info@energjia.al

Në pritje të hapjes së tregut të energjisë dhe veçanërisht shtimit të investimeve në sektorin privat të energjisë, numri i kompanive që licencohen për prodhimin dhe tregtimin e energjisë ka ardhur në rritje.

Sipas të dhënave të  Entit Rregullator gjatë vitit të kaluar, kanë aplikuar 40 subjekte në aktivitetet e ndryshme të sektorit të energjisë elektrike dhe gazit natyror, në zbatim të kuadrit ligjor e nënligjor në fuqi.

Për 32 nga këto aplikime, Bordi i ERE-s ka vendosur licencimin e tyre, ndërsa 8 aplikime janë në proces dhe licencimi i tyre do të finalizohet gjatë vitit 2017.

ERE sqaron se për çdo aplikim janë zbatuar me korrektësi afatet e publikimit në median e shkruar të Vendimeve të Bordit të ERE-s për njohjen e të gjitha palëve të interesuara me këto Vendime. Gjithashtu çdo aplikim për licencim i është nënshtruar një analize të kujdesshme të rregullshmërisë dhe plotësimit me korrektësi të dokumentacionit ligjor, administrativ, financiar, teknik dhe marrjes së lejeve përkatëse të përdorimit të ujërave apo leje mjedisore, të dhëna nga institucionet e tjera në përputhje me aktivitetin që subjektet kanë kërkuar të licencohen.

Vitin e kaluar, ERE licencoi 11 kompani të reja në sektorin e tregtimit të energjisë. Disa prej këtyre kompanive operojnë edhe në sektorin e prodhimit, por për të maksimizuar fitimet janë licencuar edhe si tregtarë të energjisë së tyre.

ERE licencoi gjithashtu edhe 11 subjekte në sektorin e prodhimit të energjisë. Lejet e tregtimit dhe prodhimit i mori edhe “Dragobia Energy”, kompania që po ndërton HEC-et në lumin Valbonë dhe që vitin e kaluar përfshiu në një debat të nxehtë mbarë opinionin publik për dëmin që i krijon investimi një nga parqeve më të lakmuara të vendit në fushën e turizmit.

Tregut të energjisë ju shtuan edhe 7 subjekte të tjera në sektorin e furnizimit të energjisë, ndërsa dy leje të tjera u dhanë në sektorin e tregtimit dhe furnizimit me gaz natyror.

Liberalizimi i tregut

Sipas ligjit të për Sektorin e Energjisë, viti 2018 duhet t’i gjejë të gjitha bizneset në tregun privat të energjisë. Ligji detyron klientët e tensionit të mesëm të furnizohen nga privatët dhe jo nga OSHEE, që nga ky vit. Vitin e ardhshëm sipas ligjit, 40% e tregut synohet të liberalizohet në këtë mënyrë. Por procesi i liberalizimit nuk i ka ndjekur afatet ligjore pasi rregulloret dhe udhëzimet për hapjen e tregut nuk janë formuluar në kohë. Me krizën politike dhe zgjedhjet elektorale në sfond, liberalizimi nuk pritet të nisë as këtë vit, teksa afatet ligjore janë shkelur për të gjitha etapat.

Revista Monitor,  20.04.2017

Tregjet e hapura apo të liberalizuara të energjisë elektrike do të sjellin rritje të konkurrencës në mes të aktorëve në tregun e Kosovës, duke ndikuar kështu edhe në ngritje të cilësisë, thonë përfaqësues të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Liberalizimi i tregut energjetik në Kosovë ka nisur në fillim të këtij muaji.

Këtij procesi i ka paraprirë miratimi i pakos së tretë të ligjeve për energji në Kuvendin e Kosovës vitin e kaluar, ligje këto në përputhje të plotë me direktivat e Bashkimit Evropian.

Adelina Murtezaj Bajrami, zyrtare për marrëdhënie me publikun në Zyrën e Rregullatorit për Energji, në një përgjigje dërguar përmes postës elektronike, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se liberalizimi i tregut i mundëson konsumatorëve që të zgjedhin në mes furnizuesve (operatorëve) të ndryshëm që operojnë në treg.

“Gjenerimi i energjisë dhe furnizimi do t’i nënshtrohen tregut të lirë dhe roli i Rregullatorit do të jetë mbikëqyrës, duke siguruar se të gjithë aktorët zbatojnë rregullat e tregut të lirë dhe nuk lidhin marrëveshje në dëm të interesit të konsumatorëve. Me këtë qëllim, tashmë ZRRE ka licencuar edhe dy furnizues të tjerë përveç KESCO Sh.A,HEP sh.a dhe GSA sh.a”, thekson Murtezaj – Bajrami.

Ndërkohë distribuimi dhe transmisioni si bartës të energjisë elektrike janë funksione monopolistike dhe do të jenë gjithmonë të rregulluara. Përderisa prodhimi dhe furnizimi i energjisë do të jenë funksione që i nënshtrohen tregut të lirë.

“Për operatorin e transmisionit dhe distribucionit, ZRRE do të vazhdojë të përcaktojë të hyrat e lejuara maksimale, në mënyrë që të sigurohet se konsumatorët janë të mbrojtur dhe ngarkohen vetëm për funksionet që këto kompani kryejnë sa i përket transmetimit dhe distribuimit të energjisë. KEDS si operator i rregulluar do të jetë i obliguar me ligjet, rregullat dhe kushtet e licencës, që të ofrojë kushte të njëjta për të gjithë operatorët që janë licencuar dhe dëshirojnë të kryejnë funksionet e furnizimit me energji elektrike”, ka theksuar Muretzaj-Bajrami.

Iniciativën për fillimin e liberalizimit të tregut në fushën e energjisë e ka përkrahur edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.

Megjithatë, ata kanë kërkuar që gjatë licencimit të operatorëve të rinj, të konsultohet Ligji për mbrojtjen e konkurrencës, i cili ndalon marrëveshjet në mes ndërmarrjeve, të cilat, në veçanti kanë të bëjnë me përcaktimin e çmimit në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë.

Valon Prestreshi, kryetar i Komisionit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ky liberalizim i jep mundësi konsumatorëve të përzgjedhin kompaninë e cila është më e favorshme për ta.

