info@energjia.al

Zyra e Rregullatorit e Energjisë Elektrike (ZRRE) konfirmon se investimet që është duke i bërë KEDS-i në modernizimin e rrjetit të energjisë elektrike po i paguajnë qytetarët e Kosovës përmes faturave të energjisë elektrike.

Qytetarët e Kosovës krahas pagesës së energjisë elektrike në faturat e tyre mujore po paguajnë edhe investimet që është duke i bërë KEDS-i në modernizimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Gazeta “Zëri” ditë më parë ka raportuar se përpos investimeve qytetarët nëpër faturat e tyre janë duke paguar edhe energjinë elektrike që po shpenzojnë qytetarët serbë në veri të Kosovës e që brenda një viti është rreth 8 milionë euro. Modernizimi i rrjetit dhe ulja e humbjeve të energjisë elektrike ka qenë arsyeja kryesore e privatizimit të distribucionit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Por, ndonëse kanë kaluar më shumë se tre vjet humbjet e energjisë thuajse janë të njëjta, derisa ndryshimet në rrjet që po i bën KEDS-i po u faturohen qytetarëve të Kosovës.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se të gjitha kostot e investimeve si në gjenerim, transmision dhe në shpërndarje të energjisë elektrike përfshihen në të hyrat e lejuara maksimale që mblidhen nga tarifat e energjisë. Por, në anën tjetër zyrtarë të KEDS-it mohojnë një gjë të tillë. Zëdhënësja e ZRRE-së, Adelina Murtezaj, thotë se rregullimi i sektorit të energjisë është i bazuar në ligjet e energjisë dhe rregullat tjera në fuqi për rregullimin e këtij sektori. Sipas saj, duke u bazuar në parimet ndërkombëtar të rregullimit ekonomik dhe legjislacionin në fuqi në vendin tonë, në çmimet finale të produktit ose shërbimit, që e ofron një entitet, duhet të përfshihen të gjitha kostot e arsyeshme operative dhe kapitale në mënyrë që ai entitet të mundë të funksionojë dhe të jetë i qëndrueshëm financiarisht. “E njëjta ndodh edhe gjatë shqyrtimit të të hyrave të lejuara maksimale të operatorëve të rregulluar në sektorin e energjisë elektrike në vendin tonë. Të gjitha kostot e investimeve si në gjenerim, transmision dhe në shpërndarje të energjisë elektrike përfshihen në të hyrat e lejuara maksimale që mblidhen nga tarifat e energjisë”, ka thënë zëdhënësja e ZRRE-së Adelina Murtezaj. Sipas saj, të gjitha kostot e arsyeshme të sistemit hyjnë në të hyrat e lejuara maksimale të operatorëve dhe mblidhen nga tarifat që paguajnë konsumatorët, të cilët i shfrytëzojnë këto shërbime.

KEDS-i: Qytetarët paguajnë vetëm shpenzimin e energjisë

Por në anën tjetër, zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala thotë se të gjitha investimet e ndërmarra deri më tash janë bërë nga KEDS-i. Sipas tij, kjo mund të verifikohet në pasqyrat tona financiare, por edhe në raportet që ne i dërgojmë në ZRRE, si autoriteti mbikëqyrës. “Çdo vit ne paraqesim në ZRRE maksimumin e të hyrave të lejuara, ku përfshihet gjithashtu edhe investimet e planifikuara dhe në bazë të aprovimit të tyre ne ndërmarrim investimet”, ka thënë Buzhala për gazetën “Zëri”. Sipas tij, faturat e qytetarëve përfshijnë vetëm shpenzimin e tyre të energjisë, të ndarë në bllok-tarifa të aprovuara nga ZRRE-ja. “Nuk ka tjetër kosto që është e përfshirë në faturat e qytetarëve”, shtoi Buzhala.

Më pak investime

Murtezaj, nga ZRRE-ja, thotë se me qëllim të përmirësimit të shërbimeve në sektorin e energjisë elektrike, sigurinë e furnizimit me energji elektrike dhe zvogëlimin e humbjeve në rrjet ZRRE-ja ka lejuar planin e investimeve për periudhën 2013-2017 për OSSH-në.

