info@energjia.al

Ministrat e G7-s publikuan të hënën një deklaratë të përbashkët mbi ndryshimet klimatike dhe planet e tyre për të financuar zhvillimin e qëndrueshëm, ndërsa Shtetet e Bashkuara nuk kanë pranuar ta nënshkruajnë marrëveshjen.

Në fund të samitit ministror dyditor për klimën të zhvilluar në Bolonjë të Italisë, ministrat e vendeve të tjera shprehën keqardhje për vendimin e ShBA-së.

Ministri italian i Mjedisit Gian Luca Calletti tha: “Ne punuam për të ndërtuar ura dhe jo për të ngritur mure. Italia, Franca, Gjermania, Japonia, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Europian deklaruan fuqimisht se Marrëveshja e Parisit është e pakthyeshme, e panegociueshme dhe i vetmi mjet i mundshëm për të luftuar ndryshimin e klimës. Ne shpresojmë se do të vazhdojmë dialogun konstruktiv mbi këtë bazë me Shtetet e Bashkuara në të ardhmen “.

Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se vendimi i tyre pasqyron njoftimin e fundit për t’u tërhequr nga Marrëveshja e Parisit dhe angazhimet financiare përkatëse.

Këtë muaj, presidenti i ShBA-së Donald Trump njoftoi planet për të braktisur marrëveshjen e ndryshimit të klimës të Parisit, duke thënë se ajo dëmtonte ekonominë amerikane.

Një gjë e tillë vlerësohet si një goditje e madhe ndaj përpjekjeve në mbarë botën për të luftuar ngrohjen globale dhe është kritikuar nga fuqitë kryesore të botës.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  14.06.2017

Çmimet e naftës u regjistruan në rritje të ndjeshme gjatë sesionit të sotëm, duke marrë shtysë nga zërat se, shtetet e bashkuara të Amerikës mund të tërhiqen nga marrëveshja e Parisit mbi ndryshimet klimatike.

Edhe disa të dhëna të tjera që flasin për një rënie të papritur të rezervave në shtetet e bashkuara, kanë pasur ndikim në trajektoren e çmimeve gjatë sesionit të së enjtes.

Tërheqja e shteteve të bashkuara të Amerikës nga marrëveshja e klimës, sinjalizon eliminimin e rregullatorëve që kufizojnë përdorimin e karburanteve fosile, duke i dhënë kështu një shtysë çmimeve.

Në celje të sesionit të sotëm, nafta brent e Londrës kuotohej pranë nivelit të 51.34 dollarëve për fuçi, ndërsa ajo bruto amerikane pranë 48.96 dollarëve për fuçi.

Të mërkurën, benchamrku ndërkombëtar preku nivelin e 50.31 dollarëve për fuçi, pas raportimeve se Libia do të rrisë prodhimin me 800 mijë fuçi në ditë.

Scan tv,  01.06.2017

Kompania SHELL, e cila po realizon operacionet e nxjerrjes së naftës në zonën e Beratit në tre puse, tani është në përfundim të negociatave me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore për të arritur një marrëveshje hidrokarbure për Bllokun 4, që shtrihet në zonën mes Sarandës dhe Gjirokastrës.

Dje u zhvillua raundi i radhës së negociatave ndërmjet AKBN dhe SHELL. Burimet zyrtare në AKBN bënë me dije se ky ishte takimi i radhës së grupit negociator të të dyja palëve, mbas negocimit mbi Marrëveshjen Hidrokarbure të Bllokut 4 të kërkimit, e cila tashmë po shkon drejt finalizimit.

Drejtor Ekzekutiv i AKBN-së, Viktor Tushaj, u shpreh se “mbas disa negociatash, po shkojmë drejt finalizimit të Marrëveshjes Hidrokarbure, e cila vjen në një moment të rëndësishëm për SHELL në lidhje me kërkimin e naftës dhe të gazit në pusin e Shpiragut për Bllokun 2-3”.

Ai tha se “ne jemi munduar të krijojmë një kontratë model edhe për kontrata hidrokarbure që do vijjnë më pas, duke pasur parasysh interesat e shtetit shqiptar, si dhe nga ana tjetër t’i lejojë SHELL për të punuar në kushte të qeta dhe të sigurta. Ne urojmë që kjo kontratë të finalizohet sa më shpejt”.

