info@energjia.al

Korporata Elektoenergjetike Shqiptare ka dalë sërish në treg të lirë për të shitur 38 500 MWh energji në datat 8-14 dhjetor 2017. Kërkesa e saj është për të shitur në dy lote, ku në të parin është parashikuar një sasi prej 28 000 MWh energji në profilin 06:00-22:00, kurse loti i dytë përfshin një sasi prej 10 500 MWh në orare të kombinuara me një total prej 10 orësh furnizim.

Burime pranë KESH bënë me dije për Monitor se kjo sasi që do të hidhet në treg do t’u paraprijë reshjeve të tjera që janë parashikuar këtë fundjavë. “Nga parashikimet e këtyre ditëve pritet që e shtuna, e hëna dhe e marta të jenë ditë me shi në zonat e Pukës, Thethit dhe Valbonës duke ndikuar direkt në prurjet që do të kemi në Koman. Ne duam që t’i dalim para kësaj situate, duke prodhuar këto ditë në nivele të tilla që të bëjmë shfrytëzim me eficencë të prurjeve që do të marrim” pohuan të njëjtat burime.

KESH duket se është gjendur në një situatë të vështirë, që e ka detyruar të dalë në treg për një sasi të konsiderueshme, pasi edhe me aktorë të tjerë ku së pari Korporata Elektroenegjetike e Kosovës me të cilën ka një marrëveshje depozitimi, ka kërkuar që të mos marrë më energji.

“KEK duhet që të ndalë punën në termocentral që të furnizohet me një sasi nga ne, por kjo ka kostot dhe procedurat e veta dhe duket se ata kanë gjykuar që për momentin nuk mund të marrin energji nga KESH” pohojnë burimet.

Nga ana tjetër ka pasur rënie të konsumit në vend çka ka bërë që edhe kërkesa e OSHEE nga kompania publike e gjenerimit të jetë më e moderuar. Fillimisht ishte konfirmuar për një sasi prej 141 mijë MWh që KESH do t’i kalonte OSHEE-së që llogaritet diku tek 4500 MWh në ditë. Por rënia e konsumit ka bërë që OSHEE të kërkojnë vetëm 1600 MWh energji në ditë, duke bërë që KESH të kalojë në treg të lirë sasinë që mbetet e pa tërhequr nga OSHEE.

Revista Monitor,  09.12.2017

Reshjet e shiut nuk sollën vetëm fatkeqësi në Shqipëri, por kishin edhe të mira.

Ato kanë rritur prodhimin e energjisë në hidrocentralet e kaskadës së Drinit, ndërsa tepricat po depozitohen në Kosovë, ani që mosvënia në funksionim e linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt në mes dy vendeve limiton sasinë e transmetimit të energjisë, raportojnë mediat në Shqipëri.

Drejtori i Divizionit të Shpërndarjes në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), Ilir Bela, tha se pasi janë plotësuar nevojat e Shqipërisë me energji elektrike është eksportuar 2.9 milionë euro vetëm në 5 ditë, si dhe janë depozituar rreth 14 mijë megavat energji në Kosovë.

Telegrafi,  05.12.2017

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare do të nxjerrë  një sasi tjetër energjie për shitje në tregun e lire. Burime nga kompania bënë me dije se sasia e disponueshme për shitje është rreth 3750 MWh. “Sasia në dispozicion është pjesa që nuk do të shkojë tek OSHEE-ja. Kjo e fundit rakordoi me KESH se ka një rënie të konsumit në vend dhe për këtë arsye nga 4500 MWh që kishte rezervuar si nevojë do të marrë vetëm 750 MWh. Sasia e mbetur do të shitet në treg të lirë” pohuan të njëjtat burime.

Kjo është hera e tretë në harkun e një jave që KESH del në treg të lirë për të shitur energji. Aktualisht po punohet në Vaun e Dejës dhe në Koman për të përdorur sa më me eficencë pjesën e ujit që nëse nuk përdoret për prodhim duhet të shkarkohet për të mbajtur nën kontroll kaskadën e Drinit sipas parametrave që imponon rregullorja e plotave. Gjithsesi sasia e reshjeve duket se ka qenë e paparashikuar çka ka rezultuar më pas edhe në rritje të prodhimit.

