info@energjia.al

Autoriteti i Konkurrencës vendosi të mbyllë procedurën e hetimit të thelluar në treg për produktin gaz i lëngshëm, për konsumin familjar dhe për bizneset. Bëhet fjalë për të gjitha segmentet e tregut të ngarkim- shkarkimit, importit, depozitimit dhe shitjes me shumicë të produktit gaz i lëngshëm.

Ky vendim me nr. 476, datë 05.10.2017 është marrë nga Komisioni i Konkurrencës, i cili është bërë publik sot me botimin në faqen zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës. Vendimi, përveç njoftimit për mbylljen e hetimit, ka në përmbajte edhe rekomandimet për operatorët që do të veprojnë në treg.

Autoriteti i Konkurrencës vendosi që të monitorojë tregun e ngarkim- shkarkimit, importit, depozitimit dhe shitjes me shumicë të produktit gaz i lëngshëm për konsum familjar dhe biznes për një periudhë 1 (një) vjeçare, duke filluar nga data 16 Tetor 2016.

“Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e datës 5 tetor 2017, me vendimin nr. 476, datë 05.10.2017 vendosi që të mbyllë procedurën e hetimit të thelluar në këtë treg për produktin gaz i lëngshëm për konsum familjar dhe biznes, si dhe të japë rekomandimet e mëposhtme:

  1. Operatorit Shtetëror të Autorizuar, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Financave për të hartuar dhe miratuar një metodologji për rregullimin e tregut, që të përcaktojë në mënyrë të qartë rolin, funksionet dhe mënyrën e funksionimit të çdo operatori që vepron në këtë treg.
  2. Risjelljen në vëmendje të zbatimit të vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 390, datë 22.12.2015.
  3. Subjektet e mësipërme duhet të njoftojnë pranë Autoritetit të Konkurrencës mbi zbatimin e rekomandimeve brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi”, thuhet në vendim.

Scan Tv,  12.10.2017

Autoriteti i Konkurrencës hapi procedurat për një hetim të thelluar në të gjitha segmentet e tregut të ngarkim shkarkimit, importit, depozitimit dhe shitjes me shumicë të produktit gaz i lëngshëm i naftës për konsum familjar dhe biznes”.

Komisioni i Konkurrencës, pas shqyrtimit të informacionit të paraqitur nga Sektori i Analizës dhe Studimeve “Mbi monitorimin e tregut të Gazit të Lëngshëm për konsumin familjar dhe biznesin”, si dhe Relacionit së Sekretarit të Përgjithshëm, në mbështetje për hapjen e procedurës së hetimit paraprak në të gjitha segmentet e tregut të importit, depozitimit, shitjes me shumicë, shpërndarjes dhe shitjes me pakicë të produktit gaz i lëngshëm për konsum familjar dhe biznes”.

Grupi i Punës gjatë periudhës së hetimit paraprak, procedoi me kryerjen e inspektimeve pranë ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në të gjitha segmentet e tregut të importit, depozitimit, shitjes me shumicë, shpërndarjes dhe shitjes me pakicë të produktit gaz i lëngshëm për konsum familjar dhe biznes.

Për shkak të karakteristikave që GLN-ja mbart në përfitimin e nxehtësisë për përdorim rezidencial, në industri, si karburant për automjetet, etj., si edhe të çmimeve të ulëta krahasuar me karburantet e tjera për shkak të trajtimit të ndryshëm për sa i përket taksimit në vend, GLN-ja paraqet një  zëvendësueshmëri të ulët nga ana e kërkesës konsumatore. Në këto kushte, vlerësojmë se treg përkatës i produktit në këtë rast është:

  1. Tregu i importit;
  2. Tregu i depozitimit;
  3. Tregtimit me shumicë dhe pakicë të produktit GLN. Për efekt të analizës në raport është pasqyruar edhe tregu i ngarkim – shkarkimit të GLN nga dy Portet që ofrojnë këtë shërbim.

Ndërmarrjet nën hetim e zhvillojnë veprimtarinë e tyre në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, pra treg përkatës gjeografik do të konsiderohet tregu i brendshëm.

Struktura e tregut

lmporti dhe tregtimi i GLN-së në territorin e Republikës së Shqipërisë funksionon si një treg i liberalizuar për sa i përket aktivitetit të importit, por kjo veprimtari realizohet vetëm nëpërmjet dy porteve të naftës në zonën gjeografike të ish Uzinës së Sodës PVC në Gjirin e Vlorës dhe në zonën gjeografike të Porto Romanos, Durrës, porte të cilat janë ndërtuar dhe funksionojnë mbi bazën e marrëveshjeve të koncesionit, duke pasur të “drejtën ekskluzive” për këtë lloj shërbimi në territorin gjeografik përkatës.