“Me liberalizim nënkuptohet mundësia që konsumatori të ketë mundësi zgjedhjeje të kualitetit dhe çmimit më të arsyeshëm, në të kundërtën fiksimi i çmimit dhe ndarja e tregut nuk janë dhe nuk konsiderohet liberalizim i tregut”, ka theksuar Prestreshi.

Në anën tjetër Rinora Gojani, menaxhere e programit në Konsorciumin Kosovar të Shoqërisë për Energji, thotë se një treg i liberalizuar i energjisë elektrike ju krijon konsumatorëve një siguri më të madhe për furnizim.

“Kosova është një vend i cili mbështetet shumë nga energjia nga thëngjilli dhe kjo do të bëjë që të kemi një energji të diversifikueshme. Është një hap që është dashur të fillonte më parë, por mirë që po fillon edhe tani. Liberalizimi i tregut nuk është një event i cili ndodh një herë, por është një procedurë, kështu që kemi shumë për të bërë në këtë proces”, thekson Gojani.

Sa i përket çmimeve të energjisë elektrike Gojani thonë se nuk duhet pritur ulje të çmimit, pasi që energjia është një produkt i shtrenjtë, por sipas saj është e rëndësishme që çmimet që ofrohen të jenë të arsyeshme, transparente dhe të reflektojnë koston e shërbimit.

Aktualisht 85 për qind e konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike varet nga prodhimi i thëngjillit. Kosova vlerësohet si një ndër vendet më të pasura në botë më linjit. Prodhimi mesatar i thëngjillit, në Korporatën Energjetike të Kosovës, është rreth 8 milionë tonë në vit.

Telegrafi,  05.04.2017

Në Kosovë nisi liberalizimi i tregut të çmimeve të energjisë elektrike duke pësuar ndryshime thelbësore të rregullimit të këtyre çmimeve.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) nga sot do të jetë rregullues i çmimeve të energjisë vetëm për furnizuesit, ndërsa për gjeneruesin, në këtë rast KEK-un, çmimet do t’i rregullojë tregu.

Ushtruesi i detyrës së kryesuesit të Bordit në ZRRE, Krenar Bujupi ditë më parë ka bërë të ditur se Kosova ka aprovuar ligjet përkatëse për liberalizimin e tregut, që nënkupton rregullimin e çmimeve të energjisë elektrike, edhe pse sipas tij nuk do të ketë ndryshime rrënjësore të çmimeve.
Sipas Bujupit, Kosova ka çmime të lira të energjisë elektrike sesa Maqedonia dhe Shqipëria.

KosovaPress,  01.04.2017

Zyra e Rregullatorit të Energjisë organizoi sot një tryezë diskutimi për Liberalizimin e Tregut të Energjisë.

Ushtruesi i detyrës së kryesuesit të Bordit në ZRRE, Krenar Bujupi, theksoi se qëllimi i kësaj konference është për liberalizimin e tregut të energjisë ngase Kosova ka aprovuar ligjet përkatëse.

Liberalizim sipas tij, nënkupton rregullimin e çmimeve të energjisë elektrike edhe pse sipas Bujupit nuk do të ketë ndryshime rrënjësore të çmimeve.

Bujupi tha se çmimet e energjisë aktualisht janë më të lira në Kosovë krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian.

Sipas tij, Kosova ka çmim më të lirë të energjisë sesa Maqedonia, Shqipëria, por Serbia ka çmime të energjisë më të lira se Kosova.

Ai tha se janë licencuar edhe dy operatorë për furnizim me energji elektrike.

Këshilltari për rritje ekonomike në USAID, Theodore Heisler, tha se furnizimi i rregullt me energji elektrike paraqet zhvillim dhe rritje ekonomike për Kosovën.

Liberalizimi i tregut sipas tij, mundëson investimet në infrastrukturën e energjisë.

Gjithashtu Heisler tha se liberalizimi i tregut të energjisë duhet të ndodhë për çmime të arsyeshme për bizneset.

Eksperti për energji elektrike në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, Arben Kllokoqi, tha se liberalizimi I tregut të energjisë për çmimet është I nevojshëm dhe konkurrenca e kësaj lëmie të futet në treg.

Sipas tij, Qeveria dhe Kuvendi duhet të krijojnë kushte për hapësirë më të madhe në tregun e energjisë, andaj, lehtësimi i kushteve ka mjaft rëndësi.

Telegrafi,  18.03.2017

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe projekti Repower i USAID organizuan një tryezë diskutimi uar në lidhje me liberalizimin e tregut të energjisë elektrike në vend.

Aktualisht ZRRE është në fazën e rishikimit të legjislacionit sekondar dhe përshtatjes së tij me ligjet e reja të energjisë, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës në qershor 2016.

Korniza e re legjislative paraqet ndërrimet fundamentale në politikën rregullative drejt segmenteve konkurruese në sektorin e energjisë – gjenerimin dhe furnizimin me energji elektrike si dhe sektorin e burimeve të ripërtëritshme.

Më 18 janar 2017, ZRRE ka publikuar Udhëzuesin për hapjen e tregut, një dokument që thekson planet e ZRRE rreth heqjes së tarifave të rregulluara me shumicë dhe pakicë.

ZRRE, me ndihmën e USAID përmes projektit REPOWER, është duke ndryshuar legjislacionin sekondar për ta përshtatur atë me ligjet e reja të energjisë dhe politikat e ZRRE-së të përcaktuara në Udhëzuesin për hapjen e tregut.

Ky proces përfshin azhurnimin e rregullave të çmimeve, përgatitjen e dokumenteve të tenderimit për caktimin e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit, zhvillimin e një rregulle për rregullimin e Shërbimit të Furnizimit Universal si dhe hartimin e draft-licencave dhe Rregullës për licencim për pjesëmarrësit në treg. ZRRE, me mbështetjen e REPOWER, ka prezantuar një Skemë Mbështetëse në përputhje me tregun përmes Fondit për Energjinë e Ripërtëritshme dhe ka zhvilluar shabllonët e Marrëveshjeve për Blerje të Energjisë që do të ndihmojnë në përmirësimin e përshtatshmërisë së financimit nga bankat të projekteve të BRE-ve.

