info@energjia.al

Autoriteti i Konkurrencës vendosi të mbyllë procedurën e hetimit të thelluar në treg për produktin gaz i lëngshëm, për konsumin familjar dhe për bizneset. Bëhet fjalë për të gjitha segmentet e tregut të ngarkim- shkarkimit, importit, depozitimit dhe shitjes me shumicë të produktit gaz i lëngshëm.

Ky vendim me nr. 476, datë 05.10.2017 është marrë nga Komisioni i Konkurrencës, i cili është bërë publik sot me botimin në faqen zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës. Vendimi, përveç njoftimit për mbylljen e hetimit, ka në përmbajte edhe rekomandimet për operatorët që do të veprojnë në treg.

Autoriteti i Konkurrencës vendosi që të monitorojë tregun e ngarkim- shkarkimit, importit, depozitimit dhe shitjes me shumicë të produktit gaz i lëngshëm për konsum familjar dhe biznes për një periudhë 1 (një) vjeçare, duke filluar nga data 16 Tetor 2016.

“Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e datës 5 tetor 2017, me vendimin nr. 476, datë 05.10.2017 vendosi që të mbyllë procedurën e hetimit të thelluar në këtë treg për produktin gaz i lëngshëm për konsum familjar dhe biznes, si dhe të japë rekomandimet e mëposhtme:

  1. Operatorit Shtetëror të Autorizuar, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Financave për të hartuar dhe miratuar një metodologji për rregullimin e tregut, që të përcaktojë në mënyrë të qartë rolin, funksionet dhe mënyrën e funksionimit të çdo operatori që vepron në këtë treg.
  2. Risjelljen në vëmendje të zbatimit të vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 390, datë 22.12.2015.
  3. Subjektet e mësipërme duhet të njoftojnë pranë Autoritetit të Konkurrencës mbi zbatimin e rekomandimeve brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi”, thuhet në vendim.

Scan Tv,  12.10.2017

Operatori i Sistemit të Transmetimit të Gazit në Rumani, Transgaz është zyrtarisht nën hetim nga Komisioni Europian, për të kuptuar nëse ka penguar qëllimisht eksportet e gazit nga Rumania në drejtim të vendeve të BE.

Komisioni do të hetojë nëse Transgaz ka abuzuar me pozicionin e tij dominues në treg, duke krijuar një strategji për të kufizuar eksportet e Rumanisë.

Nëse sjellja e Transgaz do të quhet e qëllimtë, kjo nënkupton se operatori ka ndikuar në çmime më të larta dhe në shterimin e burimeve të gazit natyror duke ulur likuiditetin në tregun e gazit në Rumani. Kjo lloj sjelljeje do të ishte në dëm të konsumatorëve europianë dhe kundër objektivave të Unionit Energjitik.

Rumania është prodhuesi i tretë më i madh i gazit natyror në BE (Pas Holandës dhe Mbretërisë së Bashkuar) dhe ka rezerva të konsiderueshme, përfshirë edhe disa depozita gazi të zbuluara së fundmi në Detin e Zi. Transgaz është operatori i vetëm i transmetimit të gazit natyror në Rumani.

Strategjia që mund të ketë përdorur Transgaz për të kufizuar eksportet drejt BE mund të jetë zbatuar në forma të ndryshme si: tarifa për interkonjeksionin e transmetimit; nëninvestimet dhe vonesat në ndërtimin e infrastrukturave përkatëse; si edhe argumente teknike të pabazuara si pretekst për të justifikuar vonesat në eksporte.

“Komisioni është i vendosur të sigurojë që konsumatorët në BE të gëzojnë furnizime të sigurta me energji dhe me çmime të përballueshme. Ndaj na duhet të hetojmë nëse Transgaz ka abuzuar me pozicionin dominant duke izoluar tregun rumun të gazit dhe duke parandaluar integrimin e tij në rrjetin europian të gazit”, u shpreh Komisionerja Margrethe Vestager, e cila është në krye të politikave të konkurrencës.

Kohëzgjatja e investigimit të antitrustit është e papërcaktuar dhe varet nga një sërë faktorësh, si kompleksiteti i çështjes.

Scan Tv,  02.06.2017

Dy kompani nën pronësi të nëndrejtorit të AKBN-së, Bardhi Meli – kandidat për deputet i LSI-së në zgjedhjet parlamentare – përfituan dhjetëra mijë dollarë nga një kompani nafte, e cila është nën hetim nga Prokuroria për kontrabandë, pastrim parash dhe evazion fiskal.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se kompanitë e nëndrejtorit të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Bardhi Meli, kanë përfituar të paktën dy kontrata në vlera të mëdha nga kompania hidrokarbure “Phoenix Petroleum.”

Dy kompanitë Kesi Sha dhe Superstar-WB, ku Meli zotëron 50 për qind të aksioneve dhe administrohen nga vëllai i tij, Neshat Meli kanë lidhur dy kontrata shërbimi afatgjatë me “Phoenix Petroleum” për pastrimin e puseve dhe përpunimin e mbetjeve të naftës, duke krijuar shqetësime për një marrëdhënie në kushtet e konfliktit të interesit.

Kompania Phoenix Petroleum ka pasur një kontratë koncesionare me Albpetrol për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e Armonicës në jug të Shqipërisë.

Kjo kontratë u prish përpara kohe në Mars 2017, pasi kompania kishte akumuluar detyrime financiare dhe ato të naftës bruto ndaj Albpetrol-ndërsa akuzohet se nuk ka kryer investimet e kërkuara në përputhje me kontratën dypalëshe dhe ka keqmenaxhuar vendburimin.

