info@energjia.al

Një drejtuese e shoqërisë civile në Kosovë thotë se termocentrali Kosova e Re, do të sillte më shumë dëme sesa përfitime për vendin dhe për këtë arsye nuk duhet ndërtuar.

Dajana Berisha, përfaqësuese e Konsorciumit të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë, ka thënë në një intervistë për Zërin e Amerikës, se strategjia e energjisë në Ballkan duhet të përqendrohet tek zhvillimi i tregut rajonal dhe burimet e qëndrueshme.

Zonja Berisha, drejtore ekzekutive e Forumit për Iniciativë Qytetare foli edhe për nevojën e filantropisë dhe përmirësimit të statusit të gruas në Kosovë, përfshirë intensifikimin e përpjekjeve për të ndihmuar gratë dhunuara gjatë luftës.

Fillimisht zonja Berisha, iu përgjigj pyetjes se për çfarë bisedoi me përfaqësuesit e Bankës Botërore, të cilët konsorciumi ka kohë që përpiqet t’i bindë të heqin dorë nga projekti i termocentralit.

Telegrafi,  15.10.2017

Pas më shumë se një dekade mosvënieje në funksion, Termocentrali i Vlorës është rikthyer në fokusin e qeverisë.

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, e cila ka marrë nën administrim këtë objekt, ka vendosur të sigurojë asetet e këtij TEC-i për një periudhë 1-vjeçare.

KESH ka shpallur të hapur garën për tenderin me fond maksimal 32 milionë lekë për sigurimin e godinës dhe pajisjeve nga zjarri, rrufetë, eksplozionet, tërmetet, përmbytja dhe aksidente të tjera.

Sipas të dhënave të disponuara nga KESH, vlera totale e këtyre aseteve arrin në 8 miliardë lekë, ku pjesa më e madhe e tyre kanë nevojë për paketën e plotë të sigurimit, ndërsa një pjesë me vlerë 839 milionë lekë kanë nevojë të sigurohen vetëm nga tërmetet.

Makineritë më të kushtueshme në pronësi të TEC-it të Vlorës përfshijnë turbinën e gazit dhe gjeneratorin e fuqisë, me vlerë 2.6 miliardë lekë; gjeneratorin e avullit dhe pompat e ushqimit, me vlerë 1.2 miliardë lekë; si edhe turbinën e avullit, kondeserin dhe rigjeneruesin e nxehtësisë, me vlerë 1.1 miliardë lekë.

Gara për këtë shërbim do të mbyllet më 31 Gusht 2017 dhe fituese do të shpallet kompania e kualifikuar që ka bërë ofertën më të ulët. Fondi për pagesën e këtij shërbimi është vënë në dispozicion nga të ardhurat e vetë KESH.

Pas realizimit të gazsjellësit TAP, Shqipëria do të ketë akses në sasi të konsiderueshme gazi natyror me çmim të ulët. Synimi është që TEC-i ekzistues, përmes një investimi të konvertohet për të punuar me gaz, e kështu të prodhojë energji elektrike për nevojat e vendit.

Sakaq, investimi fillestar për këtë termocentral ka qenë 95 milionë euro.

Scan Tv,  08.08.2017

Kompania italiane Tecnimont që ndërtoi termocentralin e Vlorës, i cili më vonë rezultoi me një defekt të rëndë në sistemin e ftohjes duke bërë që objekti mos të futet në punë sot e kësaj dite, është përfshirë në një sagë gjyqësore me Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj për detyrime, gjoba dhe kamatëvonesa që kapin shumen e rreth 320 milionë lekëve (2.2 mln euro) ne Gjykatën Administrative te Apelit.

Sakaq kompania shtetërore e prodhimit të energjisë KESH është në një proces arbitrimi ndërkombëtar me kompaninë Tecnimont për defektin në TEC e Vlorës duke e çuar dëm investimin prej 130 milionë dollarë të qeverisë shqiptare.