“Në vitin 2012 ZRRE-ja ka përcaktuar caqet të cilat Operatori i Shërbimit të Shpërndarjes (OSSH) duhet t’i arrijë brenda një periudhe të caktuar kohore. Për t’i përmbushur këto caqe ZRRE-ja gjatë shqyrtimit të të hyrave të lejuara maksimale për periudhën 5-vjeçare 2013-2017 ka aprovuar planin e investimeve kapitale për këtë periudhë. Sipas përcaktimit të ZRRE-së, për vitin 2014 KEDS-i është dashur të investojë 21.2 milionë euro, ndërsa ka investuar 18.0 milionë euro, në vitin 2015 është dashur të investojë 21.4 milionë euro dhe ka investuar 20.5 milionë euro, ndërsa në vitin 2016 është dashur të investojë 21.6 milionë euro dhe ka investuar 23.64 milionë euro”, ka thënë ajo.

Po ashtu edhe Buzhala, nga KEDS-i, thotë se në bazë të marrëveshjes kontraktuale KEDS-i duhet të kompletojmë investimin prej 300 milionë eurosh brenda periudhës 15-vjeçare. “Gjatë vitit të kaluar ne kemi përgatitur një masterplan, që ishte produkt i studimeve në të gjithë vendin. Ky plan parasheh investime gjithëpërfshirëse dhe në vitin 2025 ne planifikojmë të rrumbullakojmë shumën e investimeve prej 300 milionë eurosh. Rrjeti distributiv, siç jeni edhe ju në dijeni, është në gjendje shumë të rëndë dhe ne kemi ardhur në përfundim se investime të shpejta janë të nevojshme. Misioni ynë është t’u shërbejmë qytetarëve në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kjo ishte arsyeja pse ne e kemi zhvilluar këtë masterplan, kështu që mund të sigurojmë një rrjet modern dhe që ofron besueshmëri në furnizim me energji elektrike”, ka thënë Buzhala.

Gazeta Zeri,  08.05.2017

Shoqëria civile i ka nisur një propozim Kuvendit të Shqipërisë për të ulur nivelin e taksimit mbi naftës, që është arsyeja kryesore se pse çmimet e karburantit në vend janë ndër më të shtrenjtat në Europë. Ky propozim synojn që të unifikojë 3 taksat e dedikuara në një taksë të vetme për naftën dhe ta uli nivelin e taksimit duke e çuar atë në nivele të krahasueshme me rajon.

Në shkresën që “Nisma Thurje”  i ka dërguar kryetarit të Kuvendit Z. Ilir Meta dhe gjithë krerëve të grupeve parlamentare, thuhet se një nga çështjet që kërkon vëmendje të menjëhershme nga ana juaj dhe e kolegëve tuaj është ajo e çmimit të karburantit për konsumatorët. Siç mund të jeni në dijeni, çmimi i karburantit në Bursat Ndërkombëtare ka pësuar një rënie të vazhdueshme, rënie e cila nuk është reflektuar fatkeqësisht në favor të konsumatorit.

Ditën e mërkurë, dt.15.03.2017 tregjet ndërkombëtare e kuotonin naftën bruto me 52 USD/Barrelë.

Ulja e çmimit në tregjet ndërkombëtare  u shoqërua edhe me uljen e çmimit të shitjes së këtij produkti për konsumatorët në të gjithë botën. Ulja e çmimit të naftës për konsum ka variuar nga 25% derinë 50%.

Ndërkohë që konsumatorët në të gjithë botën I janë gëzuar këtij oportuniteti, situata në Shqipëri qëndron pothuajse statike. Çmimi i karburantit pësoi vetëm një rënie prej 10% në fund të vitit të shkuar dhe tani është rikthyer sërisht në nivelet e mëparshme, paradoksalisht.

Kjo situate vjen si rrjedhojë e nivelit të lartë të taksimit të këtij produkti.

Situata me taksimin mbetet problematike dhe kërkon ndërhyrje urgjente në legjislacion. Duke u bazuar në situatën aktuale të furnizimit të qytetarëve me nënprodukte të naftës, ku pjesa më e madhe e tyre importohen nga jashtë vendit,  efektivisht në këtë moment që po flasim, nafta dhe benzina taksohen nëpërmjet 3 taksave indirekte të dedikuara te modelit akcizor:

  1. Akciza e naftës = 37lekë
  2. Taksa e Qarkullimit = 27lekë
  3. Taksa e Karbonit = 3 lekë

Pra në total taksimi akcizës sot efektivisht arrin në 67 Lekë për litër. Ndërkohë që përveç këtyre taksave të mësipërme aplikohet edhe Taksë Doganore në masën 10% te çmimit të blerjes  dhe 0.73 lekë shkojnë për tarifën e ngjyrosjes. Në fund shtohet edhe vlera e TVSH ne masën 20% te çmimit të shitjes.

