info@energjia.al

Është dashur një kohë e gjatë që kampusi prej 5 miliardë USD të përfundonte së nderuari dhe tashmë është gati për publikun. I ngjashëm me një anije kozmike, kampusi i “Apple” filloi të ftojë njerëzit në qendrën e re të vizitorëve në “Apple Park” në Kaliforni të SHBA, hapësira e vetme e ndërtesës e hapur për publikun, e cila ofron kafe dhe shumë produkte të Apple.

Lëvizjet në Kampusin e ri filluan në nisje të këtij viti dhe ritmi i lëvizjeve përreth tij pritet të rriten muajt e ardhshëm.

Mijëra pemë janë mbjellë përreth tij, rrugët janë shtruar dhe çatia e ndërtesës është mbuluar me panele diellore. Konkretisht, panelet diellore do të furnizojnë me energji 75 për qind të ndërtesës.

Kampusi është i rrethuar gjithashtu nga një qilim i gjelbër prej bari, ndërkohë që shumë pemë frutore janë mbjellë në brendësi të tij.

Scan TV,  04.12.2017

Kjo shkollë është e mbuluar me 12,000 panele diellore me ngjyrë, të cilat mbulojnë gjysmën e nevojave të saj për energji elektrike.

“Shkolla Ndërkombëtare e Kopenhagenit” e projektuar nga C.F. Møller Architects tashmë ka marrë një korpus të ri, i përbërë nga katër godina të rrethuara të gjitha me panele diellore. Panelet diellore sigurojnë më shumë se 300 MWh energji elektrike në vit, duke përmbushur më shumë se gjysmën e nevojave energjetike të shkollës.

Panelet janë ngjyrë e gjelbër deti, por nuk është përdorur asnjë pigment për ti bërë ato.

Ngjyra vjen si rezultat i një procesi të gjatë të ndërhyrjes së dritës të zhvilluar gjatë disa viteve në laboratorët EPFL.

Ndërtesa e re e shkollës është një nga impiantet më të mëdha të energjisë diellore në Danimarkë.

Instalimi i paneleve diellore është testuar edhe në Shqipëri në kopshte, në fillim të Nëntorit.

Scan Tv,  01.12.2017

Porto Riko doli e rrënuar nga uragani “Maria”, teksa pjesë të tëra të territorit ishullor mbetën pa energji elektrike, por duket se edhe për territorin amerikan ka shpresë.

Shpresa vjen nga sipërmarrësi i energjisë së rinovueshme, Elon Musk, i cili është shprehur se mund ta rindërtojë të gjithë infrastrukturën elektrike të shkatërruar të Porto Rikos, përmes teknologjisë së paneleve diellore.

Musk tha përmes “Twitter”-it se teknologjia e tij, që ofron energji për disa ishuj të tjerë më të vegjël, mund të shërbejë edhe për Porto Rikon. Guvernatori i ishullit iu përgjigj propozimit të Musk, duke e ftuar atë për bisedime.

“Nëse ti dëshiron t’i tregosh botës fuqinë dhe kapacitetet e teknologjisë tënde Tesla, atëherë Porto Riko mund të jetë mundësia më e mirë për projektin-pilot”, deklaroi guvernatori i Porto Rikos, Ricardo Rossello.

Kompania “Tesla” e Musk është e njohur për makinat e saj elektrike, por pjesë e kësaj korporate është edhe “SolarCity”, një firmë panelesh diellore e specializuar në ruajtjen me eficencë të lartë të elektricitetit.

Kompania thotë se u ka ofruar shërbim energjie elektrike disa ishujve të vegjël, siç është edhe Ta’u, në Samoan amerikane. Atje është instaluar një rrjet panelesh diellore që mund të japë energji për të gjithë ishullin dhe mund të ruajë mjaftueshëm energji për 3 ditë, nëse moti do të jetë pa diell.

“Ekipi i Teslas e ka bërë këtë për disa ishuj më të vegjël anembanë botës, megjithatë nuk ka një kufi kapaciteti, kështu që mund të bëhet edhe për Porto Rikon gjithashtu”, shkroi në “Twitter” Musk.

Por ai shtoi se një projekt i tillë do të donte edhe mbështetjen e Porto Rikos, gjë për të cilën guvernatori duket i hapur të diskutojë.

Top Channel,  07.10.2017

Ish-studenti i programit Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci në nivelin master, Feim Brava, tashmë pjesë e stafit të UBT-së, ka filluar të prodhojë diçka të veçantë për tregun tonë, por edhe më gjerë.

Për herë të parë në Kosovë, ai ka krijuar fabrikën “ Euro Panel”, në Obiliq, që merret me prodhimin e paneleve.

Sipas tij, panelet janë produkte shumë të kërkuara në tregun vendor e ndërkombëtar dhe po përdoren me të madhe në ndërtimtari, andaj përmes prodhimit të tyre në kompaninë e tij, ai po synon ta mbulojë tregun vendor, por edhe atë ndërkombëtar.

“Çdo vit në Kosovë importohen në vlerë tregtare rreth 10 milionë euro panele nga vendet e ndryshme të botës, kurse tash, ne jemi prodhuesit e vetëm të paneleve në Kosovë dhe regjion”, tregoi Brava, teksa shtoi se ka zgjedhur pa asnjë ngurrim t’i punësojë studentët e UBT-së, sepse sipas tij, i plotësojnë të gjitha kriteret që kërkohen në tregun e punës.

“UBT është një nga institucionet që i aftëson studentët për tregun e punës. Jam jashtëzakonisht i kënaqur dhe besoj se ky bashkëpunim do të funksionojë shumë mirë sepse UBT ka qenë njëra nga mundësitë më të mëdha për mua, veçanërisht falë bashkëpunimit me rektorin Edmond Hajrizi”.

Ndonëse niveli i ulët i punësimit të të rinjve kosovarë është në shifra të ulëta, ish-studenti Brava ka siguruar punë edhe për dhjetëra studentë të UBT-së, të cilët janë duke ndërtuar karrierë në profesionin e tyre.

Njëri ndër studentët e punësuar në kompani, Gentrit Makolli tha se asnjëherë nuk e kishte menduar se do të mund të punësohet ende pa i përfunduar studimet.

