info@energjia.al

Kompania publike e gazit Albgaz sh.a e cila do të funksionojë si një operator i kombinuar duke kryer veprimtarinë e operatorit të sistemit të transmetimit dhe operatorit të sistemit të shpërndarjes së gazit natyror në vend mori të mërkurën (8 tetor) certifikimin përfundimtar nga Enti Rregullator i Energjisë. Bordi i Komisionerëve miratoi si pikë të parë draft metodologjinë e tarifave që ishte kriteri kyç për të vijuar më pas me certifikimin final.

I njëjti Bord nënvizoi se tashmë Albgaz sh.a duhet që të përmbushë një sërë kushtesh duke përcaktuar edhe afatet kohore.

Rekomandimi i parë ishte ai që lidhej me anëtarët e Këshillit të Mbikëqyrjes. Sipas ERE duhet të zëvendësohen brenda 3 muajve të gjithë ata anëtarë që aktualisht ushtrojnë një funksion brenda Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Brenda 12 muajve Albgaz duhet që të tregojnë pavarësinë e audituesve ndërkohë që duhet të bëhet edhe një ndryshim tek pronësia.

Albgaz sh.a duhet që brenda një viti të kalojë me pronësi tek Ministria e Financave dhe e Ekonomisë. Ai duhet të jetë i pavarur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në mënyrë që të ruajë pavarësinë. Kjo praktikë është zbatuar edhe për Operatorin e Sistemit të Transmetimit. Në mars të këtij viti OST i kaloi ish-Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, ndërsa tani është nën varësinë e ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Vendimi i fundit i Bordit të Komisionerëve për metodologjinë e tarifave i hap rrugë kompanisë që të aplikojë për një tarifë të re nga ajo që është miratuar deri në fund të këtij viti. Në ligj është parashikuar një fazë tranzitore e cila mund të shtyjë tarifën ekzistuese në rast se aplikimi nuk bëhet në kohë. Sipas kuadrit aplikimi për tarifën e re mund të bëhet deri në 4 dhjetor.

Revista Monitor,  09.11.2017

Fitimet e Operatorit të Transmetimit të Energjisë shënuan një rënie vjetore me 15.6 për qind në periudhën janar-shtator 2018.

Kompania raportoi pasqyrat financiare të tremujorit të tretë të vitit, ku u pa se fitimi para taksave ishte 1.4 miliardë lekë nga më shumë se 1.6 miliardë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rezultati financiar i kompanisë u përkeqësua për shkak të rënies së të ardhurave me gati 20 për qind.

Arkëtimet e OST-së në fund të 9-mujorit arritën në rreth 3.3 miliardë lekë nga 4.1 miliardë që ishin një vit më parë. Burimet nga kompania pohuan se rënia e fitimeve ishte e pritshme për shkak të disa zhvillimeve në tregun e energjisë.

Volumet e tregtimit kanë rënë këtë vit, pasi OSHE është duke plotësuar një pjesë të nevojave për mbulimin e humbjeve nga tregu vendas nëpërmjet blerjes së energjisë nga koncensionarët. Për pasojë është ulur edhe transmetimi i depozitimeve të energjisë.

Gjatë këtij viti OST ka zhvilluar rregullisht ankandin vjetor, mujor dhe ditor të kapaciteteve të interkonjeksionit për kufirin Shqipëri-Kosovë, ndërsa për kufijtë e tjerë ky ankand zhvillohet nga Zyra e Koordinuar e Ankandeve për Europën Juglindore SEE CAO.

OST do të ketë një perspektive më të mirë financiare kur ajo të bëhet pjesë e një rrjeti me më të gjerë transmetimi.

Mosfunksionimi e linjës së të transmetimit Shqipëri-Kosovë dhe humbja e shanseve për të ndërtuar një linjë transmetimi nënujore me Italinë i ka zvogëluar perspektiven e kompanisë në të ardhmen.

Planet për zgjerimin nga Maqedonia të rrjetit të transmetimit pritet të rrisin disi kapacitetet. Linja e re transmetimit Elbasan -Manastir 400 kilovolt nga pikëpamja strategjike përforcon lidhjet interkonjektive me rajonin, duke krijuar kushte më të mira për shkëmbime tregtare dhe tranzitime pa kufizim të energjisë elektrike në rajonin e Evropës Juglindore.