KESH mbylli një shitje më herët edhe për periudhën 1 dhjetor deri më 4 dhjetor e ndarë në dy lote ku secili planifikonte shitjen me disa profile. Sasia e energjisë së nxjerrë në shitje ishte mbi 19 mijë MWh. Procedura e parë e shitjes ishte ajo për fundin e nëntorit ku në vetëm dy ditë kompania siguroi 1.2 milionë euro nga shitja e energjisë duke tregtuar një MW mesatarisht me 73 euro.

OSHEE duket se aktualisht ka një rënie të përgjithshme të konsumit që vjen si rezultat i ndërprerjes së detyruar të energjisë në disa zona në vend ku ka pasur edhe përmbytje të nënstacioneve por edhe dëmtime të tjera në rrjet.

Revista Monitor,  02.12.2017

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka hapur  sot (30 nëntor) procedurën e dytë të shitjes së energjisë në treg të lirë. Bëhet fjalë për një procedurë me dy lote ku loti i parë synon shitjen e energjisë për datën 1 dhjetor të ndarë në disa profile ku të paktën 2400 MWh janë në profilin  00:0024:00, të paktën 3000 MWh janë në orët e natës dhe ditës të kombinuara në një total prej 15 orësh dhe një tjetër profil i kombinuar me 9 orë. E fundit në lotin e parë është për një furnizim 5 orë gjatë naftës dhe ditës me një total prej deri 250 MWh.  I gjithë loti i parë përfshin një total 6550 Mwh.

Në lotin e dytë përfshihet shitja në datat 2 deri në 4 dhjetor me gjashtë profile të ndryshme. Pjesën më të rëndësishme të këtij loti e zë ai i shitjes në pik me të paktën 3600 MWh dhe me një periudhë prej 24 orësh. Totali i energjisë së nxjerrë për shitje është 13 170 MWh

KESH:Ja arsyet pse po shesim

Administratori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare Agron Hetoja tha për “Monitor” se arsyeja e hapjes së procedurës normale për shitjen e energjisë vjen në kushtet kur prurjet në Koman kanë qenë dukshëm më të larta sesa parashikimi. Sipas tij, KESH ndodhet përpara dy zgjidhjeve ose të shfrytëzojë me eficencë këtë situatë duke prodhuar energji ose të ruajë nivelin e kaskadës duke bërë derdhje të detyruar. Aktualisht sipas KESH prodhohet në dy hidrocentrale.

Të dhënat e kaskadës së Drinit 

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare informoi sot në orën 14:00 mbi situatën në Kaskadën e Drinit. Të dhënat paraqiten si mëposhtë:

FIERZA :Kuota, 268.45 m; Prodhimi =0 MW; Prurjet =400m3/s.

KOMANI : Kuota 172.80 m, Prurjet =1200m3/s; P=430 MW.

V.Dejes ,kuota 73.81 m, prurjet 160m3/s, P=60 MW.

Revista Monitor,  01.12.2017

Kompania për Ditribuimin e Energjisë Elektrike KEDS brenda vitit eksporton miliona euro energji elektrike jashtë vendit.

Vitin e kaluar ka eksportuar energji në vlerë prej 25 milionë eurove, kurse vetëm në tremujorin e tretë të këtij viti ka eksportuar 5.4 milionë euro.

Ndërkohë këtë sasi të rrymës KEDS po e eksporton në Serbi e Kinë.

Këtë për Gazetën Fjala e kanë konfirmuar nga Doganat e Kosovës.

“Po Dogana ka të dhëna dhe vendet ku ne kemi eksportuar janë Serbia, Danimarka dhe Kina”, ka thënë Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës së Kosovës.

Ndryshe KEDS, bazuar në të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm në tremujorin e tretë të këtij viti, ka eksportuar rrymë jashtë vendit në vlerë prej 5.4 milionë eurove.

“Në tremujorin e tretë të vitit 2017, Kosova ka importuar 66.7 GËh energji elektrike. Në këtë tremujorë (TM 3 2017) Kosova ka eksportuar 194.4 GËh energji elektrike”, thuhet në raportin e ASK-së “Bilanci i energjisë”.

Këtë sasi të energjisë KEDS po e eskprton në kohën kur vendi rrezikohet nga një kolaps I mundshëm energjetik, për shkak të mungesës së prodhimit të energjisë elektrike nga KEK-u.

Gazeta Zëri,  22.11.2017

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka hapur procedurën e shit-blerjes së energjisë elektrike për periudhën kohore 8-31 tetor.

Procedura për shitblerje ekonomike bëhet për një sasi të vogel prej 17,800 MWh, ndërkohë që afati i fundit për dorëzimin e ofertave është ora 20:00 e datës 6 tetor.

