info@energjia.al

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për faljen e detyrimeve ndaj fondit të sigurimeve shoqërore të personave në pension invaliditeti dhe të personave që kanë marrë pension sipas ligjit “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”. Borxhet që do të falën janë ato të krijuara deri me 31 dhjetor të vitit 2016. Falja përfshin edhe detyrimet e njohura me vendim të gjykatave, ndërsa çështjet në proces gjykimi nuk përbëjnë objekt konflikti gjyqësor dhe pushohen, raporton SCAN.

“Brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Instituti i Sigurimeve Shoqërore të evidentojë dhe të zbatojë të gjitha procedurat administrative dhe dokumentare të evidentimit të detyrimeve të falura. Detyrimet e personave të përcaktuar në nenin 1, të këtij ligji, të cilat mund të krijohen për shkak të punësimit pas datës 1.1.2017, nuk falen” përcaktohet në vendim.

Por si janë krijuar këto borxhe dhe kush përfiton?

I gjithë detyrimi është krijuar në kuadër të operacionit kundër informalitetit. Minatorët dalin në pension në moshën 55 vjeç e kur dorëzojnë dokumentet e pensionit, duhet të plotësojnë dhe një deklaratë që nuk kanë aktivitet ekonomik. Të gjithë minatorët e dalë në pension e kanë plotësuar këtë deklaratë, ndërkohë që disa prej tyre kanë vijuar të punojnë në kushte informale. Në kuadër të operacionit kundër informalitetit, punëdhënësit kanë bërë deklarimet ku ka rezultuar se ka minatorë të dalë në pension që vijojnë të punojnë. Në këto kushte është krijuar një borxh që varion nga 15 mijë deri në 150 mijë lekë, i cili konform ligjit duhej t’u mbahej këtyre pensionistëve nga pensioni i tyre. Për këtë qëllim, ka pasur edhe procese gjyqësore.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me ata që përfitojnë pension invaliditeti. Pavarësisht se janë deklaruar të paaftë për punë dhe trajtohej me pension, disa prej tyre kanë arritur të sigurojnë një punë që u përshtatet kushteve të tyre. Nëse kjo kategori personash gjen një punë të përshtatshme, atëherë duhet plotësuar deklarata pranë sigurimeve shoqërore,çka sjell ndërprerjen e pagesës së plotë dhe u jepet një invaliditet i pjesshëm. Në këto kushte është krijuar një detyrim që shkon në 4-5 mijë lekë. Përballë konstatimit të këtyre rasteve, Këshilli Administrativ i ISSH-së miratoi në fillim të këtij viti propozimin për faljen e këtyre detyrimeve që ishin parashikuar të mbaheshin nga pensionet dhe pushimin e çështjeve gjyqësore që ishin në proces.

Scan Tv,  20.04.2017

Ndërmarrjet publike të Prishtinës kanë përpiluar listat e konsumatorëve borxhlinj që do t’iu falen borxhet deri në fund të fitit 2008.

Në këtë mënyrë ngrohtorja e qytetit Termokos do të falë mbi 11 milionë euro, teksa borxhi që qytetarët i kanë kësaj ndërmarrjeje është 18 milionë euro.

Ndërkaq ujësjellësi rajonal KUR ‘Prishtina’ do të falë rreth 15 milionë euro, përderisa borxhi total që qytetarët i kanë Ujësjellësit është 55 milionë euro, shkruan Koha Ditore.

Në KUR ‘Prishtina’ kanë bërë të ditur se tashmë listat janë përpiluar. E njëjta gjë është bërë edhe në Termokos, ndonëse procesi është përcjellë me konflikt ndërmjet menaxhmentit.

Telegrafi, 09.10.2015

Vepra penale e vjedhjes së energjisë elektrike nuk do të amnistohet për askënd. Këtë fakt e bëri publik ministri i Drejtësisë Nasip Naço në Komisionin e Ligjeve, teksa diskutohej në lidhje me buxhetin e institucionit që ai drejton.

