info@energjia.al

Megjithë shqetësimin e vazhdueshëm për distancën që mund të përshkojnë, interesi për makinat elektrike po rritet, veçanërisht në vendet e industrializuara.

Prodhuesit thonë se po përmirësojnë kilometrazhin duke ndërtuar më shumë stacione furnizimi, por industria është ende duke pritur për një përparim të madh në teknologjinë e baterisë.

Shitjet e makinave elektrike premtojnë më shumë se kudo në Kinë, ku autoritetet e shohin teknologjinë si zgjidhjen më të mirë për problemin e ndotjes në qytetet kineze.

Qeveria ka në plan një sërë nismash përfshi një kërkesë, që duke filluar nga viti i ardhshëm, të gjithë prodhuesit e makinave në Kinë të kenë të paktën tetë përqind të inventarit të tyre me makina elektrike. Prodhuesit e makinave po tregojnë angazhim.

Në Panairin e Makinave në Shangai, prirja ishte e dukshme.

“Makinat elektrike do të luajnë një rol të rëndësishëm në Kinë dhe kjo është arsyeja që jemi shumë krenarë dhe të entuziazmuar për të paraqitur këtu një model makine elektrike të quajtur ID BUZZ që është shumë e rëndësishme për Kinën,” thotë Herbert Diess, drejtor ekzekutiv i kompanisë Volkswagen.

Por konsumatorët në Kinë, ashtu si edhe në Shtetet e Bashkuara, nuk po nxitojnë të blejnë makina elektrike dhe kanë një arsye të fortë.

“Kam një listë me numra telefonash të miqve të mi që jetojnë në Adirondaks, në mënyrë që në cdo moment të mund t’i marr në telefon dhe t’i pyes – jam pranë shtëpisë tënde, a ke ndonjë prizë elektike jashtë banesës?”, thotë Sunita Halasz, pronare e një makine elektrike.

Ky është një shqetësim i vazhdueshëm i përdoruesve të makinave elektrike – frika se do të mbeten pa bateri dhe të bllokuar pa asnjë pikë furnizimi pranë.

Krahasuar me pak minuta kohë që merr furnizimi i makinës me karburant, bateritë marrin ende shumë kohë për t’u karikuar. Por stacionet e furnizimit me energji po shtohen në Kinë, në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera.

Tesla thotë se do të dyfishojë numrin e stacioneve të furnizimit me energji elektrike këtë vit, në 10 mijë. Prodhues të tjerë po bëjnë të njëjtë gjë.

Megjithatë, pika e kthesës do të vijë kur bateritë të jenë në gjendje të mbajnë më shumë energji.

“Teknologjia e baterisë është çelësi për zhvillimin e makinave elektrike. Nëse nuk do të ketë diversitet në këtë industri dhe investime të mjaftueshme në talente dhe teknologji, nuk do të jetë e mundur të prodhosh produkte të shkëlqyera” thotë Xi Liuping, drejtues i kompanisë Changan Auto.

Deri atëherë, ekspertët thonë se zgjidhja më e mirë janë ende makinat hibride me karburant dhe elektricitet, që mbështeten pak në bateri dhe më shumë në karburant.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  25.05.2017

Kohët e fundit, prodhuesit e makinave po orientohen gjithmonë e më shumë drejt zhvillimit të makinave me hidrogjen.

Jo shumë njerëz janë njohur me këtë hap të ri të teknologjisë dhe aktualisht, vetëm në Kaliforni ka stacione për furnizimin e makinave me hidrogjen.

Toyota dhe Honda janë kompanitë e vetme që e kanë hedhur në treg modelin e tyre të makinave me hidrogjen, ndërkohë që shumë prodhuesë janë duke punuar që të kenë në treg modelin përkatës, brenda 5 viteve të ardhshme.

Top Channel,  22.05.2017

Motorët me naftë janë vënë me shpatulla pas murit, sidomos në shtëpinë e tyre: në Europë.

Nxjerrja jashtë përdorimit të makinave me motor nafte në shumë qytete europiane, apo edhe më gjerë, po krijon shumë pasiguri,  aq sa shtëpitë prodhuese po ndryshojnë tërësisht strategjitë e tyre.