Kryerja e kësaj procedure synon përfitimin nga diferenca e çmimit të shitjes me atë të blerjes, që do të thotë se e njëjta sasi energjie do të blihet dhe shitet në profile të ndryshme orare.

Referuar njoftimit të KESH, shitja e energjisë bëhet për fashën orare 18:00-21:00, ndërsa blerja për orën 7:00-24:00.

Ndërkohë që, referuar legjislacionit në fuqi blerja bëhet me çmim më të ulët se shitja, duke siguruar të ardhura shtesë për Korporatën Elektorenergjetike Shqiptare.

Kjo edhe në kushtet kur mungesa e rreshjeve të shiut ka përkeqësuar situatën financiare të kësaj, duke u reflektuar në uljen e të ardhurave me 2.4 miliard lekë në raport me parashikimet.

Për muajin tetor KESH bleu 111.750 mwh energji elektrike, me një çmim mesatar prej 50.85 euro/ mwh. Ndërkaq, korporata garanton se në aspektin sasior nuk cenohet volumi i energjisë që është destinuar për të furnizuar Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Scan Tv,  06.10.2017

Kompania shtetërore e nxjerrjes dhe prodhimit të naftës Albpetrol vetëm pak ditë pas mbylljes me sukses të shitjes së 200 mijë tonëve naftë ka vendosur të hapë një tjetër ankand. Këtë herë sipas njoftimit të bërë në Agjencinë e Prokurimit Publik në shitje është një sasi prej 600 mijë nm3 gaz.

Kjo sasi është nxjerrë si gaz shoqërues gjatë operacioneve për nxjerrjen e naftës një praktikë kjo tipike për vendburimet e naftës.

Sipas Albpetrol gazi është prodhuar në vendburimin Çakran Mollaj, dy vendburime me një historik problematik në lidhje me koncesionarët që kanë humbur të drejtat siç ishte Transaltantik.

Kushtet e ankandit

Albpetrol bëri me dije se çmimi do të llogaritet përmes koeficientit 0.8 herë çmimin në euro/mwh të gazit shoqërues i publikuar në bursën hollandeze si dhe vlera në euro shtuar nga ofertuesi mbi çmimin minimal të përllogaritur.

Kjo është hera e parë pas shumë kohësh që nga ana e Albpetrol zhvillohet në ankand për shitje gazi.

Lëvrimi i sasisë për operatorin që do të shpallet fitues do të bëhet në masën 600 mijë nm3 brenda një viti nga nënshkrimi i kontratës kurse pjesa e mbetur prej 3 milionë nm3 gaz do të lëvrohet brenda 5 viteve nga nënshkrimi i kontratës.

Operatorët e interesuar duhet të dorëzojnë ofertat brenda datës 3 tetor.

Ankandi i naftës

Albpetrol shiti tek “Izvor 99” sh.p.k 200 mijë ton naftë brut dhe parashikon të arkëtojë mbi 50 milionë dollarë nga ky transaksion. Në ankand morën pjesë dy kompani por në fund u shpall fituese vlera më e lartë e ofruar. Ky ishte ankandi i parë i Albpetrol për këtë vit për shitjen e naftës së nxjerrë.

Revista Monitor,  26.09.2017

Albpetrol ka mbyllur me sukses shitjen e 200 mijë tonëve naftë. Burime pranë kompanisë deklaruan se fituesja është kompania “Izvor 99 sh.p.k”, kompani që operon në transport dhe tregtim të bitumit, karburanteve, lubrifikantëve të ndryshëm e fraksioneve të tjera të naftës dhe që operon në zonën e Fierit.

Të ardhurat që Albpetrol do të sigurojë nga shitja e kësaj sasie nafte bruto llogariten në mbi 50 milionë dollarë.

Ankandi

Në mes të muajit gusht kompania shtetërore e nxjerrjes dhe prodhimit të naftës në vend Albpetrol hapi ankandin për shtijen e 200 mijë tonëve naftë brut duke përcaktuar edhe çmimin minimal që do të ishte sa 71% e çmimit të naftës brent të publikuar në Buletinin e Prokurimit Publik, duke shtuar mbi të edhe koston e stokim, magazinim dhe transport për çdo ton.

