ekonomia dhe konsumatorët, çfarë përfitojnë?

Siç u shpreha dhe më lart, të gjithë klientët, qofshin këta biznese apo individë, do ta blejnë energjinë elektrike me të njëjtin çmim i cili do të përcaktohet nga tregu tashmë në të cilin do të ofrojnë energji elektrike, si burimet gjeneruese të vendit, ashtu dhe importuesit dhe çmimi do të përcaktohet nga kërkesa dhe oferta jo nga faktorë të tjerë.

Bizneset që konsumojnë nga rrjeti 35 kilovolot në janar 2017 do të dalin nga rrjeti i OSHEE, por ndërkohë shumica e tyre nuk janë të informuar për procesin. Si ekspert i fushës, a keni një mesazh për këtë kategori konsumatorësh?

Ligjërisht, këta klientë kanë dalë në treg të lirë, duke filluar nga data 1 korrik 2016.

Në vitin 2011, kohë në të cilën kam qenë drejtor i përgjithshëm i sh.a. KESH, me iniciativën dhe këmbënguljen tonë dhe me mbështetje të Ministrisë u bë një amendim në Ligjin për sektorin e energjisë elektrike, në të cilën parashikohej detyrimi i klientëve të lidhur në Rrjetin 110 kV e lart apo që kishin një nivel konsumi mbi 50 milionë KWh në vit.

Fillimisht hasëm në një kundërshtim nga konsumatorët në fjalë, bëhej fjalë për një grup prej 7 konsumatorësh të mëdhenj, për shkak të moseksperiencës në dalje në treg për furnizimin me energji elektrike, gjithsesi brenda shumë pak kohe, gjërat u stabilizuan dhe furnizimi me energji elektrike i këtyre konsumatorëve në tregun e lirë të energjisë elektrike vazhdon dhe sot pa asnjë problem.

Këshilla për këta konsumatorë nga ana ime është të mos frikësohen nga procesi i hapjes së tregut të energjisë elektrike, siç ndodh me çdo lloj tregu tjetër. Mund ta kuptoj që fillimisht, furnizimi i energjisë elektrike në tregun e lirë do të dojë njëfarë kohe dhe pak përvojë në ndryshimin e furnizuesit nga OSHEE, gjithsesi mund t’ju siguroj se ligji i sektorit aktualisht u ka dhënë këtyre konsumatorëve të gjitha mundësitë dhe mbrojtjet e nevojshme për të siguruar furnizimin e tyre të sigurt nga tregu i lirë i energjisë elektrike me çmime dhe më konkurruese sesa furnizimi nga një furnizues i vetëm i cili është monopol.

Revista Monitor,  23.09.2016

Tregtarët e energjisë (furnizuesit) dhe konsumatorët fundore do të do të shkëmbejnë energji elektrike me çmime të parregulluara sipas një rregullave të reja të tregut të energjisë, të cila janë në proces miratimi nga Enti rregullator i energjisë.

Rregullat e reja që janë në shërbim të liberalizimit të tregut të energjisë i japin të drejtë operatoreve privatë që të blejnë energji elektrike për furnizimin e klientëve fundorë në tregun e brendshëm ose nëpërmjet importit.

“Më tej furnizuesit do të lidhin kontrata furnizimi të energjisë elektrike me klientët fundorë me çmime te parregulluara, të negociuara ndërmjet furnizuesit dhe klientit fundor ne përputhje me rregullat e tregut dhe kushtet e përgjithshme për furnizim te miratuar nga ERE” thuhet në rregulloren e re.
Furnizuesit do të kontraktojnë energji elektrike nga Tregtarët dhe Prodhuesit ose nga shoqëria e prodhimit të energjisë elektrike, aksionet e së cilës kontrollohen plotësisht ose pjesërisht nga shteti (KESH Gjen),

Furnizuesit privatë detyrohen tu sigurojnë klientëve një informacion të detajuar dhe transparent me shkrim për kushtet kryesore të kontratës. Sipas ERE, Këto kushte duhet të jenë të drejta dhe të balancojnë interesat e palëve.