Sipas Albpetrol, kompania Phoenix Petroleum “nё shumё raste ka dorёzuar dokumenta false, ka kryer kontrabandё dhe ka mashtruar me garancitё bankare.”

BIRN ka mësuar që kjo kompani është aktualisht nën hetim nga Prokuroria e Fierit për kontrabandë, evazion fiskal dhe pastrim parash.

I pyetur nga BIRN mbi kontratat, Meli u shpreh që ai i posedonte aksionet në formë pasive dhe nuk kishte rol në vendimmarrjen e kompanive.

“Është e vërtetë që këto kompani i kam krijuar me tim vëlla, por unë në përputhje me ligjin kam deklaruar pozicionin tim dhe tashmë statusi im në zotërimin e këtyre kompanive është ai pasiv,” tha Meli.

“Kjo do të thotë se unë as nuk kontrolloj dhe as nuk menaxhoj më këto kompani. Unë ia kam besuar dikujt tjetër të menaxhojë aksionet e mija, kështu që unë nuk e ndiej veten në konflikt interesi,” shtoi Meli.

Në komunikim me BIRN, drejtori i AKBN-së Vitor Tushaj mohoi gjithashtu të kishte informacion për ndonjë konflikt të mundshëm interesi të zëvendësit të tij.

“Unë nuk jam në dijeni të këtyre fakteve, por ju garantoj që do të ndërhyj dhe zbatoj ligjin për çdokënd që vepron në kundërshtim me të,” tha Tushaj.

“Nëse ju paraqisni fakte që vërtetojnë që qoftë dhe nëndrejtori i AKBN-së është në konflikt të hapur me ligjin, ju garantoj që do të veproj,” shtoi ai.

Një koncesion me probleme

Me 16 Gusht 2013, qeveria në ikje e ish kryeministrit Sali Berisha i dha kompanisë Phoenix Petroleum një kontratë 25-vjeçare për shfrytëzimin e vendburimeve naftës në Amonicë, Drashovicë e Pekisht-Murriz, si dhe vendburimet e gazit në Panaja, Frakull, Povelçë, Divjakë, Ballaj-Kryevidh dhe Finiq-Krane.

Sipas kontratës koncesionare, kompania shqiptare – në pronësi të biznesmenëve Naim Kasa dhe Isuf Berberi- merrte përsipër të kryente një investim prej 2.7 milionë USD, e cila mbulohej nga një garanci bankare e depozituar në AKBN.

Por sipas Albpetrol, kompania Phoenix Petroleum jo vetëm që nuk e ka zbatuar marrëveshjen, por është përfshirë gjithashtu në aktiviteve të paligjshme si kontrabanda dhe pastrimi i parave.

Aktiviteti i dyshuar si i paligjshëm si dhe detyrimet e akumuluara ndaj Albpetrol, e shtynë këtë të fundit që të prishte kontratën koncesionare me Phoenix Petroleum me 9 Mars 2017, si dhe të depozitonte një padi penale kundër drejtuesve të saj.

“Situata e gjetur nё momentin e marrjes sё vendburimit qё ishte nё pёrdorim nga kompania Phoenix Petroleum ishte katastrofike,” tha Albpetrol në një njoftim për shtyp në 27 Prill.

“Jo vetёm qё nuk ishin kryer investimet e premtuara, por edhe gjendja e aseteve tё trashёguara nga Albpetrol sh.a kishte degjeneruar rёndshёm,” shtoi ajo.

Sipas Albpetrol, kompania Phoenix Petroleum ka akumuluar më shumë se 1.3 milionë euro detyrime, “për shkak se është toleruar nga zyrtarë të AKBN-së në konflikt interesi”.

“Shprehim keqardhjen qё disa institucione shtetёrore bёhen palё me njё kontraktor qё nё shumё raste ka dorёzuar dokumenta false, ka kryer kontrabandё, ka mashtruar me garancitё bankare duke pёrfituar nё mёnyrё tё padrejtё nga AKBN mbi 1,300,000 USD dhe shumё vepra tё tjera, pёr tё cilat Albpetrol, nё mungesё tё reagimit nga ana e AKBN, i ёshtё drejtuar Prokurorisё duke kallёzuar shtetasit Isuf Berberi dhe Naim Kasa, pёrfaqёsues tё shoqёrisë Phoenix Petroleum,” tha Albpetrol.

“Pёr mё tepёr, Albpetrol ka konstatuar se titullarё tё AKBN janё tё pёrfshirё nё konflikt interesi me kёtё shoqёri pasi, ndonёse e kanё tё ndaluar me ligj, pёrfitojnё kontrata dhe naftё bruto nga shoqёria Phoenix Petroleum nё mёnyrё direkte pёrmes disa shoqёrive ku janё aksionerё,” përfundoi ajo.

Naim Kasa, administratori i Phoenix Petroleum nuk ishte i arritshëm për koment mbi akuzat.

Dy kontrata në një ditë

I diplomuar si inxhinier nafte dhe gazi në Universitetin e Tiranës, nëndrejtori i AKBN-së, Bardhi Meli ka një karrierë të gjatë si biznesmen, kryetar bashkie dhe zyrtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Sipas CV-së së tij, përpara se të bëhej nëndrejtor i AKBN-së në vitin 2013, Meli ka shërbyer si kryetar bashkie i Patosit nga viti 2007 deri në vitin 2011, si dhe administrator i kompanive Kesi Sha, Superstar-WB dhe Muho-Meli. [Kliko këtu për CV e Bardhi Meli]

Ai ka kandiduar katër herë për deputet në listat e LSI-së – përfshirë në zgjedhjet parlamentare të këtij viti ku renditet i nënti në listën e LSI-së për qarkun e Fierit.