Porti “Porto Romano” i është dhënë me koncesion nga shteti Shqiptar, ndërmarrjes “Romano Port” SHA, me anë të Ligjit nr.9298, datë 28.10.2004, Për ratifikimin e “Marrëveshjes së Koncesionit, të formës “BOT” (ndërtim, shfrytëzim, transferim), për ndërtimin dhe shfrytëzimin e pontilit të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre në zonën bregdetare të Porto-Romanos, Durrës”. Me anë të kësaj marrëveshjeve, kjo ndërmarrje ka marrë përsipër të ndërtojë dhe të shfrytëzojë pontilin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, si dhe të infrastrukturës së nevojshme portuale, në funksion të depozitave bregdetare që do të ndërtohen në zonën bregdetare të Porto Romanos.

Referuar ekstrakteve të regjistrit tregtar, aksionari kryesor Pirro Bare, ndërmarrja e të cilit është përfituese e koncesionit të “ROMANO PORT” SHA, zotëron:

84% të aksioneve të ndërmarrjes “ROMANO PORT” SHA, që realizon shërbimin engarkim-shkarkimit;

50% të aksione në ndërmarrjen “INTER GAZ” SHA që ka ndërtuar depozita gazi pranë këtij Porti;

100% të aksioneve në ndërmarrjen A&V GAZ SHA.

Nëpërmjet ndërmarrjes A&V GAZ SHA zotëron edhe 100% të aksioneve në ndërmarrjen “AV Distribution” SHA, e cila ushtron veprimtarinë në tregun e shitjes me shumicë të GLN-së.

Në të gjithë strukturën e funksionimit të tregut të ngarkim shkarkimit, importit, depozitimit dhe shitjes me shumicë të GLN-së nga zona e Porto Romanos kemi ndërmarrje të integruara vertikalisht, e cila rrit fuqinë e këtyre ndërmarrjeve, dhe mund të çojë në kufizime të konkurrencës në zbatim të ligjit 9121/2003.

Porti “Vlora-1″ i është dhënë me koncesion nga shteti Shqiptar, ndërmarrjes “La Petrolifera ltalo Rumena” SPA, me anë të Ligjit nr.9231, datë 13.05.2004, Për ratifikimin e “Marrëveshjes së Koncesionit të formës “BOO” për ndërtimin dhe shfrytëzimin e terminalit bregdetar, për depozitimin e naftës dhe të nënprodukteve të saj në gjirin e Vlorës”, si dhe për ratifikimin e “Marrëveshjes së koncesionit të formës “BOT”, për ndërtimin dhe shfrytëzimin e infrastrukturës portuale në shërbim të terminalit bregdetar në gjirin e Vlorës”. Me anë të 2 (dy) marrëveshjeve të mësipërme, kjo ndërmarrje kishte marrë përsipër që brenda afateve të parashikuara në marrëveshje të ndërtonte dhe të shfrytëzonte terminalin bregdetar në portin “Vlora-1″ dhe të infrastrukturës portale të nevojshme në shërbim të terminalit bregdetar.

Referuar informacionit të ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (DPD) për vitin 2016, si dhe nga informacioni i grumbulluar gjatë inspektimeve rezulton se tregu është strukturuar sipas niveleve të mëposhtme:

─ Në nivelin e parë (importit dhe shitjes me shumicë) bëjnë pjesë ndërmarrjet “A&V Gaz” SHA; “Kevin gaz” SHA; “AL- GAZ 2015″ SHA; “Kastrati” SHA; “KASTRIOT & PETROL” SHA dhe “Bena Gas” SHA.;

─ Në nivelin e dytë bëjnë pjesë ndërmarrjet e tregtimit me shumicë të GLN të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre në përputhje me Ligjin Nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për Përpunimin, Transportimin  d dhe Tregtimin e Naftës, Gazit dhe nënprodukteve te tyre”, të ndryshuar. Këto ndërmarrje themelohen në formën e shoqërive anonime dhe e ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit me shumicë të GLN-së vetëm pas pajisjes me licencë tregtimi. Këto shoqëri kanë të drejtë të themelojnë apo të marrin pjesë në shoqëri të tregtimit me pakicë të GLN-së, si stacione të shitjes së karburanteve apo njësi të lëndëve djegëse;

─ Në nivelin e tretë bëjnë pjesë ndërmarrjet e tregtimit me pakicë të GLN-së të cilat janë të detyruara të furnizohen vetëm nga shoqëritë e tregtimit me shumicë, me qëllim shitje tek personat që janë konsumatorë fundorë.