Duket se oferta e “Izvor 99 sh.pk” ishte edhe më e larta në ankand ku në total në datën 22 gusht u paraqitën vetëm dy subjekte të interesuara. Kompania tjetër sipas burimeve brenda Albpetrol shfaqi mangësi në dokumentacion, por kishte edhe një ofertë më të ulët sesa konkurrentja tjetër në garë.

Si do procedohet

Tërheqja e sasisë prej 200 mijë tonë naftë do të bëhet nga tetë stacione të Albpetrol dhe konkretisht nga stacioni Marinëz (Bankers/HUB Fier), stacioni Usojë, 16/1 (ARMO) Ballsh, stacioni Zharrëz, stacioni Sheqishtë, stacioni Gorisht, stacioni Visoke dhe në fund stacioni Kuçovë.
Tërheqja e gjithë sasisë do të bëhet në harkun e një viti nga ana e kompanisë që u shpall fituese e këtij ankandi.

Ky është ankandi i parë që Albpetrol zhvilloi gjatë këtij viti lidhur me sasinë stok të naftës brut të nxjerrë nga puset aktivë nën administrim të saj.

Revista Monitor,  23.09.2017

Shitjet me pakicë kanë vijuar për tremujorin e dytë radhazi zbehjen e rritjes. Sipas të dhënave të INSTAT, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë për periudhën Prill-Qershor është rritur me vetëm 1.6% krahasuar me këtë periudhë në vitin 2016, kur rritja ishte me 6.7%.

Përshtatur sezonalisht, frenimi i rritjes është më i madh, krahasuar me vitin e shkuar. Volumi i shitjeve në këtë llogaritje rezulton vetëm 1.4% krahasuar me 7.1% të tremujorit të dytë të 2016-ës.

Artikujt jo-ushqimorë kanë qenë nxitësit kryesorë të kësaj rritjeje, me një shtim të volumit të shitjeve me 1.4 pikë përqindje. Rritje kanë patur edhe shitjet e grupit “Ushqime, pije e duhan”, të cilat kanë ndikuar me 0.7 pikë përqindje.

Ndërkohë, tregtia me pakicë e hidrokarbureve kanë ndikuar në uljen me 0.5 pikë përqindje. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, tregtia me pakicë e hidrokarbureve është ulur me 2%.

Kjo mund të shpjegohet edhe me fenomenin e uljes së çmimeve të karburanteve, që ka ndodhur tremujorin e dytë në të gjithë botën.

Edhe pa këtë grup, indeksi i volumit të shitjeve ka sërish një rritje modeste me 3% krahasuar me T2 2016. Në vetvete, grupi “Artikuj jo-ushqimorë” ka shënuar një rritje me 3.1%, ndërsa grupi “Ushqime, pije e duhan” ka shënuar një rritje më të ulët me 2.7%.

Krahasuar me tremujorin e parë të vitit, grupi i ushqimeve ka rritjen më të lartë me 13.7%, ndërsa grupi i artikujve jo-ushqimorë ka rritje me 6.4%.

Gjithsesi, për tremujorin e tretë të këtij viti, pritet një përmirësim i rritjes së shitjeve me pakicë, ndikuar nga shtimi i numrit të turistëve që ndërveprojnë në ekonominë tonë.

Scan Tv,  13.09.2017

Një sagë e gjatë seancash gjyqësore ka përfunduar në favor të prodhuesve të vegjël të energjisë, të cilëve KESH do të duhet t’u paguajë mbi 6 milionë euro nga një vendim jo i argumentuar mirë i ERE-së

Prodhuesit e vegjël të energjisë kanë fituar një çështje në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të Entit Rregullator të Energjisë  për rregullimin e çmimit me ulje për periudhën rregullatore 2012-2014.

Me këtë vendim gjykata e detyron Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) që të paguajë një shumë prej 860 milionë lekësh ose 6.2 milionë eurosh ndaj prodhuesve të vegjël të energjisë.

Burimet nga KESH pohojnë se ky vendim ka vënë arkën e kompanisë në vështirësi për shkak edhe të situatës jo shumë të favorshme që po kalon sektori nga mungesa e reshjeve.

Gjykata e Lartë e mori vendimin me datë 13 qershor të këtij viti dhe në seancë nuk ishte asnjë përfaqësues i ERE-së. Vendimi nuk është zbardhur akoma.