Por në rast se, bizneset në konsumin 20 dhe 35 kilovolt dështojnë të gjejnë energji në tregun privat atëherë modeli i ri i tregut njeh parimin e “ Shërbimit Universal”. Ky parim njeh detyrimin e shërbimit universal të furnizimit,si detyrim i shërbimit publik, siguron të drejtën e furnizimit me energji elektrike për një kategori të caktuar të klientëve ne përputhje me kriteret e vendosura ne ligjin nr. 43/2015, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, me një cilësi të caktuar të furnizimit, me çmime të rregulluara, lehtësisht dhe qartësisht të krahasueshme, transparente dhe jodiskriminuese.

Klientët që përfitojnë nga shërbimi universal, do të operojnë me çmime te cilat reflektojnë kostot me metodologjinë përkatëse te miratuar nga ERE.

Revista Monitor,  15.06.2016

Ministria e Energjisë dhe Industrisë organizoi sot një tryezë me përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe biznesit ku u diskutua mbi liberalizimin e tregut të energjisë elektrike. Të pranishëm ishin përfaqësues nga Enti Rregullator, OSHEE, KESH, OST, Konfindustria, Dhoma Amerikane e Tregtisë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Dhoma Britanike e Tregtisë, Dhoma Turke e Tregtisë dhe Shoqata e Tregtarëve të Energjisë.

Në fjalën e tij, Ministri Gjiknuri deklaroi se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë i ka planifikuar investimet për të mbështetur procesin e liberalizimit. “Edhe Banka Botërore ka qenë mbështetëse në këtë drejtim dhe dua ta falenderoj sepse edhe ky aktivitet është nën kujdesin dhe nën mbështetjen e tyre”, u shpreh z.Gjiknuri.

Ai tha se synimi i qeverisë është krijimi i një tregu të brendshëm të energjisë dhe më pas edhe një treg bilateral përfshirë Kosovën e më gjërë. Perspektiva është ajo e krijimit të një burse shqiptare të energjisë dhe më tej bashkëpunimi me vendet fqinje. “Jemi duke punuar për kryerjen e përgatitjeve dhe heqjen e të gjitha barrierave duke i dhënë vendit mundësinë që të konkurojë lirisht në një treg të liberalizuar, duke shfrytëzuar avantazhin e burimeve hidrike me kosto të ulët”, nënvizoi ai.

Ministri sqaroi se në qendër të reformës së liberalizimit është dhe liberalizimi i tregut me pakicë drejt zbatimit të reformës më tej edhe në Operatorin e Shpërndarjes.

“Në kushtet e sistemit tonë energjitik, kjo hapje e tregut po bëhet e shkallëzuar, për arsye se për realizimin e tij duhet një sistem elektroenergjitik me karakteristika tekniko-ekonomike të krahasueshme me sistemet e lidhura me ta. Ky proces do mbështetet gjithashtu me investime në Rrjetin e Shpërndarjes me vlerë rreth 100 milion Euro dhe me një infrastrukturë moderne të matjes”, tha z.Gjiknuri.

Sipas tij, liberalizimi nuk është qëllim në vetvete. “Prioriteti jonë kryesor në këto vite dhe vazhdon që të jetë është rimëkëmbja e sektorit elektroenergjetik. Ishim në një vdekje klinike, nga vdekja klinike trupi është ringjallur, në njëfarë mënyre po fiton shëndetin e nevojshëm. Por akoma nuk është gati për garë, për sprint, siç janë bërë të tjerët. Kjo do të dojë një fazë të caktuar dhe pikërisht të gjithë ne pjesë të sistemit, duhet të marrim kostot e nevojshme por njëkohësisht të paguajnë kontributin e nevojshëm dhe këtu duhet një bashkëpunim”, theksoi z.Gjiknuri.

Ai bëri thirrje që të mbahet larg demagogjisë politike energjitika pasi është një sfidë për çdo qeveri. “Nuk duam që procesi i liberalizimit të krijojë një kompani rentiere. Pra që merr atë rentën dhe nuk ka eficiencë. Por pikërisht për shkak të liberalizimit dhe presioni do të jetë shumë më i madh në mirëadministrimin e korporatave”, vlerësoi z.Gjiknuri.