Integrimi vertikal

Referuar ekstrakteve të regjistrit tregtar, një prej aksionerëve zotëron 99.84% të aksioneve të ndërmarrjes “ROMANO PORT” SHA, zotëron gjithashtu dhe 50% të aksioneve në ndërmarrjen “INTERGAZ” SHA që ka ndërtuar depozita gazi pranë këtij Porti. Gjithashtu ky aksionar zotëron 100% të aksioneve në ndërmarrjen A&V GAS SHA, e cila kryen veprimtari importi të GLN-së. Gjithashtu, ndërmarrja A&V GAS SHA zotëron 100% të aksioneve në ndërmarrjen “AV Distribution” SHA, e cila ushtron veprimtarinë në  tregun e shitjes me shumicë të GLN-së.

Në zonën e Portit “Vlora 1″, në bazë të marrëveshjes së Koncesionit, ndërmarrja “PIA” zotëron me koncesion Portin dhe infrastrukturën e ngarkim shkarkimit dhe depozitimit të GLN-së. I gjithë kapaciteti depozitues i GLN-së i janë dhënë me qera ndërmarrjes “FAM GAS”L.L.C.. Ndërmarrja Kevin Gaz SHA 100% të sasisë së importuar e realizon nga ndërmarrja “FAM Gas” L.L.C.. Aksioneri i ndërmarrjes “Kevin Gaz” SHA zotëron 100 % të aksioneve në ndërmarrjen “Manual Gas” SHPK.

Vlerësimi i pozitës dominuese

Një nga kriteret kryesore, që përcaktojnë pozitën dominuese në treg është pjesa e tregut që zënë  ndërmarrjet në tregun përkatës. Përvoja e vendeve të Bashkimit Europian udhëzon, që pozita dominuese nuk është e mundur nëse pjesa e tregut përkatës të ndërmarrjes është më e vogël se 40%. Eksperienca sugjeron se sa më e madhe të jetë pjesa e tregut dhe sa më e gjatë periudha që ndërmarrja zotëron një pjesë të tillë tregu, aq më e mundur është që ky element të jetë një tregues i rëndësishëm për një pozicion dominues dhe të justifikojë në rrethana të caktuara ndërhyrjen e Autoritetit.

Ndërmarrja “A&V GAS” SHA për vitin 2016 zotëron një pjesë tregu prej 36.9%, kurse ndërmarrja Kevin Gaz SHA për vitin 2016 zotëron një pjesë tregu prej 36.4%.

Treguesi i përqendrimit në import mbetet i lartë për shkak të numrit të ulët të operatorëve (2) të cilët zotërojnë pjesët kryesore të tregut.

Në përfundim të analizës së pjesëve të tregut për një periudhe gati 5 vjeçare, rezulton se dy ndërmarrjet “A&V GAS” SHA dhe “KEVIN GAZ” SHA, kanë zotëruar mbi 70% të tregut, dhe në fund të vitit 2016 kanë përkatësisht: 36.9% A&V GAS SHA dhe 36.4% Kelvin Gaz SHA. Kështu të dy ndërmarrjet zotërojnë një pjesë të madhe tregu të cilën edhe e mbajnë për një kohë të gjatë, duke u bërë partnerë të paevitueshëm për importuesit e GLN-së, dhe për pasojë duke iu siguruar “dominimin” në tregun përkatës.

Vlerësimi i kufizimeve të mundshme në treg

Ndërmarrjet importuese dhe shitëse me shumicë “A&V GAS” SHA dhe “KEVIN GAZ” SHA, kanë një sjellje të bashkërenduar përsa i përket çmimit të shitjes me shumicë të GLN-së fhe ndarjes gjeografike të burimeve të furnizimit, çka mund të përbëjë një praktikë të bashkërenduar/marrëveshje të ndaluar në shkelje të nenit 4, pika 1,të Ligjit 9121/2003.

Mesatarja e diferencës çmim blerje – çmim shitje për periudhën objekt hetimi është shumë e ngushtë dhe thuajse simetrike, duke paraqitur sjelljen e njëjtë që kanë ndërmarrjet “A&V GAS” SHA dhe “KEVIN GAZ” SHA, gjë e cila në kuptim të nenit 4 të Ligjit 9121/2003, mund të përbëjë një praktikë të bashkërenduar/marrëveshje të ndaluar midis këtyre 2 (dy) ndërmarrjeve.

