info@energjia.al

Të gjithë të interesuarit për të qenë pjesë e stafit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike mund të bëjnë një aplikim pranë portalit të punësimit online pranë këtij institucionit.

Duke klikuar këtu, ju mund të verifikoni në kohë reale pozicionet e lira të punës dhe afatet e aplikimit. Vendet e lira të punës i takojnë zakonisht profesionit të elektricistit/teknikut të mesëm, inxhinierit elektrik në transportin dhe shpërndarjen e energjisë, si edhe profesione të tjera si specialist prokurimi ose jurist.

OSHEE shprehet se informacioni, i dhënë nga qytetarët duke u regjistruar dhe aplikuar online për t‘u punësuar, do të përdoret nga OSHEE Sh.A. për të vlerësuar aplikimin për punësim dhe për të mbështetur çdo marrëdhënie të mëtejshme mes individit dhe OSHEE.

Pavarësisht se aktualisht nuk listohen pozicione të lira, ju mund të plotësoniduke klikuar këtu gjeneralitetet e kërkuara së bashku me CV, në mënyrë që të shprehni interesin tuaj për punësim. OSHEE do të ruajë informacionin tuaj deri në një vit pas përditësimit të fundit dhe mund ta përdorë atë edhe për vlerësimin e kandidaturës tuaj për pozicione të tjera punësimi brenda kompanisë.

Scan Tv,  10.10.2017

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, do të realizojë brenda muajit tetor blerjen e energjisë përmes platformës së prokurimit online.

Drejtori i Shitjes dhe Tregtimit të energjisë në OSHEE, Elton Sevrani, gjatë një interviste dhënë gazetarit të TCH, Donald Jorgoni, shpjegoi se jemi në fazën finale të prezantimit të kësaj platforme.

“OSHEE ka disa muaj që ka hapur procedurën për krijimin e një platforme online.

Jemi duke testuar platformën me të gjithë subjektet pjesëmarrëse në tregun e energjisë, rreth 12, për të parë si do funksionojë kjo platformë.

Brenda muajit tetor, të detyruar dhe nga vendimi i fundit i ERE ne do të realizojmë blerjen e energjisë me platformën online”, ka deklaruar Sevrani.
Lidhur me procedurat e funksionit të kësaj platforme, drejtori i shitjes dhe tregtimit të energjisë ka shpjeguar se, të gjithë subjektet do të dërgojnë ofertat e tyre pas njoftimit nga

OSHEE të publikuar në kalendarin mujor e vjetor që do jetë në website e saj.

“Brenda një kohe shumë të shkurtër ne do të kemi ofertat që shpresojmë se do të jenë më efikase dhe më të shpejta dhe me cmim më të mirë se procedurat që ne realizojmë sot”, nënvizon drejtori i shitjes dhe tregtimit të energjisë në OSHEE, Elton Sevrani.

Në planet afatgjatë, platforma online e blerjes së energjisë elektrike, do ti mundësojë kompanisë OSHEE, si pjesëmarrëse në bursën ndërkombëtare, të tërheqë më shumë ofertues dhe nga tregjet ndërkombëtare.

energjia.al  15.09.2017

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është në pritje të fondeve buxhetore për përballimin e importeve për muajt në vazhdim. Gjithsesi OSHEE-ja është e përgatitur për çdo situatë, por mbështeja buxhetore do të lehtësonte financat e kompanisë, e cila për muajt e verës ka harxhuar gati 80 milionë euro për blerje energjie.

“Ne jemi në pritje të konfirmimit. Vendimit i Këshillit të Ministrave ka dalë për një mbështetje financiare të sistemit, ku po bëhet ndarja sa i përket pjesës që do të mbështetet nga KESH, nga OSHEE, si dy aktorët kryesorë të vendosur në një pozitë të vështirë financiare për shkak të situatës së vështirë hidrike. Ne shpresojmë që ta kemi këtë mbështetje”, tha Elton Sevrani, nga divizioni tregtar i OSHEE-së.