“Kjo është një mundësi shumë e mirë për ta dëshmuar veten, por edhe me siguruar të ardhura sepse kur filluam fakultetin para tri viteve, nuk kam menduar që do të jetë kaq e thjeshtë të punësohesh”, tregoi studenti Makolli.

Rreth 90% e studentëve dhe ish-studentëve të UBT-së, kanë arritur të punësohen nëpër kompani të ndryshme, por edhe të krijojnë kompanitë e tyre, duke gjeneruar vende pune jo vetëm për veten, por edhe për të tjerët.

Telegrafi,  06.10.2017

Shqipëria ka një potencial të lartë të shfrytëzimit të energjisë diellore, për vetë klimën që ka, por investimet në këtë sektor duhet të kryhen me kujdes. Ja ku është leverdishmëria më e madhe…

Intervistë me z. Ismail Beka, Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar (GIZ) *

Shqipëria ka një potencial të lartë të shfrytëzimit të energjisë diellore, për vetë klimën që ka, por investimet në këtë sektor duhet të kryhen me kujdes. Z. Ismail Beka, nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar (GIZ), si një ekspert që i ka ndjekur prej një kohe të gjatë çështjet e energjisë, pohon se ky sektor, në vendet e tjera është zhvilluar përmes subvencioneve që janë dhënë nga qeveritë. Ai shton se Shqipëria nuk ka një përvojë me parqe fotovoltaike, me siguri deri tani mund të gjykohet vetëm mbi përvojën e vendeve të tjera fqinje me ne, siç është Greqia apo Italia, të cilët në 10-vjeçarin e fundit kanë ndërtuar shumë parqe fotovoltaike, që në të gjitha rastet janë me kontrata afatgjatë me çmime të subvencionuara për blerjen e energjisë.

Por, Beka shton se energjia e diellit është pa diskutim një perspektivë reale, veçanërisht në kushtet kur zhvillimet e teknologjisë janë të tilla, që kostot në investimin e pajisjeve të energjisë diellore janë në një trend ulës të vazhdueshëm. Energjia diellore është një alternativë shumë e leverdishme në kuadrin mikro, sidomos në sektorin e mikpritjes dhe turizmit, ku hotelet e vogla mund ta shfrytëzojnë atë në periudhën e verës. Investimi në panelet diellore ka eficiencë të lartë nga vetë ndërmarrjet ose familjarët, që e përdorin për nevojat e tyre. Beka është i mendimit se vetë bizneset e vogla dhe familjarët do ta çojnë përpara investimin në fushën e energjisë diellore në Shqipëri. Ata do të investojnë me burimet e tyre financiare dhe pa pritur subvencione. Më poshtë intervista:

Ka një rritje të interesit për të investuar në energjinë e diellit kohët e fundit. Si e vlerësoni ju këtë interes?

Miratimi i ligjit për energjitë e rinovueshme, përcaktimi nga ERE i një çmimi të garantuar për blerjen e energjisë nga parqet fotovoltaike dhe shprehja e një vullneti politik të Qeverisë për të mbështetur investimet në këtë sektor, ka bërë që të rritet interesi i mjaft kompanive të biznesit për të investuar me parqe fotovoltaike. Nga ana tjetër, ka edhe mjaft kompani biznesi që po e shikojnë energjinë diellore si fushë të tyre prioritare në biznes dhe po ofrojnë teknologji fotovoltaike, për zgjidhje të ndryshme. Pra në përgjithësi është rritur pritshmëria për shtimin e investimeve në energjinë diellore në Shqipëri, ndërkohë që shembuj të deritanishëm në Shqipëri me energjinë fotovoltaike janë shumë të kufizuara dhe të izoluara.

Ka një rendje të investimeve drejt parqeve të mëdha fotovoltaike. Sa me leverdi janë dhe a mund të ndodhë e njëjta gjë si me hidrocentralet, të cilët u nxitën të investonin dhe më pas qeveria u ndryshoi çmimin?

Pa diskutim që “rendja” tek aplikimet për të marrë leje për ndërtimin e parqeve fotovoltaike, ka shumë të përbashkëta me rendjen pas koncesioneve dhe projekteve të HC në vitet 2009-2012, kur më shumë se 500 persona ose biznese, shumica prej të cilëve as nuk kishin lidhje me energjinë dhe as nuk kishin burime financiare që të mund t’i realizonin investimet, filluan një garë të paparë për të marrë një licencë koncesioni për një ose disa HC-e dhe më tej kërkonin të gjenin partnerë financiarë apo të shisnin licencat.

Lidhur me leverdinë ekonomike, Shqipëria nuk ka një përvojë me parqe fotovoltaike, me siguri deri tani mund të gjykohet vetëm mbi përvojën e vendeve të tjera fqinje me ne, siç është Greqia apo Italia, të cilët në 10-vjeçarin e fundit kanë ndërtuar shumë parqe fotovoltaike, që në të gjitha rastet janë me kontrata afatgjata me çmime të subvencionuara për blerjen e energjisë.

Shumë shtete europiane kanë qenë të detyruar të mbështesin dhe të subvencionojnë çmimin e energjisë diellore dhe të erës, si dhe të energjive të tjera të rinovueshme, në kuadrin e një angazhimi 20-20-20 që i detyron këto vende që deri në vitin 2020, të rrisin me 20% energjinë e rinovueshme, të ulin me 20% përdorimin e energjisë me masa për eficiencën dhe të ulin shkarkimin e CO2 me 20%.
Por rrethanat në Shqipëri janë krejt të tjera. Shqipëria është modeli i vetëm, që aktualisht 100% të energjisë elektrike e prodhon nga burimet e rinovueshme (HC vetëm ujë) dhe me fuqinë aktuale të instaluar ka arritur që prodhimi neto i energjisë të jetë më i lartë se sa konsumi vjetor (shembull janë vitet 2012 dhe 2016).

Prodhimi vjetor neto i energjisë elektrike për vitin 2016 ishte mbi 7,1 milionë MWh, shumë më i lartë se mesatarja shumëvjeçare 1985 – 2016 prej 4,7 milionë MWh. Në periudhën 2010 – 2016, për tre vjet është realizuar prodhim neto energjie nga HC prej rreth 7 milionë MWh, aq sa është edhe konsumi vjetor në Shqipëri, sipas të dhënave zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE).