Ministri tha se liberalizimi sjell një përfitim të dyfishtë. “Mirëadministrimi, investimet në rrjet, rritja e sigurisë së furnizimit patjetër do të ulë koston e aksesit. Dhe nesër çdo luhatje të çmimit në tregun ndërkombëtar të energjisë patjetër nuk e dëmton konsumatorin për shkak të tarifave të aksesit më të pranueshme, pasi janë kryer edhe këto investime”, tha Gjiknuri.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës z.Nikolin Jaka tha se ka qenë pjesë e konsultës për ligjin e ri të energjisë dhe liberalizimin. “Krahas vlerësimit që kam për Ministrinë e Energjisë si në uljen e humbjeve, si në reformën që u bë në energji, gjithashtu investimet që po bëhen është jashtëzakonisht e rëndësishme që të kihet parasysh të paktën obligimi që ka ndaj konsumatorit, ndaj sipërmarrjes. Lidhur me sistemin dhe aksesin është jashtëzakonisht e rëndësishme që ministria dhe operatori që do të bëjë mundësimin e vënies në dispozicion të rrjetit të kihen parasysh çmimet që do ti ofrohen operatorëve gjenerues të energjisë. Nga ana tjetër është e rëndësishme cilësia e ofrimit”, u shpreh z. Jaka.

Kreu i Konfindustrisë z.Gjergji Buxhuku tha se procesi i liberalizimit procesi i liberalizimit është i mbështetur, por me kushtin që të jetë i mirëorganizuar. “Duhen të jepen garanci për investimet fizike, pra investimet në linja duhet të jenë të sigurta. E dyta, më e rëndësishmja është fakti dhe shqetësimi që ka ardhur pranë Konfindustrisë nga konsumatorët, është çështja e tarifave të linjave. Ne duhet të kemi të qartë që në vendimin e ERE-s duhet që kostot të jenë të mirë përcaktuara. Liberalizim pa numër të madh operatorësh nuk ka kuptim”, u shpreh z.Buxhuku.

Përfaqësuesi i Dhomës Amerikane të Tregtisë z.Lorenc Gjoni tha se mbështet kërkesën për një treg sa më transparent dhe për një bursë që funksionon mirë. “Më vjen mirë që e dëgjoj që u vu theksi tek cilësia e shërbimit do të vazhdojë, të shpresojmë që këto shqetësime së mëparshme të adresohen në të njëjtën kohë, ndërsa bëhen investime në përmirësimin e rrjetit. U vlerësoj për përfshirjen e grupeve të interesit në ndryshime dhe kërkoj që të jemi sa më të përfshirë”, nënvizoi z.Gjoni.

Përfaqësuesi i Shoqatës Shqiptare të Furnizuesve të Energjisë Elektrike z.Sokol Spahiu theksoi se do të dëshironte që liberalizimi të përfshinte edhe sektorin e shitjes me shumicë. “Ne i shohim si dy procese të ndërthurura, liberalizimin e shitjes me pakicë dhe liberalizimin e së shitjes me pakicë. kërkesa parë ndaj qeverisë është që të procedojë sa më shpejt me liberalizimin e mëtejshëm të tregut të shumicës së energjisë elektrike në mënyrë që të kemi balancimin e plotë ndërmjet tregut të shumicës dhe tregut të pakicës”, u shpreh z.Spahiu.

Të dhëna teknike:

Ligji i ri i sektorit të energjisë elektrike miratuar në Prillin e vitit 2015 bazohet mbi Paketën e Tretë Rregullatore që parashikon hapjen e mëtejshme të tregut duke bërë të mundur zhvillimin e një tregu të lirë, konkurues dhe efiçent si dhe duke garantuar një furnizim të qëndrueshëm e me cilësi për konsumatorët. Konkurenca dhe çmimi i tregut bën që pjesëmarrësit të investojnë për të menaxhuar burimet e tyre me cilësi dhe në mënyrë efikase.

Prej Korrikut 2016 parashikohet të dalin në tregun e lirë konsumatorët biznese të lidhura në tensionin 35 kV (82 të tilla). Në Janar 2017 parashikohet të dalin në tregun e parregulluar ata konsumatorë që janë të lidhur në rrjetin 20 kV (968 të tillë). Ndërkaq, në Janarin e vitit 2018 do të bëhet shkëputja edhe e konsumatorëve që janë të lidhur në rrjetin 10 kV dhe 6 kV. Në total, brenda vitit 2018 do duhet të dalin në treg për të siguruar energjinë elektrike sipas përcaktimeve të ligjit 6200 subjekte biznesi.

