info@energjia.al

“Përmes stallës së lopëve më kalonte një kabllo dhe kur frynte era e kaplonte flaka stallën. Tani ndjehem i sigurt dhe rri pa frikë. Për punën që ka bërë KEDS-i në fshat e vlerësoj me notën 10 dhe e falënderoj shumë,”  thotë Zymer Merovci, banor i Dobërllukut.

Një punë e dukshme është bërë në  fshatin Dobërlluk të Vushtrrisë nga Kompania për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike- KEDS.

Nga këto investime të kompanisë, 201 familje të kësaj ane kanë zgjidhur problemet e mëdha energjetike që kishin me vite të tëra dhe kanë rritur sigurinë për kalimtarët.

Fshati ka marrë një pamje krejt të re dhe banorët shprehen tepër të entuziazmuar dhe falënderojnë KEDS-in që me këto investime u ndihmojnë shumë edhe në punët bujqësore.

“Veç  siguri që ka boll është, sepse kur frynte era telat binin në tokë dhe rreziku ishte tepër madh, e lene ma që na u ka përmisu tensioni dukshëm”, thotë Muharrem Kutllovci, banor i fshatit Dobërlluk të Vushtrrisë.

Gjatë realizimit të punimeve në këtë projekt është bërë implementimi i 124 shtyllave të tensionit të ulët, 30 shtylla të tensionit të mesëm, 6224m rrjet i tensionit të ulët dhe 945 m  rrjet i tensionit të mesëm. Gjithashtu është vendosur edhe një trafoblind, ku fuqia e transformatorit është 630 kVA.

Me vendosjen e kabllove bistekë për tensionin e ulët është rritur siguria energjetike për konsumatorët.

Në këto lokalitetet si edhe në të tjerat është bërë demontimi i rrjetit të vjetër që ka kaluar përmes  pronave private dhe është dislokuar  përreth rrugëve të lagjeve.

Ky është pjesë e investimeve që po bën KEDS-i për përmirësimin e shërbimeve të konsumatorëve anekënd Kosovës.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  20.03.2017

Kryetari i Dragashit Salim Jenuzi është ndarë i kënaqur me investimet që KEDS-i ka realizuar gjatë vitit të kaluar në Komunën e Dragashit.

Ai  tha se me investime të ndryshme, KEDS-i ka përmirësuar  infrastrukturën e energjisë elektrike në këtë qytet.

“Jam i kënaqur me investimet që KEDS-i ka bërë në Dragash. Nuk kam asnjë vërejtje, përkundrazi kam vetëm falënderime”, tha Jenuzi.

Ai tregon se përveç trafove të reja, KEDS ka bërë edhe ndërrimin e rrjetit të vjetër me atë të ri. “Edhe sivjet janë duke punuar në projektet që i kanë filluar vitin e kaluar”, tregon Jonuzi.

Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike, KEDS, gjatë vitit të kaluar ka realizuar investime të shumta në Dragash.

Përveç brenda në qytet, KEDS ka investuar edhe nëpër fshatra të kësaj komune. Në mesin e fshatrave që ka përfituar  është  fshati Pllanjak. Shtatëdhjetë konsumatorë të këtij fshati, kanë përfituar rrjet të ri energjetik nga KEDS-i.

Naim Arapi, menaxher për projekte në KEDS tha se në këtë fshat janë ndërruar 38 shtylla të tensionit të ulet, si dhe është vendosur një trafo e re 400 kvA.

Banori i fshatit, Abaz Çengaj tha se me këtë investim, jo vetëm që është stabilizuar rryma elektrike, por është eliminuar edhe rreziku nga kabllot e vjetra. “Tash janë kabllot e izoluara dhe fshatarët nuk kanë frikë nga djegia”, shprehet ai.

Çengaj shprehet i kënaqur me kualitetin e punës, që është bërë nga KEDS-i.

Ai shpreson se pas këtij projekti, KEDS do të investojë edhe më shumë në këtë fshat. “Falënderojmë KEDS-in për këtë investim, sepse me vite askush nuk ka investuar në rrjetin elektrik në këtë fshat. Shpresojmë se ky nuk do të jetë investimi i fundit, pasi që ky fshat ka nevojë ende për të investuar”, tha ai.