Në të gjithë strukturën e funksionimit të tregut të ngarkim shkarkimit, importit, depozitimit dhe shitjes me shumicë të GLN-së nga zona e Porto Romanos kemi ndërmarrje të integruara vertikalisht, e cila rrit fuqinë e këtyre ndërmarrjeve, dhe mund të çojë në kufizime të konkurrencës në zbatim të ligjit, pohoi ne përfundim te hetimit paraprak Autoriteti i Konkurrencës.

Revista Monitor,  25.03.2017

Autoriteti i Konkurrencës ka publikuar një përmbledhje të monitorimeve që ka zhvilluar në tregun e karburanteve për vitin 2016.

Monitorimet kanë treguar se tregu i karburanteve paraqitet me struktura të konsoliduara të shtrira në të gjitha nivelet e tregtimit, nga magazina e lirë doganore deri në stacionet e shitjes me pakicë. Investimet në infrastrukturën magazinuese apo në stacionet e shitjes më pakicë, kanë konsoliduar ndërmarrjet të cilat kanë fuqi financiare.

Për pasojë, thekson Konkurrenca, tregu i importit dhe shitjes me shumicë të karburanteve është i përqendruar, ku ndërmarrjet më të mëdha  kanë ruajtur stabilitetin e pjesëve të tregut. Duke qenë një treg që ofron produkte homogjene dhe pa barriera ligjore, vihen re hyrje apo dalje prej tij, por kjo konkurrencë potenciale nuk është e aftë të sjellë ndryshime strukturore.

Problematikat në drejtim të cilësisë së karburanteve apo sigurisë në peshëmatje, kanë bërë që konkurrenca mes firmave të jetë e dobët dhe zgjedhja e konsumatorëve të orientohet jo nga çmimi, por drejt logos së stacionit të pakicës.

Nisur nga këto karakteristika të tregut, monitorimi i realizuar nga Sekretariati pati si qëllim të vlerësoje tre çështje: strukturën e çmimit të importit dhe ngarkesës së barrës fiskale mbi këtë çmim; sjelljen e ndërmarrjeve të paintegruara në lidhje me çmimin e shitjes me pakicë dhe treguesit e tjerë financiarë; vlerësimin e treguesve financiarë të ndërmarrjeve të tregtimit me shumicë dhe pakicë,  për të parë për çmime “padrejtësisht të larta” dhe transferim të normave të fitimit nga një nivel tregtimi tek tjetri.

Në përfundim të analizës dhe vlerësimit të treguesve, u konstatua se në nivelin e shitjes me shumicë vihet re fleksibilitet i çmimit të shitjes, i cili ndjek bursën ndërkombëtare dhe çmimin e blerjes, kurse  në nivelin e pakicës, çmimi i shitjes është më pak dinamik, duke mos reflektuar çmimin e blerjes.

Integrimi i ndërmarrjeve të karburanteve në të dyja nivelet e tregtimit (shumicë dhe pakicë), ka krijuar politika të çmimit të tilla, ku marzhi më i lartë i fitimit të sigurohet nga ndërmarrjet e shitjes me pakicë të integruara me ato të shitjes me shumicë, marzh ky i cili është më i lartë se ndërmarrjet e pakicës, që janë të paintegruara. Referuar indeksit ROA u vu re se ndërmarrjet më të mëdha në tregtinë me shumicë dhe pakicë (“Kastrati” SHA dhe “Kastrati” SHPK kanë nivelin më të lartë të kthimit të aktiveve, krahasuar me ndërmarrjet e tjera, indeks ky i përmirësuar në vitin 2015.

Për një ndërmarrje me fuqi të ndjeshme në treg, treguesit e performancës financiare (normë fitimi dhe ROA) ngrenë dyshime për aplikim të çmimeve “padrejtësisht të larta” nga “Kastrati” SHPK. Për të siguruar që sjellja e ndërmarrjeve nuk bie ndesh me ligjin nr.9121/2003; AK do te vazhdojë monitorimin e këtij tregu, përfundon Konkurrenca.

Revista Monitor,  03.03.2017

Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të hapë hetim paraprak në tregun e gazit e lëngshëm. Pas monitorimit të tregut, të kryer në fillim të muajit janar, Autoriteti ka gjykuar se ka shenja që mund të tregojnë kufizim të konkurrencës.

Hetimi do të shtrihet në të gjitha nivelet e tregut të gazit për përdorim familjar dhe biznesi dhe do të përfshijë periudhën nga 1 korriku 2016 e në vazhdim. Në paketën fiskale të Dhjetorit 2016, Kuvendi vendosi aplikimin e akcizës në vlerën 8 lekë për litër për gazin e lëngshëm që përdoret si karburant për automjetet.