Qeveria ka ndryshuar buxhetin me një akt normativ për të mbështetur me rreth 3 miliardë lekë sektorin e energjisë në këtë situatë të vështirë klimatike, ndërkohë vet OSHEE-ja po bën kolaudimet e fundit për zhvillimin e tenderave me platformën “online”.

Për tetorin, sasia e energjisë që do të importohet do të jetë mbi 20 milionë euro.

“Kjo i hap mundësi OSHEE-së që me këtë platformë të tërheqë më shumë ofertues, të ketë më shumë oferta edhe nga tregjet ndërkombëtare, dhe i krijon mundësinë Shqipërisë që aktualisht ne të kemi një platformë elektronike, që në të ardhmen mund të jetë pjesë integrale e tregjeve ndërkombëtare. Gjë që i paraprin edhe hapjes së bursës, që shpresojmë të bëhet rreth vitit të ardhshëm”, tha më tej Elton Sevrani.

Në platformën “online” OSHEE-ja njofton blerjen e energjisë dhe kompanitë që janë të regjisitruara, secila në llogari më vete, bëjnë ofertat në kohë reale.

Top Channel,  10.09.2017

Subjektet minerare në vend kanë detyrimin e vetëdeklarimit online të tremujorëve në zbatim të një urdhri të miratuar vitin e kaluar nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë. Në një njoftim të saj Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës bën me dije se afati i fundit për deklarimin e tremujorit të dytë 2017 është 15 korriku dhe kjo duhet të respektohet nga të gjithë subjektet që operojnë në sektorin minerar.

Njoftimi i AKBN

Në vijim të detyrave që kanë subjektet e pajisura me leje minerare në zbatim te Ligjit Nr. 10304 datë 15.7.2010, “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar,  veçanërisht  të Urdhrit të Ministrit 201, datë 20.6.2016, “Për miratimin e formës së informacioneve tremujore, vjetore përfundimtare dhe përmbajtjen e planit vjetor të punës nga ana e zotëruesve të lejeve minerare të shfrytëzimit me karrierë  për grupin e mineraleve ndërtimorë”, (Urdhëri nr. 202 për mineralet metalorë), në zbatim të këtij urdhri,  rikujtojmë subjektet minerare që të respektojnë afatin kohor për vetdeklarimet online. Afati i vetdeklarimeve për  tremujorin e dytë të vitit 2017, është nga data 1-15 Korrik 2017.

Për çdo paqartësi dhe informacion të nevojshëm, subjektet janë të lutur të kontaktojnë specialistët e Sektorit të Koordinimit të Produktit Final në Drejtorinë Minerare

Urdhri, 100 mijë lekë gjobë

Në 20 qershor 2016 Ministria e Energjisë nxorri një urdhër që detyron subjektet minerare të vetëdeklarojnë online për aktivitetin e tyre tremujor dhe atë vjetor. Në rast se kjo nuk respektohet atëherë ndaj subjektit që nuk ka përmbushur detyrimin vendosen masa administrative.

“Formati i informacionit tremujor për veprimtarinë minerare të realizuar nga zotëruesi i lejes minerare të realizuar nga zotëruesi i lejes minerare të shfrytëzimit për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret, bitumet, duhet të jenë në përputhje me formatin e përshkruar në aneksin 1 të këtij urdhri. Ky informacion duhet të dërgohet online pranë institucionit të Agjencisë Kombëtare të Burimeve të Natyrës jo më vonë se data 15 e muajit që vijon çdo tremujor kalendarik vjetor. Mosdergimi në afat i këtij informacioni dënohet me masën administrative gjobë prej 100 mijë lekësh për çdo shkelje në përputhje me nenin 45 pika ç e ligjit nr. 10 304 datë 15.07.2010 ‘Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë’,  të ndryshuar” thuhet në urdhrin e ministrisë.