Edhe kryetari i Dragashit, Salim Jenuzi tha se komuna që ai drejton ka  nevojë edhe për më shumë investime, në përmirësimin e energjisë elektrike. “Nevojat janë shumë të mëdha. Jemi të informuar se KEDS, do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti të investojë në komunën tonë”, tha Jonuzi. Ai premton se me korrektësi do t’i përgjigjet të gjitha kërkesave të KEDS-it.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala tha se në Dragash  janë kryer disa projekte. “KEDS deri tash ka kryer disa projekte në Komunën e Dragashit , prej nga kanë përfituar direkt mijëra qytetarë të këtij qyteti”, tha Buzhala. Ai premton se investimet nuk do të ndalen as sivjet në këtë qytet.  “Sigurisht, do të vazhdojmë me investime në mënyrë që rrjeti të jetë në standardet e kërkuara për të gjithë konsumatorët”, tha Buzhala.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  16.03.2017

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri dhe Administratori i Përgjithshëm i OSHEE Adrian Cela ishin në nënstacionin e Radhimës dhe Orikumit, të rikonstruktuara me fondet e OSHEE. Duke vizituar nënstacionin e vjetër, Çela tha se investimet nuk do të ndalen edhe në fshatra të tjera të zonës, duke mundësuar zëvendësimin e infrastrukturave energjitike të rënduara, me standarde të reja.

Ai gjithashtu u shpreh se linja e re e vënë në përdorim gjatë sezonit turistik të kaluar, bëri që për herë të parë të mos përjetohej një situatë problematike në furnizimin me energji elektrike.

“Është investim i vitit 1971, duket në çfarë situate është. Kemi investuar 60 milionë lekë të reja, me të ardhura të kompanisë, ku kemi fuqizuar transformatorin dhe kemi fuqizuar 5 çela të reja automatike. Këto investime janë me fondet e kompanisë, për linjën 35 kW dhe kjo është faza e parë.”

Për transformatorin e ri të vënë në përdorim, Çela shpjegoi se garanton cilësinë e furnizimit dhe ul numrin e defekteve. “Ky është investim i ri dhe transformatori i ri i fuqizuar që kemi vënë jashtë ,në të cilin kem i dhe një çelës rezervë që kur ka defekt njëri nga këta që furnizohet, kalohet te çela rezervë, pra, garanton cilësinë e furnizimit dhe ulet numri i defekteve.”

Për Kryeministrin Rama kapërcimet epokale në teknologji janë rezultat i reformës në energji. Kryeministri u shpreh se kontributet e konsumatorëve, po kthehen në investime për ta.” Të gjitha këto kapërcime epokale në teknologji janë rezultat i reformës në energji. Të gjitha këto janë kontribute të konsumatorëve që po kthehen në investime. Të gjitha këto investime do të garantojnë shërbimin cilësor me energji elektrike në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe ripërtëritjen e një rrjeti që në 85 % të tij është i moshës së elektrifikimit”, u shpreh administratori i OSHEE.

Nënstacioni i Radhimës, prodhim i vjetër i vitit 1971 dhe në gjendje tepër të rënduar, ishte ndër më problematikët në cilësinë e furnizimit me energji elektrike, në zonat turistike të Orikumit, Radhimës dhe fshatrat përreth saj si dhe Llogoranë, Bazën e Pashalimanit.

Sot, ky nënstacion, nyjë kritike në sistemin e shpërndarjes është tërësisht i rikonstruktuar, falë një investimi prej 60 milion lekësh të reja. Investimi ka bërë të mundur vendosjen e një transformatori të ri 35/10 KV me fuqi 10MVA me nivele tensioni të rregullueshme, me një rritje dyfish kapacitet si pasojë e rritjes së kërkesave për konsum me energji elektrike sidomos në sezonin veror.

Janë vendosur 5 çela të reja, prodhim i 2016-s, të cilat jo vetëm që garantojnë sigurinë maksimale të punonjësve gjatë kryerjes së operacioneve në punë, por rrisin njëkohësisht cilësinë e furnizimit me energji elektrike.

Paralelisht me Nënstacionin u rikonstrutuan linjat 35 kV të implementuara në vitet ’70.

Investimi për linjat Vlorë – Skelë – Ujë i Ftohtë – Rradhimë – Orikum arriti në një vlerë prej 65 milionë lekësh të reja.

