info@energjia.al

“TAP-i mbështet krijimin e një Shoqërie të Përbashkët (JV) midis AlbGaz dhe DESFA-s, e cila nëse krijohet brenda afateve të kërkuara dhe arrin një marrëveshje me TAP, do të mundësojë veprimtarinë e sigurt dhe efikase të gazsjellësit dhe mirëmbajtjen e tij pas vitit 2020”. Në këtë çështje është përqendruar biseda gjatë takimit të parë zyrtar midis AlbGaz, shoqëri e krijuar për operimin e sistemit të transmetimit dhe shpërndarjes së gazit natyror dhe DESFA-s, operatori grek i sistemit të transmetimit të gazit, në Selanik të Greqisë, takim ky i ndërmjetësuar nga TAP

Presidenti dhe drejtori Ekzekutiv i DESFA-s, Sotirios Nikas, hapi takimin duke i uruar mirëseardhjen pjesëmarrësve në Greqi dhe duke shprehur gatishmërinë e shoqërisë që ai drejton për të bashkëpunuar plotësisht me AlbGaz.

Në fjalën e tij Klodian Gradeci, drejtor Ekzekutiv i AlbGaz, falenderoi homologun e tij grek dhe paraqiti një panoramë të shkurtër të krijimit të shoqërisë që ai drejton.

Gradeci, gjithashtu sugjeroi ngritjen e një grupi të përkushtuar pune për të diskutuar çështje të lidhura me krijimin e Shoqërisë së Përbashkët.

Takimi i Selanikut u shoqërua nga një vizitë në Qendrën e Operacioneve dhe të Mirëmbajtjes së DESFA-s në Nea Mesimvria, ku përfaqësuesit e DESFA-s paraqitën veprimtaritë e transmetimit të gazit natyror në Greqi dhe karakteristikat teknike të Qendrës.

Pjesëmarrësit vizituan gjithashtu stacionin e kompresorëve të DESFA-s në po atë vendndodhje.

Pjesa e fundit e vizitës iu kushtua programit të trajnimit të DESFA-s mbi kompetencat dhe diskutimit se si ky program mund të ndihmojë në trajnimin e ekspertëve të AlbGazit në faza të mëvonshme.

AlbGaz dhe DESFA shprehën gatishmërinë e tyre për të nisur një program për trajnimin e stafit, paralelisht me diskutimet rreth Shoqërisë së Përbashkët.

TAP-i, i përfaqësuar nga Shkëlqim Bozgo, Manaxheri i TAP për Shqipërinë, Ioannis Skoufogiannis, Menaxher i Aseteve dhe Ambienteve të TAP-it për Greqinë dhe Vugar Veysalov, Menaxher i Zhvillimit të Tregut Shqiptar të Gazit, mirëpritën angazhimin e palëve për të vijuar bashkëpunimin dhe ritheksuan gatishmërinë e Shoqërisë TAP për të ofruar asistencë kurdoherë është e nevojshme.

Scan Tv,  17.03.2017

Minutat e takimit të mbajtur në datën 25.02.2017

Në datën 25.02.2017, në ambientet e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, Zv.Kryeministri z. Niko Peleshi sëbashku me zv.ministrin e Energjisë z. Ilir Bejtja dhe kreun e Emergjencave Civile z.Shemsi Premçi pritën në një takim përfaqësinë e grevistëve të Zharrëzës. Takimi u zhvillua në një frymë pozitive dialogu për vazhdimin e procesit të filluar tashmë nga qeveria për zgjidhjen e situatës së krijuar dhe trashëguar prej vitesh.

Përfaqësuesit e qeverisë informuan përfaqësinë e grevistëve për masat e marra në kuadër të grupit ndërministror të ngritur me urdhër të Kryeministrit që në ditët e para të janarit. Gjithashtu u paraqitën masat që janë marrë në mënyrë të menjëhershme pas rikthimit të lëkundjeve në zonën e Zharrëzës në Nëntor-Dhjetor 2016.