Megjithatë, gjatë ditëve të para të janarit, në treg u vërejt rritje e çmimit edhe për gazin që tregtohet në bombola për përdorim familjar apo për aktivitete të ndryshme biznesi. Këto sinjalizime u bënë shkas, fillimisht, për një monitorim tregu nga Autoriteti i Konkurrencës, gjatë të cilit, me sa duket, u gjetën indicie për hapjen e një hetimi paraprak.

Duke qenë se ky segment i tregut nuk preket nga rritja e akcizës, Autoriteti i Konkurrencës do të hetojë nëse ka pasur një rritje abuzive dhe të bashkërenduar të çmimit. Raporti i hetimit paraprak do t’i paraqitet Komisionit të Konkurrencës brenda mesit të muajit shkurt.

Scan Tv,  28.01.2017

Rritja e menjëhershme e çmimit të gazit, jo vetëm në karburante, por edhe në pikat e tregtimit për përdorim familjar, ka bërë që Autoriteti i Konkurrencës të nisë menjëherë hetimin.

Ky institucion njofton se ka nxjerrë në terren specialistët për të verifikuar nëse kompanitë kanë rritur në mënyrë njëherësh çmimin duke bërë mes tyre marrëveshje kartel. Në një intervistë për Tv Klan, Dritan Spahiu, drejtor i hidrokarbureve në Ministrinë e Energjisë, thotë se qeveria nuk ka në dorë instrumente të tjerë, dhe nuk mund të ndërhyjë dot në çmim.

Një tjetër problem që kanë konsumatorët në këto ditë të ftohta, është edhe gjetja e pikave të licencuara për të bërë mbushjen e bombulave.

Në të gjithë kryeqytetin janë 15 pika, ndërsa në rrethe numri i tyre është akoma dhe më i ulët. Akciza e gazit u rrit në 1 janar të këtij viti me 8 lekë / litër vetëm për automjetet.

TV Klan,  13.01.2017

Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se pas shqetësimit të ngritur nga mediat elektronike dhe të shkruara në lidhje me rritjen e çmimit të gazit të lëngshëm në treg, i cili në ndryshimet e fundit ligjore për paketën fiskale, ka prekur vetëm përdorimin e gazit të lëngshëm për automjetet, dhe jo përdorimin e tij për nevoja të konsumatorit (rritja e akcizës për këtë kategori është 0 lekë), ka nxjerrë në terren me urgjencë specialistët për monitorimin e tregut sipas nenit 28 të Ligjit 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar.

Pas monitorimit dhe vlerësimit të situatës, nëse ka shenja të kufizimit të konkurrencës, Autoriteti njofton se do të procedojë menjëherë me marrjen e masave konkrete, ndaj subjekteve të tregtimit me shumicë ose pakicë për kthimin e tregut në kushtet e konkurrencës.

Më 1 janar 2017, hyri në fuqi Paketa e re Fiskale, e cila rriti me 8 lekë për litër akcizën për gazin që do të përdornin automjetet. Por, si gjithnjë, tregu reagoi me rritjen e çmimeve uniform për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

Një litër gaz kushton aktualisht mesatarisht 62 lekë për litër në pikat e karburantit nga 43-52 lekë që ishte në dhjetor 2016. Çmimi ofrohet i njëjtë si për automjete, edhe ndaj familjarëve dhe industrive.

Një ditë më parë, përfaqësues të industrisë u ankuan për ‘Monitor’ se gazi për përdorim industrial ishte shtrenjtuar me 20 lekë për litër. Adi Haxhiymeri nga fabrika e miellit “Bloja”, tha se një pjesë e industrisë përdor si lëndë të parë gazin e lëngshëm. Rritja e menjëhershme gati me 20 lekë për litër ka rritur kostot dramatikisht.

Revista Monitor,  13.01.2017

Kompanitë publike të energjisë, KESH dhe OSHEE kanë hyrë në vitin e dytë të zbatimit të një marrëveshje ku KESH në rast të mbiprodhimit, i shet OSHEE-së tepricat e energjisë për mbulimin e humbjeve.

Autoriteti i Konkurrencës, duke e shqyrtuar këtë marrëveshje për efekt të përqendrimit të monopolit, e ka lejuar funksionimin e saj, por i ka kërkuar Entit Rregullator të Energjisë që të reflektojë në tarifat e energjisë elektrike për klientët fundorë kostot reale të blerjes së energjisë për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, duke reflektuar përfitimet që sjell marrëveshja ndërmjet OSHEE SHA dhe KESH SHA.