Kujdes!

Prodhimi i energjisë elektrike nga fotovoltaikë në Shqipëri, me siguri do të zhvillohet si një komponent i rëndësishëm në harmoni dhe në mënyrë racionale me të gjithë burimet e tjera të energjisë, por në mënyrë të kujdesshme, pa pretenduar që Shqipëria të kthehet në një model të energjisë fotovoltaike.

Sistemi i prodhimit të energjisë elektrike në Shqipëri përballet me disbalancime të mëdha, nga njëra anë me faktin që prodhimi i energjisë në mbi 85% është i përqendruar në rajonet e veriut të vendit, ndërkohë që konsumatorët më të mëdhenj janë midis Tiranë-Durrës-Vlorë dhe nga ana tjetër, me diferenca të mëdha të prodhimit në periudha të ndryshme të vitit. Diferenca ndërmjet prodhimeve maksimale e minimale rezulton rreth 2.7 herë, (në muajin mars janë prodhuar 940.000 MWh ndërkohë që në shtator 332.000 MWh), duke shprehur në mënyrë të dukshme shkallën e lartë të riskut hidrologjik në stabilitetin e prodhimit të energjisë elektrike nga sistemet elektroenergjetike të mbështetur vetëm në HEC-e. (të dhëna nga Raporti i ERE-s për vitin 2016)

Muajt me prodhimin më të vogël janë muajt e verës (korrik – shtator), atëherë kur edhe kërkesat për energji rriten për shkak edhe të rritjes së konsumit familjar për ftohje, si dhe rritjes së aktivitetit të strukturave akomoduese të turizmit.
Kjo periudhë përkon edhe me nivelin më të lartë të rrezatimit diellor, edhe për pasojë të potencialit më të madh të prodhimit të energjisë nga dielli. (tabela e mëposhtme tregon të dhënat e vitit 2016, për prodhimin dhe konsumin e energjisë elektrike në Shqipëri)

monitor 796.indd

Energjia e diellit është pa diskutim një perspektivë reale, veçanërisht në kushtet kur zhvillimet e teknologjisë janë të tilla, që kostot në investimin e pajisjeve të energjisë diellore janë në një trend ulës të vazhdueshëm. Në këto kushte, prodhimi dhe përdorimi i energjisë diellore duket se do të jetë një plotësues shumë i mirë në tregun e energjisë, për tre arsye:

Së pari: energjia diellore ka rendimentin më të lartë dhe për pasojë prodhimin më të madh në muajt e verës, kur konsumi i energjisë është më i lartë, si nga konsumatori familjar ashtu edhe bizneset (veçanërisht turizmi) dhe prodhimi i energjisë nga HC është shumë i vogël.

Së dyti: Sistemet fotovoltaike do të instalohen direkt tek konsumatori fundor, pra do të jenë shumë më të vogla humbjet e transmetimit të energjisë dhe parametrat e energjisë elektrike do të përmirësohen.

Së treti: Veçanërisht për bizneset dhe konsumatorët familjarë, do të rrisë komfortin dhe do të nxisë kursimin e përdorimit të energjisë.
Shqipëria ka relativisht çmime të larta të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe bizneset, gjë që favorizojnë energjinë diellore. Me përjashtim të furrave të bukës, të gjithë bizneset e tjera kanë një çmim të lartë të energjisë elektrike nga 11 –12,4 lekë/kah, ndërkohë që kategoria e konsumatorëve familjarë është 9,5 lekë/Kwh (pa përfshirë TVSH). Me siguri, edhe në të ardhmen, ky çmim shkon drejt rritjes, çka e bën edhe më të qëndrueshme eficiencën e investimit nga vetë ndërmarrjet ose familjarët për energjinë diellore.

Prodhimi i energjisë elektrike nga fotovoltaikë në Shqipëri, me siguri do të zhvillohet si një komponent i rëndësishëm në harmoni dhe në mënyrë racionale me të gjithë burimet tjera të energjisë, por në mënyrë të kujdesshme, pa pretenduar që Shqipëria të kthehet në një model të energjisë fotovoltaike.

Objektivat strategjikë që ka Shqipëria në fushën e energjisë janë të lidhura ngushtë me tregun rajonal të energjisë, nxitjen e investimeve private për të diversifikuar prodhimin e energjisë dhe për ta prodhuar atë sa më pranë edhe konsumit në rajone të ndryshme të vendit, shfrytëzimin e burimeve të gazit (që ofron projekti TAP) për prodhim energjie dhe për industri, si dhe kryerjen e investimeve për eficiencën e energjisë dhe uljen e CO2 në bazë të angazhimeve që ka marrë Qeveria Shqiptare në kuadrin e konventave ndërkombëtare për ndryshimet klimatike.

Shqipëria ka një perspektivë afatmesme të shfrytëzojë dhe Gaz nga TAP për të prodhuar energji elektrike në termocentrale (duke filluar nga ai i Vlorës, prej 98 MW me çmime më të lira konkurruese në treg. Termocentralet me gaz përbëjnë edhe kompensatorin më të mirë në rrjet për energjitë e diellit dhe erës, të cilat kanë cikël të lartë ndryshimi midis kohës me diell dhe pa diell (dhe ditë-natë). Koha e nevojshme për të ndaluar nga puna ose për të rivënë në punë turbinat e TEC me gaz është shumë herë më e lehtë se sa çdo model tjetër i prodhimit të energjisë.
Me investimet aktuale në fushën e energjisë së rinovueshme dhe me futjen e tyre në shfrytëzim, Shqipëria do t’i mbulojë mirë nevojat e saj në rritje për energji elektrike dhe në një periudhë afatmesme do të jetë një eksportues i energjisë elektrike.

Por fakti që tregu rajonal i energjisë vazhdon të dominohet nga energjia e prodhuar nga TEC me lëndë djegëse do ta bëjë shumë të vështirë shitjen e energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e rinovueshme, veçanërisht atë diellore. Pra do të duhet të ndiqet një strategji e qartë që në hapat e parë, për të menduar për politika të qëndrueshme afatgjatë, kur vjen fjala për masën e subvencionit dhe garantimit të çmimit të blerjes të energjisë. (Shqipëria ka marrë angazhim për çmim të garantuar të energjisë nga HC private apo koncesionarë – që arrijnë në më shumë se 600 MW fuqi të instaluar dhe po rriten më tej, si dhe premton çmim të garantuar për fotovoltaikë).