Shqipëria e ka tanimë një eksperiencë pozitive në procesin e liberalizimit pasi në vitin 2011 u shkëputën 7 konsumatorë të mëdhenj (8.4% e konsumit kombëtar) duke dalë në tregun e liberalizuar në të cilin operojnë dhe sot.

Sipas ligjit, ndryshimi i furnizuesit bëhet me kërkesë të klientit fundor dhe pa kosto shtesë. Furnizuesi aktual është i detyruar të furnizojë klientin deri në përfundimin e procedurës së ndryshimit të furnizuesit. Pasi klienti të nënshkruajë një kontratë me furnizuesin e ri të energjisë, ai do të anulojë të gjitha kontratat me furnizuesin e mëparshëm. Për zbatimin e këtij procesi do të kryhet investimi në sistemin e matjes së energjisë në kohë reale dhe transmetimi i tyre në një platform regjistrimi.

Megjithëse këta klientë do të kenë mundësi për të zgjedhur lirisht furnizuesin e tyre të energjisë, rrjetet e transmetimit dhe shpërndarjes do mbeten të pandryshuar. Furnizuesit regjistrohen tek Operatori i Tregut për pjesëmarrjen në treg dhe nënshkruajnë marrëveshje për detyrimet e ndërsjella. Ndërkaq, lidhet dhe marrëveshje me OSHEE për shërbimet që ky operator bën duke përcaktuar të drejtat dhe detyrimet e aksesit në rrjet, cilësia e shërbimit dhe mirëmbajtja.

energjia.al  09.06.2016

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) deklaron se një marrëveshje për uljen e prodhimit e vendeve anëtare dhe jo të OPEC, do të kishte ndikim të limituar dhe tregjet nuk kanë gjasa të ribalancohen deri në 2017-ën.

Agjencia, që mbikqyr politikat mbi energjinë në vendet e industralizuara, thotë se pavarësisht rënies në prodhimin amerikan dhe të Iranit, bota do të prodhonte sërish më shumë se sa konsumon përgjatë 2016-ës. Çmimet e naftës kanë rënë që prej 2014-ës nga 115 dollarë për fuçi duke prekur nivelin e 27 dollarëve, si pasojë e mbifurnizimit.

Çmimet janë rimëkëmbur paksa në rreth 40 dollarë për fuçi për shkak të uljes së prodhimit të Shteteve të Bashkuara dhe takimit që pritet me vendet e OPEC në Katar këtë të dielë.

Ndërkohë që Arabia Saudite dhe Rusia po prodhojnë në nivele thuajse rekord, marrëveshja nuk do të ndikojë në balancën globale të kërkesës dhe ofertës për vitin 2016, shkruan Agjencia në raportin mujor.

Bota ka grumbulluar inventarë në rekord gjatë vitit të kaluar në thuajse 3 miliardë fuçi, pasi prodhimi ka kaluar kërkesën. Agjencia ndërkombëtare e energjisë pret që stoku të rritet me 1.5 milonë fuçi në ditë në gjysmën e parë të 2016-ës dhe do të ngadalësohet në 200 mijë fuçi në ditë në gjysmën e dytë, parashikim i pa ndryshuar nga raporti i muajit të kaluar.

Kërkesën për 2016-ën, agjencia e uli nga muaji i kaluar në 1.16 milionë fuçi në ditë. Agjencia thotë se kërkesa për naftë po ulët ne Kinë, Shtetet e Bashkuara dhe pjesën më të madhe të Europës.

Scan TV,  14.04.2016

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri mori pjesë sot në takimin e grupit që po punon për projektin e krijimit të Bursës Shqiptare të Energjisë dhe Modelin e ri të Tregut.

Në takimin ku u prezantua studimi i bërë nga kompania konsulente norvegjeze NorgPoolConsulting merrnin pjesë përfaqësues të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Bankës Botërore, Entit Rregullator të Energjisë dhe drejtues të shoqërive publike KESH, OST dhe OSHEE.

Prezantimi i konsulentëve të qeverisë shqiptare përmbante të dhënat në lidhje me impaktin financiar që Modeli i ri i Tregut dhe Bursa e Energjisë do të ketë në sektorin e energjisë në tërësi, duke patur në konsidereatë mbrojtjen e interesave të konsumatorëve tariforë dhe ndikimin në të ardhurat e shoqërive publike KESH, OST dhe OSHEE.