Pavarësisht asaj se çka mund të ndodhë në të ardhmen, në Europë 50% e kërkesës është për makina me motor me naftë. Këto të fundit nuk po kërcënohen as nga makinat elektrike e as nga sulmet ligjore dhe rregullatore.

Normat e reja anti-ndotje kërkojnë investime kolosale nga ana e shtëpive prodhuese, aq sa disa prej tyre kanë menduar edhe të heqin dorë. Në Gjermani, shumica e kompanive e kanë të pamundur që ta braktisin, pasi bëhet fjalë për mijëra vende pune dhe miliona euro.

Gjigandi Bosch, që aktualisht po prodhon rreth 300 lloje të ndryshme motori me naftë, deklaron se braktisja e naftës do të vinte në rrezik 50 mijë vende pune vetëm te kjo kompani.

Edhe Volkswagen është e mendimit se e ardhmja është elektrike, por se nafta nuk ka vdekur akoma. Mercedes nga ana tjetër, është ndër të paktat kompani që ka vendosur të rrisë investimet për motorat me naftë.

Një ndër kompanitë që ka vendosur t’i braktisë, është pikërisht Volvo. Suedezët kanë vendosur të se nuk do të prodhojë më gjenerata të reja të motorëve me naftë, pasi kostot po bëhen mjaft të larta.

Scan Tv,  20.05.2017

Volkswagen ka paralajmëruar se automjetet nga gjenerata e re e veturave elektrike, të cilat do të dalin në treg nga viti 2020 do të kenë çmime të njëjta si modelet e tyre me motorë konvencional.

Qëllimi i kompanisë është që automjetet elektrike të jenë sa më të qasshme për blerësin mesatar, për të ardhur deri te përdorimi masiv i veturave elektrike.

VW planifikon që deri në vitin 2025, prodhimi dhe shtija vjetore e modeleve me rrymë të arrijë në 3 milionë automjete, dhe mënyra e vetme për arritjen e këtij plani është blerësve t’u ofrohen çmime të arsyeshme të automobilave elektrikë, transmeton KosovaPress.

Volkswagen viteve të fundit ka prezantuar tri koncepte të modeleve të ardhshme me rrymë – ID heqbek në panairin në Paris më 2016, ID Buzz mini-van në Detroit, në fillim të këtij viti dhe ID Crozz crosover në sallonin e veturave në Shangai.

Kosova Press,  27.04.2017

Industria e makinave është përballë një momenti historik. Ekspertët e industrisë thonë se më shumë ndryshime pritet të ndodhin në 5 vitet e ardhshme se sa kanë ndodhur në 50 vitet e kaluara.

Teksa teknologjia e makinave që vetëdrejtohen po përmirësohet, ndryshimi nuk është më çështje rendjeje pas fitimeve, por është luftë për mbijetesë. Por të dish se kur të hidhesh tërësisht në një investim është shumë e vështirë.

Pavarësisht numrit në rritje të kompanive që prodhojnë automjete elektrike, konsumatorët ende nuk po tërhiqen në masë për t’i blerë dhe mbështetja e makinave që vetëdrejtohen përballet me pengesa ligjore.

Megjithatë në këtë industri, një treg ka qëndruar konsistent dhe është në rritje të vazhdueshme: tregu i shitjes së makinave në Kinë. Prej vitesh tashmë, prodhuesit e makinave kanë kuptuar rëndësinë e këtij tregu dhe tashmë Kina përbën tregun më të madh të makinave në botë.

Mbi 28 milionë automjete të reja u shitën në Kinë vitin e kaluar, çka është shumë vështirë për t’u injoruar krahasuar me 17,5 milionë makinat e shitura në SHBA.

Ndonëse qeveria kineze ka vendosur taksa të larta për makinat superluksoze, Maserati, Porsche dhe McLaren patën një vit rekordesh në shitje. Kompanitë madje janë përshtatur me kërkesat e tregut, duke zgjeruar hapësirën në sediljet e pasme për pronarët që preferojnë të kenë shoferë.

Kina është tregu numër një për makinat me katër dyer për shumë kompani, madje po nënkupton edhe një mundësi të madhe për ta për gjeneratën e re të makinave elektrike.