Modeli aktual

Shqipëria është modeli i vetëm, që aktualisht 100% të energjisë elektrike e prodhon nga burimet e rinovueshme (HC vetëm ujë) dhe me fuqinë aktuale të instaluar ka arritur që prodhimi neto i energjisë të jete më i lartë se sa konsumi vjetor (shembull janë vitet 2012 dhe 2016).

Panel diellorDeri tani, interesi më i madh është për parqet fotovoltaike. Po për bizneset e vogla dhe ekonominë e turizmit sa me leverdi është? Cilat mund të jenë zhvillimet më të shpejta në përdorimin e energjisë diellore në Shqipëri?

Kursimi, komforti dhe vlera e investimit janë tre kriteret më të rëndësishme për investime në fushën e energjisë diellore për konsumatorët familjarë dhe bizneseve. Pra janë vetë bizneset e vogla dhe familjarët, që do ta çojnë përpara investimin në fushën e energjisë diellore në Shqipëri. Ata do të investojnë me burimet e tyre financiare dhe pa pritur subvencione.
Hapat e nevojshëm nga Qeveria për të mbështetur nisjen e investimeve nga grupet e mësipërme mund të jenë: (i) Rregulla të qarta administrative, që duhet të përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave (ii)proces i thjeshtë i marrëveshjes me OSHEE për prodhim energjie për konsum vetjak, (iii) montimi i paneleve diellore në çatitë e banesave dhe objekteve industriale pa leje ndërtimi (me përjashtim të rasteve kur janë ndërtesa muzeore).

Me energji diellore nuk bëhet fjalë vetëm për panele fotovoltaike. Panelet diellore për ngrohjen e ujit për nevoja sanitare dhe ngrohje përbëjnë një nga prioritetet me leverdishmëri më të lartë ekonomike, veçanërisht për sektorë të tillë si ai i familjar dhe i turizmit. Kombinimi i të dy masave është shumë më efektiv.

Perspektiva

Shqipëria ka një perspektivë afatmesme të shfrytëzojë dhe Gaz nga TAP për të prodhuar energji elektrike në termocentrale (duke filluar nga ai i Vlorës, prej 98 MW me çmime më të lira konkurruese në treg

Përvoja ndërkombëtare ka treguar se është shumë më efektive të investohet në të dy rrugët: me prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme dhe me kursimin e energjisë. Çdo investim me eficencën e energjisë për të kursyer 1 Kwh është deri dy herë më i vogël se sa për të prodhuar 1 Kwh energji. Investimet me energji diellore për ngrohje-ftohje, janë pikërisht ato që i shërbejnë edhe kursimit të energjisë.

Rruga më e sigurt është investimi nga vetë bizneset dhe familjarët për nevojat e veta, në modelin e vetëkonsumit, çka e ka parashikuar edhe ligji dhe pritet të miratohet edhe kuadri rregullator.

Janë të gjithë parakushtet që energjia diellore të zërë një vend të rëndësishëm në bilancin e energjisë që ne konsumojmë. Në vendin tonë konsumi familjar në raport me konsumin e përgjithshëm të faturuar për klientët tariforë për vitin 2016 përbën rreth 49%. Mbi 4 milionë turistë vijnë në Shqipëri në vit. Referuar shifrave të vitit 2016 mbi 40% e tyre vijnë në muajt korrik-gusht dhe rreth 75% në periudhën maj – tetor, periudhë në të cilën edhe rrezatimi diellor është i plotë. Sfida janë: ulja e konsumit të energjisë elektrike për ngrohjen e ujit për nevoja sanitare dhe ngrohje, si dhe për ftohjen e banesave, pasi zënë rreth 46% e kostove të energjisë që harxhohen në banesa dhe hotele.

Një fushë tjetër ku energjia diellore është e praktikueshme në Shqipëri ka të bëjë me zgjidhje individuale, “ishull” ose sisteme të pavarura:
“Elektrifikimi” i staneve dhe fshatrave ekstreme malore, ku sot nuk ka energji elektrike, ose ku linjat fundore nuk arrijnë të furnizojnë me energji elektrike. Veçanërisht në muajt e verës, në të gjithë zonat alpine, ku dalin barinj dhe janë bujtina të turizmit malor.
Pompat solare të ujit dhe sistemi i vaditjes së tokës (pa pasur nevojën e baterive, pasi procesi i vaditjes së tokës është i nevojshëm në verë dhe në kohën kur nuk bie shi. Ftohja e produkteve bujqësore dhe blegtorale dhe veçanërisht të qumështit pas mjelje.

Kursimi

Përvoja ndërkombëtare ka treguar se është shumë më efektive të investohet në të dy rrugët: me prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme dhe me kursimin e energjisë. Çdo investim me eficiencën e energjisë për të kursyer 1 Kwh është deri dy herë më i vogël se sa për të prodhuar 1 Kwh energji. Investimet me energji diellore për ngrohje-ftohje, janë pikërisht ato që i shërbejnë edhe kursimit të energjisë.

Si mund të nxitet përdorimi tek ekonomitë e vogla dhe subjektet turistike? Çfarë politikash nxitëse mund të ndjekë qeveria?

Pa diskutim ka shumë përvoja ndërkombëtare që duhen studiuar me kujdes dhe për t’i kthyer edhe në praktika shqiptare. Është krejt e qartë që masat subvencionuese janë ato që e çojnë përpara zhvillimin e shpejtë të këtyre investimeve.

Ka edhe shtete që bëjnë një politikë tjetër, subvencionojnë investimin: p.sh., grant nga 30-50% e kostos së blerjes së paneleve diellore dhe të baterive akumuluese, për të nxitur vetëkonsumin në banesë, të energjisë së prodhuar.
Ajo që mund të bëjë Shqipëria, për shembull, rimbursimi i TVSH-së për investimet në energjinë diellore, kur ato kryhen nga konsumatorët familjarë ose biznese që nuk janë subjekte të TVSH.