Projekti pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në krijimin e mundësive tregtare për shkëmbime ekonomike të energjisë elektrike nëpërmjet vendeve të rajonit dhe në ndarjen e rezervës që do të kontribuojë në një siguri më të madhe të funksionimit të sistemeve elektroenergjetike të Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Revista Monitor,  03.11.2017

Shqipëria ka vendosur në objektiv të saj rritjen e prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme.

Në përputhje me Planin Kombëtar të Veprimit për Burimet e Energjisë së Rinovueshme, 2015-2020, i cili për të arritur targetin e vendosur në masën 38% të konsumit total nga energjitë e rinovueshme, ka parashikuar ndërtimin e impianteve fotovoltaike dhe eolike, respektivisht me një fuqi totale të instaluar 50 MW dhe 30 MW.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri me dije se ministri Damian Gjiknuri ka miratuar urdhrin që përcakton se si do të ndahet dhënia e kapaciteteve për rastin e 50 MW të energjive nga fotovoltaikët.

Ndarja e dhënies së kapaciteteve

Konkretisht, sasia e energjisë elektrike që prodhohet nga centralet fotovoltaike dhe që do përfitojë nga skemat e mbështetjes së përcaktuar në ligjin nr.7/2017 “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, ndahet si më poshtë:

  1. i) 20 MW do përfitohen nga prodhuesit me përparësi me kapacitet të instaluar të energjisë elektrike deri në 2MW;
  2. ii) 30 MW do të përfitohen nga prodhuesit me përparësi në bazë të mbështetjes sipas kontratës për diferencë, nëpërmjet procesit të

Sipas ministrisë, kjo lloj ndarjeje siguron një ekuilibër të qëndrueshëm ndërmjet promovimit të këtyre investimeve dhe garanton qëndrueshmërinë e sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike.

Revista Monitor,  03.11.2017

Në kuadër të përgjegjësisë shoqërore të Korporatës, KEDS ka filluar projektin e “Efiçiencës së Energjisë Elektrike” me nxënës të shkollave fillore.
Në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës janë përzgjedhur në fazën pilot 4 shkolla.

Nën ligjërimin e studentëve të KEDS Akademisë, lidhur me masat efiçientë që duhet t’i zbatojnë në shtëpitë e tyre, janë pajisur me njohuri të gjithë nxënësit e klasave të katërta të shkollave fillore “Shkëndija” në Hajvali, “Andon Zako- Çajupi” në Bardhosh, “Hilmi Rakovica” në Kodër të Trimave. Pilot projekti përfundon me nxënësit e shkollës fillore “Nazim Gafurri” po në qytetin e Prishtinës.

Nxënësve u është mësuar nga studentët e trajnuar të KEDS Akademisë përdorimi sa më efiçient i të gjitha pajisjeve shtëpiake që funksionojnë me energji elektrike.

Menaxherja e departamentit të komunikimeve në KEDS-së, Naxhije Arifaj ka deklaruar se ky projekt është në vazhdën e shumë projekteve që ka ndërmarrë KEDS-i në fushën e përgjegjësisë shoqërore.

“KEDS ka filluar me projektin për efiçiencën apo kursimin e energjisë elektrike në shkolla, ky projekt është në vazhdën e shumë projekteve të tjera që KEDS është duke i realizuar në fushën e përgjegjësisë shoqërore. Sot është dita e tretë e projektit dhe projekti po shkon mjaftë mirë. Këtë po e vërejmë tek nxënësit të cilët janë shumë të interesuar …Efekti që dëshirojmë të arrijmë me këtë projekt është që t’i mësojmë fëmijët që të kursejnë energjinë elektrike, të vetëdijesohen, pra në kursim, por që këto këshilla t’i bartin edhe tek familjarët e tyre, tek shokët dhe shoqet dhe miqtë e tjerë”, tha ajo.

Arifaj po ashtu tregoi se me qëllim që ligjërata të bëhet më atraktive për nxënësit, ata kanë përfshirë edhe animacione si Elmeni, të cilat do iu ndihmojnë nxënësve që t’iu mbesin në kujtesë më shumë këshillat që KEDS i ka ndarë me ata.