Aktualisht Meli zotëron 50 përqind të aksioneve në kompanitë Superstar-WB dhe Kesi Sha, të cilat drejtohen nga i vëllai Neshat Meli.

Me datë 1 Janar 2015, “Kesi’ Sha ka nënshkruar një kontratë me kompaninë hidrokarbure Phoenix Petroleum, e cila është e motivuar si e domosdoshme për kryerjen e operacioneve hidrokarbure në vendburimin e naftës Amonicë, Pekish, Finiq, në bazë të marrëveshjes koncesionare. [kliko këtu për kontratën]

Objekti i kontratës është kryerja e shërbimeve, për “grumbullimin, transportin, ruajtjen e depozitimit, përpunimit dhe asgjësimit të mbetjeve të naftës.”

Sipas aneksit 1 të kësaj kontrate, kompania “Kesi” sha, e themeluar në vitin 2002 nga Bardhi Meli, merr përsipër kryerjen e këtyre shërbimeve kundrejt tarifave që janë të përcaktuara.

Për pastrimin dhe transportin e dherave të kontaminuar, kompania merr 50 USD për metër kub dhe për evadimin, transportin dhe injektimin e ujërave të dala nga procesi i dekantimin të puseve, 8 USD për m3. Këto shërbime, një kompani që shfrytëzon vendburimet e naftës është e detyruar t’i kryejë të paktën një herë në muaj.

Ekspertë të hidrokarbureve i thanë BIRN se Kesi sh.a është ndër të paktat kompani që kryen shërbime të tilla në industrinë e naftës. Fitimi i kompanisë për vitin 2015, sipas dokumenteve të dorëzuara në Regjistrin Kombëtar të Bizneseve është 6.9 milionë lekë, ndërsa për vitin 2016 kompania nuk i ka deklaruar ende bilancet.

Në 1 Janar 2015, Phoenix Petroleum ka nënshkrua gjithashtu një kontratë shërbimi me një tjetër kompani që është krijuar nga vëllezërit Meli, “SUPERSTAR-WB”, ku nëndrejtori i AKBN-së zotëron gjithashtu 50 % të aksioneve.

Bëhet fjalë për një kontratë për kryerjen e shërbimeve të remontit nëntokësor dhe likuidim avarish në vendburimet e gazit të naftës Amonicë. Kjo kontratë, ngjashëm me kontratën e sigluar me ‘Kesi’ Sha ka një kohëzgjatje 20 vjet, ndërkohë që çmimet e shërbimit janë rinegociuar mes palëve më 11 Nëntor 2015.

Çmimet e kontratës me “SUPERSTAR-WB”, janë përcaktuar në njësi dhe orë pune. Kontrata është ndarë në zëra, ku për 1 orë pune remonti me sondë është përcaktuar çmimi 18, 000 lekë, si dhe punimet gjeofizike për matjen e temperaturës dhe kontaktit ujë naftë 84,000 lekë. Autobotet me ujë të pastër paguhen me 5,000 lekë për orë pune ndërsa agregatet e çimentimit me 376,800 lekë.

Përshkrimi i punimeve në aneksin e parë është ndarë në katër zëra, ndërsa në aneksin e dytë është përfshirë tarifa e punës për një orë të ekskavatorit, që është 5, 500 lekë dhe punime të tjera, të tilla si saldator dhe axhustator që për një orë pune, çmimi është përcaktuar 600 lekë.

Sikur kompania “SUPERSTAR-WB” t’i ketë ofruar vetëm nga një orë pune për të gjitha zërat e përcaktuar në aneksin e përshkrimit të punimeve dhe çmimeve, vlera e kësaj kontrate është 419,720 lekë.

Sipas një eksperti të fushës së hidrokarbureve, i cili foli për BIRN në kushte anonimati, nisur nga prospektet inxhinierike, nga koeficientet e shfrytëzueshmërisë dhe situatës se industrisë, masa totale e ndërhyrjes me remonte nëntokësore është jo më pak se 10-14 remonte në vit.

Vendburimet në zotërim të kompanisë Phoenix Petroleum janë rreth 100 puse, nga të cilët 30 prej tyre janë ruajtur në gjendje aktive dhe vazhdojnë të nxjerrin naftë nga nëntoka.

Bazuar në përllogaritjet e vlerave të paraqitura në kontratën e lidhur mes kompanisë dhe nënkontraktonit, presupozohet që vlera vjetore e transaksionit vetëm për shërbimet e remonteve nëntokësore të jetë minimalisht rreth 50 mijë USD.

Natyrisht që këtu nuk janë të përfshira dhe punime të tjera që përfshihen në këtë kontratë si punime të veçanta civile apo avari të ndryshme që mund të kenë ndodhur, të cilat e çojnë shifrën e njërës prej kontratave në më shumë se 200 mijë USD.

I pyetur nga BIRN, Bardhi Meli mohoi të ketë përfituar para nga e drejta e zotërimit të 50 përqind të aksioneve të shoqërisë “Superstar-WB”, për shkak të lidhjes së kësaj kontrate dhe rolit të tij si titullar në AKBN.

“ Unë kam hequr dorë nga zotërimi i këtyre aksioneve që kur kam marrë detyrën e nëndrejtorit të AKBN-së dhe nuk kam përfituar asnjë të ardhur prej aktivitetit të kësaj kompanie,” tha ai.