Jo vetëm investim, por mbi të gjitha nxitja dhe mbështetja për një treg të kualifikuar pune për energjitë diellore dhe eficiencën e energjisë,
përfshirë specialitetet që formohen në universitetet teknike dhe punëtorët e kualifikuar në shkollat profesionale dhe qendrat e trajnimit profesional.

A rrezikohet të kemi një flluskë në këtë sektor, ashtu siç ndodhi me rendjen e bizneseve të ndërtimit drejt bujqësisë p.sh., ku hynë në një sektor që nuk e njihnin mirë?

Kujdes me prognozimet shumë optimiste dhe të pamatshme: nuk ka shans që investimet e fotovoltaikëve të rezultojnë të vetëshlyera në më pak se 7-10 vjet, apo nuk mund të ketë rendimente të tilla që do t’i tundonin fshatarët të “mbillnin” tokat me fotovoltaikë, pasi prej 1 ha do të merrnin 300 mijë euro në vit.
Zgjidhjet teknike janë një problem i vështirë për operatorin energjetik: stabilizues në sistemin energjetik kur të rritet pjesa e energjisë nga dielli dhe era në sistem.

Revista Monitor,  16.09.2017

Turqia do të fillojë ndërtimin e kapaciteteve prodhuese të panelëve solarë, ndërkohë që ceremonia për këtë risi revolucionare pritet të mbahet në nëntor të këtij viti në Ankara.

Kalyon Holding dhe korporata e Koresë së Jugut, “Hanwha Q-Cells” fituan tenderin për projektin më të madh në Turqi për prodhim të energjisë diellore.

Konsorciumi është përgjegjës për ndërtimin e një impianti të prodhimit të paneleve diellore prej 500 megavat dhe një termocentrali me kapacitet 1.000 megavat.

“Në këtë kontekst, objekti i prodhimit të paneleve të energjisë diellore do të ndërtohet në zonën industriale të Ankarasë”, deklaroi kreu i Kalyon Holding, Murtaza Ata.

Ai tha më tej se pas ceremonisë zyrtare që do të mbahet në nëntor të këtij viti, do të fillojë faza e prodhimit, ndërkohë që produktet e para pritet të dalin në treg në fund të vitit 2018.

Në vitin e parë, objekti do të duhet të plotësojë 60 përqind të kapacitetit prodhues vendor, ndërsa kjo përqindje duhet të rritet në 70 përqind më pas.

“Ndonëse kapaciteti i objektit do të jetë fillimisht 500 megavat, kemi bërë planet për të rritur kapacitetin në 1.000 megavat”, tha Ata.

Kreu i Kalyon Holding, Murtaza Ata, tha më tej se në objektin e integruar, i cili do të përfshijë prodhimin e ingot/faqeve, prodhimin e qelizave diellore dhe paneleve do të investohen 450 milionë dollarë.

Investimi në impiantin diellor prej 1.000 megavatësh kap shifrat prej afërsisht 1 miliard dollarë.

Murtaza Ata bëri të ditur se rreth 1000 inxhinierë dhe teknikë do të punësohen në fabrikë, së bashku me 100 inxhinierë tjerë në Qendrën për Kërkime dhe Zhvillim, për të shtuar se nga kushtet e tenderit ka qenë që 80 përqindëshi i inxhinierëve të jenë turq.

Konzorciumi Kalyon-Hanwha consortium fitoi ofertën e tenderit për ndërtimin e termocentralit diellor në Karapinar me një kosto prej 0.0699 dollarë për një kilovat orë. Çmimi i shitjes së energjisë elektrike do të jetë i vlefshëm në 15 vitet e ardhshme.

“Projekti diellor do të plotësojë nevojat energjetike të mbi 600 mijë familjeve”, tha më herët ministri turk i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Berat Albayrak.

Fabrika do të prodhojë 1.7 miliardë kilovat orë energji elektrike.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  16.08.2017

Quhet Solingo dhe është skuteri i ri që funksionon me energji diellore.

“Në botën e elektricitetit të lëvizshëm e ardhmja sapo ka nisur”. Ky është slogani i Solikngos, që shitet për 2 mijë euro bateri dhe pjesa tjetër.  Ky lloj skuteri  nisi nga idea e grupit Termal.

Solingo ka një panel fotovoltaik, të montuar në bagazh që arrin të karrikojë baterinë rezervë me 8% në ditë. Autonomia e deklaruar është 115 km, shpejtësia maksimale 35 km/h dhe këto arrijnë përmes baterisë kryesore. Në rastet kur mbaron ushqimi i baterisë është gjithmonë ajo diellore rezervë.

Top Channel,  14.07.2017

Sektori i paneleve fotovoltaike është duke pësuar ndryshime të rëndësishme kohët e fundit. Në Australi, për shembull, një grup kërkuesish ka patentuar bojën diellore, ndërsa Elon Musk, me kompaninë e tij SolarCity ka komercializuar tjegullat diellore.

Por nga Shtetet e Bashkuara vjen një tjetër risi që mund të ndryshojë gjithë sektorin: Panele diellore që prodhojnë ujë të pijshëm. Këto panele të veçanta mund të zgjidhin dy probleme në një: mungesën e ujit dhe prodhimin e energjisë “së pastër”.

Ideja vjen nga një kompani startup amerikane, Zero Mass Water, që ka realizuar një sistem që kap avullin e ujit dhe e shndërron në ujë (thuajse) të pijshëm.

Si funksionojnë panelet diellore Zero Mass Water?

Pamja e jashtme ndonjëherë mund të gënjejë. Në pamje të parë, panelet Zero Mass Water, ngjajnë me panele normalë fotovoltaikë, që prodhojnë energji elektrike nga dielli. Por në të vërtetë, nuk është kështu.

Në fakt, falë një sistemi të veçantë të krijuar nga Cody Friesen, inxhinier në Universitetin e Arizonës dhe drejtues i startup, panelet diellore, përveçse prodhojnë energji dhe nxehtësi, kapin lagështirën në ajër dhe e shndërrojnë në ujë në gjendje të lëngshme. Rezultatet janë mbresëlënëse me disa panele të montuara nëpër botë.

Ku mund t’i montoni panelet Zero Mass Water

Panelet e kompanisë startup amerikane mund të montohen në çdo vend, por në disa zona janë më efikase. Në fakt për të prodhuar një sasi të konsiderueshme uji (paneli diellor mbledh mesatarisht 5 litra ujë në ditë) është e nevojshme që klima të ketë shumë lagështirë dhe me shumë avuj uji. Në zonat e thata, paneli i krijuar nga Zero Mass Water nuk arrin të funksionojë mirë.