Ndërkaq, mësimdhënësja e shkollës fillore “Hilmi Rakovica”, Pranvera Muqiqi këtë projekt të KEDS-it e ka konsideruar të qëlluar dhe të domosdoshëm për vetëdijesimin e nxënësve për kursimet energjetike.

“Ndryshimet gjithmonë ose tek ne është mirë me filluar që nga rinia, që nga të rinjtë dhe nga ato moshat, të vegjlit që ne i kemi në hapat e arsimimit mos të them vetëdijesimit sepse duhet me u vetëdijesuar edhe ne të rriturit…Mendojë që është shumë e domosdoshme dhe shumë e qëlluar, besoj dhe shpresoj shumë se ka me pas efekt”, tha ajo.

Ligjëruesja e këtij projekti e cila njëherit është edhe studente e KEDS Akademi, Marjeta Dobra tha se qëllimi i këtyre ligjëratave është vetëdijesimi i nxënësve të klasave të katërta lidhur me kujdesin ndaj energjisë elektrike.

Ajo shtoi se kanë synim që përmes fëmijëve të transmetohet mesazhi për efiçiencën e energjisë edhe tek familjarët. “Ne kemi të caktuara katër studente nga KEDS Akademia për t’i ligjëruar nxënësve të klasave të katërta në lidhur me kursimin e energjisë elektrike, t’i vetëdijesojmë ata se si të kujdesin energjinë dhe ta transmetojnë këtë mesazh tek familjarët e tyre. Po ashtu ne po u japim nxënësve disa njohur të përgjithshme në lidhje me energjinë elektrike, se si ajo prodhohet dhe se si na furnizon në shtëpitë tona, po ashtu po i vetëdijesojmë me ndotjen e ambientit në lidhje me ngrohjen globale dhe duke rezultuar kështu me përparësitë e kursimit të energjisë elektrike”, tha ajo.

Ligjëratat kanë qenë interaktive dhe është kërkuar në vazhdimësi edhe aktivizimi i nxënësve, përderisa maskota e përgatitur nga KEDS ka bërë që trajnimi të jetë edhe shumë atraktiv dhe i akceptueshëm për nxënës.

Nxënësja e klasës së katërt, Brisilda Beka, e cila tha se fal Elmenti ajo ka mësuar për ruajtjen e rrymës. “Prej Elmenti kam mësuar se drita nuk duhet t’i lëmë ndezur, makinën e rrobave duhet ta mbushim plotë dhe pastaj ta lëshojmë, derën e frigoriferit nuk duhet ta lëmë hapur vetëm sa na nevojitet dhe gjërat e nxehta në frigorifer nuk duhet t’i lëmë“, tha ajo.

KEDS të njëjtën kohë ka përgatitur edhe borshurën përkatëse që i është shpërndarë të gjithë nxënësve që kanë qenë pjesë e trajnimit.

Telegrafi,  23.10.2017

Edhe pse në një terren të vështirë të krijuar nga thatësira e tejzgjatur dhe shtrenjtimi i importeve të energjisë, Operatori i Shpërndarjes OSHEE mbajti të lartë nivelin e fitimeve dhe për gjashtëmujorin e parë të vitit.

Fitimet e OSHEE për janar-qershor 2017 arritën rreth 4 miliardë lekë ose 29.4 milionë euro me një rënie prej 7 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë raportuese të vitit 2016.

Për shkak të rezultateve pozitive kompania ka paguar tatim fitim në arkën e shtetit 821 milionë lekë ose 6 milionë euro, por kjo shumë ishte 25 për qind më e ulët se vitit të kaluar.

Të ardhurat e OSHEE-se nga shitja e energjisë ishin 26,7 miliardë lekë në nivele të ngjashme me gjashtëmujorin e 2016-es.

Pjesën kryesorë në të ardhura e zunë ato nga shitja e energjisë me 25.6 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat nga kamatëvonesat ishin 523 milionë lekë ose 56 për qind më pak se nga viti i kaluar.

Të ardhurat nga lidhjet e reja kanë çuar një shumë të konsiderueshme në buxhetin e OSHEE-se prej 332 milionë lekësh. Kjo vlere është 8 për qind më e lartë se një viti më parë për shkak të ndryshimit të tarifave për këto shërbime.