ZRRE po shtyn përpara edhe procesin e licencimit të BRE-ve përmes një drafti të ri për procedurën e autorizimit.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  17.03.2017

Pas një takimi konsultativ me bizneset e lidhura në 35 kv Ministria e Energjisë ka pranuar kërkesën e tyre për të shtyrë afatet e daljes në tregun e pavarur të energjisë, njoftuan burimet zyrtare në Ministrinë e Energjetikes.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Energjisë dhe industrisë ashtu sikurse edhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike zhvilluan sot një takim informues dhe konsultues me bizneset që kanë detyrimin për të dalë në tregun e lirë të energjisë.
Në mbështetje të ligjit të ri për sektorin e energjisë elektrike, OSHEE ka evidentuar 73 subjekte të lidhura në rrjetin 35 kV të cilat duhet të respektojnë këtë detyrim për të gjetur mundësinë alternative të furnizimit dhe shkëputur nga operatori publik.
Aktualisht ka përfunduar procesi i instalimit të matëseve në këto subjekte dhe po vazhdon miratimi i kuadrit ligjor e rregullator të nevojshëm që këto biznese të mund të furnizohen në tregun e lirë.

Gjatë diskutimeve që u realizuan, Ministria e Energjisë dhe industrisë pranoi kërkesën e këtyre bizneseve për tu dhënë pak më shumë kohë në dispozicion për shkëputjen nga OSHEE. Afati i mundshëm i përfundimit të të gjithë këtij procesi do të jetë data 30 Qershor 2017. Ligji përcakton gjithashtu afatin dy mujor në të cilin këtyre subjekteve u garantohet furnizimi nga OSHEE në cilësinë e furnizuesit të mundësisë së fundit.

Të 6300 bizneset e mëdha që konsumojnë në 35 dhe 20 kilovolt do të nxirren në tregun e lire energjisë dhe për rrjedhojë nuk do të jenë të mbrojtur nga çmimet e tregut. Sipas ligjit të ri për sektorin e energjisë ata duhet ta gjejnë lirisht energjinë që ju duhet për konsum nëpërmjet një ndërmjetësi apo një furnizuesi.

Ekspertët e sektorit rekomandojnë që këto biznese deri në krijimin e Bursës së Energjisë duhet të prokurojnë energjinë, duke bërë kërkesa në shumë operatorë  dhe lidhin kontrata furnizimi të paktën njëvjeçare. Në këtë mënyrë ato kanë mundësi të shmangin luhatjet e çmimeve në treg gjatë vitit.

Bizneset do jenë të ekspozuara ndaj rritjes së çmimit të energjisë, sidomos në kohë thatësirash pasi furnizimi i vendit në këto periudha është i varur tërësisht nga importet. Nëse KESH-it i duhet të blejë energji më çmim 120 euro megavatori siç ka ndodhur në vitin 2011, sigurisht që edhe bizneset janë të ekspozuara nga çmimet e larta, nëse kjo ngjarje përsëritet.

Gjithsesi edhe pas liberalizimit të tregut, bizneset rrezikohen nga furnizimi me energji. Operatori i Shpërndarjes do të mbajë përgjegjësinë e furnizuesit më të fundit. Që do të thotë se nëse një nga konsumatorët e mëdhenj të energjisë do të dështojë të gjejë furnizuesin në tregun e lire atëherë OSHEE do të vijojë të furnizojë. Por në këtë rast ndryshon kushti për çmimin, i cili do të jetë më i lartë. Gjithsesi tarifat do të miratohen nga Enti Rregullator i Energjisë duke marrë një konsiderate analizën e kostove.

Revista Monitor,  17.02.2017

Ministria e Financave pohon se kredia 218 mln euro e BERZH lëvrohet direkt nga KESH, me plotësimin e konventave të parashikuara në marrëveshje. Por një nga këto kushte ka të bëjë pikërisht me çmimet e rregulluara të prodhimit dhe ato të shumicës!

Qeveria është në hapat finale të liberalizimit të tregut të energjisë, por kompanitë publike OSHEE, OST dhe KESH janë vënë gati në një situatë konfliktuale me njëra-tjetrën se kush do të sigurojë fitimet më të larta nga “torta e liberalizimit”. Nga ana tjetër, në kontratën e garancisë për kredinë 218 mln euro dhënë KESH, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka kërkuar,  krahas liberalizimit edhe rishikimin e çmimeve të rregulluara të prodhimit të energjisë dhe atyre të shumicës (të konfirmuara me shkrim), duke kushtëzuar lëvrimin me këto kushte.

Liberalizimi kërkon që kompanitë do të tregtojnë mallin dhe shërbimet me çmime të liberalizuara, në kushtet kur çmimi për konsumatorin fundor nuk do të ndryshojë. Kjo do të thotë se të ardhurat që realizohen nga shitja e energjisë elektrike do të shpërndahen në mënyrë të barabartë me kushte që asnjëra nga kompanitë të mos subvencionoje tjetrën. Duket se nga kjo situatë kërkon të fitojë KESH, e cila mësohet se po përdor dhe kredinë e fundit të BERZH prej 218 milionë euro (që zëvendësoi kreditë tregtare të bankave), ku BERZH ka kërkuar që KESH të ketë tregues të lartë financiarë, që mund të jenë të arritshme vetëm nëse rritet çmimi me të cilin ai i shet energjinë Operatorit të Shpërndarjes. Aktualisht KESH një kilovator energji e shet 1.45 lekë ndaj Operatorit të Shpërndarjes (OSHEE). Por me liberalizimin e tregut OSHEE ketë energji qe e merr nga KESH do ta shesë ndaj klientëve 35 kilovolt me çmime importi.

Agron Hetoja, drejtor i KESH, tha për Monitor se se për të mbuluar kostot që vijnë nga amortizimi i aseteve dhe shlyerja e kredive që KESH ka marrë për gjithë sistemin i duhet një tarifë shitjeje 2.8 lekë për kilovatorë.