Siç shihet nga njoftimet e Gjykatës Administrative të Apelit, Shoqëria Tecnimont Spa Dega ne Shqipëri ka paditur Drejtorinë Rajonale e Tatimpaguesve te Mëdhenj dhe Drejtorinë e Apelimit Tatimor duke kërkuar shfuqizimin e akteve administrative “Njoftim Vlerësimi për Detyrimet Tatimore nr. 1009/5 prot dt. 25.04.2014”, që  e ngarkojnë Degën në Shqipëri të Tecnimont Spa, me detyrime tatimore, kamatëvonesa dhe gjoba si me poshtë:

-Detyrimet shtese për TVSH për vitin 2011 ne shumen 130 373 112 leke.

-Gjoba ne lidhje me TVSH për vitin 2011 ne Shumen 130 373 112 leke.

– Detyrimet shtese për tatim fitim për vitin 2011 ne shumen 2 282 601 leke.

– Zvogëlim i humbjes fiskale për vitin 2011 ne shumen 879 100 444 leke.

– Detyrime shtese për TVSH për vitin 2012 ne shumen 8 055 634 leke.

– Gjoba ne lidhje me TVSH për vitin 2012 ne shumen 8 055 634 leke.

– Detyrime shtese për tatim fitimin për vitin 2012 ne shumen 3 905 398 leke.

– Gjoba ne lidhje me fitim tatimin për vitin 2012 ne shumen 976 350 leke.

-Zvogëlimi i humbjes fiskale për vitin 2012 ne shumen 1 224 188 leke.

-Si dhe gjobat shtese te nxjerra ne vijim te njoftimi vlerësimit nëpërmjet urdhër pagesave me nr. vlerësimi 18309400123, 18202600694, 18301800214, dt. 06.06.2014

-Gjoba ne lidhje me TVSH sipas urdhërpagesave ne Shumen 32 593 278 leke.

– Gjoba ne lidhje me TVSH sipas urdhër pagesave ne shumen 2 013 909 leke.

– Gjoba ne lidhje me tatim fitimin sipas urdhër pagesave ne shumen 87 124 leke.

KESH gjendet aktualisht në procedura ligjore kundër kompanisë ndërtuese Tecnimont duke pretenduar se defekti në Termocentralin e Vlorës është pasojë e një konceptimi inxhinjerik të gabuar, gjë që e ka nxjerrë impiantin 130 milionë dollarësh efektivisht jashtë funksioni.

Sipas KESH defekti i parë ndodhi më ndodhi më 13 tetor 2009, pas një stuhie në gjirin e Vlorës.

“Defekti shkaktoi hapjen e tubit në një distancë rreth 270 metra nga bregu i detit dhe mbushjen e tij me rërë. Ky defekt u riparua nga kompania kontraktore TCM dhe punimet përfunduan në korrik të vitit 2011”, thotë KESH.

Por pak muaj më vonë, një defekt tjetër ndodhi. Sipas KESH, më 7 janar 2012, sistemi i ftohjes ndaloi papritmas së funksionuari.

Një mosmarrëveshje lindi mbi shkakun e defektit. Sipas KESH, defekti duhej të riparohej nga kompania Tecnimont, e cila pati fituar tenderin dhe ndërtuar termocentralin. Por kompania refuzoi të kryejë riparimin.

Sipas KESH, ajo deklaroi se defekti është shkaktuar nga një gabim në operimin e impiantit. KESH reagoi duke bllokuar një garanci prej 5 për qind. Kompania iu përgjigj duke iu drejtuar gjykatës së arbitrazhit. Në fund, gjykata e arbitrazhit i dha TCM të drejtë dhe e shpalli KESH-in fajtor. KESH thotë se ka në plan të hapë një procedurë të dytë arbitrazhi kundër kompanisë.

Në vitin 2012 kontraktori Tecnimonti, pasi dështoi në vënien në punë të impiantit të ftohjes së TEC Vlora, u tërhoq nga punimet duke e braktisur veprën.

Ekspertë të KESH pretendojnë se kompania italiane Tecnimont përveçse shtyu afatin e përfundimit të punimeve me mbi një vit, u detyrua të ndërtojë dy herë tubin e marrjes së ujit në det dhe në fund, iku ndërsa tubi vijon të jetë i prishur.

