info@energjia.al

Skandali ”Dieselgate”, ku u përfshinë rreth 100 milionë automjete në Evropë, ka shkaktuar vdekjen e 5 000 personave në vit.

Sipas një hulumtimi të realizuar nga Instituti Norvegjez i Meteorologjisë dhe i Analizës së Sistemeve të Aplikuara  rezulton se ka pasur një rritje te konsiderueshme në normat e vdekshmërisë në Evropë.

”Të paktën 10 mijë vdekje të foshnjave në Evropë kanë lidhje drejtpërdrejtë me ‘Dieselgate” sipas hulumtimit.

Gjithashtu theksohet se në mesin e vendeve evropiane, Italia, Gjermania dhe Franca për shkak të numrit të madh të popullsisë dhe përdorimit të automjeteve me naftë janë vendet të cilat janë prekur më shumë nga gazrat e çliruara nga automjetet.Ndërsa vendet e prekura me pak janë Norvegjia, Finlanda e pjesa greke e Qipros.

Skandali shpërtheu në shtator të vitit 2015 pas deklaratës se ”Volkswagen”se  kishte raportuar gabim normat, ndërsa ishte bërë e ditur se edhe kompanitë te tjera kishin aplikuar metoda të ngjashme të emetimit të naftës.

Vizion Plus,  19.09.2017

Gjiganti francez i prodhimit të automjeteve PSA (PSA Peugeot Citroën) mund të përballet me një gjobë prej 5 miliardë eurosh pasi akuzohet se ka shitur rreth 2 milionë automjete me motor diesel të modifikuar.

Sipas njoftimeve mediake, prodhuesi francez ka shitur në vitet 2009- 2015 afro 2 milionë automjete diesel me pajisje që mashtron mbi nivelin e ndotjes.

PSA e i ka mohuar akuzat, ndërkohë që prokurorët francezë kanë nisur hetimin.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  1409.2017

Prej disa vitesh, Shqipëria është përfshirë në zhvillime të vrullshme urbane, gjë që është shoqëruar me një faturë jo të vogël në planin mjedisor.

Statistikat e fundit nga Forumi Ekonomik Botëror e rendisin Shqipërinë në 5 vendet e para që janë më të rrezikuar nga ndotja. Sipas këtyre statistikave, shkalla e vdekshmërisë përsa i përket ndotjes së ajrit për 100 mijë banorë është 171.4, pra afërsisht 5,000 qytetarë shqiptarë në vit rrezikojnë vdekjen nga ky shkak.

Ky Forum liston 10 vendet me risk më të lartë duke nisur nga vendi i dhjetë me Serbinë, e ndjekur më sipër nga Rumania, Ukraina, Sierra Leone, Kina, Shqipëria, Bullgaria, Bosnje Hercegovina, Koreja e Veriut dhe në vend të parë Gjeorgjia me 292.3 vdekje.

Në Shqipëri 44% e emetimeve të gazeve serrë vijnë nga sektori energjetik, sipas të dhënave nga Forumi Ekonomik Botëror.

Edhe pse kontributi i Shqipërisë në shkarkimet e gazrave serrë është rreth katër deri në pesë herë më i ulët se nivelet mesatare ndërkombëtare, me një mesatare të llogaritur prej 9,4 milion ton/vit të gazit karbonik Co2, këtyre të dhënave mund t’u gëzohemi për shumë pak kohë, nëse ne nuk kemi politika të forta për çështjet klimatike, sugjerojnë ekspertët.

Sipas të dhënave më të fundit që Ministria e Mjedisit ka vënë në dispozicion të AgroWeb.org, rezulton se energjia dhe transporti, të ndjekura nga bujqësia dhe sektori i mbetjeve janë kontribuuesit më të rëndësishëm në emetimit e gazit serrë në Shqipëri.

Scan Tv,  15.06.2017

Cilësia e ajrit në Tiranë këto ditë ka njohur një përmirësim të ndjeshëm si pasojë e sheshit “Skënderbej”.