Rohan D‘Souza, përfaqësuesi i SHELL Upstream Albania, shpreson që shumë shpejt të ketë një marrëveshje hidorkarbure të finalizuar për Bllokun 4 të kërkimit.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, investimet e kryera deri tani në kuadër të kësaj marrëveshje hidrokarbure nga SHELL arrijnë në rreth 270 milionë USD.

AKBN, në mes të vitit 2015, ftoi të gjitha kompanitë hidrokarbure të aplikonin për blloqet e lira (tokësore) të naftës, përkatësisht Blloku 4 dhe Blloku i Dumresë.

Revista Monitor,  18.05.2017

Çmimet e naftë u regjistruan në një rritje mjaft të lehtë orët e para të sesionit të së hënës, duke marrë shtysë nga deklaratat e Arabisë Saudite, se marrëveshja e shkurtimit të prodhimit mund të shtyhet përtej vitit aktual, madje edhe përtej vitit të ardhshëm.

Pavarësisht kësaj, rritja e prodhimit dhe aktivitetit të shpim-kërkimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka frenuar fitimet.

Në çelje të sesionit të sotëm, nafta Brent e Londrës kutohej pranë nivelit të 49.48 dollarëve për fuçi, ndërsa ajo bruto amerikane pranë 46.52 dollarëve për fuçi.

Pavarësisht rimëkëmbjes së lehtë të çmimeve gjatë dy sesioneve të fundit, të dy benchmarkët vijojnë të qëndrojnë pranë niveleve rekord minimale.

Scan TV,  08.05.2017

Bullgaria pretendon të përfitojë nga marrëveshja e përkohshme midis Komisionit Europian dhe gjigantit rus të energjisë, Gazprom, por ekspertët kanë frikë se vendi mund të mos arrijë plotësisht të përfitojë nga kjo marrëveshje.

Për herë të parë, Gazprom-i ka pranuar se kompania ka shkelur rregullat e BE-së për rieksportimin e gazit nga një shtet anëtar në tjetrin, tha për BIRN, Martin Vladimirov, një analist në Qendrën për Studimin e Demokracisë.

Ai theksoi se mundësia që kjo marrëveshje të arrihet në mënyrën më të mirë të mundshme është shumë e madhe, por gjithashtu vuri në dukje se një grup ekspertësh ndihen të shqetësuar në lidhje me mënyrën sesi kjo marrëveshje do të zbatohet në Bullgari, kundër skenarit të ndikimit shkatërrues të Rusisë mbi sektorin energjetik të Bullgarisë.

Pas ankesave të shumta të disa vendeve në Europën Qendrore dhe Lindore se kanë çmime më të larta të gazit në krahasim me vendet në Europën Perëndimore, një marrëveshje e përkohshme e shpallur muajin e kaluar do t’i lejojë Brukselit të sigurojë një treg më konkurrues të gazit në Europën Qendrore dhe Lindore, përfshirë edhe Bullgarinë.
Brukseli filloi hetimin në vitin 2012, pas bastisjeve së zyrave të Gazpromit vitin e kaluar dhe ngritjes së akuzave të shumta kundër kompanisë ruse në vitin 2015.
Kompania ruse, jo vetëm që i mohoi akuzat dhe u përpoq që të shmangte edhe shlyerjen e një gjobe tejet të lartë, por ajo ngriti vetë një sërë akuzash, duke përfshirë këtu edhe premtimet për të lehtësuar kufizimet në shitjet e gazit midis shteteve anëtare të BE-së, si dhe çmime më të mira të gazit sipas kushteve të kontratës.

“Gazprom-i është i mirëpritur të shesë gazin e tij në Europë, por sipas rregullave të BE-së, duke përfshirë edhe rregullat tona të konkurrencës”, tha muajin e kaluar në Bruksel, Margrethe Vestager, komisionerja e konkurrencës e BE-së.

Duke u përballur me konkurrencën e ashpër brenda dhe jashtë vendit dhe një rënie drastike të çmimeve globale të naftës, Gazprom, i cili furnizon rreth një të tretën e gazit të BE-së, duket i gatshëm të bëjë disa lëshime. Edhe pse konsumi i gazit në Europë ra në dekadën e fundit nga 489 miliardë metra kub në vitin 2006 në 397 miliardë në vitin 2015, Bashkimi Europian është ende një treg i rëndësishëm për kompaninë ruse.