Ardian Çela, administrator i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, tha se tashmë çmimet finale për konsumatorin familjar janë të vendosura dhe nuk bëhet fjalë të ketë rritje. Enti Rregullator i Energjisë ka metodologjinë e vet të llogaritjes së çmimit dhe dokumenti është miratuar tashmë nga qeveria.  Për shpërndarjen nuk do të ketë rritje tarife. Ai tha se OSSHE ka propozuar një variant që të paguhet një pjesë e kësteve të kredisë që BERZH ka dhënë për shlyerjen e borxheve të KESH në banka.  Çela pohoi se Ministria e Energjisë po udhëheq negociatat në mënyrë që rishikimi i tarifave mos të cenojë konsumatorin fundor dhe të gjendet një zgjidhje e pëlqyeshme për të gjithë.

Ndërsa Drejtori i KESH, Agron Hetoja tha se modeli i tregut të energjisë, që ka në thelb liberalizimin, duhet të aplikohet edhe për KESH. Hetoja tha se logjikisht në një treg të liberalizuar fitimet shkojnë për atë që shet mallin dhe më pak për ofruesit e shërbimit, ndaj sipas tij kjo logjike duhet të ndiqet edhe për tregun e energjisë. Hetoja tha se, për të mbuluar kostot që vijnë nga amortizimi i aseteve dhe shlyerja e kredive që KESH ka marrë për gjithë sistemin i duhet një tarifë shitjeje 2.8 lekë për kilovatorë.

Enti Rregullator i Energjisë në relacionin për mosndryshimin e tarifave vitin e kaluar ka vënë në dukje se OSHEE ka realizuar më 2015 fitime 10 herë më të larta se sa ishte parashikuar nga ERE në relacionin kur janë miratuar çmimet e reja të energjisë më 2014.

Financat: Kredia e BERZH lëvrohet automatikisht kur plotësohen kushtet, po cilat janë ato?!

Në fund të vitit të kaluar, Kuvendi miratoi ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në lidhje me marrëveshjen e huasë 218 ndërmjet KESH dhe BERZH. KESH, përmes kësaj huaje synon ristruktimin e borxheve, optimizimin e shpenzimeve dhe përmirësimin e bilancit. Sipas relacionit, ai synon shlyerjen e borxhit të shtrenjtë afatshkurtër ndaj bankave tregtare vendase, nëpërmjet një huaje afatgjatë, shumë më të lirë nga institucionet financiare ndërkombëtare, duke krijuar kështu mundësinë e çlirimit vit pas viti të buxhetit të shtetit nga garancitë qeveritare që ka dhënë për KESH-in (pagesat vjetore të principalit do të shkojnë për reduktimin e volumit  të garancive qeveritare).

Kredia nuk është lëvruar ende. Burime zyrtare nga Ministria e Financave pohuan se “kredia e BERZH lëvrohet direkt nga KESH, me plotësimin e konventave të parashikuara në marrëveshje”.

Po cilat janë këto kushte. Sipas kontratës zyrtare të përkthyer, një nga detyrat për të cilat qeveria është angazhuar, krahas liberalizimit të tregut, është se garantuesi (qeveria) do të “Rishikojë çmimet e rregulluara për prodhimin e energjisë elektrike dhe çmimet e tregut të shitjes me shumicë në linjë me përfundimin e kontratës afatgjatë  për furnizimin/blerjen e OSHEE/KESH-it, me të ardhura në nivelet e tarifës për KESH-in të konfirmuara me shkrim në mënyrë të pëlqyeshme për BERZH” .

Pikërisht kjo pikë ka ngjallur dhe debat, teksa BERZH merr atribute për të vënë detyra të tilla si rishikimin e çmimeve, në një kohë kur me ligj një detyrë të tillë e ka Enti Rregullator i Energjisë (ERE).

Burimet nga  Ministria e Energjetikes dhe OSHEE pohojnë se kredia 218 milionë euro që BERZH ka dhënë për KESH ka marrë në konsideratë që kompanitë do të operojnë me kushtet të tregut me çmime të liberalizuara, por në asnjë rast BERZH nuk vendos për çmimet, ato janë atribut i ERE.

Ligji i ri për energjinë i miratuar që ka hyrë në fuqi në vitin 2015 detyron kompanitë të operojnë me çmime të tregut dhe kjo reforme përfshin kompaninë e prodhimit të energjisë.

Revista Monitor,  01.02.2017

Ministria e Energjisë dhe Industrisë në bashkëpunim me Konfederatën Kombëtare të Industrive (AlbKonfindustria) dhe e mbështetur nga Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore, organizuan sot, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, Forumin Ndërkombëtar për “Bursën Shqiptare të Energjisë – APEX”.

Ky aktivitet organizohet në kuadrin e marrëveshjes së firmosur midis Ministrisë dhe IFC-së për krijimin e APEX, e cila do të ndihmojë në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike dhe për të pasur një lidhje më të mirë të tregut shqiptar të energjisë me pjesën tjetër të Evropës.  Ky projekt zbatohet nga Departamenti i Shërbimit Këshillimor për Partneritete Publike dhe Private dhe Departamenti i Shërbimit Këshillimor për Energjinë të IFC-së, dhe mbështetet nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Sekretariati Zviceran Ekonomik Shtetëror (SECO) dhe Ministria e Financës e Austrisë.

Krijimi i APEX-it do të jetë në përputhje me zbatimin e politikave të energjisë dhe me standardet e Bashkimit Evropian dhe integrimin në tregun rajonal të energjisë. Tregu shqiptar do të bëhet platforma kryesore për tregtimin e energjisë, duke i dhënë mundësi të gjithë aktorëve vendas të blejnë dhe të shesin energji elektrike shpejt dhe lehtësisht, duke përfshirë edhe tregtimin me vendet e tjera. Bursa Shqiptare e Energjisë pritet të ndihmojë në nxitjen e integrimit të rrjetit elektrik të Shqipërisë me pjesën tjetër të Evropës, duke përfshirë edhe vendet fqinje në rajon. APEX gjithashtu do të rrisë transparencën e çmimeve, dhe do të përmirësojë klimën e investimeve për projektet e reja të energjisë.