“Këto janë kompani që unë i kam krijuar kur nuk zotëroja këtë pozicion në AKBN, tashmë menaxhohen nga vëllai im,” përfundoi ai.

Revista Monitor,  20.05.2017

Autoriteti i Konkurrencës hapi procedurat për një hetim të thelluar në të gjitha segmentet e tregut të ngarkim shkarkimit, importit, depozitimit dhe shitjes me shumicë të produktit gaz i lëngshëm i naftës për konsum familjar dhe biznes”.

Komisioni i Konkurrencës, pas shqyrtimit të informacionit të paraqitur nga Sektori i Analizës dhe Studimeve “Mbi monitorimin e tregut të Gazit të Lëngshëm për konsumin familjar dhe biznesin”, si dhe Relacionit së Sekretarit të Përgjithshëm, në mbështetje për hapjen e procedurës së hetimit paraprak në të gjitha segmentet e tregut të importit, depozitimit, shitjes me shumicë, shpërndarjes dhe shitjes me pakicë të produktit gaz i lëngshëm për konsum familjar dhe biznes”.

Grupi i Punës gjatë periudhës së hetimit paraprak, procedoi me kryerjen e inspektimeve pranë ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në të gjitha segmentet e tregut të importit, depozitimit, shitjes me shumicë, shpërndarjes dhe shitjes me pakicë të produktit gaz i lëngshëm për konsum familjar dhe biznes.

Për shkak të karakteristikave që GLN-ja mbart në përfitimin e nxehtësisë për përdorim rezidencial, në industri, si karburant për automjetet, etj., si edhe të çmimeve të ulëta krahasuar me karburantet e tjera për shkak të trajtimit të ndryshëm për sa i përket taksimit në vend, GLN-ja paraqet një  zëvendësueshmëri të ulët nga ana e kërkesës konsumatore. Në këto kushte, vlerësojmë se treg përkatës i produktit në këtë rast është:

  1. Tregu i importit;
  2. Tregu i depozitimit;
  3. Tregtimit me shumicë dhe pakicë të produktit GLN. Për efekt të analizës në raport është pasqyruar edhe tregu i ngarkim – shkarkimit të GLN nga dy Portet që ofrojnë këtë shërbim.

Ndërmarrjet nën hetim e zhvillojnë veprimtarinë e tyre në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, pra treg përkatës gjeografik do të konsiderohet tregu i brendshëm.

Struktura e tregut

lmporti dhe tregtimi i GLN-së në territorin e Republikës së Shqipërisë funksionon si një treg i liberalizuar për sa i përket aktivitetit të importit, por kjo veprimtari realizohet vetëm nëpërmjet dy porteve të naftës në zonën gjeografike të ish Uzinës së Sodës PVC në Gjirin e Vlorës dhe në zonën gjeografike të Porto Romanos, Durrës, porte të cilat janë ndërtuar dhe funksionojnë mbi bazën e marrëveshjeve të koncesionit, duke pasur të “drejtën ekskluzive” për këtë lloj shërbimi në territorin gjeografik përkatës.

Porti “Porto Romano” i është dhënë me koncesion nga shteti Shqiptar, ndërmarrjes “Romano Port” SHA, me anë të Ligjit nr.9298, datë 28.10.2004, Për ratifikimin e “Marrëveshjes së Koncesionit, të formës “BOT” (ndërtim, shfrytëzim, transferim), për ndërtimin dhe shfrytëzimin e pontilit të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre në zonën bregdetare të Porto-Romanos, Durrës”. Me anë të kësaj marrëveshjeve, kjo ndërmarrje ka marrë përsipër të ndërtojë dhe të shfrytëzojë pontilin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, si dhe të infrastrukturës së nevojshme portuale, në funksion të depozitave bregdetare që do të ndërtohen në zonën bregdetare të Porto Romanos.

Referuar ekstrakteve të regjistrit tregtar, aksionari kryesor Pirro Bare, ndërmarrja e të cilit është përfituese e koncesionit të “ROMANO PORT” SHA, zotëron:

84% të aksioneve të ndërmarrjes “ROMANO PORT” SHA, që realizon shërbimin engarkim-shkarkimit;

50% të aksione në ndërmarrjen “INTER GAZ” SHA që ka ndërtuar depozita gazi pranë këtij Porti;

100% të aksioneve në ndërmarrjen A&V GAZ SHA.

Nëpërmjet ndërmarrjes A&V GAZ SHA zotëron edhe 100% të aksioneve në ndërmarrjen “AV Distribution” SHA, e cila ushtron veprimtarinë në tregun e shitjes me shumicë të GLN-së.

Në të gjithë strukturën e funksionimit të tregut të ngarkim shkarkimit, importit, depozitimit dhe shitjes me shumicë të GLN-së nga zona e Porto Romanos kemi ndërmarrje të integruara vertikalisht, e cila rrit fuqinë e këtyre ndërmarrjeve, dhe mund të çojë në kufizime të konkurrencës në zbatim të ligjit 9121/2003.

Porti “Vlora-1″ i është dhënë me koncesion nga shteti Shqiptar, ndërmarrjes “La Petrolifera ltalo Rumena” SPA, me anë të Ligjit nr.9231, datë 13.05.2004, Për ratifikimin e “Marrëveshjes së Koncesionit të formës “BOO” për ndërtimin dhe shfrytëzimin e terminalit bregdetar, për depozitimin e naftës dhe të nënprodukteve të saj në gjirin e Vlorës”, si dhe për ratifikimin e “Marrëveshjes së koncesionit të formës “BOT”, për ndërtimin dhe shfrytëzimin e infrastrukturës portuale në shërbim të terminalit bregdetar në gjirin e Vlorës”. Me anë të 2 (dy) marrëveshjeve të mësipërme, kjo ndërmarrje kishte marrë përsipër që brenda afateve të parashikuara në marrëveshje të ndërtonte dhe të shfrytëzonte terminalin bregdetar në portin “Vlora-1″ dhe të infrastrukturës portale të nevojshme në shërbim të terminalit bregdetar.