Një nivel i tillë taksimi është më i larti në rajon dhe nuk korrespondon me të ardhurat e shqiptarëve. Më poshtë po Ju paraqesim një tabelë me të dhëna mbi nivelin aktual te taksimit akcizë që vendet e rajonit aplikojnë mbi nënproduktet e naftës për përdorim publik.

Nga ana tjetër cilësia e karburantit që tregëtohet në vendin tonë vazhdon të mbetet një problem madhor për qytetarët duke e shndërruar debatin për çmimin në një çështje akoma dhe më emergjente. Raportimet në të gjithë vendin tregojnë se nafta që tregtohet në pikat fundore përzihet me nënprodukte dhe niveli I parandalimit dhe ndëshkimit të këtij fenomeni është I ulët.

Nisma ka propozuar disa amendime të ligjit të përgatitur nga ekspertët e saj. Ky propozim synon që të unifikojë 3 taksat e dedikuara në një taksë të vetme për naftën dhe ta uli nivelin e taksimit duke e çuar atë në nivele të pranueshme për xhepat e shqiptarëve.

Më konkretisht:

Në DIREKTIVËN 2003/96/EC, Komisioni Europian ka përcaktuar kornizat e harmonizimit të strukturave te tarifimit akcizor të vendeve të Unionit. Bazuar në përcaktimet e bëra brenda kesaj directive, ne propozojmë variantin e tretë, i cili konsiston në faktin që akciza e naftës, taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit përmblidhen të treja në një taksë të vetme, e cila quhet Taksa e Karburantit.

Taksa e Karburantit është 46 Lekë/Litër, sa minimumi i parashikuar në direktivën 2003/96/EC të BE për taksat e nënprodukteve të naftës.

Revista Monitor,  15.03.2017

Thellohet skandali me kompaninë e nxjerrjes se naftës, Bankers Petrolium. Një tjetër raport i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore ka zbuluar se Bankers ka manipuluar dokumentacionin për të shmangur pagesën e takes se tatim-fitimit edhe për vitin 2012, duke përdorur të njëjtën skemë evazioni si në vitin 2011, vit për të cilin palët do të përballen në Arbitrazh.

AKBN thotë se nga një autidimi i saj rezulton se Bankers Petrolium ka raportuar vetëm humbje në bilancet e saj, vetëm për të mos paguar tatim fitimin në buxhetin e shtetit shqiptar.

Sipas AKBN janë afërsisht 130 milionë dollarë shpenzime të fryra për 2012-ën, e prej nga rezulton të jenë shmangur 30 milion dollarë taksa.

Këto para, në vend që të përfundonin në arkën e shtetit shqiptar, kanë përfunduar ne xhepat e Bankers Petrolium, drejtuesve e pronareve të saj.

Bashkë me vitin 2011, shuma që duhet t’i paguante Bankers shtetit shqiptar përllogaritet në 90 milionë dollarë, para me të cilat do të ishin shpërblyer edhe banoret e Zharrzës, të cilët thonë se Bankers u ka shkatërruar shtëpitë dhe të gjithë zonën, duke ua bërë jetën të pamundur.

Ekspertët e AKBN thonë se për këtë mashtrim Bankers ka kryer punime me kompani të treta pa zbatuar procedurat e tenderimit, por me prokurim të drejtpërdrejtë, duke shkelur kontratën.

Në këtë mënyrë, Bankers, sipas raportit të AKBN, i ka fryrë faturat e shpenzimeve në mënyrë fiktive.  E kontaktuar nga Televizioni Klan, Bankers i kundërshton pretendimet e palës shtetërore, dhe thotë se është në pritje të vendimit nga arbitrazhi ndërkombëtar për 2011-ën.
Por AKBN dyshon se kjo skeme është përdorur për 11 vjet me radhë dhe shumat që Bankers Petrolium do të duhej t’i kishte paguar shtetit shqiptar arrin në qindra milionë dollarë.

TV KLAN,  15.03.2017

Qeveria ka miratuar një vendim, i cili detyron ndërtuesit e hidrocentraleve private të paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar për makineritë-pajisjet që përdorin në investimet e reja.