Komisioni i Konkurrencës, pas shqyrtimit të relacionit të Sekretarit të Përgjithshëm “Mbi përjashtimin nga ndalimi të marrëveshjes për shitblerjen e energjisë elektrike ndërmjet KESH SH.A. dhe OSHEE SH.A, me qëllim plotësimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes për periudhën 1 korrik 2016 deri më 31 dhjetor 2016“, përfshirë tepricat në kushtet e prurjeve te mëdha” të amenduar.

Në informacionin që Autoriteti i Konkurrencës ka marrë nga OSHEE  vihet re se çmimi mesatar i blerjes së energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve, nga tregtuesit e energjisë për periudhën janar – qershor 2016, është 45.37 Euro/MW çmimi, ndërsa çmimi i blerë nga KESH SH.A, nëpërmjet marrëveshjes 27.77 euro/MW.

Konkurrenca vëren se, meqenëse amendimi prek vetëm shtyrjen e afatit të marrëveshjes për periudhën 1 korrik 2016 – 1 dhjetor 2016, nga ana tjetër kushtet dhe detyrimet ndërmjet palëve mbeten të njëjta. “Mbetemi në konstatimin se kemi të bëjmë me një marrëveshje vertikale të lidhur ndërmjet dy kompanive publike KESH dhe OSHEE, e cila është përjashtuar nga rregulli për shkak të kushteve specifike në të cilat ajo zbatohet, pasojave sociale dhe sigurisë kombëtare. Pra, nuk bie në kundërshtim me Ligjin nr 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i cili shprehet zyrtarisht që kjo marrëveshje nuk është objekt ndalimi nga konkurrenca.

Përkundrazi marrëveshja kontribuon në shfrytëzimin maksimal dhe optimizimin e prodhimit dhe të shitjes së energjisë elektrike nga KESH SHA/KESH Gen, si shoqëria përgjegjëse dhe administruese e Kaskadës së Lumit Drin dhe HEC- eve prodhuese të saj, në kushtet e të plotave apo prurjeve të mëdha.

Autoriteti i Konkurrencës, argumenton se marrëveshja do të kryhet për shkak të eficencës së tregut të energjisë dhe eficencës së aktorëve kryesorë të tregut KESH SHA dhe OSHEE SHA.

Nga të dhënat e gjashtëmujorit të parë të vitit 2016 rezulton se çmimi i shitjes së energjisë nga KESH SHA është shumë i ulët (deri ne 10.47 EUR/MWh) ndërsa çmimi i blerjes së energjisë nga OSHEE nga tregtaret është 45.37 EUR/MWh.

Por Autoriteti i Konkurencës pohon se eficenca e marrëveshjes duhet të sjellë përfitime esenciale për konsumatorët tariforë, duke pasur parasysh që kostot e blerjes së energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, gjatë gjithë periudhës së zbatimit të marrëveshjes, kanë rënë ndjeshëm, kjo duhet të reflektohet në ulje të tarifave të furnizimit me pakicë për konsumatorët tariforë, pra duhet të reflektohen në tarifat e konsumatorëve fundorë.

Marrëveshja do të aplikohet për periudhën kohore 1 korrik 2016 – 31 dhjetor 2016, kohë në të cilën duhet të përfundojë miratimi i akteve nënligjore të tregut të energjisë elektrike.

Revista Monitor,  05.10.2016

Pavarësisht se duke filluar nga data 01 janar 2015 ka përfunduar ekskluziviteti i tregtimit të karburanteve për avionë në zonën gjeografike të aeroportit ndërkombëtar të Tiranës, ky treg mbetet monopol i shoqërisë Air BP, si i vetmi operator që ofron këtë shërbim në tregun e transportit ajror të pasagjerëve.

Nisur nga kjo situatë Shoqata e Hidrokarbure është ankuar pranë Autoritetit të Konkurrencës gjatë muajit prill të këtij viti, në të cilën parashtrohen disa shqetësime mbi pamundësinë e ndërmarrjeve që operojnë në tregun e importit dhe të shitjes së karburanteve për të tregtuar karburante për avionë.

Shoqata kërkon ndërhyrjen e Autoritetit të Konkurrencës në lidhje me mundësinë që duhet t’u jepet edhe kompanive të tjera të marrin tokë në përdorim për të ofruar infrastrukturën e duhur për furnizimin e avionëve me karburant edhe kompanitë që mund të bien dakord me kompanitë ajrore të kenë mundësi të fusin autobotet në territorin e aeroportit, mbështetur në kontrata që mund të lidhin me kompanitë ajrore.