Referuar informacionit të ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (DPD) për vitin 2016, si dhe nga informacioni i grumbulluar gjatë inspektimeve rezulton se tregu është strukturuar sipas niveleve të mëposhtme:

─ Në nivelin e parë (importit dhe shitjes me shumicë) bëjnë pjesë ndërmarrjet “A&V Gaz” SHA; “Kevin gaz” SHA; “AL- GAZ 2015″ SHA; “Kastrati” SHA; “KASTRIOT & PETROL” SHA dhe “Bena Gas” SHA.;

─ Në nivelin e dytë bëjnë pjesë ndërmarrjet e tregtimit me shumicë të GLN të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre në përputhje me Ligjin Nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për Përpunimin, Transportimin  d dhe Tregtimin e Naftës, Gazit dhe nënprodukteve te tyre”, të ndryshuar. Këto ndërmarrje themelohen në formën e shoqërive anonime dhe e ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit me shumicë të GLN-së vetëm pas pajisjes me licencë tregtimi. Këto shoqëri kanë të drejtë të themelojnë apo të marrin pjesë në shoqëri të tregtimit me pakicë të GLN-së, si stacione të shitjes së karburanteve apo njësi të lëndëve djegëse;

─ Në nivelin e tretë bëjnë pjesë ndërmarrjet e tregtimit me pakicë të GLN-së të cilat janë të detyruara të furnizohen vetëm nga shoqëritë e tregtimit me shumicë, me qëllim shitje tek personat që janë konsumatorë fundorë.

Integrimi vertikal

Referuar ekstrakteve të regjistrit tregtar, një prej aksionerëve zotëron 99.84% të aksioneve të ndërmarrjes “ROMANO PORT” SHA, zotëron gjithashtu dhe 50% të aksioneve në ndërmarrjen “INTERGAZ” SHA që ka ndërtuar depozita gazi pranë këtij Porti. Gjithashtu ky aksionar zotëron 100% të aksioneve në ndërmarrjen A&V GAS SHA, e cila kryen veprimtari importi të GLN-së. Gjithashtu, ndërmarrja A&V GAS SHA zotëron 100% të aksioneve në ndërmarrjen “AV Distribution” SHA, e cila ushtron veprimtarinë në  tregun e shitjes me shumicë të GLN-së.

Në zonën e Portit “Vlora 1″, në bazë të marrëveshjes së Koncesionit, ndërmarrja “PIA” zotëron me koncesion Portin dhe infrastrukturën e ngarkim shkarkimit dhe depozitimit të GLN-së. I gjithë kapaciteti depozitues i GLN-së i janë dhënë me qera ndërmarrjes “FAM GAS”L.L.C.. Ndërmarrja Kevin Gaz SHA 100% të sasisë së importuar e realizon nga ndërmarrja “FAM Gas” L.L.C.. Aksioneri i ndërmarrjes “Kevin Gaz” SHA zotëron 100 % të aksioneve në ndërmarrjen “Manual Gas” SHPK.

Vlerësimi i pozitës dominuese

Një nga kriteret kryesore, që përcaktojnë pozitën dominuese në treg është pjesa e tregut që zënë  ndërmarrjet në tregun përkatës. Përvoja e vendeve të Bashkimit Europian udhëzon, që pozita dominuese nuk është e mundur nëse pjesa e tregut përkatës të ndërmarrjes është më e vogël se 40%. Eksperienca sugjeron se sa më e madhe të jetë pjesa e tregut dhe sa më e gjatë periudha që ndërmarrja zotëron një pjesë të tillë tregu, aq më e mundur është që ky element të jetë një tregues i rëndësishëm për një pozicion dominues dhe të justifikojë në rrethana të caktuara ndërhyrjen e Autoritetit.

Ndërmarrja “A&V GAS” SHA për vitin 2016 zotëron një pjesë tregu prej 36.9%, kurse ndërmarrja Kevin Gaz SHA për vitin 2016 zotëron një pjesë tregu prej 36.4%.

Treguesi i përqendrimit në import mbetet i lartë për shkak të numrit të ulët të operatorëve (2) të cilët zotërojnë pjesët kryesore të tregut.

Në përfundim të analizës së pjesëve të tregut për një periudhe gati 5 vjeçare, rezulton se dy ndërmarrjet “A&V GAS” SHA dhe “KEVIN GAZ” SHA, kanë zotëruar mbi 70% të tregut, dhe në fund të vitit 2016 kanë përkatësisht: 36.9% A&V GAS SHA dhe 36.4% Kelvin Gaz SHA. Kështu të dy ndërmarrjet zotërojnë një pjesë të madhe tregu të cilën edhe e mbajnë për një kohë të gjatë, duke u bërë partnerë të paevitueshëm për importuesit e GLN-së, dhe për pasojë duke iu siguruar “dominimin” në tregun përkatës.