OSHEE bleu për gjashtëmujorin e parë 3,277,543 MW/h orë energji po hodhi në rrjet 2,339,250 MW/h pasi niveli i humbjeve vijoi të jetë 28.63 për qind ndonëse në nivele më të ulta se një vit më parë.

Shpenzimet e kompanisë gjithsej ishin 22.6 miliardë lekë  me një rritje prej 2 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Shpenzimet për blerjen e energjisë ishin 14 miliardë lekë ndërsa ato për personelin 5 miliardë lekë.

Revista Monitor,  22.09.2017

Në mungesë të Bordit Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) nuk do ta zbatojë aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, përmes të cilit kërkohet që të shtyhet ekzekutimi i vendimit që energjia elektrike e cila shpenzohet nga qytetarët serbë në veri të Kosovës t’u shpërndahet të gjithë qytetarëve shqiptarë në gjithë Kosovën.

Energjia elektrike e cila shpenzohet në veri të Kosovës edhe më tutje do të shpërndahet nëpër faturat e të gjithë konsumatorëve shqiptarë në gjithë Kosovën, pavarësisht se gjatë javës së kaluar Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë një aktvendim, në të cilin kërkohet nga ZRRE-ja që të shtyhet ekzekutimi i këtij vendimi.

Më 7 prill të këtij viti gazeta “Zëri” duke u mbështetur në fakte kishte raportuar se më shumë se 8 milionë euro energji elektrike, e cila shpenzohet nga serbët në veri të Kosovës, edhe më tutje vazhdon të shpërndahet nëpër fatura të qytetarëve shqiptarë në gjithë Kosovën.

Duke bërë një përllogaritje të thjeshtë del se nga përfundimi i luftës e deri më tash serbët në veri kanë shpenzuar energji elektrike prej më shumë se 100 milionë eurosh, e cila është shpërndarë nëpër faturat e qytetarëve shqiptarë në gjithë Kosovën.

Gazeta “Zëri” për këtë çështje i ka dërguar pyetje Zyrës për Medie të ZRRE-së, por nuk ka arritur të marrë përgjigje nga ta.

Por burime të besueshme të gazetës “Zëri” brenda këtij institucioni bëjnë të ditur se një vendim i tillë i Gjykatës nuk do të zbatohet, pasi që Bordi i ZRRE-së është jofunksional.

Më tutje burimet brenda këtij institucioni kanë bërë të ditur se ZRRE-ja do ta apelojë aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës. “Vendimi i Gjykatës në asnjë formë nuk mund të zbatohet sepse Bordi i ZRRE-së qe një kohë të gjatë është jofunksional. Por, për të bërë ndryshime në fatura duhet edhe kohë”, ka thënë burimi i besueshëm i gazetës brenda ZRRE-së.

Gazeta Zëri,  18.09.2017

Të gjithë operatorët e tregut të energjisë duhet të paguajnë pranë Entit Rregullator të Energjisë një pagesë që njihet si pagesa e rregullimit. ERE publikoi së fundmi një draft mbi mënyrën sesi do të llogartiet kjo pagesë për secilin prej tyre.

Procedura për operatorët

Sipas ERE të licensuarit në zbatim të neneve 45 e 46 te Ligjit 43/2015 “Për Sektorin e Energjisë Elektrike” dhe të kushteve të licensës depozitojnë në ERE deri me datë 31 Janar te vitit pasardhes pasqyra të plota për vitin e mëparshëm ushtrimor e më tej deri në datë 30 Qershor kopje të audituar të pasqyrave financiare të periudhës së mëparshme nga ku rezulton informacioni mbi të ardhurat e realizuara nga aktiviteti i licensuar që do të perdoren në llogaritjen e pagesave të rregullimit. Nga ana tjetër pagesat e rregullimit duhet te miratohen deri ne 15 Dhjetor te vitit aktual

Si llogaritet pagesa

Në draft Enti nënvizon se pagesat e rregullimit do të llogariten bazuar në peshën specifike që zënë të ardhurat e realizuara në vitin paraardhes nga aktitviteti i ccdo të licensuari ndaj totalit te të ardhurave të sektorit  të energjisë elektrik(pika 6.1). Kjo pagesë për secilin të licensuar është e barabartë me produktin e peshës specifike të llogaritur sipas pikës 6.1 me vleftën për t’u shpërndarë, buxhetin e ERE-s ( pasi të jenë zbritur pagesat fikse nga licensimit ) të percaktuar sipas pikës 1 të nenit 17 të Ligjit Nr. 43/2015 “Për Sektorin e Energjisë Elektrike”.