Revista Monitor,  23.05.2017

Projekti më i rëndësishëm dhe më i madhi i të gjitha kohërave i realizuar në ndonjëherë në Kosovë e posaçërisht në fushën energjetike, Termocentrali “Kosova e Re”, është në fazën përfundimtare të fillimit të realizimit të tij. Më poshtë do t‘i gjeni disa fakte të rëndësishme të projektit për Termocentralin “Kosova e Re”.

1. Pas analizave të shumta në vitin 2001, si përfundim ishte arritur zëvendësimi i termocentraleve të vjetra me kapacitete të reja prodhuese. Shumë ministra e Qeveri kishin premtuar ndërtimin e Termocentralit të ri, por vetëm pas 16 viteve ky projekt do të jetësohet.

2. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka paralajmëruar se nënshkrimi i marrëveshjes komerciale, me investitorin Contour Global, pritet të realizohet këto ditë.

3. Termocentrali “ Kosova e Re” do të ndërtohet afër Termocentralit “Kosova B” në Obiliq.

4. Vlera e përafërt e ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re” do të jetë rreth 1 miliard euro.

5. Dhjetë mijë persona do të mund të punësohen gjatë ndërtimit të termocentralit, derisa 500 persona do të jenë të punësuar të përhershëm.

6. Termocentrali i ri do të ketë një kapacitet gjenerues prej 450 megavat.

7. Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” përkrahet pa rezervë nga SHBA, Banka Botërore, FMN, BE.

8. Implikimet në mjedis do të jetë minimal. Termocentrali i ri do të ketë filtër më të avancuar.

9. Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”, do të ndikon pozitivisht në ekonomitë familjare dhe ekonominë e përgjithshme, pasi që do të ndikoj në zbritjen e çmimit të energjisë elektrike.

10. Termocentrali i ri dikur ishte emëruar edhe “Kosova C”.

Telegrafi,  24.04.2017

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci tha se projekti i termocentralit “Kosova e Re” është në fazën finale.

“Sot jemi në fazën e nëshkrimit të marrëveshjeve komerciale dhe brenda ditësh do ta publikojmë datën”, ka deklararuar Stavileci. Sipas tij, dobitë më këtë projekt janë të jashtëzakonshme për Kosovën edhe për vende pune. Janë dy faza. Gjatë fazës së ndërtimit deri në 10 mijë njerëz dhe pas hyrjes në funksion rreth 550 vende, kështu që mendohet që janë staf permanent”, tha Stavileci.

Sipas ministrit termocentrali “Kosova e Re” do të nisë prodhimin në vitin 2022

Ndërsa deputeti i LDK-së Blerim Grainca, anëtar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik tha se “Kosova e Re” ka kaluar nëpër të gjitha procedurat e nevojshme deri tani.

“Aktualisht jemi në fazën finale të nënshkrimit të marrëveshjes. Kosova e Re është një pjesë e kësaj strategjie”, ka deklaruar Grainca.

Emisioni “Përballje” është bashkëprodhim i gazetarit Muhamet Hajrullahu me Telegrafi.com për Radiotelevizionin Dukagjini.

Telegrafi,  18.04.2017

Pesë vjet pas ndërtimit, korporata elektroenergjitike ka arritur të gjejë një zgjidhje për të vënë në punë TEC-in e Vlorës.

I përfunduar në vitin 2012, një defekt në tubacionin e ujit, që shërben për ftohjen e turbinës ka mbajtur peng deri më sot veprën që i kushtoi buxhetit një kredi 130 milion euro.

Për 3 vite rresht, KESH bëri shpallje publike për të përzgjedhur një kompani e cila do të bënte vlerësimin e dëmit dhe koston e riparimit, por askush nuk pati interes për të marrë përsipër këtë çështje.

Të kontaktuar nga Televizionin Klan, zyrtarë të korporatës thonë se tashmë ekspertizën për defektin e ka marrë përsipër BERZH, i cili është dhe një nga financuesit e kredisë për TEC-in. Pas vlerësimit të dëmit, do të jetë gjykata e arbitrazhit që do të vendosë se kush është fajtori në dëmtimin e veprës, kompania italiane që realizoi ndërtimin, apo shteti shqiptar.