Revista Monitor,  02.05.2017

Një nga ligjet e rëndësishme që u shqyrtua nga komisionet parlamentare ishte edhe ai “Për ratifikimin e marrëveshjes së ndryshimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me marrëveshjen me qeverinë e vendit pritës”, pjesë e së cilës janë edhe përfitimet lokale, që do të bëjë në interes të komunitetit shoqëria TAP.

“Duke marrë në konsideratë se marrëveshja me qeverinë e vendit pritës ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe TAP AG përfaqësonte marrëveshjen e parë të TAP me një shtet të vendit pritës, me qëllim që kushtet e kësaj marrëveshjeje të mos ishin më pak të favorshme se kushtet e marrëveshjeve që do të nënshkruheshin e do të miratoheshin nga Greqia”, tha znj. Alimadhe.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, Koli Bele, tha se përfitimet mund të grupohen në tri kategori: “Janë ato përfitime që kanë të bëjnë me amendimet e legjislacionit me efekt fiskal, dhe si të tilla janë përfitime që do të shtrihen gjatë gjithë periudhës kur TAP do funksionojë, pra fillojnë nga ky moment dhe kanë përfitime për gjithë këtë periudhë; janë ato përfitime të karakterit ligjor, ku më i prekshmi përsëri lidhet me pjesën e stabilitetit fiskal, por dhe me atë që është vetë zgjatja e kësaj marrëveshjeje; krahas kësaj, elemente të tjerë të rëndësishëm të kësaj marrëveshjeje kanë të bëjnë me përfitimet direkte për komunitetin, të cilat janë si pagesa direkte për projekte komunitare. Nëse do t’i kuantifikonim këto benefite, mund të themi që në total, duke përfshirë edhe efektin afatgjatë të lehtësisë fiskale dhe të ndryshimeve me efekt fiskal, arrijmë në një marzh i cili është afërsisht 90 milionë dollarë”, tha Bele.

Sipas tij, Shqipëria është e angazhuar që të rrisë përfitimet e saj nga ky projekt. Kjo lidhet me ngritjen e kapaciteteve të nevojshme për gazifikimin dhe shfrytëzimin e gazit nga industria.

Revista Monitor,  12.04.2017

Zëvendës Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Ilir Bejtja ishte sot i pranishëm në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e  Njeriut, ku prezantoi para deputetëve të pranishëm projektligjin  “Për ratifikimin e marrëveshjes së ndryshimit midis Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave dhe Trans Adriatic Pipeline ag lidhur me marrëveshjen me qeverinë e vendit pritës”.

Z.Bejtja shpjegoi para të pranishmëve qëllimin e këtij projektligji, si dhe objektivat që synohen  të arrihen. Ai u shpreh se ky projektligj propozohet me qëllim ratifikimin e marrëveshjes nga ana e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

“Kjo marrëveshje është miratuar në parim nga Këshilli i Ministrave me Vendimin nr. 86, datë 8.2.2017 dhe është nënshkruar nga palët më datë 1.3.2017. Kuvendi me anë të ligjit nr. 116/2013, ka ratifikuar Marrëveshjen me qeverinë e vendit pritës ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline Ag, lidhur me projektin e gazsjellësit Trans Adriatik (projekti TAP), si dhe Marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline AG, në lidhje me projektin e gazsjellësit Trans Adriatik . Projekti TAP është parashikuar të kalojë në territorin e tre shteteve dhe në këtë kuptim, marrëveshja me qeverinë e vendit pritës parashikohej të miratohej me secilën nga shtetet pritëse (Shqipëri, Greqi dhe Itali nëse do të ketë)”, u shpreh Zëvendës Ministri.

Duke sqaruar përparësitë, problematikat, si dhe efektet e pritshme të këtij projektvendimi Z.Bejtja nënvizoi se komponent i përfitimeve nga implementimi i këtij projekti të rëndësishëm janë edhe përfitimet lokale, që përfaqësohen nga investimet që do të bëjë në interes të komunitetit lokal shoqëria TAP dhe përfitimet për zhvillimin e tregut të gazit në Shqipëri.