“Vendimi numër 84 i Këshillit të Ministrave ka përjashtuar të gjithë kodet në të cilët përfitonte sektori i hidro-energjisë, ose hidrocentralet e reja që po bëhen sot në tregun shqiptar. Ky VKM do të sjellë kosto shumë të mëdha, kosto ekstra për këto hidrocentrale, që kanë aplikuar ose kanë marrë një kredi dhe janë në proces ndërtimi”, deklaron Bilbil Zeneli, nga Shoqata e Prodhuesve të Energjisë.

Sipas shoqatës në fjalë, detyrimi për të paguar TVSH-në do të ketë efekte negative mbi këtë sektor, i cili sipas saj ka gjeneruar qindra milionë euro investime gjatë viteve të fundit në Shqipëri.

“Ajo do të dekurajojë investitorët që nuk i kanë nisur ende investimet në këtë sektor. I kanë marrë kontratat por nuk i kanë investuar shumat. Kjo do sjellë kosto ekstra që mund t’i bëjë ata të largohen fare nga ky sektor”, thotë Zeneli.

Por Ministria e Financave deklaron se produktet për të cilat është rikthyer detyrimi për të paguar TVSH nuk janë makineri-pajisje të mirëfillta dhe nuk kanë pse të përfitojnë nga regjimi lehtësues.

Sipas ministrisë, qeveria e ka përmirësuar skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar duke i rimbursuar bizneset pa vonesa, ndaj ky ndryshim nuk i cënon financiarisht investitorët në fushën e energjisë.

Top Channel,  21.02.2017

Dy aleatët kryesore të qeverisë, Partia Socialiste dhe LSI janë në bisedime për çështjen e vendosjes së akcizës së gazit të lëngshëm për përdorimin e automjeteve. Qeveria pati caktuar një nivel akcize prej 13 lekësh për litër në paketën e re fiskale, ndërkohë që LSI propozoi zyrtarisht mos vendosjen e saj.

“Ministri i Financave është në një diskutim të qartë me ne si komison dhe të tjerë faktorë lidhur me këtë çështje. Besoj që deri në seancë plenare javën e ardhshme, pra në datë 15, të kemi një qëndrim definitiv dhe për këtë gjë”, tha Erion Braçe, kreu i komisionit të Ekonomisë.

Mazhoranca në komsionin e Ekonomisë dakortësoi me ministrinë e Finanacve mos ndryshimin e skemës së ribursmit të akcizes së naftës për anijet e peshkimit. Po ashtu taksa e ambalazhit për mbetjet plastike të grumbulluara në vend shkon nga 50 lekë në 1 lek për kilogram. Pjesa tjetër e paketës fiskale kaloi në diskutimet nen për nen, ndërsa opoziat votoi kundër.

Top Channel,  05.12.2016

Nga 1 janari 2017, drejtuesit e makinave me gaz do të paguajnë më shumë për karburantin. Më shumë taksa do të paguajnë edhe drejtuesit e makinave të luksit. Paketa e re fiskale e miratuar nga qeveria sjell ndryshimet për dy taksat e reja për makinat.

trafik1

Gazeta boton ndryshimet e taksës për makinat e luksit dhe makinave që përdorin impiantin e gazit, dhe efektet që pritet të sjellë kjo taksë për çmimin e gazit në treg.

GAZI

Qeveria miratoi paketën e re fiskale, ku përcakton aplikimin e akcizës për gazin e lëngshëm që përdorin makinat në masën 13 lekë për litër. Bëhet fjalë për gazin e lëngshëm që shitet në pikat e karburantit dhe jo për gazin e lëngshëm për konsum familjar.

Në relacionin e paketës fiskale, qeveria argumenton se aplikimi i akcizës për gazin e lëngshëm për automjete në nivelin 13 lekë/litër bëhet me qëllim përafrimin me standardet e BE-së dhe të vendeve të rajonit që e taksojnë këtë produkt. Deri më sot, gazi i lëngshëm për automjetet është përjashtuar nga akciza, por në të gjitha vendet e Europës ai taksohet si produkt energjetik, pra si nafta dhe benzina. Sipas të dhënave që jepen në paketën fiskale, llogaritet që importi vjetor i këtij produkti të jetë 25 mijë tonë në vit.

Ndryshimi i akcizës, duke përfshirë edhe TVSH-në, pritet të ndikojë në rritjen e çmimit të gazit në 15 lekë për litër. Aktualisht, çmimi i shitjes së gazit për automjetet është 45 lekë deri në 50 lekë për litër. Aplikimi i akcizës do të sjellë shtrenjtim të çmimit, i cili pritet të variojë nga 60 lekë deri në 65 lekë për litër. Duke qenë se importi vjetor i gazit të lëngshëm për përdorim nga makinat është rreth 25 mijë tonë në vit, qeveria llogarit se efekti në të ardhurat buxhetore pritet të jetë 0.5 miliardë lekë nga akciza dhe 0.1 miliardë lekë nga TVSH-ja. Efekti total në të ardhura vlerësohet plus 0.6 miliardë lekë.