Nënstacioni i ri i Dhërmiut

Për herë të parë në Dhërmi, në zonën më të frekuentuar turistike, është instaluar nënstacioni i ri energjetik 35/20/10kV, i cili i jep zgjidhje problemeve të shumta të furnizimit me energji për këtë zonë. Investimi me vlerë prej 140 milion lekësh u bë mbi një infrastrukturë (shtylla e përcjellës) të paprekur që prej vitit 1967. Nënstacioni garanton furnizimin me energji elektrike zonën e Palasës dhe të Dhërmiut.

“Investimin që kemi bërë në nënstacionin e ri në Dhërmi, për të garantuar furnizimin për zonën e Palasës dhe të Dhërmiut duke parë dhe në fokusin e investimeve të reja turistike që nisin në gjithë këtë zonë dhe rritet ngarkesa. Flasim për një linjë që ka qenë, kur kemi bërë investimin, kemi parë shtylla dhe përcjellës të vitit 1967. Pra, ishin të paprekura që nga viti 1967. Kemi bërë këtë investim që është 140 milion lekë të reja nga të ardhurat e kompanisë”, u shpreh Administratori i Përgjithshëm i OSHEE Çela.

Himara, nënstacioni i lëvizshëm

Për herë të parë, pas 25 vitesh Himara garantoi një sezon të suksesshëm turistik (2016) në furnizimin me energji elektrike. Kjo falë nënstacionit të ri dhe modern, të lëvizshëm, i montuar aktualisht në Himarë, investim me vlerë 200 milion lekë. Nënstacioni furnizon qytetin e Himarës, Qeparoin dhe zonën Dhërmi-Palasë.

Njëkohësisht me nënstacionin ka përfunduar edhe ndërtimi i linjës me nivele 35 dhe 20 kV nga Himara në Dhërmi (13 km me 45 shtylla), me vlerë investimi prej 247 milionë lekë.

Kryeministri Rama ishte për të parë nënstacionin së bashku me ministrin Gjiknuri dhe Administratorin e Përgjithshëm të OSHEE Adrian Cela.

Çela shpjegoi se nënstacioni i lëvizshëm, (portabël) është implementuar për herë të parë në Shqipëri dhe përbën një teknologji moderne.

“Këtu jemi për të inspektuar nënstacionin mobile që është implementuar për herë të parë në Shqipëri, është një teknologji e avancuar. Do ta vazhdojmë këtë lloj investimi që në zonat problematike mund të vendosim nënstacione të tilla, sepse kemi prokuruar 3 nënstacione të tilla dhe në zonën e Fushë-Krujës dhe në zona të tjera të Shqipërisë. Nënstacioni i ri që fillon investimi 10-20 kilovolt do të jetë më i madh dhe do ta spostojmë këtë nënstacion në një zonë tjetër problematike.”

energjia.al  27.02.2017

Gazjellësi Trans Adriatik (TAP) përfundoi përmirësimin e segmentit rrugor që lidh rreth 3,000 banorë të fshatrave Seman i Ri, Baltëz dhe Hamil me qytetin e Fierin.

Latif Kazanxhiu, Kryeplaku i fshatit Baltëz, u shpreh: “Rindërtimi i këtij segmenti rrugor, i cili lidhin fshatrat me qytetin, dhe përmirësimi i rrugëve të brendshme është një ndihmë e madhe për ne si komunitet. Rruga na ndihmon që të jemi më afër me tregjet e qytetit ku shesim produktet tona, sidomos gjatë stinës së verës. Kjo është një rrugë që i shërben edhe rritjes së turizmit pasi lidh qytetin e Fierit me bregdetin e Adriatikut. Besoj se flas në emër të gjithë banorëve kur falenderoj TAP që na ka kryer një shërbim shumë të madh.”

Pasi përmirësimit të këtij segmenti rrugor prej 8 kilometrash, TAP ka ndërhyrë edhe në një sërë rrugësh të brendshme dhe rrugësh hyrëse. Gjithashtu janë pastruar dhe sistemuar kanalet përgjatë rrugës, sidomos në fshatrat Baltëz dhe Hamil.

Sistemimi i këtij segmenti rrugor është pjesë e investimeve të TAP në përmirësimin e përgjithshëm të infrastrukturës rrugore përgjatë gjithë korridorit të punimeve. Gjatë fazës së parë, përgjatë gjithë gjurmës së gazsjellësit, janë rindërtuar dhe përmirësuar mbi 58 km rrugë, janë përmirësuar 40 ura ekzistuese dhe janë ndërtuar 2 ura të reja. Gjatë fazës së dytë të punimeve do të rindërtohen dhe përmirësohen rreth 120 km rrugë të tjera.