Më 2014-n Enti Rregullator i Energjisë (ERE) mori një vendim të pazakontë duke rishikuar me ulje çmimin e energjisë elektrike që KESH jep ndaj HEC të vogla deri në 15 megavatorë. Çmimi i shitjes së HEC-ve të reja deri në 15 MW për periudhën rregullatorë 2012-2014 ishte 9.3 lekë për kilovat. Me rishikimin që ka bërë Enti Rregullator i Energjisë çmimi i shitjes për vitin 2013 u llogarit me 9.73 leke/kwh dhe për vitin 2014 u rillogarit me 7.95 lekë/kwh. Rillogaritja për vitin 2014, nga 9.3 lekë u bë në 7.9 lekë, dukë shënuar një ulje rreth 14% të fitimeve që HEC-et kishin përfituar nga shitja e energjisë.

Shoqata e prodhuesve të Energjisë çoi në gjykatë këtë vendim të ERE, po gjykata e shkallës së parë ka vendosur në favor të ERE duke e zhveshur KESH-in nga shlyerja e rreth 5 milionë eurove me kursin e këmbimit të asaj kohe.

Burimet nga Enti Rregullator pohuan se, rishikimi me ulje është bërë duke marrë në konsideratë problematikën që kaloi sektori gjatë kësaj periudhe dhe çmimet më të cilat është importuar energjia nga jashtë vendit.

Shoqata e HEC-ve pati reaguar për rishikimin e çmimeve me ulje për një periudhë prapavepruese, pasi sipas tyre nuk është ligjore. Për shkak se, vendimi ka kosto, të cilat nuk ishin njoftuar më parë. Se dyti ERE nuk ka dhënë asnjë arsye për këtë rishikim të çmimit dhe së treti nuk kishte njoftim paraprak. Përfaqësuesit e HEC-ve kanë shpjeguar se, ndërkohë të gjitha detyrimet tatimore për vitin 2014 janë kryer duke marrë në konsideratë çmimin 9.3 lekë.

Por teksa vendimi në disfavor të HEC-ve u mor nga ERE, prodhuesit e vegjël të HEC-ve nisin ankimin në shkallët e gjyqësorit. Pas më shumë se dy vitesh, ata kanë marrë një gjykim pozitiv nga Gjykata e Lartë.

Por pas këtij vendimi, kompania publike e Energjisë KESH, do të përballet me vështirësi jo të zakonshme. Burimet pranë saj bëjnë me dije se shpesh vendimet të paarsyetuara mirë të ERE kanë sjellë kosto për sektorin.

KESH tani është në vështirësi financiare për shkak të rënies së shitjeve të energjisë nga thatësira e gjatë dhe gjithashtu mosrishikimi me rritje i tarifave të shitjes së energjisë sipas modelit të tregut ka sjell një ngërç të ri.

Teksa Operatori i Shpërndarjes vitin e kaluar realizoi rreth 70 milionë euro fitime, vetë kompania KESH pati një rezultat shumë më të ulët fitimesh (12 milionë euro) edhe pse logjika e tregut e kërkon ndryshe.

Shqipëria në kuadër të krijimit të tregut të përbashkët rajonal është duke aplikuar rregullore të reja për funksionimin e tregut. Tarifat dhe funksionimi i operatorëve publikë do të bëhen me logjikën e tregut të lirë, çka do të thotë se kompania e prodhimit të energjisë nuk do të subvencionojë më çmimin operatorin e shpërndarjes.

Vitin që shkoi energjia e prodhuar nga HEC-et e vogla kishte një vlerë tregu rreth 60 milionë euro dhe tani do t’i shitet direkt operatorit të shpërndarjes, duke anashkaluar kostot që krijon procesi i shitjes fillimisht të KESH, pastaj të OSHE dhe më pas të konsumatorëve final.

OSHEE tashmë ka nënshkruar kontrata për blerjen e Energjisë Elektrike me Prodhuesit me Përparësi të Energjisë Elektrike. ERE do të përcaktojë çmimin e shitjes së Energjisë Elektrike për Prodhuesit me Përparësi te Energjisë Elektrike.

Punonjësi i impiantit përkatës do t`i vejë në dispozicion përfaqësuesve të OSHEE regjistrin e leximit të matësit të Energjisë Elektrike dhe do t`i krijojë aksesin e nevojshëm për të kontrolluar Sistemin e Matjes.

Kjo kontratë do të jetë në fuqi për një periudhë 15 (pesëmbëdhjetë) vjeçare. Për subjektet që kanë një kontratë të shitblerjes së energjisë elektrike me KESH në kohën e hyrjes në fuqi të kësaj kontrate.

Revista monitor,  28.08.2017