TEC- i Vlorës nuk arriti të punonte asnjë ditë, pasi menjëherë pas marrjes në dorëzim, pësoi defekt. Ende dhe sot mosmarrëveshja mes firmës Tecimont dhe Shqipërisë nuk ka marrë zgjidhje, pasi mungonte vlerësimi financiar i dëmit.

Deri sot kjo vepër nuk ka dhënë asgjë për ekonominë shqiptare, por i ka marre KESH –t çdo vit rreth 1 milion euro për procesin e mirëmbajtjes.

Tv Klan,  20.03.2017

Prodhimi i pamjaftueshëm i energjisë elektrike për konsum vendas nga blloqet ekzistuese ka shtuar zërat që kërkojnë që sa më parë të merret vendimi për fillimin e ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike. Edhe pse fillimi i ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re” sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës është drejtë përfundimit, kushtet e reja të Bankës Botërore, mund ta vonojnë edhe më shumë këtë proces dymbëdhjetëvjeçar.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci ka thënë se gjatë marsit do të nënshkruhet marrëveshja me “Contour Global” për nderimin e termocentralit të ri. Sipas tij, pas përmbylljes së marrëveshjes ndërtimi katër vjeçar i këtij termocentrali duhet të filloj më 2018.

“Ndërtimi i Termocentralit ‘Kosova e Re’ do të zgjasë katër vjet dhe nga viti 2022, kur ky kapacitet i ri do të instalohet dhe do të funksionojë, besoj që përfundimisht do ta bëjmë atë që e quaj zgjidhje shekullore, sepse më nuk do të kemi probleme me furnizimin e rregullt me energji elektrike”, tha ai.

Ministri Stavileci premton se teknologji, e cila do të përdoret në Termocentralin “Kosova e Re” do të jetë moderne dhe me ndotje minimale të mjedisit.

E, eksperti i energjetikes Agim Perolli ka thënë se çdo vonesë për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” vështirëson furnizimin me energji elektrike. Ani pse edhe ky termocentral nuk do t’i plotësojë nevojat konsumuese vendore me rrymë.

“Kriza energjetike do të na përcjellin edhe muajve në vijim. Parashikimet për vitet e dekadës pasuese janë edhe më të frikshme duke marrë parasysh tre faktor kyç, rritja e konsumit për çdo vjet, degradimi e mëtejmë i termocentraleve ekzistuese dhe mungesa gjithnjë e më e madhe e energjisë në rajon. Aktualisht as 50% të nevojave tona nuk plotësohen nga prodhimi vendor. Ky fakt duhet ta mobilizoi Qeverinë e Kosovës për marrjen e vendimeve sa më parë për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike”, ka thënë Perolli.

Sipas tij, projekti për Termocentralin “Kosova e Re” gjendet para një sfide. Por që përkrahja e Bankës Botërore është vital për realizimin e tij. “Përkrahja e Bankës Botërore është elementi kyç i projektit pa të cilën nuk paramendohet asnjë hap në realizim e tij. Banka Botërore tani kërkon plotësimin në mënyrën ma rigorozë të të gjitha kritereve të nevojshme teknike, mjedisore sociale, ligjore dhe financiare”, tha Agim Perolli.

Ndërtuesi i Termocentralit “Kosova e Re” sipas tij, duhet t’i plotësojë disa kritere teknike dhe mjedisore.

“Ndërtuesi i ri që duhet të përzgjidhet duhet t’i jap garancionet e qëndrueshme me argumentet e forta se Termocentrali i ri do t’i plotësojë në përpikëri kriteret teknike sa i përket koeficientit të shfrytëzimit, zgjedhjes së pajisjeve të firmave të dëshmuara në prodhimin dhe fabrikimin e stabilimenteve termoenergjetike, dhe përmbushjes e të gjitha standardeve europiane dhe botërore për rruajtjen e ambientit dhe imitimit të gazrave”, ka thënë Agim Perolli ekspert i energjetikës.