“Dëmi i shkaktuar në Buxhetin e Shtetit nga vjedhje apo humbja në rrjet e energjisë elektrike është mbi 150 mln euro dhe sigurisht që e deklaroj njëherë nga Ministria e Drejtësisë nuk do të këtë amnisti për vjedhësit e energjisë elektrike”, tha ministri.

Më tej Naço sqaroi se dhe pse ka një problem me mbipopullimin në paraburgime, ajo do të normalizohet shumë shpejt me hapjen e burgut të Beratit.

Shqiptarja.com 12.11.2014

Shteti nuk po i trajton bizneset njësoj. Ata po favorizohen edhe politikisht. Kjo, sipas njohësve të ekonomisë dhe përfaqësueseve të biznesit po ndodh me naftëtarët. Këtyre të fundit, ani pse qarkullojnë miliona euro në vit, shteti ka vendosur t’ua falë të gjitha gjobat që i kanë marrë nga Administrata Tatimore e Kosovës në mungesë të arkave fiskale.

Këtë veprim të ATK-së, ekonomistët po e shohin edhe si shkelje ligjore. Madje, ata thonë se edhe çmimet e arkave tani po caktohen në mënyrë arbitrare.

Më këto konstatime nuk po pajtohen assesi naftëtarët. Drejtues të Shoqatës së Naftëtarëve thonë se gjobat për naftëtarët duhet të falen gjithsesi.

Sipas tyre, kompanitë që kanë paguar arka më shtrenjtë gjatë viteve të kaluara, kanë rënë pre e monopolit. Siç thonë ata, me këtë punë duhet të merret edhe EULEX-i.

Në Administratën Tatimore të Kosovës nuk kanë pranuar të thonë asnjë fjalë për këtë çështje edhe pse gazeta ka pritur gjatë tërë javës përgjigje. Naftëtarët dhe zyrtarët e qeverisë ditë më parë janë pajtuar që brenda një periudhe kohore Administrata Tatimore e Kosovës të mos shqiptojë gjoba ndaj kompanive për çështjen e rifiskalizimit.

Portali Telegrafi, 13.04.2014

Pasi ka shqiptuar 118 gjoba ndaj atyre bizneseve që merren me shitjen e derivateve, ATK-ja me urdhër të ministrit të Financave Besim Beqaj, ndalon së gjobituri. Nga këto gjoba ATK-ja ka mbledhur 118.000 mijë euro, por nga data 21 mars e këtij viti, inspektorët e kësaj administrate kanë pushuar së gjobituri këto pika karburanteve.

Kjo pasi që Shoqata e Naftëtarëve e kishte refuzuar fuqishëm një ri fiskalizim me arka të veçanta për pikat e karburanteve. Arka këto të cilat do të ju kushtonin atyre deri në 20 mijë euro për një pikë karburanti. Por ministri Beqaj, për një kohë të gjatë nuk ishte bindur ndaj kërkesave të naftëtarëve të cilët kërkonin që shteti të iu paguaj këto arka.

Gazeta Zëri, 04.04.2014

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri në mbledhjen e Task Forcës për reduktimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, në Prefekturën e Tiranës.

Së pari, më lejoni të ju falenderoj për pjesëmarrjen! Duhet të them se kjo Task Forcë është ngritur në momentin e duhur, dhe në një moment kritik për Shqipërinë. Energjia është një mall me shumë vlerë pasi energjinë e kemi të pakët. Gjysma e saj, në Shqipëri humbet, pra nuk përkthehet në para. Pyetja shtrohet: Si do vazhdojë ky vend?! Si do vazhdojë të mbijetojë ky sektor energjetik?!

Problemet janë shumë kritike dhe prandaj edhe gjithë investimet në fushën e energjisë janë vënë në pikëpyetje. Në qoftë se sistemi energjetik nuk arrin të jetë likuid, pra të ketë para të mjaftueshme për të mbajtur veten, Shqipëria do të vihet në pikëpyetje serioze përsa i përket problemit të energjisë. Çështja është vërtet delikate dhe ky vend nuk mund t’ia ofrojë vetes luksin që të harxhojë deri në 140 milion euro në vlerë monetare, energji të vjedhur e të abuzuar. 50-60% e kapaciteteve tona hidrike, pra kaskada e Drinit, funksionon në këtë rast për të financuar hajdutët. Kjo është e pafalshme!