Nga monitorimi i cilësisë së ajrit urban rezulton se vlera mesatare e monitoruar në këtë periudhë është  42.88 µg/m³, nga 40 µg/m³ që është norma vjetore e BE. Krahasuar me periudhën e monitoruar më parë konstatohet qartësisht se ka një ulje të nivelit të PM10.

Ndërsa numri i ditëve që tejkalojnë normën ditore  prej 50 µg/m³ në këtë stacion, është vetëm 3 ditë  nga 16 ditë të monitoruar.

Sheshi “Skënderbej” ka rritur në mënyrë të ndjeshme cilësinë, kjo, si rrjedhojë e disa elementeve pozitive që projekti përmban: si shitimin e sipërfaqes së gjelbra, ndalimin e automjeteve, shatërvanët etj. Sheshi ofron 32 000 metra katrorë oaze e pyll urban me bimësi. Ato janë të mbjella në rreth 11 lulishte, ku janë mbjellë 2,220 pemë, 4,500 shkurre dhe 70,000 lule. Sheshi është i pajisur gjithashtu me rreth 100 shatërvanë të cilat përveç aspektit estetik do të shërbejnë edhe për freskinë gjatë periudhës së nxehtë. Ky shesh është në fakt një risi për vendin tonë edhe në aspektin ekologjik, duke shfrytëzuar ujin e shiut në sistemin e vaditjeve dhe shatërvanëve.

Ora news,  14.06.2017

Shqipëria ka një nivel në shkarkimet e gazrave serë rreth katër deri në pesë herë më të  ulët se nivelet mesatare ndërkombëtare, me një mesatare të llogaritur prej 9,4 milionë ton/vit të gazit karbonik CO2. Edhe pse jo në nivel të lartë  ekspertët e mjedisit theksojnë nevojën e politikave të forta për çështjet klimatike. Ekspertja e mjedisit  Laureta Dibra u shpreh për Televizionin SCAN se ka vijuar bashkëpunimi me donatorë të ndryshëm për hartimin e strategjive në kuadër të Marrëveshjes së Parisit për ndryshimet klimatike.

Sa i takon shitjes së kuotave vendeve më të zhvilluara, që i tejkalojnë limitet e  shkarkimit të gazrave të dëmshëm, Dibra u shpreh se Shqipëria edhe pse është pjesë e kësaj marrëveshje ende nuk është futur në këtë treg. Sipas ekspertes po punohet në këtë drejtim duke krijuar bazën ligjore.

Sipas të dhënave më të fundit që Ministria e Mjedisit ka vënë në dispozicion rezulton se kontribuuesit më të rëndësishëm në emetimit e gazit serrë në Shqipëri janë: Energjia dhe transporti me (57.29%), e ndjekur nga bujqësia me (16.85%), përdorimi i tokës dhe pyjet (8.88 %) dhe në fund mbetjet me (2.31%). Shqipëria  u bë një ndër 178 vendet që mbështesin këtë marrëveshje me miratimin në parlament në korrik të 2016-ës.

Scan Tv,  07.06.2017

Prodhuesi gjerman i automjeteve luksoze “Audi” ka instaluar një program ilegal në automjetet e tij ‘diesel’ për të mashtruar testet për ndotje në Gjermani dhe Evropë, deklaroi të enjten ministri gjerman i Transporteve, Alexander Dobrindt.

“Rreth 24 000 modele A8 dhe A7 të prodhuara mes vitit 2009 dhe 2013 me motorë diesel V6 dhe V8, nga të cilat 12 000 në Gjermani dhe 12 000 në Evropë, kanë përdorur këtë pajisje”, tha Dobrindt.

“Audi” ka qenë për një kohë të gjatë në fokus të një serie ndërkombëtare hetimesh për skandalin e mashtrimit në testet për ndotje, që doli në shtator 2015 kur prodhuesi partner i automjeteve, “Volkswagen” pranoi se ka bërë manipulime të testeve për rreth 11 milionë automjete në të gjithë botën.