Kurse Banka Botërore në një letër dërguar ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka kërkuar që të plotësohen të gjitha kriteret e nevojshme teknike, ekonomike, mjedisore, sociale, ligjore dhe financiare.

“Duhet të kompletohen disa detyra përgatitore, sekuenciale, prioritare, që kërkojnë përpjekje të fokusuara dhe të koordinuara, disa nga ekipi i Bankës Botërore e disa nga Qeveria e Kosovës me përkrahje të partnerëve ndërkombëtarë”, thuhet në letrën e Cyril Muller, zëvendëspresident Rajoni për Evropë dhe Azi Qendrore në Bankën Botërore.

Në letër theksohet se Banka Botërore do të përkrah gjenerimin e ri të energjisë nga thëngjilli. “Politikat e Bankës kërkojnë që miniera e cila do të furnizojë linjit për Projektin e Centralit Energjetik ‘Kosova e Re’, të konsiderohet një kapacitet i asociuar dhe kjo do të duhet të përmbush të gjitha politikat mjedisore dhe sociale të Bankës që njihen si standard global për mbrojtjen e njerëzve të ndikuar nga projektet”, thuhet në letrën e Mullerit.

Ndryshe, nënshkrimi i marrëveshjes komerciale, e cila është faza e parafundit me investitorin Contour Global, pritet të kryeht gjatë muajit mars.

Telegrafi,  28.02.2017

Projekti më i diskutuar në fushën energjetike, Termocentrali “ Kosova e Re”, është në fazën përfundimtare të negociatave me investitorin përzgjedhës për ndërtimin e tij.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha për Radion Evropa e Lirë se nënshkrimi i marrëveshjes komerciale, që është faza e parafundit, me investitorin Contour Global, pritet të realizohet në muajin shkurt.

Kurse ndërtimi pritet të nis gjatë muajve në vazhdim.

Termocentrali “ Kosova e Re” do të ndërtohet afër termocentralit aktual “Kosova B”, me një kapacitet gjenerues prej 450 megavat. Vlera financiare e këtij projekti, sipas ministrit Stavileci, pritet të arrijë në rreth një miliard euro.

“Nënshkrimi i marrëveshjeve komerciale e përbën fazën e parafundit të realizimit të projektit, ndërkaq fazën e fundit e përbën pakoja tenderuese për termocentralin”.

“Do të thotë, në momentin që nënshkruhen marrëveshjet komerciale, sipas një tabele kohore të aktiviteteve që ka paraparë investitori, mendohet që në fillim të marsit të nis pakoja tenderuese për ndërtuesin e termocentralit”, ka thënë Stavileci.

Por, ish Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismaili tha për Radion Evropa e Lirë se autoritet kompetente janë vonuar për fillimin e ndërtimit të termocentralit, “Kosova e Re”.

“Ky termocentral është jashtëzakonisht i nevojshëm dhe sa më parë që do të fillojë do të jetë shumë mirë për Kosovën. Kosova është shumë vonë në realizimin e këtij projekti”, ka thënë Ismaili.

Ndryshe, në vitin 2015, autoritet kompetente në Kosovë ofertuesin Contour Global, me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kishin përzgjedhur si kompaninë fituese për ndërtimin e këtij termocentrali.

Në anën tjetër, shoqëria civile vazhdimisht ka kundërshtuar ndërtimin e tij, me arsyetimin se Kosova nuk ka nevojë për termocentral të ri, por për një menaxhim më të mirë të shpenzimit të energjisë energjetike.

Me gjithë kundërshtimet, Kushtrim Puka nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë për Energji (KOSID), ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se edhe vonesat për fillimin e ndërtimit të këtij termocentrali janë të pa arsyeshme dhe të përcjella me shumë parregullsi.

“Mendoj se ky proces është shtyrë dhe është ndryshuar pakoja tenderuese, çka të lë të mendosh se këtu kishte lloj– lloj ndryshimesh të cilat nuk kanë përkuar me realitetin”.