Fokusi ynë kryesor, i kësaj Task-Force, do të jetë pikërisht evidentimi dhe ndëshkimi i këtyre njerëzve. Pse e them këtë?! Vërtet ka problem edhe me arkëtimin, pasi është një element shumë i rëndësishëm, por dua ta përgëzoj administratorin e ri të CEZ-it për punën e mirë që ka bërë muajt e fundit duke rritur të ardhurat sa i takon pagesave të faturave.

Problemi më i madh dhe serioz është vjedhja. Këtu duhet të përqendrohet e gjithë puna jonë dhe këtu ka rol edhe Prokuroria, policia, këtu kanë rol të gjitha organet e tjera të shtetit. Mbi të gjitha, edhe ju si drejtues vendorë, duhet të sensibilizoni qytetarët dhe të bashkëpunoni me autoritetet.

Ndodh shpeshherë, të thuhet “mos ja pre këtij kësaj radhe”, “lëre atë se s’ka bërë gjë”, “lëre atë lokal të punojë”. Jo, kjo është e rrezikshme! Nëse ju si autoritet vendor jepni shembullin e parë që njerëzit duhet të diferencohen, apo politikanë të caktuar bëjnë ndërhyrje për të lënë një njeri dhe për të ndëshkuar një tjetër, atëherë ne nuk kemi bërë që tjetër përveçse kemi dhënë licencën që aty të vazhdojë të vidhet dhe të abuzohet me energjinë.

Edhe për biznesin, pagesa e energjisë është një barazi gare. Mjafton të pyesësh njerëzit që kanë lokale apo punishte, disa njerëz i ke të rregullt dhe paguajnë, disa të tjerë akumulojnë fatura milionëshe. Dhe a ka “ndihmë” më të madhe të pandershme, për një biznes sesa ta lësh të mos paguajë energjinë, ndërkohë që ai tjetri paguan taksat dhe energjinë? Kjo më pas kthehet në një problem edhe për tregun pasi njerëzit thonë: “hë, se energji elektrike është”.

Realisht, duhet ta fillosh nga gjëra më të thjeshta pasi nuk mund të pretendohet se janë bërë hidrocentrale vite më parë dhe ka energji të mjaftueshme atje. Jo! Nuk është kështu! Burimet tona nuk mjaftojnë. Ky vend importon energji. Ky vend, me ato burime të trashëguara arrin të mbajë një çmim deri diku të pranueshëm për popullatën. Ama, nga ana tjetër nuk mund të tolerohen vjedhje të tilla. Nuk mund të tolerohet që në mes të Tiranës të shikojmë lokale, punishte, apo zonën e autostradës që punojnë me lidhje paralele. Ky është fokusi! Këtu është edhe nevoja e ndihmës së organeve të tjera. Pse?! Duhet të punojmë me plane konkrete dhe me zona konkrete, e me disa detyra shumë të specifikuara.

Nuk mund të vazhdojë kështu, që të evidentohen vjedhjet, vjedhësit, të bëhet ndonjë prerje aty për aty, të nesërmen rilidhen prapë dhe asnjeri nuk merr më masa. Vjedhja e energjisë është krim. Vjedhja e energjisë është një krim i kryer në flagrancë, ku gjithkush e kupton që aty janë shpenzuar miliona para dhe nuk është paguar energji. Ka punishte, ka dyqane, ka lloj-lloj lokalesh të cilat vjedhin në mënyrë sistematike dhe asnjë njeri nuk është kallëzuar.

Fatkeqësisht, kallëzohet ndonjë njeri i varfër, ndonjë njeri në vende të largëta, që as prokuroria nuk i gjen dot adresën dhe biznese të tëra vazhdojnë sikur s’ka ndodhur asgjë. Kësaj gjëje i duhet dhënë fund! Administratori i CEZ, së bashku me strukturat, këtu duhet të fokusohet. Të fokusohet në fillim tek përdoruesit e mëdhenj dhe tek shpërdoruesit e mëdhenj. Nëse konstatohen raste të tilla të kërkohet ndihma edhe e Policisë së Shtetit, pasi këto aksione duhet të mbështeten.