Çdo panel arrin të mbledhë maksimumi rreth 30 litra ujë, që për t’u bërë i pijshëm është e nevojshme t’i shtohen disa minerale që rrisin pH e lëngut.

Sa kushton të instalosh një panel Zero Mass Water?

Kompania amerikane nuk jep shifra të sakta për të përcaktuar koston e instalimit të një paneli diellor. Të vetmet të dhëna lidhen me kohën e amortizimit të shpenzimeve që llogariten në rreth 2-4 vjet. Pra kostoja totale e një paneli duhet të arrijë në rreth 2 mijë euro. Për momentin panelet janë instaluar në zona të largëta dhe të varfra, ku është thuajse e pamundur të gjesh ujë të pijshëm.

Revista Monitor,  23.06.2017

Prodhimi i energjisë prej ujit, diellit dhe erës po tërheqin së fundmi shumë investitorë. Përveç HEC-eve shumë kërkesa janë drejtuar në Ministrinë e Energjetikes për ndërtimin e parqeve që do të prodhojnë energji të pastër nga dielli. Shqipëria si një vend 240-300 ditë diell në vit, nuk e ka të zhvilluar prodhimin e energjisë nga burimet e diellit.

Por Ministria e Energjetikes ka marrë ditët të e fundit një propozim nga kompanitë AGE” ALBANIAN GENERAL ELECTRICITY SH.A. dhe “A.E. Distribution” Sh.P.K.,  për të ndërtuar në një park fotovoltaik në zonën e Topojës në Bashkinë Fier me vlerë investimi 2 milionë euro.

Bashkimi i përkohshëm i Shoqërive ka shprehur interesin dhe kanë paraqitur pranë Ministrisë, aplikimin për ndërtimin e një parku fotovoltaik për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme, me kapacitet 1.750 MW, që do të shtrihet në një sipërfaqe 2.3 hektarë në zonë  e Topojës.

Sipas përcaktimeve ligjore Ministria e energjetikes për 15 ditë jep ok për zhvillimin e projektit. Më herët pranë Ministrisë së Energjetikes janë bërë disa aplikime për ndërtimin e parqeve diellore.

Në gusht të vitit 2016 shoqëria “Novoselë Photovoltaic PowerPlant” i  ka kërkuar një autorizim paraprak Ministrisë së Energjisë për të ndërtuar një park fotovoltaik që synon prodhimin e energjisë elektrike nga rrezet diellore. Sipas projektit që kompania ka dorëzuar, synohet të prodhohen 50 MW energji për të cilat është planifikuar një vlerë investimi prej 72 milionë eurosh.

Parku është planifikuar të ndërtohet në zonën e Novoselës në Vlorë, por ndërtimi i tij, sipas burimeve nga Ministria e Energjetikës, do të kalojë në një procedurë të ndryshme nga ai i koncesioneve të HEC-eve.

Po  në gushtë të 2016 Kompania “Sun&WindEnergyCorporation” aplikoi në Ministrinë e Energjetikës ër ndërtimin e dy parqeve të prodhimit të energjisë nga era dhe dielli me vlerë totale 45 milionë euro në zonën e Pilurit në Bashkinë e Himarës.

Nga të dhënat e aplikimit shihet se projekti i i parë ka të bëjë me ndërtimin e një parku ekolik në zonën në juglindore të zonës së Pilurit të Bashkisë së Himarës, respektivisht në tri parcela.

Parcela e parë është projektuar të shtrihet në një sipërfaqe 123.9 ha; parcela e dytë në një sipërfaqe 910.2 hektarë dhe parcela e tretë në 1034.1 hektarë.

Kapaciteti i instaluar do të jetë 30 MW dhe është parashikuar të implementohet në tri faza, të ndara sipas fuqisë. Faza e parë 6 MW (2018‐2022); faza e dytë 6 MW (2022‐2026) dhe faza e tretë 18 MW (2026‐2030).

“Sun&Wind Energy Corporation” parashikon një vlerë investimi rreth 27 milionë euro.

Revista Monitor,  07.04.2017

Energjia diellore dhe ajo e erës po ndërpresin modelin e vjetër njëshekullor të sigurimit të energjisë. Çfarë do ta zëvendësojë atë?

Nga dritarja e zyrës së tij, Philipp Schröder sjell si shembull një fshat në zonën e Bavarisë dhe me një të qeshur djallëzore thotë: Para jush, mund të shikoni fundin e shërbimeve tradicionale, e gjithë kjo e financuar nga zoti dhe zonja Schmidt. Është një pamje e bukur, shkruan The Economist. Era që fryn përgjatë Wildpoldsried nga Alpet vë në punë turbinat mbi kodër. Çatitë e shtëpive me drejtim nga jugu, hambarët dhe stallat e lopëve janë të mbuluara me panelet diellore fotovoltaike. Lopët në fushat e blerta krijojnë pleh që gjeneron biogaz, i cili ngroh Biergarten (birrari), fushën e sportit dhe shumë prej shtëpive ku jetojnë rreth 2,600 fshatarë, si dhe mbështet gjeneratorët e erës dhe të diellit gjatë dimrit. Fshati prodhon pesë herë më shumë energji se sa i nevojitet dhe fshatarët deri diku po shpërblehen për përqasjen ndaj burimeve të rinovueshme. Në 2016-n ata arkëtuan rreth 6 milionë euro nga subvencionet dhe nga shitja e energjisë së tepërt.
Vështirë të duket si fundi i botës, por zoti Schröder, i cili punon për Sonnen, një firmë energjetike, ka një argument. Shumë ambientalistë duan që sistemi i prodhimit të energjisë t’i ngjasojë atij të Wildpoldsried. Dhe këta faktorë ku ai është i bazuar, si subvencionet për investime, shpenzimet e ulëta për karburant, si dhe zhvendosja e prodhimit të energjisë elektrike jashtë rrjetit, janë një mallkim për tregjet e energjisë dhe modelet e zhvilluara të biznesit të epokës së karburantit nga burimet fosile. Pak energji e rinovueshme do t’i fundosë ato. Por, rënia në të ardhurat nga shpërndarja, që do të vijë me përhapjen e vendeve si Wildpoldsried, nuk është vetëm një lajm i keq për bizneset e prodhimit dhe të transmetimit të energjisë fosile. Gjithashtu po bëhet problem për energjinë e rinovueshme vetë dhe për përpjekjet për të dekarbonizuar furnizimin me energji elektrike, gjë që justifikuan promovimin e tyre.
Në 2014-n, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, IEA, një parashikues gjysmë zyrtar, parashikoi se dekarbonizmi i rrjetit të energjisë globale do të kërkojë rreth 20 trilionë dollarë për 20 vjet, deri në vitin 2035, pikë që mendohet se do të jetë larg finalizimit të procesit. Por, për një industri energjetike që nuk prodhon të ardhura të besueshme është e vështirë që njerëzit të investojnë në të.