“Liberalizimi i ekspozon Shqipërinë edhe përballë të panjohurave ndaj kujdesi i qeverisë do të jetë shumë i madh, njëkohësisht edhe për informimin e të gjithë aktorëve e partnerëve që janë në sektorin elektroenergjitik. Ata do mund të informohen në vijimësi për avantazhet dhe kostot që sjell procesi i liberalizimit. Edhe ky aktivitet ka këtë qëllim për të komunikuar dhe diskutuar hapat që na presin”, u shpreh z.Gjiknuri, Ministër i Energjisë dhe Industrisë.

Sipas tij, çështja e afatit për daljen në treg të klientëve të parë është duke u adresuar. “Ne nuk do ti ekzpostojmë aktorët që do të dalin në treg ndaj masave të paparashikueshme apo që mund të sjellin probleme në furnizimin me energji elektrike”, garantoi ministri Gjiknuri.

Ai nënvizoi se që të arrihet krijimi i bursës duhet të ecim dhe me proceset e tjera. “Procesi i liberalizimit nuk duhet të ndalet pasi ndryshe nuk do të ketë treg, nuk duhet të ndalet as prodhimi i energjisë elektrike. Shqipëria, mundësitë e saj duhet ti shfrytëzojë për të shtuar volumin që ti shërbejë edhe Bursës”, theksoi z.Gjiknuri.

Shqipëria është vend kandidat për Bashkimin Evropian dhe së fundmi ajo është bërë pjesë e Komunitetit të Energjisë, një organizatë shumëkombëshe që bashkon Bashkimin Evropian dhe vendet e tjera të Ballkanit.

Gjergj Buxhuku, Kryetar i AlbKonfindustria tha: “Liberalizimi dhe integrimi i tregut të energjisë shoqëruar me krijimin e APEX, si hallkë e domosdoshme e procesit, nëse do të menaxhohet mirë dhe në mënyrë afatgjatë, do të sjellë përmirësimin e furnizimit në çmim dhe cilësi për bizneset dhe industritë, shtim të vlerës së energjisë elektrike të prodhuar në vend dhe shtim të fuqisë tërheqëse të ekonomisë kombëtare për investime”.

“IFC është e kënaqur që të kontribuojnë drejtpërdrejt në krijimin e tregut të energjisë elektrike të Shqipërisë, nëpërmjet krijimit të Bursës së Energjisë. Kjo është shumë në përputhje me strategjinë e re të IFC-së, që fokusohet në krijimin e tregjeve dhe investimet e sektorit privat në tregjet kryesore në zhvillim “, tha Nickolas Frydas, Specialist i Lartë Energjisë në IFC.

Duke dhënë këtë sinjal në lidhje me transparencën e çmimeve, Shqipëria do të mbështesë të gjitha investimet e ardhshme, veçanërisht ato hidrike dhe burimet e rinovueshme të tjera, duke kontribuar në këtë mënyrë edhe në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe në zhvillimin e procesit të përafrimit në BE.  “IFC- ja do të angazhohet maksimalisht në sektorin energjetik shqiptar, për të mbështetur reformat rregullatore dhe nevojat për investime në sektor” theksoi Laura Qorlaze, Përfaqësuesja e IFC-së në Shqipëri.

Fjala e plotë e ministrit Gjiknuri:

Faleminderit z. Buxhuku që u bëre iniciatori i zhvillimit të këtij aktiviteti të cilin kemi kohë që e diskutojmë. Bursa e Energjisë është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm i nisur kohë më parë dhe që ecën paralel më zhvillimet  e tjera që kanë ndodhur në sektorin elektroenergjetik. Pra, është një stacion i nevojshëm në vazhdim të asaj që ka ndodhur këto 3 vitet e fundit dhe asaj që pritet të ndodhë në rrugëtimin tonë drejt reformimit të sektorit elektroenergjetik, konsolidimit të tij dhe mundësive të reja që hapen me këto zhvillime që kanë ardhur. Kuptohet, disa vjet më parë do të ishte absurde që të flitej për këto zhvillime nisur nga fakti që në çfarë gjendje ishte sektori elektroenergjetik, një sektor i cili më shumë ka qenë një gropë e zezë për ekonominë shqiptare dhe në një falimentim të plotë. Falë gjithë atyre masave të forta dhe efektivitetit të reformës që ndërmori qeveria, tashmë likuiditeti është shtuar dhe sektori ka krijuar stabilitet financiar.

Ky është hapi i parë i domosdoshëm për të folur për reformat, për të folur për investimet, për të folur edhe për reforma rregullatore që shkojnë në kahun e zhvillimeve europiane. Pa siguruar likuiditet financiar dhe pa pasur një disiplinë financiare në tregun elektroenergjetik, të gjitha këto gjëra do të ishin absurde, madje do të ishin thjesht premtime në letër dhe asnjë njeri nuk do të mendonte që këto do të zhvilloheshin. Por, kuptohet se stabiliteti financiar, domosdoshmëria e parë është themeli ku mund të ngrihet çdo reformë.

Nga ana tjetër, reforma ka implikimet e veta. Vet liberalizimi e ekspozon Shqipërinë edhe në gjërat të panjohura. Realisht, kujdesi qeverisë duhet të jetë shumë i madh por njëkohësisht edhe informimi i të gjithë partnerëve që janë në sektorin elektroenergjetik duhet të jetë i tillë që të mundësojë që ata me kohë të kuptojnë avantazhet, benefitet dhe kostot që mund të sjellë çdo lloj reforme. Pikërisht, edhe ky aktivitet këtë ka qëllim që të komunikojmë me njëri-tjetrin në mënyrë që të kuptojmë edhe hapat e vështira që na presin, por njëkohësisht edhe avantazhet dhe mundësitë që krijohen për të gjithë partnerët në sektorin elektroenergjetik.