Situata 2016

Raportimi online filloi në vitin 2015 në mënyrë vullnetare për subjektet minerare. Deri në fund të 2015 nga 645 subjekte online raportonin vetëm 225.

Situata duket të ketë ndryshuar dukshëm në vitin 2016 kur nga 685 subjekte që ushtrojnë aktivitetin në sektorin minerar deklaruan 566.

Revista Monitor,  13.07.2017

Përfaqësues të Ministrisë së Energjisë e Industrisë dhe drejtuesit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike zhvilluan sot një takim konsultativ me grupet e interesit në kuadër të prezantimit të draftit të rregullores së re për procedurat e blerjes së energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjetet e shpërndarjes dhe transmetimit. Qëllimi i kësaj rregulloreje është përcaktimi i procedurave transparente, eficente dhe praktike për kompanitë e energjisë elektrike për blerjen e energjisë elektrike nga tregtarët; sigurimi i blerjes i blerjes së energjisë elektrike me çmime sa më të ulëta; nxitja e pjesëmarrjes së tregtarëve në procesin e blerjes së energjisë elektrike; nxitja e konkurencës në procesin e blerjes së energjisë elektrike dhe sigurimi i transparencës e një trajtimi të barabartë për të gjithë tregtarët dhe pjesëmarrësit në procedurat e blerjes së energjisë elektrike.

Revista Monitor,  03.02.2017

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri shoqëruar nga Administratori i OSHEE-së Adrian Çela promovuan sot një prej shërbimeve më të reja të kompanisë në fushën e Kujdesit ndaj Klientit.

OSHEE ka filluar vendosjen në qendra publike dhe tregtare të pajisjeve të quajtura “Infokioska”. Ato janë konceptuar si ‘sportele’ vetëshërbimi që garantojnë një sistem të sigurtë, transparent, të shpejtë dhe efektiv. Përmes këtyre pajisjeve elektronike, qytetarët në kohë reale munden të njihen me faturat e energjisë, të paguajnë faturat online, të njihen me statusin e ankesë/kërkesave të tyre ose të depozitojnë një të tillë. Kjo pajisje praktike dhe lehtësuese për abonentët, mundëson marrjen e informacioneve në kohë reale, duke evituar radhët e gjata pranë Qendrave të Kujdesit ndaj Klientit (KNK).

Ministri Gjiknuri deklaroi se përmirësimi i situatës financiare të sektorit dhe të vet kompanisë përkthehet në shërbime më të mira për qytetarët.

“Shërbime më të mira për sa i përket furnizimit me energji që kërkon kohën e vet, vite dhe investime. Pse jo edhe me pak para, të përmirësojmë bazën e shërbimit me klientin. Konsumatori shqiptar, sa më shumë i bashkohet formalizimit të tij në sistem, aq më tepër kërkon shërbim cilësor. Qëllimi ynë është pikërisht që të ofrojmë shërbime alternative dhe korrekte përmes formave moderne online”, theksoi ministri.

Sipas tij, është me shumë rëndësi që qytetarët të fillojnë ta ndjejnë kompaninë si të tyren. “Në fund të fundit, duhet të jetë e qartë se kjo është kompania e të gjithë shqiptarëve. Të gjitha masat e qeverisë shqiptare kanë patur për qëllim që qytetarët shqiptarë ta ndjejnë veten si aksionerë të kësaj kompanie, të këtij aseti kombëtar. Çdo pagesë e tyre e rregullt përkthehet në investime për furnizimin dhe përmirësimin e shërbimit”, u shpreh ministri.

Administratori i OSHEE-së sqaroi se gjatë këtij viti janë hedhur hapat e para për modernizimin e shërbimit ndaj klientit dhe viti 2016 do të shënojë një ndryshim edhe më të dukshëm.