Qeveria po punon nga ana e saj, edhe për forcimin e masave penale. Shumë shpejt do të bëjë ndryshime në Kodin Penal, ku vjedhja e energjisë mbi një vlerë të caktuar, që duket pastër që është për qëllime biznesi, nuk do të ketë më dënim me gjobë. Minimumi do të jetë burg. Nuk do të tolerohen më skenat e kundërshtisë së një grupi njerëzish, apo kolektive, ndaj punonjësve të CEZ-it të cilët kryejnë detyrën. Jeni dëshmitarë, apo e keni dëgjuar në media, rastin e goditjes për shkak të detyrës të një punonjësi të CEZ-it, para dy ditësh. Këto janë raste që shteti nuk do t’i falë! Policia reagoi në kohë dhe unë e përgëzoj për punën e mirë pasi kjo formë reagimi duhet do të ndodhë kudo. Kushdo që pengon punonjësin në ushtrimin e detyrës, ligji do ta ndëshkojë rreptë. Dora e shtetit do të jetë e hekurt! Nuk mund të tolerohet më! Nuk mund të bëni aleancë as me njerëz të caktuar, nuk dua ta përsëris më këtë. Ky është shembulli më i keq që mund të japin edhe të zgjedhurit vendorë apo edhe zyrtarë të tjerë të veshur me pushtet, që bëjnë diferencime tek njerëzit që kanë detyrime për të paguar, apo kanë detyrime për të lidhur kontrata, për të qenë të rregullt me energjinë që shpenzohet.

Detyra që i takon administratës së CEZ, duhet të jetë shumë konkrete dhe duhet të fokusohet tek këto zona. Organet e tjera shtetërorë duhet të japin të gjithë ndihmën e nevojshme. Këtu, një rol të veçantë me vendim qeverie ka Prefekti, i cili në mënyrë javore duhet të analizojë se si po shkon situata në terren dhe të realizojë të gjithë koordinimin përsa i përket mbështetjes dhe me policinë. Kuptohet, nga ana e strukturave duhet të evidentohen rastet e paligjshmërisë dhe nëpërmjet policisë të bëhen edhe kallëzimet e duhura në prokurori. Shpresoj nga Prokuroria e Përgjithshme që të kemi trajtim me precedencë të këtyre rasteve pasi realisht e kemi konsideruar një emergjencë kombëtare dhe të tillë do ta trajtojmë.

Unë dua të sqaroj publikisht, nuk ka më asnjë amnisti për vepra që lidhen me energjinë elektrike. Këtë ta marrë vesh kushdo! Veprat që lidhen me energjinë elektrike, me vjedhjen, me dëmtimin e rrjetit, me fenomenin e dëmtimit të sahateve nuk do të tolerohen më! Çështja e dëmtimit të sahateve kërkon edhe një specifikim në Kodin Penal, duke ashpërsuar masat. Ky vend nuk mund të lejojë më abuzim prej 140 milion eurosh. Një vend që merr kredi, një vend që është në një situatë jo të mirë financiare, nuk e ka këtë luks. Energjia është baza e zhvillimit, jo vetëm për cilësinë e jetës sonë dhe të të gjithë qytetarëve, por mbi të gjitha edhe për zhvillimin ekonomik. Duhet të ketë energji stabël dhe furnizim të vazhdueshëm, e cila sigurohet po pati para të mjaftueshme dhe që institucionet të paguajnë, qytetarët të paguajnë dhe strukturat të bëjnë punën e tyre për të mos lejuar vjedhje.