Kuptohet unë fola pak më parë për reformat, edhe investimet që po kryhen, nuk dua ti theksoj shumë meqenëse jam përfaqësues qeverie dhe të themi për gjithë ato gjëra të mira që janë bërë, nuk dua ti them. Se pa u bërë ato  do të ishte e pamundur krijimi i një tregu energjetik. Liberalizmi i sapofilluar, dalja e klientëve të parë, ajo çështja e afatit që ju thatë është diçka që jemi duke e adresuar, përfshirë edhe masat e nevojshme që duhet të ketë konsumatori i cili e ka të pamundur të furnizohet me energji elektrike nga furnizuesit privat, ai do të ketë një farë sigurie që do të thotë kthimin në shoqërinë publike e cila ka mbulimin universal me furnizim energjie, pra do të kemi mundësinë që ata të furnizohen aty. Kjo masë do të ekzistojë dhe ne nuk do ti ekspozojmë aktorët të cilët do të dalin në treg ndaj masave të paparashikueshme apo që mund të sjellin probleme me furnizimin me energji elektrike. Kjo gjë duhet të jetë e qartë dhe besoj do të sqarohet edhe në një aktivitet tjetër që ne kemi ndërmend të zhvillojmë.

Nga ana tjetër, kur fola pak për investimet, që të arrihet krijimi i bursës kjo duhet të shkojë në paralel me të gjitha ato ndërmarrje të suksesshme që kemi filluar. Duhen disa kushte sipas mendimit tim dhe kjo është një gjë për tu debatuar, por të paktën të themi çfarë kemi parë edhe nga vendet e tjera që i kanë të implementuara. Kuptohet, duhen elementë rregullatorë shumë të fortë, por le të themi që ky është një proces që po krijohet. Ministria e Energjisë ka përgatitur bazën e nevojshme ligjore dhe është duke e diskutuar, do fillojë edhe diskutimin me aktorët e interesuar për çuarjen e tij në Parlament, që të krijojmë bazën e nevojshme për Bursën Shqiptare të energjisë. Ky proces është kryer në bashkëpunim edhe me ndihmën e IFC-së, me konsulentët që janë të përfshirë në këtë proces. Mendoj që do të jetë baza e nevojshme për fillimin të paktën nga pikëpamja juridike të krijimit të bursës.

Nga ana tjetër duhen edhe disa kushte shumë të rëndësishme. Një pjesë e volumit të energjisë që do të jetë në treg do të kërkohet nga biznesi privat, pra do të thotë se procesi i liberalizmit nuk duhet të ndalet. Po nuk pati një proces liberalizimi nuk do të ketë nevojë as për një treg të shumicës të energjisë elektrike. Njëkohësisht, nuk duhet të ndalet as prodhimi i mëtejshëm i energjisë elektrike. Shqipëria këto mundësi e potenciale që ka, mundësitë e saj hidrike por edhe mundësi të tjera që shumë shpejt do të krijohen, të fillojnë të jenë një volum i shtuar. Volum i cili mund ti shërbejë kësaj Burse sepse kjo bursë do disa volume energjie të pranueshme. Mendoj që politika e qeverisë është për vazhdimin e nxitjes së shtimit të prodhimit në vend dhe vazhdimi i politikës sonë të matur tashmë të koncesionimit. Pse them të matur?! Të matur, të përfshira plotësisht në një kosto e cila vërtet reflektohet siç duhet në tarifat e blerjes së energjisë dhe nuk shkakton dëme. Pra nuk shkakton hendeqe financiare nga politika të pamenduara siç ka ndodhur vite më parë, që gjunjëzuan sistemin nga pikëpamja financiare.

Prandaj dhe ligji  i ri i energjive të rinovueshme, i cili shumë shpejt do të kalojë në Parlament, pikërisht këtë ka marrë parasysh. I siguron investitorët tek ato investime që kanë sens, pra që janë eficiente nga pikëpamja energjetike. Do të mund të financohen dhe do të kenë mundësi për kthimin e kapitalit mbrapsht, do të thotë që Shqipëria do të ketë mundësi të prodhojë energji shtesë dhe kjo do të jetë një benefit për bursën.

Nga ana tjetër, projektet e qeverisë janë për të nxitur prodhuesit e mëdhenj të energjisë pa incentivime dhe kjo është një masë tjetër e cila shkon paralel me Bursën. Procesi i liberalizimit, kërkesa që do të ketë sektori privat dhe nesër edhe pjesa tjetër e konsumatorëve kur të arrijmë atë maturim të nevojshëm, ku të gjithë konsumatorët do të jenë të ekspozuar ndaj çmimeve të liberalizuara, do të bëjë që të ketë kërkesë për energji. Pikërisht mundësitë që ka Shqipëria me rezervat e saj dhe me një prodhim relativisht të lirë, do të bëjë që biznesi privat, investimet e tyre do ti ketë të sigurta në një treg të qëndrueshëm.

Një element i rëndësishëm janë investimet publike në sektorin elektroenergjetik. Tashmë ne kemi arritur një rekord investimesh këto vite e fundit. Kemi siguruar për të paktën këto 4 vjet se do të investojmë mbi 420 milion euro, përfshirë edhe linjat e interkonektivitetit në sektorin elektroenergjetik. Pse është e nevojshme? Pa infrastrukturë elektroenergjetike edhe këto të tjerat janë ëndrra. Pikërisht, këto investime janë një hap tjetër i nevojshëm që bën të mundur krijimin e tregut të energjisë elektrike në konceptin që ne duam ta promovojmë sot. Këto masa ecin paralel dhe nuk duhen parë të shkëputura, qoftë investimet në energji, qoftë masat për incentivimin e sektorit privat, por gjithmonë me norma të arsyeshme. Hapat që po ndërmarrim për krijimin e tregut e energjisë do bëjnë që të krijohen të gjitha kushtet që të kemi vërtet një treg të mirëfilltë të energjisë elektrike në Shqipëri. Shqipëria ka mundësi që dhe me Kosovën e Malin e Zi të jetë një mundësi potenciale, të jetë një hapësirë energjetike ose të themi një treg dhe bursa shqiptare mund t’iu shërbejë edhe këtyre vendeve. Normalisht, ne duhet ta ndjekim këtë proces që te jemi nga pionierët e arritjes në këtë drejtim, pasi ndryshe do të humbin rastin historik.