Më pak e dashur, ende përçarëse

Lufta kundër ndryshimeve klimatike ka parë një rritje të madhe në energjinë e re të rinovueshme, atë të erës, energjisë diellore, gjatë dekadës së fundit, si në vendet e zhvilluara ashtu edhe në ato në zhvillim. Në 2015-n, qeveritë hodhën rreth 150 miliardë dollarë në mbështetje të investimeve të tilla, me Amerikën, Kinën dhe Gjermaninë që kryesonin listën. Por, Wildpoldsried akoma është një përjashtim, dhe jo një rregull. Në 2015-n, të tilla burime përbënin vetëm 7% të energjisë së prodhuar në të gjithë botën. Mbi 80% e energjisë botërore vjen prej burimeve fosile. Në termat e reduktimit të rreziqeve klimatike është një rrugë e gjatë përpara.
Lajmi i mirë është se dekada e nxitur nga rritja e subvencioneve ka sjellë rënien e kostove. Energjitë e rinovueshme janë shumë të kushtueshme në disa vende, por po bëhen më të pakta, në disa vende burimet e rinovueshme nga era, në veçanti, janë të konkurrueshme. Kjo tregon se rritja e tyre shumë shpejt do të kërkojë më pak subvencione se sa ka tërhequr deri më sot. Çmimet e larta të karbonit do t’u japin energjive të rinovueshme më shumë avantazhe, por janë të vështira për t’u siguruar. Skema e Bashkimit Europian e emetimeve tregtare është një zhgënjim i përvitshëm, por ende ka shpresë, sikurse e dëshmon përpjekja më e fundit për të bindur administratën e re amerikane në përfitimet e të ardhurave të vjela nga taksa e karbonit që iu ofron rreth 2,000 dollarë familjeve me katër pjesëtarë.
Por vendosja e energjisë së rinovueshme në treg ka ndikuar më tepër se sa në çmim, ka goditur edhe investimet gjithashtu. Në vendet e pasura qeveria ka vendosur energji të rinovueshme në sisteme elektrike që nuk kanë nevojë për kapacitete të reja, pasi kërkesa është në rënie. Investimet në ofertë pavarësisht se çfarë kërkojnë tregjet, kanë prodhuar mbi tepricë, e cila ka ulur çmimet. Në Amerikë kjo deri diku është maskuar nga revolucioni i gazit të shistit argjilor, i cili në disa drejtime ka shkaktuar ndryshime të mëdha. Në Europë, teprica e energjisë së rinovueshme shihet në një këndvështrim të ndryshëm. Çmimet me shumicë të energjisë janë ulur nga 80 euro për MGh në 2008, në 30-50 euro në ditët e sotme.
Rezultati ka rrënuar shërbimin në stilin e vjetër. Kompanitë më të mëdha gjermane të energjetikës, E.ON dhe RWE, të dyja të ndara në vitin e shkuar, kanë ndarë rrjetin e tyre të energjisë rinovueshme nga prodhimi tradicional me humbje dhe me borxhe. EY, firmë konsulente, përllogarit se shërbimet përgjatë Europës shlyen rreth 120 miliardë dollarë aktive për shkak të çmimeve të ulëta të energjisë nga 2010 në 2015. Asnjëherë në histori vendosja e kapitalit nuk ka qenë më e vështirë se sa me industrinë e energjisë, thotë Matt Rennie, i cili analizon tregjet e shërbimeve globale në EY.
Nuk ka të bëjë vetëm me faktin se me përpjekjet për të vendosur energjinë e rinovueshme kanë shtuar burime të reja oferte në një treg që është tashmë i mbushur. Në një industri të strukturuar me kosto marxhinale (kosto shtesë për një njësi të prodhuar), burimet e rinovueshme kanë një grusht përçarës në peshën e tyre.
Tregjet e energjisë, veçanërisht ato që kanë qenë të parregulluar në fundin e shekullit të 20, zakonisht punojnë sipas rendit të meritës: në çdo kohë që plotësojnë kërkesën fillimisht nga furnizuesit më të lirë, më pas nga të dytët më të lirë, deri sa të kenë sasinë që iu nevojitet. Çmimi i paguar është vendosur nga burimi më i shtrenjtë në përdorim i kohës. Ata largojnë nga rrjeti prodhuesit më të shtrenjtë, duke ulur kështu çmimet e shitjes me shumicë.
Në afat të gjatë, si dhe me investimet të mëtejshme, rrjetit të energjisë i ridizajnuar për sisteme të energjisë së rinovueshme do t’i duhet një kohë e gjatë për të zgjidhur këtë problem. Rrjetet e ndërtuara me shumë kapacitet;
rrjete të ndërtuara mjaftueshëm të mëdha për të arritur deri te burimet e largëta të rinovueshme, kur në apati ato janë afër; rrjetet mjaftueshëm “të zgjuara” për të përshtatur ofertën me kërkesën e konsumatorëve; kanë të gjithë rolin e tyre për të luajtur.
Por zgjidhjet në afat të gjatë nuk zgjidhin mangësitë në afat të shkurtër. Deri tani vendet me shumë energji të rinovueshme duhet të mbajnë rezerva të lira me karburant fosil në gatishmëri për të plotësuar kërkesën në pikun e saj. Kjo shpesh përkthehet në subvencione shtesë, të njohura si pagesa kapaciteti, për centrale të cilat nuk do të ishin ekonomike.