Përmirësimi i kushteve të jetesës dhe zhvillimi i komuniteteve përgjatë gjurmës së gazjellësit është dhe do të vazhdojë të jetë në fokusin e projektit TAP. Ndërtimi i marrëdhënieve afatgjata dhe bashkëpunimi me komunitetet është shumë i rëndësishëm për TAP pasi prania e këtij projekti në Shqipëri do të jetë për një kohë shumë të gjatë.

Në fakt, këto janë investime, që qeveria duhet t’i kishte negociuar si të detyrieshme në marrëveshjen që bëri që në fillim me kompanitë që do ndërtonin gazsjellësin mbi territorin shqiptar. Mosnegocimi bën që këto ndërhyrje të paraqiten tashmë si një “dhuratë” nga TAP.

Revista Monitor, 25.02.2017

Një projekt serioz investiv që është bërë nga KEDS në Istog, nga ndikuar dukshëm pozitivisht edhe në jetën dhe punën e ekonomive kryesisht familjare në fshatin Rakosh të kësaj ane.

Rakoshi, fshat i njohur për kultivimin e pemëtarisë është përfitues i  investimeve të KEDS-it, gjithnjë me normat e standardeve të larta evropiane, e që drejtpërdrejt kanë ndikuar në përmirësimin e kualitetit të energjisë, tensionin stabil dhe rënien në masë të madhe të humbjeve në këtë anë.

Lehtësirat nga investimi i shohin dukshëm banorët dhe institucionet lokale të komunës së Istogut. Hakim Jahaj, nga kjo anë thotë se projekti i KEDS-it që ka zgjatur në disa faza, tashmë po i jap efektet pozitive.

“Thënë të drejtën kur punët kanë filluar, shumë kush pak e ka besuar se po bëhet diçka serioze. Kjo nga fakti se ky fshat asnjëherë nuk ka pasur mbështetje nga ndonjë institucion ose organizatë nga niveli qendror, përpos nga komuna. Por, kur KEDS dërgojë operatorët në terren atëherë u pa se po bëhet diçka. Kjo ishte gjëja e parë. Tjetra që mund të them është se investimi ka dhënë efekte dukshëm edhe tek shtëpitë tona, konkretisht tek amvisëritë, pastaj ekonomitë në përgjithësi. Këtu në të kaluarën kemi pasur tension me të cilin as stabilishmentet më elementare nuk kanë funksionuar, si TV, frikot e kështu” shprehet Jahaj.

Zëdhënëse e komunës së Istogut, Jeta Balaj konfirmon bashkëpunimin e mirë të KEDS-it me komunën edhe në këtë projekt.

“Gjatë vitit 2015, sidomos 2016, KEDS-i ka sjellë investime te shumta në komunën tonë. Investime janë bërë në shume fshatra rreth. Projekte të tilla si ai në fshatin Rakosh i cili ka përmirësuar furnizimin stabil e kualitativ me energji janë shembuj të punës që kjo kompani po e bënë. Rakoshi normalisht që meriton investime të tilla” , thotë zëdhënësja BalaSe investimi në fshatin Rakosh ka qenë madhor, e konfirmon edhe KEDS.

“Dy Trafo, njëra me fuqi 400 kVA dhe tjetra me fuqi 100 kVA, 43 shtylla betoni për tension të mesëm, 110 shtylla betoni për tension të ulët dhe 7 mijë metra kabllo ajrore për tension të ulët janë pjesë e pakos investive që i kanë takuar fshatit Rakosh, në kuadër të investimeve të kompanisë tonë, të cilat po shtrihen në tërë Kosovën” , thuhet në përgjigjen e KEDS-it rreth investimeve në këtë projekt.