Vlerësimi i kufizimeve të mundshme në treg

Ndërmarrjet importuese dhe shitëse me shumicë “A&V GAS” SHA dhe “KEVIN GAZ” SHA, kanë një sjellje të bashkërenduar përsa i përket çmimit të shitjes me shumicë të GLN-së fhe ndarjes gjeografike të burimeve të furnizimit, çka mund të përbëjë një praktikë të bashkërenduar/marrëveshje të ndaluar në shkelje të nenit 4, pika 1,të Ligjit 9121/2003.

Mesatarja e diferencës çmim blerje – çmim shitje për periudhën objekt hetimi është shumë e ngushtë dhe thuajse simetrike, duke paraqitur sjelljen e njëjtë që kanë ndërmarrjet “A&V GAS” SHA dhe “KEVIN GAZ” SHA, gjë e cila në kuptim të nenit 4 të Ligjit 9121/2003, mund të përbëjë një praktikë të bashkërenduar/marrëveshje të ndaluar midis këtyre 2 (dy) ndërmarrjeve.

Në të gjithë strukturën e funksionimit të tregut të ngarkim shkarkimit, importit, depozitimit dhe shitjes me shumicë të GLN-së nga zona e Porto Romanos kemi ndërmarrje të integruara vertikalisht, e cila rrit fuqinë e këtyre ndërmarrjeve, dhe mund të çojë në kufizime të konkurrencës në zbatim të ligjit, pohoi ne përfundim te hetimit paraprak Autoriteti i Konkurrencës.

Revista Monitor,  25.03.2017

Policia e Fierit ka arrestuar 4 shtetas, 3 prej tyre punonjës të SHPSF “Pelikani”, për vjedhjen e 400 litrave naftë.

Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi Karafil Agaçi, 32 vjeç, banues në fshatin Suk të Rroskovecit. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi ky shtetas ka përvetësuar nëpërmjet korruptimit të punonjësve të SHPSF “Pelikani”nje sasi prej 55 copë tranversash, të cilat i’u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Top Channel,  02.03.2017

Djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, pritet të paraqitet sot për herë të tretë para komisionit hetimor parlamentar për çështjen “CEZ”, për të sqaruar rolin e tij (nëse ka) në procesin e privatizimit të OSSH.

Mbetet për t’u parë nëse Shkëlzen Berisha do të betohet para kryetarit Taulant Balla se do të thotë të vërtetën apo do të refuzojë si në dy seancat e fundit, refuzim i cili mundësoi edhe dështimin e dëshmisë.

Gjithsesi, në seancën e radhës pritet të ezaurohet edhe pretendimi i djalit të ish-kryeministrit, i cili për të shmangur dëshminë, paraqiti një kërkesë për përjashtmin e kryetarit të komisionit Taulant Balla nga kryesimi i seancës dhe nga pyetja e dëshmitarit.

Referuar praktikës dhe precedentëve, komisioni e ka hedhur poshtë kërkesën. Ndërkaq, seanca e sotme zhvillohet në kushtet kur, ditët e fundit, janë zbuluar edhe dy fakte komprometuese për Berishën.

Sipas një deklarate të tatimeve, Shkëlzen Berisha nuk ka paguar taksat nga viti 2007 deri në vitin 2011, për cilat rrezikon të procedohet penalisht.

Në vitin 2009 dhe 2010 ai rezulton të ketë shtuar pasurinë e tij në dy vite me plot 600 mijë euro, por nuk ka paguar asnjë taksë.

Vetëm gjatë vitit 2009, Shkëlzeni ka shtuar 300 mijë euro në llogarinë e tij bankare.

Shqiptarja.com  28.02.2017

Konsorciumi i Organizatave të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), organizoi konferencë për media ku bëri publike kërkesat e dërguara tek Prokurori i Shtetit dhe Zyrja e EULEX në Kosovë, për fillimin e hetimeve ndaj zhvillimeve për projektin Termocentrali “Kosova e Re.”

Duke pasur parasysh shkeljet e numërta që kanë rrjedhur nga ky proces, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik dhe mungesën e analizave bazike, KOSID vlerëson që vazhdimi i këtij projekti do të shkaktoj dëme të mëdha financiare, ekonomike, sociale, dhe mjedisore në Kosovë. Andaj, një hetim i këtij procesi është tejet i rëndësishëm në mënyrë që të mbrohet interesi publik.

Shkeljet dhe parregullsitë e projektit “Kosova e Re”, u evidentuan përmes kronologjisë së publikuar nga KOSID, “Një histori e shkurtër e një dështimi të madh të politikave energjetike në Kosovë.”  Që nga fillimi i idesë së projektit për një termocentral të ri mungojnë referenca të qarta se cilat ligje të Kosovës kanë qenë të aplikueshme.

Sipas kësaj kronologjie, KOSID identifikon se projekti TCKR, që nga koha kur ka qenë si ide, e deri më sot si projekt potencial per ndërtim, ka bartur në vete shkelje të shumta, parregullsi, ndryshime në kapacitetin gjenerues etj. Mbi të gjitha, më alarmante janë shkeljet e ligjeve të Kosovës nga projekti, të cilat fillojnë me Ligjin për Prokurim Publik, Neni 32.4, i cili edhe pse kërkon që gjatë zbatimit të procedurave të prokurimit të jenë dy apo më shume ofertues, në rastin e TCKR, tenderimi ka vazhduar me një ofertues të vetëm – Contour Global.