Në mars, hetuesit gjermanë filluan një hetim të gjerë në zyrat e “Audi”-t, duke u nisur nga dyshimet për mashtrim të lidhura me skandalin që preku grupin “Volkswagen”.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  02.06.2017

Ka një projektligj për ndryshimet klimatike që po diskutohet prej pak kohësh me grupe të ndryshme interesi.

Por ky draft në një nen specifik të tij parashtron edhe detyrat që kanë ministritë e linjës. Sipas fushës që mbulon secila, Ministria e Mjedisit ka përcaktuar edhe opsionet e mundshme për t’u zbatuar, dhe këto opsione nisin nga energjia, tek kreditë për banesa të gjelbra tek dhënia e incentivave për blerjen e makinave elektrike.

Kështu janë shtatë fusha që janë përcaktuar në draft si të nevojshme për t’u përditësuar në dokumente dhe politika të ministrive të linjës.

Së pari në fushën e prodhimit të energjisë: energjitë e rinovueshme, shpërndarja, menaxhimi i shpërndarjes, ruajtja e energjisë, produktet/ teknologjitë që mbështetin sistemet energjitike inteligjente, qendrat e të dhënave për përdorimin e energjive të rinovueshme.

Së dyti në fushën e eficencës së energjisë: ndërtesat tregtare të gjelbërta, kreditë për banesa të gjelbërta, teknologjitë dhe produktet me përdorim eficent të energjisë, përmirësimet e teknologjisë.

Së treti në fushën e transportit: transporti publik, infrastruktura për automjete elektrike, skema të qiradhënies së bicikletave, automjete me shkarkime të pakta.

Më pas vijnë me radhë katër fusha të tjera si ujërat, menaxhimi i mbetjeve, përdorimi i tokës dhe përshtatja infrastrukturore.

Scan Tv,  17.03.2017

Gazrat helmues dhe ujërat e ndotur nëntokësorë në zonën naftënxjerrëse të fshatit Mërtiraj të Vlorës prej vitesh janë kthyer në rrezik për shëndetin e banorëve.

Ata ankohen për sëmundje vdekjeprurëse të shkaktuara nga gazrat dhe ujërat që përfundojnë në kanalet e kullimit.

Më tej këto ujëra derdhen në lumin e Vjosës duke u përhapur në gjithë zonën.

“Ndotja është e ujit, e ajrit, ngordhin bagëtitë. Është ambienti shumë i rëndë dhe kemi kërkuar qindra herë të na ndihmojnë për këto raste por nuk mban përgjegjësi askush.”

“Shumë afër këtu, ka  ndodhur që kanë ngordhur bagëtitë, e ka zënë edhe çobanin gazi. Këtu më tutje ka vdekur edhe një njeri. Ne do  të vazhdojmë me protesta siç dhe kemi bërë edhe herë të tjera. Do të vazhdojmë deri në pezullimin e punës, nuk do lejojmë marrjen e  prodhimit që del këtu”, shprehen banorët.

Shqiptarja.com  13.03.2017

Shkupi është qyteti më i ndotur në Maqedoni. Ekspertët thonë se në disa raste, shkalla e grimcave të pluhurit ka arritur edhe në mbi 1,200 PM10 mikrogramë për metër kub.

Kryetari i bashkisë, Koce Trajanovski, tha se duhet të ulet qarkullimi i automjeteve private.

Nevena Smilevska nga shoqata ekologjike “Eko Vetëdija”, thotë se në ndotjen e ajrit, rol të madh kanë lëndët djegëse që përdorin amvisëritë, andaj ka kërkuar që autoritetet shtetërore të ndajnë mjete sa i përket efikasitetit energjetik, duke subvencionuar izolimin e banesave të vjetra.

“Para së gjithash, autoritetet shtetërore duhet të fokusohen në efikasitetin energjetik, të objekteve të banesave për çka ka më shumë fonde edhe nga Bashkimi Europian, të cilat janë të pashfrytëzuara. Pastaj qytetarët duhet të vetëdijesohen për shfrytëzimin e energjisë diellore, për çka shteti ndan subvencione, por shumë pak punohet në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve në këtë drejtim”, tha Smilevska.