Organizimi e ri i tregut i prezantuar nga konsulentët synon shfrytëzimin optimal të burimeve, sipas modeleve bashkëkohore në harmoni të plotë me legjislacionin europian, duke krijuar mundësi të një tregu konkurues vendas me hapësirë pjesëmarrjeje në tregun rajonal e më tej atë europian.

Qëllimi i këtyre transformimeve dhe vendosja e rregullave të qarta në marrëdhëniet midis pjesëmarrësve të këtij tregu, ka në bazë logjikën e rritjes së efiçencës për uljen e kostove si dhe përfitimet e konsumatorëve, mundësia e hapjes së tregut për konsumatorët e mëdhenj industrial, në përputhje me detyrimet  e ligjit të ri për Sektorin e Energjisë Elektrike.

Pas prezantimit, pjesëmarrësit diskutuan në lidhje me analizat financiare të paraqitura, me qëllim plotësimin e të dhënave financiare, përgatitjen e propozimit përfundimtar në Këshillin e Ministrave për miratimin e Modelit të ri të Tregut të energjisë elektrike.

energjia.al  15.06.2016

Çmimet e naftës u ulën dhe më pas shënuan rritje në tregjet globale, ndërsa tregtarët e naftës po analizojnë ndikimin e mundshëm të rihyrjes në tregjet botërore të naftës iraniane, deri tani e bllokuar nga sanksionet ndërkombëtare.

Çmimi i naftës u ul fillimisht me 2,3     për qind në orët pas shpalljes së marrëveshjes me Iranin, por më pas shënoi një ngritje të lehtë, duke arritur në 52,88 dollarë për fuçi.

Eksportet e naftës iraniane janë prekur rëndë nga sanksionet e vitit 2012 të vendosura nga OKB-ja, SHBA dhe fuqitë e tjera perëndimore, për t’i bërë trysni Iranit të ulej në bisedime për programin e tij bërthamor. Pas marrëveshjes së 14 korrikut, sanksionet pritet të hiqen gradualisht, në se inspektorët ndërkombëtarë arrijnë në përfundimin se Irani po e respekton marrëveshjen.

Në se kjo ndodh, brenda disa muajsh, qindra mijëra fuçi nafte iraniane në ditë do t’u shtoheshin tregjeve botërore, gjë që pritet t’i mbajë çmimet e naftës në kuotat e tanishme, ose t’i ulë edhe më tej.

Irani, vendi i katërt në botë për nga rezervat e naftës, ka prodhuar këtë vit mesatarisht 2.8 milionë fuçi nafte në ditë. Ministri i Naftës Bijan Namdar Zanganeh tha se me t’u hequr sanksionet, Teherani mund të dërgojë 500 mijë fuçi nafte ekstra në ditë për tregjet botërore, që edhe ashtu janë të mbushura me naftë dhe pas 6 muajsh edhe 500 mijë fuçi të tjera në ditë.

Gjigandi britanik i naftës, BP vlerëson se rezervat e naftës së Iranit janë afërsisht 158 miliardë fuçi, të mjaftueshme për të furnizuar Kinën, një konsumator i madh nafte, për 40 vjet.

Një prej avokatëve që është marrë me sanksionet, Sarosh Zaiwalla, i tha agjencisë Reuters se “mundësia e heqjes së sanksioneve, po krijon shumë pritshmëri, pasi tregtia me vende të tjera dhe investimet do ta lejojnë Iranin të përmirësojë ndjeshëm procesin e nxjerrjes së naftës dhe të ulë koston e prodhimit”.

Kompanitë evropiane të energjetikës “Eni” dhe “Total” kanë punuar në Iran para sanksioneve dhe thonë se janë të gatshme të rikthehen. Po ashtu interes kanë shprehur edhe firmat e tjera si BP, “Ryal Dutch Shel”l dhe “Exxon Mobil”.

Sanskionet e kanë dëmtuar ekonominë iraniane dhe heqja e tyre do t’i jepte asaj një nxitje të madhe, duke u hapur rrugën investimeve ndërkombëtare dhe duke shtuar shpenzimet e konsumatorëve iranianë.

