info@energjia.al

Bursa e Energjisë nuk pritet të nisë funksionimin e saj, ashtu siç ishte parashikuar ndërkohë që mbetet prioritet për sektorin, ashtu sikurse procesi i ndarjes së OSHEE-së në katër struktura të veçanta. Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka publikuar në datë 6 nëntor një raport të fundit për ecurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke u ndalur në sektorë të tillë si energjia, gazi, eficenca, hidrokarburet, ndikimet mjedisore.

Situata politike, ashtu sikurse është trajtuar edhe më herët, ka shërbyer si një frenuese e zbatimit të plotë të reformës në sektor, duke shkaktuar vonesa te liberalizmi dhe proceset e tjera. Këtë herë, Sekretariati nuk shprehet me rezerva, por i bindur se bursa nuk do të vihet në funksion më 1 janar 2018, ashtu sikurse është lakuar, ndërkohë që ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë pritet që të japë një afat të ri mbi këtë proces.

Nga ana tjetër, me vonesë është edhe ndarja e OSHEE-së. “Ndarja e OSHEE-së, derregullimi i çmimeve për prodhim dhe furnizim, si dhe ngritja e bursës është e vonuar. Të tria këto aspekte janë një prioritet. Përgjegjshmëria dhe ekuilibri duhet të vendoset në një përpjekje për të harmonizuar edhe mekanizmat konkurrues të tregut të balancimit”, – thuhet në raportin e Sekretariatit.

I njëjti raport nënvizon se ndërkohë OSHEE ende nuk është ndarë, ashtu sikurse e përcakton modeli i ri i tregut. Operatori i Sistemit të Transmetimit duket se ka kaluar këtë fazë që në momentin që u miratua që pronësia e tij të ishte nën ish-Ministrinë e Ekonomisë, që sot i bie të jetë ministria që drejton Arben Ahmetaj, pra Financat dhe Ekonomisë.

Referuar elementeve të marrë në vlerësim, Shqipëria pjesën e saj më të madhe të përparimit në sektor e ka bërë në vitin 2016, ndërkohë që në vitin 2017, nga shtatë elemente të marrë në vlerësim vetëm në një prej tyre ka progres që lidhet me transparencën. Pjesa tjetër kanë mbetur në vend numëro. Këtë e tregon më së miri edhe norma e implementimit ku diferenca nga 2016 deri në 2017 është modeste.

Revista Monitor,  11.08.2017