Që në datën 26 dhjetor 2016 është urdhëruar ndalimi i injektimit të ujit teknologjik nga Bankers Petrolium në zonën e Zharrëzës, ndalim që vazhdon të mbetet në fuqi. Nga banorët u kërkua që ndalimi të bëhet definitiv çka është në përputhje edhe me raportin e grupit ndërministror që thotë “Bankers të ndalojë operacionet e injektimit të ujit në gëlqeror në zonën e Zharrëzës dhe të përdorë alternativa të tjera për trajtimin e ujit teknologjik pa dëmtuar mjedisin, si dhe masa riparuese të nëntokës e mbitokës, sipas standardeve ndërkombëtare, në mënyrë që të shmangen në të ardhmen pasojat negative për komunitetin”.

Raporti i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, i përgatitur në bashkëpunim me pushtetin vendor si dhe Drejtorinë e Emergjencave Civile thekson se janë dëmtuar 508 shtëpi nga të cilat 70 me dëmtime shumë të rënda ose të rënda që kërkojnë ndërhyrje urgjente. Sipas raportit urdhërohet marrja e masave të menjëhershme për sistemimin e përkohshëm të banorëve, banesat e të cilëve janë vlerësuar si të pabanueshme dhe riparimin e shtëpive me dëmtime të rënda. Sistemimi i banorëve dhe riparimi i dëmeve të këtyre 70 banesave do të bëhet në masë të plotë nga qeveria pa pritur zbulimin shkencërisht të provuar të shkaqeve të lëkundjeve. Brenda javës që vjen, qeveria angazhohet të përmbyllë të gjitha modalitetet ligjore të kërkuara nga grupi ndërministror i punës, ngritur me urdhër të Kryeministrit. Për banesat që nuk klasifikohen në gjendjen e emergjencës do të dëmshpërblehen gjithashtu në mënyrë të plotë, në varësi të rezultateve të ekspertizës së pavarur ndërkombëtare mbi shkaqet e lëkundjeve. Banorët kërkuan që vlerësimi i dëmeve të mund të rikryhet në ato raste kur ka kontestime. Brenda javës së ardhshme do të ngrihet një grup me ekspertë teknikë për të rivlerësuar rastet e kontestuara nga banorët.

Vazhdon procesi i vlerësimit të shkaqeve nga vijnë lëkundjet. Mbi bazën e të dhënave të regjistruara është përzgjedhur një listë ekspertësh të pavarur ndërkombëtar mes të cilëve në diskutim me Bankers Petrolium dhe në respekt të marrëveshjes hidrokarbure do të përcaktohen ata që do analizojnë të dhënat dhe nxjerrin dokumentin e analizës shkencore. Eksperti teknik i pavarur do të përcaktojë në mënyrë objektive dhe asnjanëse shkakun e lëkundjeve por edhe do të propozojë zgjidhjen më optimale për teknologjinë e trajtimit të ujit dhe mbetjeve teknologjike që shoqërojnë nxjerrjen e naftës nga nëntoka sipas standardeve më të mira ndërkombëtare.

Nënkryetari i Grupit të Posaçëm Ndërministror

Ilir Bejtja

energjia.al  27.02.2017

Ministri i Energjisë dhe Industrisë z. Damian Gjiknuri priti sot në takim një delegacion të kompanisë shtetërore të gazit në Hollandë “Gasunie”. Grupi kryesohej nga shefi ekzekutiv z. Han Fennema dhe përbëhej nga anëtarët e bordit drejtues z. Rene Oudejans, z. Ulco Vermeulen, znj. Annie Krist, z. Hans Coenen dhe z. Wim Groenendijk.

Ministri Gjiknuri njohu bashkëbiseduesit me zhvillimet e fundit në Shqipëri sa i takon infrastrukturës së gazit. Ai vlerësoi si mjaft të rëndësishëm faktin se projekti i Korridorit Jugor të Gazit, pjesë e të cilit është edhe Gazsjellësi TransAdriatik, tashmë po bëhet realitet. Z. Gjiknuri tha se ndërtimi i gazsjellësit në territorin shqiptar po ecën normalisht dhe sipas parashikimeve.