Të gjithë duhet ta merrni seriozisht pasi puna ka indikatorë konkretë. E gjithë puna juaj do të matet nga rezultatet dhe qeveria nuk do të falë asnjë, qoftë i zgjedhur vendor apo qoftë zyrtar publik i cili bëhet palë me grupime të caktuara, të cilët abuzojnë me energjinë. Unë kërkoj edhe ndihmën e biznesit, ndihmën e kujtdo, po flasim për rregulla të barabarta loje. Të gjithë njerëzit duan parashikueshmëri në biznes dhe ku ka më mirë se ta dish, kjo është kosto ime, përfshirë edhe energjinë, ashtu siç kërkon siguri dhe në fusha të tjera. Edhe energjia është një nga këto kushtet e cila nuk mund të tolerohet dhe patjetër shteti duhet të bëjë çmos që të sigurojë barazi.

Unë përfitoj nga rasti që t’ju përkrah dhe t’ju falënderoj për prezencën këtu. Njëkohësisht, t’ju përkrah në punën tuaj, por njëkohësisht kërkoj vërtet kërkesë llogarie për të gjithë masat, për të gjithë ato gjëra që do të biem dakord sot dhe për çështje konkrete në mënyrë periodike për të parë progresin. Pa progres ne nuk kemi bërë asgjë. Patjetër, ndihma juaj është tepër e nevojshme, mbështetja e qeverisë nuk do të mungojë, qoftë në njerëz, qoftë nga strukturat e CEZ-it, por nga ana tjetër, bashkëpunimi me komunitetin duhet dhe patjetër ndihma e policisë është jashtëzakonisht e nevojshme për suksesin e këtij operacioni.

Kuptohet, jo çdo gjë do të mbetet këtu, po kjo është shumë e rëndësishme në këtë vit, që ne t’i reduktojmë humbjet në një masë të tillë, që ato të jenë më të absorbueshme për të vazhduar reformën në sektorin e energjisë. Reforma që nuk përfundon me kaq, por do të jenë reforma të thella që do të prekin shumë elementë për ta bërë këtë sektor të qëndrueshëm.

Faleminderit!

energjia.al 20.01.2014

Krijohet Task-Forca e energjisë për qarkun e Tiranës. Në takimin e zhvilluar ditën e sotme morën pjesë prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi dhe ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri.

Ministri Gjiknuri e cilësoi krim vjedhjen e energjisë, duke nënvizuar se asnjë faturë e papaguar nuk do të amnistohet.

“Duhet të sensibilizojmë qytetarët, mospagesa është problem për tregun. Nuk mund të vazhdohet kështu. Nuk do të ketë amnisti për faturat e papaguara. Ndihma e vendorëve me rendësi për këto masa”,- deklaroi ministri Gjiknuri.

Sakaq, prefekti i Tiranës theksoi se marrja e masave është e domosdoshme për të mos lejuar përkeqësimin e gjendjes. Prefekti Voprsi tha se çdo punonjës i administratës duhet të paraqesë vërtetim që ka shlyer detyrimet për energjinë elektrike, në të kundërt do të penalizohet.

Balkan Web, 20.01.2014

Presidenti rus Vadimir Putin thotë se do të nënshkruajë së shpejti një dekret për faljen e manjatit të naftës, Mikhail Khodorkovsky, kritik I njohur i Kremlinit, që ka mbi 10 vjet që ndodhet në burg.

Zoti Putin u tha sot gazetarëve se kohët e fundit Khodorkovsky kishte kërkuar të falej për arsye humanitare, pasi e ëma ishte e sëmurë.

Avokati i zotit Khordokovsky mohon që klienti i tij të ketë kërkuar të falet, por shtoi se presidenti rus mund ta falë me inciativën e tij.

Khodorkovsky u arrestua në vitin 2003 dhe ai ka 11 vjet që po kryen dënimin me burg, i akuzuar për mashtrime, evasion fiskal dhe pastrim parash.

Dje Duma ruse miratoi një ligj për amnestinë, në bazë të të cilit do të lirohen nga burgu dy anëtaret e grupit muzikor Pussy Riot, si dhe do të falen 30 anëtarë të ekuipazhi të anijes Greenpeace, të akuzuar për pirateri për një protestë që zhvilluan në muajin shtator në një platformë nafte ruse në oqeanin Arktik.

Zëri i Amerikës, 19.12.2013