“Duke marrë në konsideratë se marrëveshja me qeverinë e vendit pritës ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe TAP ag, përfaqësonte marrëveshjen e parë të TAP me një shtet të vendit pritës, me qëllim që kushtet e kësaj marrëveshje të mos ishin më pak të favorshme se kushtet e marrëveshjeve që do të nënshkruheshin e miratoheshin nga Greqia, në një kohë më të vonë, palët, pra Republika e Shqipërisë e përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave dhe Shoqëria TAP a.g nënshkruan Marrëveshjen Krahasuese (Referuese) ose Benchmarking Agreement, e ratifikuar me ligjin 116/2013, ku në pikën 2 të saj u përcaktua që nëse marrëveshja me shtetin grek do të kishte parashikime që i siguronin Greqisë tarifa apo nivele tatimesh më të larta (me kusht që të mos jenë parashikuar si të tilla në legjislacionin e tyre të brendshëm), MQP të mund të ndryshohet nga palët, me qëllim përafrimin e saj me MQP-në e Greqisë për sa u përket çështjeve specifike financiare dhe tatimore në përputhje me parashikimet e Marrëveshjes Referuese”, sqaroi më tutje ai.

Z.Bejtja tha se parashikohet që menjëherë pas datës së nënshkrimit të Marrëveshjes Krahasuese, palët do të angazhohen në mirëbesim dhe në mënyrë bashkëpunuese për hartimin e plotë të Marrëveshjes së Angazhimit për Zhvillimin e Tregjeve të Gazit dhe Marrëveshjes për përfitimet vendase.

energjia.al  11.04.2017

Marrëveshja e rishikuar e vendit pritës mes Shqipërisë dhe projektit të gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline pritet të marrë miratimin e Kuvendit për të nisur nga zbatimi.

Ndryshimet kryesore kanë të bëjnë me shprehjen e vullnetit të TAP për:

– Rishikimin e periudhës së stabilitetit fiskal që i jep të drejtën shtetit shqiptar të marrë më shumë tatim fitimi, e cila përgjatë kohëzgjatjes operacionale të projektit pritet të ketë një efekt pozitiv për shtetin shqiptar prej rreth 60 milionë eurosh;

– Rritjen e investimeve në komunitet nga 7 në 14 milionë euro;

– Dyfishimin e fondeve për trajnime në sektorin e gazit natyror, nga 350,000 euro në 700,000 euro;

-Memorandumin e Mirëkuptimit që synon të mbështesë kompaninë e sapokrijuar Albgaz (Operatori i Sistemit të Transmetimit të Gazit ne Shqipëri), në aftësimin e saj për të qenë pjesë e ofrimit të shërbimeve të mirëmbajtjes për TAP në fazën operacionale.

Në vitin 2012, qeveria shqiptare e asaj kohe hyri në bisedime me gazsjellësin Trans Adriatic Pipeline (projektin) duke supozuar se mes Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë do të lidhej dhe nënshkruhej një marrëveshje me qeveritë e vendeve pritëse, e cila më pas do të depozitohej pranë parlamenteve përkatës për ratifikim.

Ndërsa në prill 2013, Parlamenti shqiptar nënshkroi Marrëveshjen Krahasuese.

Më pas, në dhjetor të 2013-s, edhe Parlamenti grek ratifikoi Marrëveshjen e Vendit Pritës.

Kjo marrëveshje është tejet e rëndësishme për të gjitha shtetet pasi përmes saj përcaktohen përfitimet dhe detyrimet nga ky projekt, i cili do të ndikojë jo pak në ekonomitë e këtyre vendeve, veçanërisht atë të Shqipërisë dhe Greqisë si dy vende nga ku kalon më shumë ky projekt.

Ndërkaq aksionerja spanjolle, Enagas, e cila është edhe një nga aksionerët (16%) ka parashikuar që të investojë rreth 1.4 miliardë euro deri në vitin 2020.

Po kështu, vetëm pak ditë më parë ka qenë Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim e cila zhvilloi edhe në Tiranë takime të nivelit të lartë me përfaqësues të projektit TAP, ku u bisedua angazhimi i bankës për të kredituar projektin. Në total parashikohet që BERZH të investojë rreth 1.5 miliardë euro, shuma më e madhe e dhënë ndonjëherë nga ky institucion financiar.

Revista Monitor,  04.04.2017

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 93 vota për dhe as një kundër kanë miratuar marrëveshjen e bashkëpunimit Kosovë – Shqipëri në Fushën e energjetikes.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, duke prezantuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, për shkëmbimin dhe ndarjen e rezervës rregulluese ndërmjet operatorit të sistemit të transmetimit OST dhe KOSTT-it, ka thënë se me këtë do të rritet siguria në energjinë elektrike.