Analistë të biznesit si Charles Robertson dhe Daniel Salter me bankën e investimeve “Renaissance Capital”, thonë se Irani është tregu më i rëndësishëm botëror i mbyllur ndaj investitorëve të huaj. Por kjo mund të ndryshojë në fillim të vitit 2016, në se hiqen sanksionet.

Firma të njohura ndërkombëtare janë në pritje të fillimit të shitjeve për qeverinë iraniane dhe për 80 milionë konsumatorët e Iranit. Ministri iranian i Transportit thotë se vendi ka nevojë të zëvendësojë 400 aeroplanë të vjetëruar gjatë dekadës së ardhshme, për një kosto prej 20 miliardë dollarësh. Marrëveshja e Vjenës, po ashtu do të zhbllokonte rreth 100 miliardë dollarë në llogari iraniane të bllokuara në bakat e huaja.

Firmat e prodhimit të makinave Renault dhe Peugeot, kanë rifilluar bisedimet me partnerët iranianë për prodhimet e tyre. Po ashtu, firmat amerikane mund të hyjnë në tregun Iranian.

Firma kërkimore “Euromonitor” parashikon që shitjet e bulmeteve evropiane në tregun iranian, mund të kapin shifrën e 18 miliardë dollarëve deri në vitin 2020. Një rritje 9 herë më shumë nga sa janë sot.

Zëri i Amerikës,  15.07.2015

Pas miratimit të Ligjit të ri për Sektorin e Energjisë Elektrike, Shqipëria po ndërmerr hapat konkrete për liberalizimin e tregut të energjisë. Ligji përcakton një kalendar të qartë se në çfarë mase dhe në cilat afate do të realizohet hapja e tregut. Në funksion të këtij procesi, shumë shpejt do të realizohet dhe ndërhyrja ligjore për krijimin e modelit të ri të tregut.

Pjesë e tregut të energjisë, që synon në themel rritjen e transparencës në shitblerjet e energjisë, do të jetë edhe bursa e energjisë. Ajo do të jetë mekanizmi që do të realizojë transaksionet fizike dhe financiare të flukseve të energjisë. Suksesi i kësaj burse do të varet edhe nga sasia e flukseve të energjisë që do të tregtohen në të.

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri  tha se Shqipëria po bën hapat e saj drejt liberalizmit të tregut. “Ju e dini tashmë që Parlamenti shqiptar miratoi Ligjin e ri të Energjisë Elektrike, i cili përcakton edhe një skedulë për liberalizimin e mëtejshëm të tregut.  Gjithashtu, po bëhen hapa me vendet fqinje për të bashkuar tregjet, pra për të krijuar tregje më të mëdha se sa një vend, siç është rasti me Kosovën. Janë edhe disa përpjekje nën mbikëqyrjen e Komunitetit të Energjisë për krijimin e zyrave të përbashkëta të alokimit të kapaciteteve, gjë që i bën tregjet e këtyre vendeve më të lidhur me njëri-tjetrin dhe më likuid. Në momentin që janë më likuid, ka më shumë garanci financiare edhe për investimet”, nënvizoi ministri Gjiknuri.

Ambasadori norvegjez Z.Jan Braathu shprehu bindjen se me mbështetjen e qeverisë së tij, Shqipëria do të arrijë objektivin për liberalizimin e tregut të energjisë dhe për krijimin e bursës.

“Kemi një vizion përtej saj, është një vizion që e ndajmë me qeverinë tuaj dhe me qeveritë e vendeve përtej Shqipërisë, si me Kosovën përshembull, për një treg rajonal energjie. Ky është hapi i parë, është hapi i rëndësishëm dhe nëqoftëse ne ecim në linjën e duhur atëherë do ta shikojmë këtë zhvillim edhe më tej. Ne do të përforcojmë dhe do të konsolidojmë pozicionin e Shqipërisë në Europën jugore”, u shpreh ambasadori.

Në këtë kontekst, Shqipëria do të shfrytëzojë bashkëpunimin e qeverisë së Norvegjisë për të realizuar projektin e krijimit të tregut dhe bursës së energjisë në Shqipëri. Përvoja norvegjeze synohet të shfrytëzohet si një histori suksesi në krijimin dhe funksionimin e tregut të energjisë.