MAKINAT

Edhe taksa për makinat e luksit do të ndryshojë. Sipas ligjit aktual, taksa e regjistrimit prej 70 mijë lekësh paguhet nga makinat me cilindrat mbi 3 mijë kubikë dhe me çmim mbi 7 milionë lekë. Nga janari i vitit të ardhshëm, kjo taksë do të paguhet nga automjetet me vlerë mbi 5 milionë lekë dhe me cilindrat mbi 3 mijë kubikë. Ulja e çmimit për aplikimin e taksës së makinave luksoze do të shtojë numrin e drejtuesve të automjeteve që do të paguajnë taksën e re. Drejtoria e Shërbimit të Transporteve rekomandon që për llogaritjen e taksës së luksit vetëm për efekt të çmimit, të merret parasysh edhe mosha e mjetit.

Për drejtorin e regjistrimit të makinave, Midha, amortizimi i mjetit ndikon në ndryshimin e çmimit të mjetit. “Për efekt të taksës së luksit dhe konkretisht në kriterin e çmimit e jo kapacitetit motorik, do të rekomandonim të merrej parasysh mosha e përdorimit të mjetit, për shkak të amortizimit të tij”, tha ai.

Panorama,  15.11.2016

Në një kohë kur thuajse u mbush një vit që qeveria ndërmori aksionin kundër informalitetit, duket se nuk ka ato efektet e pritshme në buxhetin e shtetit.

Sipas statistikave paraprake të Ministrisë së Financave, të ardhurat në buxhetin e shtetit për 8 mujorin nga tatimi mbi të ardhurat personale janë vetëm 600 milionë lekë më të larta se një vit më parë.  

Kështu gjatë 8 mujorit 2016 janë arkëtuar në buxhet nga ky zë 22.1 miliardë lekë, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishin 19.5 miliardë lekë. Kjo mund të argumentohet edhe me faktin e rritjes së të punësuarve, apo uljen e informalitetit që do të thotë që shumë të punësuar që punonin në të zezë janë futur në skemën e sigurimeve shoqërore.

Qeveria miratoi një politikë të re taksash sa i takon të ardhurave personale, ku hyri në fuqi taksimi progresiv. Sipas ligjit të ri të gjithë ata që kanë të ardhura nga paga deri në 90 mijë lekë në muaj paguajnë më pak taksa në shtet nga sa paguanin deri në 31 dhjetor të vitit 2013.

Të ardhurat personale që tatohen mund të kategorizohen në nëngrupe: TAP mbi të ardhurat nga paga në sektor publik dhe sektor privat; TAP nga interesat bankare; TAP nga dividendët; TAP nga shitja e pasurive të paluajtshme dhe TAP për burime të tjera të ardhurash. Të ardhurat që vijnë nga tatimi mbi pagat zënë peshën kryesore, në rreth 60%, sa i takon strukturës së vlerave të tatimit të të ardhurave personale.

Scan Tv,  28.09.2016

Prej të paktën 5 vitesh firmat ndërtuese të hidrocentralit nuk kanë paguar asnjë taksë vendore, duke shpërfilluar në vazhdimësi kërkesat e bashkisë së Mirditës. Shqetësimi është ngritur nga administratorja e Rubikut, e cila thotë se do bëhet dhe kallëzim në prokurori për dëmin mjedisor të shkaktuar dhe mungesën e pagesës së taksave.

 Kompanitë ndërtuese të Hidrocentralit në zonen e Mirdites, nuk kanë paguar taksat vendore që kur kanë nisur këtë investim në vitin 2011-të.Ndonëse punojnë në territorin e Bashkisë Mirditë, keto firma e  kanë shpërfillur këtë insitucion duke mos ju përgjigjur me dhjetëra shkresave që u janë drejtuar nga Njesia Vendore. Ky fakt është bërë i ditur nga Administratorja e Rubikut Flora Jushit, sipas të ciles këto firma kanë kryer në masaker mjedisore në zonen e Mirditës.Në këto kushte Bashkia do të depozitojë një kallëzim penal.