Nga do vijë leverdia?

Strukturat e pagesave e bëjnë të ndjeshëm për të investuar në gjeneratorë që mund të ndizen atëherë kur nuk ka gjendje të energjisë së rinovueshme. Por, çfarë do t’i bënte të ndjeshëm investimet në energjinë e rinovueshme?
Duke qenë se ato janë një pjesë e vogël e sistemit, energjia e rinovueshme është e izoluar nga efekti që kanë kostot marxhinale në çmime, sepse për sa kohë ka centrale që do të djegin karburantin fosil, çmimi i shitjes me shumicë i energjisë elektrike do të qëndrojë i lartë. Kështu shpërndarësit mund të blejnë energji nga prodhuesit e energjisë së rinovueshme, shpesh me kontrata me çmime të fiksuara, pa u shqetësuar shumë.
Por, sa më shumë prodhues të energjisë së rinovueshme që të ketë, aq më shumë i ulin çmimet. Shpesh, kur energjia e rinovueshme plotëson të gjithë kërkesën, i bën çmimet nga karburanti fosil të pavenda, çmimet me shumicë të energjisë elektrike bien, ose ndonjëherë bëhen dhe negative, me prodhuesit që paguajnë për rrjete që shkarkojnë energjinë (energjia duhet të shkojë diku). Sa më shumë energji të rinovueshme që të ketë në sistem, aq më shumë ndodhin kolapse të tilla.
Rolando Fuentes nga Kapsarc, një grup ekspertësh me bazë në Arabinë Saudite, thonë se bota është në një rreth vicioz: subvencionet mbështesin energjinë e rinovueshme, energjia e rinovueshme ul çmimet, që rrit nevojën për mbështetje financiare. Teorikisht, nëse energjitë e rinovueshme do të plotësonin 100% të tregut, çmimi me shumicë i energjisë elektrike do të shkojë në zero, duke frenuar të gjithë investimet e reja të cilat nuk janë subvencionuar sërish. Ai e quan këtë rreth vicioz si paradoksi i energjisë së pastër: Sa më të suksesshëm të jemi në rritjen e energjisë së rinovueshme, aq më e shtrenjtë dhe më pak efektive bëhet kjo politikë.
Francis O’Sullivan, nga Instituti i Teknologjisë së Massachusetts, tha se trendi është i dukshëm në disa vende të Amerikës me energji të bollshme diellore. Shpërndarësit, të cilët janë kërkuar të kenë energji të rinovueshme në portofolin e tyre, si atyre në Kaliforni, zakonisht ofronin investimet e kompanisë në kapacitetin bujar të kontratave afatgjata. Por kërkimet nga Bloomberg New Energy Finance, kompani konsulente, tregojnë se shpërndarësit po i afrohen përmbushjes së mandateve të tyre, zhvilluesve të energjisë diellore po u ofrohen çmime të fiksuara në afatshkurtër me një ekspozim më të lartë ndaj çmimeve të ndryshueshme me shumicë. Kjo pakëson iniciativën për të investuar. Energjia diellore e mban aftësinë e saj konkurruese larg, thotë zoti Sullivan. Po ha vetveten.
Në fillim të shekullit, sipas IEA, një e treta e investimit në tregjet e elektricitetit u hodh në sektorët e konkurrueshëm, të cilat janë ekspozuar ndaj çmimeve me shumicë; pjesa tjetër shkoi për shpërndarjen e rregulluar, rrjetin e transmetimit dhe rregullimin e kontratave me çmime të fiksuara, në të cilën energjia e rinovueshme pati fillimin e saj. Në 2014-n, pjesa e investimeve në sektorin e konkurrueshëm ishte vetëm 10% e totalit. Është e drejtë që të mendojmë se sa më shumë të ekspozohet energjia e rinovueshme ndaj konkurrencës nga kontratat e lidhura deri në çmimet me shumicë, më shumë njerëz do të largohen prej tyre.

Energji-grafik
Edhe kostot e ulëta të kapitalit, veçanërisht në energjinë diellore, mund ta zhbëjë këtë trend, duke i bërë investimet më të lira, edhe pse bëhen më të rrezikshme. Por, nëse energjia e rinovueshme me kosto marxhinale më të ulët vazhdon që të ulë çmimet, do të vijë një moment që investimet private do të shterojnë. Ashtu si Malcolm Keay nga Instituti i Oksfordit për Studimet Energjetike thotë: Modeli i biznesit të shpërndarjes është prishur, gjithashtu dhe tregjet.
Energjia e rinovueshme nuk ul thjesht çmimet, kur përdoret nga konsumatorët, ata gjithashtu plotësojnë kërkesën. Merrni në konsideratë Australinë, ka rreth 1.5 milionë shtëpi që kanë panele diellore mbi çatitë e shtëpive të tyre. Ka disa arsye për këtë. Është një vend diellor, instalimi i paneleve fotovoltaike deri tani ka qenë i subvencionuar në mënyrë bujare, dhe faturat e energjisë elektrike vijnë të larta. Pjesërisht për të paguar subvencionet. Dhe pjesa tjetër për të paguar për rrjetin, i cili po bëhet çdo herë dhe më i shtrenjtë. IEA thotë se në disa vende të Australisë së Jugut, përmirësimet e rrjetit kanë dyfishuar kostot e rrjetit që nga 2008-a. Pavarësisht shkurtimit të subvencioneve, instalimi i paneleve fotovoltaike australiane pritet që të trefishohet në dekadën e ardhshme.
Ndërsa më pak njerëz mbështeten në rrjet, ka më pak njerëz që mbeten për të ndarë kostot. Phil Blythe, nga GreenSync, një kompani me bazë në Melburne, që punon me shpërndarësit për të moderuar flukset e energjisë së rinovueshme, paralajmëron se vendi do të përballet me vdekjen embrionale të shërbimeve. Sa më shumë konsumatorë ta prodhojnë vetë energjinë, aq më shumë shpërndarësit do t’ju duhet të rrisin çmimet ndaj konsumatorëve që mbeten, çka i rrit shanset për të braktisur rrjetin. Nuk do të ndodhë brenda natës thotë ai, por do të jetë vdekje nga 1 mijë shkurtimet.

Revista Monitor,  18.03.2017