Ngrihen edhe disa pikëpyetje. Unë jam nga funksionarët publikë që normalisht nuk dua të shikoj vetëm dinamikën që sjell sektori privat apo interesi që mund të ketë liberalizimi i tregut. Ka edhe pikëpyetje të mëdha nisur nga shqetësimet që janë hasur edhe nga implementimi i reformës në vende të tjera. Qeveria duhet të jetë e kujdesshme dhe duhet të shohë një proces jashtëzakonisht të ekuilibruar të arritjes së këtyre objektivave. Gjëja e parë që më vjen në mend dhe që normalisht ka qenë këshilla e shumë njerëzve transparenca dhe llogaridhënia e këtij tregu energjetik. Ka shumë rëndësi që Bursa që do të krijohet të ketë mekanizma të nevojshëm kontrolli dhe transparence që bëjnë të mundur që nuk do të kemi probleme që mund të kenë hasur vende të tjera.

Këto janë probleme serioze të cilat ne po i adresojmë së bashku me konsulentët dhe me eksperiencën që kanë hasur vendet e tjera. Logjika është që tregu i liberalizuar dhe një bursë funksionale e energjisë elektrike çon në uljen e çmimeve të energjisë elektrike me shumicë. Do të thotë, të gjithë konsumatorët përfitojnë, nuk do të ketë më nevojë shteti në mënyrën siç e bën sot apo vetëorganizimi i sektorit elektroenergjetik, ku në njëfarë mënyre, ta themi haptazi këtu, janë konsumatorët industrialë të cilët le të themi financojnë konsumatorët familjarë. Tani kemi një energji që familjarëve ju shitet nën kosto për ato arsye politike që dihen apo për një stabilitet që Shqipëria e meriton për shkak edhe të fuqisë ekonomike që ka konsumatori shqiptar.

Pikërisht, për të bërë kosto më të ulta të tregut me shumicë të energjisë elektrike, kjo do ketë mundësi të reflektohet edhe në tarifat  e konsumatorëve. Do të thotë se nuk do të ketë destabilitet apo shqetësim nga të gjithë konsumatorët familjarë përsa i përket tarifave të energjisë elektrike. Ky është thelbi i problemit.  Kudo ku është krijuar tregu i organizuar, ka pasur një rënie të çmimit të energjisë elektrike. Këto mekanizma që ju thashë duhet të jenë funksional, mekanizmat monitorues dhe llogaridhënës. Pikërisht këtu qëndron dhe çelësi apo synimi pse duhet ta kemi këtë treg. Ka shumë mundësi që ne të kemi çmime më të lira të shumicës së energjisë elektrike. Të kemi transaksione më transparente, likuiditet më të shtuar, kuptohet kjo duke ecur paralel edhe me liberalizmin e tregut të energjisë dhe mundësi të reja për investime për aq sa ato investime janë vërtet të kthyeshme, që janë eficente. Shqipëria ka qenë dëshmitare e investimeve jo eficiente në fushën e prodhimit të energjisë elektrike.

Nëse do ti rreshtoja të gjitha këto arsye, mendoj se Shqipëria po hedh hapin e duhur. Në planet tona si qeveri, brenda mesit të këtij viti ne ta kemi bazën e plotë ligjore të krijimit të tregut të energjisë elektrike. Pastaj do duhen masa të tjera institucionale, përfshirë edhe këto mekanizma që unë thashë, mekanizmat e kontrollit, mekanizmat e llogaridhënies në mënyrë që tregu, besoj në vitin 2018 të jetë funksional. Është vërtet ambicioz si afat sepse vendeve të tjera i është dashur më shumë kohë, por në fund të fundit nuk ka asgjë të keqe për të rendur drejt një ambicie të lartë. Ambicie të forta kishim edhe me reformën në sektorin elektroenergjetik, edhe me masat që morëm në vitin 2014 ku shumë pak njerëz besonin që ai sektor do të vihej në kontroll. Ja që dita e solli që ai sektor të jetë ndër kontribuuesit më të mëdhenj sot të ekonomisë shqiptare, një sektor që e frenoi rrjedhjen e Buxhetit të Shtetit, hemorragjinë që kishin kapur financat publike, ku vetëm në vitin 2013 mbi 23 miliard lekë, pra rreth 200 milion dollarë të taksapaguesve shqiptarë në vend shkonin për të mbyllur gropat, keqmenaxhimin e sektorit elektroenergjetik. Sot që flasim, sektori elektroenergjetik jo vetëm që nuk ka kërkuar financime shtesë nga Buxheti i Shtetit, por përkundrazi është kthyer në një taksapagues të rregullt dhe kontribuues direkt, gjë që bëri të mundur edhe ato arritje të mira në fushën sociale siç ishte rritja e rrogave dhe pensioneve dhe shumë arritje të tjera që i shërbejnë publikut të gjerë.

Normalisht që edhe Bursa do të jetë një hap tjetër i nevojshëm drejt konsolidimit të reformës, ku mbi të gjitha qytetari shqiptar do të jetë ai që do të përfitojë më shumë. Ju faleminderit dhe shpresoj në këtë forum të kemi edhe debat e diskutim në lidhje me këto çështje, sepse vërtet na ndihmoni për të adresuar edhe shumë shqetësime të shumë aktorëve të tjerë të cilët e shohin formimin e bursës edhe me meraqe të cilat normalisht mund ti kenë parë edhe në vende të tjera dhe që me të drejtë duan që të adresohen edhe në Shqipëri.

Ju faleminderit shumë!

energjia.al  01.02.2017

Bordi i ZRRE aprovon Udhëzuesin për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë, vlerëson konkurrencën e tregut, vendos Parimet e Përcaktimit të Tarifave për Shfrytëzimin e Sistemit dhe Taksat e Kyçjes për OST dhe OSSH dhe ju rekomandon të gjithë operatorëve që, edhe përkundër përmirësimeve të deritanishme, të rrisin përpjekjet për përmirësim të shërbimeve dhe saktësi në raportimet rregullative.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në mbledhjen e tij të parë për vitin 2017, të mbajtur më 18 dhe 19 janar, ka aprovuar Udhëzuesin për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë.