Më tej, z. Gjiknuri u ndal tek puna që po bëhet me synim gazifikimin e vendit. Ai njohu drejtuesit e kompanisë “Gasunie” me ecurinë e punës për përfundimin e Masterplanit të Gazit në Shqipëri, studimit të fizibilitetit dhe evidentimin e projekteve kryesore të investimit. Qeveria shqiptare ka miratuar tanimë ngritjen e kompanisë shtetërore të gazit Albgaz e cila do të ketë një rol të rëndësishëm në procesin e gazifikimit.

Në këtë linjë, drejtuesit e kompanisë “Gasunie” shfaqen gatishmërinë e tyre për të vendosur një partneritet me kompaninë shtetërore shqiptare “Albgaz” ashtu sikurse shfaqen interes për tu njohur me planet e projekteve kryesore në kuadër të zhvillimit të infrastrukturës së gazit në Shqipëri.

Ministri Gjiknuri theksoi se partneriteti mes “Gasunie” dhe “Albgaz” do të jetë një shtysë e rëndësishme për të marrë përvojën dhe eksperiencat më të mira me synim përmbushjen e objektivit të gazifikimit të vendit.

Bashkëbiseduesit u ndalën më pas tek projektet e tjera të cilat në vijim të gazsjellësit TAP mund të ndryshojnë edhe më tej hartën energjetike të Shqipërisë, mes tyre ai i gazsjellësit Jonian-Adriatik (IAP).

energjia.al  01.02.2017

Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri priti sot në takim ambasadoren e Greqisë në Shqipëri znj.Eleni Sourani. Në takim u vlerësua bashkëpunimi i mirë me Greqinë në sektorin e energjisë duke vënë theksin tek ecuria e projektit të gazsjellësit TAP që prek dy vendet tona.
Duke vlerësuar eksperiencën greke, bashkëbiseduesit u ndalën edhe tek bashkëpunimi i mundshëm mes operatorëv të gazit.

Ambasadorja Sourani theksoi se bashkëpunimi ekonomik është shumë më i rëndësisshëm në raport me retorikat negative dhe të pamerituara për të dy vendet. Ajo nënvizoi edhe rëndësinë e shtimit të kapaciteteve të prodhimit të energjisë si pjesë e politikave të Bashkimit Evropian.

Në takim u diskutua mbi hapat konkret që mund të hidhen në fushën e bashkëpunimit trilateral Shqipëri-Greqi-Kosovë për rritjen e burimeve të prodhimit te energjise, duke shfytëzuar edhe potencialet e qymyrgurit të Kosovës. Ambasadorja greke vuri theksin mbi mundësinë e bashkëpunimit në fushën e energjive të rinovueshme.

Ministri Gjiknuri prezantoi gjithashtu të dhënat mbi ecurinë e kuadrit ligjor të këtij sektori dhe për kalimin e shpejtë në Kuvend të ligjit për Nxitjen e Energjive të rinovueshme.

Sipas ambasadores, Greqia mbetet e hapur për bashkëpunim në këtë aspekt pasi sot në këtë vend 18% e energjisë prodhohet nga burimet e rinovueshme.

Po ashtu  u vlerësua edhe bashkëpunimi e asistenca e dhënë në fushën e sigurisë së tubacioneve të gazit, si një element shumë i rëndësishëm i cili do jetë një nga efektet  multilaterale, për rritjen e standarteve të implementimit të infrastrukturave bashkëkohore.

energjia.al  15.12.2016

Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri sëbashku me deputetin Fidel Ylli dhe konsullin ekonomik Eduard Molla zhvilluan një vizitë pune në Kinë. Gjatë qëndrimit në Pekin u pritën në takim nga kompania më e madhe e ndërtimit të projekteve energjitike dhe infrastrukturore CGGC, ndërtuesja e digave më të mëdha në botë.

Gjithashtu, u zhvillua takim edhe me drejtuesit e kompanisë Geo-Jade Petroleum e cila sëfundi ka marrë pronësinë e Bankers Petroleum që vepron në fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës. Mes palëve u diskutua mbi përspektivën e zhvillimit në fushën e Patoz Marinzës ku nga pala kineze u konfirmua angazhimi për të investuar mbi 1 miliard USD dhe dyfishuar prodhimin e naftës nga kjo fushë me mbi 40 mijë fuçi në ditë.