Qeveria kineze propozoi vitin e kaluar se deri në 2018-ën, 8% e flotës totale duhet të jetë e përbërë nga automjete me eficiencë në karburant. Ndaj Kina mund të jetë në të ardhmen udhëheqësja e një shoqërie me makina elektrike.

Edhe tek panairi i makinave në Shanghai, prodhuesit e makinave prezantuan një sërë makinash elektrike, të kombinuara me oreksin e blerësve për fuoristrada dhe gjysmë-fuoristrada.

Tashmë industria e makinave, pret vetëm një sinjal nga ekonomia më e madhe në botë për të bërë ndryshimin më të madh të këtij shekulli: zëvendësimin e plotë të motorave me djegie me ata elektrikë.

Scan Tv,  25.04.2017

Kompania, e themeluar nga Elon Musk, ka konfirmuar se do të tërheqë 53 mijë mjetet e saj që kanë probleme me frenat. Tesla konfirmon se nuk ka pasur aksidente apo plagosje nga ky defekt.

Bëhet fjalë për modelet S dhe X për shkak të një problemi të frenimit gjatë parkimit, gjë që çon në mosfunksionimin e tyre.

Dhe pse nga ky problem janë prekur më pak se 5% e mjeteve, Tesla do të jetë e sigurtë që asnjë nga konsumatorët nuk është në rrezik. Bëhet fjalë për mjete që janë prodhuar mes Shkurtit dhe tetorit të 2016.

Kompania ka tërhequr vullnetarisht në nëntor 3 mijë mjete të Modelit S për të zgjidhur problemin e lidhjes së rripit të sigurimit. Gjatë 2016 kompania ka prodhuar 83.922 automjete.

Top Channel,  21.04.2017

Prodhuesi i makinave elektrike, Tesla, ka shënuar një rekord në dërgesat e tremujorit të parë, ndërkohë që kreu ekzekutiv Elon Musk përgatitet të fillojë prodhimin e Modelit 3 në Korrik.

Kompania ka dërguar mbi 25 mijë automjete në tre muajt e parë të këtij viti. Kjo shifër erdhi sipër vlerësimeve të analistëve dhe pritet të përmbushë objektivin e Tesla për 50 mijë makina në gjysmën e parë të vitit.

Raporti është i pari për këtë vit, ku makinave Tesla do ti shtohet Modeli 3 me një çmim më të ulët dhe volum më të madh, çka do të bëjë modelet ekzistues më ekskluzivë.

Investitorët kanë shtuar në vlerë tregu kompaninë me rreth 30% këtë vit prej pritshmërive të Modelit të ri. Tesla raportoi se ka dërguar 13,450 makina të modelit S kategoria sedan dhe 11,550 të modelit X SUV.

Modeli 3 pritet të vijë me një çmim prej 35 mijë dollarësh, që do të përbëjë makinën më të lirë  Tesla. Vlera e treg e kompanisë qëndron në 278 dollarë për aksion.

Scan Tv,  03.04.2017

Një aksident është regjistruar mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Milot-Laç, tek mbikalimi i Laçit, ku vdiq 19-vjeçari SH.H dhe mbetën të plagosur 5 persona.

Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur B.K. 19 vjeç banues, D.S. 18 vjeç dhe B.H. 19 vjeç, të tre banues në Kosovë që udhëtonin në Golfin 07-473-CB ku 1 prej tyre ndodhet në Qendrën e Traumave në Tiranë kurse 2 të tjerë ndodhen në spitalin e Lezhës nën kujdesin e mjekëve.

Sh. H. 19 vjeç u dërgua në Spitalin e Traumës ku fatkeqësisht ndërroi jetë.

Gjithashtu i dëmtuar ka mbetur edhe drejtuesi i zetorit H.Z. 35 vjeç, banues në Krujë, i cili ndodhet në Qendrën e Traumave në Tiranë nën kujdesin e mjekëve.

Zetori doli nga një rrugë dytësore dhe i ndërpreu rrugën automjetit ku ndodheshin 4 shtetasit kosovarë.

Grupi hetimor në vendngjarje vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.