Përmes një njoftimi për media theksohet se ky Udhëzues vjen si rezultat i ndryshimeve ligjore dhe si nevojë e përshtatjes së legjislacionit sekondar me ligjet e reja të energjisë, të aprovuara nga Kuvendi i Kosovës në korrik të vitit 2016, të cilat janë në përputhje me pakon e tretë të direktivave të Bashkimit Evropian dhe përcaktojnë funksionimin e një tregu të lirë në sektorin e energjisë.

“Udhëzuesi, përveç që shërben si udhërrëfyes për veprimet që do të ndërmerren nga të gjithë akterët drejt funksionalizimit të tregut të lirë të energjisë elektrike, po ashtu definon mënyrën, kushtet dhe kohën e hapjes së tregut të energjisë elektrike në Kosovë, në nivelin e Prodhimit dhe Furnizimit të energjisë elektrike.”

“Definimi i kushteve nga Udhëzuesi do të shërbej si mbështetje për amandamentimin dhe plotësimin e legjislacionit sekondar, të cilin aktualisht është duke e bërë ZRRE”, theksohet në njoftim.

Gjithashtu Bordi ka shqyrtuar Raportin për Vlerësimin e Konkurrencës në Tregun e Energjisë Elektrike në Kosovë. Raporti ka identifikuar se aktualisht janë tre [3] furnizues të licencuar për të furnizuar gjithë tregun me pakicë të energjisë elektrike, mirëpo deri më tani dy nga këta të licencuar nuk janë plotësisht aktiv dhe KESCO ende ka 100% të pjesëmarrjes në treg.

Si pasojë e mungesës së konkurrencës efektive, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe parandalimit të abuzimit me pozitën dominuese të furnizimit me energji elektrike, Bordi ka vendosur që ZRRE të përcaktojë Obligimet e Shërbimit Publik për furnizues të ofrimit të Shërbimit Universal me energji elektrike.

Bordi ka shqyrtuar rekomandimet e raporteve të monitorimit të operatorëve të licencuar. Rekomandimet, të cilat Bordi ka vendosur të ju përcjellë të licencuarve, përkundër potencimit të përmirësimeve, theksojnë nevojën e përkushtimit më të madh nga të licencuarit për përmirësim të shërbimeve dhe saktësi të prezantimit të të dhënave.

Bordi ka vendosur që të njoftojë të licencuarit se rekomandimet e raporteve janë obliguese dhe ka kërkuar që të ndërmarrin masa të menjëhershme për plotësimin e tyre, ndërsa për çështjet përkatëse, Bordi ka vendosur që të jenë pjesë e shqyrtimit periodik tarifor në mënyrë që të sigurohet se konsumatorët paguajnë vetëm për kostot reale të shërbimeve të ofruara nga operatorët e rregulluar.

Po ashtu në këtë mbledhje Bordi ka aprovuar Parimet e Përcaktimit të Tarifave për Shfrytëzimin e Sistemit dhe Taksat e Kyçjes për OST dhe OSSH. Këto dokumente përcaktojnë parimet mbi të cilat OST dhe OSSH duhet të hartojnë Metodologjitë e Përcaktimit të Tarifave për Shfrytëzimin e Sistemit dhe Taksat e Kyçjes për OST dhe OSSH.

Në këtë mbledhje po ashtu Bordi, pas shqyrtimit, ka aprovuar kërkesën/aplikacionin, e ndërmarrjes “2 Korriku” sh.p.k, për shndërrimin e Autorizimit Fillestar në Autorizim Final për ndërtim të HC “Soponica” KK Kaçanik, me kapacitet prej 1.3 MW.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  23.01.2017

Enti Rregullator i Energjisë këtë vit do të përfshihet në një proces intensiv të përcaktimit të kostove dhe tarifave sipas nivelit të tensionit. Afatet përcaktohen në metodologjinë e “Përcaktimit të Çmimeve për Shitjen e Energjisë Elektrike me Pakicë tek Klientët Fundorë që Furnizohen nga Furnizuesi i Shërbimit Universal (OSHEE).

“ERE do të shqyrtojë propozimin e të licencuarit dhe do të bëjë ndryshimet që i gjykon të nevojshme me qëllim që deri më 31 dhjetor 2017 të miratojë tarifa që reflektojnë plotësisht kostot për çdo kategori klientësh, në mënyrë që t’i mundësojë ata të dalin në tregun e liberalizuar”, thuhet në metodologjinë e re të përcaktimit të çmimeve.

Konsumatorët në rrjetin 35 kilovolt dhe ata 20 kilovot, të cilët përfaqësojnë rreth 6300 biznese në të gjithë vendin, do të dalin që nga muaji tjetër për furnizimin në tregun privat të energjisë. Për pasojë, përveç çmimit të energjisë, këto biznese do të paguajnë edhe tarifa shtesë që lidhen me përdorimin e rrjetit të transmetimit dhe atij të shpërndarjes.

Por bizneset që do të gjedhin të furnizohen nga rrjeti i OSHEE-së do t’i duhet të paguajë këto kosto.

1-Kostoja për blerjen e energjisë elektrike dhe kapacitetit.

2-Kostoja për përdorimin e sistemit të transmetimit.

3-Kostoja për përdorimin e sistemit të shpërndarjes.

4-Kostot e operimit dhe të mirëmbajtjes.

5-Kosto e amortizimit të aseteve.

6-Marzhi i fitimit.

7-Vlera e kostos së financimit të kapitalit të punës.

8-Borxhi i keq

9-Korrigjimi i të ardhurave të realizuara mbi/nën kërkesën e lejuar për të ardhura për vitin paraardhës.

Sipas ERE-s, kostot e energjisë elektrike dhe kapacitetit do të ndahen sipas kategorive të klientëve bazuar në grafikun e ngarkesës, duke reflektuar kohën e përdorimit, përfshirë modelet sezonale të konsumit në periudhën e pikut dhe atë jashtë saj për secilën kategori klientësh.

Pagesat e përdorimit të sistemit të shpërndarjes do të ndahen për çdo kategori klientësh bazuar në nivelin e tensionit në të cilin ofrohet shërbimi.

Pagesat e përdorimit të sistemit të transmetimit do të caktohen sipas kategorive te klientëve bazuar në përqindjen e kwh që përdoren nga secila kategori klientësh.

Revista Monitor,  23.01.2017