Shoqata ekologjike “Go Green” thotë se me ndërtimin e projektit Shkupi 2014 për katër herë janë zvogëluar hapësirat e gjelbra në kryeqendër, duke theksuar se “nuk ka logjikë që të priten drunjtë në interes të mafies urbane, përderisa shkalla e ndotjes së ajrit është në rritje”.

Organizatat ekologjike, duke komentuar mosreagimin e autoriteteve të shtetit për shkallën në rritje të nivelit të ndotjes së ajrit, thonë se nevojitet një aktivizim më i madh i sektorit civil për të ngritur vetëdijen e drejtuesve të institucioneve për t’iu qasur me seriozitet problemeve me ndotjen e ambientit jetësor dhe jo t’i neglizhojnë ato.

“Kemi të bëjmë me mungesën e vetëdijes te politikanët, jo vetëm tek këta që janë aktualisht por në përgjithësi për të gjykuar drejt lidhur me këto tema, le të themi moderne të kohës. Më shumë organizata joqeveritare, të cilat veprojnë në fushën e mbrojtjes së mjedisit, të bëjnë presion më të madh tek autoritetet shtetërore, që të vetëdijesohet politika sepse politika është ajo që merr vendime dhe jo qytetarët”, thotë për Radion Europa e Lirë, Arianit Xhaferi nga shoqata ekologjike EKO Guerila.

Ndaj shkallës së lartë të ndotjes së ajrit në Shkup dhe disa qytete të tjera të Maqedonisë ka reaguar edhe ambasada për fëmijë në Shkup “Megjashi”, duke theksuar se “fëmijëve u është cenuar e drejta elementare, ajo për të jetuar”.

Ata u janë referuar të dhënave që kanë dalë nga hulumtimi i kryer nga Banka Botërore, ku thuhet se ndotja e ajrit në Maqedoni për çdo vit vret nga 1350 persona.

“Një në dy fëmijë vitin e kaluar është kuruar nga sëmundjet respiratore të cilat më së shumti janë pasojë direkt nga ajri i ndotur. Fëmijët janë më të goditurit, veçanërisht në sezonin e ngrohjes kur përqendrimi i grimcave rritet”, theksohet në reagimin me shkrim të ambasadës për fëmijë në Shkup “Megjashi”.

Edhe Instituti për Shëndetit Publik thotë se rritja e nivelit të ajrit të ndotur ka rritur dhe numrin e pacientëve të cilët vuajnë nga sistemi respirator.

Revista Monitor,  09.02.2017

Institutit Hidrometeorologjik i Kosovës, përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se nga analiza e rezultateve të fituara nga monitorimi automatik i cilësisë se ajrit është vërejte së gjatë ditëve të fundit janë paraqite tejkalime të vlerave kufitare ditore me PM10.

“Vlera kufitare ditore e lejuar për mbrojtjen e shëndetit të njeriut është 50ug/m3, ndërsa gjate këtyre ditëve vlera maksimale e mesatares ditore është shënuar me date 13.01.2017 e cila ka arritur në vlerën 93.5µg/m3, ndërsa ditëve të tjera kemi pas koncentrime me të ulëta”.

Përqendrime të larta janë paraqit edhe me ndotësin PM2.5 i cili ka arrite vlerën maksimale e mesatares ditore po të njëjtën ditë dhe në të njëjtin lokacion, nga ku arrin vlerën në 92.3µg”, thuhet në njoftimin e Institutit Hidrometeorologjik i Kosovës.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë javë më parë ka kërkuar nga autoritetet kompetente që të merren masa urgjente për përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Ekspertët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, kishin paralajmëruar “se nëse nuk merren masa urgjente, do të ketë efekte negative në dëmtimin e shëndetit dhe rritjen e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet e sidomos nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore”.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  17.01.2017