Ai tha se ky projektligj përkufizon saktë bashkëpunimin në mes qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, ku objektivi kryesor është krijimi i zonës rregulluese dhe integrimi në mekanizmin regjional, i cili do të ndikonte në realizimin e tregtisë ndërkufitare, duke rritur kështu likuiditetin e tregut të energjisë elektrike.

“Me këtë pritet të rritet siguria e energjisë elektrike në përmbushjen e direktivave të BE-së”, tha Stavileci.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa ka thënë se komisioni e ka shqyrtuar ketë marrëveshje dhe i rekomandon Kuvendit që të miratojë, e cila i kontribuon stabilizimit të dyja sistemeve energjetike si dhe rrit edhe furnizimin me energji elektrike.

Sipas tij, qeveritë e të dyja vendeve duhet të marrin masa që Serbia mos ta pengojë KOSTT-in.

Telegrafi,  31.03.2017

Vetëm në dy muaj janë hequr 6 licenca. Ndërkohë ka nisur procedura për verifikimin e situatës në pesë blloqet e gazit natyror: Panaja, Frakull, Povelçë, Divjakë, Ballaj-Kryevidh…

Shoqëria shtetërore e naftës, Albpetrol sh.a, ka nisur këto ditë procedurën për prishjen e marrëveshjes hidrokarbure me Emanuelle Adriatic Energy Ltd, një kompani izraelite, e cila ka të drejtën e kërkimit për naftë në tre blloqe në detin Adriatik. Shkaku i prishjes së marrëveshjes me kompaninë e regjistruar në ofshore Qipro është mos kryerja e asnjë veprimi apo investimi në tre vitet e fundit, sipas burimeve nga Albpetrol.

Albpetrol sh.a dhe Ministra e Energjisë dhe Industrisë po shqyrtojnë me themel situatën e zonave naftëmbajtëse shqiptare. Në janar të këtij viti Albpetrol i hoqi shoqërisë TransAtlantic dy blloqet e naftës Gorisht-Kocul dhe Cakran Mollaj; në mars i hoqi kompanisë Phoenix Petroleum bllokun e naftës në Amonicë ndërsa tani po hiqen tre blloqet ofshore të Emanuelle Adriatic duke bërë që në total, në tre muajt e fundit, janë hequr 6 blloqe nafte nga kompanitë koncesionare.

Kompania Emanuelle Adriatic Energy Ltd ka marrë licencën për bllokun e parë kërkimor në 6 qershor të vitit 2012. Vitet në vijim ka zgjeruar aktivitetin edhe me dy blloqe të tjerë, të cilët njihen si Adriatiku 1, 2 dhe 3. Emanuelle është regjistruar në Qipro dhe zyrtarisht është në pronësi të një kompanie izraelite “Israel Land Development Company”. Në total kjo kompani menaxhon një sipërfaqje prej 5.070 milje katror në detin Adriatik. Në momentin e firmosje së kontratës Emanuelle deklaroi se kishte në plan të investonte rreth 730 milionë dollarë për kërkimin e naftës në detin Adriatik. Kjo deklaratë u shoqërua me një rritje të vlerës së aksioneve të kompanisë në bursat botërore. Por në realitet, përveç kësaj deklarate, veprimet konkrete të kompanisë për kërkimin e naftës kanë qenë pothuajse zero.

Të kontaktuar nga Monitor, burimet të Albpetrol dhe Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë thanë se prishja e marrëveshjes do të jetë e shpejtë dhe mund të mbyllet brenda dy javëve. Kjo pasi kompania nuk ka kryer aktivitet në Adriatik. Ndërkohë të njëjtat burime saktësuan se tashmë ka nisur procedura për verifikimin e situatës në pesë blloqet e gazit natyror: Panaja, Frakull, Povelçë, Divjakë, Ballaj-Kryevidh. Nga verifikimet paraprake rezulton se të pestë këto vendburime nuk kanë prodhuar asnjë metër kub gaz dhe për pasojë pritet që marrëveshjet respektive të rishikohen.

Në rast se në këto vendburimet nuk do të fillojnë të kryhen investimet e parashikuara dhe të nisë prodhimi i gazit natyror, edhe këto marrëveshje do të përfundojnë, sqarojnë burimet zyrtare.

Revista Monitor,  21.03.2017