 Flora JUSHI Administratore e Rubikut: Firma nuk paguan asnjë detyrim në ambientet as ish-bashkisë dhe as bashkisë së madhe sot në Mirditë. Duke filluar nga taksa e banesës, duhet të jesh taksapagues i rregullt, bashkëpunim, rregullësi dhe mirëmbajtja e territorit. Në të kundërt do të bëjmë kallëzim penal.

Punimet për hidrocentralin që nis nga zona e Pukës e përfundon në Rubik tashmë janë drejt fundit, por ndonëse janë ndërtuar me dhjetëra godina të cilet i shërbejnë këtij HECI, Bashkia nuk ka mundur që të vjelë asnjë taksë.

Ora News,  20.06.2016

Çmimi i naftës ka shënuar një rritje të fortë së fundmi, me rreth 5 lekë për litër në pjesën më të madhe të pikave të tregtimit, por pritet që shpejt të reflektojë i gjithë zinxhiri i pakicës. Kjo është rritja e parë, pas muajve të tërë që karburantet kishin njohur vetëm ulje.

Në pikat e tregtimit të Kastrati, operatori më i madh në vend, një litër naftë tregtohet me 157 lekë për litër, nga 152 lekë që shitej më parë. Edhe Europetrol Durrës Albania (Eida) e ka shtrenjtuar naftën në 156 lekë për litër. Gega Oil, një tjetër operator i madh e tregton karburantin me 154 lekë për litër, nga 149 lekë që e kishte më parë.

Burime nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve pohuan për Monitor.al se arsyeja kryesore e rritjes së çmimit të naftës lidhet me shtimin e taksave mbi kompanitë e tregtimit të karburanteve. Efektin kryesor e ka dhënë taksa e rilicencimit të pikave të tregtimit me pakicë, që me një vendim qeverie në dhjetor të vitit 2015 u shumëfishua, duke arritur në 5 milionë lekë për pikat e Tiranës dhe 2 milionë lekë për ato të rretheve. Kjo taksë ndonëse u vu me vendim qeverie mblidhet nga Bashkitë e rretheve përkatëse dhe ka filluar aktualisht të paguhet (përveç taksës ka dhë shpenzime shtesë si TVSH, apo dokumentet që duhen bërë nga fillimi për çdi pikë). Operatorët kishin llogaritur më parë se efekti i saj do të ishte 5 lekë për litër.

Një tjetër taksë e shtuar për pikat e Tiranës është ajo e arsimit, që për kompanitë VIP është 37 mijë lekë në vit. Por, duke pasur parasysh që kjo taksë po faturohet për çdo NIPT sekondar, kompanitë e karburanteve po e paguajnë shumëfish atë (vetëm në një pikë tregtimi ata kanë disa NIPT-e për gazin, naftën apo lavazhin), çka nënkupton një kosto tjetër të shtuar, që reflektohet në çmim.

Një prej kompanive më të mëdha të karburantit i është faturuar taksa e arsimit në rreth 9 milionë lekë (rreth 65 mijë euro). Arsyeja e tretë lidhet me faktorët ndërkombëtare. Në bursa, një fuçi naftë është rritur në rreth 46 dollarë, nga nën 30 dollarë për fuçi që zbriti në janar 2016.

Revista Monitor,  04.05.2016

Viti 2014 shënoi një shpërthim të kompanive të tregtimit të naftës në vend. Në listën e 200 sipërmarrjeve më të mëdha përfshihen 27 të tilla, që kanë realizuar një qarkullim vjetor prej 238 miliardë lekë (rreth 1.7 miliardë euro), me një rritje prej 33% me bazë vjetore, sipas të dhënave të dorëzuara te tatimet.

Këto kompani realizuan gati 25% të qarkullimit total të 200 VIP-ave, të ndihmuara dhe nga zgjerimi i prodhimit vendas, por dhe faktit që nafta blihet e shitet shumë herë, duke rritur artificialisht volumin e tregut dhe xhiron e kompanive të këtij segmenti  (për arsye të numërimit të dyfishtë të prodhimit të brendshëm që shkon për tregtim në retail si te qarkullimi i ndërmarrjeve prodhuese ashtu edhe tek ato tregtuese dhe shit-blerjes disa herë të saj).