Shoqata ka kërkuar gjithashtu se nëse kjo arrihet, kriteret dhe kushtet që do t’u ofrojë kompanive të tjera të mos jenë diskriminuese, si dhe koncesionari të mos ketë të drejtë të kërkojë fitim mbi karburantin për efekt të monopolit që ka mbi territorin e aeroportit.

Komisioni i Konkurrencës nisur nga këto fakte sapo ka mbyllur një hetim paraprak për të gjetur ekzistencën ose jo të kufizimeve, shtrembërimeve apo pengimeve të konkurrencës.

Me një vendim të mëparshëm të vitit 2009 Komisioni i Konkurrencës përjashtoi nga ndalimi marrëveshjen midis TIA shpk dhe AIR BP Albania deri kur numri i udhëtareve të kalojë 2 milion pasagjerë në një vit kalendarik. Ky kriter duket se është përmbushur në fund me 2014.

Sipas të dhënave mbi importin e karburantit për vitin 2015 (nga DPD) rezulton se tregu i importit të karburantit për avion, i klasifikuar me kodin 27101921 karburant avionësh zë 2% të
tregut te karburanteve, ku gjatë këtij viti kanë realizuar importe ndërmarrja AIR BP Albania me 91% te tregut dhe ndërmarrja AFT SHA me 9% të tregut total për karburantin e mjeteve fluturuese, avionë dhe helikopterë.

Nisur nga kriteret e parashikuara në nenin 8 të Ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndërmarrja BP zotëron pozitë dominuese në tregun përkatës për shkak të pjesës së tregut që zotëron (91 % për tregun e furnizimit me karburant të avionëve dhe helikopterëve dhe 100 % të tregut të furnizimit me karburant të avionëve) dhe barrierave të hyrjes në tregun përkatës në kushtet kur aktualisht në Shqipëri funksionon vetëm një aeroport që zotëron eksluzivitetin për fluturime ndërkombëtare.

Karburanti përbën një zë të rëndësishëm në kostot operacionale të shoqërive ajrore duke ndikur në rritjen e kostove të shërbimeve aeroportale të ofruara nga TIA, të cilat janë më të larta krahasuar me tarifat e ofruara në aeroportet e disa vendeve të rajonit për shoqëritë ajrore dhe për pasojë, ndikojnë në rritjen e çmimit të biletave të pasagjerëve dhe mallrave nga/drejt aeroportit ndërkombëtar të
Tiranës.

Sa më sipër, në kushtet e eksluzivitetit të furnizimit me karburant të avionëve në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës për shkak të monopolit të furnizimit nga ana e Air BP Albania në aeroportin e vetëm që ofron fluturime ndërkombëtare, kjo shoqëri zotëron pozicion dominues sipas nenit 8 të Ligjit, “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Revista Monitor,  09.06.2016

Teksa KESH i eksporton tepricat e energjisë në tregjet e jashtme me çmim 10.47 Euro/MWh deri në 20.40 Euro/MWh, çmimi me të cilin ia shet këto teprica OSHE për mbulimin e humbjeve është më shumë se dyfishi, 51.57/ Euro/MWh.

Ketë krahasim e ka bëre Autoriteti i Konkurrencës, i cili ka dhënë një vlerësim pozitiv për marrëveshjen mes dy operatorëve (“Marrëveshjes për shitblerjen e energjisë elektrike ndërmjet shoqërive KESH SH.A. dhe OSHEE SH.A. për tepricat e energjisë elektrike, përfshirë tepricat në kushtet e prurjeve të mëdha me qëllim plotësimin e humbjeve të sistemit të shpërndarjes deri në 30 Qershor 2016”), por i rekomanduar Entit Rregullator të Energjisë që koston që lindin nga kjo marrëveshje duhet t’i reflektojë në çmimet e pakicës.

Për periudhën 1 – 29 Shkurt 2016, në kushtet e tepricave në prodhimin e KESH, energjia për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes u mundësua nga ky prodhim. Çmimi me të cilin KESH do të shesë energjinë e prodhuar do të jetë sa çmimi i energjisë në bursën hungareze HUPX, parashikimi aktual i të cilit është rreth 35-40 EUR/MW në orë me profilin bandë. Nga vlerësimi i marrëveshjes së amenduar, si dhe nga informacioni i administruar nga Autoriteti i Konkurencës rezulton se:

Gjatë muajit shkurt 2016, nga ana e OSHEE nuk është kryer procedura e tenderimit për blerjen e energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, por është blerë nga KESH, bazuar në amendimin e marrëveshjes, për periudhën deri në 30 Qershor 2016.