Në kuadër edhe të procesit të iniciuar nga Konferenca e Berlinit për vendet e Ballkanit, po orientohet fuqizimi i lidhjeve të interkonjeksionit mes vendeve të rajonit. Shqipëria ka tanimë funksionale linjën e transmetimit me Malin e Zi dhe me Greqinë. Vitin e ardhshëm përfundon linja e interkonjeksionit me Kosovën dhe fillon ndërtimi i linjës me Maqedoninë.

Paralelisht me këtë, Shqipëria po merr masat për të krijuar tregun e energjisë dhe bursën e saj të energjisë. Në një hap të dytë, synohet që edhe përmes shembullit norvegjez të kalohet në një treg dhe bursë rajonale të energjisë.

Ligji i sektorit të Energjisë Elektrike parashikon që brenda vitit 2018 deri 30% e tregut të energjisë të jetë e liberalizuar.

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri në tryezën “Nisma për krijimin e tregut dhe bursës së energjisë në Shqipëri”.

Falenderoj zotin ambasador, qeverinë norvegjeze, që ka bërë të mundur ekzistencën e këtij projekti. Gjithashtu, falenderoj edhe Komunitetin e Energjisë, i cili do të ofrojë asistencën e nevojshme, në mënyrë që ky projekt të jetë i suksesshëm. Për publikun shqiptar duhet të kuptohet se çfarë përfaqëson? Është pikërisht ajo që e tha edhe ambasadori  pak më parë, kemi mundësi për herë të parë që të fillojmë të krijojmë tregun e energjisë. Shqipëria, siç e dini, nuk ka një treg energjie, ka qenë një sistem energjetik tërësisht shtetëror, i mbyllur, i subvencionuar apo kryesisht i varur nga shteti. Kjo shkon përkundër trendit të zhvillimeve ndërkombëtare që është hapja e tregjeve. Vetëm hapja e tregjeve dhe liberalizimi i tyre, krijimi vërtet i një tregu do të jetë një lloj makine që do të nxisë dhe do të garantojë investimet. Është e qartë se investimet e huaja, apo çdo lloj investimi në rritjen e kapaciteteve dhe në shtimin e prodhimit të energjisë do të kërkonte një treg.

Shqipëria është vend i vogël, ka sfidë në këtë drejtim dhe nuk është kollaj të krijosh një treg në një vend të vogël. Këtu kemi operatorë siç është Stattkraft apo edhe investitorë të tjerë nga Turqia të cilët kanë marrë përsipër investimin me riskun e tyre për gjetjen e tregut të energjisë. Shqipëria nga ana tjetër po bën hapat e saj drejt liberalizmit të këtij tregu. Ju e dini tashmë që Parlamenti shqiptar miratoi Ligjin e ri të Energjisë Elektrike, i cili përcakton edhe një skedulë për liberalizimin e mëtejshëm të tregut.

Gjithashtu, po bëhen hapa me vendet fqinje për të bashkuar tregjet, pra për të krijuar tregje më të mëdha se sa një vend, siç është rasti me Kosovën. Janë edhe disa përpjekje nën mbikëqyrjen e Komunitetit të Energjisë për krijimin e zyrave të përbashkëta të alokimit të kapaciteteve, gjë që i bën tregjet e këtyre vendeve më të lidhur me njëri-tjetrin dhe më likuid. Në momentin që janë më likuid, ka më shumë garanci financiare edhe për investimet.

Qeveria shqiptare është e vendosur të shkojë në këtë drejtim, në hapjen dhe në liberalizmin e tregut të energjisë. Pikërisht kjo asistencë e qeverisë norvegjeze, nëpërmjet shembujve të mirë dhe nëpërmjet ekspertizës më të mire do të jetë një vlerë e çmuar. Ju e dini që vendet skandinave kanë qenë pioniere të bashkimit të tregjeve  dhe kanë harmonizuar vendet e tyre për të krijuar hapësira shumë të mira dhe për burimet e tyre. Pra, burimet ujore të kombinuara me burime të tjera.