Tregtimi i naftës është një sektor që ka lëvizje të mëdha, me mbyllje të kompanive, apo rritje stratosferike të tyre brenda një periudhe të shkurtër kohore. 2014-a ka shënuar një numër rekord kompanish (një pjesë të krijuara në tetor 2013), që janë rritur ndjeshëm. Pas daljes nga tregu të Taçi Oil në mesin e 2013-s dhe më pas të IT Oil, operatorë të rinj, të krijuar në fund të 2013-s, kanë rritur me shpejtësi aktivitetin. Të tjerë janë në vështirësi dhe kanë “braktisur” kompaninë, duke lënë me gisht në gojë kreditorët.

RDA Petrol është një kompani e krijuar në vitin 2013, që ka arritur të ketë një xhiro prej 5.5 miliardë lekësh në 2014-n, me një rritje vjetore prej 82%. Sipërmarrja e ka qendrën në Fier. Sipas burimeve të saj, ajo tregton dhe shpërndan me shumicë naftën e importuar nga ENI AGIP, por edhe produktin vendas të Rafinerisë ARMO. Për këtë qëllim, ajo zotëron filiale të tregtimit me shumicë në Vlorë, Fier, Ballsh, Durrës e Tiranë.

Eroil, e krijuar në tetor 2013, është ngjitur me shpejtësi në 2014-n, duke shënuar një qarkullim vjetor prej 5.3 miliardë lekësh.

Edhe Sun Petroleum Albania Trading, distributore produktesh nafte me rrjet retail, që operon nën brandin e Gulf Oil në Shqipëri, Kosovë, Republikën ish-jugosllave të Maqedonisë dhe Mal të Zi, e krijuar po në tetor 2013, ka parë një rritje të shpejtë, duke arritur një qarkullim vjetor prej 3.45 miliardë lekësh.

Tea Construction & Petrol, një nga kompanitë që shënoi rritje të shpejtë në 2013-n ka dalë nga tregu tashmë. Në 2014-n, kompania i uli të ardhurat me 5% në 8.5 miliardë lekë.

AFT, një tjetër operator i ri nafte, që u rrit me shpejtësi në 2013-n, ka parë një rënie të të ardhurave, me 34%, në 2.9 miliardë lekë.

Aktorët e tregut pohojnë se tregu i naftës ka luhatje shumë të mëdha, duke qenë dhe sektori që ka më shumë falimentime. Çdo vit falimentojnë 2-3 kompani.

Nga ana tjetër, ka shumë sipërmarrje, që hyjnë në treg, ndërkohë që mungon kontrolli dhe informaliteti është shumë i lartë. Mund të ndodhë që një operator të hyjë në treg, të xhirojë deri në 10 milionë dollarë dhe të dalë vitin tjetër, duke shkarkuar kështu një pjesë të xhiros së pafaturuar të një kompanie tjetër, një formë e përdorur rëndom evazioni më se një dekadë më parë, por që duket se është rikthyer sërish në modë. Borxhet e kreditë e ndërsjellta apo shit-blerjet mes kompanive janë një formë tjetër e shmangies.

Edhe Autoriteti i Konkurrencës e ka pohuar këtë prirje të luhatshmërisë së madhe të tregut në një hetim për tregun e karburanteve, duke kërkuar “ndërtimin e instrumenteve për të kontrolluar hyrjet dhe daljet e shpeshta brenda vitit financiar të ndërmarrjeve që operojnë në tregun e tregtimit me shumicë të karburanteve, të cilët gjenerojnë konkurrencë të pandershme”. Ekspertët pohojnë që duhet të rregullohet tregu, që kompanitë të mos hyjnë e dalin si të duan, por të ketë kritere të larta.

Mjafton që një sipërmarrje të blejë disa bote me naftë dhe xhiron shuma të larta. Sipas një pike të ligjit për hidrokarburet, kompanitë duhet të mbajnë rezerva 90 ditë kalendarike, çka përbën një kosto të madhe, por firmat e vogla nuk e zbatojnë këtë dhe e mbyllin vitin tjetër, kur duhet të rregullojnë rezervat.

Në total, tregu vlerësohet se xhiron deri në 1 miliard euro, por nafta blihet e shitet shumë herë, duke rritur artificialisht volumin e tregut dhe xhiron e kompanive. Për vitin 2014, xhiro e 26 kompanive në listën e 200 më të mëdhenjve u rrit me 33%, ndërsa importet e karburanteve për këtë vit ishin 482 mijë tonë, rreth 5% më të larta se një vit më parë.

Pavarësisht xhiros së lartë, kompanitë e naftës karakterizohen nga norma të ulëta fitimi dhe kanë një numër të vogël të punësuarish, dy elemente që janë parësore për të parë ndikimin e një kompanie në ekonominë reale të një vendi.