Gjatë kësaj periudhe është prodhuar energji elektrike nga KESH, në kushtet e të plotave(reshje) për shkak të kushteve atmosferike. Për të shmangur fenomenet negative që mund të ndodhin për shkak të kushteve atmosferike, KESH dhe OSHEE kanë rënë dakord që KESH të rrisë prodhimin e energjisë elektrike dhe OSHEE ta blejnë energjinë elektrike të prodhuar, për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, më çmimin e bursës hungareze HUPX.

Bazuar në të dhënat historike që disponojmë dhe analizës së çmimeve në këtë treg, për vitin e kaluar në kushtet kur prodhimi i energjisë elektrike u rrit për shkak të të plotave, çmimi i shitjes së energjisë elektrike, në tregun e parregulluar me anë të ankandeve nga KESH ra deri në 16.5 EUR/MWh, ndërsa çmimi i blerjes së energjisë për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes nga OSHEE, me anë të procedurave të blerjes arriti deri 57.40 Euro /MWh.

Referuar të dhënave të publikuara për shitjen e energjisë elektrike nga KESH, ne ankandet e periudhës 17 – 29 shkurt 2016, rezulton se çmimi varion nga 10.47 Euro/MWh deri në 20.40 Euro/MWh, ndërsa çmimi mesatar i blerjes së energjisë elektrike nga OSHEE sha në procedurën e muajit Janar 2016 ishte 51.57 EUR/MWh. Autoriteti, pasi e shyrtoi marrëveshjen vendosi “Të përjashtojë nga ndalimi marrëveshjen e shitblerjes së energjisë elektrike ndërmjet KESH dhe OSHEE për tepricat e energjisë elektrike në kushtet e prurjeve të mëdha, me qëllim plotësimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes deri në Qershor 2016”.

Për procedurat e blerjes së energjisë për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, të cilat janë të ndryshme nga ato të pikës 1, duhet të zbatohen rregullat e garës së hapur. Autoriteti rekomandon që ERE duhet të reflektojë në tarifat e energjisë elektrike për klientët fundorë kostot reale të blerjes së energjisë për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, duke reflektuar përfitimet që sjell marrëveshja ndërmjet OSHEE dhe KESH.

Revista Monitor,  09.05.2016

Autoriteti i Konkurrencës i ka rekomanduar Enti Rregullator të Energjisë të heqë nga draftmetodologjia afatin 15 vjeçar të kontratave si edhe çmimet fikse të shitjes së energjisë së rinovueshme.

Këtë rekomandim AK e ka dhënë në kuadër të miratimit të projektligjit për “Për burimet e energjisë së rinovueshme”. Cmimet fikse të shitjes së mund të sjellin kufizime të konkurrencës efektive në këtë segment tregu”, duke sugjeruar që të përcaktohen “tarifat e transmetimit dhe të shpërndarjes të jenë jo-diskriminuese për prodhuesit dhe përfituesit e energjisë së rinovueshme”.

Autoriteti i Konkurrencës vë në dukje se bazuar në direktivën 2009/28/EC, nuk përcaktohen kontrata afatgjata apo tarifa fikse të shitjes si instrumente nxitëse të prodhimit të energjisë së rinovueshme.

Direktiva përcakton që shtetet anëtare të BE-së duhet të krijojnë politika nxitëse për prodhuesit e energjisë së rinovueshme, nëpërmjet sistemit të taksave, mundësive apo kapaciteteve të mjaftueshme të transmetimit me qëllim që prodhuesit të kenë kosto të ulëta prodhimi dhe shitje të larta të energjisë së prodhuar nga burimet e rinovueshme, duke mos patur diskriminime për shkak të vendndodhjes apo të sasisë së ulët të energjisë që nevojitet për një komunitet të caktuar apo disi të izoluar.

Në këndvështrim të konkurrencës nëse operatorët e tregut do të prodhojnë energji të rinovueshme dhe nuk do të konkurrojnë në treg të lirë, por do të operojnë duke shitur nëpërmjet kontratave 15 vjeçare me çmime fikse, atëherë potencialisht konkurrenca në tregun përkatës kufizohet, pasi kontratat afatgjata dhe me çmime fikse shkaktojnë kufizim dhe pengim të konkurrencës, si rrjedhim edhe të përfituesve që në këtë rast janë konsumatorët e energjisë elektrike.
Prodhuesit e energjisë s ë rinovueshme dhe HEC-et me koncesion e shesin energjinë me 7.6 lekë për kilovatorë, çmimin unik ky për të gjitha HEC-et deri n ë 15 MW.

Revista Monitor,  06.05.2016