info@energjia.al

Enti Rregullator i Energjisë i është drejtuar Kuvendit me një kërkesë për amendime ligjore që synojnë rritjen e pavarësisë së institucionit dhe rritjen e kapaciteteve profesionale.

“Domosdoshmëria e rishikimit nga Parlamenti për statusin  dhe pavarësinë e ERE-s. Për respektimin e direktivës së BE lidhur me një Ent Rregullator të Pavarur është e nevojshme dhe e domosdoshme miratimi nga Kuvendi i dy amendimeve, të cilat do të ndikonin në punën tonë në mënyrë cilësore”,- cilëson ERE në kërkesën ndaj Kuvendit.

Të dy këto amendime janë paraqitur nga një grup deputetësh të të gjithë krahëve politikë, që në muajin prill të vitit 2015, janë diskutuar në Komisionet Parlamentare, janë diskutuar në seancë parlamentare, dhe mbetet vetëm për t’u votuar në Parlament.

“Këtë e kërkojmë sepse miratimi i këtyre dy amendimeve nga Kuvendi përmbush një nga kushtet kryesore  të implementimit të Paketës së Tretë të Energjisë, “Për një Pavarësi Funksionale dhe Financiare të Entit Rregullator të Energjisë”, argumenton ERE.

Enti Rregullator i Energjisë nuk financohet nga buxheti i shtetit, por nga tarifat e rregullimit që merr nga kompanitë e rregulluara, kjo e bën atë më fleksibël në punën e tij, të veçantë në lidhje me institucionet e tjera të pavarura, si dhe shumë specifik dhe me impakt të drejtpërdrejte në ekonomi.

Mosmiratimi i këtyre amendimeve ka penguar në miratimin e strukturës së këtij institucioni, ai vazhdon të funksionojë me strukturën e para 11 viteve, strukturë që i përkiste vetëm sistemit të energjisë elektrike, duke mos pasur asnjë shtesë për Gazin Natyror, shpjegon më tej Enti në kërkesën për Kuvendin.

“Në kushtet aktuale kemi  shtimin në mënyrë intensive të problemeve të Gazit Natyror. Me projektin TAP dhe IAP, jemi vendosur në vështirësi të mëdha në realizimin e detyrave tona, të cilat kërkojnë një zgjidhje të shpejtë dhe profesionale. E kemi të domosdoshme ngritjen e Departamentit të Gazit, por që kemi pengesën kryesore, atë të miratimit të strukturës së këtij institucioni. Mosmiratimi i këtyre dy amendimeve në këtë legjislaturë do të ishte një pengesë e madhe dhe serioze në punën tonë, e cila sa vjen dhe shtohet me ritme të larta” , përfundon ERE në argumentet e saj për ndryshimet.

Revista Monitor,  18.04.2017

Mazhoranca përjashton nga vendosja e barrës hipotekore familjarët që kanë mbi 3 milionë lekë të vjetra energji elektrike të papaguar, por nuk tërhiqet nga kjo masë për bizneset që kanë mbi 15 milionë milion lekë të vjetra debit.

Është ky ndryshimi në projektligjin për “sektorin e energjisë elektrike”, i propozuar nga anëtari i mazhorancës në komisionin parlamentar të Ligjeve Ulsi Manja.

A1Report siguron kopjen e amendamentit i cili do të diskutohet në seancën parlamentare të kësaj të enjteje.

Ndryshimi konsiston pikërisht në pikën c të nenit 92, ku konkretisht thuhet:
Vendos barrën hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme që furnizohet me energji elektrike në rast se detyrimi i papaguar që rrjedh nga një kontratë furnizimi energjie elektrike është mbi 1 500 000 lekë për klientë jo familjarë

Në seancën e shkuar Kuvendi shtyu votimin e projektligjit shumë të debatuar për energjinë energjetike pikërisht pas kundërshtive në lidhje me nenin 92 për barrën hipotekore ndaj familjarë debitorë.

Shqiptarja.com 29.04.2015

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka kërkoi sot në Kuvend, reduktimin e Tatimit të Vlerës së Shtuar të energjisë elektrike. Ai e prezantoi uljen e TVSH-së së energjisë, si ofertën e re të opozitës.

“Heqja e TVSH-së sipas këtij amendamenti është pjesë e ofertës së re të PD-së.”, tha Paloka.

Gazeta Shekulli, 09.04.2015

3-5 vjet burg është masa e dënimit që është parashikuar të futet në Kodin Penal për hajdutët e energjisë elektrike.

Në kushtet kur sistemi energjitik është në gjendje të rëndë dhe kur vjedhjet ne rrjet nuk po bien qeveria po adapoton masa të forta për të frenuar vjedhjen si për biznesin ashtu dhe për konsumatorin familjar.

Mësohet se qeveria ka bërë gati një amendament për të ndryshuar Kodin Penal, ku parashikohet që për sipërmarrësit që vjedhin energjine elektrike do të ketë dënim deri në 5 vjet burg, sepse vjedhja e energjisë ka rrethana edhe më të rënduara pasi kryhet për qëllime fitmprurëse tregtare dhe jo për nevoja jetike si në rastin e familjarëve.

Ndërkohë për konsumatorët familjarë, të cilët vjedhin energjinë më shumë se një herë dhe në bashkëpunim dënimi me burg është deri në tre vjet.

Do të dënohen me tre vjet burg edhe dëmtimi i qëllimshëm i matësave.

Sipas draftit vjedhja e energjisë elektrike nuk do të konsiderohet më si kundravajtje penale, por do të quhet krim, i cili dënohet me burgim.

Në ligjin ekzsitues ky përkufizim ka qenë i paqartë, pasi vjedhja e energjisë njëherë cilësohej si kundravajtje dhe një herë si vepër penale. Kjo bënte që gjykatat t’i interpretonin rastet e konstatuara të vjedhjes së energjisë si kundravajtje administrative, pa dënim me burg.

Gazeta Idea, 25.03.2014

Partia Socialiste do të propozojë nesër në seancë plenare një amendament për heqjen e akcizës për naftën që do të përdoret për qëllime bujqësore. Diskutimi dhe shqyrtimi i këtij amendamenti është parashikuar të bëhet në momentin kur në Kuvend do të nisë diskutimi për projektligjin e ri të qeverisë “Për akcizat”.
Në projektligjin e ri, qeveria ka parashikuar rimbursimin e akcizës së naftës që do të përdoret për anijet e peshkimit dhe të lëndës djegëse që do të përdoret për serat në bujqësi.
Ndërsa përsa i përket akcizës së naftës që përdoret në bujqësi, projektligji i ri nuk parashikon ndryshime dhe e lë këtë pikë si në variantin egzistues. Situata e sektorit të bujqësisë në vend u bë objekt i një debati të gjerë në parlament dy javë më parë, ku u evidentua se shpenzimet e larta për naftën dhe inputet e tjera bujqësore kanë ndikuar në rënien e vullnetit të fermerëve për t’u marrë me bujqësi.

TV Scan, 18.04.2012