“Kosova me kapacitet ekzistuese që ka nuk ka problem të mbuloj ngarkesën bazë të energjisë elektrike. Ne kemi problem të mbulojmë ngarkesën e konsumit kur është në maksimum i shpenzimit”, thotë Puka.

Projekti, sipas Pukës, ka qenë i destinuar për dështim, pasi që sipas tij, përgjatë kësaj dekade, ky projekt ka pësuar ndryshime, si në emërtim, kapacitete prodhuese, por edhe në aspektin ligjor.

Sipas një raporti të këtij konsurciumi, thuhet se ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”, do të dëmtonte ekonomitë familjare dhe ekonominë e përgjithshme, pasi që do të rriste çmimin e energjisë elektrike për rreth 50 për qind. Por, këto të dhëna në këtë raport, janë mohuar nga zyrtarë qeveritar.

Telegrafi,  27.01.2017

Shtyrja e ndërtimit të termocentralit të ri “ Kosova e Re”, projekt i nisur për afro një dekadë, vazhdon ta mbajë në funksion termocentralin “Kosova A”, që është cilësuar si ndotësi më i madh i mjedisit.

Termocentrali, për shkak të vjetërsisë dhe pamundësisë për t’ia ulur nivelin e ndotjes, ishte përfshirë në prioritetet e institucioneve për mbyllje në fund të këtij viti.

Ky ishte zotimi i Qeverisë së Kosovës në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë së Vjenës dhe Bashkimit Evropian, në kuadër të zbatimit të standardeve të Bashkimit Evropian në emetimin e gazrave.

Termocentrali “Kosova A” përbëhet nga pesë blloqe. Blloku i parë, A-1, ka hyrë në fuqi në vitin 1962 kurse blloku A-5 në vitin 1975 . Si pasojë e vjetërsisë, dy blloqe nuk funksionojnë.

Por, pavarësisht kësaj, nga ky termocentral me energji elektrike varen 35 për qind e konsumatorëve.

Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjuka, thotë përRadion Evropa e Lirë se autoritetet përgjegjëse janë vonuar në realizimin eprojektit“Kosova e Re”, që sipas tij, është dashur të ketë përfunduar tani.

“ ‘Kosova A’mbulon 35 për qind të konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike. Me strategjinë e re dhe me qasjen e re që kemi në politikat energjetike, ‘Kosova A’ do të jetë në funksion deri sa të hyjnë njësitë e para gjeneruese nga termocentrali ‘Kosova e Re’. Në kuadër të kësaj, Qeveria e Kosovës do të marrë vendimin më meritor karshi situatës dhe politikës së përgjithshme afat gjate”, thotë Gjuka për Radion Evropa e Lirë.

Në Strategjinë e Energjisë në Republikën e Kosovës për vitet 2016- 2025, përmendet vazhdimi i punës së termocentralit “Kosova A” deri në hyrjen në punë të termocentralit “Kosova e Re”.

Institucionet kompetente në Prishtinë nuk kanë arritur të japin ndonjë përgjigje se kur mund të fillojë ndërtimi i termocentralit “ Kosova e Re”, megjithëse zyrtarë qeveritarë, patën thënë se deri në fund të vitit 2016 do të fillojë të zbatohet ky projekt energjetik.

Ofertuesi i përzgjedhur për ndërtimin e këtij termocentrali është kompania “Contour Global”, me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ekspertë të mjedisit ndërkaq thonë se termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës, janë shumë të vjetra dhe njëherësh ndotësit më të mëdhenj.

Agron Bektashi, nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC), thotë se pikërisht termocentrali “ Kosova A” ndikon në ndotjen e mjedisit.

“Posaçërisht termocentrali i parë ‘Kosova A’. Madje, sipas të gjitha normave ndërkombëtare, jetëgjatësia e një termocentrali është 40 vjet, kurse ky termocentral ka hyrë në decenien e pestë dhe pa dyshim se për shkak të teknologjisë se stërvjetruar, është koha që të ndalojë prodhimin”, konsideron Bektashi.

Por, drejtori i KEK-ut, Arben Gjuka, shprehet se që nga viti 2013, të gjithë shkaktarët e ndotjes në termocentralin “Kosova A’ janë eliminuar.