Vetëm në fshatin Rakosh, nga investimet e KEDS-it drejtpërdrejt kanë përfituar 121 ekonomi familjare.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  16.02.2017

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri në takimin “Popullimi, një qytetar-një adresë”:

I nderuar Zoti Kryeministër,

I nderuar koleg Tahiri,

Të nderuar pjesëmarrës,

Në fakt, sot jemi mbledhur për të bërë prezent një nga projektet më shtetformuese të Shqipërisë. Nuk e teproj kur them kështu sepse mungesa e një adresari të plotë dhe të dhënave bazë për të gjithë shtetasit shqiptarë, ashtu siç duhet ta ketë çdo vend europian është një nga hallkat e munguara në këto 25 vite. Është shtetformuese në shumë drejtime. Do të thoni ju, çne ju si Ministër i Energjisë po e bëni prezent këtë problem?! Përfshirjen e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike si një nga financuesit e këtij projekti e pamë jashtëzakonisht të rëndësishme. Kemi nevojë për një inventar të plotë të të gjithë klientëve të sektorit elektroenergjetik, të gjithë atyre qytetarëve që paguajnë. Ka ende konsumatorë me të cilët për shkak të sistemit totalisht të degraduar të të dhënave dhe administrimit të tyre vuajnë pasoja.

Menduam që sëbashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme, përmes këtij projekti të përbashkët të realizojmë disa qëllime. Kuptohet, më kryesorja është ajo që Ministri dhe Kryeministri do të flasë e që ka të bëjë me me adresarin, pra që qytetarët shqiptarë të kenë një adresë ashtu siç duhet, të kenë të dhëna ashtu siç ka çdo vend europian. Edhe Operatori i Shpërndarjes do të përfitojë shumë nga ky sistem, pasi do te kemi mundësinë që për të gjithë klientët tanë të japim produkte të personalizuara, të dimë të sakta për të përditësuar të gjithë adresat dhe të gjithë klientët me kontratat ashtu siç janë në mënyrë që të shmanget çdo lloj abuzimi.

Njëkohësisht të kemi mundësi të aplikojmë edhe sistemet e reja të teknologjisë që i lehtësojnë konsumatorët shqiptarë, qoftë për lehtësira që në bazë të legjislacionit do krijohen, por nga ana tjetër edhe për të evidentuar më shumë abuzimet që vijnë për shkak të trashëgimisë shumë të keqe të të dhënave që ka sistemi.

Do ti shërbejë dorëzimit të faturës ashtu siç duhet. Do të krijojë mundësi akoma më të mira edhe për eliminimin e leximit frekuent të faturave. Të aplikojmë atë sistem që aplikojnë shumë vende të përparuara të botës, që lëshon një faturë për përdorim mesatar mujor, për konsum mesatar mujor dhe të kemi mundësi të shpëtojmë kosto. Njëkohësisht ti japim mundësi konsumatorëve që njëherë në disa muaj të bëhet një azhornim dhe kjo ul kostot e Operatorit të Shpërndarjes. Patjetër do të rrisë edhe eficiencën e menaxhimit Operatori i Shpërndarjes për të gjithë ankesat që mund të kenë klientët, për të gjithë problematikat që ata kanë, do të kemi mundësi që ti përgjigjemi në kohë, madje duke ju kthyer përgjigje në adresën e tyre.

Ky sistem është shumë dimensional, por kryesisht thashë i shërben mbi të gjitha vetë bazës së të dhënave të këtij shteti, që do të na shërbejë jo vetëm për sektorin elektroenergjetik. Unë si Ministër i Energjisë e kam përkrahur këtë projekt që në fillim, prandaj Operatori i Shpërndarjes ka dhënë një financim të konsiderueshëm që përbën mbi gjysmën e vlerës së këtij projekti. Pikërisht për përfitimet që ne do të kemi dhe ky projekt e lanë shumë shpejt veten nga ana ekonomike. Realisht do të fillojë një punë serioze dhe i bëj thirrje të gjitha qytetarëve shqiptarë që të bashkëpunojnë me të gjithë personat që do të merren në regjistrimin e të dhënave, të jenë sa më bashkëpunues me ta, pasi përfitimi do të jetë i drejtpërdrejtë.

Nuk janë të dhëna që do të na duhen ne thjesht për ti patur. Janë të gjitha këto të dhëna që do ti shërbejnë atyre për lehtësinë e shërbimeve, për trajtimin e ankesave, për saktësinë e faturës e për shumë elementë të tjerë, kështu që normalisht puna do të fillojë në terren. Besoj se tani është bërë edhe rekrutimi i personelit të nevojshëm që do të trokasë derë më derë dhe unë e thashë dhe dua ta përsëris: është një nga proceset me shtetformuese. Më në fund Shqipëria do të quhet vërtet shtet, duke pasur një inventar të plotë siç e ka një shtet modern europian.