“OSHEE e ka në fokusin e saj gjithnjë e më tepër përmirësimin në mënyrë të dukshme të marrëdhënies me klientin. Gjatë këtij viti kompania mori disa nisma për krijimin e kompanive alternative për shërbimin e pagesës si përmes telefonit, pikave të këmbimit valutor etj. Në këto sportele ka rritje të ndjeshme të veprimeve nga abonentët. Vetëm në muajin tetor u regjistruan 120 mijë pagesa nga sportelet ndërsa nga shkurti janë mbi 820 mijë pagesa në formë elektronike”, u shpreh Çela.

Infokioskat, sqaroi Çela, si produkti më i ri po vendosen së pari në Tiranë, Durrës dhe Elbasan. “Synimi është që brenda Janarit të shtrihemi në të gjithë territorin e Shqipërisë. E nisëm me këto tre qytete pasi këtu kemi filluar edhe me shërbimin online në të njëjtën kohë. Në këto sportele qytetarët mund të marrin informacion për faturën, të paguajnë direkt faturën me kartë krediti, të marrin informacion për ankesat e tyre ku kanë ngelur. Në këtë formë rritet transparenca dhe punonjësi i kompanisë është përpara një monitorimi edhe më të madh”, sqaroi Çela.

energjia.al 03.12.2015

Janë rreth 428 mijë fatura energjie, me një vlerë totale prej rreth 1.3 miliardë lekë, që konsumatorët e energjisë e energjisë kanë preferuar të paguajnë përmes kanaleve alternative online, sipas të dhënave nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).

Që prej shkurtit 2015, kur nisi projekti për pagesat në rrugë alternative, si nevojë për të shmangur radhët e gjata dhe për të krijuar lehtësi për konsumatoret, ka pasur një interes të shtuar të këtyre të fundit.

Volumi më i lartë i pagesave është kryer në qershor dhe korrik, përkatësisht me 284 dhe 200 milionë lekë, nga vetëm 47 milionë lekë që ishte fluksi i pagesave në shkurt.

Revista Monitor,  01.09.2015

Deklaratë e administratorit të përgjithshëm, z.Adrian Çela!

Përshëndetje,

Jam sot përpara jush për të njoftuar se kemi filluar shpalljen e vendeve vakante të pozicioneve të ndryshme pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

I bëj thirrje të gjithë inxhinierëve, elektricistëve, specialistëve të mesëm e të lartë në fushën e energjisë elektrike të aplikojnë për tu bërë pjesë e strukturave të OSHEE.

Për këtë qëllim, ne kemi vënë në funksion një portal special online permes të cilit mund të bëhen aplikimet. Për çdo vend vakant kemi publikuar specifikimin e përshkrimit të detyrës që ofrohet dhe çdokush që është i interesuar të jetë pjesë e ekipit të OSHEE, i përkushtuar, i ndershëm dhe i ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka pozicioni të aplikojë përmes faqes zyrtare www.oshee.al.

Ne kemi ngritur komisionet e rekrutimit, të cilët do të administrojnë CV-të që do të ngarkohen në faqen e internetit nga aplikantët. Procedurat për të aplikuar janë të qarta, të shpallura në faqen e internetit.

Theksoj edhe një herë që në OSHEE do të gjejnë vend për të punuar vetëm ata që janë të bindur për misionin tonë të reformës kundër abuzimeve, vjedhjes së energjisë dhe të ofrimit të shërbimeve sa më cilësore.

Përfitoj sërish nga rasti për të falënderuar edhe njëherë të gjithë qytetarët shqiptarë që po përgjigjen pozitivisht duke paguar detyrimin e tyre për energjinë elektrike.

Klikoni për të kaluar tek PORTALI I PUNËSIMIT

energjia.al 17.12.2014

Agjencia e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (AKEE) dhe projekti i BE-së ‘Promovimi i Efiçiencës së Energjisë dhe Burimeve të Ripërtëritshme në Kosovë’ (EERES) ka themeluar një Platformë Komunikimi që do t’i mundësojë zyrtarëve komunal të shkëmbejnë informatat mbi Efiçiencën e Energjisë (EE) online.