Shqiptarja.com  09.03.2017

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Eklektike ka kërkuar që të pajisje më sistemin GPS të gjithë mjetet në dispozicion në drejtoritë rajonale të saj, ato që janë të Task Force apo pajisje rezervë. Në një njoftim të bërë nga kompania kërkohet pajisja me sistem monitorimi për 345 mjete në total nga të cilat 55 janë mjete për sensor karburanti.

Kjo nismë duket se vjen në kuadër të disiplinimit të mënyrës së përdorimit të mjeteve nga ana e stafit në drejtoritë rajonale si dhe optimizmit të kostove për karburant. Këtë e tregon më mirë edhe pjesa e specifikimeve teknike që bëhet në kërkesën e operatorit.

Kështu sistemi duhet të përcaktojë vendndodhjen e automjetit në kohë reale e me frekuence gjurmimi çdo pesë sekonda. Nga ana tjetër duhet të ofrohet informacion i detajuar  mbi identifikimin e mjetit, shpejtësinë e lëvizjes, gjendja e motorit ndezur ose fikur, adresën e vendndodhjes e saktë dhe e përditësuar, gjendja e baterisë, gjenerimi i rrymës në mjet, përshpejtimi i menjëhershëm, frenimi i menjëhershëm.

Një tjetër kërkesë ka të bëjë me raportet e karburantit të konsumuar gjatë lëvizjes, furnizimi përkatës sipas vendit dhe litrave.

Scan Tv,  08.03.2017

Çmimi i gazit për automjete ka shënuar një tjetër rritje gjatë ditëve të fundit, e treta radhazi që nga fillimi i janarit të këtij viti.

Në pikat e tregtimit të naftës dhe gazit për automjete, një litër gaz tregtohet me 67-74 lekë/litwr, teksa në fund të vitit të kaluar çmimi i tij luhatej mes 40-48 lekëve, pra më një rritje rreth 50-60%.

Rritja e parë u shënua që në ditët e para të vitit, duke reflektuar vendosjen e akcizës së gazit, me rreth 10 lekë për litër (8 lekë akciza e gazit, plus TVSH).

Më pas u shënuan dhe dy rritje të tjera, gjatë periudhës së ngricave dhe më e fundit javën e kaluar, duke e çuar rritjen totale në 26-30 lekë për litër, pra me gati trefishin e taksës.

Operatorët e tregut pohojnë se shtrenjtimi i gazit ka refektuar akcizën dhe rritjen e çmimit në bursat ndërkombëtare dhe ka ardhur nga grosistët.

Ndonëse paketa e re Fiskale, e rriti me 8 lekë për litër vetëm akcizën për gazin që do të përdornin automjete, si gjithnjë, tregu po sillet në mënyrë abuzive me rritjen e taksave pasi çmimi është rritur në mënyrë uniform edhe për përdoruesit familjarë dhe ata industrial, duke u shtrenjtuar me minimum 20 lekë për litër.

Autoriteti i Konkurrencës ka hapur në janar  hetimin paraprak në të gjitha segmentet e tregut të importit, depozitimit, shitjes me shumicë, shpërndarjes dhe shitjes me pakicë të produktit gaz i lëngshëm për konsum familjar dhe biznes, për të parë nëse ka, ose jo, shenja të kufizimit të konkurrencës.

Nga monitorimi  i Autoritetit konstatohet se në treg ka subjekte që tregtojnë me të njëjtin çmim, sjellje e cila mund të përbëjë shenja të një kufizimi të konkurrencës në shkelje të nenit 4 dhe 9 të Ligjit nr. 9121 datë 28.07.2003 “Për Konkurrencën”, i ndryshuar.

Sipas Autoritetit, tregu i GLN-së funksionon në zbatim të ligjit nr. 8450 datë 24.02.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, dhe akteve të tjera nënligjore, në të cilin përcaktohen qartë rregullat teknike për tregtimin me shumicë dhe pakicë të GLN- së, rregullat e transportit dhe kushtet në të cilat duhet të instalohet dhe përdoret bombola e GLN- së. Pas hyrjes në fuqi të paketës së re fiskale 2017 ku parashikohet vendosja e akcizës për kategorinë GLN vetëm për automjetet në vlerën 8 lekë/litër prej datës 1 Janar 2017.

Revista Monitor,  13.02.2017