Për më tepër, Qeveria është duke dhënë informacione jo të vërteta mbi zhvillimet procedurale të projektit dhe se projekti ka qenë i liruar nga gati çdo ligj, si: Ligji për Partneritet Publiko Privat dhe Koncesionet në Infrastrukturë dhe Procedurat për dhënien e tyre (03/L-090), Ligji për Partneritet Publiko Privat (04/L-045) dhe Ligji për Prokurimin Publik (03/L-241). Legjitimimi i një gjëje të tillë, u bë me një Vendim të Qeverisë së Kosovës Nr. 08/17 i cili daton: 01.06.2011.

Vendimi Nr. 08/17 i Qeverisë thekson se: ‘Ligji për Partneritet Publiko Privat (Nr 04/L-045 i publikuar më 25.11.2011) nuk ishte i përshtatshëm për projektin, pasi që dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen për projekte ku ofertuesit potencial veç janë para-kualifikuar’. Megjithatë, më 5 prill 2013 në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik deklarohet e kundërta, aty thuhet se projekti “Kosova e Re” do të realizohet pikërisht me Partneritet Publiko Privat.

Këto shkelje të ligjeve në fuqi në vend,  Qeveria e Kosovës po i arsyeton duke u mbeshtetur në procedurat e prokurimit në përputhje me praktikat e mira dhe udhëzimet e prokurimit të caktuara nga Asociacioni për Zhvillim Ndërkombëtar i Bankës Botërore. Sipas KOSID, standardet e Bankës Botërore apo të cilësdo organizatë tjetër, nuk mund të mënjanojnë ligjet e Kosovës në fuqi, pasi që ato nuk mund të jenë bazë ligjore për Kosovën, por vetëm një udhëzues për procesin. Për më tepër, këto standarde kërkojnë transparencë të plotë të procesit, gjë që Qeveria nuk ka implementuar me këtë projekt.

Procesi për ndërtimin e termocentralit të propozuar është duke u shtyrë, pa përfundimin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM). VNM është proces i cili duhet të përcaktojë nëse projekti është i realizueshëm, të tregojë se në çfarë mase projekti do të dëmtojë mjedisin, dhe të tregojë pasojat e pritshme sociale nga ky projekt dhe se sa do të jetë cmimi i energjisë elektrike pas ndërtimit të këtij termocentrali. Duke e shtyrë procesin përpara pa këtë vlerësim të rëndësishëm paraqet një shkelje të ligjit të Kosovës Nr. 03/L-214 për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, i cili është i detyrueshëm për termocentralet mbi 50 MW. Banka Botërore gjithashtu dështoi për të përfunduar dhe publikuar Vlerësimin e Ndikimit Mjedisor dhe Social (VNMS), studim i cili do të shërbejë për të informuar Bordin e Drejtorëve të Bankës Botërore nëse do të duhej apo jo të mbështesin dhe të miratojnë Garancinë e Pjesshme të Rrezikut (GPR) për termocentralin e ri të propozuar.

Përveç shkeljes së ligjeve dhe shkeljeve procedurale nga termocentrali i propozuar “Kosova e Re”, minierat të cilat janë të ndërlidhura me Projektet Energjetike të Kosovës do të zhvendosin me forcë, dhe do të rrezikojnë varfërimin e mbi 7,000 kosovarëve. Për më tepër, ka shqetësime të tjera në lidhje me ndotjen e ajrit, si dhe me barrën financiare mbi taksapaguesit. Një raport i vitit 2017 nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë së Ripërtëritshme tregon se ka potencial të energjisë të ripërtëritshme në Kosovë me kosto konkurruese përmes Panelave Fotovoltaike dhe hidrocentraleve të vogla.

Edhe pse projekti TCKR është në zhvillim e sipër për më shumë se 10 vite, pyetjet bazë të tlla si kapaciteti, modeli i biznesit, teknologjia e cila do të përdoret, kostoja financiare etj. për termocentralin, mbeten pa përgjigje. KOSID kërkon që procesi i TCKR të anulohet, duke marrë parasysh shkeljet e shumta përgjatë këtyre 10 viteve. Në qoftëse Kosova vazhdon me këtë trend, për 10 vite të ardhshme vendi do të gjendet në një situatë tejet problematike. Andaj, është më se e domosdoshme që tani të punohet në opsione të energjisë së ripërtëritshme të cilat mund të jetësohen më shpejtë, sigurojnë furnizim të duhur të energjisë për qytetarët, dhe në realitet kanë kosto më të përballueshme sesa një termocentral i ri.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  12.02.2017

Nuel Kalaj, sekseri i privatizimit të OSSH te çekët e CEZ-it, refuzon thirrjen e komisionit hetimor parlamentar, pavarësisht se është kërkuar shoqërimi i tij me polici.

Pas dy fletëthirrjeve të firmosura nga kryetari i komisionit, Taulant Balla, vjen reagimi i Kalajt, i cili shkruan në rrjetin social Facebook duke lënë të kuptohet se s’ka ndërmend të paraqitet për të dëshmuar.

Kalaj thotë se ka pajtuar një avokat dhe ai ka të drejtë të përfaqësojë klientin e vet.

“Unë kam autorizuar një avokat që është paraqitur në komision dhe mesa di unë në ëdo shtet normal avokati ka të drejtë të përfaqësojë klientin e vet”, shkruan Kalaj.

Sa i takon fakteve të gjetura nga komisioni për lidhje me Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Nuel Kalaj thotë se janë shpikje.