Prezantimi i platformës vjen në kohën kur komunat po punojnë drejt hartimit të Planeve Komunale për Efiçiencë të Energjisë. Planet do të ofrojnë një pasqyrë reale të fushave ku duhet intervenuar në nivel lokal.

Platforma e Komunikimit EE iu mundëson anëtarëve të shkëmbejnë në formë të sigurt informata dhe praktikat më të mira, por gjithashtu edhe të komentojnë dhe shkëmbejnë ide në një hapësirë të sigurt në internet.

Në prezantimin e platformës do të jenë përfaqësuesit e AKEE dhe të projektit EERES. Kjo do të përcjellet nga një seancë trajnimi në praktikë për përdorimin e platformës.

Agjensia e lajmeve ekonomia, 26.11.2013

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e e-doganave. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Ministri i Financave Bode, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave z. Gjymyshka dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Drejtorisë së Doganave. E-dogana është një investim me vlerë 80 mijë dollarë dhe me këtë investim tashmë çdo biznes paguan nga zyrat e veta.
Në total investimet për modernizimin e doganave kanë shënuar 180 milion euro, prej të cilave 28 milion për modernizim dhe 80 milion euro në infrastrukturën doganore, të cilat kanë bërë të mundur përfitimet për rritjen e nivelit të të ardhurave rreth 2 herë krahasuar me vitin 2005, uljen e nivelit të kontrollit fizik pas implementimit të sistemit të skanimit nga 100 përqind në 2005, në 10 përqind në 2012 me tendencë ulje të mëtejshme. Ky sistem sjell uljen e kohës së zhdoganimit (qëndrimi i mallrave në doganë), nga 457 minuta në vitin 2011 në 206 minuta në 2013. Me zbatimin e këtij sistemi vjen reduktimi i dokumenteve në eksport nga 7 në 3 dhe import nga 8 në 4 dhe rritja e transparencës ndaj biznesit. Rritjen e transparencës nëpërmjet krijimit të portalit ku çdo biznes mund të konstatojë të gjitha stadet e deklaratës dhe nivelin e kontrollit si dhe mundësia e marrjes së informacionit nëpërmjet fletores zyrtare të pasqyruar në faqen tonë të web-it. Gjithashtu ky sistem sjell edhe rritjen e nivelit te kontrollit për efekt sigurie.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha ka vlerësuar si mjaft të rëndësishëm këtë sistem, duke u shprehur se modernizimi i shërbimit doganorë, ndikon në rritjen e madhe të transparencës në këtë shërbim, në shkurtimin e kohës, në pagesa dhe renditjen e doganave të vendit në nivelet më të larta të shërbimeve teknologjike.
Gjatë fjalës së tij Kryeministri Berisha u shpreh:
“I nderuar zoti ministër.
Zoti drejtor i Përgjithshëm i Doganave.
Të dashur punonjës dhe punonjëse të sistemit të doganave të vendit.
Së pari një përshëndetje të përzemërt, ju punonjësve të doganave të Shqipërisë. Përshëndetje të përzemërta Endrit, Arlindës, të gjithë ekipit, Drejtorit të Përgjithshëm z. Gjymyshka, Kombeve të Bashkuara dhe të gjithë atyre, që me përkushtim bënë të mundur sot një hap jashtëzakonisht të rëndësishëm në modernizimin e shërbimit tonë doganorë, në rritjen e madhe të transparencës në këtë shërbim, në shkurtimin e kohës, në pagesa dhe renditjen e doganave të vendit në nivelet më të larta të shërbimeve teknologjike. Unë sapo vizitova me ministrin sallën në të cilën ju ushtroni një kontroll on line në të gjitha pikat doganore nga kjo sallë, në një projekt tjetër të shkëlqyer, që edhe vlerësimi të mund të bëhet se shpejti nga kjo sallë për të gjitha mallrat që vijnë.