Gjatë ndalesës në provincën më të industrializuar të Kinës “Guadong”, morëm pjesë në Forumin Ekonomik e Tregtar kinezo-arab ku gjetëm rastin të prezantojmë mundësitë që ofron Shqipëria për investime të huaja.

energjia.al  14.12.2016

Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri priti sot në takim ambasadorin e ri të Norvegjisë në Shqipëri z.Strand Sjasstad. Gjatë bashkëbisedimit u vlerësua bashkëpunimi sinjitifikativ i deritanishëm në sektorin e energjisë mes Shqipërisë dhe Norvegjisë ku përfshihet investimi i kompanisë Statkraft ashtu sikurse mbështetja norvegjeze për Tregun e Energjisë.

Ambasadori Sjasstad shprehu angazhimin e tij për rritjen e nivelit të bashkëpunimit në energji, infrastrukture etj. Ai theksoi vlerësimin për harmonizimin e investimeve në prodhimin e energjisë në aspektin e ndikimit mjedisor dhe interesit ekonomik e social. Po ashtu,  ambasadori u angazhua për ndihmën e Norvegjisë në aspektin e bashkëpunimit rajonal edhe në sektorin e energjisë.

Ministri Gjiknuri shprehu besimin se procesi i krijimit të Bursës së Energjisë,  i cili pritet të materializohet në vitin 2018 është pa kthim prapa, në koordinim dhe harmonizim të plotë me politikat e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.

Z.Gjiknuri shprehu vlerësimin e tij për investimet norvegjeze në fushën e prodhimit të energjisë,  duke vlerësuar potencialet e reja si HEC Moglica. Gjatë takimit u diskutua edhe për rritjen e ekspertizës dhe asistencës norvegjeze në sektorin e Shpërndarjes së Energjisë elektrike dhe të sistemeve “smart”.

energjia.al  14.12.2016

Zv.ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Ilir Bejtja po zhvillon një vizitë pune në Bruksel në kuadër të takimit të Komitetit Strategjik të Kartës Ndërkombëtare të Energjisë. Z.Bejtja u prit në një takim të veçantë nga Sekretari i Përgjithshëm i Kartës Dr. Urban Rusnak. Në rendin e ditës ishte dhe paraqitja zyrtare e kërkesës së Shqipërisë për të marrë drejtimin e Konferencës së këtij organizmi për vitin 2019. Komiteti Strategjik e miratoi këtë kërkesë ndërsa shpallja zyrtare do të jetë në takimin e Tokios që mbahet në datat 25-26 Nëntor, ku Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri do të paraqesë platformën e lidershipit për 2019.

Z.Bejtja theksoi rolin e Kartës Ndërkombëtare të Energjisë në politikëbërjen globale rreth çështjeve të energjisë. Gjithashtu ai u ndal tek rëndësia e dispozitave të Kartës së Energjisë lidhur me rregullat e investimeve dhe të tranzitimit me synim sigurinë e furnizimit me energji.

Z.Bejtja paraqiti para bashkëbiseduesit arritjet e Shqipërisë në kuadër të reformës së ndërmarrë në sektorin elektroenergjitik. Vend të veçantë zuri edhe shkëmbimi i pikëpamjeve rreth projekteve të rëndësishme si ai i Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) apo ai i degëzimit me gazsjellësin Jonian-Adriatik (IAP).

energjia.al  13.10.2016

Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri priti në takim një delegacion zyrtar nga Maqedonia të kryesuar nga z.Arlind Zeqiri, Ministër për Tërheqjen e Investimeve të Huaja. Pjesë e delegacionit ishin edhe z.Gëzim Beadini me detyrë zv.ministër i Financave dhe z.Faton Pollozhani me detyrë zv.ministër i Transportit.