Postimi në Facebook i Nuel Kalajt:
Sqarim mbas emisionit Kapital ne Vizion Plus ku ishte i ftuar Taulant Balla,
Kam percjellur emisionin tek Vizion Plus dhe llogaria ime nuk eshte fshire asnjehere nga Facebooku por nuk kam deshiruar te vazhdoj te behem pjese e ketyre spekullimeve dhe mashtrimeve ne cdo moment me emrin time. Une kam pasur nje kontrate me Cez-in per te mbledhur informacione ne gjendjen e rrjetit OSHE por ne asnje rrethane nuk eshte negociuar per privatizimin nga ana ime. As per borxhin e keq as per asnje gje tjeter. Dhe kurre skam pasur kompani ne Shqiperi per mbledhjen e borxheve te Cez qe la OSHE-ja. Z.Balla ketu le te kerkoje kush vodhi leket e kompanive shteterore dhe qytetareve Shqipetare dhe jo leket qe Cezi me shperbleu per punen qe bera. Cfare shkolle dhe cfare universiteti kam une eshte problemi imi dhe jo i Taulant Balles, Taulant Balla eshte mire qe te merret me grupin parlamentare se cfare shkolle kane dhe ku e kane mbaruar shkollen. Edhe njehere dua te citoj,Nuk dua te behem pjese e lojrave politike dhe kjo eshte arsyeja qe une nuk dua te deshmoje asnjehere per nje gje qe nuk kam asnje lidhje. Kam deklaruar qe takimet e mia jane ZYRTARE ne shoqerim te Cezit ose drejtuesve te Cezit dhe jo takime “nga oxhaku”. I bej thirrje Taulant Balles te nderpres shpifjet ndaj meje dhe mos te pergojoj shume familjen time.
Dhe ju lutem shume mos u mundoni te shpikni dicka qe nuk egziston, nuk kam asnje lidhje as me Sali Berishen as me Shkelzen Berishen aq sa kam me Edi Ramen dhe Taulant Ballen. Ju lutem hetoni pasurite e juaja dhe mos u merrni me mua qe nuk i kam borxh askujt. Shpresoj shume qe kjo loje politike te marre fund.

P.s : Une kam autorizuar nje avokat qe eshte paraqitur ne komision dhe mesa di une ne cdo shtet normal avokati ka te drejte te perfaqesoj klientin e vet.

Shqiptarja.com  06.02.2017

Komisioni hetimor parlamentar për çështjen ‘CEZ’ i ka dërguar zyrtarisht kërkesën Shkëlzen Berishës, për t’u paraqitur sot për të dëshmuar në lidhje me rolin e tij, nëse ka, në historinë e privatizimit të OSSH dhe favorizimit të CEZ.

“Në zbatim të nenit 14, shkronja “c” dhe nenit 16 të ligjit nr 8891 datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit” të neneve 153-165 të Kodit të procedurës penale dhe të neneve 17 dhe 18 të Rregullores së Brendshme, Komisioni hetimor ka vendosur t’ju thërrasë për të dëshmuar mbi ngjarjet dhe faktet që Ju keni në dijeni, me qëllim sqarimin e rrethanave të ndryshme, në lidhje me çështjen objekt hetimi, ditën e mërkurë datë 1 shkurt 2017, ora 17:00 pranë Kryesisë së Kuvendit”, thuhet në kërkesën e komisionit. Komisioni hetimor e paralajmëron djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha se nëse nuk paraqitet për të dëshmuar, ai do të shoqërohet me forcë nga Policia e Shtetit.

Komisioni ju bën me dije se në rast mosparaqitjeje për të dëshmuar, do të zbatohet ligji nr 8891 datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, i cili në nenin 16, pika 4 përcakton: “Kur dëshmitari nuk paraqitet për arsye të përligjura, i kërkohet organeve të policisë të bëjnë thirrjen me forcë të tij””, thuhet në kërkesën paralajmëruese të komisionit.

Mbetet për t’u parë nëse Shkëlzen Berisha do t’i bindet detyrimit ligjor për të dëshmuar, apo do të ndjekë taktikën e babit, i cili refuzoi disa herë komisionin deri sa u vu në lëvizje Policia e Shtetit. Shkëlzen Berisha ka mohuar disa herë lidhjet me sekserin e privatizimit të OSSH si dhe me bosin e kompanisë DIA, Kastriot Ismailajt, por komisioni disponon një e-mail që provon të kundërtën.

Shqiptarja.com  01.02.2017

Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha,  është thirrur të dëshmojë në Komisionin Hetimor për CEZ pasditen e 1 shkurtit.

Me votat e maxhorancës, Komisioni i drejtuar nga Taulant Balla vendosi që djali i ish-kryeministrit të japë sqarimet e tij për lidhjet me Nuel Kalaj dhe të gjithë historinë e privatizimit të OSSHE.

Po të mërkurën Komisioni do të dëgjoje edhe Nuel Kalajn, i cili nuk u paraqit as mbledhjen e sotme, ndërkohë që iu kërkuar policisë që të sillet para komisionit edhe ish-drejtori i pastrimit të parave Arben Doci, i cili gjithashtu nuk u paraqit para komisionit për të dëshmuar.

Komisioni Hetimor për aferën CEZ ka gjetur prova të mjaftueshme të cilat e lidhin Shkëlzen Berishën me një prej aferave më të mëdha korruptive në historinë e pluralizimit shqiptar.

Sipas dokumenteve të komisionit, Shkëlzen Berisha, në bashkëpunim me Nuel Kalajn, ka luajtur rolin e sekserit para dhe gjatë privatizimit të CEZ, duke negociuar me përfaqësuesit e kompanisë çeke, në këmbim të përfitimit.

Ndërsa prova më konkrete për këtë, janë transaksionet e Nuel Kalajt në vlerën e 7 milionë euro, të tërhequra pak ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009.

Shqiptarja.com  31.01.2017