Zonja dhe zotërinj.
Asgjë nuk pasqyron shteti më shumë se dogana. Dogana është një institucion themelor i krijuar me krijimin e shtetit, është porta e hyrjes së tij dhe vendit. Unë kam kënaqësinë të konstatoj përmirësime thelbësore që ju keni bërë gjatë këtyre viteve. Përmirësime, të cilat janë pasqyruar së pari në një qëndrim të ri të publikut dhe biznesit ndaj jush, me një emër të mirë, pasqyruar në performancën tuaj në tërësi. Hapa të mëdha janë arritur gjatë këtyre viteve. Është reduktuar në 10 përqind kontrolli për riskun. Janë reduktuar në shkallë maksimale referencat . Inaugurua pak ditë më parë, një nga komplekset më moderne, që siç do të më thoshte një mik italian për doganën e Tiranës të inauguruar në Vorë, vepër kjo e një partneriteti publik-privat.
Të dashur miq.
Asgjë nuk ecën më shpejt se koha dhe më e rëndësishmja është stacioni në të cilin ke arritur ta konsiderosh veçse një mundësi më shumë për të përmirësuar më tej, për të përballuar sfida të tjera. Ndaj dhe ju inkurajoj të bëni gjithçka për të aplikuar shkallën më të lartë të teknologjisë së informacionit të sotëm dhe të asaj që vjen. Të bëni gjithçka për marrëdhëniet absolute më transparente me biznesin. Të dëgjoni me vëmendje zërin e tij. Platforma jonë është klima më miqësore e mundshme ndaj biznesit. Në këtë kontekst kërkesat e biznesit duhet të shqyrtohen me seriozitetin më të madh. Biznesi e kupton njëlloj si ne se, që referencat janë një mbrojtje për të, por biznesi nuk kupton pse duhet të jenë referencat në fuqi për vendet anëtare të Bashkimit Europian, pasi nëpërmjet euro-doganës ne mund të gjejmë çdo lloj dokumenti. Referencat me Bashkimin Europian janë hequr dhe kjo është një gjë e mirë, kjo ka qenë një nga kërkesat e biznesit. Ne do të bëjmë çdo gjë që kemi të mundur për biznesin. Ne qëndrojmë për ta ndihmuar atë dhe kjo është një gjë pozitive. Unë e kuptoj se mund të behët edhe ndonjë hile, por përqindja është aq e vogël sa nuk ia vlen të merremi me penalizimin e një morie të tërë biznesmenësh, të cilët tregtojnë me vendet e Bashkimit Europian dhe heqja është për tu përgëzuar.
Ndërtuam kompleksin madhështorë, me të vërtet një kompleks ndër më të mirët që mund të ekzistojë. Është e domosdoshme zoti Drejtor i Përgjithshëm dhe zoti Drejtor i Doganës së Tiranës, të uleni me shoqatën e transportuesve, nuk mund të nënvlerësohen ata. Ata janë burra, të cilët mbajnë Shqipërinë mbi supe, lëvizin miliona e miliona ton mall në vit dhe ne duhet të dëgjojmë mirë dhe ne duhet të arrijmë në ujdi me ta, ne duhet të jemi shërbëtorë të tyre dhe duhet tu krijojmë atyre kushtet më optimale. Ndaj dhe mundësish sa më shpejt të uleni bashkë me ta dhe gjatë bashkëbisedimit të nxirrni se cilat janë shqetësimet dhe ti ballafaqoni gjërat.
Ju them një gjë të dashur miq. Çfarë konstatoj? Konstatoj që kudo qytetarët, biznesmenët janë shumë vlerësues dhe të bëhet qejfi kur biznesmeni flet dhe thotë se doganat kanë bërë përmirësim të jashtëzakonshëm. Po. Kanë bërë. Shërbimet e Ministrisë së Financave kanë bërë transformime të mëdha dhe nuk është pak, është gjë e madhe kjo, por ama të mos harrojmë se djalli qëndron në detaje dhe në detaje, ne duhet të merremi derisa të bëjmë gjithçka të funksionojë si duhet, të mos injorojmë ankesat, te ulemi të përmirësojmë sa më shumë shërbimet. Gjërat më të mëdha ne i kemi bërë.