Projekti është shumë i rëndësishëm. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të bashkëpunojnë  dhe dua të falënderoj Ministrinë e Brendshme, Policinë e Shtetit, e cila ka qenë në krah të reformave të rëndësishme, në krah të të gjitha arritjeve të sektorit elektroenergjetik dhe bashkëpunimi me ta siç ka qenë i mirë dhe më përpara. Besoj se edhe ky projekt do të jetë jashtëzakonisht i mirë, duke pasur produkte që do ti vlejnë të gjithë shtetasve shqiptarë.

Ju faleminderit!

energjia.al  31.01.2017

Në mbledhjen e 121-të të qeverisë së Kosovës u diskutuan mundësitë e parandalimit të ndotjes dhe përmirësimit të cilësisë së ajrit, është kërkuar shqyrtimi dhe miratimi i një plani të masave për zvogëlimin e ndotjes, ku do të përcaktohen veprimet afatshkurta, afatmesme dhe afatgjata, që duhet të ndërmerren.

Bazuar në përgjegjësitë institucionale dhe Ligjore, u.d. Ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Z. Ferat Shala, sot me datë 23.12.2016, ka paraqitur për aprovim në mbledhjen e 122-të Qeverisë së Republikës së Kosovës “Planin e Masave për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe gjendjes së mjedisit”, i cili edhe është aprovuar.

Plani ngërthen në veti një përshkrim të gjendjes aktuale, shkaqet që e kanë sjellë këtë gjendje, Kornizën ligjore, programore dhe institucionale, objektivat dhe masat afatshkurta, afatmesme dhe afatgjata që duhet të ndërmerren për ta përmirësuar gjendjen e cilësisë së ajrit deri në kufijtë e lejuar me standarde mjedisore.

Ndotësit industrial, numri i madh i veturave të vjetra, përdorimi i lëndëve djegëse në ekonomitë familjare dhe bizneset e vogla, buxheti i limituar, etj janë shkaktarët e ndotjes së ajrit.

Ndërkaq, dokumenti parasheh masat që duhet të ndërmerren nga Qeveria dhe dikasteret relevantë të fushës së ambientit, për ta përmirësuar gjendjen e cilësisë së ajrit.

Gazeta Zeri,  26.12.2016

Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike KEDS ka vazhduar me shtrirjen e projekteve investive në zona me rëndësi të rajonit të Anamoravës.

Një prej këtyre zonave është edhe Lagja “Brahim Ademi”, një rajon me shtrirje të gjërë në komunën e Ferizajt.

Përforcimi i rrjetit, furnizimi cilësor dhe tensioni stabil janë efektët  të cilat janë arritur për konsumatorët të kësaj ane, pas një investimi të madh që KEDS ka sjellur këtu.

Për detajet e investimit është shprehur edhe zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

“Në lagjen, ose rrugën ‘Brahim Ademi’, KEDS ka arritur të shtrijë investim serioz sipas planin të paraparë, dhe këtu janë vendosur 56 shtylla të reja betoni, 2. 500 metra kabllo dhe dy trafo të reja me fuqi nga  400kVA”, thotë Buzhala.

Në mesin e 106 konsumatorëve që kanë përfituar nga ky investim, është edhe Mejdi Maliqi. Ai vlerëson se investimi ishte tejet i  nevojshëm. Sepse sipas tij kërkesat e konsumatorëve ishin ekzistente ndër vite.

“Investimi që ka ardhur nga KEDS-i, mund të them se është shumë i rëndësishëm për ne. Kërkesat e banorëve për investime kanë ekzistuar me vite, mirëpo tani në këto dy vite, KEDS ka bërë atë që ishte shumë e nevojshme dhe në i jemi mirënjohes”, tha Maliqi.

Sikur Maliqi flet edhe Halim Halimi, banor i kësaj ane.

“Tensioni stabil vërehet dukshëm, siguria është rritur, pra ekspozimi i rrezikut ndaj kalimtarëve ka rënë me këto investime”, thotë Halimi.

Lagja “Rrahim Ademi” në Ferizaj, është një prej lagjeve të mëdha të rajonit të Ferizaj. Nga investimet e KEDS-it, në këtë pjesë të Ferizajt kanë përfituar edhe ekonomi biznesore.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  18.11.2016

Rreth 600 mijë euro do të investojë KEDS në  lagjen Sofali dhe Kalabri të Prishtinës.