Gjatë takimit u diskutua mbi nevojën e thellimit të bashkëpunimit ekonomik, investimeve, shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve. Gjithashtu, ministrat theksuan domosdoshmërinë që i gjithë rajoni të konsiderohet si një platformë e përbashkët ekonomike në raport me investitorët potencialë. Me rëndësi u konsiderua edhe përfshirja e diasporës në investime të drejtpërdrejta në Maqedoni, Shqipëri e Kosovë.

energjia.al  05.10.2016

Me ftesë të Kompanisë publike Energy Transfer Viena, zëvendës ministri i MMPH-së, z. Ferat Shala po qëndron për vizitë zyrtare në Vjenë të Austrisë. Ai është pritur nga menaxheri gjeneral i kësaj kompanie dr. Rudolf Hofbauer, dhe zyrtarë tjerë të lartë si PeterWachsenegger e Walter Muskat si dhe ka vizituar impiantet kryesore të menaxhimit të mbetjeve urbane që menaxhohen nga kjo kompani.

Kompania Energy Transfer Viena, është kompani lidere në sektorin e menaxhimit të mbetjeve urbane dhe një ndër kompanitë më të njohura evropiane në zbatimin e standardeve të larta mjedisore dhe teknologjive moderne për trajtimin e mbetjeve urbane dhe prodhimin e energjisë. Kompania menaxhohet nga komuniteti i qytetit të Vjenës dhe administron sistemin e trajtimin e mbetjeve urbane në këtë metropol.

Me këtë rast zëvendës ministri i MMPH-së, z. Ferat Shala ka njoftuar menaxhmentin dhe ekspertët austriakë nga kjo kompani për gjendjen e sektorit të mjedisit në Kosovë me theks të veçantë problematikat e manaxhimit dhe trajtimit të mbetjeve urbane si dhe për problemet me të cilat po përballen kompanitë tona publike të menaxhimit të mbeturinave dhe ujërave.

Është diskutuar edhe për mundësinë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në sektorin e menaxhimit dhe trajtimit të mbetjeve urbane.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  17.06.2016

Ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë Z.Damian Gjiknuri dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës z.Blerand Stavileci nënshkruan sot në Prishtinë një memorandum bashkëpunimi.

Ky Memorandum ka objekt bashkëpunimin ndërmjet dy ministrive, nëpërmjet Agjencive përgjegjëse të secilit vend, për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese dhe/ose fuqizimin e kapaciteteve aktuale gjeneruese me investime të përbashkëta, me synim optimizimin e burimeve energjetike.

Palët bien dakord se ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese dhe/ose fuqizimi i kapaciteteve aktuale gjeneruese me investime të përbashkëta do të realizohet në Republikën e Kosovës.

“Është plotësisht i mundshëm, për shkak të mundësisë që ka Kosova me burimet e saj të linjitit dhe interesit të shprehur tashmë edhe të partnerëve privat, për tu bërë pjesë e këtij projekti të përbashkët energjitik. Sëbashku me linjën e interkonjeksionit që shumë shpejt do jetë në funksion, apo edhe me faktin se Shqipëria dhe Kosova po aplikojnë si një vend i vetëm në Bashkimin Evropian për projektet e fushës së gazit. Janë projekte të pranuara nga BE si projekte prioritare dhe kjo do të hapë mundësinë që jo vetëm Shqipëria të kthehet në një nyje të rëndësishme energjitike por diversifikimi i Kosovës me gaz do të hapë mundësinë e krijimit të unazës energjitike ku ajo do të bashkëpunojë edhe me Serbinë. Kjo do ti japë rajonit një siguri më të madhe energjitike dhe do të ulë varësinë nga burimet tradicionale të furnizimit. Kjo do të kontribuojë që të ketë një siguri më të madhe energjitike për Ballkanin dhe do të kontribuojë edhe në paqen e stabilitetin sepse gjërat janë të lidhura”, u shpreh z.Gjiknuri.

Sipas memorandumit, rezervat specifike të secilit vend me burime primare gjeneruese të energjisë elektrike, ku Republika e Shqipërisë mbështetët në burimet energjetike hidro dhe Republika e Kosovës në burimet energjetike termo, si dhe lidhja e të dy vendeve me linjë 400 kV të interkonjeksionit Tiranë – Prishtinë, do të shfrytëzohen maksimalisht me krijimin dhe zhvillimin e një tregu të përbashkët energjetik.