Nga ana tjetër shoqëritë e licensuara në aktivitetin e prodhimit, furnizimit dhe tregëtimit të energjisë elektrike që në vitin paraardhës nuk kanë pasur aktivitet, pagesa e rregullimit do të jete një shume fikse. Në rastet kur ndonjë shoqeri e licensuar nuk ka paraqitur pasqyrat financiare , sicc parashikon neni 46 i Ligjit 43/2015 “Për Sektorin e Energjisë Elektrike”, atëherë ERE do të përllogaritë këtë pagesë mbi bazën e vleresimeve nga të dhena të marra nga Publikime Zyrtare.

Revista Monitor,  12.09.2017

Operatori i Sistemit të Transmetimit të Energjisë nuk derdh fitimet në arkën e shtetit që prej vitit 2011. Konstatimi vjen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ka audituar financat e këtij institucioni në fillim të vitit 2017.

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit vlerëson se të ardhurat e munguara në buxhet nga OST për vitet 2011-2015 arrijnë në më shumë se 846 milionë lekë, afërsisht 8 milionë dollarë.

KLSH nënvizon në raport se Ministria e Zhvillimit Ekonomik, e cila ka në pronësi Operatorin e Transmetimit, më 5 shkurt 2016 i ka kërkuar Këshillit Mbikëqyrës marrjen e masave të menjëhershme për likuidimin e vlerës duke caktuar një skedul likuidimi.

Ndërkaq, deri në fund të vitit 2016 OST nuk ka llogaritur asnjë kamatë vonesë ndaj OSHEE për detyrimin që ajo ka ndaj OST SH.A për shërbimin e transmetimit, detyrim i cili deri në 31.12.2016 është 8,6 miliardë lekë.

Ndërkohë që kamatëvonesa e detyrimeve për vitin 2016 e llogaritur nga grupi i auditimit deri në fund të periudhës së auditimit është 292 milionë lekë.

Scan Tv,  11.08.2017

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka bërë me dije se zonat bregdetare të vendit po furnizohen rregullisht.

Nga të dhënat e fundit rezulton se të gjithë fidrat që furnizojnë këto zona janë në punë, përfshirë ata që mbajnë me energji institucionet e rëndësisë së veçantë.

OSHEE bën me dije se për jugun po përdor fuqi shtesë, pasi ka vendosur një nënstacion të lëvizshëm në Borsh, rasti i dytë ky pas atij të Himarës vitin e kaluar.

Top Channel,  11.08.2017

Enti Rregullator i Energjisë ka rrëzuar kërkesën e katër operatorëve të telefonisë celulare në vend për trajtimin me çmim preferencial.

Më 24 prill 2017, Telecom Albania, Vodafone Albania., Plus Communication dhe Albtelecom i janë drejtur entit me një shkresë ku i kërkojnë që në kategoritë e çmimeve të furnizimit të shtohet një kategori e veçantë për operatorët e shërbimeve publike të komunikimeve elektronike dhe të zbatohen tarifa për këta sipërmarrës me nivele më të ulëta se tarifat që aplikohen aktualisht.

Sipas kërkesës së operatorëve celularë, në çdo rast çmimi të mos ishte më shumë se 9.5 lekë/KWh. Por Enti Rregullator është përgjigjur se kërkesa nga ana e operatorëve nuk mund të merret parasysh, pasi ligji u jep subjekteve që pretendojnë rishikim të çmimit vetëm 7 ditë kohë për të paraqitur kërkesë për rishikim.

“Kërkesa për rishikimin e vendimit të ERE-s nr. 148, datë 26.12.2014, është përcjellë jashtë afateve të parashikuara në ligj e si e tillë është parashkruar”, thekson Enti në përgjigjen për operatorët celularë.

Scan Tv,  10.08.2017