Trafo të reja dhe instalim i rrjetit nëntokësor të shpërndarjes së energjisë elektrike janë pjesa kryesore e këtij investimi që gjithsesi ka gëzuar edhe banorët e lagjes.

A. Koliqi banor i lagjes Kalabria tha se këto investime kanë qenë të nevojshme që disa vite.

“Është mbajt një takim me banoret për këto investime. Ne i kemi mirëpritur këto investime, sepse na është thënë se do të ketë përmirësim të theksuar të cilësisë së furnizimit me energji elektrike”, tha Koliqi.

Ai e vlerëson më së shumti instalimin e rrjetit nëntokësor.

“Gjithmonë jemi frikësuar që po bije ndonjë tel dhe munden fëmija me prek dhe me pësu, tash është krejt ndryshe”, tha ai.

KEDS në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës kanë mbajtur takime me banorët e këtyre lagjeve për të diskutuar investimet në fjalë.

“Në takimin e mbajtur, ku  është prezantuar projekti, ne si banor të kësaj lagjeje kemi kërkuar që investimi të bëhet në atë mënyrë që mos të krijoj rreziqe të reja. Përveç kësaj, ne presim që do të sanohen edhe dëmet e rrugëve që potencialisht mund të bëhen”, tha Koliqi.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhalatha se në lagjen Kalabria përveç tjerash do të zëvendësohen dy trafostacione të vjetra me të reja.

“Ndërsa, në Sofali, do të vendosen 2 trafostacione te reja 10(20)/0.4 kV dhe do të zëvendësohet një trafostacion i vjetër blind me një trafostacion tjetër të ri 10(20)/0.4 kV si dhe do të bëhet rekonstruimi i rrjetit 04,4 kV me shtylla te betonit dhe kanal kabllovik”, tha ai.

Buzhala tha se këto projekte janë në fillim të procesit si dhe për çdo intervenim është marrë leja nga Komuna e Prishtinës. Ai tha se investime te ngjashme KEDS ka planifikuar edhe në lagjet tjera në Prishtinë.

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike KEDS, planifikon që projektet në Kalabri dhe Sofali t’i finalizoj deri në fund të këtij viti.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  23.08.2016

Investimi i rradhës që i vie Pejës nga Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike KEDS, është ai në Bashkësinë lokale “Dardania II”.

Zona ku po investohet, shtrihet në pjesën hyrëse të qytetit të Pejës, nga hyrja prej Gjakovës dhe mbulon numër të madh prej 197 ekonomishë familjare dhe biznesore, të cilat do ta heqin qafe një rrjet të stërvjetëruar.
Profesori Gjergj Biba, njëri prej 197 përfituesve të kësaj zone, deklaron se problemet ishin të shumta deri më tash, si pasojë e rrjetit të stërvjetëruar me vite.

“Ishte koha e fundit që të ndodhë ky investim. Shpresojmë shumë në punën që po bëhet dhe presim që të kemi së pari tension stabil dhe pastaj edhe kualiteti nuk do mungojë”, thotë Bibaj.

Sa i përket sigurisë, sipas Bibajt ky investim i ri do ta rrisë atë maksimalisht.
“Ju e shihni se këtu ka qenë rrjeti i  stërvjetëruar dhe rreziku i madh nga ekspozimi i faktorit njeri në të”, shprehet profesori.

Viktor Buzhala zëdhënës në KEDS, duke folur për domosdonë e këtij investimi në “Dardania 2” të Pejës, thotë se Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike, sikur në tërë Kosovës edhe në këtë rast, po e aplikon Master Planin 10 vjeçar,  i cili u jep prioritet zonave ku ka rënie të mëdha tensioni.
“Projekti në të cilin po punohet në “Dardania 2”, është investim në kuadër të përmirësimit të shërbimeve, pas përfundimit të të cilit  efektet tek konsumatorët do jenë në shërbime të sigurta, kualitative dhe zvogëlim enorm të humbjeve”, thotë Buzhala.

Sipas tij, KEDS-i po aplikon parametrat më të lartë të shërbimeve, në mënyrë që të rritet edhe siguria për konsumatori.
Projekti që KEDS ka shtrirë në Bashkësinë lokale “Dardania II” ka të bëjë, me vendosjen e trafove të reja, shtyllave nga betoni të tensionit të mesëm dhe kabllove të reja, që të gjitha këto sipas standardeve të fundit të BE-së.

Agjensia e lajmeve ekonomia,