Edhe ne si Shqipëri, sëbashku me Kosovën nesër por dhe me vende të tjera në Europën Juglindore mund ti kemi këto mundësi nëse hedhim hapat e duhura në këtë drejtim. Momenti është i mirë, sektori energjetik ka një ringritje. Këtë të gjithë duhet ta pranojmë, po e thonë të gjithë, nuk është çështje as vetëmburrjeje politike, as për ti bërë qejfin arritjeve, por sektori është futur në një rrugë të mbarë. Energjia po paguhet dhe kjo është shumë e rëndësishme. A-ja e çdo tregu është që të ketë para dhe njerëzit të paguajnë energjinë. Pra, klientët që konsumojnë energji po e paguajnë atë aktualisht.

Po bëhen investime për lidhjen e Shqipërisë me vendet fqinje. Synimi të cilin ne e kemi bërë të qartë është që deri në vitin 2020, Shqipëria të jetë e lidhur me të gjitha vendet fqinje. Kjo do të thotë që mbas linjës së Kosovës,  të fillojmë me atë të Maqedonisë dhe do të përmirësojmë edhe rrjetin tonë të brendshëm. E gjithë kjo në mënyrë që tregu i energjisë të mos jetë vetëm virtual, por te jetë real dhe të ketë edhe infrastrukturën e nevojshme që e mbështet të gjithë këtë shkëmbim tregtar energjie. Qeveria po investon në këtë drejtim, ashtu siç po investohet edhe në përmirësimin e sektorit të shpërndarjes. Kjo ka të bëjë me furnizimin më të mirë të popullatës, furnizimin më të mirë të konsumatorëve, por ndikon edhe kjo sepse janë investime të nevojshme për tregun.

Nga ana tjetër, Banka Botërore ka një projekt në lidhje me mbështetjen e platformave të nevojshme, pra përmes financimeve konkrete. Në qoftë se ne tani po zhvillojmë “software-in”, po dizenjojmë një treg të mundshëm, pra kush do të jenë këto parametra, skedula se si do ta shtrijmë këtë proces, Banka Botërore do të jetë ajo që do të financojë blerjen e platformave të nevojshme dhe të gjithë infrastrukturën që kjo gjë të funksionojë.

Idea është që të krijohet një grup kordinativ në mënyrë që projekti të ecë paralel, pra siç është pjesa ‘soft’, konsulentët do të përgatisin projektet e tyre. Banka nga ana tjetër, sëbashku me Operatorin e Sistemit të Transmetimit apo me aktorët e tjerë të tregut, të fillojë paralelisht të bëjë punën e saj në mënyrë që ne të jemi gati në momentin që diçka është e dizenjuar qartë dhe kërkon patjetër materializmin me infrastrukturën e nevojshme.

Të gjitha këto janë ndikime shumë pozitive. Unë besoj se pavarësisht sfidave që ka bërja e tregut në një vend të vogël si Shqipëria është shumë e rëndësishme që ne të fillojmë këtë proces. Ne duhet të bëjmë përpjekjen tonë, të fillojmë të hapim tregun dhe të shfrytëzojmë sa më shumë burime që të jetë e mundur për gjenerimin e energjisë. Shumë shpejt do të kemi planin kombëtar të energjive të rinovueshme ku do të parashikohen edhe burime të tjera të energjisë, drafti tashmë është përgatitur, do të diskutohet me grupet e interesit dhe do të shkojë në qeveri.

Të gjitha këto do të rrisin burimet në Shqipëri, prodhimin e energjisë elektrike, investimet, por mbi të gjitha do të garantojnë që këto investime të jenë të qëndrueshme. Ky është synimi i çdo qeverie, që të krijojë një treg në një mjedis ku të investohet, pra një kuadër rregullator të qartë dhe mbi të gjitha një treg funksional e likuid. Kjo është garancia e vetme, më shumë se sa premtimet qeveritare që në të kaluarën, jo gjithmonë kanë garantuar siguri në biznes.

Falënderoj edhe njëherë Ambasadorin e Norvegjisë, shtetin norvegjez, Komunitetin e Energjisë dhe shpresoj që ky takim i parë të pasohet nga puna konkrete, me skedulë konkrete. Shumë shpejt ne do të kemi skeletin e nevojshëm se si do të funksionojë tregu i energjisë në Shqipëri dhe pse jo ajo që quhet bursa energjetike për tu shtrirë deri aty sa të kemi mundësi që energjinë ta tregtojmë brenda ditës siç e bëjnë shumë vende europiane.

Ju faleminderit dhe ju uroj sukses!

energjia.al  09.07.2015