Kastrati dhe Europetrol Durrës Albania janë dy kompanitë më të mëdha dhe më të qëndrueshme në treg. Kastrati i rriti të ardhurat me 5% në rreth 67 miliardë lekë në 2014-s, ndërsa Europetrol Durrës Albania pa një rënie me 13% në 19 miliardë lekë.

Everest Oil SHA është një hyrje e re e dy viteve të fundit, që është ngjitur me shpejtësi në renditje. Kompania është krijuar në mesin e vitit 2012, për të arritur të ardhura prej 16 miliardë lekësh në 2013-n, duke u pozicionuar atë vit direkt në vendin e dhjetë. Në 2014-n, zgjerimi vazhdoi, ndonëse me ritme më të ulëta, duke arritur në 18.9 miliardë lekë (rritje 16%). Everest tregton me shumicë naftën nga depozitat e Petrolifera, ndërsa nuk ka një rrjet të vetin të tregtimit me pakicë. Everest Oil SHA blen karburantet nga ndërmarrja ENI s.p.a. dhe ua shet këtë karburant ndërmarrjeve të tjera të shitjes me shumicë në zonën e lirë doganore (pra i gjithë transaksioni ndodh në zonë të lirë doganore), sipas një hetimi të Autoritetit të Konkurrencës.

Armo dhe dy kompanitë që e shfrytëzojnë me qira financiare

Në gjysmën e dytë të 2014-s dhe muajt e parë të 2015-s, kompania e përpunimit të naftës doli nga letargjia ku e kishin futur një varg relativisht i dështuar privatizimesh e shitblerjesh. Ajo rinisi përpunimin e naftës direkt dhe përmes dy kompanive që morën me franshizë aktivitetin e saj, Deveron Oil Albania dhe TPD-Trading Petrol & Drilling.

Deveron Oil Albania, e hapur në 13.11.2013, me të ardhura zero në 2013, ka parë një rritje të shpejtë të të ardhurave në 2014-n, në 10.7 miliardë lekë, duke u renditur e 21-a ndër kompanitë më të mëdha. TPD-Trading Petrol & Drilling, në shtator të 2013-s, ka nënshkruar marrëveshje me ARMO-n dhe operon në rafinerinë e Fierit në kapacitet përpunimi 500 mijë tonë në vit, që nëpërmjet qirasë shfrytëzon një nga impiantet e përpunimit të naftës së ARMO-s. Kompania është krijuar në maj të vitit 2012, sipas të dhënave nga QKR dhe ka njohur rritje të shpejtë, duke e shtuar xhiron me 440% në 2014, në 16.5 miliardë lekë. Ajo është radhitur e 11-a ndër kompanitë më të mëdha për nga xhiroja në tatime në vitin 2014.

Shitja 10 milionë euro e IT Oil

Operatori me shumicë i naftës, I.S.C. Petroleum Company (emri tregtar “IT OIL International”) u shit në fund të vitit 2015 te një kompani e huaj, me emrin “Tamm Oil Trading”. Sipas të dhënave të transaksionit, “Tamm Oil Trading” është e regjistruar në Vjenë, dhe është e përfaqësuar nga Dr. Hans Jorg Tamm. Nga marrëveshja e shitjes rezulton se blerësi ka rënë dakord të paguajë 10 milionë euro shitësin, që duhet të shlyhet brenda 7 vitesh.

I.S.C. Petroleum (IT Oil) është krijuar në vitin 2011, sipas ekstraktit të QKR-së, dhe mori në 2013-n, aktivitetin e Taçi Oil International, pasi aksionerët e kësaj të fundit, në një marrëveshjeje shitjeje të kompanisë tjetër në pronësi të tyre, A.R.M.O, në gusht 2013, u ndaluan të merreshin me aktivitetin e tregtimit të karburanteve.

Për vitin 2014, kompania raportoi një xhiro vjetore prej 5.8 miliardë lekësh (rreth 41 milionë euro), nga 1.9 miliardë lekë vitin e mëparshëm, ndërsa fitimi për 2014 ishte 47 milionë lekë (rreth 335 mijë euro).

Në bilanc rezulton që I.S.C. Petroleum ka rreth 1.3 miliardë lekë detyrime ndaj të tjerëve, nga të cilat pjesën më të madhe e ka ndaj Kuarta shpk dhe Taçi Oil International, konkretisht 879 milionë lekë dhe 236 milionë lekë.

Revista Monitor,  03.05.2016

Nafta_me_medhenjte