Palët bien dakord se shfrytëzimi i dy sistemeve komplementare të burimeve të gjenerimit në të dy vendet dhe ndërtimi i burimeve të reja gjeneruese në Republikën e Kosovës, do të optimizojnë shfrytëzimin e burimeve gjeneruese dhe do të rrisin sigurinë e furnizimit me energji elektrike të të dy vendeve

Të dy qeveritë  bien dakord që drejtpërdrejte  ose nëpërmjet Agjencive të tyre zbatuese, do të bashkëpunojnë  për sigurimin e fondeve financiare për realizimin e investimeve në burime të reja gjeneruese.

Palët shprehin vullnetin  që të marrin masat e arsyeshme në mënyrë që të sigurojnë fondet financiare për realizimin e objektit të këtij Memorandumi nga burimet si më poshtë: nga burime të brendshme financiare, në varësi të mundësisë dhe buxhetit të secilës palë; nga burime të jashtme financiare, ku përfshihen  financimet nga institucione të ndryshme financiare ndërkombëtare  apo nga iniciativa të tjera që do të identifikohen nga palët.

Iniciativat për sigurimin e financimeve nga institucione të ndryshme financiare ndërkombëtare do të realizohen në bashkëpunim me njëra tjetrën.

Fjala e mbajtur nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës

Të nderuar Kryeministra,

Të nderuar kolegë,

Në fakt, ajo që u tha pak më parë është një nga projektet e rëndësishme që ne kemi filluar në atë rrugëtimin që në themel ka forcimin e marrëdhënieve ekonomike. Kur flasim për ekonominë, alfa dhe omega është patjetër siguria dhe bashkëpunimi në fushën energjitike. Jam i kënaqur që hapa konkret janë hedhur, edhe prezantimi i projektit të fundit është shumë i rëndësishëm dhe është i mundshëm.

Mund të duket pak si demagogji por është plotësisht i mundshëm, për shkak të mundësisë që ka Kosova me burimet e saj të linjitit dhe interesit të shprehur tashmë edhe të partnerëve privat, për tu bërë pjesë e këtij projekti të përbashkët energjitik. Këta janë hapa konkret. Sëbashku me linjën e interkonjeksionit që shumë shpejt do jetë në funksion, apo edhe me faktin se Shqipëria dhe Kosova po aplikojnë si një vend i vetëm në Bashkimin Evropian për projektet e fushës së gazit. Janë projekte të pranuara nga BE si projekte prioritare dhe kjo do të hapë mundësinë që jo vetëm Shqipëria të kthehet në një nyje të rëndësishme energjitike por diversifikimi i Kosovës me gaz do të hapë mundësinë e krijimit të unazës energjitike ku ajo do të bashkëpunojë edhe me Serbinë. Kjo do ti japë rajonit një siguri më të madhe energjitike dhe do të ulë varësinë nga burimet tradicionale të furnizimit. Kjo do të kontribuojë që të ketë një siguri më të madhe energjitike për Ballkanin dhe do të kontribuojë edhe në paqen e stabilitetin sepse gjërat janë të lidhura.

Në fund të fundit, shikoj edhe fusha të tjera bashkëpunimi. Sëfundi, kemi identifikuar edhe një fushë tjetër që ka ardhur natyrshëm nga sektori privat, siç është rasti i tregtisë së hidrokarbureve ku autoritetet kosovare të mbikëqyrjes kanë kërkuar bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror Teknik të Shqipërisë. Ky i fundit është i çertifikuar dhe ne kemi mundësi që edhe këtë produkt që është tregtia e karburanteve, Shqipëria dhe Kosova ta ulin varësinë nga vendet e tjera. Ka mundësi, sidomos Kosova që të ulë importet nga Serbia dhe kjo do të jetë një kontribut tjetër për qytetarët e dy vendeve dhe për sigurinë energjitike.

Sëfundi dua të them se janë hapa konkrete dhe nuk po thuhen vetëm fjalë. Hapa për të shkruar historinë e përbashkët që fillon me vepra konkrete dhe ne po i bëjmë të tilla.

Faleminderit

energjia.al  04.06.2016