Sot është një ditë e veçantë për vendin, sepse vendoset pagesa on line dhe Shqipëria është nga vendet e pakta që e vendos këtë sistem dhe e falenderoj shumë qendrën e OKB në Gjenevë ,e cila iu përgjigj kërkesës sonë në një kohë shumë të shkurtër dhe beri të mundur bashkë me ekipin, realizmin e projektit. Gjatë këtyre kohëve të fundit janë vendosur një seri shërbimesh elektronike në Ministrinë e Drejtësisë, në Hipoteka, në Ministrinë e Punës, në tatime dhe sektorë të tjerë, është portali i qeverisë, në të cilën qytetari mund të marrë të gjitha këto shërbime direkt në internet.
Shqipëria dixhitale është sot një projekt real, një projekt që preket nga qytetarë. Shqipëria dixhitale është një projekt, i cili u bë i mundur nga angazhimi i madh i qeverisë në qindra projekte, shtrirja e internetit në të katër anët e vendit, rritja e fluksit të tij me 1300 herë, ulja me 3 deri ne 5 herë e çmimeve në telefoninë celulare dhe kalimi në teknologjinë 3G. Por ky vrap nuk do të ndalet. Katër vjeçari që vjen, Shqipëria do të bëjë gjithçka për tu shndërruar në një vend lider në Rajon në teknologjinë e lartë. Kjo do të sjellë shumë me tepër investime në Shqipëri, kjo do të rrisë reputacionin e vendit dhe natyrisht do të rrisë në mënyrë shumë të madhe transparencën e të gjithë veprimtarive, e të gjitha shërbimeve në vend.
Edhe njëherë ju uroj shumë suksese. I garantoj biznesmenët se ne nuk heqim dorë, përkundrazi pas kaq vitesh ne jemi më të bindur se kurrë, se ulja e mëtejshme taksave është rruga më e sigurtë e suksesit të biznesit. Se ulja e mëtejshme e taksave është rruga më e sigurtë, e punësimit të shqiptarëve. Se ulja e mëtejshme e taksave është rruga me e sigurtë, për zhvillimin e shpejtë të Shqipërisë. Në një hark kohor të shkurtër 6 vjeçar, të ardhurat në këtë vend me filozof i taksa të ula kanë qenë 9.2 miliard dollarë më shumë. Por nëse të ardhurat janë rritur në mënyrë kaq të ndjeshme ,janë rritur sepse në një proporcion edhe më të madh janë rritur bizneset. Para nesh qëndron një analfabet në taksa. Unë kam respekt për analfabetët se është përgjegjësi e shoqërisë, por nuk është përgjegjësi e imja pse nuk njeh taksat ai, nuk është detyra e kryeministrit ti mësojë kryetarit të opozitës për taksat, sepse kjo nuk ndodh. Nuk luhet me taksat, një ditë vjen para kryeministrisë me uniforme ceremoniale dhe proteston pse e detyrova të ulë taksat, ditën tjetër thotë se 95 përqind e shqiptarëve nuk do të paguajnë taksa. Një mashtrim i paskrupullt i tipit të kohës së vjet. Gjenerata ime u rrit ndër një propagandë, e cila deklaronte çdo ditë se jemi vendi i vetëm pa taksa në botë. Me majë të lapsit, ishim të vetmit qytetarë që punonim 8 muaj në vit për shtetin , kjo ishte e vërteta e atij sistemi pa taksa. Por unë kam besim në mençurinë biznesmenëve , kam besim në arsyetimin e tyre, se këto bukëvale do t’ia lanë në autobusin e tij. Edhe njëherë ju përgëzoj shumë përzemërsisht, ju uroj të vazhdoni. Sukseset që ju keni arritur janë shumë të rëndësishme për vendin. Reputacioni që ju keni krijuar është shumë i rëndësishëm për vendin dhe për shtetit.

energjia.al, 30.05.2013