“Në vitin 2013 janë përmbyllur, apo janë eliminuar të gjithë shkaktarët kryesorë që kanë shkaktuar ndotje. Investimet vetëm nga të hyrat apo buxheti i KEK-ut, kanë mbërri shifrën 57 milionë euro dhe ato janë fokusuar në vendosjen e elektro-filtrave të rinj në blloqet 3, 4 dhe 5 të termocentralit ‘Kosova A’ “, deklaron Gjuka.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile, disa herë kanë thënë se ky termocentral duhet të mbyllet, pavarësisht investimeve që janë bërë dhe mbyllja e tij, nuk mund të lidhet më ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  14.01.2017

Plani për projektin e ndërtimit të një TEC-i me qymyr në Maliq të Korçës përplasi ashpër në Kuvend numrin dy të qeverisë Niko Peleshi dhe ish-kryeministrin Berisha. Ky i fundit e akuzoi Peleshin se po i bën peshqesh Korçës pleh me mbetje toksike. Ai tha se marrëveshja po bëhet në sekret të plotë për interesa të pastra korruptive.

Në kundërpërgjigje, Peleshi deklaroi se nuk ekziston asnjë projekt për TEC-in, por ka një iniciativë të Ministrisë së Energjisë për studimin e fizibilitetit, për të parë mundësitë nëse torfa vlen si burim energjie apo jo. Zëvendës/Kryeministri tha se ajo sipërfaqe është pengesë për zhvillimin e fushës së Maliqit.

Duke i cilësuar akuzat e Berishës shpifje, Peleshi  i përmendi reformën në drejtësi si zgjidhja e vetme për të shkëputur nga salla e parlamentit gjyqtarin dhe prokurorin. Berisha replikoi sërish duke këmbëngulur në vërtetësinë e akuzave të tij.

Ai tha se TEC-i është një projekt 20-vjeçar, por që dyert e Kuvendit po ja hap vetëm Rilindja. “Sot duhet të ishte në parlament ligji për katastrofën e Korçës, Pogradecit dhe Kolonjës. Ligji që shndërronte zonën më të pastër të Shqipërisë në pellgun më të ndotur të Ballkanit dhe Europës. Ligji që i jepte jetë një projekti, të cilin nuk guxoi asnjë qeveri nga ’92 deri sot ti japë jetë.

I ndërtimit të një MEGA-TEC-i në kënetën e Maliqit, e cila në një sipërfaqe që do jepej për këtë qëllim për 157 milionë metër kub, e cila sipas ekspertëve për shkak të koeficientit të ulët energjetik etj etj do prodhonte 50 milion metër kub ki, pleh me të gjitha mbetjet toksike. Ky është peshqeshi që Peleshi i bën Korçës me kryemafiozin Don Edvini.

Ka mendje të sëmurë që ti lejojë vetes një gjë të tillë, ka mendje njerëzore të sëmurë dhe në sekretin më të plotë duke thyer çdo ligj, duke mos pasur asnjë autorizim tjetër përveç xhepit të Lefterit që majmet me ryshfetet që merr nga kriminelët e mjedisit dhe të Peleshit me shokë”,-tha Berisha. “Shpërndatë një tymnajë që dëmton, por jam i bindur se nuk ju marrin shumë seriozisht shqiptarët. Thatë një gjë të rëndë, folët për një projekt imagjinar të një MEGATEC-i që nuk ekziston.

Ajo që përmendët si një konspiracion, nuk mund të jetë kurrë një konspiracion, është vendim i qeverisë me iniciativën e Ministrisë së Energjisë për ti dhënë të drejtën Ministrisë së Energjisë të analizojë zonën torfike prej më shumë se 200 hektarë në zonën e ish-kënetës së Maliqit. Është një zonë jo prodhuese, gjithmonë e përmbytur, një zonë torfike. Torfa digjet në vetvete vazhdimisht. Nëse e vini re tymin dhe ndotjen që i shkaktohet sot asaj zone nga torfa do ta dinit pak më mirë”,-tha Peleshi.

Shqiptarja.com  25.11.2016